|
|
Aman, e
premte, 8 maj 2009
Hirësi,
Shkëlqesi,
Të dashur
Miq,
jam
shumë i lumtur që jam sot këtu me ju dhe që përshëndes secilin prej jush,
si dhe anëtarët e familjeve tuaja, kudo që ndodhen. Falënderoj Hirësinë
e Tij Patriarkun Fouad Twal për fjalët e tij përshëndetëse dhe
veçanërisht dëshiroj të vë në dukje praninë e Ipeshkvit Selim Sayegh,
projektet dhe veprat e të cilit për këtë Qendër, së bashku me ato të
Hirësisë së Tij Patriarkut Emeritus Michel Sabbah, sot janë nderuar nga
bekimi i hapësirave të reja të sapombaruara. Gjithashtu dëshiroj të
përshëndes ngrohtësisht anëtarët e Komitetit Qendror, Motrat Komboniane
dhe personelin laik të angazhuar, përfshirë edhe ata që punojnë në degët
dhe në njësitë e ndryshme të Qendrës së Komunitetit. Vlerësimi për
kompetencat tuaja të dukshme profesionale, për kujdesin e dhembshur dhe
për promovimin e gjetjes së vendit të duhur në shoqëri të të gjithë
atyre që kanë nevoja të posaçme është i njohur mirë këtu dhe në të
gjithë mbretërinë. Falënderoj të rinjtë e pranishëm për mikprijen e tyre
prekëse. Është një gëzim i madh për mua të jem këtu me ju.
Siç e dini, vizita ime
në Qendrën “Zonja Jonë e Paqes” këtu në Aman është hapi i parë i
shtegtimit tim. Ashtu si për mijëra shtegtarë të panumërt para meje,
tani është radha ime të përmbush atë dëshirë të thellë për të prekur dhe
për të gjetur ngushëllim në vendet ku Jezusi jetoi dhe që u shenjtëruan
nga prania e Tij, si edhe t’i nderoj ato. Qysh në kohën e apostujve,
Jerusalemi ishte vendi kryesor ku shtegtonin të krishterët, por edhe më
përpara, në Lindjen e Afërt, popujt Semitë ndërtuan vende të shenjta për
të përkujtuar dhe për të treguar një veprim ose praninë hyjnore. Dhe
njerëzit e thjeshtë udhëtojnë drejt këtyre qendrave duke sjellë disa nga
frytet e tyre tokësore dhe blegtorale për t’i ofruar si një akt nderimi
dhe mirënjohjeje.
Të dashur Miq, secili
prej nesh është një shtegtar. Ne jemi të gjithë të projektuar përpara,
vendosmërisht në rrugën e Zotit. Natyrisht, kemi prirjen të shikojnë
prapa – nganjëherë me keqardhje, shpesh me mirënjohje dhe vlerësim, por
shohim edhe përpara – ndonjëherë me drithërima apo ankth, gjithmonë me
pritje dhe shpresa, duke ditur se ka edhe të tjerë që na inkurajojë
përgjatë rrugës. E di se udhëtimet që kanë çuar shumë prej jush tek
Qendra “Regina Pacis” janë shënuar nga vuajtje ose sprova. Disa nga ju
janë duke luftuar me guxim kundër formave të ndryshme të invaliditetit,
të tjerët kanë duruar refuzimin, dhe disa të tjerë prej jush kanë ardhur
në këtë vend paqeje vetëm për të gjetur inkurajim dhe mbështetje. Një
rëndësi të veçantë, e di mirë, ka suksesi i madh i Qendrës në nxitjen e
vendit të duhur të individit në shoqëri dhe duke siguruar që një ushtrim
dhe një mjet i duhur jepen për të lehtësuar një integrim të tillë. Për
këtë vizion dhe vendosmëri ju të gjithë meritoni përgëzime dhe
inkurajime të mëdha!
Ndonjëherë
është e vështirë të gjesh një arsye për atë që duket vetëm si një
pengesë për t’u kapërcyer apo edhe si një provë fizike ose emocionale –
për t’u duruar. Por besimi dhe arsyeja na ndihmojnë të shohim një
horizont përtej vetes sonë për ta imagjinuar jetën ashtu siç e do Hyji.
Dashuria e pakushtëzuar e Hyjit, që i jep jetën çdo individi, synon një
kuptim dhe një qëllim për çdo qenie njerëzore. Dashuria e Tij është një
dashuri që shpëton (krh. Gjn 12,32). Ashtu siç dëshmojnë të krishterët,
Jezusi, nëpërmjet Kryqit, na fut në jetën e përjetshme dhe duke e bërë
këtë gjë na tregon rrugën për të ardhmen – rrugën e shpresës që drejton
çdo hap që ne bëjmë gjatë rrugës, që edhe ne vetë të bëhemi mbartës të
një shprese dhe të një dashurie të tillë për të tjerët.
Miq, ndryshe nga shtegtarët në të
kaluarën, unë nuk vij duke sjellë dhurata apo oferta. Unë vij thjeshtë
me një qëllim, me një shpresë: të lutem për dhuratën e çmuar të njësisë
dhe të paqes, posaçërisht për Lindjen e Mesme. Paqe për individët,
prindërit dhe fëmijët, për komunitetin, paqe për Jerusalemin, për Tokën
e Shenjtë, për rajonin, paqe për mbarë familjen njerëzore; një paqe të
qëndrueshme të krijuar nga drejtësia, integriteti dhe dhemshuria, një
paqe që lind nga përvujtëria, falja dhe dëshira e thellë për të jetuar
në harmoni si një realitet i vetëm.
Lutja është shpresë në veprim. Dhe, në
fakt, arsyeja e vërtetë ndodhet në lutje: ne hyjmë në një lidhje
dashurore me Hyjin e vetëm, me Krijuesin e gjithësisë, dhe në këtë
mënyrë kuptojmë kotësinë e ndarjeve njerëzore dhe të paragjykimeve dhe
vëmë re mundësitë e mrekullueshme që hapen para nesh kur zemrat tona i
janë kthyer të vërtetës së Hyjit, projektit të Tij për secilin prej nesh
dhe për botën tonë.
Të dashur miq të rinj, në mënyrë të
veçantë dëshiroj t’ju them se duke qëndruar në mesin tuaj unë ndiej
forcën që vjen prej Hyjit. Përvoja juaj në dhimbje, dëshmia juaj në
favor të dhemshurisë, vendosmëria juaj për t’i kapërcyer pengesat me të
cilat përballeni, më nxit të besoj se vuajtja mund të sjellë një
ndryshim për mirë. Në provat tona personale dhe duke i qëndruar afër të
tjerëve në vuajtjet e tyre kapim thelbin e njerëzimit tonë, bëhemi, le
të themi, më shumë njerëzorë. Dhe fillojmë të mësojmë se, në një nivel
tjetër, edhe zemrat e ngurtësuara nga cinizmi ose nga padrejtësia ose
nga mosdashja për të falur nuk janë kurrë përtej rrezes së veprimit të
Hyjit, mund të jenë gjithnjë të hapura ndaj një mënyre të re të të qenit,
ndaj një vizioni paqeje.
Ju kërkoj të gjithëve të luteni çdo ditë
për botën tonë. Dhe sot dua t’ju kërkoj të merrni një detyrë të veçantë:
ju përgjëroj që të luteni për mua çdo ditë të shtegtimit tim; për
ripërtërirjen time shpirtërore në Zotin dhe për kthimin e zemrave në
mënyrë që të falin dhe që të solidarizoohen që është tipike e Hyjit,
kështu që shpresa ime – shpresa jonë – për njësinë dhe paqen në botë të
sjellë fryte të bollshme.
Hyji e bekoftë secilin prej jush dhe
familjet tuaja, mësuesit, infermierët, administratorët dhe bamirësit e
kësaj Qendre. Zoja jonë, Mbretëreshë e Paqes, ju mbroftë dhe ju
udhëheqtë përgjatë shtegtimit të Birit të saj, Bariut të Mirë.
Faleminderit për vëmendjen tuaj.
titujt kryesorë |
|