ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Vizite dy Rabineve te Medhenj te Jerusalemit

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

 

 

 

Qendra Hechal Shlomo - Jerusalem

E martë, 12 maj 2009

 

 

 

Rabinë të Nderuar,

Të dashur Miq,

    ju jam mirënjohës për ftesën që më keni bërë për të vizituar Hechal Shlomo dhe të takohem me ju gjatë udhëtimit tim në Tokën e Shenjtë si Ipeshkëv i Romës. Falënderoj Rabinin Sephardi Shlomo Amar dhe Rabinin Ashknazi Yona Metzger për fjalët e tyre të ngrohta të mirëseardhjes dhe për dëshirën e shprehur nga ata për të vazhduar forcimin e lidhjeve të miqësisë që Kisha Katolike dhe Rabinati i Madh janë angazhuar me kaq zell të rrisin në dhjetëvjeçarin e fundit. Vizitat tuaja në Vatikan në vitin 2003 dhe 2005 janë një shenjë e vullnetit të mirë që karakterizon marrëdhëniet tona në rritje.

 Rabinë të nderuar, po jua kthej një qëndrim të tillë duke shprehur nga ana ime ndjenjat personale të respektit dhe të vlerësimit për ju dhe për bashkësitë tuaja. Ju siguroj për dëshirën time për të thelluar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin mes Selisë së Shenjtë, Rabinatit të Madh të Izraelit dhe popullit hebre në mbarë botën.

 Një arsye e madhe kënaqësie për mua që në fillim të papatit tim ka qenë fryti i dialogut të ndërmarrë nga Delegacioni i Komisionit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhënien Religjioze me Hebrenjtë dhe Rabinatin e Madh të Delegacionit të Izraelit për Marrëdhëniet me Kishën Katolike. Dua të falënderoj anëtarët e të dy Delegacioneve për përkushtimin e tyre dhe punën e lodhshme për ta përsosur këtë nismë, kaq të dëshiruar nga paraardhësi im i nderuar, Papa Gjon Pali II, siç donte të shprehte ai në Jubileun e Madh të vitit 2000.

 Takimi ynë i sotëm është një rast i përshtatshëm për të falënderuar të Gjithëpushtetshmin për bekimet e shumta që kanë shoqëruar dialogun e udhëhequr nga Komisioni Bilateral, dhe për të parë me shpresë seancat e tyre të ardhshme. Vullneti i mirë i delegatëve për të diskutuar hapur dhe me durim jo vetëm pikat e marrëveshjes, por edhe pikat e mosmarrëveshjes, ka hapur edhe rrugën për bashkëpunimin më efikas në jetën publike. Hebrenjtë dhe të Krishterët janë të interesuar në mënyrë të njëjtë për të siguruar respekt për shenjtërimin e jetës njerëzore, qendra e familjes, një edukim i mirë i të rinjve, lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes për një shoqëri të shëndoshë. Këto tema dialogu përfaqësojnë vetëm fazën fillestare të asaj që ne shpresojmë të jetë një rrugë solide, progresive drejtë një mirëkuptimi të përmirësuar të ndërsjellë.

 Një tregues i potencialit të kësaj serie takimesh është parë menjëherë në shqetësimin tonë të bashkëndarë përpara moralit relativist dhe ofendimeve që kjo bën kundër dinjitetit të personit njerëzor. Duke afruar çështjet më urgjente etike të ditëve tona, dy bashkësitë tona gjenden përpara një sfide për të angazhuar në nivel arsyeje personat vullnetmirë, njëkohësisht duke treguar themelet e tyre fetare që mbështesin mirë vlerat morale të përjetshme. Që dialogu që ka nisur të mund të vazhdojë të gjenerojë ide se si të Krishterët dhe Hebrenjtë të punojnë së bashku për të rritur vlerësimin e shoqërisë për kontributet karakteristike të traditave tona fetare dhe etike. Këtu në Izrael të Krishterët, në momentin që përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të krejt popullatës, vlerësojnë në mënyrë të veçantë mundësinë e dialogut me fqinjtë e tyre hebrenj.

 Besimi është një element themelor i pamohueshëm për një dialog efektiv. Sot kam mundësinë të përsëris se Kisha Katolike është e angazhuar në mënyrë të paprapësueshme drejt rrugës së vendosur të Koncilit II të Vatikanit për një pajtim autentik dhe të qëndrueshëm mes të Krishterëve dhe Hebrenjve. Ashtu si ka deklaruar Deklarata Nostra Ætate, Kisha vazhdon ta vlerësojë trashëgiminë shpirtërore të përbashkët të Krishterëve dhe Hebrenjve dhe dëshiron një mirëkuptim gjithmonë e më të thellë dhe nderon shumë nëpërmjet studimeve biblike dhe teologjike ashtu si edhe nëpërmjet dialogjeve vëllazërore. Që shtatë takimet e Komisionit Bilateral që janë mbajtur mes Selisë së Shenjtë dhe Rabinatit të Madh të mund të ndërtojnë një provë! Ju jam kaq shumë mirënjohës për sigurinë tuaj të bashkëndarë që miqësia mes Kishës Katolike dhe Rabinatit të Madh do të vazhdojë të zhvillohet në të ardhmen në respekt dhe në mirëkuptim.

 Miqtë e mi, shpreh edhe një herë vlerësimin tim të thellë për mirëseardhjen që më keni bërë sot. Besoj se miqësia jonë do të vazhdojë të merret si shembull besimi në dialogun për Hebrenjtë dhe të Krishterët në të gjithë botën. Duke parë rezultat e arritura deri tani, dhe duke marrë frymëzimin tonë nga Shkrimet e Shenjta, mund të shohim me besim një bashkëpunim gjithmonë e më të bindur mes bashkësive tona - së bashku me të gjithë personat vullnetmirë - në dënimin e urrejtjes dhe të përndjekjes në të gjithë botën. I lutem Zotit, që vëzhgon zemrat tona dhe njeh mendimet tona (Ps 139,23), që të vazhdojë të na ndriçojë me diturinë e tij, kështu që mund të ndjekim urdhërimet e tij për ta dashur me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me të gjitha forcat (krh. Dl 6,5) dhe të duam tjetrin si vetveten. Faleminderit!

  

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster