|
|
LUTJA E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI
Kisha e Të Shenjtërueshmes Trini – Fatima E mërkurë, 12 maj 2010
O Nënë e Papërlyer, në këtë vend hiri, të mbledhur prej
dashurisë së Birit tënd Jezus, Kryemeshtarit të Amshuar, ne, bij
të Birit dhe meshtarë të tij, i kushtohemi Zemrës tënde amënore,
për ta përmbushur me besnikëri Vullnetin e Atit.
Jemi të vetëdijshëm se, pa Jezusin, nuk mund të bëjmë asgjë të
mirë (krh. Gjn 15,5) dhe se, vetëm nëpër Të, me Të dhe në Të, do
të jemi për botën mjete të shëlbimit.
Nuse e Shpirtit Shenjt, na nxjerr dhuratën e paçmueshme të
shndërrimit në Krishtin. Për të njëjtën fuqi të Shpirtit që,
duke shtrirë mbi Ty hijen e vet, të bëri Nënë të Shëlbuesit, na
ndihmo që Krishti, Biri yt,
të lindë edhe në ne. Kështu që Kisha të mund të përtërihet prej
meshtarëve të shenjtë, të shndërruar prej hirit të Atij që i bën
të reja të gjitha gjërat.
Nënë e Mëshirshme, Biri yt Jezus na ka thirrur për t’u bërë si
Ai: dritë e botës dhe kripë e tokës (krh. Mt 5,13-14).
Na ndihmo, me ndërmjetësimin tënd të fuqishëm, që të mos e
tradhtojmë kurrë këtë thirrje sublime, që të mos u lëshojmë udhë
egoizmave tona, joshjeve të botës dhe tundimeve të të Keqit.
Na mbro me dëlirësinë tënde, na ruaj me përvujtërinë tënde dhe
na mbështill me dashurinë tënde amënore, që pasqyrohet në shumë
shpirtra që ty të janë kushtuar e që janë bërë për ne etër të
vërtetë shpirtërorë.
Nënë e Kishës, ne, meshtarët, duam të jemi barinj që nuk
kullosin vetveten, por i dhurohen Hyjit për vëllezërit, duke
gjetur në këtë gjë lumturinë e tyre. Jo vetëm me fjalë, por me
jetë, duam të përsërisim përvujtërisht, ditë pas dite, fjalën
tonë “ja ku jam”.
Të udhëhequr prej teje, duam të jemi Apostuj të Mëshirës
Hyjnore, të lumtur që të kremtojmë çdo ditë Flinë e Shenjtë të
Altarit dhe t’ua japim atyre që na e kërkojnë sakramentin e
Pajtimit.
Pajtore dhe Ndërmjetësuese e hirit, ti që je krejt e zhytur në
ndërmjetësimin e vetëm të gjithëmbarshëm të Krishtit, kërko prej
Hyjit, për ne, një zemër krejtësisht të përtërirë, që ta dojë
Hyjin me të gjitha forcat e veta dhe t’i shërbejë njerëzimit
sikurse ti ke bërë.
Përsëritja Zotit fjalën tënde efikase: “nuk kanë më verë” (Gjn
2,3), që Ati dhe Biri të derdhin mbi ne,
si në një derdhje të re, Shpirtin Shenjt.
Plot me mahnitje e mirënjohje për praninë tënde të vazhdueshme
mes nesh, në emër të të gjithë meshtarëve, edhe unë dua të
thërras: “Nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?”
(Lk 1,43).
Nëna jonë e përhershme, ti nuk lodhesh duke na “vizituari”, duke
na ngushëlluar, duke na mbështetur.
Na eja në ndihmë dhe na liro prej çdo rreziku që na afrohet. Me
këtë akt besimi dhe kushtimi, duam të të mirëpresim në mënyrën
më të thellë e rrënjësore, për gjithmonë dhe tërësisht, në
ekzistencën tonë njerëzore dhe meshtarake.
Prania jonë le ta rilulëzojë shkretëtirën e vetmive tona dhe le
ta bëjë të ndriçojë diellin mbi errësirat tona, le të bëjë të
kthehet qetësia pas stuhisë, që çdo njeri ta shohë shëlbimin e
Zotit, që ka emrin dhe fytyrën e Jezusit, të reflektuar në
zemrat tona, përgjithmonë të bashkuara me zemrën tënde!
Ashtu qoftë!
titujt kryesore |
|