ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Vizite ne Baziliken e vjeter te perkujtimit te Moisiut

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTIT XVI

 

 

 

 

Mali Nebo

E shtunë, 9 maj 2009

 

 

Atë Ministër i Përgjithshëm,

Atë Guardian,

Të dashur Miq,

 

 

në këtë vend të shenjtë, bekuar nga kujtimi i Moisiut, ju përshëndes të gjithëve me ngrohtësi në Zotin tonë Jezu Krishtin. Falënderoj Ministrin e Përgjithshëm të Urdhrit të Fretërve Minorë, Atin Jose Rodriguez Carballo, për fjalët e mirëseardhjes. Gjithashtu përfitoj nga rasti për të ripërtërirë shprehjen time të mirënjohjes dhe atë të mbarë Kishës, Fretërve Minorë të Ruajtjes për praninë e tyre shekullore në këto toka, për besnikërinë e tyre të gëzueshme ndaj karizmës së Shën Françeskut, si edhe për shqetësimin e tyre bujar për mirëqenien shpirtërore dhe materiale të komunitetit të krishterë lokal dhe të shtegtarëve të panumërt që çdo vit vizitojnë Tokën e Shenjtë. Këtu dëshiroj të kujtoj, me një mirënjohje të veçantë, të ndierin Atë Michele Piccirillo, që ia kushtoi jetën e vet studimit të lashtësisë së krishterë dhe që është varrosur në këtë tempull, që ai e deshi aq shumë.

 Është e drejtë që shtegtimi im të fillojë në këtë mal, ku Moisiu soditi prej së largu Tokën e Premtuar. Skena e mrekullueshme që hapet përpara sheshit të kësaj shenjtëroreje na fton të mendojmë se si ai vision profetik përqafonte në mënyrë të mistershme planin e madh të shpëtimit, që Hyji kishte përgatitur për Popullin e Vet, në Luginën e Jordanisë, në fakt, që shpaloset para nesh, në përmbushjen e kohëve Gjon Pagzuesi do të vinte të përgatiste udhën e Zotit. Në ujërat e Jordanit Jezusi, pas pagëzimit nga Gjoni, do të shfaqej si Biri i dashur i Atit dhe, pasi qe lyer me Shpirtin Shenjt, do të inauguronte shërbesën e Vet publike. Qe përsëri në Jordani që Ungjilli do të përhapej, në fillim nga predikimi dhe mrekullitë e vetë Krishtit, e pastaj, pas ngjalljes së Tij dhe zbritjes së Shpirtit Shenjt ditën e Rrëshajës, nëpërmjet veprës së apostujve deri në skajet e tokës.

 Këtu, në lartësitë e Malit Nebo, kujtimi i Moisiut na fton “t’i ngremë sytë” për të përqafuar me mirënjohje jo vetëm veprat e mrekullueshme të Hyjit në të kaluarën, por të shohim me besim dhe shpresë të ardhmen që Ai ka ruajtur për ne dhe për krejt botën. Si Moisiu, edhe ne jemi të thirrur në emër, të ftuar të ndërmarrim një dalje të përditshme nga mëkati dhe nga skllavëria drejt jetës e lirisë, dhe na bëhet një premtim i pathyeshëm për të udhëhequr rrugën tonë. Në ujërat e Pagëzimit kemi kaluar nga skllavëria e mëkatit në një jetë të re dhe në një shpresë të re. Në bashkësinë e Kishës, Trupi i Krishtit, ne parashijojmë pamjen e qytetit qiellor, Jerusalemi i ri, në të cilën Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë. Nga ky mal i shenjtë Moisiu e orientoi shikimit tonë drejt lartësisë, drejt përmbushjes së të gjitha premtimeve të Hyjit në Krishtin.

 Moisiu soditi Tokën e Premtuar nga larg, në fund të shtegtimit të tij tokësor. Shembulli i tij na kujton se edhe ne bëjmë pjesë në shtegtimin pa kohë të Popullit të Hyjit përgjatë historisë. Në gjurmët e Profetëve, të Apostujve dhe të Shenjtërve, jemi të thirrur ta çojmë përpara misionin e Zotit, ta dëshmojmë Ungjillin e dashurisë dhe të zemërdhembshurisë universale të Hyjit. Ne jemi të thirrur ta mikpresim ardhjen e Mbretërisë së Krishtit nëpërmjet dashurisë sonë, shërbimit tonë për të varfrit dhe përpjekjeve tona për të qenë nismëtar të pajtimit, të faljes dhe të paqes në botën që na rrethon. Dimë që, ashtu si Moisiu, nuk do ta shohim përmbushjen e krejt planit të Hyjit përgjatë jetës sonë. Megjithatë kemi besim që, duke bërë pjesën tonë të vogël, në besnikërinë ndaj thirrjes që secili prej nesh ka marrë, do të ndihmojmë në përgatitjen e udhës së Zotit dhe të përshëndesim agimin e Mbretërisë së Tij. Ne e dimë se Hyji, i cili ia ka zbuluar emrin e Vet Moisiut si premtim që do të rrinte gjithmonë afër nesh (krh. Dal 3,14), do të na e japë forcën për të vazhduar në shpresën e gëzueshme edhe mes vuajtjeve, sprovave dhe mundimeve.

 Që në kohë të hershme të krishterët kanë ardhur në shtegtim në vendet e lidhura me historinë e Popullit të zgjedhur, me ngjarjet e jetës së Krishtit dhe të Kishës. Kjo traditë e madhe, që shtegtimi im i sotëm kërkon ta vazhdojë dhe ta përforcojë, është e bazuar në dëshirën për t’i parë, për t’i prekur dhe për t’i shijuar në lutje dhe në soditje, vendet e bekuara nga prania fizike e Shpëtimtarit tonë, të Nënës së Tij të bekuar, të Apostujve dhe të nxënësve të parë që e panë të ngjallur nga vdekja. Këtu, në gjurmët e shtegtarëve të panumërt që na kanë paraprirë gjatë shekujve, jemi të shtyrë, gati si në një sfidë, ta çmojmë edhe më shumë dhuratën e besimit tonë dhe të rritemi në atë bashkësi e cila i kalon të gjithë kufijtë e gjuhës, të racës dhe të kulturës.

 Tradita e lashtë e shtegtimit në vendet e shenjta na kujton gjithashtu lidhjen e pandashëm që bashkon Kishën me popullin hebre. Që në fillim, Kisha në këto toka ka përkujtuar në liturgjinë e saj figurat e mëdha të Besëlidhjes së Vjetër, si shenjë e thellë e vlerësimit të saj për njësinë e dy Besëlidhjeve. Uroj që takimi ynë i sotëm të mund të frymëzojë në ne një dashuri të ripërtërirë për kanunin e Shkrimit të Shenjtë dhe dëshirën për të kaluar çdo pengesë që del në rrugën e pajtimit mes të Krishterëve dhe Hebrenjve, në një respektim të ndërsjellë dhe në bashkëpunim për t’i shërbyer asaj paqeje në të cilën Fjala e Hyjit na thërret!

 Të dashur Miq, të bashkuar në këtë vend të shenjtë, t’i ngrejmë sytë dhe zemrat drejt Atit. Ndërsa përgatitemi të themi lutjen e mësuar nga Jezusi, ta thërrasim që ta shpejtojë ardhjen e Mretërisë së Tij, kështu që të mund ta shohim përmbushjen e planit të Tij të shpëtimit dhe ta provojmë, së bashku me shën Françeskun dhe të gjithë shtegtarët që na kanë paraprirë të shënuar me shenjën e besimit, dhuratën e paqes së papërshkrueshme - pax et bonum - [paqe dhe mirësi] që na pret në Jerusalemin qiellor.

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster