|
|
Pallati Presidencial -
Jerusalem
E hënë, 11 maj 2009
Zoti President,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,
si një veprim i sjellshëm mikpritjeje, Presidenti Peres na ka pranuar
këtu në rezidencën e tij, duke më ofruar mundësinë për t’ju përshëndetur
të gjithëve ju dhe të bashkëndaj, në të njëjtën kohë, me ju disa fjalë.
Zoti President, Ju falënderoj për mikpritjen dhe fjalët e ngrohta
përshëndetëse, që jua kthej me gjithë zemër. Falënderoj edhe këngëtarët
që na kanë argëtuar me ekzekutimin e tyre elegant.
Zoti President, në
mesazhin e urimit që ju kam dërguar me rastin e marrjes së detyrës Suaj,
ju kisha kujtuar dëshminë Tuaj të famshme në shërbimin publik të shënuar
nga një angazhim i fortë për të ndjekur drejtësinë dhe paqen. Sot dua
t’ju siguroj Ju dhe Qeverinë e re të sapoformuar, ashtu si edhe të
gjithë banorët e Shtetit të Izraelit, se shtegtimi im në Vendet e
Shenjta është një shtegtim lutjeje në favor të dhuratës së çmuar të
bashkimit dhe të paqes për Lindjen e Mesme dhe për të gjithë njerëzimin.
Në të vërtetë, çdo ditë lutem me qëllim që paqja, që lind nga drejtësia,
të kthehet në Tokën e Shenjtë dhe në krejt rajonin, duke sjellë sigurinë
dhe shpresën e përtërirë për të gjithë.
Paqja është para se të
gjithash një dhuratë hyjnore. Në fakt, paqja është premtimi i të
Gjithëpushtetshmit për krejt racën njerëzore dhe që ruan bashkimin. Në
librin e Jeremisë profet lexojmë: “sepse unë e di mirësynimin që e
kam me ju-është fjala e Zotit-synime paqeje e jo mjerimi: synoj t’ju jap
pasardhësi dhe shpresë” (Jer 29,11). Profeti na kujton
premtimin e të Gjithëpushtetshmit që “do të lihet të gjendet”, që do të
“dëgjojë”, që “do të na grumbullojë së bashku”. Por ka edhe një kusht:
duhet “ta kërkojmë”, dhe “ta kërkojmë me gjithë zemër” (krh. Po aty
12-14).
Krerëve religjiozë të
pranishëm sot këtu dua t’u them se kontributi i veçantë i besimeve në
kërkimin e paqes bazohet kryesisht në kërkimin e apasionuar dhe të
njëzëshëm të Hyjit. Detyra jonë është të thërrasim dhe të dëshmojmë që i
Gjithëpushtetshmi është i pranishëm dhe i njohur edhe kur duket i
fshehur, që Ai vepron në botën tonë për të mirën tonë dhe që fryti i
shoqërisë sonë është i shënuar nga shpresa kur është në harmoni me
urdhrin hyjnor. Është prania dinamike e Hyjit që i mbledh së bashku
zemrat dhe që siguron bashkimin. Në fakt, themeli i fundit i bashkimit
mes njerëzve qëndron në bashkimin dhe universalitetin perfekt të Hyjit,
që e ka krijuar burrin dhe gruan në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin e
Vet për të na udhëhequr drejt jetës së Vet hyjnore, kështu që të gjithë
të mund të jenë një gjë e vetme.
Prandaj, krerët
religjiozë duhet të jenë të vetëdijshëm që çdo lloj ndarjeje ose
tensioni, çdo tendencë mbylljeje në vetvete ose dyshimi mes besimtarëve
dhe mes bashkësive tona mund të çojë lehtësisht drejt një kundërshtie që
errëson njësinë e të Gjithëpushtetshmit, tradhëton njësinë tonë dhe
kundërshton të Vetmin që e shfaq veten si “i pasur me dashuri dhe
besnikëri” (Dal 34,6; Ps 138,2; Ps 85,11). Të
dashur Miq, Jerusalemi, që për një kohë të gjatë ka qenë një udhëkryq
për popuj të origjinave të ndryshme, është një qytet që u lejon
hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve të marrin përsipër detyrën, si
dhe të gëzojnë privilegjin që të japin së bashku dëshmi të bashkëjetesës
paqësore kaq gjatë të dëshiruar nga adhuruesit e një Hyji të vetëm; të
tregojnë planin e të Gjithëpushtetshmit, të shpallur nga Abrahami, për
bashkimin e familjes njerëzore; dhe të shpallë natyrën e vërtetë të
njeriut si kërkues i Hyjit. Pra, le të angazhohemi për të siguruar që,
nëpërmjet mësimit dhe udhëheqjes së bashkësive tona përkatëse, do t’i
mbështesim duke qenë besnikë ndaj asaj që me të vërtetë janë si
besimtarë, gjithmonë të vetëdijshëm për mirësinë e pafund të Hyjit, të
dinjitetit të pacenueshëm të çdo qenieje njerëzore dhe të bashkimit të
krejt familjes njerëzore.
