|
|
Sheshi i Shën Pjetrit -
E mërkurë, 2 qershor 2010
Shën Toma i Akuinit
Të dashur vëllezër e motra,
pas disa katekezave mbi meshtarinë dhe udhëtimeve të mia të
fundit, po i rikthehemi sot temës sonë kryesore, pra meditimit
të disa mendimtarëve të mëdhenj të Mesjetës. Së fundi kemi parë
figurën e madhe të shën Bonaventurës, françeskan, dhe sot do të
doja të flisja për atë që Kisha e quan Doctor communis:
pra, për shën Tomën e Akuinit. Paraardhësi im i nderuar, Papa
Gjon Pali II, në Enciklikën e tij Fides et ratio ka
kujtuar se shën Toma “është propozuar gjithmonë prej Kishës si
mësues i mendimit dhe model i mënyrës së drejtë të të bërit
teologji” (nr. 43). Nuk na çudit fakti se, pas shën Agustinit,
mes shkrimtarëve kishtarë të përmendur në Katekizmin e Kishës
Katolike, shën Toma citohet më shumë se kushdo tjetër, për plot
gjashtëdhjetë e një herë! Ai është quajtur edhe Doctor
Angelicus, ndoshta për virtytet e tij, veçanërisht për
sublimitetin e mendimit dhe pastërtinë e jetës.
Toma lindi mes viteve 1224 dhe 1225 në kështjellën që familja e
tij, fisnike dhe e pasur, e kishte në Rokaseka, në afërsi të
Akuinit, afër abacisë së njohur të Montekasinos, ku u dërgua
prej prindërve për të marrë elementet e para të arsimimit të
tij. Ndonjë vit më pas u transferua në kryeqendrën e Mbretërisë
së Siçilisë, Napoli, ku Federiku II kishte themeluar një
Universitet prestigjoz. Në të mësohej, pa kufizimet që ishin në
fuqi gjetiu, mendimi i filozofit grek Aristotelit, mësime të
cilat Toma i ri i filloi dhe vlerën e të cilit ai e kuptoi
menjëherë. Por sidomos, në ato vite të kaluara në Napoli, lindi
thirrja e tij domenikane. Në të vërtetë, Toma u tërhoq prej
idealit të Urdhrit të themeluar jo shumë vjet më parë nga shën
Dominiku. Megjithatë, kur mori veshjen domenikane, familja iu
kundërvu kësaj zgjedhjeje, dhe ai u detyrua ta linte kuvendin
dhe të kalonte disa kohë në familje.
Në vitin 1245, tashmë në moshë madhore, mundi të rifillonte
ecjen e tij të përgjigjes ndaj thirrjes së Zotit. U dërgua në
Paris për të studiuar teologji nën udhëheqjen e një shenjti
tjetër, Albertit të Madh, për të cilin kam folur më parë.
Alberti dhe Toma lidhën një miqësi të vërtetë e të thellë dhe
mësuan ta vlerësonin e ta donin njëri-tjetrin, deri në atë pikë
sa Alberti dëshiroi që nxënësi i tij ta ndiqte edhe në Këln, ku
ai ishte dërguar prej Eprorëve të Urdhrit për të themeluar një
studio teologjike. Atëherë Toma ra në kontakt me të gjitha
veprat e Aristotelit dhe të komentuesve të tij arabë, që Alberti
i ilustronte dhe i shpjegonte.
Në atë periudhë, kultura e botës latine ishte nxitur thellësisht
prej takimit me veprat e Aristotelit, që kishin mbetur të
panjohura për shumë kohë. Bëhej fjalë për shkrime mbi natyrën e
njohjes, mbi shkencat natyrore, mbi metafizikën, mbi shpirtin
dhe mbi etikën, të pasura me informacione dhe intuita që
shfaqeshin të vlefshme dhe bindëse. Ishte krejt një vizion i
plotë i botës i zhvilluar pa dhe para Krishtit, vetëm me arsyen
e pastër, dhe dukej se i kundërvihej arsyes si vetë vizioni;
pra, ishte një tërheqje e pabesueshme për të rinjtë ta shihnin
dhe ta njihnin këtë filozofi. Shumë vetë e pranuan me
entuziazëm, madje me entuziazëm akritik, këtë bagazh shumë të
madh të dijes së lashtë, që dukej se mund ta përtërinte dobishëm
kulturën, të hapte tërësisht horizonte të reja. Por, të tjerë
druanin se mendimi pagan i Aristotelit ishte në kundërshtim me
fenë e krishterë, dhe nuk pranonin ta studionin. U takuan dy
kultura: kultura e para-krishterë e Aristotelit, me
racionalitetin e saj rrënjësor, dhe kultura klasike e krishterë.
Disa mjedise ishin të nxitura të mos e pranonin Aristotelin edhe
prej paraqitjes që kësaj filozofie i ishte bërë prej komentuesve
arabë Avicena dhe Averoeja. Në të vërtetë, qenë pikërisht ata që
ia përçuan botës latine filozofinë aristotelike. Për shembull,
këta komentues kishin mësuar se njerëzit nuk disponojnë një
inteligjencë personale, por që ka një intelekt të vetëm
universal, një substancë shpirtërore të përbashkët për të
gjithë, që vepron në të gjithë si “e vetme”: pra, një
depersonalizim i njeriut. Një tjetër pikë e diskutueshme e
përçuar prej komentuesve arabë ishte ajo sipas të cilës bota
është e amshuar sikurse Hyji. Është e kuptueshme se shpërthyen
diskutime të pafundme në botën universitare dhe në atë kishtare.
Filozofia aristotelike po përhapej madje edhe mes njerëzve të
thjeshtë.
Toma i Akuinit, në shkollën e Albertit të Madh, kreu një
operacion me rëndësi themelore për historinë e filozofisë dhe të
teologjisë, do të thosha për historinë e kulturës: studioi në
thellësi Aristotelin dhe interpretuesit e tij, duke siguruar
përkthime të reja latine të teksteve origjinale në greqisht.
Kështu nuk mbështetej më vetëm në komentuesit arabë, por mund
t’i lexonte personalisht tekstet origjinale, dhe komentoi një
pjesë të madhe të veprave aristotelike, duke dalluar atë që
ishte e vlefshme nga ajo që ishte e dyshimtë apo që duhej
refuzuar krejtësisht, duke treguar harmoninë me të dhënat e
Zbulimit të krishterë dhe duke përdorur gjerësisht dhe me
mendjemprehtësi mendimin aristotelik në paraqitjen e shkrimeve
teologjike që hartoi. Si përfundim, Toma i Akuinit tregoi se mes
fesë së krishterë dhe arsyes ka një harmoni të natyrshme. Dhe
kjo ka qenë vepra e madhe e Tomës, që në atë moment përplasjeje
mes dy kulturave – në atë moment në të cilin dukej se feja duhej
të dorëzohej para arsyes – tregoi se ato shkojnë së bashku, se
ajo që dukej si arsye jo e pajtueshme me fenë nuk ishte arsye,
dhe ajo që dukej fe nuk ishte fe, nëse i kundërvihej
racionalitetit të vërtetë; kështu ai krijoi një sintezë të re,
që formuloi kulturën e shekujve në vazhdim.
Për dhantitë e tij të shkëlqyeshme intelektuale, Toma u thirr në
Paris si profesor i teologjisë në katedrën domenikane. Këtu
filloi edhe prodhimin e vet letrar, që vazhdoi deri në vdekje,
dhe që ka diçka të mrekullueshme: komente të Shkrimit të
Shenjtë, sepse profesori i teologjisë ishte sidomos interpretues
i Shkrimit të Shenjtë, komente të shkrimeve të Aristotelit,
vepra sistematike të fuqishme, mes të cilave shkëlqen Summa
Theologiae, traktate dhe fjalime mbi argumente të ndryshme.
Për hartimin e shkrimeve të tij, ndihmohej prej disa
sekretarëve, mes të cilëve bashkëvëllai i tij Rexhinaldi i
Pipernit, që e ndoqi besnikërisht dhe me të cilin qe i lidhur
nga një miqësi vëllazërore dhe e sinqertë, e karakterizuar nga
një konfidencë dhe besim i madh. Kjo është një karakteristikë e
shenjtërve: kultivojnë miqësinë, sepse ajo është njëra prej
shfaqjeve më fisnike të zemrës njerëzore dhe ka në vetvete diçka
hyjnore, sikurse vetë Toma ka shpjeguar në disa quaestiones
të Summa Theologiae, në të cilat shkruan: “Dashuria e
krishterë është miqësi e njeriut me Hyjin kryesisht, dhe me
qeniet që Atij i përkasin” (II, q. 23, a.1).
