|
|
PËRSHËNDETJA E ATIT TË
SHENJTË
Kisha e Shenjtes Mari të
Fitores në Pragë
E shtunë, 26 shtator 2009
Zotërinj Kardinalë,
Zotëri Kryetar i
Bashkisë dhe Autoritete të nderuara,
të dashur vëllezër e
motra,
të dashur fëmijë,
jua drejtoj të gjithëve
ju përshëndetjen time të përzemërt dhe shpreh gëzimin tim se po vizitoj
këtë Kishë, të kushtuar Shenjtes Mari të Fitores, ku nderohet figura e
Jezusit Fëmijë, e njohur ngado si “Fëmija i Pragës”. Falënderoj Imzot
Jan Graubner, President i Konferencës Episkopale, për fjalët e tij të
mirëseardhjes në emër të të gjithë Ipeshkvinjve. U drejtoj një
përshëndetje plot respekt Kryetarit të Bashkisë dhe Autoriteteve të
tjera civile e fetare, që kanë dashur të jenë të pranishëm në këtë
takim. Ju përshëndes ju, të dashura familje, që keni ardhur të më takoni
në një numër kaq të madh.
Figura e Jezusit Fëmijë
të bën menjëherë të mendosh për misterin e Mishërimit, për Hyjin e
Gjithëpushtetshëm që është bërë njeri dhe ka jetuar për 30 vjet në
familjen e përvuajtur të Nazaretit, të cilin Provania ia pati besuar
mbrojtjes së kujdesshme të Marisë e të Jozefit. Mendimi shkon te
familjet tuaja dhe te të gjitha familjet e botës, te gëzimet e tyre dhe
vështirësitë e tyre. Reflektimit i bashkojmë lutjen, duke kërkuar prej
Jezusit Fëmijë dhuratën e bashkimit dhe të harmonisë për të gjitha
familjet. Mendojmë veçanërisht për familjet e reja, që duhet të bëjnë
shumë përpjekje për t’u dhënë bijve të tyre sigurinë dhe një të ardhme
dinjitoze. Lutemi për familjet në vështirësi, të vëna në provë prej
sëmundjes e prej dhimbjes, për ato që janë në krizë, të ndara apo të
përçara prej mosmarrëveshjes e prej pabesnikërisë. Të gjitha ia besojmë
Fëmijës së Shenjtë të Pragës, duke e ditur se sa e rëndësishme është
qëndrueshmëria e tyre dhe harmonia e tyre për përparimin e vërtetë të
shoqërisë dhe për të ardhmen e njerëzimit.
Figura e Jezusit Fëmijë,
me ëmbëlsinë e fëmijërisë së tij, na bën të perceptojmë edhe afërsinë e
Hyjit dhe dashurinë e tij. Kuptojmë se sa të çmueshëm jemi para syve të
tij sepse, pikërisht falë Tij, jemi bërë edhe ne bij të Hyjit. Çdo qenie
njerëzore është bir i Hyjit dhe prandaj vëlla i yni dhe, si i tillë,
duhet pranuar e respektuar. Shoqëria jonë e kuptoftë këtë realitet!
Kështu çdo person njerëzor do të marrë vlerë jo për atë që ka, por për
atë që është, sepse në fytyrën e çdo qenieje njerëzore, pa dallim race e
kulture, shkëlqen shëmbëlltyra e Hyjit.
Kjo vlen sidomos për
fëmijët. Në Fëmijën e Shenjtë të Pragës sodisim bukurinë e fëmijërisë
dhe parapëlqimin që Jezu Krishti ka shfaqur gjithmonë ndaj të vegjëlve,
sikurse lexojmë në Ungjill (krh. Mk 10,13-16). Ndërsa, sa shumë fëmijë
nuk duhen, nuk pranohen, nuk respektohen! Sa prej tyre janë viktima të
dhunës e të çdo forme të shfrytëzimit nga ana e personave pa skrupuj! Të
miturve iu rezervoftë ai respekt dhe ajo vëmendje që meritojnë: fëmijët
janë e ardhmja dhe shpresa e njerëzimit.
Tani do të doja t’ju
drejtoj një fjalë të veçantë juve, të dashur fëmijë, si dhe familjeve
tuaja. Keni ardhur në numër të madh që të më takkoni dhe për këtë ju
falënderoj prej zemrës. Ju, që jeni të parapëlqyerit e zemrës së Jezusit
Fëmijë, të dini t’i përgjigjeni me dashuri dashurisë së tij, dhe, duke
ndjekur shembullin e tij, të jeni të bindur, të sjellshëm e bamirës.
Mësoni të jeni, sikurse Ai, ngushëllimi i prindërve tuaj. Jini miqtë e
vërtetë të Jezusit dhe drejtojuni Atij gjithmonë me besim. Luteni për
veten tuaj, për prindërit, të afërmit, mësuesit e miqtë tuaj, dhe luteni
edhe për mua. Faleminderit përsëri për mikpritjen tuajd he me zemër ju
bekoj, ndërsa mbi ju thërras mbrojtjen e Fëmijës së Shenjtë Jezus, të
Nënës së Tij të Papërlyer dhe të shën Jozefit.
titujt kryesorë
|
|