ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Takimi me te rinjte

Fjalimi i Atit te Shenjte Benedikti XVI

 

 

Moli i Porto Grandes – La Valeta, E diel, 18 prill 2010

 

Żgħażagħ Maltin u Għavdxin, jien kuntent ħafna li ninsab maghkom,

[Të dashur të rinj të Maltës dhe të Gozos, jam shumë i lumtur të gjendem me ju],

 Jam shumë i gëzuar që sot gjendem me ju, në vendlindjen tuaj. Në këtë përvjetor domethënës le ta falënderojmë Hyjin që e ka dërguar Palin apostull në këta ishuj, pasi kanë qenë ndër të parët që e kanë marrë Lajmin e Mirë të Zotit tonë Jezu Krishtit.

 Përshëndes përzemërsisht Arqipeshkvin Cremona dhe Ipeshkvin Grech të cilin e falënderoj për fjalët e tij të përzemërta, si dhe të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët dhe rregulltarët që janë këtu. Në veçanti ju përshëndes ju, të rinj të Maltës dhe të Gozos, dhe ju falënderoj që më keni folur për problemet që ju shqetësojnë. E çmoj dëshirën tuaj për ta kërkuar e për ta gjetur të vërtetën dhe për të kuptuar se çfarë duhet të bëni për të arritur plotësinë e jetës.

 Shën Pali, kur ishte i ri, ka pasur një përjetim që e ka ndryshuar përgjithmonë. Siç e dini, një herë e një kohë ai ishte armik i Kishës dhe ka bërë gjithçka për ta shkatërruar atë. Ndërsa ishte në udhëtim drejt Damaskut, me qëllimin që të zhdukte çdo të krishterë që do të gjente atje, iu shfaq Zoti në vegim. Një dritë verbuese ndriçoi përreth tij dhe ai dëgjoi një zë që i thoshte: “Pse më salvon?... Unë jam Jezusi, që ti e salvon” (Vap 9,4-5). Pali u mposht krejtësisht prej këtij takimi me Zotin dhe e gjithë jeta e tij u shndërrua. U bë një nxënës deri në atë pikë sa të ishte një apostull e misionar i madh. Këtu në Maltë keni një arsye të veçantë që të falënderoni për mundimet misionare të Palit, i cili e përhapi Ungjillin në Mesdhe.

 Çdo takim personal me Jezusin është një përvojë tronditëse dashurie. Fillimisht, sikurse vetë Pali pranon, “e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë” (krh. Gal 1,13). Por urrejtja dhe zemërimi të shprehura në ato fjalë u hodhën tutje krejtësisht prej fuqisë së dashurisë së Krishtit. Pas kësaj përvoje Pali ka pasur dëshirën e zjarrtë që ta çojë lajmin e kësaj dashurie deri në skajet e tokës.

 Ndoshta dikush prej jush do të më thotë se Shën Pali ka qenë shpesh i ashpër në shkrimet e veta. Si mund të pohoj se ai ka përhapur një mesazh dashurie? Përgjigjja ime është kjo. Hyji e do secilin prej nesh me një thellësi dhe dendësi që as nuk mund ta përfytyrojmë. Ai na njeh nga brenda, e njeh çdo aftësi tonën dhe çdo gabim tonin. Meqenëse Ai na do kaq shumë, Ai dëshiron të na pastrojë prej gabimeve tona dhe t’i përforcojë virtytet tona që të mund të kemi një jetë të begatë. Kur na e tërheq vëmendjen, sepse diçka në jetët tona nuk i pëlqen, nuk na refuzon, por na kërkon të ndryshojmë e të bëhemi më të përsosur. Këtë i ka kërkuar Shën Palit në rrugën për Damask. Hyji nuk refuzon askënd. Dhe Kisha nuk refuzon askënd. Megjithatë, në dashurinë e tij të madhe, Hyji sfidon secilin prej nesh që të ndryshojë dhe të bëhet më i përsosur.

 Shën Gjoni na thotë se kjo dashuri e përsosur e përzë frikën (krh. 1 Gjn 4,18). Dhe prandaj ju them të gjithëve ju “Mos kini frikë!”. Sa herë i dëgjojmë këto fjalë në Shkrimin e Shenjtë. Engjëlli ia ka drejtuar Marisë në Lajmërim, Jezusi ia ka drejtuar Pjetrit kur e ka thirrur të jetë nxënës i vet dhe engjëlli ia ka drejtuar Palit në vigjiljen e anijethyerjes. Atyre që prej jush dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si çifte të martuara, prindër, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë që ia çojnë mesazhin e Ungjillit botës, u them: mos kini frikë! Sigurisht, do të ndeshni kundërshti në këtë kumtim. Kultura e sotme, sikurse çdo kulturë, nxit ide dhe vlera që nganjëherë janë në kundërshtim me ato të jetuara e të predikuara prej Zotit tonë Jezu Krishtit. Shpesh paraqiten me një pushtet të fortë bindës, të përforcuar prej mediave dhe prej presionit shoqëror të bërë prej grupeve kundërshtare të fesë së krishterë. Kur njeriu është i ri me lehtësi mund të ndikohet prej bashkëmoshatarëve për të pranuar ide dhe vlera që e dimë se nuk janë ato që Zoti vërtet do prej nesh. Ja përse ju them juve: mos kini frikë, por galdoni në dashurinë e tij për ju; kini besim në të, përgjigjjuni ftesës së tij për të qenë nxënës, gjeni ushqim dhe ndihmë shpirtërore në sakramentet e Kishës.

 Këtu në Maltë jetoni në një shoqëri që është e shënuar prej fesë dhe prej vlerave të krishtera. Duhet të jeni krenarë sepse Vendi juaj e mbron fëmijën ende të palindur dhe nxit edhe qëndrueshmërinë e familjes duke i thënë jo abortit dhe divorcit. Ju nxis ta ruani këtë dëshmi të guximshme ndaj shenjtërisë së jetës dhe qendërsisë së martesës e të jetës familjare për një shoqëri të shëndoshë. Në Maltë dhe në Gozo familjet dinë se si t’i japin vlerë dhe të kujdesen për anëtarët e tyre të moshuar e të sëmurë, dhe i pranojnë fëmijët si dhuratë të Hyjit. Kombe të tjera mund të mësojnë prej shembullit tuaj të krishterë. Në kontekstin e shoqërisë evropiane, vlerat ungjillore edhe një herë janë duke u bërë një kundër-kulturë, pikërisht sikurse ishin në kohën e Shën Palit.

 Në këtë Vit Meshtarak, ju kërkoj të jeni të hapur ndaj mundësisë që Zoti të thërrasë disa prej jush për t’iu kushtuar tërësisht shërbimit të popullit të Vet në meshtari dhe në jetën e kushtuar. Vendi juaj i ka dhënë Kishës shumë meshtarë e rregulltarë të shkëlqyer. Frymëzohuni prej shembullit të tyre dhe njiheni gëzimin e thellë që vjen prej kushtimit të jetës shpalljes së mesazhit të dashurisë së Hyjit për të gjithë, pa përjashtim.

 Edhe më parë kam folur për kujdesin që duhet t’u kushtohet të rinjve, të moshuarve dhe të sëmurëve. Por i krishteri është i thirrur t’ua çojë mesazhin e shëndoshë të Ungjillit të gjithëve. Hyji e do secilin njeri, madje Ai do çdo njeri të çdo epoke të historisë së botës. Në vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit, që bëhet e pranishme sa herë kremtohet Mesha, Ai ua jep jetën me bollëk të gjithë këtyre njerëzve. Si të krishterë jemi të thirrur ta shfaqim dashurinë e Hyjit që i përfshin të gjithë. Prandaj duhet ta ndihmojmë të varfrin, të dobëtin, të mënjanuarin; duhet të kemi një kujdes të veçantë për ata që janë në vështirësi, që vuajnë nga dëshpërimi apo ankthi; duhet të kemi kujdes për të paaftin dhe të bëjmë gjithçka mundemi për ta nxitur dinjitetin dhe cilësinë e jetës së tyre; duhet t’u kushtojmë vëmendje nevojave të të imigruarve dhe të atyre që kërkojnë strehim në tokat tona; duhet t’u shtrijmë dorën me miqësi besimtarëve dhe jo besimtarëve. Kjo është thirrja fisnike e dashurisë dhe e shërbimit që të gjithë e kemi marrë. Kjo gjë bëftë që t’ia kushtoni jetët tuaja ndjekjes së Krishtit. La tibżgħux tkunu ħbieb intimi ta’ Kristu [Mos kini frikë të jeni miqtë e ngushtë të Krishtit!].

 Të dashur të rinj, ndërsa jam duke u larguar prej jush, dëshiroj që ta dini se sa afër jush jam dhe se sa kujtohem për ju, familjarët tuaj dhe miqtë tuaj në lutjet e mia. “Selluli għaż-żgħażagħ Maltin u Għavdxin kollha” [“Jepuni përshëndetjet e mia të gjithë të rinjve të Maltës dhe të Gozos”].

  

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster