|
|
Betlehem
E mërkurë, 13 maj 2009
Të dashur miq,
ju
përshëndes ngrohtësisht në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit, “që ka
vdekur, dhe është ngjallur dhe qëndron në të djathtë të Hyjit dhe
ndërhyn për ne” (krh. Rom 8,34). Që besimi juaj në ngjalljen dhe në
premtimin e tij për një jetë të re nëpërmjet Pagëzimit të mund të mbushë
zemrat tuaja me gëzim në këtë kohë pashkore!
Ju jam mirënjohës për
mirëseardhjen e ngrohtë që më keni drejtuar në emër të Atë Michael
Scheiger, President i Shoqatës Kinderhilfe, Zotit Ernest Langensand, i
cili po përfundon mandatin e tij si Kryeadministrator i Caritas Baby
Hospital, dhe Nënë Erika Nobs, Nëna Eprore e këtij komuniteti lokal të
Motrave Elizabetine Françeskane të Padovës. Përshëndes përzemërsisht
edhe Arqipeshkvin Robert Zollisch dhe Ipeshkvin Kurt Koch, që
përfaqësojnë respektivisht Konferencat Ipeshkvnore gjermane dhe
zviceriane, që kanë bërë të eci përpara misoni i Caritas Baby Hospital
nëpërmjet ndihmës së tyre financiare.
Hyji më ka bekuar me
këtë mundësi t’i shpreh administratorëve, mjekëve, infermierëve dhe
personelit të Caritas Baby Hospital vlerësimin tim për shërbimin e
paçmuar që u kanë ofruar-dhe vazhdojnë t‘u ofrojnë-fëmijëve të rajonit
të Betlehemit dhe të mbarë Palestinës për më shumë se pesëdhjetë vjet.
Atë Ernst Schnydrig e themeloi këtë strukturë në bindjen se fëmijët e
pafajshëm meritojnë një vend të sigurt nga çdo gjë që mund t’u bëjë
atyre keq në kohë dhe në vende konfliktesh. Falë përkushtimit të
Children’s Relief Bethlehem, ky institucion ka qenë një oaz i qetë për
më të pambrojturit dhe ka ndriçuar si një fener shprese rreth mundësisë
që dashuria ka për të mbizotëruar mbi urrejtjen dhe paqja mbi dhunën.
Të rinjve të pranishëm
dhe anëtarëve të familjeve të tyre që marrin të mira nga ndihma juaj,
dua thjeshtë t’ju them: “Papa është me ju”! Sot ai është me ju
personalisht, por çdo ditë ai shoqëron shpirtërisht secilin nga ju në
mendimet dhe në lutjet e tija, duke i kërkuar të Gjithëpushtetshmit të
ruaj mbi ju me vëmendjen e tij të kujdesshme.
Atë
Schnydrig e përshkroi këtë vend si “një nga urat më të vogla të
ndërtuara për paqen”. Tani, që është rritur nga katërmbëdhjetë shtretër
portativ në tetëdhjetë shtretër, dhe duke u kujdesur për nevojat e
miliona fëmijëve çdo vit, kjo nuk është më një urë e vogël! Ajo mirëpret
së bashku persona të origjinave, gjuhëve dhe besimeve të ndryshme, në
emër të Mbretërisë së Hyjit, Mretërisë së Paqes (krh. Rom 14,17). Ju
inkurajoj nga zemra që të vazhdoni në misionin tuaj për të treguar
dashuri për të gjithë të sëmurët, të varfrit dhe të dobëtit.
Në këtë Festë të Zojës
Sonë të Fatimës, dëshiroj ta mbyll duke thirrur ndërmjetësimin e Marisë
ndërkohë që i jap Bekimin Apostolik fëmijëve dhe të gjithëve ju. Të
lutemi:
Maria, Shëndeti i të
Sëmurëve, Strehë e Mëkatarëve, Nëna e Jezu Krishtit: ne i bashkohemi
shumë brezave që të kanë thirrur të “Bekuar”. Dëgjoji bijët e tu
ndërkohë që e thërrasin emrin tënd. Ti u ke premtuar tre fëmijëve të
Fatimës: “Në fund, Zemra ime e Papërlyer do të fitojë”. Kështu ndodhtë!
Që dashuria të fitojë mbi urrejtjen, solidariteti mbi ndarjen dhe paqja
mbi çdo formë dhune! Dashuria që ke pasur për Birin tënd na mësoftë ta
duam Hyjin me gjithë zemër, me të gjitha forcat dhe me gjithë shpirt. I
Gjithëpushtetshmi na e tregoftë mëshirën e Vet, na forcoftë me fuqinë e
Vet, dhe na mbushtë me çdo të mirë (krh. Lk 1,46-56). Ne i kërkojmë
Birit tënd Jezus t‘i bekojë këto fëmijë dhe të gjithë fëmijët që vuajnë
në mbarë botën. Të mund të kenë shëndetin e trupit, forcën e mendjes dhe
paqen e shpirtit. Por mbi të gjitha, që të dinë që duhen me një dashuri
që nuk njeh kufizime dhe kufij: me dashurinë e Krishtit që kalon çdo
kuptim (krh. Ef 3,19). Amen!
titujt kryesorë |
|