|
|
E diel, 2 maj 2010
Të dashur miq,
ky është për mua një moment shumë i pritur. Në shumë raste të
tjera jam gjendur përpara Sindonës së shenjtë, por këtë radhë e
jetoj këtë shtegtim dhe këtë ndalesë me një dendësi të veçantë:
ndoshta sepse kalimi i viteve më bën edhe më të ndjeshëm ndaj
mesazhit të kësaj Ikone të jashtëzakonshme; ndoshta, dhe do të
thosha sidomos, sepse jam këtu si Pasardhësi i Pjetrit, dhe mbaj
në zemrën time gjithë Kishën, madje, gjithë njerëzimin.
Falënderoj Hyjin për dhuratën e këtij shtegtimi, si dhe për
mundësinë për të bashkëndarë me ju një meditim të shkurtër, që
më është sugjeruar prej nëntitullit të kësaj Paraqitjeje
solemne: “Misteri i të Shtunës së Madhe”.
Mund të thuhet se Sindona është Ikona e këtij misteri, Ikona e
të Shtunës së Madhe. Në të vërtetë, ajo është një pëlhurë varri,
që ka mbështjellë kufomën e një njeriu të kryqëzuar që
krejtësisht i përgjigjet asaj që Ungjijtë na thonë për Jezusin,
i cili, i kryqëzuar rreth mesditës, dha shpirt nga ora tre e
pasdites. Kur erdhi mbrëmja, meqenëse ishte Parasheva, pra
vigjilja e të shtunës solemne të Pashkëve, Jozefi i Arimatesë,
një anëtar i pasur dhe me autoritet i Sinedrit, me guxim i
kërkoi Ponc Pilatit që të mund ta varroste Jezusin në varrin e
tij të ri, që ishte gërmuar në shkëmb jo larg Golgotës. Pasi
mori lejen, bleu një çarçaf dhe, pasi e ulën trupin e Jezusit
prej kryqit, e mbështolli me atë çarçaf dhe e vuri në atë varr
(krh. Mk 15,42-46). Kështu referon Ungjilli i shën Markut, dhe
të një fjale me të janë edhe Ungjilltarët e tjerë. Prej atij
momenti, Jezusi mbeti në varr deri në agimin e ditës pas të
shtunës, dhe Sindona e Torinos na jep imazhin se si ishte trupi
i tij i shtrirë në varr gjatë asaj kohe, që qe e shkurtër
kronologjikisht (rreth një ditë e gjysmë), por qe tejet e gjatë,
e pafundme në vlerën e vet dhe në domethënien e vet.
E Shtuna e Madhe është dita e fshehjes së Hyjit, sikurse lexohet
në një Homeli të vjetër: “Çfarë ka ndodhur? Sot mbi tokë ka
heshtje të madhe, heshtje dhe vetmi të madhe. Heshtje të madhe
sepse Mbreti fle... Hyji ka vdekur në trup dhe ka zbritur për ta
shkundur mbretërinë e limbit” (Homelia mbi të Shtunën e Madhe,
PG 43, 439). Në Besojmë, ne dëshmojmë se Jezu Krishti “u
kryqëzua nën Poncin Pilat, vdiq e u varros, zbriti në ferr, dhe
të tretën ditë u ngjall së vdekuri”.
Të dashur vëllezër e motra, në kohën tonë, sidomos pasi kemi
përshkuar shekullin e kaluar, njerëzimi është bërë veçanërisht i
ndjeshëm ndaj misterit të të Shtunës së Madhe. Fshehja e Hyjit
bën pjesë në përshpirtërinë e njeriut bashkëkohor, në mënyrë
ekzistenciale, gati të pavetëdijshme, si një zbrazëtirë në zemër
që ka shkuar duke u zgjeruar gjithnjë e më shumë. Nga fundi i
Tetëqindës, Nietzsche shkruante: “Hyji ka vdekur! Dhe ne e kemi
vrarë!”. Këtë shprehje e njohur, po ta shohim mirë, është marrë
gati fjalë për fjalë prej traditës së krishterë, shpesh e
përsërisim në Udhën e Kryqit, ndoshta pa e kuptuar
krejtësisht atë që themi. Pas dy luftërave botërore, lager-ave
dhe gulag-ëve, Hiroshimës dhe Nagasakit, epoka jonë është
bërë në masë gjithnjë e më të madhe një e Shtunë e Madhe:
errësira e kësaj dite u bën thirrje të gjithë atyre që pyesin
veten mbi jetën, në mënyrë të veçantë na bën thirrje ne
besimtarëve. Edhe ne kemi të bëjmë me këtë errësirë.
Dhe megjithatë, vdekja e Birit të Hyjit, e Jezusit të Nazaretit,
ka një aspekt të kundërt, tërësisht pozitiv, burim ngushëllimi
dhe shprese. Dhe kjo më bën të mendoj për faktin se Sindona e
shenjtë sillet si një dokument “fotografik”, i pajisur me një
“pozitiv” dhe me një “negativ”. Dhe në të vërtetë është
pikërisht kështu: misteri më i errët i fesë në kohën tonë është
shenja më e ndritshme e një shprese që nuk ka kufij. E Shtuna e
Madhe është “toka e askujt” mes vdekjes dhe ngjalljes, por në
këtë “tokë të askujt” ka hyrë Njëri, i Vetmi, që e ka përshkuar
me shenjat e Mundimeve të tij për njeriun: “Passio Christi.
Passio hominis”. Dhe Sindona na flet pikërisht për atë
moment, dëshmon pikërisht atë interval unik dhe të
papërsëritshëm në historinë e njerëzimit dhe të gjithësisë, në
të cilën Hyji, në Jezu Krishtin, ka bashkëndarë jo vetëm të
vdekurit tonë, por edhe të qëndruarit tonë në vdekjen.
Solidariteti më rrënjësor.
Në atë “kohë-përtej-kohës” Jezu Krishti ka “zbritur në limb”.
Çfarë do të thotë kjo shprehje? Do të thotë se Hyji, i bërë
njeri, ka arritur deri në atë pikë sa të hyjë në vetminë e
skajshme dhe absolute të njeriut, ku nuk arrin asnjë rreze
dashurie, ku mbretëron braktisja e plotë pa asnjë fjalë
ngushëllimi: “limbi”. Jezu Krishti, duke qëndruar në vdekjen, e
ka kapërcyer derën e kësaj vetmie të fundit për të na udhëhequr
edhe ne në kapërcimin e saj me Të. Të gjithë e kemi ndier
ndonjëherë ndjesinë e frikshme të braktisjes, dhe ajo që prej
vdekjes na frikëson më shumë është pikërisht kjo, sikurse kur
jemi fëmijë kemi frikë të rrimë vetëm në errësirë dhe vetëm
prania e një personi që na do mund të na sigurojë. Ja, pikërisht
kjo ka ndodhur të Shtunën e Madhe: në mbretërinë e vdekjes ka
jehuar zëri i Hyjit. Ka ndodhur e pamendueshmja: pra, që
Dashuria ka depërtuar “në limb”: edhe në errësirën e skajshme të
vetmisë njerëzore më absolute ne mund të dëgjojmë një zë që na
thërret dhe të gjejmë një dorë që na merr dhe na nxjerr jashtë.
Qenia njerëzore jeton për faktin se është e dashur dhe mund të
dojë; dhe nëse edhe në hapësirën e vdekjes ka depërtuar
dashuria, atëherë edhe aty ka arritur jeta. Në orën e vetmisë së
skajshme nuk do të jemi kurrë vetëm: “Passio Christi. Passio
hominis”.
Ky është misteri i të Shtunës së Madhe! Pikërisht prej aty, prej
errësirës së vdekjes së Birit të Hyjit, ka lindur drita e një
shprese të re: drita e Ngjalljes. Dhe ja, më duket se duke
vështruar këtë Pëlhurë të shenjtë me sytë e fesë, perceptohet
diçka prej kësaj drite. Në të vërtetë, Sindona është zhytur në
atë errësirë të thellë, por në të njëjtën kohë është e
ndritshme; dhe unë mendoj se nëse mijëra e mijëra njerëz vijnë
për ta nderuar atë – pa llogaritur ata që e sodisin nëpërmjet
figurave – kjo ndodh sepse në të nuk shohin vetëm errësirën, por
edhe dritën; jo aq mposhtjen e jetës dhe të dashurisë, por
fitoren, fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi
urrejtjen; vërtet shikojnë vdekjen e Jezusit, por dallojnë
Ngjalljen e tij; në gjirin e vdekjes tani rreh jeta, pasi në të
banon dashuria. Kjo është fuqia e Sindonës: prej fytyrës së
këtij “Njeriu dhimbjesh”, që mban mbi vete mundimin e njeriut të
çdo kohe dhe të çdo vendi, edhe mundimet tona, vuajtjen tona,
vështirësitë tona, mëkatet tona – “Passio Christi. Passio
hominis” –, prej kësaj fytyre rrezaton një madhështi
solemne, një zotëri paradoksale. Kjo fytyrë, këto duar dhe këta
këmbë, ky kraharor, i gjithë ky trup flet, ai vetë është një
fjalë që mund ta dëgjojmë në heshtje. Si flet Sindona? Flet me
gjakun, dhe gjaku është jeta! Sindona është një Ikonë e shkruar
me gjak; gjaku i një njeriu të frushkulluar, të kurorëzuar me
ferra, të kryqëzuar dhe të plagosur në anën e djathtë të
kraharorit. Imazhi i lënë në Sindonë është ai i një të vdekuri,
por gjaku flet për jetën e tij. Çdo gjurmë gjaku flet për
dashuri dhe për jetë. Sidomos ajo njollë e bollshme afër
kraharorit, e bërë prej gjaku dhe uji të dalë në mënyrë të
bollshme prej një plage të madhe të shkaktuar prej një goditjeje
me heshtë romake, ai gjak dhe ai ujë flasin për jetën. Është si
një burim që mërmërin në heshtje, dhe ne mund ta dëgjojmë, në
heshtjen e të Shtunës së Madhe.
Të dashur miq, ta lëvdojmë gjithmonë Zotin për dashurinë e tij
besnike dhe të mëshirshme. Duke nisur prej këtij vendi të
shenjtë, të bartim në sy figurën e Sindonës, të bartim në zemër
këtë fjalë dashurie, dhe të lëvdojmë Hyjin me një jetë plot me
fe, me shpresë dhe me dashuri. Faleminderit.
titujt kryesore |
|