|
|
Shkodër, më 31 mars
2009
TAKIMI ME MËSUESIT
“Profesorët:
misionarë në vendin e punës...”
(Nga Imzot Angelo
Massafra)
Shumë të dashur
Profesoresha dhe Profesorë,
Shumë të dashur
Mësues dhe të gjithë ju Miq.
Jam i lumtur t’jua drejtoj përshëndetjen time të gjithëve ju, jo vetëm
duke bashkëndarë kështu gëzimin që po kaloj këtë kohë në praninë tuaj,
por sidomos duke shfrytëzuar rastin për t’ju komunikuar respektin dhe
nxitjen time të madhe për detyrën edukative, që ju, të dashur profesorë
dhe profesoresha, kryeni me punën tuaj, me qëllim që të mund të bëhet
gjithnjë e më shumë një mision ndaj nxënësve që ju janë besuar, për të
mirën e tyre dhe për zhvillimin e drejtë të të gjithë shoqërisë.
Në të vërtetë, vendi që ju zini në botën e mësimdhënies, të çdo rendi
dhe shkalle, që prej Universitetit deri te kopshtet, është vendi i
kërkimit dhe i përçimit të kulturës. Ju ushtroni një ndër aftësitë më të
larta të njeriut, arsyen, dhe keni detyrën që t’i ndihmoni nxënësit tuaj
që ta ushtrojnë atë në mënyrën më të mirë, pra me shpirt hapjeje, me
guxim, duke qenë të aftë ta përdorin atë që të arrijnë ta jetojnë në një
besëlidhje të thellë me Dijen për të mirën e njerëzimit.
Pikërisht në këtë perspektivë kaq njerëzore dhe njëkohësisht ungjillore
dëshiroj të bashkëndaj me ju një reflektim të shkurtër duke filluar prej
situatës konkrete të kohës sonë. Kjo është një kohë ndryshimesh të
thella dhe çekuilibresh gjithnjë e më të theksuar, në shoqëri ashtu si
edhe në shkollë. Veçanërisht, përmasa fetare dhe shpirtërore është
izoluar në sferën e jetës private dhe duket gati sikur nuk ka asgjë për
të thënë në ndërtimin e jetës personale dhe të bashkëjetesës në shoqëri.
Në mësimdhënie vëmendja përqendrohet, nganjëherë në mënyrë të tepruar,
në disiplinat prodhuese, duke theksuar aspektin e tyre teknik. Veç kësaj,
kultura humanistike – bartëse e përmasës intelektuale dhe shpirtërore të
qenies njerëzore – shpesh zhvleftësohet dhe duket gati sikur
përjashtohet prej horizontit të njohjeve që duhen fituar. Në këtë mënyrë
gjendemi përballë rrezikut real të afirmimit të prirjes për ta kufizuar
horizontin njerëzor në nivelin e asaj që është e matshme dhe për ta
zhdukur kështu çështjen e kuptimit të përnjëmendtë dhe të thellë të
realitetit, në rend të parë të njeriut. Njeriu kufizohet vetëm në
përmasat tekniko-shkencore dhe ekonomiko-prodhuese, duke i lënë pak
hapësirë përmasës së brendshme – krijuese, që mund të zhvillohet vetëm
nëse u kushtohet vëmendja e duhur atyre disiplinave që vënë në qendër
atë që shpirti njerëzor dhe liria e tij ka qenë në gjendje të krijojë
gjatë shekujve. Atëherë, pikërisht në këtë kontekst duket se del në pah
me forcë roli themelor i shkollës, që përcakton edhe thirrjen e
përnjëmendtë të atyre që e animojnë: shkolla është vendi në të cilin
duhet studiuar humanitas-i, fusha në të cilën kultivohet ai lloj dijeje,
prej të cilit jeta mund të marrë ato elemente të nevojshme për
zhvillimin e vet të brendshëm dhe për përmasën e vet vepruese; është
vendi në të cilin nxënësi gjen – duhet të gjejë – mjetet e përshtatshme
që e ndihmojnë të projektojë sipas një ideali që duhet të arrijë, i
udhëhequr prej dijes që i hap horizonte dhe perspektiva të reja e
nganjëherë të pamenduara; është vendi ku mishërohet një nxitje efikase
për një shërbim cilësor ndaj njeriut, në dinjitetin e tij të pacenueshëm
dhe të pashmangshëm personal; është vendi në të cilin nxënësi ushtrohet
për të ndërtuar marrëdhënie domethënëse, me nxënësit e tjerë, me
autoritetin dhe me institucionin, duke u përgatitur kështu që të hyjë më
plotësisht brenda shoqërisë dhe të japë një ndihmesë të vlefshme për
zhvillimin e saj drejt të mirës, drejtësisë dhe paqes.
Siç shihet, ky
është një profil që nuk e kufizon rolin e shkollës apo të Universitetit
thjesht në fitimin e njohurive që keni mësuar dhe përpunuar. Profili që
përvijova më lart e ngre punën tuaj dhe detyrën tuaj në një
mision edukativ të plotë, në atë paideia në të cilën shkenca
bëhet dije dhe personi gjendet vërtet në qendër. Misioni edukativ që,
nëpërmjet studimit dhe fitimit të njohurive, di ta bëjë nxënësin që të
dijë të orientohet nga e mira dhe nga e bukura. Kjo është perspektiva
kulturore e personalizmit të krishterë, që përmbledh dhe plotëson
intuitën e lashtë klasike. Sikurse shkruante Platoni në veprën e tij
Republika:
“Ideja e të mirës është ajo shkencë supreme në referim të të cilës
gjërat e drejta dhe të tjerat bëhen të dobishme dhe vlefshme... dhe nëse
ne nuk e njohim këtë shkencë, edhe nëse do t’i njihnim saktësisht të
gjitha gjërat e tjera, por jo atë, nga kjo nuk do të na vinte asnjë
dobi, ashtu sikurse nuk do të na vinte sikur të zotëronim çfarëdo gjëje
pa të Mirën...”.
Kështu jemi përballë një thirrjeje të vërtetë edukative, që na përfshin
të gjithëve dhe është e orientuar drejt të mirës së të gjithëve,
veçanërisht të botës së të rinjve dhe të nxënësve që ja janë besuar.
Mësimdhënia juaj – dhe mënyra me të cilën e ushtroni atë – ndikon me
siguri te ata, për mirë e për keq, dhe prandaj misioni edukativ që
kryeni mund të jetë vendimtar për jetën e tyre personale dhe për
ndihmesën që janë të thirrur t’i japin shoqërisë, shpesh në fusha të
rëndësishme vendimarrëse. E kemi të gjithë përzemër të mirën e personave
që duam, në veçanti të fëmijëve dhe të të rinjve tanë, dhe dëshirojmë që
ata të mund t’i realizojnë vërtet në mënyrën më të mirë aftësitë që Zoti
u ka dhuruar. Veç kësaj, e dimë se e ardhmja e Vendit tonë varet në një
pjesë të madhe prej tyre. Prandaj nuk mund të mos jemi të kujdesshëm për
formimin intelektual dhe shpirtëror të brezave të rinj, për fitimin nga
ana e tyre e njohurive të sakta dhe të vërteta, për aftësinë e tyre që
të orientohen në jetë dhe të bëjnë dallimin mes të mirës dhe të keqes,
për shëndetin e tyre jo vetëm fizik, por edhe moral. Dëshira jonë dhe
angazhimi ynë për t’i ndihmuar të rinjtë që të kenë një të ardhme më të
mirë dhe që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë duhet të
shoqërohet me një ndjenjë besimi ndaj brezave të rinj. Vërej,
nganjëherë, një zhvleftësim të të rinjve dhe të aftësive të tyre. Më
qëllon, nganjëherë, të dëgjoj shprehje si këto: “Ne studionim më shumë
dhe ishim më të përgatitur”; “Të rinjtë e kanë mendjen të shpërqendruar
prej gjërave jo të rëndësishme”; “Të rinjve nuk mund t’u zihet besë
sepse janë të brishtë nga këndvështrimi kulturor, shkëncor, i ndjenjës
së përgjegjësisë”. Brezat e rinj janë thjesht të ndryshëm prej brezave
tanë. Edhe ne kemi qenë të ndryshëm në krahasim me brezat që na kanë
paraprirë... Brezat e rinj thjesht zhvillojnë aftësi, njohje, kompetenca
të reja, me të cilat ne ndoshta nuk jemi mësuar dhe që ne do të donim
t’i adresojnë brenda asaj që njohim. Kini besim në të rinjtë! Lejijini
ata të shprehin atë që dinë dhe që kanë brenda. Dhe nëpërmjet përvojës
tuaj, besimit tuaj dhe nxitjes suaj ndihmojini thjesht që t’i përdorin
energjitë e tyre dhe aftësitë e tyre për të ndërtuar diçka të vlefshme e
jo për të shkatërruar. Ndihma juaj ndaj tyre do të shfaqet edhe në një
mënyrë tjetër. Jini kërkues! Mos kini frikë t’u kërkoni nxënësve
tuaj maksimumin që mund të japin, por pa qenë shtypës. Ndihmojini që të
nxjerrin në pah dhe të shprehin cilësitë dhe aftësitë që kanë në mendjen
e tyre dhe në zemrën e tyre. Vetëm kështu do të arrijnë të jenë vërtet
të kënaqur me vetveten, me mjedisin në të cilin jetojnë, me jetën në
përgjithësi.
Misioni edukativ në të cilin jeni të përfshirë ju bën misionarë. Të jeni
misionarë në vendin tuaj të punës, pra në fushën e edukimit, nuk ka qenë
kurrë e lehtë, dhe sot nganjëherë duket se po bëhet gjithnjë e më e
vështirë, pasi bëhet e vështirë të përçosh nga një brez në tjetrin diçka
të vlefshme e të sigurtë, rregulla sjelljeje, objektiva të besueshëm
rreth të cilëve duhet ndërtuar jeta jonë. Nuk duhet t’i druani këto
vështirësi, sepse ato nuk janë të pakapërcyeshme.
Mund të themi se janë faqja tjetër e asaj dhurate të madhe dhe të
çmueshme që është liria jonë, me përgjigjësinë që me të drejtë e
shoqëron atë.
Në ndryshim prej asaj që ndodh në fushën teknike dhe ekonomike, ku
përparimet e sotme mund t’u shtohen atyre të të kaluarës, në fushën e
formimit dhe të rritjes morale të personave nuk ekziston një proces i
tillë akumulimi. Secili njeri duhet të mësojë ta ushtrojë lirinë e vet
dhe prandaj secili njeri dhe secili brez duhet të marrë vendimet e veta,
duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë për to. As vlerat më të mëdha të
të kaluarës nuk mund të trashëgohen. Ato kanë nevojë të brendësohen
gjithmonë e vazhdimisht prej secilit dhe kërkojnë që të përtërihen
nëpërmjet një zgjedhjeje personale, që shpesh është e vuajtur dhe
komplekse. Jetës sonë nuk i shërben fakti se etërit tanë kanë besuar në
ideale të mëdha dhe kanë jetuar vlera domethënëse, nëse ne vetë nuk
besojmë në to dhe nuk i jetojmë në të përditshmen tonë. Dhe vlerat, kur
nuk jetohen konkretisht, nuk mund të jenë më të afta t’i japin kuptim
dhe orientim jetës. Nëse kjo ndodh, zhgënjimi bën që shpesh të jetohet e
kundërta e vlerave në të cilat kemi besuar. Dhe ky është me siguri njëri
prej elementeve që të rinjtë tanë janë duke jetuar. Zhgënjimin që është
shndërruar në kundër-vlerë. Por pikërisht në momente të tilla, kur janë
tronditur themelet dhe mungojnë siguritë ekzistenciale, nevoja për vlera
të njëmendta fillon të ndihet me ngulm. Kështu, mund të themi se edhe
sot jemi përballë një kërkese për një edukim që të jetë vërtet i tillë.
E
kërkojnë prindërit, të shqetësuar dhe shpesh në ankth për të ardhmen e
bijve të tyre; e kërkoni ju mësues, që nganjëherë jetoni përvojën e
trishtuar të degradimit të shkollave; e kërkon shoqëria në kompleksin e
vet, që sheh të vëna në dyshim vetë bazat e bashkëjetesës; e kërkkojnë
në brendësinë e tyre vetë të rinjtë, që nuk duan të jenë të lënë vetëm
përballë sfidave të jetës. Kuptoni kështu se të qenit misionarë në
vendin tuaj të punës do të thotë të dini të edukoni. Dhe kjo kërkon që
të mësojmë të dhurojmë diçka nga vetvetja. Edhe në një fëmijë të vogël
ka një dëshirë të madhe që të dijë e të kuptojë, e cila shfaqet në
pyetjet e tij të vazhdueshme dhe në kërkesat për shpjegim. Pra, do të
ishte një edukim i varfër ai që do të kufizohej të japë disa nocione dhe
disa informacione, por do t’i linte mënjanë pyetjet në lidhje me të
vërtetën dhe me kuptimin e jetës, sidomos me atë të vërtetë që i jep
kuptim jetës dhe arrin të jetë udhërrëfyese në vendimet e rëndësishme që
duhen marrë.
Pastaj, veçantia e
misionit në të qenit profesorë, besoj se është ajo e të kuptuarit se
jeni dëshmitarë, ndërtues dhe garantë të takimit të dy lirive, rrezikun
e të cilës duhet të mësojmë ta pranojmë, duke mbetur gjithmonë të
vëmendshëm për të ndrequr idetë dhe zgjedhjet e gabuara. Edukimi nuk
mund të bëjë pa atë autoritetësie që e bën të besueshëm ushtrimin e
autoritetit. Autoritetësia e mësuesit, që e bën nxënësin të ketë besim
në të, është fryt i përvojës dhe i kompetencës, por fitohet sidomos me
koherencën në jetën e vet dhe me përfshirjen personale në atë që mëson.
Kjo e nxit nxënësin që të mësojë me shije dhe të ketë një vështrim
dashurie mbi realitetin që e rethon, sepse vetëm vështrimi që vjen
drejtpërdrejt nga thellësia e brendësisë sonë është i aftë të jetë
krijues dhe të zgjojë e nxisë jetën. Të mësuarit me shije...
Studimi, e dimë, është i mundimshëm dhe kërkon përkushtim e energji. Por
nëse nxënësi nuk edukohet me shijen për të njohur gjëra të reja e për të
fituar mjetet e përshtatshme për ta kuptuar realitetin që e rrethon,
studimi bëhet i thatë dhe joprodhues. Pa shije, studimi bëhet ferr.
(që çon në analfabetizmin, drej të cilit jemi duke ecur!!!)
Shumë të dashur profesorë, jini gjithmonë dëshmitarë të të vërtetës dhe
të të mirës, duke i ndihmuar zemrat e mendjet që të edukohen me
kërkimin. Që nxënësit tuaj ta ndiejnë dëshirën që të kërkojnë përgjigjet
e pyetjeve të tyre intelektuale dhe të atyre ekzistenciale. Të edukosh
për të kërkuar do të thotë të edukosh vetveten – me qëllim që të
edukosh të tjerët – që të përballojnë udhëkryqet e jetës, sepse
pikërisht aty njeriu gjendet para vendimeve më të rëndësishme që duhet
të marrë. Në të vërtetë, udhëkryqi është vendi ku personi ka më së
shumti nevojë për një ndihmë, për një mbështetje, për një këshillë. Dhe
pikërisht në këtë udhëkryq simbolik, vend i ndalimit dhe i pushimit para
përballjes së një cope të re rruge që na pret, ju them: ‘guxim’! Ecni
përpara në edukimin për të kërkuar! Ecni përpara në kërkimin e rasteve
për të bërë mirë! Të rinjtë, fëmijët, studentët kanë nevojë për këtë
vullnet, kanë nevojë për këtë angazhim nga ana juaj. Misioni juaj le të
bëhet për ta guxim për të bërë zgjedhje përfundimtare! Te rinia ka shumë
zemërgjerësi, por përballë rrezikut të angazhimit për tërë jetën, njeriu
ndien frikë. Kini forcën që ta zgjoni guximin për të bërë zgjedhje
përfundimtare, që në realitet janë të vetmet që e bëjnë të mundur
rritjen, ecjen përpara dhe arritjen e diçkaje të madhe në jetë, të
vetmet që nuk e shkatërrojnë lirinë, por i japin asaj drejtimin e duhur
në hapësirë; marrja përsipër e këtij rreziku, do të thotë edhe sot, si
për ju profesorë ashtu edhe për nxënësit, guxim i ideve!
Enciklika Spes
Salvi e papës Benedikti XVI na kujton se: shpirti i edukimit, sikurse i
gjithë jetës, mund të jetë vetëm një “shpresë e besueshme”. Prandaj nuk
mund ta përfundoj këtë moment pa një ftesë të ngrohtë për ta mbështetur
në Hyjin shpresën tonë. Vetëm Ai është shpresa që u bën ballë të gjitha
zhgënjimeve. Shpresa që i drejtohet Hyjit nuk është kurrë shpresë vetëm
për vetveten, por është gjithmonë shpresë edhe për të tjerët: shpresë që
na bën misionarë dhe solidarë në të mirën për të edukuar dhe për t’u
edukuar në mënyrë të ndërsjellë në të vërtetën dhe në dashurinë.
titujt kryesorë
|
|