|
|
“Mësues i mirë, çka duhet të bëj
për të fituar jetën e pasosur?”
(Mk 10,17)
Të dashur miq,
këtë vit është njëzet e pesë vjetori i themelimit të Ditës
Botërore të Rinisë, nga i Nderuari Gjon Pali II si takim i
përvitshëm i të rinjve besimtarë të botës mbarë. Qe kjo një
nismë profetike që ka dhënë fryte të bollshme duke bërë të
mundur që brezat e rinj të krishterë të takoheshin me
njëri-tjetrin, të viheshin në dëgjim të Fjalës së Hyjit, të
zbulonin bukurinë e Kishës dhe të jetonin përvoja të forta
besimi që shumë vetë i kanë çuar në dhurimin e plotë ndaj
Krishtit.
Kjo Ditë XXV është një etapë drejt Takimit të ardhshëm Botëror
të të rinjve që do të mbahet në Madrid në 2011, ku shpresoj se
do jeni të shumtë për ta jetuar këtë ngjarje hiri.
Për t’u përgatitur për këtë kremtim, do të doja t’ju propozoja
disa reflektime mbi temën e këtij viti: “Mësues i mirë, çka
duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” (Mk
10,17), marrë nga pjesa ungjillore e takimit të Jezusit me të
riun e pasur; një temë të cilën e ka trajtuar në vitin 1985 Papa
Gjon Pali II në një Letër shumë të bukur që për herë të parë u
drejtohej të rinjve.
1. Jezusi takon një të ri
“Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë
– tregon Ungjilli i Shën Markut -, një njeri u lëshua vrap,
ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: ‘Mësues i mirë, çka duhet të
bëj për të fituar jetën e pasosur?’.
Jezusi iu përgjigj: ‘Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë
përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the
kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë
padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!’. Ai u përgjigj: ‘Mësues,
të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime’. Atëherë
Jezusi e shikoi ëmbël, e deshi dhe i tha: ‘Të mungon edhe një
gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në
qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!’. Djaloshi u prish kur e
dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte
prona të shumta
(Mk 10, 17-22).
Ky tregim shpreh shumë saktë vëmendjen e madhe të Jezusit për të
rinjtë, për ju, për pritshmëritë tuaja, shpresat tuaja, dhe
tregon sa e madhe është dëshira e tij për t’ju takuar
personalisht dhe për të çelur një dialog me secilin prej jush.
Në fakt, Krishti e ndal ecjen e tij për t’iu përgjigjur pyetjes
së bashkëfolësit të tij, duke shfaqur gatishmëri të plotë
kundrejt të riut që lëviz i shtyrë nga një dëshirë e zjarrtë për
të folur me “Mësuesin e mirë”, për të mësuar nga Ai si të
përshkojë rrugën e jetës. Me këtë fragment ungjillor,
Paraardhësi im donte të nxiste secilin prej jush që “të
zhvillojë bashkëbisedimin e vet me Krishtin – një bashkëbisedim
që ka rëndësi themelore dhe thelbësore për një të ri” (Letër
drejtuar të rinjve, nr. 2).
2. Jezusi e pa dhe e deshi
Në tregimin ungjillor, Shën Marku nënvizon se si “Jezusi e
shikoi ëmbël dhe e deshi” (khs Mk 10,21). Në shikimin e
Zotit është zemra e këtij takimi shumë të veçantë dhe e gjithë
përvojës së krishterë. Në fakt, krishtërimi nuk është kryesisht
një moral, por përvoja e Jezu Krishtit, që na do personalisht,
të rinj e të moshuar, të varfër a të pasur; na do edhe kur i
kthejmë kurrizin.
Duke komentuar skenën, Papa Gjon Pali II shtonte, duke iu
drejtuar ju të rinjve: “Ju uroj të jetoni një shikim të tillë!
