ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Vizite ne perkujtimoren e Yad Vashem

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

 

 

 

Jerusalem

E hënë, 11 maj 2009

 

Do t’u jap në Shtëpinë time e në muret e mia një emër... do t’u jap një emër të përhershëm që kurrë s’do të mbarojë” (Is 56, 5).

 Kjo pjesë e marrë nga Libri i Isaisë profet ofron dy fjalët e thjeshta që shprehin në mënyrë solemne kuptimin e thellë të këtij vendi të nderuar: yad - “përkujtimore”; shem – “emër”. Kam ardhur këtu të ndalem në heshtje para kësaj përkujtimoreje, të ngritur për të nderuar kujtimin e miliona hebrejve të vrarë në tragjedinë e tmerrshme të Shoah-ut. Ata humbën jetën e tyre, por nuk i humbën kurrë emrat e tyre: ata janë të gdhendur përherë në zemrat e të dashurve të tyre, të shokëve të tyre të robërisë dhe të të gjithë atyre që janë të vendosur të mos lejojnë kurrë më që një fatkeqësi e tillë të mund ta çnderojë përsëri njerëzimin. Emrat e tyre, në veçanti dhe mbi të gjitha, janë të gdhendur në mënyrë të pashlyeshme në kujtimin e Hyjit të Gjithëpushtetshëm.

 Dikush mund t’i vjedhë fqinjit të tij disa mallra, rastet e volitshme apo lirinë. Mund të ndërtohet një rrjetë e fshehtë gënjeshtrash për t’i bindur të tjerët se disa grupe nuk meritojnë të respektohen. Dhe megjithatë, për sa të mundohen, nuk mund të hiqet kurrë emri i një qenieje tjetër njerëzore.

 Shkrimi i Shenjtë na mëson rëndësinë e emrave kur i besohet dikujt një mision i vetëm ose një dhuratë e veçantë. Hyji e ka quajtur Abramin “Abraham”, sepse duhej të bëhej “ati i shumë popujve” (Zan 17,5). Jakobi u quajt “Izrael”, sepse kishte “luftuar me Hyjin dhe me njerëzit dhe kishte fituar” (krh. Zan 32,29). Emrat e ruajtur në këtë përkujtimore të nderuar do të kenë gjithmonë një vend të shenjtë mes pasardhësve të panumërt të Abrahamit. Ashtu siç ndodhi për Abrahamin, edhe besimi i tyre u vu në provë. Si për Jakobin, edhe ata u përfshinë në luftën për të shoshitur planet e të Gjithëpushtetshmit. Uroj që emrat e këtyre viktimave të mos vdesin kurrë! Vuajtjet e tyre mos u mohofshin, mos u zvogëlofshin apo mos u harrofshin kurrë! Dhe çdo person vullnetmirë qoftë syçelët për të çrrënjësuar nga zemra e njeriut çfarëdolloj gjëje që mund të çojë në tragjedi të ngjashme me këtë!

 Kisha Katolike, e lidhur me mësimet e Jezusit dhe me dëshirën për të imituar dashurinë për çdo person, provon një dhembshuri të thellë për të gjitha viktimat që përkujtohen këtu. Në të njëjtën mënyrë, ajo pozicionohet përbri të gjithë atyre njerëzve që sot përndiqen për shkak të racës, të ngjyrës, të kushteve të jetës apo të besimit - vuajtjet e tyre janë të sajat dhe e saja është shpresa për drejtësi. Si Ipeshkëv i Romës dhe Pasardhës i Apostullit Pjetër, përsëris – ashtu si paraardhësit e mi – angazhimin e Kishës për t’u lutur dhe për të vepruar pa u lodhur me qëllim që të sigurojë që urrejtja të mos mbretërojë në zemrat e njerëzve. Hyji i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit është Hyji i paqes (krh. Ps 85,9).

 Shkrimet na mësojnë se është detyra jonë t’i kujtojmë botës që ky Hyj jeton, edhe pse nganjëherë e kemi të vështirë t’i kuptojmë rrugët e Tij të mistershme dhe të panjohshme. Ai e ka zbuluar Veten e Vet dhe vazhdon të veprojë në historinë njerëzore. Vetëm Ai e drejton botën me drejtësi dhe e gjykon me drejtësi çdo popull (krh. Ps 9,9).

 Duke e ngulur shikimin mbi fytyrat e pasqyruara në pasqyrën e ujit që ndodhet në brendësi të kësaj përkujtimoreje, nuk mund të mos e kujtojmë se si secili prej tyre mbart një emër. Vetëm mund të imagjinoj pritjen e gëzueshme të prindërve të tyre, kur prisnin me ankth lindjen e fëmijëve të tyre. Çfarë emri do t’i vëmë këtij fëmije? Çfarë do të bëhet me të? Kush mund ta kishte imagjinuar se do të ishin denuar me një fat kaq të mjerueshëm!

 Ndërsa jemi këtu në heshtje, thirrja e tyre jehon akoma në zemrat tona. Është një thirrje që ngrihet kundër çdo veprimi të padrejtë dhe të dhunshëm. Është një dënim i përjetshëm kundër derdhjes së gjakut të pafajshëm. Është thirrja e Abelit që ngrihet nga toka drejt të Gjithëpushtetshmit. Për të treguar besimin tonë të palëkundur në Hyjin, t’i japim zë asaj thirrjeje me fjalët e Librit të Vajtimit, kaq kuptimplote si për hebrenjtë, ashtu edhe për të krishterët:

 «Lavdi Zotit që fara s’na u shua,

që s’munguan përdëllimet e tija!

 

Mu, çdo mëngjes Ai i përtërin!

Besa jote s’ka kufi!

 

“Pjesa ime është Zoti - më thotë shpirti -

këndej vazhdoj të kem shpresë në Të”.

 

I mirë është Zoti për ato që shpresojnë në Të,

ndaj shpirtit që e kërkon.

 

Është mirë të pritet në heshtje

shëlbimi që vjen prej Zotit» (Vaj 3,22-26).

 Të dashur Miq, i jam mirënjohës Hyjit dhe juve për mundësinë që më është dhënë për të qëndruar këtu në heshtje: një heshtje për të kujtuar, një heshtje për t’u lutur, një heshtje për të shpresuar.

  

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster