ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

BENEDIKTI XVI 

AUDIENCA E PËRGJITHSHME 

 

 

Sheshi i Shën Pjetrit - Salla Pali VI – E mërkurë, 23 qershor 2010

 

Shën Toma i Akuinit (3)

 

Të dashur vëllezër e motra,

 

sot do të doja të plotësoja, me një pjesë të tretë, katekezat e mia mbi shën Tomën e Akuinit. Edhe pas më shumë se shtatëqind vjetësh nga vdekja e tij, mund të mësojmë shumë prej tij. Na e kujtonte këtë edhe Paraardhësi im, Papa Pali VI, që, në një fjalim të mbajtur në Fosanova më 14 shtator 1974, me rastin e shtatëqind vjetorit të vdekjes së shën Tomës, pyeste: “Mësues Tomë, çfarë mësimi mund të na japësh?”. Dhe përgjigjej kështu: “besimin në të vërtetën e mendimit fetar katolik, sikurse nga ai qe mbrojtur, paraqitur, hapur ndaj aftësisë njohëse të mendjes njerëzore” (Mësimet e Palit VI, XII [1974], fq. 833-834). Dhe, në të njëjtën ditë, në Akuin, duke iu referuar gjithnjë shën Tomës, pohonte: “të gjithë, sa jemi bij besnikë të Kishës, mundemi dhe duhet, të paktën në njëfarë mase, të jemi nxënësit e tij!” (Ibid., fq. 836).

 

Pra, le të vendosemi edhe ne në shkollën e shën Tomës dhe të kryeveprës së tij, Summa Theologiae. Ajo ka mbetur e paplotësuar, e megjithatë është një vepër monumentale: përmban 512 çështje dhe 2669 nene. Bëhet fjalë për një arsyetim të përmbledhur, në të cilin aplikimi i inteligjencës njerëzore në misteret e fesë zhvillohet me qartësi e thellësi, duke gërshetuar pyetje e përgjigje, në të cilat shën Toma thellon mësimin që vjen prej Shkrimit Shenjt dhe prej Etërve të Kishës, sidomos prej shën Agustinit. Në këtë reflektim, në takimin me pyetje të vërteta të kohës së tij, që janë shpesh edhe pyetje tonat, shën Toma, duke përdorur edhe metodën dhe mendimin e filozofëve të lashtë, në veçanti të Aristotelit, arrin kështu në formulime të sakta, të kthjellëta dhe që u përkasin të vërtetave të fesë, ku e vërteta është dhuratë e fesë, shkëlqen dhe bëhet e arritshme për ne, për reflektimin tonë. Por, kjo përpjekje e mendjes njerëzore – na kujton shën Toma me vetë jetën e tij – është gjithmonë e ndriçuar prej lutjes, prej dritës që vjen nga Lart. Vetëm ai që jeton me Hyjin dhe me misteret mundet edhe të kuptojë se çfarë thonë ato.

 

Në Summa-n e Teologjisë, shën Toma niset prej faktit se ka tri mënyra të ndryshme të të qenit dhe të thelbit të Hyjit: Hyji ekziston në vetveten, është fillimi dhe fundi i të gjitha gjërave, prandaj të gjitha krijesat rrjedhin dhe varen prej Tij; pastaj Hyji është i pranishëm nëpërmjet Hirit të tij në jetën dhe në veprimtarinë e të krishterit, të shenjtërve; së fundi, Hyji është i pranishëm në mënyrë krejt të veçantë në Vetën e Krishtit të bashkuar këtu realisht me njeriun Jezus, dhe veprues në Sakramentet, që burojnë prej veprës së tij shëlbimprurëse. Prandaj, struktura e kësaj vepre monumentale (krh. Jean-Pierre Torrell, La “Summa” di San Tommaso, Milano 2003, fq. 29-75), një kërkim me “vështrim teologjik” i plotësisë së Hyjit (krh. Summa Theologiae, Ia, q. 1, a. 7), është e ndarë në tri pjesë, dhe e ilustruar prej vetë Doctor Communis-it – shën Tomës – me këto fjalë: “Qëllimi kryesor i doktrinës së shenjtë është që të bëjë të njohur Hyjin, dhe jo vetëm në vetvete, por edhe si fillim e fund i gjërave, dhe sidomos i krijesës së arsyeshme. Me qëllimin që ta paraqesim këtë doktrinë, ne do të bëjmë fjalë fillimisht për Hyjin; së dyti për lëvizjen e krijesës drejt Hyjit; dhe së treti për Krishtin, i cili, si njeri, është për ne rruga për t’u ngjitur te Hyji” (Ibid., I, q. 2). Është një qark: Hyji në vetvete, që del prej vetvetes dhe na merr përdore, kështu që me Krishtin kthehemi te Hyji, jemi të bashkuar me Hyjin, dhe Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë.

