|
|
TOLERANCA NË BASHKËSI
(Fjalim i Imzot Angelo Massafra-s në
Universitetin e Shkodrës)
(26/02/2009)
Shumë i
nderuar Prof. Gasper Kokaj, (falenderoj pëzemërsisht juve dhe Rektorin
për ftesën)
Autoritete Akademike dhe Profesorë,
të dashur studentë, ju, që të gjithë së bashku e bëni këtë vend tempull
të kulturës.
Përshendes e falenderoj Dom Gjovalin Sukaj,
Të nderuar përfaqësues të feve dhe të institucioneve.
Shumë të nderuar Zotërinj e Zonja që keni zgjedhur të jeni të pranishëm
në këtë rast.
Më lejoni t’jua hap zemrën në fillim të kësaj ngjarjeje që na bashkon në
këtë Auditor të Madh. E kam dashur këtë takim, me rastin e vizitës
baritore që – si Ipeshkëv – jam duke bërë në qytetin e Shkodrës, që të
shfaq vlerësimin tim për punën kulturore e shkencore që kryhet në këtë
institucion dhe që t’i ftoj të gjithë për një angazhim e seriozitet
gjithnjë e më të madh, me qëllim që Shkodra jonë, “djepi i kulturës”,
siç është përkufizuar, të mund të jetë gjithmonë në lartësinë e namit të
saj të merituar. Pra, është një gëzim i madh për mua sot të jem së
bashku me ju që të bashkëndaj reflektimet mbi një vlerë që na bashkon të
gjithëve: ajo e tolerancës brenda bashkësisë. Kjo vlerë i gjen rrënjët e
veta, nëse mund të guxoj ta përdor këtë koncept, brenda vetë njeriut.
Por nuk mund ta vazhdoj fjalimin tim pa ju thënë se sot mua më trishton,
dhe jam i sigurtë se i trishton të gjithë, mungesa e një njeriu plot fe
dhe vlera njerëzore mes nesh: pikërisht në këtë Auditor, ku me siguri do
të kishte pasur një ndër vendet e nderit. Imzot Zef Simoni ka ndërruar
jetë disa ditë më parë. Por pasuria e tij njerëzore e kulturore nuk
është larguar prej nesh dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë një nxitje
për të mbrojtur e promovuar të Vërtetën e Hyjit dhe dinjitetin e njeriut.
Gjej rastin ta faleminderoj përsëri Imzot Zefin, dhe jemi të sigurtë se
nuk na ka braktisur, por do të vazhdojë të na ndjek nga qielli dhe t’i
nxitë përpjekjet tona për të krijuar një qytetërim të drejtë e paqësor,
të bazuar në dashurinë e vërtetë.
Në fillim të ndërhyrjes sime, po sqaroj se çfarë kuptoj me termin ‘bashkësi’,
që gjendet në titullin e kësaj konference. Bashkësia është vendi,
natyrisht jo fizik, që i bashkon të gjithë ata që ndjekin një qëllim të
përbashkët. Bashkësia njerëzore, të cilës i referohemi, përputhet kështu
me gjithë njerëzimin, me të gjithë njerëzit që jetojnë në botën tonë.
Siç thotë Koncili II i Vatikanit, për shembull në pjesë të ndryshme të
dokumentit ‘Gaudium et spes’ (= ‘Gëzimi dhe shpresa’), jemi të gjithë
anëtarë të një familjeje të vetme njerëzore. Sigurisht, ajo që do të
them mund të përdoret për çdo grup shoqëror, politik, fetar, kulturor,
që bashkohet për të ndjekur qëllime të përbashkëta të pjesshme. Vlen,
për shembull, edhe për bashkëjetesën brenda qytetit tonë.
Toleranca për të cilën flasim shprehet para së gjithash në respektimin e
personit tjetër, kushdo qoftë ai, dhe për pozicionet e të tjerëve. Por,
me qëllim që kjo të ndodhë realisht, toleranca kërkon në rend të parë të
njihet e të respektohet natyra jonë dhe gjithçka që na përket. Nëse nuk
e njoh vërtet vetveten, traditën time fetare dhe kulturore, thellësitë e
shpirtit tim, aty ku zbuloj rrënjën e luftës mes së mirës dhe të keqes,
si mundem edhe vetëm të dëshiroj ta njoh tjetrin në tërësinë e tij dhe
ta respektoj atë? Për këtë arsye, respekti ndaj personave dhe bindjeve
të tyre sjell si rrjedhojë të drejtën për një informim real dhe të gjerë,
edhe të mendimit dhe të traditës së tjetrit. Nëse jemi realisht të
gatshëm ta dëgjojmë tjetrin pa mbrojtje, pa paragjykime, por me empati
dhe ndërkohë duke i kushtuar vëmendje vetvetes, është vërtet e mundur ta
takojmë tjetrin dhe t’i përgjigjemi atij në mënyrë krijuese. Toleranca
brenda bashkësisë nis prej aftësisë për t’u takuar dhe çdo takim është
përnjëmend i tillë nëse mbështetet në bashkëndarjen e qëllimeve të
ndërsjellta. Përballë tjetrit, jeta na vë shpesh para një udhëkryqi:
dhunë apo mikpritje; dhunë apo dhembshuri; dhunë apo altruizëm? Duhet të
zgjedhim dhe zgjedhja nuk është e lehtë, sepse dhimbja e urrejtja mund
të na bëjnë të marrim drejtimin e gabuar, atë të dhunës. Vetëm
gatishmëria ndaj dëgjimit mund të na bëjë ta shndërrojmë në mënyrë të
dobishme dhimbjen e të marrim rrugën e rritjes në njerëzi nga ana e të
gjithëve.
Jam i bindur se toleranca në bashkësi nuk do të ishte e mundur pa një
faktor tjetër të veçantë që e karakterizon dhe është themeli i saj:
pranimi i ndryshueshmërisë.
Çdo person, çdo kulturë, çdo fe është objektivisht e ndryshme nga të
tjerat (përndryshe, as nuk do të ekzistonin, do të kishte vetëm një
person, vetëm një kulturë, vetëm një fe...) dhe duhet, për shembul, t’i
njohim mirë ndryshimet filozofiko-teologjike që ekzistojnë, përndryshe
nuk do të mund të jemi as tolerantë as, aq më tepër, të arrijmë të
dialogojmë me të tjerët për të ndërtuar një bashkësi dhe një
bashkëjetesë më të mirë. Ndryshueshmëria është fakt. Por ne e jetojmë
keq këtë realitet. Në të vërtetë, ndryshueshmëria është shpesh burim
ankthesh dhe frikash, sepse në mënyrë të pavetëdijshme e ndiejmë si
kërcënim ndaj identitetit tonë të fituar me aq mund. Madje, sot mund të
flitet për “nevrozë” të identitetit, një dukuri shoqërore që sheh çdo
kategori dhe çdo person të ngurrojë me sjellje nganjëherë narçiziste për
të përcaktuar dhe ripërcaktuar kufijtë e vet, duke ngritur mure dhe duke
vënë pastaj përreth tyre tela me gjëmba dhe pengesa të çdo loji, me
iluzionin për të ndaluar hyrje e ndërhyrje që e turbullojnë “qetësinë”
tashmë të arritur. Shpesh gruaja e sheh veten të detyruar të mbrohet nga
burri, dhe anasjelltas; ai që është më i varfër nga ai që është më i
pasur, ashtu si edhe ai që është më i pasur nga ai që është më i varfër;
ai që i përket një bashkësie fetare nga ata që i përkasin një tjetre,
dhe kështu me radhë.
Kjo pikë pra lidhet me atë që thashë më parë, rreth nevojës për ta
njohur identitetin tonë. Duhet ta pranojmë se problemi i identitetit ka
pësuar një rënie duke e humbur përmasën antropologjike dhe kulturore,
prandaj një person priret të thotë “unë”, ose “ne”, duke mos e përfillur
kujtesën e popullit të cilit i përket ose, edhe më keq, duke i dhënë
vetvetes merita që janë të atyre që i kanë paraprirë (“Ne kemi pasur
letrarët më të mirë...”, “Prej nesh janë përfaqësuar spektaklet e para
teatrale...”, “Të drejtat e njeriut janë arritja më e rëndësishme e
qytetërimit tonë”, etj.). Vështirësia për ta njohur e për ta vlerësuar
identitetin tonë bashkohet pra me nevojën për ta përforcuar në mënyrë
arbitrare identitetin tonë kur jemi përballë ‘të ndryshmes’. Kështu, një
person i tillë, kudo që të shkojë, e transporton botën e vet dhe u
kërkon atyre që hyjnë në botën e tij, t’i përshtaten kësaj bote, duke iu
nënshtruar rregullave të saj. Kështu ndodh me ata që, pasi kanë ardhur
nga jashtë (“jashtë” mund të jetë një shtet tjetër, por edhe thjesht një
fshat tjetër) duan t’ua imponojnë të gjithëve zakonet dhe doket me të
cilat janë rritur. Por kështu ndodh edhe me ata që, duke e ndier veten
të kërcënuar prej ndryshimit të tjetrit që arrin në qytetin e tij apo në
fshatin e tij, e nënvleftëson dhe e mënjanon atë. Në pjesën më të madhe
të rasteve, tjetri nuk është një kërcënim, por një pasuri. Sepse falë
tij unë mund t’i zgjeroj horizontet e mia, të dal prej individualizmit
tim dhe të pasurohem vërtet me bukuritë e të qenit person njerëzor të
cilat nuk i kisha dhe që tjetri m’i paraqet dhe m’i dhuron.
Ky reflektim mund të vazhdojë gjatë, por po ndalem vetëm në disa aspekte.
Çfarë e shqetëson shoqërinë dhe pse njerëzit që u përkasin kategorive të
ndryshme identifikohen si “të ndryshëm”? Mundemi thjesht të radhisim të
gjitha situatat e ndryshimit: handikapati, i moshuari, i mituri, gruaja,
burri, i huaji, zezaku, prostituta, i varfëri, analfabeti, punëtori,
qytetari, malësori... për ta pyetur pastaj veten se cilat janë
ndryshimet që i karakterizojnë dhe i pengojnë.Ndryshimi i parë, ndoshta
kryesori, është se janë në pakicë. Me “pakicë” nuk kuptohet një koncept
numerik (janë pak si numër...). “Pakica” janë ato kategori që megjithëse
duke jetuar në një territor apo në një shtet nuk kanë pjesë në mundësinë
për të vendosur realisht rregullat e bashkëjetesës, pikërisht sepse
konsiderohen si të parëndësishëm dhe jodomethënës. Pra ata ndiejnë një
vështirësi të madhe për t’u përfshirë në shoqëri, jetojnë në një grup të
mbyllur që të mbrohen, ndihen të mënjanuar. Duke e zgjeruar këtë
argument, gjë e pamundur duke pasur parasysh se koha po kalon dhe nuk
mund të thuhet gjithçka, do të mund të kuptonim se si toleranca e
vërtetë kërkon edhe pranimin e alternimit dhe zbatimin e tij në nivele
të ndryshme.Pra, toleranca është e mundur vetëm nëse kemi guximin të
edukojmë në vlerën e ndryshueshëmerisë. Miratimi i dallimit dhe nevoja e
identitetit, udhëtimi brenda vetes dhe sytë nga fytyra e tjetrit,
përvoja e vetmisë dhe përvojat e shërbimit e të takimit duhen jetuar jo
sikur njëri prej këtyre të ketë përparësinë në krahasim me të tjerët,
por së bashku. Një pasurim i vërtetë i identitetit na hap ndaj asaj që
është e ndryshme nga ne;dhe një hapje e vërtetë ndaj të ndryshmes nga ne
e pjek identitetin personal, i bën thirrje dhe i jep një domethënie të
re. Rifitimi i identitetit bëhet pozitiv vetëm nëse kalon nëpërmjet
fytyrës së tjetrit dhe të të ndryshmit nga ne, dhe prandaj nëpërmjet
ndryshimit si vlerë, burim, e drejtë. Besoj se është e rëndësishme të
kuptojmë se çdokush tjetër – edhe babai im apo nëna ime – është
gjithmonë “i huaj” për mua, është gjithmonë “tjetër nga unë”! Besoj
se do të duhet të shkojmë edhe përtej tolerancës. Sepse shpesh kjo
kuptohet thjesht si durimi i tjetrit, sepse nuk mund ta eliminojmë. Për
shembull, “do të të vrisja, por meqë nuk mund ta bej, të toleroj, të
duroj”. Nevojtet pra që toleranca, pikërisht sepse duhet të jetë pranimi
i pakushtëzuar i tjetrit, të plotësohet nga fryma e dialogut.Kardinali
i Milanos, Sh.T. Dionigi Tettamanzi, na kujton se pranimi i
ndryshueshmërisë na hap ndaj dialogut, i cili mbështetet në tolerancën,
por është edhe një hap përpara saj. Sidoqoftë, dialogu nuk është aspak i
lehtë. Në të vërtetë, duke iu referuar Romano Guardini-t, thekson se
dialogu kërkon njohjen dhe respektimin e lirisë së tjetrit, pra të
dinjitetit të tij si person. Dhe vazhdon duke thënë se “për të filluar
dialogun duhet ta njohim lirinë e tjetrit, t’i lejojmë atij të jetë
vetvetja, duke mos e bërë të jetë siç do të donim ne të ishte, sipas
masës sonë, sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit tonë. Kurse tjetri
duhet të zbulohet gjithmonë në unicitetin dhe papërsëritshmërinë e tij,
në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit, siç pohon feja e krishterë”. Por
kjo është e vështirë, sepse “fytyra e tjetrit, si i ndryshëm nga unë, e
turbullon brendësinë time, e prish sigurinë time, më imponohet si një
prani që unë nuk mund ta drejtoj dhe duket edhe se ma heq edhe pushtetin
tim dhe sundimin tim mbi vetveten”.Jemi të gjithë të ndryshëm, pasi ajo
që në rrënjë na bashkon nuk është ajo që na homologon (pra, na bën të
njëjtë, sikurse të kemi dalë nga një fabrikë robotësh), por ajo që na
diferencon. Sigurisht, kemi të njëjtën natyrë, por kjo nuk do të thotë
të kemi të njëjtat cilësi dhe të njëjtat tradita. Natyra është një, por
asnjë njeri, popull apo kulturë nuk i jep asaj fund në mënyrë të plotë,
sepse ajo shfaqet në mënyra të ndryshme. Vlerat që na bashkojnë janë
burim i njësisë, por nuk na bëjnë të gjithë të njëjtë. Nuk është
korrekte t’i shkelim ndryshimet, ose edhe vetëm t’i mospërfillim ato,
gati sikur nuk kanë peshë në tolerancë dhe në kërkimin e një
bashkëjetese paqësore e të drejtë. Kulturat e ndryshme e interpretojnë
ndryshe realitetin. Sigurisht, ato vetë lidhen së bashku, në thellësi,
në përvojën themelore të gjendjes njerëzore, rreth pyetjeve mbi lindjen
dhe mbi vdekjen, mbi punën, sëmundjen, pabarazinë shoqërore, ruajtjen e
planetit tonë. Në këtë çelës, dialogu mes kulturave shfaqet si një
kërkesë e brendshme e vetë natyrës së njeriut dhe të kulturës; ai na bën
të njohim pasurinë e ndryshimit duke i përgatitur shpirtërat për
pranimin e ndërsjellë, në perspektivën e një bashkëpunimi të
përnjëmendtë, që i përgjigjet thirrjes zanafillore të njësisë së tërë
familjes njerëzore. Si i tillë, dialogu është mjet i shkëlqyer për të
realizuar qytetërimin e dashurisë dhe të paqes që Papa Pali VI e
tregonte si idealen prej të cilit duhet të frymëzohet jeta kulturore,
shoqërore, politike dhe ekonomike e kohës sonë.
T’i mbajmë parasysh largësitë dhe peshën e ndryshimeve është gjë e urtë
dhe na shpie në një komunikim të vërtetë. Prandaj kujdes që të mos i
nivelojmë ndryshimet, që të mos bëjmë sikur nuk ekzistojnë. Ta jetojmë
ndryshimin ekskluzivisht si dhurim (‘të pranoj ashtu siç je dhe prandaj
heq dorë prej identitetit tim të vërtetë’) është një zgjedhje e
rrezikshme dhe devijuese. Në të vërtetë, nëse është e rëndësishme të
jemi dhuratë për të tjerët, është po aq përcaktuese të vëmë kushtet në
mënyrë që tjetri të jetë dhuratë për ne, në njohje të njerëzisë së tij
dhe të kufizimit të tonës. Një shembull i kësaj pedagogjie është Jezusi
në takimin me gruan siro-fenikase (në Mk 7, 24-30): qëndrimi i tij
tronditës në realitet është respekt për ndryshueshmërinë që i ndan (ajo
është pagane, e pasur, e huaj); dhe përfundimi në të cilin gjenden në
faktin se Hyji është Hyji i të gjithëve, pranon atë që i bashkon në
rrënjën e të jetuarit të tyre, por jo ajo që i bën të njëjtë. Jezusi nuk
heq dorë (dhe as gruaja, me sa duket) prej marrëdhënies me atë Hyj që
është Ati i Tij; nuk heq dorë prej fesë së tij.
Të jemi të vetëdijshëm për këto nevoja na ndihmon të kuptojmë se
toleranca është vetëdija se çfarëdo roli të kemi në shoqëri, të gjithë
jemi të thirrur për bashkëpunim që të mund të jemi prani e dashur dhe
inteligjente për njëri-tjetrin duke e respektuar ndryshueshmërinë. Në
bazën e bashkëjetesës dhe të çdo dialogu mes personave duhet të jenë,
sikurse thashë më parë, dëgjimi dhe njohja e ndërsjelltë.
Po përfundoj duke i falënderuar të gjithë për vëmendjen dhe duke cituar
shembullin e të Lumes Nënë Tereza e Kalkutës që – duke shkuar
përtej edhe ndryshimeve kulturore – i ka jetuar marrëdhëniet ndërfetare
me fakte, duke i shërbyer njeriut dhe çdo njeriu pa dallim: sepse çdo
njeri është shëmbëlltyrë e Hyjit. Nënë Tereza ka thënë: “Unë do të isha
e kënaqur nëse një budist është një budist i mirë, një hindu është një
hindu i mirë, një i krishterë është një i krishterë i mirë, një mysliman
është një mysliman i mirë”. Fjalët e saj dhe jeta e saj bëhen
për ne shembulli se toleranca dhe dialogu janë vërtet të mundura.
E mira na bashkoftë gjithmonë. Që të mund të kemi marrëdhënie më
njerëzore dhe kur takohemi rrugës, ta shohim njëri-tjetrin jo si
kundërshtarë, por si vëllezër edhe pse me fe apo traditë kulturore ose
bindje politike të ndryshme. Dhe në këtë mënyrë të gjithë, secili me
specifiken e vet, do të mund të vëmë në shërbim të të mirës së
njerëzimit aftësitë tona dhe ndryshueshmëritë tona.
Universiteti i
Shkodrës, 26 Shkurt 2009
titujt kryesorë
|
|