|
|
FJALIMI I ATIT TË SHENJTË
Kështjella e Pragës –
Salla Spanjolle
E shtunë, 26 shtator 2009
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,
ju jam mirënjohës për mundësinë që më keni
dhënë të takoj, në këtë kontekst të jashtëzakonshëm, autoritetet
politike e civile të Republikës Çeke si dhe anëtarët e bashkësisë
diplomatike. Falënderoj përzemërsisht Zotërinë President Klaus për
fjalët e sjellshme të përshëndetjes që i tha në emrin tuaj. Veç kësaj, i
shpreh vlerësimin tim Orekestrës Filarmonike Çeke për ekzekutimin
muzikor që hapi këtë takim, dhe që shprehu në mënyrë domethënëse qoftë
rrënjët e kulturës çeke qoftë ndihmesën e madhe që ky komb i ka dhënë
kulturës europiane.
Vizita ime baitore në Republikën Çeke
qëllon në njëzet vjetorin e rënies së regjimeve totalitare në Europën
Qendrore e Lindore, dhe të “Revolucionit të kadifenjtë” që rivendosi
demokracinë në këtë komb. Euforia që e ndoqi atë u shpreh në termet e
lirisë. Njëzet vjet pas ndryshimeve të thella politike që e shndërruan
këtë kontinent, procesi i shërimit dhe rindërtimit vazhdon, tani brenda
kontekstit më të gjerë të njësimit europian dhe të një bote gjithnjë e
më të globalizuar. Aspiratat e shtetasve dhe ato që priteshin prej
qeverive kërkonin modele të reja në jetën publike dhe modele të reja të
solidaritetit mes kombeve e popujve, pa të cilat e ardhmja e drejtësisë,
e paqes dhe e begatisë, që është pritur gjatë, do të kishte mbetur pa
përgjigje. Këto dëshira vazhdojnë të përparojnë. Sot, sidomos mes të
rinjve, del përsëri në pah pyetja mbi natyrën e lirisë së fituar. Për
çfarë arsyeje njeriu jeton në liri? Cilat janë karakteristikat e saj të
përnjëmendta dalluese?
Çdo brez ka detyrën të angazhohet me
guxim për t’i organizuar drejt realitetet njerëzore, duke u përpjekur të
kuptojë përdorimin e duhur të lirisë (krh. Spe salvi, 25). Detyra për
t’i përforcuar “strukturat e lirisë” është themelore, por nuk është
kurrë e mjaftueshme: aspiratat njerëzore shkojnë përtej tyre, përtej
asaj që çfarëdo autoriteti politik apo ekonomik mund të ofrojë, drejt
asaj shprese të ndritshme (krh. ibid., 35), që e gjen zanafillën e vet
përtej vetes sonë e megjithatë shfaqet në brendësinë tonë si e vërtetë,
bukuri e mirësi. Liria kërkon një qëllim dhe prandaj kërkon edhe një
bindje. Liria e vërtetë presupozon kërkimin e të vërtetës – të të mirës
së vërtetë – dhe prandaj e gjen plotësimin e vet tamam në njohjen dhe
kryerjen e asaj që është e drejtë dhe e duhur. E vërtetë, me fjalë të
tjera, është norma-udhërrëfyese për lirinë dhe mirësia është përsosmëria
e saj. Aristoteli e ka përkufizuar të mirën si “atë drejt të cilës
priren të gjitha gjërat”, dhe arriti të sugjeronte se “megjithëse është
e denjë që qëllimin ta arrijmë edhe vetëm për një njeri, gjithsesi,
është më e bukur dhe më hyjnore ta arrijmë atë për një komb apo për një
polis” (Etika Nikomakeje, 1; Caritas in veritate, 2). Në të vërtetë,
përgjegjësia e madhe për ta mbajtur të zgjuar ndjeshmërinë për të
vërtetën e për të mirën bie mbi këdo që ushtron roli udhëheqës: në
fushën fetare, politike apo kulturore, secili sipas mënyrës së vet. Së
bashku duhet të angazhohemi në luftën për lirinë dhe në kërkimin e të
vërtetës: ose këto dy gjëra shkojnë së bashku, pak nga pak, ose së
bashku shuhen në mënyrë të mjerë (krh. Fides et ratio, 90).
Për të krishterët e vërteta ka një emër:
Hyji. Dhe e mira ka një fytyrë: Jezu Krishti. Feja e krishterë, që prej
kohës së Shenjtërve Ciril e Metod dhe e misionarëve të parë, ka pasur në
realitet një rol vendimtar në formimin e trashëgimisë shpirtërore e
kulturore të këtij vendi. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në të
tashmen dhe në të ardhmen. Pasuria e madhe me vlera shpirtërore e
kulturore, që shprehen nëpërmjet njëra-tjetrës, jo vetëm i ka dhënë
formë identitetit të këtij kombi, por edhe e ka pajisur atë me
perspektivën e nevojshme për të ushtruar një rol lidhjeje në zemër të
Europës. Për shekuj me radhë kjo tokë ka qenë pikë takimi mes popujve,
traditave e kulturave të ndryshme. Sikurse e dimë mirë, ajo ka njohur
kapituj të dhimbshëm dhe mban ende vragët e ngjarjeve tragjike të
shkaktuara prej moskuptimit, prej luftës e prej përndjekjes. E
megjithatë është e vërtetë edhe se rrënjët e saj të krishtera kanë
favorizuar rritjen e një shpirti të ndjeshëm faljeje, pajtimi e
bashkëpunimi, që i ka bërë njerëzit e këtyre tokave të aftë të rigjejnë
lirinë dhe të përurojnë një epokë të re, një sintezë të re, një shpresë
të përtërirë. A nuk ka nevojë sot Europa pikërisht për këtë shpirt?
Europa është më shumë se një kontinent.
Ajo është një shtëpi! Dhe liria e gjen domethënien e vet më të thellë
pikërisht në të qenit një atdhe shpirtëror. Në respekt të plotë ndaj
dallimit mes sferës politike e asaj fetare – dallim që garanton lirinë e
shtetasve për të shprehur besojmen e vet fetare e për të jetuar në
sintoni me të – dëshiroj të vë në dukje rolin e pazëvendësueshëm të
krishterimit për formimin e ndërgjegjes së çdo brezi dhe për nxitjen e
një konteksti etik bazë, në shërbim të çdo personi që e quan këtë
kontinent “shtëpi”!
Në këtë shpirt, i bëj jehonë zërit të
atyre që sot, në këtë vend dhe në Europë, mundohen të zbatojnë fenë e
tyre, në mënyrë respektuese por të vendosur, në arenën publike, në
pritjen që normat shoqërore dhe linjat politike të frymëzohen prej
dëshirës për të jetuar sipas të vërtetës që e bën të lirë çdo burrë e
grua (krh. Caritas in veritate, 9).
Besnikëria ndaj popujve të cilëve ju u
shërbeni dhe i përfaqësoni kërkon besnikëri ndaj të vërtetës, e cila
është e vetmja që garanton lirinë dhe zhvillimin e tërësishëm njerëzor
(krh. ibid., 9). Në të vërtetë, guximi për ta paraqitur qartë të
vërtetën është një shërbim ndaj të gjithë anëtarëve të shoqërisë: ai
hedh dritë mbi rrugën e përparimit njerëzor, tregon themelet etike e
morale të tij dhe garanton që udhëzimet politike të frymëzohen prej
thesarit të urtisë njerëzore. Vëmendja ndaj të vërtetës universale nuk
duhet të eklipsohet kurrë prej interesave të veçanta, sado të
rëndësishme që të jenë ato, sepse kjo do të çonte vetëm në raste të reja
të përçarjes shoqërore apo të diskriminimit, që pikërisht ato grupe
interesi apo presioni deklarojnë se duan të kapërcejnë. në të vërtetë,
kërkimi i të vërtetës, jo vetëm që nuk e kërcënon tolerancën e
ndryshimeve apo pluralizmin kulturor, por edhe e bën konsensusin të
mundshëm dhe i lejon debatit publik të mbetet logjik, i ndershëm dhe i
përgjegjshëm, duke siguruar atë njësi që nocionet e vagëta të integrimit
thjesht nuk janë në gjendje ta realizojnë.
Kam besim se, në dritën e përkthimit
kishtar mbi përmasën materiale, intelektuale e shpirtërore të veprave të
bamirësisë, anëtarët e bashkësisë katolike, së bashku me ata të Kishave,
bashkësive kishtare dhe besimeve të tjera, do të vazhdojnë të ndjekin,
në këtë komb dhe gjetiu, objektivat e zhvillimit që kanë një vlerë më
njerëzore dhe humanizuese (krh. ibid., 9).
