|
|
Ndërtimi i bashkësisë kishtare është çelësi i misionit
Të dashur vëllezër e motra,
Muaji tetor, me kremtimin e Ditës Misionare Botërore, u jep
Bashkësive dioqezane dhe famullitare, Instituteve të Jetës së
Kushtuar Zotit, Lëvizjeve Kishtare, tërë Popullit të Hyjit,
rastin për të përtërirë angazhimin e shpalljes së Ungjillit dhe
për t’u dhënë veprimtarive baritore një frymëmarrje më të gjerë
misionare. Ky takim i përvitshëm na fton t’i jetojmë
intensivisht ecjet liturgjike dhe katekistike, bamirëse dhe
kulturore, nëpërmjet të cilave Jezu Krishti na thërret në
tryezën e Fjalës së tij dhe Eukaristisë, për të shijuar dhuratën
e Pranisë së tij, për t’u formuar në shkollën e tij dhe për të
jetuar gjithnjë e më shumë në mënyrë të vetëdijshme të bashkuar
me Të, Mësuesin dhe Zotërinë. Ai vetë na thotë: “Atë që më do
mua, do ta dojë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i
dëftohem” (Gjn 14,21). Vetëm duke nisur prej këtij takimi
me Dashurinë e Hyjit, që e ndryshon ekzistencën, mund të jetojmë
në bashkim me Të dhe mes nesh, dhe t’u japim vëllezërve një
dëshmi të besueshme, duke arsyetuar shpresën që është në ne
(krh. 1 Pjt 3,15). Një fe e pjekur, e aftë që t’i besohet
tërësisht Hyjit me qëndrim bijësor, e ushqyer prej lutjes, prej
meditimit të Fjalës së Hyjit dhe prej studimit të të vërtetave
të fesë, është kusht që të mund të nxxisim një humanizëm të ri,
të themeluar në Ungjillin e Jezusit.
Veç kësaj, në tetor, në shumë Vendi rifillojnë veprimtaritë e
ndryshme kishtare pas pauzës verore, dhe Kisha na fton të
mësojmë prej Marisë, nëpërmjet lutjes së Rruzares së Shenjtë, të
sodisim planin e dashurisë së Atit mbi njerëzimin, për ta dashur
atë sikurse Ai e do. A nuk është ky edhe kuptimi i misionit?
Në të vërtetë, Ati na thërret që të jemi bij të dashur të Birit
të tij, të Dashurit, dhe ta njohim të gjithë njëri-tjetrin si
vëllezër në Të, Dhuratën e Shëlbimit për njerëzimin e ndarë prej
mosmarrëveshjes dhe prej mëkatit, dhe Zbulues të fytyrës së
vërtetë të atij Hyji që “aq shumë e deshi botën sa që dha një të
vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos
birret, por të ketë jetën e pasosur (Gjn 31,6).
“Duam të shohim Jezusin” (Gjn 12,21), është kërkesa që,
në Ungjillin e Gjonit, disa grekë, që kishin arritur në
Jerusalem për shtegtimin e Pashkëve, i paraqesin Filipit
apostull. Ajo jehon edhe në zemrën tonë në këtë muaj të tetorit,
që na kujton se si angazhimi dhe detyra e shpalljes së Ungjillit
i takon tërë Kishës, “misionare për natyrë të vetën” (Ad
gentes, 2), dhe na fton që të bëhemi nismëtarë të risisë së
jetës, të përbërë prej marrëdhënieve të përnjëmendta, në
bashkësi të themeluara mbi Ungjillin. Në një shoqëri shumetnike
që gjithnjë e më shumë përjeton forma të vetmie dhe
mospërfilljeje shqetësuese, të krishterët duhet të mësojnë të
japin shenja shprese dhe të bëhen vëllezër universalë, duke
kultivuar idealet e mëdha që e shndërrojnë historinë dhe, pa
iluzione të rreme apo frika të kota, të angazhohen për ta bërë
planetin shtëpinë e të gjithë popujve.
Sikurse shtegtarët grekë të dymijë vjetëve më parë, edhe
njerëzit e kkohës sonë, ndoshta jo gjithmonë në mënyrë të
vetëdijshme, u kërkojnë besimtarëve jo vetëm “t’i flasin”
Jezusit, por edhe “ta bëjnë të dukshëm” Jezusin, ta bëjnë të
shkëlqejë Fytyrën e Shpërblyesit në çdo cep të tokës para
breznive të mijëvjeçarit të ri dhe sidomos para të rinjve të çdo
kontinenti, destinatarë të privilegjuar dhe subjekte të
shpalljes ungjillore. Ata duhet të perceptojnë se të krishterët
e sjellin fjalën e Krishtit sepse Ai është e Vërteta, sepse kanë
gjetur në Të kuptimin, të vërtetën për jetën e tyre.
Këto konsiderata na kujtojnë mandatin misionar që kanë marrë të
gjithë të pagëzuarit dhe e tërë Kisha, por që nuk mund të
realizohet në mënyrë të besueshme pa një kthim të thellë
personal, bashkësior dhe personal. Në të vërtetë, vetëdija e
thirrjes për ta shpallur Ungjillin nxit jo vetëm çdo besimtar,
por të gjitha Bashkësitë dioqezane dhe famullitare për një
përtëritje të tërësishme dhe për t’iu hapur gjithnjë e më shumë
bashkëpunimit misionar mes Kishave, për të nxitur shpalljen e
Ungjillit në zemrën e çdo personi, të çdo populli, kulture,
race, kombësie, në çdo anë të botës. Kjo vetëdije ushqehet
nëpërmjet veprës së Meshtarëve Fidei Donum, të të
Kushtuarve, të Katekistëve, të Laikëve misionarë, në një kërkim
të vazhdueshëm për të nxitur bashkimin kishtar, në mënyrë që
edhe dukuria e “ndërkulturalitetit” të mund të integrohet në një
model njësie, ku Ungjilli të jetë tharm i lirisë dhe i
përparimit, burim i vëllazërisë, i përvujtërisë dhe i paqes
(krh. Ad gentes, 8). Në të vërtetë, Kisha “në Krishtin
është si sakrament, pra shenjë dhe mjet i bashkimit të brendshëm
me Hyjin dhe i njësisë së të gjithë gjinisë njerëzore” (Lumen
gentium, 1).
Bashkësia kishtare lind prej takimit me Birin e Hyjit, Jezu
Krishtin, që, në kumtimin e Kishës, arrin te njerëzit dhe krijon
bashkësi me Atë vetë dhe prandaj edhe me Atin dhe me Shpirtin
Shenjt (krh. 1 Gjn 1,3). Krishti vendos marrëdhënien e re
mes njeriut dhe Hyjit. “Ai na zbulon se «Hyji është dashuri» (1
Gjn 4,8) dhe njëkohësisht na mëson se ligji themelor i
përsosmërisë njerëzore, dhe prandaj edhe i shndërrimit të botës,
është urdhri i ri i dashurisë. Prandaj, ata që i besojnë
dashurisë hyjnore, prej Tij janë siguruar se rruga e dashurisë
është e hapur për të gjithë njerëzit dhe se përpjekjet që
synojnë të realizojnë vëllazërinë universale nuk janë të kota” (Gaudium
et spes, 38).
Kisha bëhet “bashkësi” duke nisur prej Eukaristisë, në të cilën
Krishti, i pranishëm në bukën dhe në verën, me flinë e tij të
dashurisë e ndërton Kishën si trup të vetin, duke na bashkuar me
Hyjin njini e trini dhe ndërmjet nesh (krh. 1 Kor
10,16ss). Në Nxitjen apostolike Sacramentum caritatis kam
shkruar: “Nuk mund ta mbajmë për vete dashurinë që kremtojmë në
Sakrament. Ajo për natyrë të vetën kërkon që t’u komunikohet të
gjithëve. Ajo për të cilën bota ka nevojë është dashuria e
Hyjit, është ta takojë Krishtin dhe të besojë në Të” (nr. 84).
Për këtë arsye Eukaristia nuk është burimi dhe kulmi i jetës së
Kishës, por edhe i misionit të saj: “Një Kishë përnjëmend
eukaristike është një Kishë misionare” (Ibid.), e aftë
t’i çojë të gjithë në bashkimin me Hyjin, duke kumtuar me
bindje: “Çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju
të keni bashkësi me ne” (1 Gjn 1,3).
Shumë të dashur, në këtë Ditë Misionare Botërore në të cilën
vështrimi i zemrës shtrihet mbi hapësirat e pafundme të
misionit, le të ndihemi të gjithë protagonistë të angazhimit të
Kishës për të kumtuar Ungjillin. Nxitja misionare ka qenë
gjithmonë shenjë e gjallërisë për Kishat tona (krh. Let. enc.
Redemptoris missio, 2) dhe bashkëpunimi i tyre është dëshmi
e posaçme e njësisë, e vëllazërisë dhe e solidaritetit, që na
bën kumtues të besueshëm të Dashurisë që shëlbon!
Prandaj, e përtërij për të gjithë ftesën për lutje dhe,
pavarësisht prej vështirësive ekonomike, për angazhimin e
ndihmës vëllazërore e konkrete në mbështetje të Kishave të reja.
Ky gjest dashurie dhe bashkëndarjeje, që shërbimi i çmueshëm i
Veprave Papnore Misionare, të cilave u shkon mirënjohja ime, do
të kujdeset që të shpërndajë, do të mbështesë formimin e
meshtarëve, seminaristëve dhe katekistëve në tokat më të largëta
të misionit dhe do t’i nxisë bashkësitë e reja kishtare.
Në përfundim të mesazhit të përvitshëm për Ditën Misionare
Botërore, dëshiroj t’u shpreh, me dashuri të veçantë,
mirënjohjen time misionarëve dhe misionareve, që dëshmojnë në
vendet më të largëta e të vështira, shpesh edhe me jetën e tyre,
ardhjen e Mbretërisë së Hyjit. Atyre, që përfaqësojnë pararojat
e kumtimit të Ungjillit, u drejtohet miqësia, afërsia dhe
mbështetja e çdo besimtari. “Hyji (që) e do atë që jep me gëzim”
(2 Kor 9,7) i mbushtë me zell shpirtëror dhe hare të
thellë.
Sikurse “po”-ja e Marisë, çdo përgjigje bujare e Bashkësisë
kishtare ndaj ftesës hyjnore në dashuri ndaj vëllezërve do të
nxisë një amësi të re apostolike dhe kishtare (krh. Gal
4,4.19.26), që duke e lënë veten të befasohet prej misterit të
Hyjit dashuri, i cili “kur erdhi koha e caktuar... dërgoi Birin
e vet, të lindur prej gruaje” (Gal 4,4), do t’u dhurojë
besim e guxim apostujve të rinj. Kjo përgjigje do t’i bëjë të
gjithë besimtarët të aftë që të jenë “në shpresë të gëzueshëm” (Rom
12,12) duke realizuar planin e Hyjit, i cili do “formimin e
gjithë gjinisë njerëzore në të vetmin popull të Hyjit, bashkimin
e saj në të vetmin trup të Krishtit, ndërtimin e saj në të
vetmin tempull të Shpirtit Shenjt” (Ad gentes, 7).
Prej Vatikanit, 6 Shkurt 2010
BENEDIKTUS PP. XVI
titujt kryesore |
|