|
|
Qielli është dashuria e Hyjit ku ka vend edhe për njeriun
Dashuria
e Hyjit është aq e madhe sa ka vend edhe për njeriun: e ka
kujtuar këtë Papa gjatë homelisë së meshës së kremtuar në
famullinë e Shën Tomës nga Vilanova, në Kastel Gandolfo,
mëngjesin e të dielës, më 15 gusht, solemniteti i Të Ngjiturit
të Zojës në Qiell.
Hirësi, Shkëlqesi, Autoritete,
Të dashur vëllezër e motra,
sot Kisha kremton njërën prej festave më të rëndësishme të vitit
liturgjik të kushtuara Shenjtes Mari: Të Ngriturin e Zojës në
Qiell. Në përfundim të jetës së vet tokësore, Maria është
ngjitur me shpirt e me trup në Qiell, pra në lavdinë e jetës së
amshuar, në bashkimin e plotë dhe të përsosur me Hyjin.
Këtë vit mbushen gjashtëdhjetë vjet që kur i Nderuari Papa Piu
XII, më 1 nëntor 1950, e shpalli solemnisht këtë dogmë, dhe do
të doja të lexoja – edhe pse është pak e ndërlikuar – formën e
dogmatizimit. Papa thotë: “në këtë mënyrë shenjtja Nëna e Hyjit,
në mënyrë të mistershme e bashkuar me Jezu Krishtin që prej
krejt amshimit me një dekret të njëjtë paracaktimi, e Papërlyer
në të Zënit e saj, Virgjër e pafajshme në amësinë e saj hyjnore,
Bashkëpunëtore bujare e Shëlbuesit Hyjnor, që ka arritur një
triumf të plotë mbi mëkatin dhe mbi rrjedhojat e tij, në fund,
si kurorëzim suprem i privilegjeve të saj, u ruajt prej
shkatërrimit të varrit dhe, pasi e mposhti vdekjen, sikurse edhe
Biri i saj, u lartësua me shpirt e me trup në lavdinë e Qiellit,
ku shkëlqen si Mbretëreshë në të djathtë të Birit të saj,
Mbretit të pavdekshëm të shekujve (Kusht. ap.
Munificentissimus Deus, aas 42 (1950), 768-769).
Pra, kjo është bërthama e fesë sonë në Të Ngjiturit në Qiell: ne
besojmë se Maria, sikurse Krishti Biri i saj, tashmë e ka
mposhtur vdekjen dhe triumfon në lavdinë qiellore në tërësinë e
qenies së vet: “me shpirt e me trup”.
Shën Pali, në leximin e dytë të sotëm, na ndihmon të hedhim pak
dritë mbi këtë mister duke nisur prej faktit qendror të
historisë njerëzore dhe të fesë sonë: pra, prej faktit të
ngjalljes së Krishtit, që është “i pari ndër ata që kanë
vdekur”. Të zhytur në Misterin e Tij pashkvor, ne jemi bërë
pjesëmarrës të fitores së tij mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. Këtu
gjendet sekreti befasues dhe realiteti kyq i krejt historisë
njerëzore. Shën Pali na thotë se të gjithë jemi të “bashkuar” në
Adamin, njeriu i parë dhe i vjetër, të gjithë kemi të njëjtën
trashëgimi njerëzore të cilës i përket: vuajtja, vdekja, mëkati.
Por këtij realiteti që ne të gjithë mund ta shohim dhe ta
jetojmë çdo ditë i shtohet një gjë e re: ne jemi jo vetëm në
këtë trashëgimi të të vetmes qenie njerëzore, të filluar me
Adamin, por jemi edhe “të bashkuar” në njeriun e ri, në Krishtin
e ngjallur, dhe kështu jeta e Ringjalljes tashmë është e
pranishme në ne. Pra, ky “bashkim” i parë biologjik është
bashkim në vdekjen, bashkim që jep jetën. Po citoj përsëri
Leximin e dytë të sotëm. Shën Pali thotë: “Kështu, pra, nëpër
një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja
prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë
njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta
rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë
fryti i parë – Krishti, pastaj, në Ditën e Gjyqit, ata që i
përkasin Krishtit” (1 Kor 15,21-24).
Atë që shën Pali pohon për të gjithë njerëzit, Kisha, në
Magjisterin e vet të pagabueshëm, e thotë për Marinë, në një
mënyrë dhe kuptim të saktë: Nëna e Hyjit përfshihet aq shumë në
Misterin e Krishtit sa bëhet pjesëmarrëse e Ngjalljes së Birit
të saj me gjithë veten e vet që në përfundim të jetës tokësore;
jeton atë që ne presim në fund të kohëve kur do të asgjësohet
“armiku i fundit”, vdekja (1 Kor 15,26); që tani jeton atë që
kumtojmë në Besojmë “Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e
pasosur”.
Prandaj mund të pyesim: cilat janë rrënjët e kësaj fitoreje mbi
vdekjen të hershuar në mënyrë kaq të mrekullueshme në Marinë?
Rrënjët gjenden në fenë e Virgjërës së Nazaretit, sikurse
dëshmon pjesa e Ungjillit që dëgjuam (Lk 1,39-56): një fe që
është dëgjesë ndaj Fjalës së Zotit dhe braktisje e plotë në
nismën dhe në veprimin hyjnor, sipas asaj që i shpall
Kryeengjëlli. Pra, feja është madhështia e Marisë, sikurse
shpall gëzueshëm Elizabeta: “Maria është “e bekuar mbi të gjitha
gratë”, “i bekuar është fryti i barkut të saj” sepse është “nëna
e Zotit”, sepse beson dhe jeton në mënyrë të vetme “të parën”
lumturi, lumturinë e fesë. Elizabeta e dëshmon këtë më gëzimin e
saj dhe të fëmijës që i galdon në bark: “E lumja ajo që besoi se
do të plotësohet çka i qe thënë prej Zotit!” (rr. 45). Të dashur
miq! Të mos kufizohemi duke e admiruar Marinë në fatin e saj të
lavdisë, si një person shumë larg prej nesh: jo! Jemi të thirrur
të shikojmë se çfarë ka dashur Zoti, në dashurinë e vet, edhe
për ne, për fatin tonë përfundimtar: të jetojmë nëpërmjet fesë
në bashkimin e përsosur të dashurisë me Të dhe kështu të jetojmë
me të vërtetë.
Në lidhje me këtë, do të doja të ndalesha në një aspekt të
pohimit dogmatik, aty ku flitet për ngritjen në lavdinë
qiellore. Ne të gjithë sot jemi të vetëdijshëm se me termin
“qiell” nuk i referohemi ndonjë vendi në gjithësi, ndonjë ylli
apo ndonjë gjëje të tillë: jo. I referohemi diçkaje shumë më të
madhe dhe më të vështirë për t’u përkufizuar me konceptet tona
të kufizuara njerëzore. Me këtë term “qiell” duam të pohojmë se
Hyji, Hyji që është bërë i afërt me ne nuk na braktis as në
vdekje dhe as përtej vdekjes, por ka një vend për ne dhe na
dhuron amshimin; duam të pohojmë se në Hyjin ka një vend për ne.
Për ta kuptuar pak më shumë këtë realitet le të vështrojmë vetë
jetën tonë: ne të gjithë shohim se një person, kur vdes, vazhdon
të ekzistojë në ndonjë mënyrë në kujtimin dhe në zemrën e atyre
që e kanë njohur dhe e kanë dashur. Mund të themi se në ta
vazhdon të jetojë një pjesë e atij personi, por është si një
“hije” sepse edhe kjo mbijetesë në zemrën e të dashurve të vet
është e destinuar që të mbarojë. Ndërsa Hyji nuk kalon kurrë dhe
ne të gjithë ekzistojmë prej dashurisë së Tij. Ekzistojmë sepse
ai na do, sepse ai na ka menduar dhe na ka thirrur në jetë.
Ekzistojmë në mendimet dhe në dashurinë e Hyjit. Ekzistojmë në
të gjithë realitetin tonë, jo vetëm në “hijen” tonë.
Kthjelltësia jonë, shpresa jonë, paqja jonë bazohen pikërisht në
këtë: në Hyjin, në mendimin e Tij dhe në dashurinë e Tij, nuk
mbijeton vetëm një “hije” e vetes sonë, por në Të, në dashurinë
e tij krijuese, ne jemi të ruajtur dhe të përfshirë me të gjithë
jetën tonë, me të gjithë qenien tonë në amshim.
Dashuria e tij e mposht vdekjen dhe na dhuron amshimin, dhe
pikërisht këtë dashuri ne e quajmë “qiell”: Hyji është aq i madh
sa ka vend edhe për ne. Dhe njeriu Jezus, që është në të njëjtën
kohë Hyj, për ne është garancia se qenia-njeri dhe qenia-Hyj
mund të ekzistojnë dhe të jetojnë përjetësisht në njëra-tjetrën.
Kjo do të thotë se prej secilit nga ne nuk do të vazhdojë të
ekzistojë vetëm një pjesë që na shkëputet, nëse mund të themi
kështu, ndërsa të tjerat shkatërrohen; do të thotë se Hyji e
njeh dhe e do krejt njeriun, atë që ne jemi. Dhe Hyji e pranon
në amshimin e Tij atë që tani, në jetën tonë, të përbërë
prej vuajtjes dhe dashurisë, prej shpresës, prej gëzimit dhe
prej trishtimit, rritet dhe zhvillohet. I gjithë njeriu, e
gjithë jeta e tij merret prej Hyjit dhe e pastruar në Të merr
amshimin. Të dashur Miq! Unë mendoj se kjo është një e vërtetë
që duhet të na mbushë me gëzim të thellë. Krishterimi nuk shpall
vetëm njëfarë shëlbimi të shpirtit në një të përtejme të
papërcaktuar, në të cilën gjithçka që në këtë botë ka qenë për
ne e çmueshme dhe e dashur zhduket, por premton jetën e amshuar,
“jetën e botës që do të vijë”: asgjë nga ajo që është e çmueshme
dhe e dashur për ne nuk do të shkatërrohet, por do të gjejë
plotësinë në Hyjin. Të gjitha fijet e flokëve të kokës sonë janë
të numëruara, ka thënë një ditë Jezusi (krh. Mt 10,30). Në
mënyrë përfundimtare do të jetë plotësimi edhe i kësaj toke,
sikurse pohon shën Pali: “edhe vetë krijesa do të lirohet nga
skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe
lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8,21). Kështu kuptohet se si
krishterimi dhuron një shpresë të fortë në një të ardhme të
ndritur dhe hap udhën drejt realizimit të kësaj të ardhmeje. Ne
jemi të thirrur, pikërisht si të krishterë, që ta ndërtojmë këtë
botë të re, të punojmë që ajo një ditë të bëhet “bota e Hyjit”,
një botë që do të kapërcejë gjithçka që ne vetë do të mund të
ndërtonim. Në Marinë e Ngjitur në Qiell, plotësisht pjesëmarrëse
e Ngjalljes së Birit, ne sodisim realizimin e krijesës njerëzore
sipas “botës së Hyjit”.
Ta lusim Zotin që të na bëjë ta kuptojmë se sa e çmuar është në
sytë e Tij e gjithë jeta jonë; që ta forcojë fenë tonë në jetën
e amshuar; që të na bëjë njerëz të shpresës, që veprojnë për të
ndërtuar një botë të hapur ndaj Hyjit, njerëz plot gëzim, që
dinë ta dallojnë bukurinë e botës së ardhshme në mes të anktheve
të jetës së përditshme dhe në këtë siguri të jetojnë, të besojnë
e të shpresojnë. Amen!
titujt kryesore |
|