 

Pjesa e parë e Summa Theologiae pra, heton mbi Hyjin në vetvete, mbi misterin e Trinisë dhe mbi veprimtarinë krijuese të Hyjit. Në këtë pjesë gjejmë edhe një reflektim të thellë mbi realitetin e përnjëmendtë të qenies njerëzore si qenie e dalë prej duarve krijuese të Hyjit, fryt i dashurisë së tij. Nga njëra anë jemi një qenie e krijuar, e varur, nuk vijmë prej vetvetes; por, nga ana tjetër, kemi një autonomi të vërtetë, kështu që nuk jemi vetëm një gjë e dukshme – sikurse thonë disa filozofë platonikë – por një realitet i dashur prej Hyjit si i tillë, dhe me vlerë në vetvete.

 

Në pjesën e dytë shën Toma konsideron njeriun, të nxitur prej Hyjit, në aspiratën e tij për ta njohur e për ta dashur Hyjin, që të jetë i lumtur në kohë dhe në amshim. Si gjë e parë, Autori paraqet parimet teologjike të të vepruarit moral, duke studiuar se si, në zgjedhjen e lirë të njeriut për të bërë vepra të mira, integrohen arsyeja, vullneti dhe pasionet, të cilëve u shtohet forca që dhuron Hiri i Hyjit nëpërmjet virtyteve dhe dhuratave të Shpirtit Shenjt, sikurse edhe ndihma që jepet edhe prej ligjit moral. Pra, qenia njerëzore është një qenie dinamike që kërkon vetveten, kërkon të bëhet vetvetja dhe kërkon, në këtë kuptim, që bëjë vepra që e ndërtojnë, e bëjnë vërtet njeri; dhe këtu hyn ligji moral, hyn Hiri, hyjnë arsyeja, vullneti e pasionet. Mbi këtë themel shën Toma përvijon fizionominë e njeriut që jeton sipas Shpirtit dhe që kështu bëhet një ikonë e Hyjit. Këtu shën Toma ndalet për të studiuar tre virtytet teologale – fenë, shpresën dhe dashurinë –, të ndjekura nga shqyrtimi i hollësishëm i më se pesëdhjetë virtyteve morale, të organizuara rreth katër virtyteve kardinale – maturisë, drejtësisë, përkormërisë dhe qëndresës. Përfundon pastaj me reflektimin mbi thirrjet e ndryshme të Kishës.

 

Në pjesën e tretë të Summa-s, shën Toma studion Misterin e Krishtit – rruga dhe e vërteta – nëpërmjet të cilit ne mund të ribashkohemi me Hyjin Atë. Në këtë seksion shkruan faqe të jashtëzakonshme mbi Misterin e Mishërimit dhe të Mundimeve të Jezusit, duke shtuar pastaj një trajtim të gjerë mbi shtatë Sakramentet, sepse në ta Fjala hyjnore e mishëruar shpërndan dobitë e Mishërimit për shëlbimin tonë, për ecjen tonë të fesë drejt Hyjin dhe jetës së amshuar, mbetet materialisht gati i pranishëm me realitetet e krijimit, na prek kështu në brendësi.

 

Duke folur mbi Sakramentet, shën Toma ndalet në mënyrë të veçantë në Misterin e Eukaristisë, për të cilin pati një devotshmëri shumë të madhe, deri në atë pikë sa, sipas biografëve të hershëm, e kishte zakon ta afronte kokën e vet te Tabernakulli, sikur të donte të ndiente të rrihte Zemrën hyjnore dhe njerëzore të Jezusit. Në një vepër të tij që komenton Shkrimin e Shenjtë, shën Toma na ndihmon ta kuptojmë shkëlqyeshmërinë e Sakramentit të Eukaristisë, kur shkruan: “Duke qenë Eukaristia sakramenti i Mundimeve të Zotit Tonë, përmban në vetvete Jezu Krishtin që pësoi për ne. Prandaj gjithçka që është efekt i Mundimeve të Zotit tonë, është edhe efekt i këtij sakramenti, pasi ai nuk është gjë tjetër veçse aplikimi në ne i Mundimeve të Zotit” (In Ioannem, c.6, lect. 6, nr. 963). E kuptojmë mirë se përse shën Toma dhe shenjtër të tjerë e kanë kremtuar Meshën e Shenjtë duke derdhur lot dhembshurie për Zotin, që jepet si fli për ne, lot gëzimi dhe mirënjohjeje.

 

Të dashur vëllezër e motra, në shkollën e shenjtërve, le të dashurohemi me këtë Sakrament! Le të marrim pjesë në Meshën e Shenjtë me përqendrim, për të marrë frytet shpirtërore të saj, le të ushqehemim me Trupin e Gjakun e Zotit, për të qenë vazhdimisht të ushqyer prej Hirit hyjnor! Le të ndalemi me qejf dhe shpesh, fytyrë për fytyrë, në shoqërinë e të Shenjtërueshmit Sakrament!

 

Ajo që shën Toma ka ilustruar me një disiplinë shkencore në veprat e tij më të mëdha teologjike, sikurse pikërisht në Summa Theologiae dhe Summa contra Gentiles, është paraqitur edhe në predikimin e tij, drejtuar studentëve dhe besimtarëve. Në vitin 1273, një vit para vdekjes së tij, gjatë krejt Krezhmeve, ai mbajti disa predikime në kishën e Shën Dominikut të Madh në Napoli. Përmbajtja e atyre predikimeve është mbledhur dhe ruajtur: janë Libërthat në të cilët ai shpjegon Simbolin e Apostujve, interpreton lutjen Ati Ynë, ilustron Dhjetë Urdhërimet dhe komenton lutjen Të falemi Mari. Përmbajtja e predikimeve të Doctor Angelicus-it i përgjigjet pothuajse tërësisht strukturës së Katekizmit të Kishës Katolike. Në të vërtetë, në katekezë dhe në predikim, në një kohë si e jona, me një angazhim të përtërirë për ungjillëzimin, nuk duhet të mungojnë kurrë këto argumente themelore: ajo që ne besojmë, dhe ja Simboli i fesë; ajo që ne lusim, dhe ja Ati Ynë dhe Të falemi Mari; dhe ajo që ne jetojmë sikurse na mëson Zbulimi biblik, dhe ja ligji i dashurisë së Hyjit dhe të të afërmit si dhe Dhjetë Urdhërimet, si shprehje e këtij mandati dashurie.

 

Do të doja të propozoja ndonjë shembull përmbajtjeje, të thjeshtë, thelbësor dhe bindës, të mësimit të shën Tomës. Në veprën e tij Libërth mbi Simbolin e Apostujve ai shpjegon vlerën e fesë. Nëpërmjet saj, thotë ai, shpirti bashkohet me Hyjin, dhe prodhohet një si syth jete të amshuar; jeta merr një orientim të sigurt, dhe ne i kapërcejmë lehtësisht tundimet. Atij që kundërshton duke thënë se feja është një marrëzi, sepse na bën të besojmë në diçka që nuk është në përvojën e shqisave, shën Toma i jep një përgjigje shumë të detajuar, dhe i kujton se ky është një dyshim i pabazë, sepse inteligjenca njerëzore është e kufizuar dhe nuk mund të njohë gjithçka. Vetëm nëse ne do të mund t’i njihnim përsosmërisht të gjitha gjërat e dukshme dhe të padukshme do të ishte marrëzi e vërtetë të pranonim disa të vërteta vetëm me anë të fesë. Në fund të fundit, vë në dukje shën Toma, është e pamundur të jetojmë pa iu besuar përvojës së të tjerëve, aty ku njohja personale nuk arrin. Pra, është gjë e arsyeshme të kemi besim në Hyjin që zbulohet dhe në dëshminë e Apostujve: ata ishin të paktë, të thjeshtë e të varfër, të mërzitur për shkak të Kryqëzimit të Mësuesit të tij; e megjithatë shumë persona të dijshëm, fisnikë dhe të pasur janë kthyer në një kohë të shkurtër nga dëgjimi i predikimit të tyre. Në të vërtetë, bëhet fjalë për një dukuri historikisht të mrekullueshme, të cilës është vështirë t’i jepet një përgjigje tjetër e arsyeshme, përveçse ajo e takimit të Apostujve me Zotërinë e Ngjallur.

 

Duke komentuar nenin e Simbolit mbi Mishërimin e Fjalës hyjnore, shën Toma bën disa konsiderata. Pohon se feja e krishterë, duke pasur parasysh misterin e Mishërimit, përforcohet; shpresa lartësohet më me besim prej mendimit se Biri i Hyjit ka ardhur mes nesh, si njëri prej nesh, për t’u komunikuar njerëzve hyjninë e vet; dashuria gjallërohet, sepse nuk ka shenjë më të dukshme të dashurisë së Hyjit për ne se sa të shohim Krijuesin e gjithësisë duke u bërë edhe vetë krijesë, njëri prej nesh. Së fundi, duke konsideruar misterin e Mishërimit të Hyjit, ndiejmë të ndizet në ne dëshira për të arritur Krishtin në lavdi. Duke përdorur një krahasim të thjeshtë dhe efikas, shën Toma vë në dukje: “Nëse vëllai i një mbreti do të gjendej larg, sigurisht që do të dëshironte të jetonte pranë tij. Kështu, Krishti është vëllai ynë: pra, duhet të dëshirojmë shoqërinë e tij, të bëhemi një zemër e vetme me të” (Opuscoli teologico-spirituali, Roma 1976, fq. 64).

 

Duke paraqitur lutjen Ati Ynë, shën Toma tregon se ajo në vetvete është e përsosur, pasi i ka të pesë karakteristikat që një uratë e bërë mirë duhet të ketë: braktisjen plot besim dhe të qetë; përshtatshmërinë e përmbajtjes së saj, sepse – vë në dukje shën Toma – “është shumë e vështirë të dimë saktësisht se çfarë është e përshtatshme të kërkojmë dhe çfarë jo, meqenëse jemi në vështirësi përballë përzgjedhjes së dëshirave” (Ibid., fq. 120); dhe pastaj rendin e përshtatshëm të kërkesave, zellin e dashurisë dhe sinqeritetin e përvujtërisë.

 

Shën Toma, sikurse të gjithë shenjtërit, ka qenë një i devotshëm i madh i Zojës së Bekuar. E ka përkufizuar atë me një emër të mrekullueshëm: Triclinium totius Trinitatis, pra vendi ku Trinia gjen pushimin e vet, sepse, për arsye të Mishërimit, në asnjë krijesë sikurse në Të, tri Vetat hyjnore nuk banojnë dhe nuk ndiejnë aq kënaqësi e gëzim për të jetuar në shpirtin e saj Hirplotë. Me ndërmjetësinë e saj mund të marrim çdo ndihmë.

 

Me një lutje, që tradicionalisht i atribuohet shën Tomës dhe që, sidoqoftë, pasqyron elementet e devotshmërisë së tij të thellë mariane, edhe ne themi: “O e lumja dhe tejet e ëmbla Virgjër Mari, Nana e Hyjit..., unë ia besoj zemrës tënde të mëshirshme gjithë jetën time... Fito për mua, o tejet e ëmbla Zojë, dashurinë e vërtetë, me të cilën të mund ta dua me gjithë zemër Birin tënd tejet të shenjtë dhe ty, pas tij, mbi të gjitha gjërat, dhe të afërmin në Hyjin dhe për Hyjin”.

 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster