|
|
Jerusalem
E premte, 15 maj 2009
Të dashur Miq në Krishtin,
himni i
lavdisë që sapo kemi kënduar na bashkon me ushtrinë engjëllore dhe me
Kishën e çdo kohe dhe vendi-”kori i gëzueshëm i Apostujve, shoqëria
fisnike e Profetëve dhe ushtria e bardhë e Martirëve”-ndërkohë që i
japim lavde Hyjit për veprën e shpërblimit tonë, e bërë në mundimet,
vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit. Përpara këtij Varri të Shenjtë,
ku Zoti “ka fituar thumbin e vdekjes dhe i ka hapur mbretërinë e qiellit
çdo besimtari”, ju përshëndes të gjithëve në gëzimin e kohës së Pashkës.
Falënderoj Patriarkun Fouad Twal dhe Guardianin, Atë Pierbattista
Pizzaballa, për fjalët e tyre të sjellshme të mirëseardhjes. Dua të
shpreh në të njëjtën mënyrë vlerësimin tim për mikpritjen e bërë nga
Hierarkikët e Kishës ortodokse greke dhe të Kishës armeno-apostolike. Me
shpirtin mirënjohës marr shkak nga prania e përfaqësuesave të bashkësive
tjera të krishtera të Tokës së Shenjtë. Përshëndes Kardinalin John
Patrick Foley, Mësues i Madh i Urdhrit Kalorësiak të Varrit të Shenjtë
të Jerusalemit. Përshëndes edhe Zotërinjtë dhe Zonjat e Urdhëit të
pranishëm këtu, me mirënjohje ndaj përkushtimit të tyre të pafund në
mbështetje të misionit të Kishës në këto toka të bëra të Shenjta nga
prania tokësore e Zotit.
Ungjilli
i Shën Gjonit na ka tejçuar një lajm sugjestiv të vizitës së Pjetrit dhe
të Apostullit të dashur në varrin bosh mëngjesin e Pashkës. Sot gati
njëzet shekuj larg, Pasardhësi i Pjetrit, Ipeshkvi i Romës, gjendet para
të njëjtit varr bosh dhe sodit misterin e ngjalljes. Mbi gjurmët e
Apostullit, dëshiroj edhe një herë të shpall, përpara burraave dhe grave
të kohës sonë, besimin e fortë të Kishës që Jezu Krishti “u kryqëzua,
vdiq dhe u varros”, dhe që “ditën e tretë u ngjall nga të vdekurit”. I
lartësuar në të djathtën e Atit, ai na ka dërguar Shpirtin e tij për
faljen e mëkateve. Jashtë Tij “s’ka asnjë përson tjetër nën këtë kupë
qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të
shëlbohemi” (Vap 4,12).
Duke
u kthyer në këtë vend të shenjtë dhe duke kujtuar këtë ngjarje të
mrekullueshme, si mund të mos e ndiejmë “të shporuar zemrën” (krh. Vap
2,37), ashtu siç ndodhi me ata që predikimin e Pjetrit ditën e
Rrëshajës? Këtu Krishti vdiq dhe u ngjall, për të mos vdekur kurrë më.
Këtu u ndryshua përfundimisht historia e njerëzimit. Vendi i banimi të
mëkatit dhe i vdekjes u shkatërrua nga fitorja e dëgjesës dhe e jetës;
druri i kryqit zbulon të vërtetën rreth të mirës dhe të keqes; gjykimi i
Hyjit u hap mbi këtë botë dhe hiri i Shpirtit Shenjt u përhap mbi mbarë
njerëzimin. Këtu Krishti, Adami i ri, na ka mësuar që e keqja nuk e ka
kurrë fjalën e fundit, që dashuria është më e fortë se vdekja, që e
ardhmja jonë dhe e njerëzimit qëndron në duart e një Hyji provanor dhe
besnik.
Varri
bosh na flet për shpresën, atë vetë që ne nuk na zhgënjen, sepse është
dhuratë e Shpirtit të jetës (krh. Rom 5,5). Ky është mesazhi që dua t’ju
lë sot, në përfundim të udhëtimit tim në Tokën e Shenjtë. Që shpresa të
mund të lartësohet përsëri, për hirin e Hyjit, në zemrat e çdo personi
që jeton në këto toka! Që të mund të ngulet në zemrat tuaja, të qëndrojë
në familjet dhe bashkësitë tuaja dhe të frymëzojë në secilin prej jush
një dëshmi gjithmonë e më besnike ndaj Princit të Paqes. Kisha në Tokën
e Shenjtë, që shumë shpesh ka provuar misterin e errët të Golgotës, nuk
duhet të ndalojë së qeni një lajmëtare e patrembur e mesazhit të
shndritshëm të shpresës që shpall ky varr bosh. Ungjilli na thotë që
Hyji mund të bëjë gjithçka të re, që historia nuk përsëritet
domosdoshmërisht, që kujtimet mund të pastrohen, që frytet e hidhura të
qarjes dhe vështirësive mund të kalohen, dhe që një e ardhme drejtësie,
paqeje, përparimi dhe bashkëpunimi mund të burojnë për çdo burrë dhe
grua, për krejt familjen njerëzore, dhe në mënyrë të veçantë për
popullin që jeton në këto toka, kaq të dashur në zemrën e Shpëtimtarit.
Kjo
kishë antike e Anastasis bën një dëshmi të sajën të heshtur si për
peshën e të kaluarës sonë, me të gjitha mangësitë e tija, keqkuptimet
dhe konfliktet, ashtu edhe për premtimin e lavdishëm që vazhdon të
ndriçojë nga varri bosh i Krishtit. Ky vend i shenjtë, ku fuqia e Hyjit
u shfaq në dobësinë , dhe vuajtjet njerëzore u shndërruan nga hiri
hyjnorë, na fton të shohim edhe një herë me sytë e fesë fytyrën e Zotit
të kryqëzuar dhe të ngjallur. Duke soditur mishin e tij të lavdërishëm,
të shndërruar krejtësisht nga Shpirti, vazhdojmë të kuptojmë më shumë që
edhe tani, nëpërmjet Pagëzimit, “gjithmonë i mbartim në trupin tonë
grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në
trupin tonë” (2 Kor 4,10-11). Edhe tani hiri i ngjalljes vepron tek ne!
Le të mund soditja e këtij misteri t‘i nxisë përpjekjet tona, si individ
ashtu edhe si anëtarë të bashkësisë kishtare, të rritemi në jetën e
Shpirtit nëpërmjet shndërrimit, pendesës dhe lutjes. Të na ndihmojë edhe
të kalojmë çdo pengesë, si brenda edhe jashtë, që na pengon dëshminë
tonë për Krishtin dhe për fuqinë e dashurisë së tij që pajton.
Me
këto fjalë inkurajimi, të dashur miq, përfundoj udhëtimin tim në vendet
e shenjta ku Jezusi ka lindur dhe ka jetuar. Lutem që Kisha në Tokën e
Shenjtë të sjellë gjithnjë e më shumë forcën e Soditjes së varrit bosh
të Shpëtimtarit. Në atë varr ajo është thirrur të varrosë të gjitha
ankthet dhe frikat, për të rilindur çdo ditë dhe për të vazhduar
udhëtimin e saj nëpër rrugët e Jerusalemit, të Galilesë dhe më tej, duke
shpallur fitoren e faljes së Krishtit dhe premtimit për një jetë të re.
Si të krishterë, dimë që paqeja për të cilën thërret kjo tokë e mbuluar
nga konfliktet ka një emër: Jezu Krishti. “Ai është paqja jonë”, që na
ka pajtuar me Hyjin në një trup të vetëm nëpërmjet Kryqit, duke i dhënë
fund armiqësive (krh. Ef 2,14). Në duart e tij, besojmë krejt shpresën
tonë për të ardhmen, ashtu si në orët e errësirës ai e besoi shpirtin e
tij në duart e Atit.
Më lejoni ta mbyll me një
fjalë inkurajimi për vëllezërit e mi Ipeshkvij dhe priftërinj, ashtu
edhe për rregulltarët dhe rregulltaret që i shërbejnë Kishës në Tokën e
Shenjtë. Këtu, para varrit bosh, në zemrën e vetë Kishës, ju ftoj të
përtërini entuziazmin e bashkimit tuaj me Krishtin dhe angazhimin tuaj
në shërbimin e dashur ndaj Trupit të tij mistik. Është i madh privilegji
juaj për të dëshmuar Krishtin në këto toka që Ai ka bekuar nëpërmjet
pranisë së tij tokësore dhe misionit të tij. Me dashuri baritore bëjini
të aftë vëllezërit dhe motrat tuaja dhe të gjithë banorët e kësaj toke
që ta perceptojnë praninë që shëron dhe dashurinë që pajton të Krishtit.
Jezusi ju kërkon të gjithëve ju të jeni dëshmitarë bashkimi dhe paqeje
për të gjithë ato që jetojnë në këtë Qytet të Paqes. Si Adam i Ri,
Krishti është burimi i bashkimit ndaj të cilit është e thirrur krejt
familja njerëzore, i njëjti bashkim për të cilin Kisha është shenjë dhe
sakrament. Si Engjëll i Hyjit, ai është burimi i pajtimit, që është në
të njëjtën kohë dhuratë e Hyjit dhe detyrë e shenjtë që na është besuar.
Si Princ i Paqes, Ai është burimi i asaj paqeje që kalon çdo keqkuptim,
paqja e Jerusalemit të ri. Le t’ju mbështesë Ai në sprovat tuaja, t’ju
ngushëllojë në hidhërimet tuaja, t’ju konfirmojë në përpjekjet tuaja për
të shpallur dhe për të përhapur Mbretërinë e tij. Për të gjithë ju dhe
atyre për të cilët ju kujdeseni i jap ngrohtësisht Bekimet e mia
Apostolike, si shenjë e gëzimit dhe e paqes së Pashkës.
titujt kryesorë |
|