|
|
Angazhimi baritor për t’i përtërirë të gjithë në Krishtin
“Shenja e pashlyeshme” e lënë prej shën Piut X në historinë e
Kishës është theksuar prej Papës në katekezën e zhvilluar gjatë
audiencës së përgjithshme të të mërkurës, 18 gusht, në oborrin e
Pallatit Papnor të Kastel Gandolfos.
Të dashur vëllezër e motra!
sot do të doja të ndalesha në figurën e Paraardhësit tim shën
Piu X, përkujtimi liturgjik i të cilit do të kremtohet të
shtunën e ardhshme, duke theksuar disa karakteristika të tij që
mund të jenë të dobishme edhe për Barinjtë dhe për besimtarët e
epokës sonë.
Giuseppe Sarto, ky ishte emri i tij, i lindur në Rieze (Trevizo)
në vitin 1835) nga një familje fshatare, pas studimeve në
Seminarin e Padovës u shugurua meshtar, në moshën 23 vjeçare.
Fillimisht qe zëvendës famullitar në Tombolo, pastaj famullitar
në Salcano, pastaj kanonik i katedrales së Trevizos me detyrën e
kancelarit ipeshkvor dhe të drejtuesit shpirtëror të Seminarit
dioqezan. Në këta vjet përvoje të pasur e zemërgjerë baritore,
Papa i ardhshëm shfaqi atë dashuri të thellë për Krishtin dhe
për Kishën, atë përvujtëri dhe thjeshtësi si dhe atë dashuri të
madhe ndaj më nevojtarëve, që qenë karakteristikat e të gjithë
jetës së tij. Në vitin 1884 u emërua Ipeshkëv i Mantovës dhe në
vitin 1893 Patriark i Venecias. Më 4 gusht 1903 u zgjodh Papë,
shërbesë të cilën e pranoi me ngurrim, sepse nuk e mbante veten
në lartësinë e një detyre kaq të lartë.
Pontifikati i shën Piut X ka lënë një shenjë të pashlyeshme në
historinë e Kishës dhe u karakterizua nga një përpjekje e madhe
reforme, e sintetizuar në moton Instaurare omnia in Christo,
“Përtëritja e të gjitha gjërave në Krishtin”. Në të vërtetë,
ndërhyrjet e tij përfshinë mjediset e ndryshme kishtare. Që prej
fillimeve iu kushtua riorganizimit të Kuries Romake; pastaj
filloi punimet për hartimin e Kodit të të Drejtës Kanonike, të
shpallur prej Pasardhësit të tij Benedikti XV. Pastaj promuovoi
rishikimin e studimeve dhe të “iter”-it të formimit të
meshtarëve të rinj, duke themeluar edhe Seminare të ndryshme
rajonale, të pajisur me biblioteka të mira dhe me profesorë të
përgatitur. Një sektor tjetër i rëndësishëm qe ai i formimit
doktrinor të Popullit të Zotit. Që prej viteve në të cilat ishte
famullitar, kishte hartuar ai vetë një katekizëm dhe gjatë
Episkopatit në Mantova kishte punuar në mënyrë që të arrihej në
një katekizëm të vetëm, nëse jo universal, të paktën italian. Si
bari i vërtetë kishte kuptuar se situata e epokës, edhe prej
dukurisë së emigrimit, e bënte të nevojshëm një katekizëm të
cilit çdo besimtar do të mund t’i referohej pavarësisht prej
vendit dhe prej rrethanave të jetës. Ndërsa qe Papë përgatiti
një tekst të doktrinës së krishterë për dioqezën e Romës, që
pastaj u përhap në të gjithë Italinë dhe në botë. Ky Katekizëm i
quajtur “i Piut X” ka qenë për shumë njerëz një udhërrëfyes i
sigurt në mësimin e të vërtetave të fesë për arsye të gjuhës së
thjeshtë, të qartë e të saktë dhe për arsye të efikasitetit
paraqitës.
Një vëmendje të madhe i kushtoi reformës së Liturgjisë,
veçanërisht të muzikës së shenjtë, për t’i shoqëruar besimtarët
në një jetë lutjeje më të thellë dhe në një pjesëmarrje më të
plotë në Sakramente. Në Motu Proprio Mes përkujdesjeve
(1903), viti i parë i pontifikatit të tij, ai pohon se shpirti i
krishterë i vërtetë e ka burimin e vet të parë dhe të
domosdoshëm në pjesëmarrjen aktive në misteret e shenjta dhe në
lutjen publike e solemne të Kishës (krh. ass 36 [1903],
531). Prandaj porositi afrimin e shpeshtë Sakramenteve, duke
favorizuar marrjen e përditshme të Kungimit të Shenjtë, me
përgatitje të mirë, dhe duke hershuar në mënyrë të përshtatshme
Kungimin e Parë të fëmijëve rreth moshës shtatë vjeçare, “kur
fëmija fillon të arsyetojë” (krh. S. Congr. de Sacramentis,
Decretum Quam singulari: aas 2 [1910], 582).
Besnik ndaj detyrës për t’i përforcuar vëllezërit në fe, shën
Piu X, përballë disa prirjeve që shfaqeshin në mjedisin
teologjik në fund të shekullit XIX dhe në fillimet e shekullit
XX, ndërhyri me vendosmëri, duke dënuar “Modernizmin”, për të
mbrojtur besimtarët nga konceptet e gabuara dhe për të
promuovuar një thellim shkencor të Zbulimit në përputhje me
Traditën e Kishës. Më 7 maj 1909, me Letrën apostolike Vinea
electa, themeloi Institutin Papnor Biblik. Muajt e fundit të
jetës së tij u trishtuan prej flakëve të luftës. Thirrja
drejtuar katolikëve të botës, e bërë më 2 gusht 1914 për të
shprehur “dhimbjen e thellë” të asaj kohe, ishte britma e
vuajtur e atit që i sheh bijtë e vet duke u vënë kundër
njëri-tjetrit. Vdiq pak kohë më vonë, më 20 gusht dhe nami i tij
i shenjtërisë filloi të përhapej menjëherë pranë popullit të
krishterë.
Të dashur vëllezër e motra, shën Piu X na mëson të gjithëve ne
se në bazë të veprimit tonë apostolik, në fushat e ndryshme në
të cilat veprojmë, duhet të ketë gjithmonë një bashkim intim
personal me Krishtin, që duhet kultivuar dhe rritur ditë pas
dite. Ky është thelbi i gjithë mësimit të tij, i gjithë
angazhimit të tij baritor. Vetëm nëse jemi të dashuruar me
Zotin, do të jemi të aftë t’i shpiem njerëzit te Hyji, t’i hapim
ata ndaj dashurisë së Tij të mëshirshme dhe kështu t’ia hapim
botën mëshirës së Hyjit.
Gjatë audiencës së përgjithshme kushtuar shën Piut X
Thirrja e Papës për popullsitë pakistaneze
Mendimi im shkon në këtë moment te popullsitë e dashura të
Pakistanit, të goditura kohët e fundit prej një përmbytjeje të
madhe, që ka shkaktuar viktima të shumta dhe ka lënë shumë
familje pa shtëpi.
Ndërsa ia besoj mirësisë së mëshirshme të Hyjit ata që kanë
vdekur në mënyrë tragjike, u shpreh afërsinë time shpirtërore
familjarëve të tyre dhe të gjithë atyre që vuajnë për shkak të
asaj fatkeqësie. Këtyre vëllezërve tanë, të sprovuar kaq ashpër,
mos u mungoftë solidariteti ynë dhe mbështetja konkrete e
Bashkësisë ndërkombëtare!
titujt kryesore |
|