|
|
Nikozi
– E diel, 6 qershor 2010
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,
jam shumë i kënaqur që mund ta bëj këtë
vizitë në Katedralen e Zojës Sonë të Hireve. Falënderoj Arqipeshkvin
Youssef Soueif për fjalët e tij të sjellshme të mirëseardhjes në emër të
bashkësisë Maronite të Qipros dhe përzemërsisht ju përshëndes të
gjithëve ju me fjalët e Apostullit: “Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit
tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! (1 Kor 1,3).
Duke vizituar këtë ndërtesë bëj në zemrën
time një shtegtim shpirtëror drejt çdo kishe maronite të ishullit. Ju
siguroj se, me kujdesin e një ati, jam afër çdo besimtari të atyre
bashkësive të lashta.
Kjo kishë Katedrale në mënyra të ndryshme
përfaqëson historinë e vërtetë, të gjatë dhe të pasur, nganjëherë të
turbullt, të bashkësisë Maronite të Qipros. Maronitët arritën në këto
brigje në periudha të ndryshme gjatë shekujve dhe shpesh u sprovuan së
tepërmi për t’i mbetur besnikë trashëgimisë së tyre specifike të
krishterë. Megjithatë, edhe pse feja e tyre u shqyrtua si ari në zjarr
(krh. 1 Pjt 1,7), mbetën të qëndrueshëm në fenë e etërve të tyre, një fe
që tani ju ka kaluar ju, Maronitë të sotëm të Qipros. Ju nxis ta çmoni
këtë trashëgimi të madhe, këtë dhuratë të çmueshme.
Kjo ndërtesë Katedrale na kujton edhe një
të vërtetë të rëndësishme shpirtërore. Shën Pjetri na thotë se ne të
krishterët jemi si gurët e gjallë “të ndërtuar Shtëpi shpirtërore, për
të qenë meshtari e shenjtë, për të kushtuar fli shpirtërore, që i
pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin” (1 Pjt 2,5). Së bashku me të
krishterët e shpërndarë nëpër botë, jemi pjesë e këtij tempulli të madh
që është Trupi Mistik i Krishtit. Kulti ynë shpirtëror, i kushtuar në
shumë gjuhë, në shumë vende dhe në një larmi të bukur liturgjish, është
një shprehje e zërit të vetëm të Popullit të Hyjit, të bashkuar në lutje
e në falënderim ndaj atij në një bashkim të përhershëm me njëri-tjetrin.
Ky bashkim, që e kemi kaq shumë përzemër, na nxit t’ia çojmë Lajmin e
Mirë të jetës së re në Krishtin gjithë njerëzimit.
Iδου η πρόκλησις που σας αφήνω σήμερα:
εγώ προσεύχομαι ώστε η εκκλησία σας, με ενότητα μαζύ με τους ποιημένες
σας και με τον Επίσκοπον Ρώμης, να αυξάνεται εις την αγιοσύνη, εις την
πίστην του Ευαγγελίου και εις την αγάπη γιά του Κύριον και για του
πλησίον. [Ky është angazhimi që bashkëndaj me ju sot: lutem që Kisha
juaj në bashkim me të gjithë barinjtë tuaj dhe me Ipeshkvin e Romës, të
mund të rritet në shenjtëri, në besnikëri ndaj Ungjillit dhe në dashuri
për Zotin e për njëri-tjetrin.]
Duke ju porositur ju dhe familjet tuaja,
sidomos fëmijët tuaj të dashur, ndërmjetësimit të Shën Maronit, me
gjithë zemër ju jap të gjithëve ju Bekimin tim Apostolik.
titujt kryesorë
|
|