|
|
Bij
e bija fort të dashur,
Me gëzim të madh edhe këtë vit po ju drejtohem të
gjithëve ju për t’ju uruar sinqerisht dhe përzemërsisht
Përshumëvjet Pashkën në gëzimin e Krishtit të ngjallur.
Fort të dashur, kjo është një siguri, kjo është feja
jonë, kjo është e ardhmja e jetuar në të tashmen, e ardhmja për
të cilën jemi të thirrur. Patjetër, në Pashkën e sivjetshme,
mendimi im shkon te shumë vëllezër e motra që kanë përjetuar
përvojën e tmerrshme të përmbytjes në muajt që kaluan dhe që
akoma vuajnë dëmet e shkaktuar nga ky shkatërrim.
Por nuk mund të rri, nga njëra anë, pa ju inkurajuar
sidomos ju bij të dashur, që të jeni të sigurt se nuk jeni të
vetëm, nga anë tjetër, pa falënderuar Meshtarët dhe Motrat, të
cilët ju kanë qëndruar pranë në ato ditë të vështira. Përvoja e
Pashkës është gjithnjë një përvojë lirimi me ngjalljen e
Jezusit. Ka kaluar vdekja... kjo është Pashka.
Kjo është shpresa jonë e guximshme dhe këmbëngulëse. E
nuk është marri ta themi, ta përsërisim dhe ta shpallim. Shpesh
e jetojmë jetën tonë sikur në zemër të kemi atë shkëmbin që
mbyll varrin e Lazrit: prandaj lutem, për mua dhe për secilin
prej jush, që çdo ditë të jetës sonë, sido që të jetë situata
jonë, të dimë të rilindim nga rrënojat tona për të kuptuar se
vetëm Zoti i Ngjallur mund ta bëjë të re jetën tonë, mund të na
japë gëzimin e të ndierit në shtëpinë tonë vetëm në praninë e
Tij.
Jezusi është ngritur nga varri në mënyrë që ne të mund
ta gjejmë sërish guximin për t’u ngritur nga varret tona, nga
varret e frikës dhe të trishtimin tonë, nga dorëzimi dhe ankesat
tona. Të ngjallesh do të thotë të ngrihesh edhe një herë e të
kesh guximin ta rifillosh jetën. Të ngrihesh nga dobësia jote
dhe ta lësh mëkatin e rëndë. Vetëm duke kuptuar këtë, bij fort
të dashur, do të mund ta kuptojmë se në këtë ditë vdekja është
mundur nga dashuria, nga dashuria që Hyji ka pasur për krijesën
e Vet të dobët dhe mëkatare, por që gjithnjë është e përshkuar
nga dëshira për të gëzuar harenë e amshuar të Parrizit. E,
sikurse hapat e ngadaltë të grave që po shkonin te varri i
Jezusit dhe ata të nxënësve të Emausit u bënë hapat e shpejtë të
atij që ka një shprese të pamasë për ta jetuar dhe treguar,
kështu do të jetë edhe për hapat tanë.
Le t’i urojmë njëri-tjetrit ditë paqeje dhe qetësie,
atë paqe dhe qetësi që na vjen nga një zemër e ripërtërirë nga
drita e mëngjesit të Pashkës, ku heshtja e natës ka përgatitur
tokën për këngën e mëngjesit, këngë në të cilën mund të
bashkohemi të gjithë: Krishti, Pashka jonë, është Ngjallur për
ne! Aleluja.
Më lejoni t’u uroj Burrave dhe Grave të Shtetit, të
gjithë Politikanëve tanë, që të ndërtojnë dialogun e sinqertë
dhe frytdhënës, pa humbur më kohë, dhe që të gjithë të
angazhohen për mirëkuptimin e së mirës së përbashkët dhe për
përparimin e Shqipërisë, për të tejkaluar sa më shpejt krizën
aktuale politike dhe ekonomike.
Të gjithëve ju, besimtarë të dashur, në veçanti ju të sëmurëve,
ju uroj që Jezusi i ngjallur të jetë forca, shpresa dhe hareja e
përhershme e jetës suaj dhe e të gjithëve.
Urime të gjithë katolikëve, Ortodoksëve dhe të Krishterëve,
brenda dhe jashtë Shqipërisë! Gëzuar Pashkën! Krishti u ngjall,
Aleluja!
†Angelo Massafra
Arqipeshkëv
titujt
kryesore |
|