Shkrimi i Shenjtë na
ofron edhe një kuptim të tij të sigurisë. Sipas gjuhës hebraike, siguri-
batah- vjen nga besimi dhe nuk i referohet vetëm mungesës së
kërcënimeve, por edhe ndjenjës së qetësisë dhe të besimit. Në librin e
Isaisë profet lexojmë për kohën e një bekimi hyjnor: “Derisa përsëri
mbi ne të dikohet Shpirti prej së larti. Atëherë shkretëtira në kopsht
do të shndërrohet, edhe kopshti si pyll do të vlerësohet, në shkretëtirë
do të banojë e drejta, në kopsht drejtësia do të ketë selinë. Fryt i
drejtësisë-paqja do të jetë, rrjedhojë e drejtësisë qetësia, shpresë e
sigurt për amshim” (Is 32, 15-17). Siguri, integritet,
drejtësi dhe paqe: në planin e Hyjit për botën këto janë të pandara.
Larg të qenit vetëm thjeshtë një produkt i përpjekjeve njerëzore, ato
janë vlera që dalin nga marrëdhënia themelore e Hyjit me njeriun dhe
banojnë si trashëgimi e përbashkët në zemrën e çdo individi.
Është vetëm një rrugë
për të mbrojtur dhe për të nxitur vlera të tilla: t’i ushtrojnë ato! T’i
jetojnë ato! Asnjë individ, asnjë familje, asnjë bashkësi ose komb nuk
janë të përjashtuar nga detyra e të jetuarit në drejtësi dhe e të
vepruarit për paqen. Natyrisht, pritet që krerët civilë dhe politikë të
garantojnë një siguri të drejtë dhe të përshtashme për popullin në
shërbim të të cilit janë vënë. Ky objektiv përbën një pjesë të nxitjes
së drejtë të vlerave të përbashkëta të njerëzimit dhe për këtë arsye nuk
mund t’i bien ndesh bashkimit të familjes njerëzore. Vlerat dhe qëllimet
autentike të një shoqërie, që gjithmonë mbrojnë dinjitetin njerëzor,
janë të pandashme, universale dhe të pavarura (krh. Fjalim Shteteve
të Bashkuara, 18 prill 2008). Ndërkohë nuk mund të realizohen kur
bien pre e interesave të veçanta ose e copëtimeve politike. Interesi i
vërtetë i një kombi gjithmonë shërbehet nëpërmjet ndjekjes së drejtësisë
për të gjithë.
Të dashur Zonja dhe
Zotërinj, një siguri e qëndrueshme është çështje besimi, e ushqyer me
drejtësi dhe me integritet, e përforcuar nga kthimi i zemrave që na
detyron ta shikojmë tjetrin në sy dhe ta njohim “Tjetrin” si të ngjashëm
me ne, si një vëlla, si një motër. Në këtë mënyrë, a nuk do të bëhet
vetë shoqëria një “kopsht i mbushur me fruta” (krh. Is 32,15), i
shënuar jo nga pengesa dhe mbyllje, por nga lidhja dhe harmonia? A nuk
mund të ndërtohet një shoqëri me aspirata fisnike, ku të gjithëve u
jepet e drejta për edukim, për banesë familjare, për mundësinë e
punësimit, një shoqëri që është gati të bazohet mbi themelet e
qëndrueshme të shpresës?
Për ta mbyllur,
dëshiroj t’u drejtohem familjeve të thjeshta të këtij qyteti, të kësaj
toke. Cilët prindër do të donin dhunë, pasiguri ose ndarje për djemtë
dhe vajzat e tyre? Cilit objektiv njerëzor politik mund t’i shërbehet
nëpërmjet konflikteve dhe dhunës? Dëgjoj thirrjen e atyre që jetojnë në
këtë Vend që thërrasin për drejtësi, për paqe, për respekt për
dinjitetin e tyre, për siguri të qëndrueshme, për një jetë të përditshme
të lirë nga frika e kërcënimeve të jashtme dhe nga dhuna e pakuptimtë. E
di se një numër i konsiderueshëm burrash, grash dhe të rinjsh janë duke
punuar për paqen dhe solidaritetin nëpërmjet programeve kulturore dhe
nismave të mbështetjes praktike dhe të mëshirshme; të përvuajtë aq sa
duhet për të falur, ata kanë guxim ta mbajnë të shtrënguar ëndrrën që
është e drejta e tyre.
Zoti President, Ju
falënderoj për mirësjelljen e treguar dhe Ju siguroj edhe një herë për
lutjet e mia për Qeverinë dhe për të gjithë qytetarët e këtij Shteti. Që
kthimi autentik i zemrave të të gjithëve të mund të na çojë drejt një
angazhimi gjithnjë e më të vendosur për paqen dhe sigurinë nëpërmjet
drejtësisë për secilin. Shalom!
titujt kryesorë |
|