ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

BENEDIKTI XVI

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

 

 

Salla Pali VI E mërkurë, 3 mars 2010

Shën Bonaventura

 

 

Të dashur vëllezër e motra,

 

sot do të doja të flisja për shën Bonaventura nga Banjorexho. Ju rrëfej se, duke ju propozuar këtë argument, ndiej një farë malli, sepse mendoj për kërkimet që, si studiues i ri, kam bërë pikërisht mbi këtë autor, veçanërisht të dashur për mua. Njohja e tij ka ndikuar jo pak në formimin tim. Me shumë gëzim disa muaj më parë kam shtegtuar në vendlindjen e tij, Banjorexho, një qytezë italiane, në Lacio, që ruan me nderim kujtimin e tij.

 

Pasi lindi, sipas gjasave, në vitin 1217 dhe vdiq në vitin 1274, ai jetoi në shekullin XIII, një epokë në të cilën feja e krishterë, që kishte depërtuar thellësisht në kulturën dhe në shoqërinë e Europës, frymëzoi vepra të pavdekshme në fushën e letërsisë, të arteve pamore, të filozofisë dhe të teologjisë. Mes figurave të mëdha të krishtera që dhanë ndihmesë në hartimin e kësaj harmonie mes fesë dhe kulturës spikat pikërisht Bonaventura, njeri veprimi dhe soditjeje, përshpirtërie të thellë dhe maturie në drejtim.

 

Quhej Gjoni nga Fidanca. Një episod që ndodhi kur ishte ende djalosh e shënoi thellësisht jetën e tij, sikurse tregon ai vetë. Ishte goditur nga një sëmundje e rëndë dhe as i ati, që ishte mjek, tashmë nuk shpresonte më ta shpëtonte nga vdekja. Atëherë e ëma kërkoi ndërmjetësimin e shën Françeskut të Asizit, që ishte shenjtëruar pak kohë më parë. Dhe Gjoni u shërua.

 

Figura e Varfanjakut të Asizit u bë edhe më familjare për të disa vjet më vonë, kur gjendej në Paris, ku kishte shkuar për studime. Kishte marrë diplomën e Mësuesit të Arteve, që do të mund ta krahasonim me atë të një Liceu prestigjoz të kohëve tona. Në atë pikë, sikurse shumë të rinj të të kaluarës si dhe të të sotmes, Gjoni shtroi një pyetje kyçe: “Çfarë duhet të bëj me jetën time?”. I mrekulluar prej dëshmisë së zellit e të rrënjësisë ungjillore të Fretërve Minorë, që kishin arritur në Paris në vitin 1219, Gjoni trokiti në dyert e Kuvendit françeskan të atij qyteti dhe kërkoi që ta pranonin në familjen e madhe të nxënësve të shën Françeskut. Shumë vjet më vonë, ai shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij: në shën Françeskun dhe në lëvizjen e filluar prej tij dallonte veprimin e Krishtit. Kështu shkruante në një letër të drejtuar një frati tjetër: “Pranoj para Hyjit se arsyeja që më ka bërë ta dua më shumë jetën e të lumit Françesk është se ajo u ngjan fillimeve dhe rritjes së Kishës. Kisha filloi me peshkatarë të thjeshtë, dhe u pasurua më pas me doktorë shumë të ndritur e të dijshëm; devotshmëria e të lumit Françesk nuk është përcaktuar prej maturisë së njerëzve, por prej Krishtit” (Epistula de tribus quaestionibus ad magistrum innominatum, në Opere di San Bonaventura. Introduzione generale, Roma 1990, fq. 29).

 

Ndërkaq, rreth vitit 1243 Gjoni veshi zhgunin françeskan dhe mori emrin Bonaventura. Menjëherë u dërgua për studime, dhe frekuentoi Fakultetin e Teologjisë së Universitetit të Parisit, duke ndjekur një tërësi kursesh shumë angazhuese. Mori titujt e ndryshëm të kërkuar prej karrierës akademike, ata të “magjistrit biblik” dhe të “magjistrit sentenciar”. Kështu Bonaventura e studioi në thellësi Shkrimin e Shenjtë, Sentencat e Pietro Lombardo-s, doracakun e teologjisë të asaj kohe, dhe autorët më të rëndësishëm të teologjisë, si dhe, në kontakt me mësuesit e studentët që shkonin në Paris nga e gjithë Europa, poqi reflektimin e vet personal dhe një ndjeshmëri shpirtërore me vlerë të madhe që, gjatë viteve të mëtejshme, diti t’i komunikonte në veprat e tij dhe në predikimet e tij, duke u bërë kështu njëri prej teologëve më të rëndësishëm të historisë së Kishës. Është domethënëse të kujtojmë titullin e tezës që ai mbrojti që të aftësohej për mësimdhënien e teologjisë, licentia ubique docendi, sikurse thuhej atëherë. Dizertacioni i tij kishte si titull “Çështje mbi njohjen e Krishtit”. Ky argument tregon rolin qendror që Krishti pati gjithmonë në jetën dhe në mësimin e Bonaventurës. Mund të themi patjetër se i gjithë mendimi i tij qe thellësisht kristocentrik.

 

Në ato vite në Paris, qyteti i adoptimit të Bonaventurës, po zhvillohej një polemikë e dhunshme kundër Fretërve Minorë të shën Françeskut të Asizit dhe Fretërve Predikatarë të shën Domenikut të Guzmanit. Kundërshtohej e drejta e tyre për të dhënë mësim në Universitet, dhe vihej në dyshim madje edhe përnjëmendësia e jetës së tyre të kushtuar. Sigurisht, ndryshimet e sjella prej Urdhrave Lypsarë në mënyrën e kuptimit të jetës rregulltare, për të cilën kam folur në katekezat e mëparshme, ishin aq përtëritëse sa jo të gjithë arrinin t’i kuptonin. Pastaj, sikurse ndodh nganjëherë edhe mes personave sinçerisht fetarë, shtoheshin arsyet e dobësisë fetare, si zilia dhe xhelozia. Bonaventura, edhe pse i rrethuar nga kundërshtia e mësuesve të tjerë universitarë, tashmë kishte filluar të jepte mësim pranë katedrës së teologjisë së Françeskanëve dhe, për t’iu përgjigjur atyre që i kundërshtonin Urdhrat Lypsarë, hartoi një shkrim të titulluar “Përsosmëria ungjillore”. Në këtë shkrim tregon se si Urdhrat Lypsarë, veçanërisht Fretërit Minorë, duke praktikuar kushtet e varfërisë, të pastërtisë dhe të dëgjesës, ndiqnin këshillat e vetë Ungjillit. Përtej këtyre rrethanave historike, mësimi i dhënë prej Bonaventurës në këtë vepër të tijën dhe në jetën e tij mbetet gjithmonë aktual: Kisha bëhet më e ndritshme dhe e bukur prej besnikërisë ndaj thirrjes së atyre bijve e bijave të saj që jo vetëm i vënë në praktikë mësimet ungjillore por, me hirin e Hyjit, janë të thirrur të zbatojnë këshillat e tij dhe dëshmojnë kështu, me stilin e tyre të jetës së varfër, të pastër e të dëgjueshme, se Ungjilli është burim i gëzimit dhe i përsosmërisë.

 

Konflikti u qetësua, të paktën për njëfarë kohe, dhe, me ndërhyrjen personale të Papës Aleksandri IV, në vitin 1257, Bonaventura u njoh zyrtarisht si doktor dhe mësues i Universitetit parizien. Megjithatë atij iu desh të hiqte dorë prej kësaj detyre prestigjoze, sepse po atë vit Kapitulli i përgjithshëm i Urdhrit e zgjodhi Ministër të përgjithshëm.

 

E kreu këtë detyrë për shtatëmbëdhjetë vjet, me urti dhe përkushtim, duke vizituar provincat, duke u shkruar fretërve, duke ndërhyrë nganjëherë me një farë rreptësie për të zhdukur abuzimet. Kur Bonaventura filloi këtë shërbim, Urdhri i Fretërve Minorë ishte zhvilluar në mënyrë të mrekullueshme: ishin më se 30.000 Fretërit e përhapur në të gjithë Perëndimin, me prani misionare në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Mesme si dhe në Pekin. Duhej të përforcohej kjo përhapje dhe sidomos, me besnikëri të plotë ndaj karizmës së Françeskut, duhej t’i jepej njësi veprimi dhe shpirti. Në të vërtetë, mes ndjekësve të shenjtit të Asizit shënoheshin mënyra të ndryshme të interpretimit të mesazhit dhe ekzistonte realisht rreziku i një përçarjeje të brendshme. Për ta shmangur këtë rrezik, Kapitulli i përgjithshëm i Urdhrit në Narbonë, në vitin 1260, pranoi dhe miratoi një tekst të propozuar nga Bonaventura, në të cilin përmblidheshin dhe njësoheshin normat që rregullonin jetën e përditshme të Fretërve Minorë. Megjithatë, Bonaventura ndiente se dispozitat legjislative, sado të frymëzuara me urti dhe moderim, nuk mjaftonin për të siguruar bashkimin e shpirtit dhe të zemrave. Duhej të bashkëndaheshin të njëjtat ideale dhe të njëjtat motivime. Për këtë arsye, Bonaventura deshi ta paraqiste karizmën e përnjëmendtë të Françeskut, jetën e tij dhe mësimin e tij. Prandaj, me zell të madh mblodhi dokumentat që i përkisnin Varfanjakut dhe dëgjoi me kujdes tregimet e atyre që e kishin njohur drejtpërdrejt Françeskun. Që këtu lindi një biografi, historikisht e bazuar mirë, e shenjtit të Asizit, e titulluar “Legenda Maior”, e redaktuar edhe në formën më të shkurtuar dhe prandaj të quajtur “Legenda minor”. Fjala latine, në ndryshim nga ajo italiane, nuk tregon një fryt të fantazisë, por, përkundrazi, “Legenda” do të thotë një tekst me autoritet, “që duhet lexuar” zyrtarisht. Në të vërtetë, Kapitulli i përgjithshëm i Fretërve Minorë i vitit 1263, i mbledhur në Piza, njohu në biografinë e shën Bonaventurës portretin më besnik të Themeluesit dhe, kështu, kjo u bë biografia zyrtare e Shenjtit.

 

Cila është figura e shën Françeskut që del në pah prej zemrës dhe prej pendës së birit të devotshëm dhe pasardhësit të tij, shën Bonaventurës? Pika thelbësore: Françesku është një alter Christus, një njeri që ka kërkuar në mënyrë të apasionuar Krishtin. Në dashurinë që nxit në imitim, ai është bërë i ngjashëm krejtësisht me Të. Bonaventura ua tregonte këtë ideal të gjallë të gjithë ndjekësve të Françeskut. Ky ideal, i vlefshëm për çdo të krishterë, dje, sot, gjithmonë, është treguar si program edhe për Kishën e Mijëvjeçarit të Tretë nga Paraardhësi im, i Nderueshmi Gjon Pali II. Në Letrën Novo Millennio ineunte ai shkruan se ky program përqendrohet “në vetë Krishtin, që duhet njohur, dashur, imituar, për të jetuar në të jetën trinitare, dhe për ta shndërruar me të historinë deri në plotësimin e saj në Jeruzalemin qiellor” (nr. 29).

 

Në vitin 1273 jeta e shën Bonaventurës njohu një ndryshim tjetër. Papa Gregori X dëshiroi ta shuguronte Ipeshkëv dhe ta emëronte Kardinal. I kërkoi edhe që të përgatiste një ngjarje shumë të rëndësishme kishtare: Koncilin II Ekumenik të Lionit, që kishte si qëllim rivendosjen e bashkimit mes Kishës Latine dhe asaj Greke. Ai iu kushtua kësaj detyre me zell, por nuk arriti ta shihte përfundimin e atij tubimi ekumenik, sepse vdiq gjatë zhvillimit të tij. Një noter anonim papnor hartoi një elozh të Bonaventurës, që na jep një portret përfundimtar të këtij shenjti të madh dhe teologu të shkëlqyer: “Njeri i mirë, i besueshëm, i devotshëm dhe i mëshirshëm, plot me virtyte, i dashur prej Hyjit dhe prej njerëzve... Në të vërtetë, Hyji i kishte dhuruar një hir të tillë, sa të gjithë ata që e shihnin ishin të pushtuar prej një dashurie që zemra nuk mund ta fshihte” (krh. J.G. Bougerol, Bonaventura, në A. Vauchez (nën kujdesin e), Storia dei santi e della santità cristiana. Vol. VI. L’epoca del rinnovamento evangelico, Milano 1991, fq. 91).

 

Po e përmbledhim trashëgiminë e këtij shenjti Doktor të Kishës, që na kujton kuptimin e jetës sonë, me fjalët që vijojnë: “Në tokë... mund ta sodisim pafundësinë hyjnore nëpërmjet arsyetimit dhe admirimit; në të vërtetë, në atdheun qiellor, nëpërmjet shikimit, kur të jemi bërë të ngjashëm me Hyjin, dhe nëpërmjet ekstazës... do të hyjmë në galdimin e Hyjit” (La conoscenza di Cristo, q. 6, conclusione, në Opere di San Bonaventura. Opuscoli Teologici/1, Roma 1993, fq. 187).

 

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster