|
|
Fusha
sportive e Shkollës fillore të Sh. Maronit – Nikozi
E
shtunë, 5 qershor 2010
Të dashur
vëllezër e motra në Krishtin,
Είνάι ευάρεστο σε μένα να
είμαι μαζί με σας που είστε οι αντιπρόσωποι της καθολικής κοινότητας της
Κύπρου. [Është një gëzim i madh për mua të jem me ju, përfaqësues të
bashkësisë katolike të Qipros].
Falënderoj
Arqipeshkvin Soueif për fjalët e sjellshme të mirëseardhjes në emrin
tuaj dhe falënderoj, në mënyrë të veçantë, fëmijët për shfaqjen e tyre.
Përshëndes edhe Lumturinë e Tij Patriarkun Foual Tvad dhe i bëj nderimet
e mia punës së madhe e të durueshme të Rojës Françeskane të Tokës së
Shenjtë në personin e Atë Pizzaballa, që gjendet sot këtu me ne.
Në këtë
rast historik të vizitës së parë të Ipeshkvit të Romës në Qipro, vij
t’ju përforcoj në fenë tonë në Jezu Krishtin dhe t’ju nxis që të mbeteni
të një zemre e të një shpirti të vetëm në besnikërinë ndaj traditës
apostolike (krh. Vap 4,32). Si pasardhës i Pjetrit, gjendem mes jush që
t’ju siguroj për mbështetjen, për lutjet e mia dhe për nxitjen time.
Sapo
dëgjuam prej Ungjillit të Gjonit se si disa grekë, që kishin marrë vesh
për veprat e mëdha që Jezusi kishte bërë, iu afruan Filipit apostull
duke thënë: “Duam të shohim Jezusin” (krh. Gjn 12,21). Këto fjalë prekin
thellësisht secilin prej nesh. Sikurse burrat e gratë e Ungjillit, duam
të shohim Jezusin, ta njohim atë, ta duam dhe t’i shërbejmë me “një
zemër të vetme e një shprit të vetëm” (krh. Vap 4,32). Veç kësaj,
sikurse zëri prej qiellit në Ungjillin e sotëm, që ka dëshmuar lavdinë e
emrit të Hyjit, Kisha e shpall emrin e tij jo vetëm për të mirën e vet,
por edhe për të mirën e gjithë njerëzimit (krh. Gjn 12,30). Edhe ju,
ndjekësit e sotëm të Krishtit, jeni të thirrur ta jetoni fenë tuaj në
botë duke i bashkuar zërat dhe veprimet tuaja për nxitjen e vlerave të
Ungjillit që kanë arritur te ju nëpërmjet brezave të të krishterëve
qipriotë. Këto vlera, të rrënjosura thellësisht në kulturat tuaja, ashtu
sikurse në trashëgiminë e Kishës së gjithëmbarshme, duhet të vazhdojnë
t’i frymëzojnë përpjekjet tuaja për nxitjen e paqes, drejtësisë dhe
respektit për jetën njerëzore dhe dinjitetin e bashkëqytetarëve tuaj. Në
këtë mënyrë besnikëria juaj ndaj Ungjillit do t’i sjellë dobi gjithë
shoqërisë qipriote.
Të dashur
vëllezër e motra, duke pasur parasysh situatën tuaj të veçantë, dëshiroj
edhe t’i bëj thirrje vëmendjes suaj mbi një pjesë thelbësore të jetës
dhe misionit të Kishës sonë, pra mbi kërkimin e një njësie më të madhe
në dashuri me të krishterët e tjerë dhe mbi dialogun me ata që nuk janë
të krishterë. Në mënyrë të veçantë që prej Koncilit II të Vatikanit,
Kisha ka qenë e angazhuar që të ecë në rrugën e një kuptimi më të madh
me vëllezërit tanë të krishterë duke treguar një lidhje edhe më të
ngushtë dashurie dhe miqësie mes të gjithë të pagëzuarve. Në situatën
tuaj të veçantë, ju jeni në gjendje të sillni një ndihmesë të veçantë në
arritjen e një njësie më të madhe të krishterë në jetën e përditshme. Ju
nxis që të bëni kështu, duke pasur besim se Shpirti i Zotërisë, që është
lutur që nxënësit e tij të jenë një gjë e vetme (krh. Gjn 17,21), do
t’ju shoqërojë në këtë detyrë të rëndësishme.
Duke
vështruar dialogun ndërfetar, duhet bërë ende shuymë në botë. Kjo është
një tjetër fushë në të cilën katolikët e Qipros shpesh jetojnë situata
që u japin atyre disa mundësi për një veprim të drejtë e të matur. Vetëm
nëpërmjet një pune të durueshme besimi të ndërsjellë mund të kapërcehet
pesha e historisë së kaluar, dhe ndryshimet politike e kulturore mes
popujve mund të bëhen një arsye për të vepruar për një kuptim më të
madh. Ju nxis të ndihmoni që të krijohet ky besim i ndërsjellë mes të
krishterëve dhe jo të krishterëve, si themel për të ndërtuar një paqe që
zgjat dhe një harmoni mes popujve të besimeve, krahinave politike dhe
bazave kulturore të ndryshme.
Të dashur
miq, dëshiroj t’ju ftoj që ta shikoni bashkimin e thellë që ju
bashkëndani tashmë mes jush dhe me Kishën Katolike në botë. Me vëmendje
ndaj nevojave të ngutshme të Kishës, ju nxis të luteni për thirrjet në
meshtari e në jetën rregulltare dhe t’i nxisni ato. Ndërsa ky Vit
Meshtarak është duke u mbyllur, Kisha ka fituar një vetëdije të
përtërirë për nevojën e meshtarëve të mirë, të shenjtë e të përgatitur
mirë. Ajo dëshiron burra e gra fetarë krejtësisht të nënshtruar
Krishtit, të kushtuar përhapjes së mbretërisë së Hyjit mbi tokë. Zoti
Ynë ka premtuar se ata që e kushtojnë jetën e tyre për imitimin e tij do
ta ruajnë atë për jetën e amshuar (krh. Gjn 12,25). U kërkoj prindërve
që ta konsiderojnë këtë premtim dhe t’i nxisin bijtë e tyre t’i
përgjigjen me zemërgjerësi thirrjes së Zotit. I ftoj barinjtë që t’i
ndjekin të rinjtë, dëshirat dhe aspiratat e tyre, dhe t’i formojnë ata
në plotësinë e fesë.
Këtu, në
këtë shkollë katolike, dëshiroj t’u drejtoj një fjalë atyre që veprojnë
në shkollat katolike të Ishullit, veçanërisht mësuesve. Puna juaj bën
pjesë në një traditë të gjatë e të çmuar të Kishës katolike të Qipros.
Vazhdoni me durim t’i shërbeni të mirës së tërë bashkësisë duke u
përpjekur për një edukim të shkëlqyer. Zoti ju bekoftë me begati në
angazhimin e shenjtë të formimit që është dhurata më e madhe që i
Gjithëpushtetshmi na bën ne dhe bijve tanë.
Po ju drejtoj tani një fjalë
të veçantë ju, të rinjtë e mi të dashur të Qipros. Παραμείνετε δυνατοί
στην πίστη σας γεμάτοι χαρά στην υπηρσία του Θεού και γενναιόδωροι με
τον χρόνο σας και με τα τάλαντα σας. Βοηθήστε να κτισθεί ένα καλύτερο
μέλλον για την Εκκλησία και για την χώρα σας, προωθώντας το καλό των
άλλων παρά το δικό σας. [Të jeni të fortë në fenë tuaj, të gëzueshëm në
shërbimin e Zotit dhe bujarë me kohën tuaj dhe talentet tuaja! Ndihmoni
që të ndërtohet një e ardhme më e mirë për Kishën dhe për Vendin tuaj
duke e vënë të mirën e të tjerëve para vetvetes].
Të dashur
katolikë të Qipros, kultivojeni harmoninë tuaj në bashkim me Kishën e
gjithëmbarshme e me Pasardhësin e Pjetrit dhe shtojini lidhjet tuaja
vëllazërore me të tjerët në fe, në shpresë e në dashuri.
Në mënyrë
të veçantë, dëshiroj t’ua dorëzoj këtë porosi të pranishëmve që vijnë
nga Kormakiti, Asomatos, Karpasha dhe Agia Marina. I njoh aspiratat
tuaja dhe vuajtjet tuaja, dhe ju kërkoj t’ua çoni Bekimin tim, afërsinë
time dhe dashurinë time gjithë atyre që vijnë prej fshatrave tuaja ku të
krishterët janë një popull shprese. Nga ana ime, shpresoj fort dhe lutem
që, me angazhimin e vullnetit të mirë të të interesuarve, shpejt të
sigurohet një jetë më e mirë për të gjithë banorët e ishullit.
Me këto
fjalë të shkurtra ia besoj secilin prej jush mbrojtjes së të Lumes
Virgjër Mari dhe ndërmjetësimit të Shenjtërve Pal e Barnabë.
O Θεός ας σας ευλογήση
όλους! [Zoti ju bekoftë!]
titujt kryesorë
|
|