Të dashur miq, prania jonë në këtë
kryeqytet të mrekullueshëm, shpesh të emërtuar “zemra e Europës”, na
nxit të pyesim veten se në çfarë përbëhet kjo “zemër”. Është e vërtetë
se nuk ka një përgjigje të lehtë ndaj kësaj pyetjeje, megjithatë një të
dhënë na e japin me siguri xhevahiret arkitektonike që e zbukurojnë këtë
qytet. Bukuria mahnitëse e kishave të tij, e kështjellës, e shesheve dhe
e urave e orientojnë mendjen tonë vetëm drejt Hyjit. Bukuria e tyre
shpreh fe; janë epifani (dëftime) të Hyjit që me të drejtë na lejojnë
t’i kkonsiderojmë mrekullitë e mëdha të cilat ne krijesat mund t’i
dëshirojmë kur i japim shprehje përmasës estetike e njohëse të qenies
sonë më të thellë. Sa tragjike do të ishte sikur t’i admironim këto
shembuj të bukurisë, duke mospërfillur misterin transhendent që ato
tregojnë. Takimi krijues i traditës klasike dhe i Ungjillit i ka dhënë
jetë një vizioni të njeriut e të shoqërisë që është i ndjeshëm ndaj
pranisë së Hyjit mes nesh. Ky vizion, në formimin e pasurisë kulturore
të këtij kontinenti, ka nxjerrë qartë në dritë se arsyeja nuk mbaron me
atë që syri sheh, madje ajo është e tërhequr prej asaj që gjendet
përtej, asaj të cilën ne e dëshirojmë thellësisht: mund të themi,
Shpirti i Krijimit.
Në kontekstin e udhëkryqit aktual të
qytetërimit, kaq shpesh të shënuar prej një përçarjeje alarmuese të
njësisë së mirësisë, të të vërtetës dhe të bukurisë, dhe prej
vështirësisë rrjedhuese për të gjetur një konsensus mbi vlerat e
përbashkëta, çdo përpjekje për përparimin njerëzor duhet të frymëzohet
prej asaj trashëgimie të gjallë. Europa, besnike ndaj rrënjëve të veta
të krishtera, ka një thirrje të veçantë për ta mbështetur atë vizion
transhendent në nismat e saj në shërbim të të mirës së përbashkët të
individëve, bashkësive dhe kombeve. Një rëndësi të veçantë ka detyra e
ngutshme për t’i nxitur të rinjtë europianë nëpërmjet një formimi që e
respekton dhe e ushqen aftësinë, e dhuruar prej Hyjit, për t’i kapërcyer
ata kufij që nganjëherë mendohet se duhet t’i zënë ata në kurth. Në
sportet, në artet krijuese dhe në kërkimin akademik, të rinjtë e gjejnë
me gjithë qejf mundësinë për të shkëlqyer. A nuk është po ashtu e
vërtetë se, nëse përballen me ideale të larta, ata do të dëshirojnë edhe
virtytin moral dhe një jetë të bazuar në dashurinë dhe në mirësinë? I
nxis gjallërisht ata prindër e përgjegjës të bashkësive që presin prej
autoriteteve nxitjen e vlerave të afta për të integruar përmasën
intelektuale, njerëzore e shpirtërore në një formim të qëndrueshëm, të
denjë për aspiratat e të rinjve tanë.
“Veritas vincit”. Kjo është motoja e
flamurit të Presidentit të Republikës Çeke: në fund, me të vërtetë e
vërteta fiton, jo me forcë, por falë bindjes, dëshmisë heroike të
burrave e grave me parime të qëndrueshme, falë dialogut të sinqertë që,
përtej interesit personal, di të shikojë nevojat e të mirës së
përbashkët. Etja për të vërtetën, mirësinë, bukurinë, e e vendosur prej
Hyjit në të gjithë burrat e gratë, synon t’i drejtojë të gjithë njerëzit
së bashkut drejt kërkimit të drejtësisë, të lirisë e të paqes. Historia
ka treguar gjerësisht se e vërteta mund të tradhtohet e të manipulohet
në shërbim të ideologjive të rreme, të shtypjes e të padrejtësisë.
Megjithatë, sfidat që duhet të përballojë familja njerëzore, a nuk na
thërrasin të shikojmë përtej këtyre rreziqeve? Në fund, ku ka gjë më
çnjerëzore e shkatërrimtare se sa cinizmi që do të donte ta mohonte
madhështinë e kërkimit tonë për të vërtetën, dhe se sa relativizmi që i
prish vetë vlerat që e mbështesin ndërtimin e një bote të bashkuar e
vëllazërore? Ne, përkundrazi, duhet të rifitojmë besimin në fisnikërinë
e madhështinë e shpirtit njerëzor për aftësinë e tij për ta arritur të
vërtetën, dhe të lejojmë që ai besim të na udhëheqë në punën e durueshme
të politikës e të diplomacisë.
Zonja dhe Zotërinj, me këto ndjenja
shpreh në lutje urimin që shërbimi juaj të frymëzohet e të mbështetet
prej dritës së asaj të vërtete që është reflektim i Dijes së amshuar të
Hyjit Krijues. Me gjithë zemër e thërras mbi ju dhe mbi familjet tuaja
begatinë e bekimeve hyjnore.
titujt kryesorë
|
|