|
|
Enciklica ‘Caritas in Veritate’
(Dashuria në të vërtetën) e Papa Benediktit XVI lidhet
drejtpërsëdrejti me Enciklikën ‘Populorum Progressio’ (Zhvillimi
i popujve) të Papa Palit VI, shkruar në vitin 1967, që e
vinte theksin tamam në zhvillimin e popujve. Megjithatë ‘Caritas
in Veritate’ është në vazhdimësi edhe me të gjitha enciklikat e
fundit shoqërore të papëve dhe ka parasysh ndryshimet që kanë
ndodhur në botë këta 40 vitet e fundit. Duke u nisur nga kjo,
thekson nevojën që veprimi shoqëror, ekonomik, politik dhe
kulturor t’i drejtohet një zhvillimi të përnjëmendtë të popujve,
në kontekstin e ri që nga ana historike është përcaktuar prej
globalizimit, për aspektin ekonomik të të cilit ka folur shumë
mirë në këtë sallë Prof. Emiljan Karma në konferencën e
mëparshme, të enjten e kaluar. Gjithashtu, enciklika thekson me
forcë edhe një herë se koncepti i zhvillimit është i lidhur me
njeriun dhe me një konceptim të saktë të njeriut. Jo çdo
zhvillim është pozitiv në vetvete. Mund të zhvillohen edhe gjëra
negative. Pra, cili zhvillim i popujve është pozitiv? Zhvillimi
që ka si qëllim realizimin e plotë të krejt njeriut dhe të të
gjithë njerëzve. Pra, nuk është pozitiv ai ndryshim që
privilegjon vetëm një aspekt të njeriut (në botën e sotme, p.sh.,
vetëm ai teknologjik, praktiko-operativ, duke harruar përmasën
shpirtërore dhe etike të njeriut), ashtu siç nuk është i
përnjëmendtë ai zhvillim që mundëson kushte jetese më të mira,
dhe jo vetëm nga këndvështrimi material (e ashtuquajtura
mirëqenie), por vetëm për një pjesë të njerëzimit, duke lënë
pjesën më të madhe të njerëzimit në kushte tejet të mjeruara. Në
shumë raste, të ashtuquajturit ‘popuj të varfër’ janë në
realtitet ‘shumë të pasur’ me burime (njerëzore, dhe natyrore),
por nuk arrijnë t’i mbarështojnë burimet që ata vetë kanë, sepse
këta burime shfrytëzohen (dhe shpesh duke i përdorur keq apo
madje duke i shpërdorur) nga një pakicë e vogël e njerëzimit.
Çdo njeri ka të drejtë ta jetojë plotësisht të qenit e tij njeri.
Të gjithë popujt kanë të drejtë t’i zhvillojnë burimet e veta –
njerëzore, natyrore, ekonomike, shoqërore, shpirtërore, morale –
për të arritur ato kushte jetese, që cilësojnë pozitivisht jetën
njerëzore. Zhvillimi i një populli, në njëfarë mase, përkon me
respektimin efektiv të të drejtave themelore të njeriut nga ana
e atij populli dhe nga ana e atij Shteti të cilit ky popull i
përket.
Të flasësh për zhvillim të popujve
do të thotë në të njëjtën kohë, pra, të flasësh për të drejta të
njeriut, domethënë të flasësh për tërësinë e kushteve themelore,
që i mundëson çdo njeriu të bëjë një jetë të denjë për njeriun.
Këto të drejta janë universale, domethënë të vlefshme gjithkund,
dhe i përkasin secilit njeri si njeri që është. Neni 1 i
Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948 –
dokumenti i parë dhe themelor që flet për të drejtat e njeriut,
por jo i vetmi, më pas janë miratuar shumë të tjerë - thotë:
“Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet
dhe të drejta. Janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet
të veprojnë ndaj njëri-tjetrit me një shpirt vëllazëror”. Po
e përsëris: të drejtat e njeriut i përkasin njeriut si njeri dhe
jo sepse është qytetar i një Shteti. Shtetet, madje, u
nënshtrohen të drejtave të njeriut, në kuptimin që janë të
detyruar të krijojnë kushtet ku të drejtat e njeriut mund të
jenë realisht të ushtruara dhe të jetuara nga qytetarët e tyre.
Ato bazohen te vetë njeriu, në vlerën dhe në dinjitetin që çdo
njeri ka në vetvete; i paraprijnë, pra, çdo njohjeje juridike
dhe nuk varen nga njohja juridike. Gëzoj të drejtën për jetë apo
për liri jo sepse një ligj ma jep, por sepse unë linda me këtë
të drejtë. Pa u zgjeruar shumë në këtë pikë (që është objekt
debati), të drejtat e njeriut pra, nuk bazohen mbi një
marrëveshje mes njerëzve, por mbi vetën natyrën njerëzore. Ato –
si në formulimin e tyre, ashtu edhe në njohjen e tyre juridike –
kanë si qëllim të mbrojnë dhe të nxisin respektimin e dinjitetit
të personit njerëzor.
Në shoqërinë e sotme, shoqëri e
globalizimit, ku duket se bëjmë pjesë të gjithë në një qytet të
vetëm dhe të madh, me të njëjtat të drejta dhe me të njëjtat
mundësi (duket, por nuk është kështu), nga njëra anë numri dhe
tipi i të drejtave që kërkohen rritet gjithnjë e më shumë (sidomos
në shoqëritë perëndimore apo të ashtuquajturat shoqëri të
zhvilluara), nga ana tjetër në shumë pjesë të botës nuk
respektohen dhe nuk garantohen as të drejtat themelore minimale,
shpesh as e drejta më e vogël, që është ajo e mbijetesës (në
kohën që ne jemi këtu në këtë konferencë llogaritet që në botë
vdesin më shumë se 1.000 persona për shkak të urisë apo të
mungesës së ilaçeve për t’u mjekuar). Gjithashtu, vitet e fundit
disa luftra (apo ndërhyrje humanitare, siç janë quajtur për të
mbuluar paligjshmërinë e këtyre veprimeve) janë justifikuar (ose
‘përligjur’) pikërisht në emër të të drejtave të njeriut.
Arsyetimi ishte ky: meqë në një vend të caktuar dhunohen të
drejtat njerëzore, është e drejtë të ndërhyhet për t’i
rivendosur këto të drejta. Po kush e caktonte se cilat vende i
dhunonin me të vërtetë të drejtat e njeriut? Dhe pse pikërisht
ato dhe jo vende të tjera, ku ndoshta dhunimi ishte edhe më i
madh? Gjithashtu, për të rivendosur të drejtat njerëzore, shpesh
janë bërë veprime që dhunonin vetë të drejtat njerëzore (mjafton
të kujtojmë atë që ka ndodhur në burgun e Guantanamos apo në Abu
Graib, që janë vetëm raste të njohura mes shumë situatave të
tjera të ngjashme apo ndoshta edhe më të këqija). Në emër të
mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë bërë dhunime të dukshme
të të drejtave të njeriut. E gjitha kjo ka ndikuar pa dyshim në
dobësimin e kuptimit dhe të vlerës së të drejtave të njeriut, që
shpesh janë bërë thjeshtë një armë në duart e më të fortit
ushtarakisht dhe ekonomikisht. Sot, gjendemi përballë një
fenomeni interesant dhe kontradiktor: nga pikëpamja e njohjes së
të drejtave të njeriut pak a shumë është arritur në një
marrëveshje, në shumë raste edhe në kundvështrimin juridik,
ndërsa nga pikëpamja praktike, e realitetit të përditshëm, e
jetës konkrete nuk mund të themi se të drejtat e njeriut i
frymëzojnë dhe i ndikojnë me të vërtetë veprimet e individëve,
të popujve, të vetë organizmave që do të duhej t’i garantonin
nëpërmjet qeverisjes së tyre. Çdo ditë, madje çdo minutë, në
botë ndodhin diskriminime, masakra, konflikte të armatosura në
të cilat dallimi mes civilëve dhe ushtarakëve nuk respektohet,
njerëzit torturohen, personat burgosen vetëm sepse shprehin
lirisht mendimet e tyre, fëmijët shiten apo janë të detyruar të
punojnë që në moshë të njomë, gratë përdhunohen, të moshuarit
braktisen, të sëmurët nuk mjekohen edhe kur është e mundur,
vetëm për t’ua dhënë mundësinë industrive farmaceutike të
pasurohen edhe më shumë mbi shpatullat e njerëzve të varfër. Si
është e mundur e gjitha kjo? Pse të drejtat e njeriut nuk
respektohen? Pse këto parime, që me fjalë pranohen dhe njihen
nga të gjitha Shtetet dhe që do të duhej të rregullonin
marrëdhëniet mes njerëzve, gati të gjitha nuk janë realizuar në
shumë zona gjeografike dhe, përveç kësaj, edhe atje ku kanë
lindur – në kulturën perëndimore – shpesh realizohen vetëm
pjesërisht? Nëse ato janë ‘pasuria’ e çdo personi, pse në disa
vende të botës ato respektohen relativisht me lehtësi, ndërsa në
disa vende të tjera pjesa më e madhe e njerëzve nuk e di as se i
ka këto të drejta? Pse në disa raste, në vend që të jenë një
burim më i madh frymëzues drejtësie janë shndërruar në shkakun
kryesor të padrejtësive të mëdha, të pabarazive të thella dhe të
vuajtjeve të pabesueshme?
Më duket se në vende të ndryshme
të Enciklikës ‘Caritas in Veritate’, Benedikti XVI, edhe pse
shpesh në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, u jep përgjigje pyetjeve
që bëra më sipër. Do të përpiqem të vë në dukje vetëm disa pika
– ndoshta një – që më duket më e rëndësishme dhe të arsyetoj mbi
atë që Papa thotë, në mënyrë që të kuptojmë thellësinë e
mendimit të tij dhe të gjejmë ato elemente që na mundësojnë të
vëmë në dukje disa mekanizma të shoqërisë së sotme dhe të
kuptojmë pse ‘presim paqen dhe na shfaqet lufta; presim
drejtësinë dhe ja ku vjen një padrejtësi edhe më e madhe’.
Më duket se gjëja më e
rëndësishme është të mbahet parasysh horizonti që i jep kuptim
nga njëra anë të drejtave të çdo personi, nga ana tjetër
veprimeve që duhen të ndërmerren me qëllim që, duke nxitur një
zhvillim të përnjëmendtë, këto të drejta të gjejnë vendin e tyre
të saktë në botën e njerëzve. Një fjali shumë e shkurtër dhe
shumë e thjeshtë e Enciklikës na e jep këtë horizont. Është në
numrin 47: “Në ndërhyrjet për zhvillim duhet të
ruhet parimi i qendërsisë së personit njerëzor, i cili
është subjekti që duhet të marrë përsipër në mënyrë parësore
detyrën e zhvillimit”. Para se gjithash, Papa thekson qendërsinë
e njeriut. Njeriu është faktori kryesor për zhvillim. Nuk do të
jenë as projektet e përgatitura në zyrat e organizatave
ndërkombëtare, as fondet gjithnjë e më të mëdha, që mund të
garantojnë zhvillimin. Do të jetë personi njerëzor, që e jeton
dinjitetin e vet dhe angazhohet me qëllim që të gjithë njerëzit
që takon ta jetojnë atë. Protagonist i zhvillimit duhet të jetë
njeriu dhe asgjë tjetër. Me qëllim që kjo të ndodhë, Papa pohon
se zhvillimi nuk është vetëm një e drejtë, por është edhe një
detyrë. Pse është një detyrë? Në ç’kuptim është një detyrë?
Gjithmonë kam menduar se popujt dhe personat kanë të drejtë të
zhvillohen, domethënë ‘të jetojnë më mirë’. Këtu papa më thotë
se zhvillimi është një detyrë. Ka diçka që nuk shkon… A nuk
është në kundërshtim detyra me të drejtën? Si mund të qëndrojnë
bashkë e drejta dhe detyra? Ne kemi idenë se detyra është diçka
që na peshon, që na rëndon, diçka që nuk e kam zgjedhur, diçka
që kërcënon lirinë time, sepse është një diktim ndaj të cilit
duhet të nënshtrohem, edhe kur nuk jam dakort dhe do të doja të
bëja të kundërtën. Në realitet nuk është kështu. Ose, të paktën,
nuk është gjithmonë kështu. Duhet të ndalemi për të kuptuar më
mirë domethënien e ‘detyrës’, me qëllim që të mund të kuptojmë
pse ekziston një ‘detyrë për zhvillim’ dhe për të kuptuar se si
‘e drejta’ dhe ‘detyra’ janë në një lidhje të ngushtë, janë dy
anët e një monedhe, që nuk mund të qëndrojnë pa njëra-tjetrën,
përndryshe nuk do të kemi një monedhë, apo – për ta shtjelluar
më mirë imazhin – nuk do të ketë njeri, që është mbartës të
drejtash dhe detyrash. Le të reflektojmë pak së bashku mbi ‘detyrën’.
Kur flasim për ‘detyrë’ jemi duke folur për një forcë që na
shtyn të veprojmë dhe na detyron të bëjmë një sjellje të caktuar:
nëse shkoj në shkollë, e kam “për detyrë të mësoj” (duhet të
mësoj); “e kam për detyrë të punoj” (duhet të punoj), “duhet të
paguaj taksat”, “nuk duhet të kërcënoj askënd me vdekje”. Por
kjo forcë mund të lindë nga një burim i dyfishtë dhe nga një
motivim i dyfishtë dhe mund të ketë një pasojë të dyfishtë. Në
rastin e parë, forca që më dikton sjelljen që duhet të bëj vjen
nga jashtë: mund të jetë një person që ka autoritet mbi mua (p.sh.,
prindërit ndaj fëmijëve, mësuesi ndaj nxënësve) ose, në pjesën
më të madhe të rasteve, është një ligj që më detyron të bëj një
sjellje të caktuar. Këtu jemi përpara një detyre ligjore. Ligjet
e Shtetit diktojnë disa lloje sjelljesh, sepse kanë si qëllim
arritjen e të mirës së përbashkët. Motivimi që është në bazë të
detyrës ligjore është rregullimi i bashkëjetesës në mes njerëzve.
Moszbatimi i sjelljes së kërkuar nga ligji sjell, si rrjedhojë,
një ndëshkim apo një dënim, apo humbjen e një të mire (prindërit
nuk më japin leje të dal të shtunën; Shteti më detyron të paguaj
një gjobë). Atëherë veproj sipas asaj që kërkohet nga ligji për
të shmangur dënimin apo ndëshkimin, domethënë për të shmangur
humbjen e asaj të mire të parashikuar, domethënë për të shmangur
një të keqe tokësore. Kur nuk e kuptoj dhe nuk e pranoj vlerën e
ligjit, përgjithësisht ndodh që, nëse arrij të bëj atë që dua
duke shmangur ndëshkimin, e bëj. Por ka edhe një mënyrë tjetër
për ta kuptuar ‘detyrën’, thellësisht të ndryshme prej detyrës ‘ligjore’.
Forca që më dikton sjelljen e duhur lind prej brendësisë sime,
prej brendësisë së personit tim. Lind në ndërgjegjen time dhe
nga ndërgjegjja ime (dhe ndërgjegjja është quajtuar nga Koncili
II i Vatikanit ‘zëri i Hyjit në njeriun’). Ndihem i detyruar ta
bëj atë veprim, sepse është një e mirë dhe nëse nuk e bëj të
mirën nuk e realizoj me të vërtetë veten time si person. Vendos
të veproj në një mënyrë të caktuar (‘duhet ta ndaj bukën time me
atë që ka uri’), jo sepse duhet të respektoj një ligj, por sepse
me këtë sjellje unë realizoj të vërtetën e qenies sime si njeri
(në këtë rast, e vërteta ime si qenie njerëzore është të jem
motër ose vëlla i të gjithëve, sidomos i atyre që kanë më nevojë).
Ajo që e motivon zbatimin e detyrës është kërkimi i të mirës,
është angazhimi për të realizuar të mirën, sepse vetëm nëse
realizon të mirën dhe shmang të keqen, njeriu e realizon me të
vërtetë veten e vet. Dhe e mira që realizohet me veprimet tona
është e mira e vërtetë e tjetrit. Mosrespektimi i detyrës, që
vjen prej ndërgjegjes, do të thotë të rrezikosh që të mos
realizoj vetveten si person, domethënë të humb veten time, jetën
time të vërtetë; me fjalë të tjera, të shkoj në ferr. Ju e
kuptoni se këtu gjendemi përpara kuptimit të jetës sonë. Nëse e
kuptojmë këtë gjë, atëhetë e kuptojmë pse ekziston detyra e
zhvillimit. Nëse duam të jemi me të vërtetë persona, duhet të
angazhohemi me qëllim që krejt njeriu dhe të gjithë njerëzit të
ndihmohen për të jetuar dinjitetin e tyre. Dhe kemi për detyrë
t’i zhvillojmë edhe të gjitha aftësitë pozitive, që janë brenda
nesh për t’i ndihmuar të tjerët që të arrijnë t’i zhvillojnë
aftësitë e tyre pozitive. Në fakt, Papa vazhdon duke thënë që
“interesi kryesor është përmirësimi i situatave të jetës së
personave konkretë të një zone të caktuar, me qëllim që të mund
të kryejnë ato detyra që aktualisht varfëria nuk u mundëson
atyre t’i bëjnë”. (Thotë: “që të mund të kryejnë ato
detyra që aktualisht varfëria nuk u mundëson atyre t’i bëjnë”
dhe jo, ashtu si ndoshta ne mund të presim që të thotë, “që
të mund të gëzojnë ato të drejta që u përkasin”).
Në këtë perspektivë kuptojmë edhe
se si çdo e drejtë mbart në vetvete në të njëjtën kohë një
detyrë. Le të marrim një shembull nga legjislacioni shqiptar dhe
saktësisht nga ligji mbi ndërprerjen e shtatzënisë, miratuar nga
Parlamenti më 07.12.1995. Ky ligj lejon ndërprerjen e
shtatzënisë në disa raste, që përcaktohen nga vetë ligji. Për
bisedën që po bëjmë, nuk kam për qëllim të analizoj krejt ligjin,
por po e përqendroj vëmendjen tuaj vetëm në një nen, sepse
lidhet me bisedën mbi të drejtat dhe detyrat që jemi duke bërë.
Neni 16 thotë: “asnjë mjek nuk mund të detyrohet të kryejë
ndërprerje të shtatzënisë kundër vullnetit të vet”. Gjë që
do të thotë se, nëse një mjek gjykon se ndërprerja e shtatzënisë
është një e keqe, ligji i njeh të drejtën e moszbatimit/kundërshtimit
për arsye të ndërgjegjes. Domethënë, ka të drejtën për të mos
kryer ndërprerjen e shtatzënisë. Por a ju duket se fakti që
mjeku nuk kryen ndërprerjen e shtatzënisë është thjeshtë një e
drejtë? A nuk ju duket se para së gjithash është një detyrë? Pse
mjeku ka të drejtë të thotë ‘jo’? Sepse gjykon se ai veprim
është një e keqe. Por përpara të keqes, unë nuk e kam thjeshtë
të drejtën për të thënë ‘jo’. E kam për detyrë ‘të them
jo’, sepse gjithmonë duhet “të bëj të mirën dhe të shmang të
keqen”. Për këtë arsye, edhe po të mos ekzistonte e drejta e
moszbatimit/kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, gjithësesi
do të duhej të thoja ‘jo’. Kështu, të mirën duhet ta bëj edhe
nëse, si edhe kur, nuk më urdhërohet me ligj. Dhe të keqen duhet
ta shmang, domethënë të mos e bëj, edhe pse, si edhe kur,
ekziston një ligj që ma urdhëron. Detyra ‘të bëj të mirën dhe të
shmang të keqen’ vjen e para dhe është në themel të çdo të
drejte. Atëherë e kuptojmë se çdo e drejtë është në të njëjtën
kohë edhe një detyrë. Oriana Fallaci thotë se nuk ekziston e
drejta e lirisë. Ekziston detyra për të qenë i lirë, sepse liria
është një gjendje thelbësore e qenies njerëzore. Por jam me të
vërtetë i lirë jo kur bëj atë që më pëlqen (në këtë rast do të
isha skllav i tekave të mia), por kur bëhem përgjegjës për të
mirën. Ekziston e drejta për t’u mjekuar, sepse e ke për detyrë
të mjekohesh. Nëse ke të drejtën për të pasur një banesë, ke
detyrën për të ndërtuar një shtëpi (dhe jo për t’i harxhuar
paratë duke luajtur në lloto sport apo kumar).
Mbi bazën e asaj që kam thënë
deri tani dhe duke pasur parasysh se çdo e drejtë që kam është
gjithmonë e lidhur me një detyrë ndaj vetvetes dhe me një detyrë
ndaj të tjerëve, mund të nxjerrim tre tregues kryesorë nga
marrëdhënia e drejtë/detyrë:
1) ekziston detyra për t’i
respektuar të drejtat, të miat dhe të të tjerëve (nëse kam të
drejtën e lirisë, çdo ditë duhet të bëhem më i lirë dhe kam
detyrën të respektoj lirinë e të tjerëve);
2) ekziston detyra për t’u
angazhuar me qëllim realizimin/nxitjen e të drejtave (nëse kam
të drejtën e lirisë, kam detyrën që të angazhohem ta mbroj kudo
ajo kërcënohet dhe për ta nxitur aty ku ajo mungon);
3) ekziston detyra për të bërë
gjithmonë të mirën, edhe kur e drejta nuk njihet me ligj apo nga
shumica. Thotë J. J. Maritain: “detyra apo detyrimi nuk është
para së gjithash detyrë ndaj atij që e gëzon këtë të drejtë, por
thjeshtë dhe vetëm e vetëm, detyrë ndaj të mirës, ndaj
asaj që është e mirë, dhe sidomos detyrë për të shmangur atë që
është e keqe”.
Shpesh njeriu ka vështirësi të
kuptojë marrëdhënien që ekziston mes të drejtës dhe detyrës,
sepse i kupton të drejtat duke u bazuar mbi një konceptim të
gabuar dhe egoistik të njeriut. Në këtë konceptim, njeriu shihet
si një qenie e mbyllur në vetvete, që drejtohet vetëm nga
kërkimi i interesit të vet personal; një qenie e izoluar nga të
tjerët (që i konsideron si kundërshtarë, gjithmonë të gatshëm
për t’ia hedhur), që ka dëshirë ta zgjerojë lirinë e tij
gjithnjë e më shumë me qëllim që të mund të shfrytëzojë çdo
situatë për interesin e vet; që nuk është përgjegjës për të
tjerët dhe për të mirën e tyre, as për veprimet e veta dhe për
pasojat e tyre. Nëse ky është konceptimi i njeriut që unë kam në
kokë, nuk i vë re të drejtat e të tjerëve. Në këtë mënyrë,
mbrojtja e të drejtave bëhet mbrojtje e të drejtave të mia/tona
(me prirjen për t’i shtuar gjithnjë e më shumë) dhe jo kërkim i
të mirës së vërtetë për të gjithë. Dhe është kjo ajo që Papa
thekson në nr. 43 të Enciklikës. Nuk po e lexojmë këtu, por po
jua lë leximin e këtij numri si detyrë shtëpie.
Atë Lello Lanzilli S.I
titujt kryesore |
|