|
Sheshi e Xhamive -
Jerusalem
E martë, 12 maj 2009
Të dashur Miq
Myslimanë,
As-salámu ‘aláikum!
Paqja me ju!
Falënderoj përzemërsisht Myftiun e Madh, Muhammad Ahmad Hussein, së
bashku me Drejtorin e Islamic Waqf të Jerusalemit, Sheikh Mohammed Azzam
al-Khatib al-Tamimi dhe Kryetarin e Awquaf Council, Sheikh Abdel Azim
Salhab, për fjalët e mirëseardhjes që ata më kanë drejtuar në emrin
tuaj. Jam thellësisht mirënjohës për ftesën për ta vizituar këtë vend të
shenjtë dhe me kënaqësi ju paraqes nderimet e mia juve dhe kryetarëve të
komunitetit Islamik në Jerusalem.
Kupola e Shkëmbit i
udhëheq zemrat dhe mendjet tona që të reflektojmë mbi misterin e
krijimit dhe mbi besimin e Abrahamit. Këtu takohen rrugët e tre
religjioneve të mëdha monoteiste, duke na kujtuar atë që ato kanë të
përbashkët. Secila beson në një Hyj të vetëm, krijues dhe rregullues të
gjithçkaje. Secili e njeh Abrahamin si të parin e tyre, një njëri
besimtar të cilit Hyji i ka dhënë një bekim të veçantë. Secila ka
mbledhur turma ndjekësish gjatë shekujve dhe ka frymëzuar një trashëgimi
të pasur shpirtërore, intelektuale dhe kulturore.
Në një botë të
copëtuar nga ndarjet, ky vend i shenjtë shërben si nxitje dhe për më
tepër është një sfidë për burrat e gratë vullnetmira që të angazhohen
për të kaluar keqkuptimet dhe konfliktet e të kaluarës dhe të vihen në
rrugën e një dialogu të sinqertë duke arritur në ndërtimin e një bote me
drejtësi dhe me paqe për brezat që do të vijnë.
Meqë mësimet e
traditave religjioze kanë të bëjnë në fund të fundit me realitetin e
Hyjit, me kuptimin e jetës dhe me fatin e përbashkët të njerëzimit –
domethënë gjithçka që për ne është e shenjtë dhe e dashur - mund të jemi
të tunduar për t’u angazhuar në një dialog të tillë me hezitim dhe me
paqartësi rreth mundësisë së tyre për sukses. Mund të fillojmë të
besojmë se Hyji i Vetëm është burimi i pafund i drejtësisë dhe i
mëshirës, sepse ato ekzistojnë në Të në një njësi të përkryer. Ata që e
shpallin emrin e Tij kanë për detyrë të angazhohen vendosshmërisht për
ndershmërinë edhe pse duke imituar mëshirën e Tij, meqë të dyja këto
qëndrime janë të drejtuara thellësisht drejt bashkëjetesës paqësore dhe
harmonike të familjes njerëzore.
Për këtë arsye, është
e ditur se ata që adhurojnë Hyjin e Vetëm tregojnë vetë se janë
themeluar dhe të drejtuar drejt bashkimit të krejt familjes së
krishterë. Me fjalë të tjera, besnikëria ndaj Hyjit të Vetëm, Krijuesit,
të Tejetlartit, na udhëheq që të njohim se qeniet njerëzore janë
thellësisht të lidhur me njëra-tjetrën, sepse të gjithë e kanë
ekzistencën e vet nga i njëjti burim dhe janë të adresuar drejt një
qëllimi të përbashkët. Të shënuar nga imazhi i pashlyeshëm i hyjnores,
ata janë të thirrur të luajnë një rol aktiv për të hequr ndarjet dhe për
të nxitur solidaritetin njerëzor.
Kjo na ngarkon me një
përgjegjësi të madhe. Ata që nderojnë Hyjin e Vetëm besojnë se Ai do t’i
mbajë qeniet njerëzore përgjegjës të veprimeve të tyre. Të krishterët
theksojnë se dhuratat hyjnore të arsyes dhe të lirisë qëndrojnë në bazë
të kësaj përgjegjësie. Arsyeja e hap mendjen për të kuptuar natyrën e
bashkëndarë dhe fatin e përbashkët të familjes njerëzore, ndërkohë që
liria e shtyn zemrën që ta pranojë tjetrin dhe t’i shërbejë në dashuri.
Dashuria e pandarë për Hyjin e Vetëm dhe dashuria për tjetrin bëhen
kështu boshti rreth të cilit sillet gjithçka tjetër. Kjo është arsyeja
për të cilën veprojmë në mënyrë të palodhshme për t’i ruajtur zemrat
njerëzore nga urrejtja, zemërimi apo hakmarrja.
Të
dashur Miq, kam ardhur në Jerusalem në një udhëtim besimi. Falënderoj
Hyjin për këtë mundësi që më është dhënë që të takohem me ju si Ipeshkëv
i Romës dhe si Pasardhës i Apostullit Pjetër, por edhe si bir i
Abrahamit, në të cilin “do të bekohen të gjitha fiset e tokës” (Zan
12,3; krh. Rom 4,16-17). Ju siguroj se është dëshirë e zjarrtë e Kishës
të bashkëpunojë për mirëqenien e familjes njerëzore. Ajo beson se
premtimi i bërë Abrahamit ka një rëndësi universale, që përqafon të
gjithë burrat dhe gratë pavarësisht nga prejardhja ose nga statusi
social i tyre. Ndërkohë që myslimanët dhe të krishterët vazhdojnë
dialogun e tyre të respektueshëm që sapo kanë filluar, lutem me qëllim
që ata të mund të zbulojnë se si Hyji i Vetëm është i lidhur në mënyrë
të pazgjidhshme me bashkimin e familjes njerëzore. Duke iu nënshtruar
planit të Tij të dashur të krijimit, duke studiuar ligjet e gdhendura në
gjithësi dhe të futura në zemrën e njeriut, duke reflektuar mbi dhuratën
e mistershme të vetëzbulimit të Hyjit, që të gjithë ata që ju bashkohen
të mund të vazhdojnë ta mbajnë shikimin e ngulur mbi të mirën absolute,
duke mos humbur kurrë nga sytë se si ajo pasqyrohet mbi fytyrat e të
tjerëve.
Me këto mendime, i
kërkoj përultësisht të Gjithëpushtetshmit t’ju dhurojë paqe dhe të
bekojë mbarë popullin e dashur të këtij rajoni. Le të angazhohemi për të
jetuar në shpirtin e harmonisë dhe të bashkëpunimit, duke dëshmuar Hyjin
e Vetëm nëpërmjet shërbimit që i bëjmë bujarisht njëri-tjetrit.
Faleminderit!
titujt kryesorë |