Ju uroj të jetoni të vërtetën që ai, Krishti, ju shikon me
dashuri!” (Letër drejtuar të rinjve, nr. 7). Një dashuri
e shfaqur në kryq në mënyrë kaq të plotë e tërësore, që e bën
Shën Palin të shkruajë me habi: “Më deshi dhe e flijoi vetveten
për mua” (Gal 2,20). “Vetëdija se Ati na ka dashur
gjithnjë tek i Biri, që Krishti e do secilin gjithnjë – shkruan
edhe më Papa Gjon Pali II -, bëhet një pikë e fortë mbështetjeje
për mbarë ekzistencën tonë njerëzore (Letër drejtuar të
rinjve, nr. 7), dhe na bën të mundur që të kapërcejmë të
gjitha provat: zbulimin e mëkateve tona, vuajtjen,
zemërlëshimin.
Në këtë dashuri gjendet burimi i gjithë jetës së krishterë dhe
arsyeja themelore e ungjillizimit: nëse e kemi takuar vërtet
Jezusin, nuk mund të mos e dëshmojmë tek ata që nuk e kanë
ndeshur ende shikimin e tij!
3. Zbulimi i planit të jetës
Tek i riu i Ungjillit, mund të shquajmë një situatë shumë të
ngjashme me atë të secilit prej jush. Edhe ju jeni të pasur me
cilësi, me energji, me ëndrra, me shpresa: burime që i zotëroni
me bollëk! Vetë mosha juaj është një pasuri e madhe jo vetëm për
ju, por edhe për të tjerët, për Kishën dhe për botën.
I riu i pasur e pyet Jezusin: “Çfarë duhet të bëj?”. Stina e
jetës në të cilën ndodheni është koha e zbulimit: të dhuratave
që Hyji ju ka dhënë dhe e përgjegjësive tuaja. Është edhe koha e
zgjedhjeve themelore për të ndërtuar planin tuaj të jetës. Pra
është çasti që të pyesni veten mbi kuptimin e mirëfilltë të
ekzistencës dhe të thoni: “A jam i kënaqur me jetën time? A mos
vallë mungon ndonjë gjë?”.
Ashtu si i riu i Ungjillit, mbase jetoni edhe ju situata
paqëndrueshmërie, turbullimi apo vuajtjeje, që ju çojnë të
aspironi për një jetë jo mediokre dhe të pyesni veten: në çfarë
konsiston një jetë e arrirë? Çfarë duhet të bëj? Cili mund të
jetë plani im i jetës? “Çfarë duhet të bëj që jeta ime të ketë
vlerë të plotë dhe kuptim të plotë?” (Ibid., nr.
3).
Mos kini frikë të përballeni me këto pyetje! Nuk janë pyetje që
ju vënë përposhtë, përkundrazi, shprehin aspiratat e mëdha që
janë në zemrën tuaj. Për këtë duhen dëgjuar. Ato presin
përgjigje jo sipërfaqësore, por në gjendje që të kënaqin
pritshmëritë tuaja të mirëfillta të jetës dhe të lumturisë.
Për të zbuluar planin e jetës që mund t’ju bëjë plotësisht të
lumtur, vihuni në dëgjim të Hyjit që ka një plan dashurie për
secilin prej jush. Me besim, pyeteni: Zot, cili është plani yt
si Krijues dhe Atë për jetën time? Cili është vullneti yt? Unë
dëshiroj ta përmbush atë”. Jini të sigurt se ai do ju
përgjigjet. Mos kini frikë nga përgjigjja e tij! “Hyji është më
i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka” (1Gjn 3,20)!
4. Eja pas meje!
Jezusi e fton të riun e pasur që të shkojë përtej plotësimit të
aspiratave dhe të planeve të tij vetjake, i thotë atij: “Eja pas
meje!”. Thirrja e krishterë lind nga një propozim dashurie që
bën Zoti dhe mund të realizohet vetëm falë një përgjigje
dashurie: “Jezusi i fton dishepujt e tij ta dhurojnë plotësisht
jetën e tyre, pa llogari dhe leverdi njerëzore, me një besim pa
rezerva tek Hyji. Shenjtërit e pranojnë këtë ftesë kërkuese, dhe
përvujtërisht vihen në ndjekje të Krishtit të kryqëzuar dhe të
ringjallur. Përsosmëria e tyre, në logjikën e besimit që
ndonjëherë është e pakuptueshme njerëzisht, qëndron në faktin që
nuk vendosin më vetveten në qendër, por zgjedhin që të shkojnë
kundër rrymës duke jetuar sipas Ungjillit” (Benedikti XVI,
Homelia me rastin e Shenjtërimeve: L’Osservatore Romano,
12-13 tetor 2009, f. 6).
Sipas shembullit të shumë dishepujve të Krishtit, edhe ju, të
dashur miq, pranojeni me gëzim ftesën për ta ndjekur, për të
jetuar në mënyrë intensive dhe me fryte në këtë botë. Në fakt,
me Pagëzimin, ai thërret secilin për ta ndjekur me vepra
konkrete, për ta dashur mbi gjithçka dhe për t’i shërbyer tek
vëllezërit. I riu i pasur, fatkeqësisht, nuk e pranoi ftesën e
Jezusit dhe shkoi i trishtuar. Nuk e gjeti guximin të shkëputej
nga të mirat materiale për të gjetur të mirën më të madhe që i
propozon Jezusi.
Trishtimi i të riut të pasur të Ungjillit është i njëjti që lind
në zemrën e secilit kur nuk kemi guximin të ndjekim Krishtin, të
bëjmë zgjedhjen e duhur. Por nuk është asnjëherë tepër vonë për
t’iu përgjigjur!
Jezusi nuk lodhet kurrë së drejtuari shikimin e tij të dashurisë
dhe së thirruri për të qenë dishepuj të tij, por Ai disave u
propozon një zgjedhje më rrënjësore. Në këtë Vit Meshtarak do të
doja t’ju ftoja ju të rinj që të jeni të vëmendshëm nëse Zoti ju
fton për një dhurim më të madh, në udhën e Meshtarisë
shërbestare, dhe të jeni të gatshëm që ta pranoni me bujari dhe
entuziazëm këtë shenjë të përzgjedhjes së posaçme, duke
ndërmarrë me një prift, me një drejtues shpirtëror udhën e
nevojshme të shoshitjes. Dhe më pas, mos kini frikë, të dashur
të rinj e të dashura të reja, nëse Zoti ju thërret në jetën
rregulltare, murgjërore, misionare apo të përkushtimit të
posaçëm: Ai di t’i dhurojë një gëzim të thellë atij që i
përgjigjet me guxim!
Përveç kësaj, i ftoj ata që ndiejnë thirrjen ndaj martesës që ta
pranojnë me besim, të angazhohen që të vendosin baza të
shëndosha për të jetuar një dashuri të madhe, besnike dhe të
çelur ndaj dhuratës së jetës, që është pasuri dhe hir për
shoqërinë dhe për Kishën.
5. Të orientuar kah jeta e pasosur
“Çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. Kjo pyetje e
të riut të Ungjillit duket larg shqetësimeve të shumë të rinjve
bashkëkohës, pasi, siç vërente Paraardhësi im, “a nuk jemi ne
brezi të cilit bota dhe përparimi kohor ia mbushin plotësisht
horizontin e ekzistencës?” (Letër drejtuar të rinjve, nr.
5). Por pyetja mbi “jetën e pasosur” del në pah në çaste të
veçanta të dhimbshme të ekzistencës, kur pësojmë humbjen e një
njeriu të afërt apo kur jetojmë përvojën e mossuksesit.
Por çfarë është “jeta e pasosur”, së cilës i referohet i riu i
pasur? Na e tregon Jezusi, kur me shikimin kah dishepujt e vet,
pohon: “Prapë do të vij t’ju shoh e zemra juaj do të galdojë dhe
askush s’do t’jua marrë gëzimin tuaj” (Gjn 16,22). Janë
fjalë që tregojnë një propozim që të ngre peshë, për një lumturi
të pafund, për gëzimin e mbushjes me dashurinë hyjnore për
amshim.
Pyetja mbi të ardhmen vendimtare që e pret secilin prej nesh i
jep kuptim të plotë ekzistencës, pasi e orienton planin e jetës
kah horizonte jo të kufizuara e kalimtare, por të gjera e të
thella, që të shpien ta duash botën, që vetë Hyji aq shumë e do,
t’i kushtohesh zhvillimit të saj, por gjithmonë me lirinë dhe
gëzimin që lindin nga feja dhe nga shpresa. Janë horizonte që na
ndihmojnë të mos i absolutizojmë realitetet tokësore, duke ndier
se Hyji na përgatit një perspektivë më të madhe dhe të
përsërisim me Shën Agustinin: “Dëshirojmë së bashku atdheun
qiellor, presim atdheun qiellor, le të ndihemi shtegtarë këtu
poshtë” (Koment Ungjillit të Shën Gjonit, Homelia 35, 9).
Duke e ngulitur shikimin tek jeta e pasosur, i Lumturi Pier
Giorgio Frassati, i vdekur në v. 1925, në moshën njëzet e katër
vjeçare, thoshte: “Dua të jetoj dhe jo të gjalloj!” dhe mbi
fotografinë e një ngjitjeje në mal, që ia pati dërguar një miku,
shkruante: “Drejt lartësisë”, duke nënkuptuar përsosmërinë e
krishterë, por edhe jetën e pasosur.
Të dashur të rinj, ju bëj thirrje të mos e harroni këtë
perspektivë në planin tuaj të jetës: jemi të thirrur për
përjetësinë. Hyji na ka krijuar për të qëndruar me Të
përgjithmonë. Kjo do ju ndihmojë që t’i jepni një kuptim të
plotë zgjedhjeve tuaja dhe t’i jepni një cilësi ekzistencës
suaj.
6. Urdhërimet, rruga e dashurisë së mirëfilltë
Jezusi i kujton të riut të pasur dhjetë urdhërimet, si kusht i
nevojshëm për “të marrë si trashëgimi jetën e pasosur”. Ato janë
pika referimi thelbësore për të jetuar në dashuri, për të
dalluar qartë të mirën nga e keqja dhe për të ndërtuar një
projekt për jetën të fortë e të qëndrueshëm. Edhe juve, Jezusi
ju pyet nëse i njihni urdhërimet, nëse përpiqeni ta ndërtoni
ndërgjegjen tuaj sipas ligjit hyjnor dhe nëse i zbatoni ato.
Sigurisht, bëhet fjalë për pyetje kundër rrymës në lidhje me
mendësinë e sotme, që propozon një liri të çliruar nga vlerat,
rregullat, normat objektive dhe na fton të refuzojmë çdo kufi
ndaj dëshirave të çastit. Por ky lloj propozimi në vend se të
çojë në lirinë e vërtetë, e çon njeriun të bëhet skllav i
vetvetes, i dëshirave të tij të çastit, i idhujve si pushteti,
paraja, kënaqësia e pafre dhe joshjet e botës, duke e bërë të
paaftë për të ndjekur thirrjen e tij të lindur për dashurinë.
Hyji na i jep urdhërimet sepse do të na edukojë për lirinë e
vërtetë, sepse do të ndërtojë me ne një Mbretëri dashurie,
drejtësie dhe paqeje. T’i dëgjojmë dhe t’i vëmë në jetë nuk do
të thotë të tjetërsohemi, por të gjejmë rrugën e lirisë dhe të
dashurisë së mirëfilltë, sepse urdhërimet nuk e kufizojnë lirinë
por të tregojnë se si mund ta gjesh. Jezusi në fillim të
dialogut me të riun e pasur, kujton se ligji i dhënë nga Hyji
është i mirë, sepse “Hyji është i mirë”.
7. Kemi nevojë për ju
Kush e jeton sot rininë e gjen veten të përballur me shumë
probleme që janë pasojë e papunësisë, e mungesës së pikave të
sigurta të referimit dhe perspektivave konkrete për të ardhmen.
Ndonjëherë mund të ndiheni të pafuqishëm përballë krizave dhe
rravgimeve të sotme.
Megjithë vështirësitë, mos e lini veten t’ju lëshojë zemra dhe
mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja! Ushqeni në zemrat tuaja
dëshira të mëdha të vëllazërisë, të drejtësisë e të paqes. E
ardhmja është në duart e atij që di të gjejë arsye të forta për
jetën dhe shpresën. Nëse do të doni e ardhmja është në duart
tuaja, sepse dhuratat dhe pasuritë që Zoti ka vendosur në zemrën
e secilit prej jush, të mbrujtura nga takimi me Krishtin, mund
t’i sjellin shpresën e vërtetë botës! Është besimi në dashurinë
e tij që, duke ju bërë të fortë dhe bujarë, do ju japë guximin
për të përballuar me qetësi rrugën e jetës dhe për të marrë
përgjegjësi familjare e profesionale. Angazhohuni për ta
ndërtuar të ardhmen tuaj përmes ecjeve serioze të formimit
personal dhe të studimit, për t’i shërbyer në mënyrë kompetente
dhe bujare të mirës së përbashkët.
Në Letrën time enciklike të kohëve të fundit mbi zhvillimin
njerëzor tërësor, Caritas in veritate, kam listuar disa
nga sfidat e mëdha të kohës së sotme, që janë urgjente dhe
thelbësore për jetën e kësaj bote: përdorimi i burimeve të tokës
dhe respektimi i ekologjisë, ndarja e drejtë e të mirave dhe
kontrolli i mekanizmave financiarë, solidariteti me Vendet e
varfra në gjirin e familjes njerëzore, lufta kundër urisë në
botë, promovimi i dinjitetit të punës së njeriut, shërbimi ndaj
kulturës së jetës, ndërtimi i paqes mes popujve, dialogu
ndërfetar, përdorimi i mirë i mjeteve të komunikimit shoqëror.
Janë sfida të cilave jeni të thirrur t’u përgjigjeni për të
ndërtuar një botë më të drejtë e vëllazërore. Janë sfida që
kërkojnë një plan për jetën kërkues dhe apasionues, ku të vini
gjithë pasurinë tuaj sipas planit që Hyji ka për secilin prej
jush. Nuk bëhet fjalë për të kryer gjeste heroike apo të
jashtëzakonshme, por për të vepruar duke përdorur secili
talentet e veta dhe mundësitë e veta, duke u angazhuar që të
përparoni në mënyrë të qëndrueshme në besim dhe në dashuri.
Në këtë Vit Meshtarak, ju ftoj të njihni jetën e shenjtërve, në
veçanti atë të shenjtërve meshtarë. Do të shihni se Hyji i ka
udhëhequr dhe se kanë gjetur rrugën e tyre ditë pas dite,
pikërisht në besim, në shpresë dhe në dashuri. Krishti e thërret
secilin prej nesh të angazhohet me Të dhe të marrë përgjegjësitë
e veta për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë. Nëse do të
ndiqni Fjalën e tij, edhe rruga juaj do të ndriçohet dhe do ju
çojë në vendmbërritje të larta, që i japin gëzim dhe kuptim të
plotë jetës.
Virgjëra Mari, Nëna e Kishës, ju shoqëroftë me mbrojtjen e saj.
Ju siguroj se do ju kujtoj në lutje dhe me shumë dashuri ju
bekoj.
Nga Vatikani, 22 shkurt 2010
BENEDICTUS PP. XVI
titujt kryesore |
|