|
|
Betlehem
E mërkurë, 13 maj 2009
Zoti President,
Të dashur Miq,
vizita ime në Kampin e Refugjatëve të Aidës këtë pasdite
më ofron mundësinë e mirëpritur t’u shpreh solidaritetin tim të gjithë
Palestinezëve pa shtëpi, që dëshirojnë të kthehen në vendet e lindjes,
ose të jetojnë përgjithmonë në atdheun e tyre. Faleminderit, Zoti
President, për përshëndetjen tuaj të përzemërt. Faleminderit edhe Ju,
Zonja Abu Zayd, dhe folësve të tjerë. Të gjithë zyrtarëve të United
Nations Relief and Works Agency (Agjensia për ndihmë dhe mbështetje të
Kombeve të Bashkuara), që kujdesen për refugjatët, shpreh vlerësimin e
madh që ndiejnë burra dhe gra të panumërt nga e gjithë botës për veprën
e bërë këtu dhe në kampet e tjera të rajonit.
Përshëndes në mënyrë të
veçantë fëmijët dhe mësuesit e shkollave. Nëpërmjet angazhimit tuaj në
edukim shprehni shpresë për të ardhmen. Të gjithë të rinjve këtu të
pranishëm u them: përtërini përpjekjet tuaja për t’u përgatitur për
kohën kur do të jeni përgjegjës të punëve të popullit Palestinez në
vitet në vazhdim. Prindërit kanë një rol shumë të rëndësishëm këtu. Të
gjitha familjeve të pranishme në këtë kamp u them: mos ngurroni të
mbështesni fëmijët tuaj në studimet e tyre dhe në kultivimin e dhuntive
të tyre, kështu që të mos ketë mungesë personeli të formuar mirë për të
zënë në të ardhmen pozicione përgjegjësie në komunitetin Palestinez. E
di që shumë prej familjeve tuaja janë të ndara-për shkak të burgimit të
pjesëtarëve të familjes ose të kufizimit të lirisë së lëvizjes-dhe që
shumë nga ju kanë provuar humbje gjatë rrjedhjes së vështirësive. Zemra
ime bashkohet me zemrën e atyre që, për këtë arsye, vuajnë. Të jeni të
sigurt se të gjithë refugjatët Palestinez në botë, sidomos ato që kanë
humbur shtëpitë dhe personat e dashur gjatë konfliktit të fundit të
Gazës, kujtohen në mënyrë të vazhdueshme në lutjet e mia.
Dua të njoh punën e mirë
të zhvilluar nga shumë agjensi të Kishës duke u kujdesur për refugjatët
këtu dhe në pjesët e tjera të Territorit Palestinez. Misioni Papnor për
Palestinën, i themeluar rreth gjashtëdhjetë vite më parë për të
koordinuar ndihmën humanitare katolike për refugjatët, vazhdon veprën e
tij shumë të nevojshme së bashku me organizatat e tjera të ngjashme. Në
këtë fushë prania e Motrave Françeskane të Zemrës së Papërlyer të Marisë
na kujton figurën karizmatike të Shën Franeskut, apostull i madh i paqes
dhe i pajtimit. Për këtë arsye, dua të shpreh vlerësimin tim të veçantë
për kontributin e madh dhënë nga pjesëtarë të ndryshëm të Familjes
Françeskane për njerëzit e këtyre tokave, duke e bërë veten “vegla të
paqes”, sipas shprehjes së njohur të atribuar Shenjtit të Azisit.
Vegla paqeje. Sa persona
të këtij kampi, të këtyre Territoreve dhe të gjithë rajonit thërrasin
për paqe! Në këto ditë dëshiroj të marrë një intensitet të veçantë
ndërsa kujtoni ngjarjet e majit të vitit 1948 dhe vitet e një konflikti
akoma të pazgjidhur, që ndjekën ato ngjarje. Tani ju jetoni në kushte
pasigurie dhe vështirësie. Është e kuptueshme që ndiheni shpesh të
shpërqëndruar. Aspiratat tuaja legjitime për një atdhe të qëndrueshëm,
për një Shtet të pavarur Palestinez, mbesin të papërfunduara. Dhe ju, në
të kundërt, ndiheni të zënë në kurth, si shumë në këtë rajon dhe në botë,
në një spirale dhune, sulmesh dhe kundrasulmesh, hakmarrjeje dhe
shkatërrimesh të vazhdueshme. Gjithë bota dëshiron shumë që të thyhet ky
spiral, dëshiron që paqja t’u jap fund vështirësive të sotme. E afërt
mbi ne, ndërsa jemi të mbledhur këtu këtë pasdite, është vetëdija e
fortë e pikës së vdekur ku duket se kanë arritur kontaktet mes
Izraelitëve dhe Palestinezëve-muri.
Në një botë ku kufijtë
hapen gjithnjë e më shumë-për tregti, për udhëtime, për lëvizjen e
njerëzve, për shkëmbimet kulturore-është tragjike të shikohet që akoma
ngrihen mure. Aspirojmë shumë që të shohim frytet e detyrës së vështirë
të ndërtimit të paqes! Lutemi me zjarr që të mbarojnë vështirësitë që
kanë shkaktuar ngritjen e këtij muri!
Nga të dyja anët e murit
është i nevojshëm një guxim i madh për të kaluar frikën dhe mosbesimin,
nëse duam të kalojmë nevojën për hakmarrje për humbje ose për dëmtime.
Nevojitet zemërgjerësi për të rigjetur pajtimin pas vitesh konflikti të
armatosur. Megjithatë historia na mëson se paqja vjen vetëm kur palët në
konflikt janë të gatshme të shkojnë përtej qarjeve dhe të punojnë së
bashku për qëllime të përbashkëta, duke i marrë seriozisht interesat dhe
shqetesimet e tjerëve dhe duke kërkuar vendosmërisht të ndërtojnë një
atmosferë besimi. Duhet të ketë një vendosshmëri për të ndërmarrë nisma
të forta dhe krijuese për pajtim: nëse secili këmbëngul mbi koncesione
paraprake nga ana e tjetrit, rezultati do të jetë vetëm froni i
negociatave.
Ndihma humanitare, si ajo
që ofrohet në këtë kamp, ka një rol themelor për të zhvilluar, por
zgjidhja afatgjatë e një konflikti si ky nuk mund të jetë veçse
politike. Askush nuk pret që popujt Palestinez dhe Izraelit të vijnë
vetë. Është jetësore mbështetja e komunitetit ndërkombëtar. Për këtë ua
përtërij apelin tim të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë
ndikimin e tyre në favor të një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme,
në respektim të kërkesave legjitime të gjitha palëve dhe duke njohur të
drejtën e tyre për të jetuar në paqe dhe me dinjitet, sipas të drejtës
ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, megjithatë, përpjekjet diplomatike
mund të kenë sukses vetëm nëse vetë Palestinezët dhe Izraelianët do të
jenë të gatshëm të thyejnë ciklin e agresionit. Më vijnë në mendje
fjalët e mrekullueshme që i atribohen Shën Françeskut: “ku ka urrejtje
të sjell dashuri; ku ka fyerje të sjell falje... ku ka errësirë të sjell
dritë, ku ka trishtim të sjell gëzim”.
Për secilin nga ju
përtërij ftesën për një angazhim të thellë për të kultivuar paqen dhe jo
dhunën, duke ndjekur shembullin e Shën Françeskut dhe të ndërtuesave të
tjerë të paqes. Paqja duhet të fillojë në ambjentin e tyre, në familjen
e tyre, në zemrën e tyre. Vazhdoj të lutem që të gjitha palët në
konflikt në këtë tokë të kenë guximin dhe imagjinatën ta vazhdojnë
rrugën e pajtimit të kërkuar dhe të domosdoshme. Që paqja të mund të
lulëzojë një herë në këto toka! Hyji bekoftë popullin e tij me paqe!
titujt kryesorë |
|