Nuk qëndroi gjatë dhe vazhdueshëm në Paris. Në vitin 1259 mori
pjesë në Kapitullin e Përgjithshëm të Domenikanëve në
Valencienë, ku qe anëtar i një komisioni që përcaktoi programin
e studimeve të Urdhrit. Prej vitit 1261 deri në vitin 1265,
pastaj, Toma qe në Orvieto. Papa Urbani IV, që kishte për të një
vlerësim të madh, i besoi hartimin e teksteve liturgjike për
festën e Corpus Domini, të cilën e kremtojmë nesër, e
themeluar pastaj në mrekullinë eukaristike të Bolsenës. Toma
pati një shpirt jashtëzakonisht eukaristik. Himnet tejet të
bukura që liturgjia e Kishës këndon për të kremtuar misterin e
pranisë reale të Trupit e të Gjakut të Zotit në Eukaristi i
atribuohen fesë dhe dijes së tij teologjike. Prej vitit 1265
deri në vitin 1268 Toma qëndroi në Romë, ku, sipas të gjitha
gjasave, drejtonte një Studium, pra një Shtëpi studimesh
të Urdhrit, dhe ku filloi të shkruante Summa Theologiae-n
e tij (krh. Jean-Pierre Torrell, Tommaso d’Aquino. L’uomo e
il teologo, Casale Monf., 1994, fq. 118-184).
Në vitin 1269 u thirr përsëri në Paris për një cikël të dytë
mësimdhënieje. Studentët – mund të kuptohet – ishin entuziastë
për mësimet e tij. Një ish nxënës i tij deklaroi se një shumicë
tejet e madhe studentësh i ndiqte kurset e Tomës, aq sa sallat
vështirë i zinin dhe shtonte, me një vërejtje personale, se “ta
dëgjonte ishte për të një lumturi e thellë”. Interpretimi i
Aristotelit i dhënë prej Tomës nuk pranohej prej të gjithëve,
por edhe kundërshtarët e tij në fushën akademike, sikurse
Gofredi i Fontaines, për shembull, pranonin se doktrina e frat
Tomës qëndronte më lart se të tjerat për dobinë e vlerën dhe
shërbente si ndreqje për ato të të gjithë mësuesve të tjerë.
Ndoshta edhe për ta larguar prej diskutimeve të gjalla që po
zhvilloheshin, Eprorët e dërguan edhe një herë në Napoli, për të
qenë në dispozicion të mbretit Karli I, që kishte qëllimin të
riorganizonte studimet universitare.
Përveç studimit dhe mësimdhënies, Toma iu kushtua edhe
predikimit para popullit. Dhe populli me gjithë qejf shkonte për
ta dëgjuar. Do të thoja se është vërtet një hir i madh kur
teologët dinë t’u flasin me thjeshtësi dhe zell besimtarëve.
Shërbesa e predikimit, nga ana tjetër, i ndihmon edhe vetë
studiuesit për një realizëm të shëndoshë baritor, dhe e pasuron
kërkimin e tyre me nxitje të gjalla.
Muajt e fundit të jetës tokësore të Tomës mbeten të rrethuar nga
një atmosferë e veçantë, misterioze do të thosha. Në dhjetor të
vitit 1273 thirri mikun dhe sekretarin e tij Rexhinald për t’i
komunikuar vendimin për të ndërprerë çdo punë, sepse, gjatë
kremtimit të Meshës kishte kuptuar, pas një zbulimi mbinatyror,
se gjithçka që kishte shkruar deri atëherë ishte vetëm “një
grumbull sane”. Është një episod i mistershëm, që na ndihmon të
kuptojmë jo vetëm përvujtërinë personale të Tomës, por edhe
faktin se gjithçka që arrijmë të mendojmë dhe të themi mbi fenë,
sado e lartë dhe e pastër të jetë, kapërcehet pafundësisht prej
madhështisë dhe prej bukurisë së Hyjit, që do të na zbulohet në
plotësi në Parajsë. Disa muaj më vonë, gjithnjë e më përqendruar
në një meditim personal, Toma vdiq ndërsa ishte në udhëtim drejt
Lionit, ku po shkonte për të marrë pjesë në Koncilin Ekumenik të
thirrur prej Papës Gregori X. U shua në Abacinë cistercense të
Fosanovës, pasi mori Vajimin me ndjenja të një devotshmërie të
madhe.
Jeta dhe mësimi i shën Tomës së Akuinit mund të përmblidhen në
një episod që na e kanë përçuar biografët e hershëm. Ndërsa
Shenjti, sikurse e kishte zakon, ishte në lutje para të
Kryqëzuarit, në mëngjes herët, në Kapelën e Shën Nikollës, në
Napoli, Domeniku nga Kazerta, sakrestani i kishës, dëgjoi të
zhvillohej një dialog. Toma i shqetësuar pyeste nëse ajo çka
kishte shkruar mbi misteret e fesë së krishterë ishte e drejtë.
Dhe i Kryqëzuari u përgjigj: “Ti ke folur mirë për mua, Tomë.
Cili do të jetë shpërblimi yt?”. Dhe përgjigjja që Toma dha
është ajo që edhe ne, miq e nxënës të Jezusit, do të donim t’i
jepnim gjithmonë: “Asgjë tjetër veç Teje, o Zot” (Ibid.,
fq. 320).
titujt kryesore |
|