|
|
Rabat, e shtunë, 17 prill
2010
I dashur Arqipeshkëv Imzot
Cremona,
Të dashur vëllezër e
motra,
shtegtimi im në Maltë ka
filluar me një moment lutjeje të heshtur në shpellën e Shën Palit, që i
pari solli fenë në këta ishuj. Kam ecur në gjurmët e atyre shtegtarëve
të panumërt, që në këtë vend të shenjtë, përgjatë shekujve, janë lutur,
duke ia besuar vetveten, familjet e tyre dhe begatinë e këtij Kombi
ndërmjetësimit të Apostullit të Popujve. Gëzohem që më në fund jam mes
jush dhe ju përshëndes të gjithëve me dashuri të madhe në Zotin.
Anijethyerja e Palit
dhe qëndrimi i tij për tre muaj në Maltë kanë lënë një shenjë të
pashlyeshme në historinë e Vendit tuaj. Fjalët e tij drejtuar shokëve
para se të arrinin në Maltë janë paraqitur në Veprat e Apostujve dhe
kanë qenë një temë e veçantë në përgatitjen tuaj për vizitën time. Këto
fjalë – “Jeħtieg iżda li naslu fi gżira” [“Na duhet të ndeshemi patjetër
në një ujdhesë”] (Vap 27,26) – në kontekstin origjinal janë një ftesë
për guxim përballë të panjohurës dhe për besim të patundur në provaninë
e mistershme të Hyjit. Në të vërtetë, ata të cilëve iu thye anija, u
mirëpritën ngrohtësisht prej popullit të Maltës, duke ndjekur shembullin
e dhënë prej Shën Publit. Në planin e Hyjit, Shën Pali u bë, për këtë
arsye, ati juaj në fenë e krishterë. Falë pranisë së tij mes jush,
Ungjilli i Jezu Krishtit u rrënjos fort dhe solli shumë fryte në jetën e
individëve, të familjeve dhe të bashkësive, por edhe në formimin e
identitetit kombëtar të Maltës, si edhe në kulturën e saj emocionuese e
të veçantë.
Mundimet apostolike të
Palit sollën edhe të korra të mëdha në brezin e predikatarëve që ndoqën
gjurmët e tij, dhe veçanërisht në numrin e madh të meshtarëve dhe të
rregulltarëve që imituan zellin e tij misionar duke lënë Maltën për ta
çuar Ungjillin në brigje të largëta. Jam i lumtur që pata mundësinë të
takoj sot shumë prej tyre në këtë Kishë të Shën Palit, dhe t’i nxis në
thirrjen e tyre plot sfida dhe shpesh heroike. Të dashur misionarë:
falënderoj secilin prej jush, në emër të mbarë Kishës, për dëshminë tuaj
mbi Zotin e Ngjallur dhe për jetët e shpenzuara në shërbim të të
tjerëve. Prania dhe veprimtaria juaj në kaq shumë Vende të botës e
nderon Atdheun tuaj dhe dëshmon shtytjen ungjillore të shartuar në
Kishën e Maltës. Le t’i lutemi Zotit që të nxisë edhe më shumë burra e
gra, që ta vazhdojnë misionin fisnik të shpalljes së Ungjillit dhe të
veprimit për përparimin e Mbretërisë së Hyjit në çdo tokë dhe në të
gjithë popujt!
Arritja e Shën Palit në
Maltë nuk ishte e programuar. Sikurse e dimë, ishte duke shkuar në Romë
kur ia behu një stuhi e fortë dhe anija e tij u përplas në këtë ishull.
Marinarët mund të caktojnë një drejtim, por Hyji, në dijen dhe provaninë
e tij, cakton itinerarin e vet. Pali, që e kishte takuar në mënyrë
dramatike Zotin e Ngjallur në rrugën e Damaskut, e dinte këtë gjë shumë
mirë. Rrjedha e jetës së tij ndryshoi papritmas; prandaj, për të, jeta
ishte Krishti (krh. Fil 1,21); çdo veprim dhe çdo mendim i tij kishin si
qëllim shpalljen e misterit të kryqit dhe të mesazhit të tij të
dashurisë së Hyjit që pajton.
Po ajo fjalë, fjala e
Ungjillit, edhe sot ka pushtetin të hyjë në jetët tona dhe ta ndryshojë
rrjedhën e tyre. Sot, po ai Ungjill që Pali predikoi vazhdon ta nxisë
popullin e këtyre ishujve për t’u kthyer, në një jetë të re dhe në një
të ardhme plot shpresë. Ndërsa gjendem mes jush si Pasardhës i Pjetrit
apostull, ju ftoj ta dëgjoni fjalën e Zotit me shpirt të ri, sikurse
bënë paraardhësit tuaj, dhe të lejoni që ajo t’i sfidojë mënyrat tuaja
të të menduarit dhe mënyrën me të cilën e jetoni jetën.
Prej këtij vendi të
shenjtë ku predikimi apostolik u përhap fillimisht në këta ishuj, ftoj
secilin prej jush që ta bëjë të vetën sfidën ngazëllyese të
ungjillëzimit të ri. Jetojeni fenë tuaj në mënyrë edhe më të plotë së
bashku me anëtarët e familjeve tuaja, me miqtë tuaj, në lagjet tuaja, në
vendet e punës dhe në krejt rrjetin e shoqërisë malteze. Në mënyrë të
veçantë i nxis prindërit, mësuesit dhe katekistët që t’u flasin të
tjerëve për takimin tuaj me Jezusin e Ngjallur, veçanërisht të rinjve që
janë e ardhmja e Maltës. “Feja forcohet kur u ofrohet të tjerëve” (krh.
Redemptoris missio, 2). Ta dini se momentet tuaja të fesë sigurojnë një
takim me Hyjin, i cili në gjithëpushtetësinë e vet prek zemrën e
njeriut. Kështu, do t’i përfshini të rinjtë në bukurinë dhe në pasurinë
e fesë katolike, duke u dhënë atyre një katekezë të qëndrueshme dhe duke
i ftuar në një pjesëmarrje gjithnjë e më aktive në jetën sakramentale të
Kishës.
Bota ka nevojë për këtë
dëshmi! Përballë kaq shumë kërcënimesh ndaj shenjtërisë së jetës
njerëzore, ndaj dinjitetit të martesës dhe të familjes, a nuk kanë
nevojë bashkëmoshatarët tuaj që t’u flitet vazhdimisht për madhështinë e
dinjitetit tonë si bij të Hyjit dhe për thirrjen sublime që kemi marrë
në Krishtin? A nuk ka nevojë shoqëria që t’i përvetësojë përsëri dhe t’i
mbrojë ato të vërteta morale themelore që përbëjnë bazën e lirisë së
përnjëmendtë dhe të përparimit të vërtetë?
Pikërisht tani, ndërsa po
rrija përpara kësaj shpelle, po reflektoja mbi dhuratën e madhe
shpirtërore (krh. Rom 1,11) që Pali i dha Maltës, dhe u luta që ju të
mund ta mbani të paprekur trashëgiminë që Apostulli i madh ju ka
dhuruar. Zoti ju ruajtë ju dhe familjet tuaja në fenë që vepron
nëpërmjet dashurisë (krh. Gal 5,6), dhe ju bëftë dëshmitarë të hareshëm
të asaj shprese që nuk zhgënjen (krh. Rom 5,5). Krishti u ngjall! Ai
vërtet u ngjall! Aleluja!
titujt kryesorë
|
|