ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Thirrje

 

 

 

Ne, burra e gra të besimeve të ndryshme kemi lënë akim në qytetin e lashtë të Krakovisë, në Poloni, shtatëdhjetë vjet pas fillimit të Luftës II Botërore: për t’u lutur, për të dialoguar, për të bërë që të rritet një humanizëm paqeje. I bëjmë nderimet kujtimit të Gjon Palit II, bir i kësaj toke. Ai ka qenë mësues i dialogut dhe dëshmitar këmbëngulës i shenjtërisë së paqes, i aftë të dhurojë një vizion në kohë të vështira: shpirtin e Asizit.

Ai shpirt ka fryrë në shumë ndryshime paqësore në botë. Kështu, në vitin 1989, njëzet vjet më parë, Polonia dhe Europa Lindore rigjetën lirinë e tyre. Pikërisht në shtator 1989, në Varshavë, burra e gra të besimeve të ndryshme, të mbledhur prej Bashkësisë së Shën Egjidit, e kanë shprehur fort dashurinë e tyre për paqen: “Kurrë më luftë!”. Atij shpirti i kemi qëndruar besnikë, pavarësisht se, në vitet e kaluara, shumë njerëz kanë besuar se dhuna e lufta mund t’i zgjidhnin problemet e konfliktet e botës sonë.

Shpesh është harruar mësimi i hidhur i Luftës II Botërore. E megjithatë ajo ka qenë një tragjedi e pamasë e historisë njerëzore. Kemi shkuar shtegtarë në Aushvic, të vetëdijshëm për humnerën në të cilën njerëzimi ka rënë. Duhej të ktheheshim në këtë humnerë të të keqes për ta kuptuar më mirë zemrën e historisë! Nuk mund të harrohet aq shumë dhimbje!

Duhet të vështrojmë dhimbjet e botës sonë: popujt në luftë, të varfërit, llahtari i terrorizmit, viktimat e urrejtjes. Kemi dëgjuar britmën e shumë njerëzve që vuajnë. Popuj të tërë janë pengje të luftës e të varfërisë, shumë njerëz lënë shtëpitë e tyre, shumë njerëz janë zhdukur e grabitur apo jetojnë në pasiguri.

Bota jonë është e çorientuar prej krizës së një tregu që ka menduar se është i gjithëpushtetshëm, dhe nga një globalizim shpesh pa shpirt e pa fytyrë. Globalizimi është një rast historik, edhe pse shpesh është parapëlqyer të shikohet në një logjikë përplasjeje qytetërimesh dhe besimesh. Nuk ka paqe për botën, kur vdes dialogu mes popujve. Asnjë njeri, asnjë popull nuk është ishull!

Traditat tona fetare, në ndryshimet e tyre, së bashku dhe me forcë thonë se një botë pa shpirt nuk do të jetë kurrë njerëzore. Ato tregojnë rrugën e kthimit te Hyji, që është zanafilla e paqes.

Shpirti dhe dialogu do ta frymëzojnë këtë botë të globalizuar! Një botë pa dialog do të jetë skllave e urrejtjes dhe e frikës prej tjetrit. Besimet nuk e duan luftën dhe nuk duan që të përdoren për luftën. Të flasësh për luftë në emër të Hyjit është një blasfemi. Asnjë luftë nuk është e shenjtë. Njerëzimi mposhtet gjithmonë prej dhunës dhe prej terrorit.

Shpirti dhe dialogu tregojnë rrugën për të jetuar së bashku në paqe. Kemi zbuluar me më shumë qartësi se dialogu na liron prej frikës dhe prej mosbesimit ndaj tjetrit. Është një alternativë e madhe në vend të luftës. Nuk e dobëson identitetin e askujt dhe na bën të zbulojmë më të mirën në vetveten dhe në tjetrin. Asgjë nuk humbet me dialogun. Dialogu shkruan historinë më të mirë, ndërsa përplasja hap humnera. Dialogu është arti i të jetuarit së bashku. Dialogu është dhurata që duam t’i bëjmë shekullit XXI.

 Kështu le të rinisemi nga kujtimi i Luftës II Botërore, nga profecia e Gjon Palit II, si shtegtarë të paqes, duke ndërtuar me durim dhe guxim një stinë të re të dialogut që bashkon në paqe ata që urrehen dhe mospërfillen, të gjithë popujt dhe të gjithë njerëzit. Hyji i dhashtë botës së tërë, secilit burrë dhe secilës grua, dhuratën e mrekullueshme të paqes!

 

 Krakovi, 8 shtator 2009

   

 titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster