|
|
ZHVILLIMI I
POPUJVE
(Populorum
Progressio)
26 mars 1967
Përktheu
nga italishtja
ANGJELINA GJEKA
Redaktorë
LORETA TOMAJ
ATË
RAFFAELE LANZILLI S.I.
Lektore
TEOLA
SHKODRA
Faqosja dhe grafikat
LUIGJ
MILA
©
Copyright 2007
ARQIPESHKVIA METROPOLITANE
SHKODËR - PULT
Shtypur
SHTYPSHKRONJA “VOLAJ”
Mars
2007
Çështja
shoqërore sot
është
botërore
Zhvillimi i popujve
1. Zhvillimi i popujve, në mënyrë të
veçantë i atyre që luftojnë për t’u liruar prej zgjedhës së
urisë, të mjerimit, të sëmundjeve endemike, të padijes; që
kërkojnë një pjesëmarrje më të gjerë në frytet e qytetërimit,
një vlerësim më aktiv të cilësive të tyre njerëzore; që lëvizin
me vendosmëri drejt cakut të lulëzimit të tyre të plotë, është
objekt i shqyrtimit të kujdesshëm nga ana e Kishës. Të nesërmen
e Koncilit II ekumenik të Vatikanit, një vetëdijësim i përtërirë
për kërkesat e mesazhit ungjillor i dikton të vihet në shërbim
të njerëzve, pra për t’i ndihmuar ata që t’i kuptojnë të gjitha
përmasat e këtij problemi të rëndë dhe t’i bindë për
ngutshmërinë e një veprimi solidar në këtë kthesë të historisë
së njerëzimit.
Mësimi shoqëror i papëve
2. Në enciklikat e tyre të mëdha,
Rerum novarum e Leonit XIII,2 Quadragesimo
anno e Piut XI,3 ashtu
si edhe - pa numëruar radiomesazhet drejtuar botës prej Piut XII4 -
Mater et magistra5 dhe
Pacem in terris6 e
Gjonit XIII, paraardhësit Tanë e kryen detyrën e tyre, që u
takon atyre në mënyrë specifike, për ta hedhur dritën e
ungjillit mbi çështjet shoqërore të kohës së tyre.
Fakti më i madh
3. Sot, fakti me rëndësi më të madhe,
për të cilin secili duhet të vetëdijësohet, është se çështja
shoqërore ka marrë një përmasë botërore. Gjoni XXIII e ka pohuar
qartë këtë,7 dhe
Koncili i ka bërë jehonë me Kushtetutën e vet baritore mbi
Kishën në botën bashkëkohore.8 Bëhet
fjalë për një mësim me rëndësi të madhe, që kërkon një zbatim të
ngutshëm. Sot popujt e uritur i bëjnë thirrje në mënyrë
dramatike popujve të kamur. Kisha tronditet përpara kësaj britme
plot ankth dhe thërret secilin që t’i përgjigjet me dashuri
vëllait të vet.
Udhëtimet Tona
4. Para thirrjes Sonë për
pontifikatin suprem, dy udhëtime, në Amerikën Latine (1960) dhe
në Afrikë (1962), na kishin vënë në kontakt të drejtpërdrejtë me
problemet e thekëta, që mundojnë kontinente plot jetë dhe
shpresë. Të veshur me atësinë e gjithmbarshme, gjatë udhëtimeve
të reja në Tokën e Shenjtë dhe në Indi, kemi mundur të shohim me
sytë tanë dhe pothuajse të prekim me dorë vështirësitë shumë të
mëdha, që u dalin përpara popujve me një qytetërim të lashtë, të
cilët përballen me problemin e zhvillimit. Ndërsa ende po
zhvillohej në Romë Koncili II ekumenik i Vatikanit, rrethana
provanore na bënë që t’i drejtohemi drejtpërdrejt Asamblesë së
Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Dhe para atij areopagu të
gjerë u bëmë avokati i popujve të varfër.
Drejtësi e paqe
5. Kohët e fundit, me dëshirën që
t’i përgjigjemi vendimit të Koncilit dhe ta vëmë në jetë ndihmën
e Selisë së Shenjtë ndaj kësaj çështjeje të madhe të popujve në
rrugën e zhvillimit, kemi menduar se bënte pjesë në detyrën Tonë
krijimi pranë organizmave qendrore të Kishës i një komisioni
papnor, që të kishte detyrën «të nxisë në të gjithë popullin e
Hyjit njohjen e plotë të rolit, që kohët e sotme kërkojnë me
ngulm prej tij, në mënyrë që të nxisë përparimin e popujve më të
varfër, të favorizojë drejtësinë shoqërore mes kombeve, t’u japë
atyre, që janë më pak të zhvilluar, një ndihmë të tillë që t’i
bëjë të aftë të kujdesen ata vetë dhe për veten e vet për
përparimin e tyre».9 «Drejtësi
e paqe» është emri dhe programi i tij. Ne mendojmë se me këtë
program munden dhe duhet të bashkohen, së bashku me bijtë Tanë
katolikë e vëllezërit e krishterë, edhe njerëzit vullnetmirë.
Ne, pra, të gjithëve ua drejtojmë sot këtë apel solemn për një
veprim të harmonizuar për zhvillimin e tërësishëm të njeriut dhe
zhvillimin solidar të njerëzimit.
Pjesa e parë
PËR NJË ZHVILLIM TË TËRËSISHËM
TË NJERIUT
1. Të dhënat e problemit
Aspirata të njerëzve
6. Të jenë të liruar prej mjerimit,
të garantojnë në mënyrë më të sigurt jetesën e tyre, shëndetin,
një punësim të qëndrueshëm; një pjesëmarrje më të plotë në
përgjegjësitë, jashtë çdo shtypjeje, të mbrojtur para situatave
që fyejnë dinjitetin e tyre njerëzor; të gëzojnë një arsimim më
të madh; me një fjalë, të bëjnë të njohur dhe të kenë më shumë,
për të qenë më shumë: kjo është aspirata e njerëzve të sotëm,
ndërsa një numër i madh i tyre është i dënuar të jetojë në
kushte që e bëjnë të kotë këtë dëshirë të ligjshme. Nga ana
tjetër, popujt të cilët prej pak kohësh e kanë arritur
pavarësinë kombëtare ndiejnë nevojën, që këtë liri politike ta
ndjekë një rritje autonome dhe e denjë, shoqërore po aq sa edhe
ekonomike, për t’u siguruar shtetasve të tyre zhvillimin e tyre
të plotë njerëzor, dhe për të zënë vendin që u takon në tërësinë
e kombeve.
Kolonizimi dhe kolonializmi
7. Përballë gjerësisë dhe
ngutshmërisë së veprës që duhet përmbushur, mjetet e trashëguara
prej të kaluarës, edhe pse të papërshtatshme, megjithatë nuk
kanë të meta. Sigurisht, duhet ta pranojmë se fuqitë kolonizuese
shpesh kanë synuar vetëm interesin e tyre, fuqinë e tyre,
prestigjin e tyre, dhe se tërheqja e tyre ka lënë nganjëherë një
situatë ekonomike të dobët, të lidhur për shembull me
prodhimtarinë e një bime të vetme, cikli i të cilës u
nënshtrohet ndryshimeve të papritura e të mëdha. Por, megjithëse
duhet t’i pranojmë fajet e njëfarë kolonializmi dhe pasojat e
tij negative, në të njëjtën kohë duhet t’u bëjmë nderimet tona
cilësive dhe realizimeve të kolonizatorëve që, në shumë krahina
të braktisura, kanë çuar shkencën dhe teknikën e tyre, duke lënë
dëshmi të çmueshme të pranisë së tyre. Megjithëse të paplota,
vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë disa struktura që kanë pasur
funksionin e tyre, për shembull në lëmin e luftës kundër padijes
dhe sëmundjes, në atë, jo më pak të dobishëm, të komunikimeve
apo të përmirësimit të kushteve të jetesës.
Çekuilibër në rritje
8. Pasi e pranuam këtë, mbetet
jashtëzakonisht e vërtetë se kjo pajisje është dukshëm e
pamjaftueshme për t’i bërë ballë realitetit të egër të ekonomisë
moderne. I lënë në duart e veta, mekanizmi i saj është i tillë
që e çon botën drejt një rëndimi, dhe jo drejt një zbutjeje, të
pabarazisë së niveleve të jetesës: popujt e pasur gëzojnë një
rritje të shpejtë, ndërsa ritmi i zhvillimit të popujve të
varfër është i ngadaltë. Shtohet çekuilibri: disa prodhojnë me
tepri të mira ushqimore, mungesën e të cilave disa të tjerë e
vuajnë tmerrësisht, dhe këta të fundit shohin se bëhen të
pasigurta eksportimet e tyre.
Vetëdijësim më i madh
9. Në të njëjtën kohë, konfliktet
shoqërore janë zgjeruar aq sa të arrijnë përmasat e botës.
Shqetësimi real, që i ka pushtuar klasat e varfra në vendet në
fazë industrializimi, tani po arrin ata që kanë një ekonomi gati
ekskluzivisht bujqësore: edhe fshatarët po vetëdijësohen për «mjerimin
e pamerituar»10 të
tyre. Kësaj i shtohet skandali i pabarazive të bujshme, jo vetëm
në përdorimin e të mirave, por edhe më shumë në ushtrimin e
pushtetit. Ndërsa një oligarki gëzon, në disa krahina, një
qytetërim të rafinuar, pjesa tjetër e popullsisë, e varfër dhe e
shpërndarë, është «pothuajse pa asnjë mundësi nisme vetjake dhe
përgjegjësie, dhe shpesh edhe e shtrënguar të ketë kushte jetese
e pune të padenja për personin njerëzor».11
Përplasja e qytetërimeve
10. Veç kësaj përplasja mes
qytetërimeve tradicionale dhe risive që ka sjellë qytetërimi
industrial kanë një efekt thërrmues mbi strukturat, që nuk u
përshtaten kushteve të reja. Brenda rrethit, shpesh të ngurtë,
të këtyre strukturave inkuadrohej jeta vetjake dhe familjare, që
gjente në to mbështetjen e vet të domosdoshme dhe pleqtë mbeten
të lidhur me to, ndërsa të rinjtë priren të lirohen prej tyre,
si prej një pengese të kotë, për t’u drejtuar qartë drejt
formave të reja të jetës shoqërore. Ndodh kështu që konflikti i
brezave të ngarkohet me një dilemë tragjike: njerëzit ose ruajnë
institucionet dhe besimet stërgjyshore, por heqin dorë nga
përparimi, ose u hapen teknikave dhe mënyrave të jetesës të
ardhura nga jashtë, por hedhin poshtë, së bashku me traditat e
të kaluarës, krejt pasurinë e vlerave njerëzore që ato përmbanin.
Faktikisht, tepër shpesh ndodh që mbështetjet morale,
shpirtërore e fetare të së kaluarës mungojnë, pa u siguruar ende
përfshirja në botën e re.
Përfundim
11. Në këtë gjendje pështjellimi
bëhet më i dhunshëm tundimi për ta lënë veten të tërhiqemi
rrezikshëm drejt mesianizmash plot premtime, por krijues
iluzionesh. Kush nuk i sheh rreziqet, që rrjedhin nga kjo, si:
reagime të dhunshme popullore, trazira kryengritëse dhe shkarje
drejt ideologjive totalitare? Këto janë të dhënat e problemit,
rëndësisë së të cilit nuk mund t’i shmanget askush.
2. Kisha dhe zhvillimi
Vepra
e misionarëve
12. Besnike ndaj mësimit dhe
shembullit të Themeluesit të vet hyjnor, që e caktonte «shpalljen
e Ungjillit skamnorëve» (krh. Lk 7, 22) si shenjë të misionit të
Vet, Kisha nuk e ka lënë kurrë pa nxitur ngritjen njerëzore të
popujve të cilëve u çonte fenë në Krishtin. Misionarët e saj,
bashkë me kisha, qendra shërbimi dhe spitale, kanë ndërtuar edhe
shkolla e universitete. Duke u mësuar vendasve mënyrën për të
nxjerrë një përfitim më të mirë prej burimeve të tyre natyrore,
shpesh i kanë mbrojtur prej grykësisë së të huajve. Pa dyshim
vepra e tyre, për shkak të asaj që në të është njerëzore dhe e
gabueshme, nuk qe e përsosur, dhe ndodhi që disa prej tyre të
përzienin bashkë me kumtimin e mesazhit të përnjëmendtë
ungjillor shumë mënyra të menduari dhe të jetuari të vendit të
tyre të origjinës. Por ditën edhe të zhvillonin institucionet
vendore dhe t’i nxisnin ato. Në shumë krahina, ata kanë qenë
pionierët e përparimit material, ashtu si edhe të zhvillimit
kulturor. Mjafton të kujtojmë shembullin e atë Charles de
Foucauld, që, për dashurinë e tij, u gjykua i denjë të quhej «vëllai
i gjithmbarshëm», dhe të cilit i detyrohet hartimi i një fjalori
të çmuar të gjuhës tuarege. Është detyra Jonë t’i nderojmë këta
pararendës tepër shpesh të lënë pas dore, njerëz të shtyrë prej
dashurisë së Krishtit, ashtu si edhe ndjekësit e pasardhësit e
tyre, që, edhe sot, vazhdojnë të jenë në shërbim të atyre që
ungjillëzojnë.
Kisha dhe bota
13. Por tashmë nismat vendore dhe
individuale nuk mjaftojnë më. Situata aktuale e botës kërkon një
veprim të përbashkët në bazë të një vizioni të qartë të të
gjitha aspekteve ekonomike, shoqërore, kulturore e shpirtërore.
Eksperte në njerëzi, Kisha, pa pretenduar aspak të përzihet në
politikën e shteteve, «nuk ka si synim përveçse një qëllim të
vetëm: të vazhdojë, nën shtytjen e Shpirtit ngushëllues, veprën
e Krishtit, i cili ka ardhur në botë për të dëshmuar të vërtetën
(krh. Gjn 18, 37), për të shpëtuar, jo për të dënuar, për të
shërbyer, jo për të qenë i shërbyer (krh. Gjn 3, 17; Mt 20, 28;
Mk 10, 45)».12 E
themeluar për të hedhur që këtu në tokë bazat e mbretërisë së
qiellit dhe jo për të fituar një pushtet tokësor, ajo pohon
qartësisht se dy sundimet dallojnë nga njëri-tjetri, ashtu
sikurse janë sovrane dy pushtetet, ai kishtar dhe ai civil,
secili në rendin e vet.13 Por,
meqë ekziston në histori, ajo duhet «të shqyrtojë shenjat e
kohëve dhe t’i interpretojë ato në dritën e Ungjillit».14 Në
bashkësi me aspiratat më të mira të njerëzve dhe duke vuajtur
tek i sheh ato të paplotësuara, ajo dëshiron t’i ndihmojë që të
arrijnë lulëzimin e tyre të plotë, dhe për këtë qëllim u ofron
atyre atë që zotëron vetë: një vizion global të njeriut dhe të
njerëzimit.
Vizioni i krishterë i
zhvillimit
14. Zhvillimi nuk kufizohet thjesht
vetëm me rritjen ekonomike. Për të qenë një zhvillim i
përnjëmendtë, duhet të jetë i tërësishëm, gjë që do të thotë se
duhet t’i drejtohet nxitjes së çdo njeriu dhe të krejt njeriut.
Siç është theksuar me të drejtë prej një eksperti të shquar: «ne
nuk pranojmë ta ndajmë ekonomiken nga njerëzorja, zhvillimin nga
qytetërimi ku ky i fundit realizohet. Ai që ka rëndësi për ne
është njeriu, çdo njeri, çdo grup njerëzish, deri tek përfshirja
e mbarë njerëzimit».15
Thirrja dhe rritja
15. Në planin e Hyjit, çdo njeri
është i thirrur për një zhvillim, sepse çdo jetë është thirrje.
Që prej lindjes, të gjithëve u është dhënë si farë një tërësi
prirjesh dhe cilësish, që duhet t’i frytëzojë. Zhvillimi i tyre
i plotë, njëkohësisht fryt i edukimit të marrë prej mjedisit dhe
i përpjekjes vetjake, do t’i mundësojë secilit të orientohet
drejt fatit të propozuar prej Krijuesit të vet. I pajisur me
zgjuarsi dhe liri, ai është përgjegjës për rritjen e vet, ashtu
si edhe për shpëtimin e vet. I ndihmuar, dhe nganjëherë i
penguar, nga ata që e edukojnë dhe e rrethojnë, secili mbetet,
cilatdo qofshin ndikimet që ushtrohen mbi të, autori i arritjes
apo i dështimit të vet: vetëm me përpjekjen e zgjuarsisë dhe të
vullnetit të vet, çdo njeri mund të rritet në njerëzi, të vlejë
më shumë, të jetë më shumë.
Detyrë vetjake dhe bashkësiore
16. Gjithashtu, kjo rritje e
personit nuk është fakultative. Ashtu sikurse krejt krijimi me
rend orientohet drejt Krijuesit të vet, krijesa shpirtërore
duhet ta orientojë në mënyrë të vetvetishme jetën e vet drejt
Hyjit, e vërteta e parë dhe e mira supreme. Kështu rritja
njerëzore përbën një si përmbledhje të detyrave tona. Por ka
edhe më shumë: kjo harmoni e natyrës, e pasuruar prej punës
vetjake dhe të përgjegjshme, është e thirrur për një tejkalim.
Nëpërmjet përfshirjes së vet në Krishtin jetëdhënës, njeriu hyn
në një përmasë të re, në një humanizëm transhendent, që i jep
plotësinë e tij më të madhe: ky është pikësynimi suprem i
zhvillimit vetjak.
17. Por çdo njeri është anëtar i
shoqërisë: i takon tërë njerëzimit. Jo vetëm ky apo ai njeri,
por të gjithë njerëzit janë të thirrur në këtë zhvillim të plotë.
Qytetërimet lindin, rriten dhe vdesin. Por sikurse valët e
baticës depërtojnë secila pak më thellë në ranishte, ashtu edhe
njerëzimi ecën përpara në rrugën e historisë. Trashëgimtarë të
brezave të kaluar dhe dobimarrës të punës së bashkëkohësve tanë,
ne kemi disa detyrime kundrejt të gjithëve dhe nuk mund të mos
interesohemi për ata që do të vijnë pas nesh për ta zgjeruar
rrethin e familjes njerëzore. Solidariteti i gjithmbarshëm, që
është një fakt, për ne është jo vetëm dobi, por edhe detyrë.
Shkalla e vlerave
18. Kjo rritje vetjake dhe
bashkësiore do të vihej në rrezik nëse do të dëmtohej shkalla e
vërtetë e vlerave. Dëshira për të nevojshmen është e ligjshme
dhe puna për ta arritur atë është një detyrë: «Kush nuk do të
punojë, as mos të hajë» (2 Sel 3, 10). Por fitimi i të mirave
tokësore mund të na çojë në lakmi, në dëshirën për të pasur
gjithnjë e më shumë dhe në tundimin për ta rritur fuqinë tonë.
Koprracia e njerëzve, e familjeve dhe e kombeve mund t’i
infektojë të varfrit, ashtu si edhe të pasurit dhe të nxisë në
njërën palë e në tjetrën një materializëm që ia merr frymën
shpirtit.
Rritje e dyvlershme
19. Pra, si për popujt, ashtu edhe
për personat, të kenë më shumë nuk është qëllimi i fundit. Çdo
rritje është e dyvlershme. Edhe pse është e nevojshme, meqë i
mundëson njeriut të jetë më shumë njeri, ajo e mbyll si në një
burg, kur bëhet e mira supreme, që e pengon atë të shohë më tej.
Atëherë zemrat ngurtësohen dhe shpirtrat mbyllen, njerëzit nuk
takohen më për miqësi, por të shtyrë prej interesit, i cili me
lehtësi i vë kundër njëri-tjetrit dhe i përçan ata. Kërkimi
ekskluziv i të pasurit bëhet në këtë mënyrë një pengesë për
rritjen e të qenët dhe i kundërvihet madhështisë së tij të
vërtetë: për kombet, ashtu si edhe për personat, koprracia është
forma më e dukshme e nënzhvillimit moral.
Drejt një gjendjeje më
njerëzore
20. Nëse arritja e zhvillimit kërkon
një numër gjithnjë e më të madh teknikësh, kërkon edhe më shumë
njerëz mendimtarë të aftë për një reflektim të thellë, që i
kushtohen kërkimit të një «humanizmi» të ri, që i mundëson
njeriut modern të gjejë vetveten, duke marrë përsipër vlerat më
të larta të dashurisë, të miqësisë, të lutjes e të soditjes.16 Në
këtë mënyrë mund të kryhet në plotësi zhvillimi i vërtetë, që
për secilin dhe për të gjithë, është kalimi nga një gjendje më
pak njerëzore në një gjendje më njerëzore.
Ideali që duhet ndjekur
21. Më pak njerëzore: mangësitë
materiale të atyre që janë të privuar prej minimumit jetësor,
dhe mangësitë morale të atyre që janë të sakatuar prej egoizmit.
Më pak njerëzore: strukturat shtypëse, qoftë kur burojnë prej
abuzimeve të zotërimit, qoftë prej atyre të pushtetit, qoftë
prej shfrytëzimit të punëtorëve, qoftë prej padrejtësisë së
ujdive. Më njerëzore: ngjitja prej mjerimit drejt zotërimit të
të nevojshmes, fitorja mbi fatkeqësitë shoqërore, zgjerimi i
njohurive, fitimi i kulturës. Më njerëzore, po ashtu: përfillja
e rritur e dinjitetit të të tjerëve, orientimi drejt shpirtit të
varfërisë (krh. Mt 5, 3), bashkëveprimi në të mirën e përbashkët,
vullneti për paqe. Më njerëzore, përsëri: njohja nga ana e
njeriut e vlerave shumë të larta dhe e Hyjit që është burimi dhe
caku i tyre. Më njerëzore, së fundi dhe mbi të gjitha: besimi,
dhuratë e Hyjit e pranuar prej vullnetit të mirë të njeriut dhe
njësia në dashurinë e Krishtit, që na thërret të gjithëve për të
marrë pjesë në cilësinë e bijve në jetën e Hyjit të gjallë, Atit
të të gjithë njerëzve.
3. Vepra që duhet përmbushur
Adresimi i gjithmbarshëm i të
mirave
22. «Mbusheni tokën dhe sundojeni
atë» (Zan 1, 28): Bibla, që nga faqja e parë, na mëson se mbarë
krijimi është për njeriun, të cilit i përcillet detyra të vërë
në jetë përpjekjen e vet të zgjuar duke i dhënë vlerë këtij
krijimi dhe, me punën e vet, ta çojë atë në plotësi, si të
thuash, duke e vënë në shërbim të tij. Nëse toka është bërë për
t’i dhënë secilit mjetet e jetesës së vet dhe mjetet e
përparimit të vet, çdo njeri ka të drejtën të gjejë në këtë tokë
atë që është e nevojshme për të. Koncili i fundit na ka kujtuar:
«Hyji e ka adresuar tokën dhe gjithçka ajo përmban për
përdorimin e të gjithë njerëzve dhe të të gjithë popujve, kështu
që të mirat e krijimit duhet të dikohen me drejtësi në duart e
të gjithëve, sipas rregullës së drejtësisë, që është e pandashme
nga dashuria».17 Të
gjitha të drejtat e tjera, të çfarëdo lloji, përfshirë edhe ato
të pronësisë dhe të tregtisë së lirë, i nënshtrohen asaj: pra,
nuk duhet ta pengojnë, por, përkundrazi, ta lehtësojnë
realizimin e saj dhe është një detyrë shoqërore e rëndësishme
dhe e ngutshme kthimi i tyre në pikësynimin zanafillor.
Prona
23. «Kush i ka të mirat e kësaj bote
dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet
para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të?» (1 Gjn
3, 17). Dihet se me sa vendosmëri Etërit e Kishës e kanë
saktësuar se cili duhet të jetë qëndrimi i zotëruesve në lidhje
me ata që janë nevojtarë: «Ti nuk i dhuron të varfrit, pohon
shën Ambrozi, prej pasurisë sate; ti nuk bën gjë tjetër veçse i
kthen atij atë që i përket. Pasi është dhënë për përdorimin e
përbashkët të të gjithëve ajo që ti përvetëson. Toka u është
dhënë të gjithëve, dhe jo vetëm të pasurve».18 Është
sikur të thuash se prona private nuk përbën për askënd një të
drejtë të pakushtëzuar dhe absolute. Askush nuk është i
autorizuar të vërë mënjanë për përdorimin e vet eskluziv të asaj
që tejkalon nevojën e vet, kur të tjerëve u mungon e nevojshmja.
Me një fjalë, «e drejta e pronës kurrë nuk duhet të ushtrohet në
dëm të dobishmërisë së përbashkët, sipas doktrinës tradicionale
të Etërve të Kishës dhe të teologëve të mëdhenj». Kur ndodh një
konflikt «mes të drejtave private të fituara dhe kërkesave
bashkësiore zanafillëse», u përket pushteteve publike «të
orvaten për ta zgjidhur, me pjesëmarrjen vepruese të personave
dhe të grupeve shoqërore».19
Përdorimi
i të ardhurave
24. E mira e përbashkët, pra, kërkon
nganjëherë shpronësimin nëse, për shkak të përmasave të tyre, të
shfrytëzimit të paktë apo të mosshfrytëzimit të tyre, të
mjerimit që sjell për popullsitë, të dëmit të ndjeshëm që u
shkakton interesave të vendit, disa zotërime janë pengesë për
begatinë kolektive. Duke e pohuar këtë në mënyrë të prerë,20 Koncili
ka kujtuar jo me më pak qartësi edhe se e ardhura e disponueshme
nuk u lihet tekave të njerëzve, dhe se spekullimet egoiste duhet
të zhduken. Si pasojë, nuk është e pranueshme që disa shtetas me
të ardhura të bollshme, që vijnë prej burimeve dhe prej
veprimtarisë kombëtare, ta transferojnë një pjesë të
konsiderueshme të tyre jashtë vendit, për një dobi ekskluzivisht
vetjake, duke mos marrë aspak parasysh padrejtësinë që duket
sheshit, që ata i bëjnë me këtë atdheut të tyre.21
Industrializimi
25. E nevojshme për rritjen ekonomike
dhe për përparimin njerëzor, futja e industrisë është
njëkohësisht shenjë dhe faktor zhvillimi. Nëpërmjet përdorimit
këmbëngulës të inteligjencës dhe punës së vet, njeriu ia nxjerr
pak nga pak natyrës fshehtësitë e saj, duke favorizuar një
përdorim më të mirë të pasurive të saj. Ndërsa u jep një
disiplinë zakoneve të veta, ai zhvillon po ashtu në vetvete
shijen e kërkimit dhe të shpikjes, pranimin e rrezikut të
llogaritur, guximin e të ndërmarrurit, nismën bujare, ndjenjën e
përgjegjësisë.
Kapitalizmi liberal
26. Por mbi këto kushte të reja të
shoqërisë mjerisht është vendosur një sistem, që e konsideronte
përfitimin si motorin thelbësor të përparimit ekonomik,
konkurrencën si ligjin suprem të ekonomisë, pronën private të
mjeteve të prodhimit si një të drejtë absolute, pa kufij e pa
detyrime përkatëse shoqërore. Ky «liberalizëm» pa fre çonte në
diktaturë, me të drejtë të denoncuar nga Piu XI si krijuese e «imperializmit
ndërkombëtar të parasë».22 Kurrë
nuk do të dënohen mjaftueshëm këto abuzime, duke kujtuar edhe
një herë solemnisht se ekonomia është në shërbim të njeriut.23 Por
nëse është e vërtetë se njëfarë «kapitalizmi» ka qenë burimi i
shumë vuajtjeve, i kaq shumë padrejtësive dhe i luftërave
vëllavrasëse, efektet e të cilave vazhdojnë edhe sot, do të
ishte e gabuar t’ia vishnim industrializimit ato të këqija, që
shkaktohen prej sistemit të kobshëm që e shoqëronte atë.
Përkundrazi, për hir të drejtësisë, duhet ta pranojmë ndihmesën
e pazëvendësueshme të organizimit të punës dhe të përparimit
industrial ndaj veprës së zhvillimit.
Puna
dhe dyvlershmëria e saj
27. Po ashtu, nëse është e vërtetë
se nganjëherë mund të përhapet një mistikë e tepruar e punës,
nuk është më pak e vërtetë se puna dëshirohet dhe bekohet prej
Hyjit. I krijuar në shëmbëlltyrë të Tij, «njeriu duhet të
bashkëpunojë me Krijuesin në përmbushjen e krijimit, dhe të lërë
në tokë vulën shpirtërore që i është dhënë».24 Hyji,
që e ka pajisur njeriun me zgjuarsi, me imagjinatë dhe
ndjeshmëri, i ka dhënë në këtë mënyrë mjetin për ta përmbushur
në njëfarë mënyre veprën e Vet: qoftë ai artist apo zejtar,
sipërmarrës, punëtor në fabrikë apo fshatar, çdo punëtor është
një krijues. I përkulur mbi një lëndë që i reziston, punëtori i
vë shenjën e vet, duke zhvilluar në të njëjtën kohë këmbënguljen
e vet, zgjuarsinë e vet dhe shpirtin e vet shpikës. Do të themi
edhe më shumë: kur jetohet bashkarisht, duke bashkëndarë
shpresat, vuajtjet, ambiciet dhe gëzimet, puna i lidh vullnetet,
i afron shpirtrat dhe i bashkon zemrat: duke e kryer atë,
njerëzit zbulojnë se janë vëllezër.25
28. Pa dyshim e dyvlershme, pasi
premton paratë, gëzimin dhe fuqinë, duke i ftuar disa në egoizëm
dhe të tjerët në kryengritje, puna zhvillon edhe ndërgjegjen
profesionale, ndjenjën e detyrës dhe dashurinë për të afërmin.
Kur është më shkencore dhe e organizuar më mirë, ajo rrezikon ta
çnjerëzojë zbatuesin e saj, të bërë skllav të saj, sepse puna
është njerëzore vetëm nëse mbetet inteligjente dhe e lirë. Gjoni
XXIII ka kujtuar ngutshmërinë për t’i kthyer punëtorit
dinjitetin e vet, duke e bërë të marrë pjesë realisht në veprën
e përbashkët: «Duhet të priremi të bëjmë të mundur që ndërmarrja
të bëhet një bashkësi personash, në funksionet dhe në situatën e
të gjithë përbërësve të saj».26 Pastaj,
mundi i njerëzve për të krishterin ka një domethënie shumë më të
madhe, pasi ai ka edhe misionin të bashkëpunojë për krijimin e
botës mbinatyrore,27 që
mbetet e pakryer deri sa të arrijmë të gjithë së bashku të
ndërtojmë atë Njeri të përsosur për të cilin flet Shën Pali, «që
i përket pjekurisë së plotë të Krishtit» (Ef 4, 13).
Ngutshmëria e veprës që duhet
përmbushur
29. Duhet të shpejtojmë: shumë
njerëz vuajnë dhe rritet distanca që ndan përparimin e disave
dhe vendqëndrimin, nëse jo prapavajtjen, e disa të tjerëve. Po
ashtu, nevojitet, që vepra, e cila duhet të përmbushet, të
përparojë në mënyrë harmonike, përndryshe ndodh prishja e
ekuilibrave të domosdoshëm. Një reformë agrare e bërë aty për
aty mund të dështojë në qëllimin e vet. Një industrializim i
nxituar mund të shkatërrojë struktura ende të nevojshme dhe të
krijojë mjerime shoqërore, që do të përbënin një hap prapa nga
këndvështrimi i vlerave njerëzore.
Tundimi i dhunës
30. Sigurisht ka situata padrejtësia
e të cilave klith drejt qiellit. Kur popullsi të tëra, të cilave
u mungon e nevojshmja, jetojnë në një gjendje varësie të tillë
sa u pengohet çfarëdo nisme dhe përgjegjësie, si edhe çdo
mundësi nxitjeje kulturore dhe pjesëmarrjeje në jetën shoqërore
e politike, i madh është tundimi për t’i sprapsur me dhunë të
tilla fyerje, që i bëhen dinjitetit njerëzor.
Revolucioni
31. E megjithatë e dimë se
kryengritja revolucionare – përveç rastit të një tiranie të
dukshme e të zgjatur, që i rrezikon rëndë të drejtat themelore
të njeriut dhe e dëmton në mënyrë të rrezikshme të mirën e
përbashkët të vendit – është burim padrejtësish të reja, sjell
çekuilibra të rinj dhe shkakton rrënime të reja. Nuk mund të
luftohet një e keqe reale duke e paguar atë me një të keqe edhe
më të madhe.
Reforma
32. Por dëshirojmë që mendimi Ynë të
kuptohet drejt: situata e tashme duhet të trajtohet me guxim dhe
padrejtësitë, që ajo shkakton, të luftohen e të mposhten.
Zhvillimi kërkon shndërrime të guximshme, thellësisht novatore.
Duhet të ndërmerren pa vonesë reforma të ngutshme. I përket
secilit, me bujari, të marrë përsipër pjesën e vet, sidomos
atyre që për arsye të edukimit, të situatës dhe të pushtetit të
tyre kanë mundësi të mëdha veprimi. Duke paguar personalisht në
mënyrë shembullore, ata nuk duhet të ngurrojnë për të ndikuar në
atë që është e tyrja, siç kanë bërë disa prej vëllezërve Tanë në
Episkopat.28 Në
këtë mënyrë do t’i përgjigjen pritjes së njerëzve dhe do të jenë
besnikë ndaj Shpirtit të Hyjit: meqë është «tharmi ungjillor ai
që ka nxitur dhe nxit në zemrën njerëzore një kërkesë të
pandalshme për dinjitet».29
Programet
dhe planifikimi në shërbim të njeriut
33. Vetëm nisma individuale dhe loja
e thjeshtë e konkurrencës nuk mund të sigurojnë arritjen e
zhvillimit. Nuk duhet të rrezikojmë ta rrisim edhe më shumë
pasurinë e të pasurve dhe fuqinë e të fortëve, duke përforcuar
mjerimin e të varfërve dhe duke e bërë më të rëndë nënshtrimin e
të shtypurve. Pra, janë të nevojshme programe «për të nxitur,
për të stimoluar, për të bashkërenditur, për të zëvendësuar dhe
për të integruar»30 veprimin
e individëve dhe të trupave të ndërmjetëm. U takon pushteteve
publike të zgjedhin, ose edhe të diktojnë, objektivat që duhen
ndjekur, pikësynimet që duhen mbërritur, mjetet për t’i arritur;
u takon atyre të stimulojnë të gjitha forcat e organizuara në
këtë veprim të përbashkët. Por duhet të kenë kujdes që t’i
bashkojnë në këtë vepër edhe nismat e privatëve dhe trupat e
ndërmjetëm, duke shmangur në këtë mënyrë rrezikun e një
kolektivizimi të tërësishëm ose të një planifikimi arbitrar, që,
duke qenë mohues të lirisë, do të përjashtonin ushtrimin e të
drejtave themelore të personit njerëzor.
34. Meqenëse çdo program, i përpunuar
për të shtuar prodhimin, në fund të fundit nuk ka arsye tjetër
ekzistence përveçse t’i shërbejë personit. Funksioni i tij është
të pakësojë pabarazitë, të luftojë diskriminimet, ta lirojë
njeriun prej robërive të tij, ta bëjë të aftë që të bëhet ai
vetë një aktor i përgjegjshëm i përmirësimit të vet material, i
përparimit të vet moral, i zhvillimit të plotë të fatit të vet
shpirtëror. Të thuash zhvillim, në të vërtetë, do të thotë të
thuash diçka që ka të bëjë si me përparimin shoqëror, ashtu edhe
me rritjen ekonomike. Nuk mjafton të shtojmë pasurinë e
përbashkët, që të ndahet me drejtësi, nuk mjafton të nxisim
teknikën, që toka të bëhet më njerëzore për t’u banuar. Ata që
janë në rrugën e zhvillimit duhet të mësojnë prej gabimeve të
atyre që e kanë provuar më parë këtë rrugë, cilat janë rreziqet
që duhet të shmangen në këtë fushë. Teknokracia e nesërme mund
të jetë burim i të këqijave jo më pak të frikshme se ato të
liberalizmit të djeshëm. Ekonomia dhe teknika nuk kanë kuptim
përveçse në marrëdhënie me njeriun të cilit ato duhet t’i
shërbejnë. Dhe njeriu nuk është vërtet njeri përveçse në masën
në të cilën, duke qenë zot i veprimeve të veta dhe gjykues i
vlerës së tyre, ai vetë bëhet autor i përparimit të vet, në
përputhje me natyrën, që i ka dhënë Krijuesi i vet dhe mundësitë
e kërkesat e së cilës ai i merr përsipër lirisht.
Alfabetizimi
35. Mund të pohohet se rritja
ekonomike është e lidhur para së gjithash me përparimin shoqëror,
që ajo është në gjendje të ngjallë, dhe se edukimi bazë është
pikësynimi i parë i një plani zhvillimi. Uria për arsimim në
realitet nuk është më pak e trishtueshme, sesa uria për ushqim:
një analfabet është një shpirt i kequshqyer. Të dish të lexosh e
të shkruash, të marrësh një formim profesional do të thotë të
rifitosh besimin në vetvete dhe të zbulosh se mund të përparosh
së bashku me të tjerët. Siç thonim në mesazhin tonë në Kongresin
e UNESCO-s (1965) në Teheran, alfabetizimi është për njeriun «një
faktor zanafillës i integrimit shoqëror, ashtu si edhe i
pasurimit vetjak, dhe për shoqërinë një mjet i privilegjuar i
përparimit ekonomik dhe i zhvillimit».31 Duam
edhe të gëzohemi për punën e mirë të bërë në këtë fushë prej
nismave private, pushteteve publike dhe organizatave
ndërkombëtare: janë autorët e parë të zhvillimit, sepse synojnë
ta bëjnë njeriun të aftë për t’u bërë ai vetë protagonist.
Familja
36. Por njeriu nuk është vetvetja
përveçse në mjedisin e tij shoqëror, në të cilin familja luan
një rol zanafillës. Rol që, sipas kohëve dhe vendeve, ka mundur
të jetë edhe i tepërt, kur është ushtruar në dëm të lirive
themelore të njeriut. Strukturat e vjetra shoqërore të vendeve
në rrugën e zhvillimit, edhe pse shpesh janë tepër të ngurta dhe
të organizuara keq, megjithatë janë ende të nevojshme për
njëfarë kohe, megjithëse në një proces ngadalësimi
shkallë-shkallë të sundimit të tyre të tepruar. Por familja
natyrore, monogamike dhe e qëndrueshme, siç është konceptuar në
planin hyjnor (krh. Mt 19, 6) dhe e shenjtëruar prej
krishterimit, duhet të mbetet «vendi i takimit të shumë brezave,
që e ndihmojnë njëri-tjetrin për të fituar një urti më të madhe
dhe për të harmonizuar të drejtat e personave me kërkesa të
tjera të jetës shoqërore».32
Demografia
37. Është e vërtetë se tepër shpesh
rritja demografike e përshpejtuar u shton vështirësi të reja
problemeve të zhvillimit: vëllimi i popullsisë rritet më shpejt,
sesa burimet e disponueshme dhe në dukje gjendemi të mbërthyer
në një rrugicë qorre. Prandaj, është i madh tundimi për ta
ndaluar rritjen demografike nëpërmjet masave rrënjësore. Është e
qartë se pushtetet publike, në fushën e kompetencës së tyre,
mund të ndërhyjnë, nëpërmjet përhapjes së një informacioni të
përshtatshëm dhe marrjes së masave të duhura, mjafton që të jenë
në përputhje me kërkesat e ligjit moral dhe në respektim të
lirisë së drejtë të çiftit; sepse e drejta për martesë dhe për
lindjen e fëmijëve është një e drejtë e patjetërsueshme, pa të
cilën nuk ekziston dinjiteti njerëzor. Në instancë të fundit, u
përket prindërve që, me dijeni të plotë, të vendosin mbi numrin
e fëmijëve të tyre, duke marrë përgjegjësitë e tyre para Hyjit,
para vetvetes, para fëmijëve që kanë nxjerrë në dritë më parë,
dhe para bashkësisë së cilës i përkasin, duke ndjekur udhëzimet
e ndërgjegjes së tyre të ndriçuar prej ligjit të Hyjit, të
interpretuar në mënyrë të përnjëmendtë, dhe të mbështetur prej
besimit në të.33
Organizatat profesionale
38. Në veprën e zhvillimit, njeriu,
që gjen në familje mjedisin zanafillës për jetën e vet,
ndihmohet shpesh prej organizatave profesionale. Edhe pse
arsyeja e ekzistencës së tyre është të nxisin interesat e
anëtarëve të tyre, përgjegjësia e tyre është e madhe në lidhje
me funksionin edukativ, që ato në të njëjtën kohë mund dhe duhet
të kryejnë. Nëpërmjet informacionit që japin, formimit që
ofrojnë, ato mund të bëjnë shumë për t’u dhënë të gjithëve
ndjenjën e të mirës së përbashkët dhe të detyrimeve, që ajo
sjell për secilin.
Pluralizëm i ligjshëm
39. Çdo veprim shoqëror përmban një
doktrinë. I krishteri nuk mund ta pranojë atë që supozon një
filozofi materialiste dhe ateiste, që nuk respekton as
orientimin fetar të jetës drejt qëllimit të saj të fundit, as
lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Por, me kusht që të mbrohen këto
vlera, një pluralizëm organizatash profesionale e sindikaliste
është i pranueshëm dhe, nga disa këndvështrime, i dobishëm, nëse
shërben për të mbrojtur lirinë dhe për të nxitur emulacionin.
Dhe nga zemra Ne i nderojmë të gjithë ata që punojnë në to në
një shërbim të painteres ndaj vëllezërve.
Formimi kulturor
40. Përveç organizatave profesionale,
janë po ashtu në veprim edhe institucionet kulturore, roli i të
cilave nuk ka peshë më të vogël për arritjen e zhvillimit. «E
ardhmja e botës do të ishte në rrezik – pohon seriozisht Koncili
– nëse epoka jonë nuk do të dinte të nxirrte prej gjirit të vet
njerëz të pajisur me urti». Dhe shton: «Shumë vende ekonomikisht
të varfra, por të pasura me urti, do të mund t’u japin një
ndihmë të fuqishme të tjerëve në këtë pikë».34 I
pasur apo i varfër, çdo vend ka një qytetërim të vetin të
trashëguar nga brezat e kaluar: institucione që nevojiten për
zhvillimin e jetës tokësore dhe shfaqje më të larta – artistike,
intelektuale e fetare – të jetës shpirtërore. Kur këto të fundit
përmbajnë vlera me të vërtetë njerëzore, do të ishte një gabim i
madh po të humbisnin për shkak të të parave. Një popull që do ta
lejonte këtë, do të humbiste gjënë më të mirë të vetvetes: për
të jetuar do të humbiste arsyet e veta të jetës. Paralajmërimi i
Krishtit vlen edhe për popujt: «Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton
mbarë botën, por e humb jetën?» (Mt 16, 26).
Tundimi materialistik
41. Popujt e varfër nuk do të ruhen
kurrë sa duhet nga ky tundim, që u vjen atyre prej popujve të
pasur, të cilët tepër shpesh, së bashku me shembullin e arritjes
së tyre në fushën e kulturës dhe të qytetërimit teknik, u
ofrojnë edhe një model veprimtarie të prirur kryesisht nga
arritja e begatisë materiale. Jo se kjo e fundit përbën në
vetvete një pengesë ndaj veprimtarisë së shpirtit, i cili madje,
kur në këtë mënyrë bëhet «më pak skllav i gjërave, me lehtësi
mund të lartësohet në adhurimin dhe në soditjen e Krijuesit».35 Megjithatë,
«qytetërimi modern, sigurisht jo për natyrën e vet të brendshme,
por sepse gjendet tej mase i përfshirë në realitetet tokësore,
shpesh mund ta bëjë më të vështirë afrimin me Hyjin».36 Për
arsye se u parashtrohet atyre, popujt në rrugën e zhvillimit
duhet pra, të dinë të bëjnë një zgjedhje: t’i kritikojnë dhe t’i
zhdukin të mirat e rreme, që do të sillnin një ulje të idealit
njerëzor, t’i pranojnë vlerat e shëndosha e të dobishme për t’i
zhvilluar ato, së bashku me të tyret, sipas shpirtit të tyre të
veçantë.
Përfundim
Drejt një humanizmi të
përgjithshëm
42. Është një humanizëm i
përgjithshëm që duhet të nxitet.37 Çfarë
do të thotë kjo, nëse mos zhvillimi i krejt njeriut dhe i të
gjithë njerëzve? Një humanizëm i mbyllur, i pandjeshëm ndaj
vlerave të shpirtit dhe ndaj Hyjit që është burimi i tyre, në
dukje mund të ketë mundësi më të mëdha për të ngadhënjyer. Pa
dyshim njeriu mund ta organizojë tokën pa Hyjin, por «në fund,
pa Hyjin ai nuk mund veçse ta organizojë kundër njeriut.
Humanizmi ekskluziv është një humanizëm çnjerëzor».38 Pra,
nuk ka një humanizëm të vërtetë nëse nuk është i hapur ndaj
Absolutit, në pranimin e një thirrjeje, që jep idenë e vërtetë
të jetës njerëzore. Meqë nuk është norma e fundit e vlerave,
njeriu nuk e realizon vetveten ndryshe përveçse duke e tejkaluar
vetveten. Sipas shprehjes aq të drejtë të Paskalit: «Njeriu e
tejkalon pafundësisht njeriun».39
Pjesa e dytë
DREJT ZHVILLIMIT SOLIDAR
TË NJERËZIMIT
43. Zhvillimi i tërësishëm i njeriut
nuk mund të bëhet pa zhvillimin solidar të njerëzimit. Siç thamë
në Bombej: «Njeriu duhet të takojë njeriun, kombet duhet të
takohen si vëllezër e motra, si fëmijë të Hyjit. Në këtë
mirëkuptim dhe miqësi të ndërsjellë, në këtë bashkësi të shenjtë,
ne po ashtu duhet të fillojmë të punojmë së bashku për të
ndërtuar të ardhmen e përbashkët të njerëzimit».40 Dhe
po ashtu sugjeruam kërkimin e mjeteve konkrete dhe praktike të
organizimit dhe të bashkëveprimit, që t’i bëjmë të përbashkëta
burimet e disponueshme dhe kështu të realizojmë një bashkësi të
vërtetë mes të gjitha kombeve.
Vëllazëria e popujve
44. Kjo detyrë u përket në rend të
parë më të favorizuarve. Detyrimet e tyre janë të rrënjosura në
vëllazërinë njerëzore e mbinatyrore dhe paraqiten në një aspekt
të trefishtë: detyra e solidaritetit, pra ndihma që kombet e
pasura duhet t’u japin vendeve në rrugën e zhvillimit; detyra e
drejtësisë shoqërore, domethënë rivendosja në mënyrë më korrekte
e marrëdhënieve tregtare mes popujve të fortë e popujve të dobët;
detyra e dashurisë së gjithmbarshme, domethënë nxitja e një bote
më njerëzore për të gjithë, një botë në të cilën të gjithë të
kenë diçka për të dhënë e për të marrë, pa ndodhur që përparimi
i disave të përbëjë një pengesë për zhvillimin e të tjerëve. Ky
problem është i rëndësishëm, sepse prej zgjidhjes së tij varet e
ardhmja e qytetërimit botëror.
1. Shërbimi ndaj të dobtëve
Lufta
kundër urisë, sot dhe nesër
45. «Në qoftë se ndonjë vëlla ose
ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe
ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”,
por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?!» (Jak 2,
15-16). Sot, askush nuk mund të mos e përfillë: në kontinente të
tëra, të panumërt janë burrat dhe gratë e munduar prej urisë, të
panumërt janë fëmijët e kequshqyer, deri në atë pikë sa shumë
prej tyre vdesin në moshë të njomë, sa rritja fizike dhe
zhvillimi mendor i shumë të tjerëve mbeten të dëmtuar, sa
krahina të tëra për këtë arsye janë të dënuara me ligështimin më
të thellë.
46. Apele plot ankth kanë kumbuar
tashmë. Ai i Gjonit XXIII është pritur ngrohtësisht.41 Ne
vetë e kemi përsëritur në mesazhin tonë të Krishtlindjes 1963,42 e
pastaj përsëri në dobi të Indisë në vitin 1966.43 Fushata
kundër urisë, e filluar nga Organizata ndërkombëtare për
ushqimin dhe bujqësinë (FAO) dhe e nxitur prej Selisë së Shenjtë,
është pranuar me bujari. “Karitasi ndërkombëtar” i ynë vepron
kudo dhe shumë katolikë, me nxitjen e vëllezërve Tanë në
Episkopat, japin, dhe shkrihen edhe personalisht pa rezerva, për
të ndihmuar ata që kanë nevojë, duke e zgjeruar shkallë-shkallë
rrethin e atyre, që e pranojnë si të afërmin e tyre.
47. Por e gjithë kjo nuk mund të
mjaftojë, siç nuk mund të mjaftojnë investimet private e publike
të realizuara, dhurimet dhe kreditë e dhëna. Nuk bëhet fjalë
vetëm për të mposhtur urinë dhe as për të përzënë varfërinë.
Lufta kundër mjerimit, megjithëse e ngutshme dhe e nevojshme,
është e pamjaftueshme. Bëhet fjalë për të ndërtuar një botë, në
të cilën çdo njeri, pa përjashtim race, besimi, kombësie, mund
të jetojë një jetë plotësisht njerëzore, të liruar prej robërive
që i vijnë prej njerëzve dhe prej një natyre jo mjaft të sunduar;
një botë ku liria nuk është një fjalë e kotë dhe ku Lazri i
shkretë mund të ulet në të njëjtën sofër me të pasurin (krh. Lk
16, 19-31). Kjo kërkon prej këtij të fundit shumë bujari, shumë
flijime dhe një përpjekje të pareshtur. Secili të shqyrtojë
ndërgjegjen e vet, që ka një zë të ri për epokën tonë. A është
ai i gatshëm t’i mbështesë me paratë e veta veprat dhe misionet
e organizuara në dobi të më të varfërve? Të durojë taksa më të
mëdha në mënyrë që pushtetet publike të jenë në gjendje ta
shtojnë përpjekjen e tyre për zhvillim? T’i paguajë më shtrenjtë
prodhimet e importuara, që fitimi i prodhuesit të jetë i drejtë?
Të lërë, kur të jetë e nevojshme, vendin e vet, nëse është i ri,
që të ndihmojë në rritjen e kombeve të reja?
Detyra e solidaritetit
48. Detyra e solidaritetit, që ka
vlerë për personat, vlen edhe për popujt: «Kombet e zhvilluara
kanë detyrën shumë të ngutshme që t’i ndihmojnë kombet në rrugën
e zhvillimit».44 Duhet
ta vëmë në jetë këtë mësim konciliar. Nëse është normale që një
popullsi të jetë dobimarrësja e parë e dhuratave, që i ka bërë
Provania, ashtu si edhe e fryteve të punës së vet, asnjë popull
nuk mund të mëtojë, për këtë arsye, që t’i ruajë për përdorimin
e vet ekskluziv pasuritë që zotëron. Çdo popull duhet të
prodhojë më shumë e më mirë, për t’u dhënë, nga njëra anë, të
gjithë shtetasve të vet një dinjitet jete vërtet njerëzor, dhe
njëkohësisht, nga ana tjetër, për të ndihmuar në zhvillimin
solidar të njerëzimit. Përballë varfërisë në rritje të vendeve
në rrugën e zhvillimit, duhet ta konsiderojmë si normale që një
vend i përparuar t’ia kushtojë një pjesë të prodhimit të vet
përmbushjes së nevojave të tyre; po ashtu është normale edhe që
të kujdeset për të formuar edukatorë, inxhinierë, teknikë,
shkencëtarë, që pastaj do ta vënë dijen dhe kompetencën e vet në
shërbim të tyre.
Teprica
49. Një gjë duhet të përsëritet
rishtas: teprica e vendeve të pasura duhet t’u shërbejë vendeve
të varfra. Rregulla që vlente dikur në dobi të më të afërmve sot
duhet të zbatohet për tërësinë e nevojtarëve të botës. Në fund
të fundit, do të jenë të pasurit ata që të parët do të kenë dobi
prej kësaj. Përndryshe, duke u treguar kokëfortë në koprracinë e
tyre, nuk mund të bëjnë tjetër veçse të nxisin gjykimin e Hyjit
dhe zemërimin e të varfërve, me pasoja të paparashikueshme. Duke
u mbyllur në koracën e egoizmit të tyre, qytetërimet aktualisht
të lulëzuara do të arrinin t’i vinin në rrezik vlerat e tyre më
të larta, duke ia flijuar vullnetin për të qenë më shumë lakmues
për të pasur më shumë. Dhe për to do të duhej të përdorej
shëmbëlltyra e njeriut të pasur, tokat e të cilit kishin dhënë
fryte të shumta dhe që nuk dinte ku t’i mblidhte të lashtat:
«Porse Hyji i tha: “I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do
të kërkohet shpirti yt prej teje”» (Lk 12, 20).
Programet
50. Këto përpjekje, për të arritur
efektshmërinë e tyre të plotë, nuk mund të mbeten të shpërndara
dhe të izoluara, dhe aq më pak duhet t’i kundërvihen
njëra-tjetrës për arsye të prestigjit apo të fuqisë: situata
kërkon programe të bashkërenditura. Një program në të vërtetë
është diçka më shumë dhe më e mirë se një ndihmë e rastësishme e
lënë në dorë të vullnetit të mirë të secilit. Ai, siç thamë më
lart, supozon studime të thelluara, përcaktim të pikësynimeve,
caktim të mjeteve, organizim të përpjekjeve, për t’iu përgjigjur
nevojave të tashme dhe kërkesave të ardhshme të parashikueshme.
Por është edhe shumë më tepër meqë i tejkalon perspektivat e
rritjes së thjeshtë ekonomike dhe të përparimit shoqëror, si dhe
i jep kuptim e vlerë veprës që duhet realizuar. Programi shërben
për ta rregulluar më mirë botën dhe, në të njëjtën kohë, për
t’ia rritur vlerën njeriut.
Fondi botëror: dobia dhe
ngutshmëria
51. Duhet të shkojmë edhe më
përpara. Në Bombej Ne kërkonim krijimin e një Fondi të madh
botëror, të ushqyer nga një pjesë e shpenzimeve ushtarake, për
t’u ardhur në ndihmë më të mjerëve.45 Ajo
që vlen për luftën e drejtpërdrejtë kundër mjerimit vlen edhe
për zhvillimin. Vetëm një bashkëpunim botëror, shprehje dhe
njëkohësisht mjet i të cilit do të ishte një fond i përbashkët,
do të bënte të mundur kapërcimin e rivaliteteve të shterpëta dhe
nxitjen e një dialogu të frytshëm dhe paqësor mes të gjithë
popujve.
52. Pa dyshim, mund të mbahen me dobi
marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe, meqë bëjnë të mundur
zëvendësimin e marrëdhënieve të varësisë dhe të mllefeve që janë
rrjedhojë e epokës koloniale me marrëdhënie miqësie të dobishme,
të zhvilluara në një plan barazie juridike e politike. Por të
përfshira në një program bashkëpunimi botëror ato do të ishin të
liruara prej çdo dyshimi. Mosbesimet e dobimarrësve do të
pakësoheshin, pasi ata do të kishin më pak arsye të druanin, që,
të fshehura nën ndihmën financiare apo asistencën teknike, të
paraqiten disa shfaqje të atij që është quajtur neokolonializëm:
dukuri që përvijohen në terma presionesh politike dhe pushteti
ekonomik të ushtruar me qëllim që të mbrohet apo të fitohet një
hegjemoni sunduese.
53. Nga ana tjetër, kush nuk e kupton
se si një fond i tillë do të jepte mundësinë që të hiqet nga
shpenzimet e përgjithshme diçka prej shkapërderdhjeve, që janë
fryt i frikës apo i krenarisë? Kur shumë popuj kanë uri, kur
shumë familje vuajnë prej mjerimit, kur shumë njerëz jetojnë të
zhytur në padije, kur duhet të ndërtohen shumë shkolla, shumë
spitale, shumë banesa të denja për këtë emër, çdo shkapërderdhje
publike apo private, çdo shpenzim i bërë, çdo garë e lodhshme
për armatim bëhet një skandal i padurueshëm. Ne kemi për detyrë
ta denoncojmë. Shpresojmë që përgjegjësit të na dëgjojnë para se
të jetë tepër vonë.
Dialogu që duhet vendosur:
nevojshmëria e tij
54. Kjo do të thotë se është e
domosdoshme që mes të gjithëve të vendoset ai dialog i kërkuar
prej Nesh në enciklikën e parë Ecclesiam suam.46 Nëse
do të vendosej një dialog i tillë mes atyre që japin ndihma dhe
atyre që i marrin ato, një gjë e tillë u bëftë me dëshirën që
ndihmat e dhëna të vendosen në mënyrë të drejtë, jo vetëm në
lidhje me sasinë dhe bollëkun e tyre, por edhe në lidhje me
nevojën e vërtetë të këtyre ndihmave dhe të aftësisë për të
ditur që t’i përdorin këto ndihma. Vendet në rrugën e zhvillimit
në këtë mënyrë nuk do të rrezikojnë më ta shohin veten të zhytur
në borxhe, larja e të cilëve arrin të përpijë pjesën më të mirë
të fitimeve të tyre. Përqindja e interesit dhe kohëzgjatja e
kredive mund të caktohen në mënyrë të pranueshme për njërën palë
dhe për tjetrën, duke ekuilibruar dhuratat falas, kreditë pa
interes ose me interes minimal, dhe kohëzgjatjen e amortizimit.
Mund t’u sigurohen garanci atyre që japin mjetet financiare, mbi
përdorimin e tyre në bazë të planit të caktuar dhe me një
përkujdesje të arsyeshme për efektshmërinë, pasi nuk bëhet fjalë
për të favorizuar dembelinë apo parazitizmin. Dhe dobimarrësit,
nga ana e tyre, mund të pretendojnë që të mos ndërhyhet në
politikën e tyre dhe as të shkaktohen çrregullime në strukturat
shoqërore të vendit të tyre. Si shtete sovrane që janë, vetëm
atyre u takon t’i drejtojnë në mënyrë autonome punët e veta, të
përcaktojnë politikën e tyre, të orientohen lirisht drejt tipit
të parapëlqyer të shoqërisë. Pra, është një bashkëpunim
vullnetar që duhet të vendoset, një bashkëpjesëmarrje e
efektshme e njërit dhe e tjetrit, në një klimë dialogu ku
pjesëmarrësit kanë dinjitet të barabartë, për ndërtimin e një
bote më njerëzore.
55. Ky është një angazhim që mund të
duket i parealizueshëm në krahinat ku shqetësimi për mbijetesën
e përditshme është i tillë sa pengon krejt ekzistencën e
familjeve, të paafta të mendojnë për një punë të përshtatshme
për ta përgatitur një të ardhme më pak të mjerueshme. Megjithatë,
këta janë burrat e gratë që duhet të ndihmohen, që duhet të
binden për nevojën që të merren ata vetë me zhvillimin e tyre,
duke fituar shkallë-shkallë mjetet. Kjo vepër e përbashkët
sigurisht që do të jetë e pamundur pa një përpjekje të
bashkërenditur, të vazhdueshme dhe të guximshme. Por duhet të
jetë e qartë për këdo se ajo që është në lojë është vetë jeta e
popujve të varfër, është paqja civile në vendet në rrugën e
zhvillimit, dhe është paqja e botës.
2. Drejtësi në marrëdhëniet
tregtare
56. Përpjekjet, edhe ato të
konsiderueshmet, që bëhen për të ndihmuar në planin financiar e
teknik vendet në rrugën e zhvillimit, do të ishin të rreme nëse
rezultati i tyre do të asgjësohej pjesërisht prej lojës së
marrëdhënieve tregtare mes vendeve të pasura dhe vendeve të
varfra. Besimi i këtyre të fundit do të tronditej thellë po t’u
krijohej përshtypja se atyre u merret me njërën dorë ajo që u
jepet me tjetrën.
Shtrembërim në rritje, përtej
liberalizmit
57. Kombet shumë të industrializuara
eksportojnë në realitet sidomos prodhime industriale, ndërsa
ekonomitë pak të zhvilluara nuk kanë tjetër për të shitur përveç
prodhimeve bujqësore dhe lëndëve të para. Falë përparimit teknik,
vlera ekonomike e të parave rritet shpejt dhe ato gjejnë tregje
të mjaftueshme shitjeje, ndërsa, përkundrazi, prodhimet parësore
që vijnë prej vendeve në rrugën e zhvillimit pësojnë ndryshime
të gjera e të papritura në çmim, që i mbajnë larg prej mbivlerës
së prodhimeve të para. Prej këtu burojnë vështirësitë e mëdha me
të cilat ndeshen kombet e industrializuara prej pak kohësh, kur
duhet të mbështeten në eksportimet për të ekuilibruar ekonomitë
e tyre dhe për të realizuar planet e tyre të zhvillimit. Kështu
ndodh që të varfrit mbeten përsëri të varfër, ndërsa të pasurit
bëhen gjithnjë e më të pasur.
58. Kjo do të thotë se ligji i
tregtisë së lirë nuk është më në gjendje t’i mbështesë i vetëm
marrëdhëniet ndërkombëtare. Dobitë e tij me siguri janë të
dukshme kur palët gjenden në kushte fuqie ekonomike jo tepër të
ndryshme: atëherë është një nxitje për përparim dhe një
shpërblim për përpjekjet e bëra. Kështu shpjegohet se si vendet
industrialisht të zhvilluara janë të prirur të shohin në të një
ligj drejtësie. Por puna ndryshon kur kushtet janë tepër të
pabarabarta nga një vend në tjetrin: atëherë, çmimet që vendosen
«lirisht» në treg, mund të çojnë në rezultate të padrejta. Ia
vlen ta pranojmë: është parimi themelor i liberalizmit si
rregull e shkëmbimeve tregtare ai që është në pikëpyetje këtu.
Drejtësia
e kontratave në nivel popujsh
59. Mësimi i Leonit XIII në Rerum
novarum e ruan vlefshmërinë e vet: miratimi i palëve, nëse
ato bien në një situatë pabarazie të tepërt, nuk mjafton për të
garantuar drejtësinë e kontratës, dhe ligji i miratimit të lirë
vazhdon t’u nënshtrohet kërkesave të së drejtës natyrore.47 Ajo
që ishte e vërtetë në lidhje me rrogën e drejtë individuale
është e tillë edhe në lidhje me kontratat ndërkombëtare: një
ekonomi shkëmbimi nuk mund të mbështetet ekskluzivisht në ligjin
e konkurrencës së lirë, edhe ai tepër shpesh shkaktar diktature
ekonomike. Liria e shkëmbimeve nuk është e drejtë nëse nuk u
nënshtrohet mëtimeve të drejtësisë shoqërore.
Masa që duhen marrë
60. Përveç të tjerash, këtë e kanë
kuptuar mjaft mirë edhe vetë vendet e zhvilluara, meqë orvaten
për të rivendosur me masa të përshtatshme, brenda ekonomive
përkatëse, një ekuilibër që konkurrenca e lënë në duart e
vetvetes priret ta vërë në rrezik. Për këtë arsye shpesh i
shohim ta mbajnë bujqësinë e tyre përmes flijimeve, që u
diktohen sektoreve ekonomike më të favorizuara. Shohim edhe se
si, për t’i mbajtur marrëdhëniet tregtare që zhvillohen mes tyre,
veçanërisht brenda një tregu të përbashkët, politika e tyre
financiare, fiskale dhe shoqërore përpiqet t’u rijapë industrive
konkurrente, pabarazisht të begatshme, kushte të një
konkurrueshmërie të rivendosur.
Konventa
ndërkombëtare
61. Nuk është e lejueshme që në këtë
fushë të përdoren dy pesha dhe dy masa. Ajo që vlen në sferën e
një ekonomie kombëtare, ajo që pranohet mes vendeve të
zhvilluara, vlen po ashtu edhe në marrëdhëniet tregtare mes
vendeve të pasura dhe vendeve të varfra. Jo se duam të paraqesim
shfuqizimin e tregut të bazuar në konkurrencë: duam vetëm të
themi se duhet të mbahet brenda kufijve që e bëjnë të drejtë e
moral, pra njerëzor. Në tregtinë mes ekonomive të zhvilluara dhe
atyre në rrugën e zhvillimit, situatat e pikënisjes janë tepër
të çekuilibruara dhe liritë reale të shpërndara në mënyrë tepër
të pabarabartë. Drejtësia shoqërore imponon që tregtia
ndërkombëtare, për të qenë njerëzore e morale, të rivendosë mes
palëve të paktën një barazi relative mundësish. Kjo e fundit nuk
mund të jetë tjetër veçse një pikësynim afatgjatë. Por për ta
arritur duhet të krijohet qysh tani një barazi reale në
diskutime dhe në bisedime. Edhe kjo është një fushë ku konventat
ndërkombëtare me rreze mjaft të gjerë do të ishin të dobishme,
pasi janë të afta të japin norma të përgjithshme për të
rregulluar disa lloj çmimesh, për të garantuar disa lloj
prodhimesh, për të mbajtur disa lloj industrish që po krijohen.
Kushdo e sheh se si kjo përpjekje e përbashkët drejt një
drejtësie më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare mes popujve
do t’u jepte vendeve në rrugën e zhvillimit një ndihmë pozitive,
me efekte jo vetëm të menjëhershme, por edhe të qëndrueshme.
Pengesa që duhen kapërcyer:
nacionalizmi dhe racizmi
62. Ndërtimit të një bote më të
drejtë e më të strukturuar sipas një solidariteti të
gjithmbarshëm i kundërvihen edhe pengesa të tjera: duam të
flasim për nacionalizmin dhe për racizmin. Është e natyrshme që
disa bashkësi, të cilat prej pak kohësh e kanë arritur
pavarësinë e tyre politike, janë xheloze për një njësi kombëtare
ende të brishtë dhe kujdesen për ta mbrojtur atë. Është
gjithashtu normale që kombet me kulturë të vjetër të jenë
krenare për traditën e trashëguar prej historisë së tyre. Por
këto ndjenja të ligjshme duhet të sublimohen prej dashurisë së
gjithmbarshme, që i përqafon të gjithë anëtarët e familjes
njerëzore. Me të vërtetë nacionalizmi i ndan popujt mes tyre dhe
pengon arritjen e interesave të tyre më të përnjëmendtë; dhe do
të ishte veçanërisht i dëmshëm aty ku brishtësia e ekonomive
kombëtare kërkon bashkimin e përpjekjeve, të njohurive dhe të
mjeteve financiare, për të realizuar programet e zhvillimit dhe
për të shpeshtuar shkëmbimet tregtare e kulturore.
63. Racizmi nuk është prerogativë
ekskluzive e kombeve të reja, ku ai fshihet nganjëherë nën
vellon e rivaliteteve të fiseve e të partive politike, duke e
dëmtuar rëndë drejtësinë dhe duke rrezikuar paqen civile. Gjatë
erës koloniale shpesh ka shkaktuar përçarje mes kolonëve dhe
vendasve, duke krijuar pengesa për një mirëkuptim të frytshëm e
të ndërsjellë dhe duke shkaktuar mllefe, që janë pasojë e
padrejtësive reale. Ai përbën po ashtu një pengesë për
bashkëpunimin mes kombeve më pak të favorizuara dhe një tharm
krijues të ndarjes dhe të urrejtjes në gjirin e vetë shteteve,
kur, duke i përçmuar të drejtat e pamohueshme të personit
njerëzor, individë dhe familje e nënshtrohen me të padrejtë një
regjimi përjashtimi, për shkak të racës së tyre apo të ngjyrës
së tyre.
Drejt një bote solidare
64. Një situatë e tillë, kaq e
mbushur me kërcënime për të ardhmen, na hidhëron thellë.
Megjithatë, mbajmë shpresë se një nevojë më e ndier për
bashkëpunim, një ndjenjë më e mprehtë për solidaritet do të
fitojnë mbi moskuptimet dhe mbi egoizmat. Shpresojmë se vendet
me një nivel më të ulët zhvillimi do të dinë të përfitojnë prej
marrëdhënieve të mira të afërsisë me vendet fqinje, me qëllim që
të organizojnë mes tyre, në rajone territoriale më të gjera,
zona zhvillimi të bashkërenditur: duke përcaktuar programe të
përbashkëta, duke bashkërenditur investimet, duke shpërndarë
mundësitë e prodhimit, duke organizuar shkëmbimet. Shpresojmë
edhe se organizatat shumëpalëshe dhe ndërkombëtare, nëpërmjet
një organizimi të nevojshëm, do t’i gjejnë rrugët që do t’u
mundësojnë popujve ende në rrugën e zhvillimit daljen prej pikës
së vdekur, në të cilën duket se përpëliten si të burgosur dhe të
gjejnë vetë, duke qenë besnik ndaj aftësisë së secilit, mjetet e
përparimit të tyre shoqëror e njerëzor.
Të gjithë popujt autorë të
fatit të tyre
65. Pikërisht kjo duhet të arrihet.
Solidariteti botëror, gjithnjë e më veprues, duhet t’u bëjë të
mundur të gjithë popujve, që të bëhen ata vetë autorë të fatit
të tyre. E kaluara tepër shpesh është shënuar prej marrëdhënieve
të forcës mes një kombi e një tjetri: ardhtë më në fund dita në
të cilën marrëdhëniet ndërkombëtare të kenë shenjën e respektit
të ndërsjellë dhe të miqësisë, të ndërvarësisë në bashkëpunim
dhe të nxitjes së përbashkët nën përgjegjësinë e secilit. Popujt
më të rinj e më të dobët kërkojnë me ngulm rolin aktiv, që u
takon atyre në ndërtimin e një bote më të mirë, më respektuese
të të drejtave dhe të thirrjes së secilit. Apeli i tyre është i
ligjshëm: secili ta kuptojë e t’i përgjigjet.
3. Dashuria e gjithmbarshme
66. Bota është e sëmurë. E keqja e
saj gjendet më pak në shkapërderdhjen e burimeve apo në
grumbullimin e tyre nga ana e disave, sesa në mungesën e
vëllazërisë mes njerëzve dhe mes popujve.
Detyra të lidhura me mikpritjen
67. Për këtë arsye Ne nuk do të
këmbëngulim kurrë sa duhet se detyra e mirëpritjes – detyrë
solidariteti njerëzor dhe dashurie të krishterë – u takon jo
vetëm familjeve, por edhe institucioneve publike, që kanë një
rol edukues, të vendeve mikpritëse. Duhet që, sidomos për të
rinjtë, të shumohen familjet dhe vendet e përshtatshme për t’i
mirëpritur. Kjo sidomos për t’i mbrojtur nga vetmia, ndjenja e
braktisjes, dëshpërimi, që minojnë çdo aftësi burimi moral, por
edhe për t’i mbrojtur nga situata e rrezikshme në të cilën
gjenden, që i shtyn ta krahasojnë varfërinë e skajshme të
atdheut të tyre me luksin dhe shkapërderdhjen që i rrethojnë.
Gjithashtu: për t’i mbrojtur prej infektimit të doktrinave
kryengritëse dhe prej tundimeve agresive, që ua shkakton kujtimi
i kaq shumë «mjerimi të pamerituar».48 Së
fundi, sidomos për t’u dhënë atyre, së bashku me ngrohtësinë e
një mirëpritjeje vëllazërore, edhe shembullin e një jete të
shëndoshë, shijen e dashurisë së krishterë të përnjëmendtë dhe
vepruese, nxitjen për të vlerësuar vlerat shpirtërore.
Drama e të rinjve studentë dhe
e punëtorëve emigrantë
68. Është e dhimbshme ta mendojmë:
shumë të rinj, që kanë shkuar në vende më të përparuara për të
mësuar aty shkencën, kompetencën dhe kulturën, që do t’i bëjnë
më të aftë për t’i shërbyer atdheut të tyre, me siguri marrin
një formim me cilësi të lartë, por në raste jo të rralla e
humbin ndjenjën e vlerave shpirtërore, që shpesh ishin të
pranishme, si një pasuri e çmuar, në qytetërimet ku ishin rritur.
69. Po kjo mirëpritje u duhet dhënë
edhe punëtorëve emigrantë, që shpesh jetojnë në kushte
çnjerëzore, të detyruar që ta fitojnë me shumë djersë rrogën e
tyre për të lehtësuar pak familjet e mbetura në mjerim në dheun
e lindjes.
Ndjenja shoqërore
70. Porosia Jonë e dytë është për
ata, që, për arsye të veprimtarisë së tyre ekonomike, në vende
që i janë hapur prej pak kohësh industrializimit janë të thirrur:
industrialistë, tregtarë, krerë apo përfaqësues të ndërmarrjeve
të mëdha. Ndoshta bëhet fjalë për njerëz që, në vendin e tyre,
me të vërtetë shfaqin ndjenja shoqërore: pse duhet të
prapakthehen në parimet çnjerëzore të individualizmit kur
veprojnë në vende më pak të zhvilluara? Gjendja e tyre e
epërsisë, përkundrazi, duhet t’i shtyjnë që të bëhen nismëtarë
të përparimit shoqëror dhe të nxitjes njerëzore, aty ku
angazhimet e tyre ekonomike i kanë çuar. Vetë ndjenja e tyre e
organizimit duhet t’u sugjerojë mënyrën më të mirë për t’i dhënë
vlerë punës vendase, për të formuar punëtorë të kualifikuar, për
të përgatitur inxhinierë dhe drejtues, për t’i lënë vend nismës
së tyre, për t’i futur shkallë-shkallë në postet më të larta,
duke i përgatitur kështu që të bashkëndajnë, në një të ardhme jo
të largët, përgjegjësitë e drejtimit. Që, të paktën,
marrëdhëniet mes krerëve dhe vartësve të rregullohen nga
drejtësia. Ato u mbështetshin prej kontratave të rregullta me
detyrime të ndërsjella. Së fundi, që asnjëri, cilado qoftë
gjendja e tij, të mos mbetet padrejtësisht në dorë të veprimit
arbitrar.
Misioni i zhvillimit
71. Gjithnjë e më të shumtë, dhe Ne
gëzohemi për këtë, janë ekspertët e dërguar në mision zhvillimi
prej institucioneve ndërkombëtare apo dypalëshe apo prej
organizmave private. «Ata nuk duhet të sillen si zotërinj, por
si asistentë dhe si bashkëpunëtorë».49 Një
popullsi e kupton menjëherë nëse ndihma e dhënë u jepet me
pasion apo jo, nëse ato janë aty thjesht për të zbatuar disa
teknika apo edhe për t’i dhënë njeriut krejt vlerën e tij.
Mesazhi i tyre rrezikon të mos pranohet, nëse nuk shoqërohet nga
një shpirt dashurie vëllazërore.
Cilësia e ekspertëve
72. Pra, kompetenca teknike e
domosdoshme duhet të shoqërohet prej shenjave të përnjëmendta të
një dashurie të painteres. Të zhveshur prej çdo krenarie
nacionaliste, ashtu si edhe prej çdo hijeje racizmi, ekspertët
duhet të mësojnë të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me të
gjithë. Ata duhet të dinë se kompetenca e tyre nuk u jep atyre
një epërsi në të gjitha fushat. Qytetërimi në të cilin janë
formuar përmban padyshim disa elemente humanizmi të
gjithmbarshëm, por nuk është as i vetmi dhe as ekskluziv, dhe
nuk mund të importohet pa përshtatje. Përgjegjësit e këtyre
misioneve duhet të kujdesen për të zbuluar, së bashku me
historinë e tij, edhe karakteristikat e pasuritë kulturore të
vendit që i mirëpret. Kështu do të vendoset një afrim i frytshëm
për të dyja qytetërimet.
Dialogje qytetërimesh
73. Mes qytetërimeve, ashtu si edhe
mes personave, dialogu i sinqertë është faktikisht krijues
vëllazërie. Nismat në dobi të zhvillimit njerëzor do t’i afrojnë
popujt, në realizimet e çuara përpara me një përpjekje të
përbashkët, nëse të gjithë, duke filluar prej qeverive dhe prej
përfaqësuesve të tyre deri te eksperti më i thjeshtë, do të
gjallërohen prej një shpirti dashurie vëllazërore dhe do të
vihen në lëvizje prej dëshirës së sinqertë për të ndërtuar një
qytetërim të bazuar në solidaritetin botëror. Atëherë mund të
hapet një dialog i përqendruar tek njeriu dhe jo tek prodhimet e
teknikat. Një dialog që do të jetë i frytshëm, nëse do të bëjë
që popujt, të cilët përdorin mjetet e tij, të lartësohen e të
arrijnë një shkallë më të lartë jete shpirtërore; nëse teknikët
do të dinë të bëhen edukatorë dhe nëse mësimi i përçuar do të
ketë shenjën e një cilësie shpirtërore e morale aq të lartë sa
të garantojë një zhvillim, që të mos jetë vetëm ekonomik, por
edhe njerëzor. Pasi të kalojë faza e asistencës, marrëdhëniet e
krijuara në këtë mënyrë do të vazhdojnë dhe nuk ka njeri që të
mos vërejë se çfarë rëndësie do të kenë ato për paqen e botës.
Apeli drejtuar të rinjve
74. Shumë të rinj i janë përgjigjur
tashmë me gatishmëri e zell apelit të Piut XII për një laikat
misionar.50 Të
shumtë janë edhe ata që në mënyrë të vetvetishme janë vënë në
dispozicion të organizmave, zyrtare apo private, të
bashkëpunimit me popujt në rrugën e zhvillimit. Ne gëzohemi kur
marrim vesh se në disa kombe «shërbimi ushtarak» mund të
zëvendësohet pjesërisht me një «shërbim alternativ», një «shërbim
të pastër dhe të thjeshtë», dhe i bekojmë këto nisma dhe
vullnetet e mira që u përgjigjen. Të gjithë ata që i referohen
Krishtit e dëgjojnë apelin e Tij: «Pata uri e më dhatë të ha,
pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i
zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në
burg e erdhët tek unë» (Mt 25, 35-36). Askush nuk mund të mbetet
mospërfillës ndaj fatit të vëllezërve të vet ende të zhytur në
mjerim, pre të padijes, viktima të pasigurisë. Ashtu sikurse
zemra e Krishtit, edhe zemra e të krishterit duhet të ketë
dhembshuri për këtë mjerim: «Po më dhimbsen këta njerëz» (Mk 8,
2).
Lutja dhe veprimi
75. Lutja e të gjithëve duhet të
ngjitet e zjarrtë drejt të Gjithëpushtetshmit, që njerëzimi,
pasi të vetëdijësohet për këto të këqija kaq të mëdha, të
kushtohet me inteligjencë dhe vendosmëri për t’i asgjësuar ato.
Kësaj lutjeje duhet t’i përgjigjet angazhimi i vendosur i
secilit, sipas forcave dhe mundësive të veta, në luftë kundër
nënzhvillimit. Personat, grupet shoqërore dhe kombet i dhënshin
vëllazërisht dorën njëri-tjetrit, i forti duke ndihmuar të
dobëtin për t’u rritur, duke përdorur për këtë gjithë
kompetencën e vet, entuziazmin e vet dhe dashurinë e vet të
painteres. Më shumë se kushdo tjetër, ai që është i gjallëruar
prej një dashurie të vërtetë është mendjehollë në zbulimin e
shkaqeve të mjerimit, në gjetjen e mjeteve për ta luftuar atë,
në mposhtjen e tij me vendosmëri. Veprues paqeje, «ai do të
përshkojë rrugën e vet, duke ngjallur gëzim dhe duke derdhur
dritë e hir në zemrën e njerëzve mbi gjithë faqen e dheut, duke
i bërë të zbulojnë, përtej të gjithë kufijve, fytyra vëllezërish,
fytyra miqsh».51
Përfundim
Zhvillimi është emri i ri i
paqes
76. Pabarazitë ekonomike, shoqërore e
kulturore tepër të mëdha mes popujve shkaktojnë tensione e
grindje dhe vënë në rrezik paqen. Siç u thamë etërve konciliarë
kur u kthyem prej udhëtimit tonë të paqes në OKB: «Gjendja e
popullsive në rrugën e zhvillimit duhet të përbëjë objektin e
shqyrtimit tonë; më mirë të themi, dashuria jonë për të varfrit
që gjenden në botë – dhe janë një legjion i pafund – duhet të
bëhet më e vëmendshme, më vepruese, më bujare».52 Ta
luftosh mjerimin dhe të luftosh kundër padrejtësisë do të thotë
të nxitësh, së bashku me përmirësimin e kushteve të jetesës,
edhe përparimin njerëzor e shpirtëror të të gjithëve, pra, të
mirën e përbashkët të njerëzimit. Paqja nuk kufizohet në
mungesën e luftës, fryt i ekuilibrit gjithmonë të paqëndrueshëm
të forcave. Ajo ndërtohet dita-ditës, në ndjekjen e një rendi të
vendosur prej Hyjit, që bashkëmbart një drejtësi më të përsosur
mes njerëzve.53
Dalja prej izolimit
77. Autorë të zhvillimit të vet,
popujt janë përgjegjësit e tij të parë.
Por atë nuk do të mund
ta realizojnë në izolim. Akorde krahinore mes popujve të dobët
për ta mbështetur njëri-tjetrin, marrëveshje më të gjera për t’u
ardhur atyre në ndihmë, konventa më angazhuese mes njërës palë e
tjetrës, që synojnë të përcaktojnë programe të bashkërenditura:
janë etapat e kësaj ecjeje të zhvillimit që çon në paqe.
Drejt një
autoriteti botëror të efektshëm
78. Ky bashkëpunim
ndërkombëtar në nivel botëror kërkon institucione që ta
përgatisin, ta bashkërendojnë dhe ta mbajnë, deri sa të
ndërtojnë një rend juridik të pranuar universalisht. Me gjithë
zemër Ne i nxisim organizatat që e kanë marrë në dorë
bashkëpunimin për zhvillim dhe urojmë që autoriteti i tyre të
rritet. «Thirrja juaj – u thamë përfaqësuesve të Kombeve të
Bashkuara në Nju Jork – është që t’i bëni të vëllazërohen, jo
vetëm disa popuj, por të gjithë popujt… Kush nuk e sheh nevojën
për të arritur shkallë-shkallë në vendosjen e një autoriteti
botëror, që është në gjendje të veprojë në mënyrë të efektshme
në planin juridik e politik?».54
Shpresa të bazuara
në një botë më të mirë
79.
Disa do t’i gjykojnë si utopistike këto shpresa. Ndoshta
realizmi i tyre mund të mos jetë i mjaftueshëm dhe ata nuk e
kanë perceptuar dinamizmin e një bote që dëshiron të jetojë në
mënyrë më vëllazërore dhe që, pavarësisht prej padijeve të saj,
gabimeve të saj, si edhe mëkateve të saj, rënieve të saj në
barbari e shmangieve të gjata të saj prej rrugës së shpëtimit, i
afrohet dalëngadalë, edhe pa e kuptuar, drejt Krijuesit të vet.
Kjo ecje drejt një rritjeje në njerëzi kërkon përpjekje e flijim:
por vetë vuajtja, kur pranohet për dashuri ndaj vëllezërve,
është mbartëse e përparimit për krejt familjen njerëzore. Të
krishterët e dinë se bashkimi me flinë e Shpëtimtarit ndihmon «për
ndërtimin e trupit të Krishtit» (Ef 4, 12) në plotësinë e tij:
popullin e mbledhur të Hyjit.55
Të gjithë solidarë
80. Në këtë ecje jemi të gjithë
solidarë. Prandaj të gjithëve kemi dashur t’u kujtojmë madhësinë
e dramës dhe ngutshmërinë e veprës që duhet të përmbushet. Ora e
veprimit tashmë ka ardhur: mbijetesa e shumë fëmijëve të
pafajshëm, mundësia për kushte njerëzore për shumë familje të
pafat, paqja e botës, e ardhmja e qytetërimit janë në pikëpyetje.
Të gjithë njerëzve dhe të gjithë popujve u takon të marrin
përsipër përgjegjësitë e veta.
APELI PËRFUNDIMTAR
Katolikë
81. Të parëve Ne u lutemi të gjithë
fëmijëve Tanë. Në vendet në rrugën e zhvillimit, ashtu si edhe
gjetiu, laikët duhet të marrin përsipër si detyrë të tyre
specifike përtëritjen e rendit tokësor. Nëse detyra e hierarkisë
është të mësojë e të interpretojë në mënyrë të përnjëmendtë
parimet morale, që duhen ndjekur në këtë fushë, atyre, nëpërmjet
nismës së tyre të lirë dhe pa pritur në mënyrë pasive urdhra apo
udhëzime, u takon ta depërtojnë me shpirtin e krishterë
mendësinë e bashkësisë ku jetojnë.56 Janë
të nevojshme ndryshime, janë të domosdoshme reforma të thella:
ata duhet të angazhohen vendosmërisht për t’u dhënë atyre frymën
e shpirtit ungjillor. Fëmijëve Tanë katolikë, që u përkasin
vendeve më të favorizuara, Ne u kërkojmë ndihmesën e kompetencës
së tyre dhe të pjesëmarrjes së tyre vepruese në organizatat
zyrtare apo private, civile apo fetare, që kushtohen në
mposhtjen e vështirësive të kombeve në rrugën e zhvillimit. Ata
pa asnjë dyshim do të dëshirojnë të jenë në vijë të parë mes
atyre që punojnë për të kthyer në vepra një moral ndërkombëtar
të drejtësisë e të barazisë.
Të krishterë dhe besimtarë
82. Nuk e vëmë në dyshim se të
gjithë të krishterët, vëllezërit Tanë, do të duan ta zgjerojnë
përpjekjen e tyre të përbashkët dhe të bashkërenditur me qëllim
që ta ndihmojnë botën për të ngadhënjyer mbi egoizmin, mbi
krenarinë dhe mbi rivalitetet, për të kapërcyer ambiciet dhe
padrejtësitë, dhe për t’u hapur të gjithëve rrugët e një jete më
njerëzore, ku kushdo të duhet dhe të ndihmohet prej vëllezërve
sikur të ishte vëllai i tyre. Si edhe, ende të prekur prej
kujtimit të takimit të paharrueshëm në Bombej me vëllezërit Tanë
jo të krishterë, përsëri Ne i ftojmë ata të bashkëpunojnë me
gjithë zemrën dhe mendjen e tyre, me qëllim që të gjithë fëmijët
e njerëzve të mund të bëjnë një jetë të denjë për fëmijët e
Hyjit.
Njerëz vullnetmirë
83. Së fundi, u drejtohemi të gjithë
njerëzve vullnetmirë, që janë të vetëdijshëm se ecja e paqes
kalon nëpërmjet zhvillimit. Të dërguar pranë institucioneve
ndërkombëtare, njerëz të shtetit, publicistë, edukatorë, të
gjithë, secili në vendin e vet, ju jeni ndërtuesit e një bote të
re. I përgjërohemi Hyjit të gjithëpushtetshëm që ta ndriçojë
mendjen tuaj dhe ta forcojë guximin tuaj në zgjimin e opinionit
publik dhe në dhënien hov të popujve. Edukatorë, juve ju takon
të ngjallni qysh në fëmijëri dashurinë për popujt, që janë të
braktisur. Publicistë, është detyra juaj të tregoni para syve
tanë përpjekjet e bëra për të nxitur ndihmën e ndërsjellë mes
popujve, ashtu si edhe spektaklin e mjerimeve që njerëzit priren
t’i harrojnë për ta qetësuar ndërgjegjen e tyre: që të pasurit
të dinë të paktën se të varfrit janë tek dera e tyre dhe zënë
vend për të pritur tepricat e gostive të tyre.
Pushtetarë
84. Njerëz të shtetit, mbi ju bie
detyra për të nxitur bashkësitë tuaja për një solidaritet
botëror më të efektshëm, dhe para së gjithash t’i bëni ata të
pranojnë që të heqin prej luksit dhe shkapërderdhjeve të tyre
atë që është e nevojshme për të nxitur zhvillimin dhe për të
shpëtuar paqen. Të dërguar pranë organizatave ndërkombëtare,
prej jush varet nëse përballja e rrezikshme dhe shterpë e
forcave do t’ia lërë vendin bashkëpunimit miqësor, paqësor dhe
të painteres për një zhvillim solidar të njerëzimit: një
njerëzim në të cilit të gjithë njerëzit të mund të arrijnë
lulëzimin e tyre të plotë.
Mendimtarë
85. Dhe nëse është e vërtetë se bota
vuan prej mungesës së mendimit, Ne i thërrasim njerëzit e
reflektimit e të mendimit, katolikët, të krishterët, ata që e
nderojnë Hyjin, që janë të etur për absoluten, për drejtësinë e
për të vërtetën: të gjithë njerëzit vullnetmirë. Sipas
shembullit të Krishtit, Ne guxojmë t’ju lutemi me këmbëngulje:
«Kërkoni e do të gjeni» (Lk 11, 9), hapni rrugët që, nëpërmjet
ndihmës së ndërsjellë, thellimit të dijes, zgjerimit të zemrës,
shpien në një jetë më vëllazërore në një bashkësi njerëzore
vërtet të gjithmbarshme.
Të gjithë në veprim
86. Ju të gjithë që e keni kuptuar
apelin e popujve që vuajnë, ju të gjithë që punoni për t’iu
përgjigjur atij, ju jeni apostujt e zhvillimit të mirë e të
vërtetë, që nuk është pasuria egoiste dhe e dëshiruar sepse ka
vlerë në vetvete, por ekonomia në shërbim të njeriut, buka e
përditshme që u ndahet të gjithëve, si burim i vëllazërisë dhe
shenjë e Provanisë.
87. Me gjithë zemër ju bekojmë dhe i
thërrasim të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen
vëllazërisht me ju. Sepse, nëse zhvillimi është emri i ri i
paqes, kush nuk do të donte të bashkëpunonte për ta arritur me
të gjitha forcat e veta? Po, të gjithë: Ne ju ftojmë t’i
përgjigjeni britmës Sonë që lind prej ngashërisë, në emër të
Zotit.
Romë, pranë Shën Pjetrit, më 26
mars, e kremtja e ngjalljes së Zotit Tonë Jezu Krishtit, në
vitin 1967, IV i pontifikatit Tonë.
Papa
Pali VI
Shënime
1 PAULUS
PP. VI, Litt. enc. Populorum progressio de populorum
progressione promovenda, [Ad Episcopos, ad Sacerdotes, ad
Religiosos, ad Christifideles totius Catholici Orbis, itemque ad
universos bonae voluntatis homines], 26 martii 1967: AAS 59
(1967), fq. 257-299.
Hyrje: Çështja
shoqërore sot është botërore: Zhvillimi i popujve dhe mësimi
shoqëror i papëve; Udhëtimet e Palit VI dhe komisioni papnor
“Drejtësi e paqe”. – Pjesa I: Për një zhvillim të tërësishëm
të njeriut: I. Të dhënat e problemit (aspirata të njerëzve;
kolonizimi dhe kolonializmi; çekuilibër në rritje; vetëdijësim
më i madh; përplasja e qytetërimeve; përfundim). II. Kisha dhe
zhvillimi (vepra e misionarëve; kisha dhe bota; vizioni i
krishterë i zhvillimit; thirrja dhe rritja; detyrë vetjake dhe
bashkësiore; shkalla e vlerave; rritje e dyvlershme; drejt një
gjendjeje më njerëzore; ideali që duhet ndjekur). III. Vepra që
duhet përmbushur (adresimi i gjithmbarshëm i të mirave; prona;
përdorimi i të ardhurave; industrializimi; kapitalizmi liberal;
puna dhe dyvlershmëria e saj; ngutshmëria e veprës që duhet
përmbushur; tundimi i dhunës; revolucioni; reforma; programet
dhe planifikimi në shërbim të njeriut; alfabetizimi; familja dhe
demografia; organizatat profesionale; pluralizëm i ligjshëm;
formimi kulturor; tundimi materialistik. Përfundim: drejt
një humanizmi të përgjithshëm). – Pjesa II: Drejt zhvillimit
solidar të njerëzimit në vëllazërinë mes popujve: I. Ndihma
ndaj të dobtëve (lufta kundër urisë, sot dhe nesër; detyra e
solidaritetit; teprica; programet; fondi botëror: dobitë dhe
ngutshmëria; dialogu që duhet vendosur: nevojshmëria e tij). II.
Drejtësia në marrëdhëniet tregtare (shtrembërim në rritje,
përtej liberalizmit; drejtësia e kontratave në nivel popujsh;
masa që duhen marrë; konventa ndërkombëtare; pengesa që duhet
kapërcyer: nacionalizmi dhe racizmi; drejt një bote solidare ku
popujt të jenë autorë të fatit të tyre). III. Dashuria e
gjithmbarshme (detyra të lidhura me mikpritjen; drama e të
rinjve studentë dhe e punëtorëve emigrantë; ndjenja shoqërore;
misioni i zhvillimit; cilësia e ekspertëve; dialogje
qytetërimesh; apeli drejtuar të rinjve; lutja dhe veprimi;).
Përfundim: Zhvillimi është emri i ri i paqes; Dalja prej
izolimit; Drejt një autoriteti botëror të efektshëm; Shpresa të
bazuara në një botë më të mirë; Të gjithë solidarë. Apeli
përfundimtar (katolikë, të krishterë dhe besimtarë, njerëz
vullnetmirë, pushtetarë, mendimtarë: të gjithë në veprim).
2 Krh.
Acta Leonis XIII, XI (1892), fq. 97-148; EE 3.
3 Krh.
AAS 23 (1931), fq. 177-228; EE 5/583-730.
4 Krh.
e.g. Nuntius radiophonicus, datus die 1 mensis iunii anno
1941, quinquagesimo exeunte anno a Litteris Encyclicis Rerum
novarum a Leone XIII datis: AAS 33 (1941), fq.
195-205; EE 6/app.; Nuntius radiophonicus, datus
pridie Nativ. D.N.I.C. anno 1942: AAS 35 (1943), fq.
9-24; Allocutio catholicae Solidalitati Operariorum
Italicorum, ob commemorationem Litt. Enc. Rerum novarum
congressae, habita die 14 mensis Maii anno 1953: AAS 45
(1953), fq. 402-408.
5 Krh.
AAS 53 (1961), fq. 401-464; EE 7/222-481.
6 Krh.
AAS 55 (1963), fq. 257-304; EE 7/541-712.
7 Krh.
Let. enc.
Mater et
Magistra:
AAS 53 (1961), fq. 440; EE 7/378.
8 Krh.
Kusht. barit. Gaudium et spes de Ecclesia in mundo huius
temporis, nr. 63: AAS 58 (1966), fq. 1084; EV
1/1537).
9 Litt.
apost. motu proprio datae Catholicam Christi Ecclesiam:
AAS 59 (1967), fq. 27; EV 2/959.
10 Krh.
Leoni XIII, Let. enc. Rerum novarum: Acta Leonis XIII, XI
(1892), fq. 98; EE 3.
11 KONC.
II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 3: AAS 58 (1966), fq. 1085; EV 1/1535.
12 KONC.
II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 3: AAS 58 (1966), fq. 1026; EV 1/1323.
13 Krh.
Leoni XIII, Let. enc.
Immortale Dei:
Acta Leonis XIII, V (1885), fq. 127; EE 3.
14 Gaudium
et spes, nr. 4: AAS 58 (1966), fq. 1027; EV 1/1324.
15 Krh.
L.J. LEBRET OP, Dynamique concrète du développement,
Économie et Humanisme, Les éditions ouvrières, Paris 1961, fq.
28.
16 Krh.
e.g. J. MARITAIN, Les conditions spirituelles du progrès et
de la paix, in libro qui inscribitur Rencontre des
cultures à l’UNESCO sous le signe du Concile oecuménique Vatican
II, Mame, Paris 1966, fq. 66.
17 KONC.
II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 69: AAS 58 (1966), fq. 1090; EV 1/1551.
18
De
Nabuthe,
k. 12, nr. 53: PL 14, 747. Krh. J.R. Palanque, Saint Ambroise
et l’empire romain, De Boccard, Paris 1933, fq. 336ss.
19 Krh.
Cardinalis a publicis Ecclesiae negotiis Epistola ad catholicos
viros socialis vitae studia in urbe vulgo Brest celebrantes, in
libro qui inscribitur L’homme et la révolution urbaine,
Chronique sociale, Lyon 1965, fq. 8-9.
20 Krh.
KONC. II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 71: AAS 58 (1966), fq. 1093; EV 1/1557-1559.
21 Krh.
KONC. II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 65: AAS 58 (1966), fq. 1086; EV 1/1541.
22 Let. enc.
Quadragesimo anno: AAS 23 (1931), fq. 212; EE
5/692.
23 Krh.
e.g. COLIN CLARK, The conditions of economic progress,
III ed., McMillan & Co. (London), St. Martin’s Press (New York),
1960, fq. 3-6.
24 Krh.
Cardinalis a publicis Ecclesiae negotiis Epistula ad catholicos
viros socialis vitae studia Lugduni celebrantes, in libro qui
inscribitur Le travail et les travailleurs dans la société
contemporaine, Chronique sociale, Lyon 1965, fq. 6.
25 Krh.
e.g. M.D. CHENU OP, Pour une Théologie du travail, Éditions du
Seuil, Paris 1955.
26 Let.
enc. Mater et Magistra: AAS 53 (1961), fq. 423;
EE 7/312.
27 Krh.
e.g. O. VON NELL-BREUNING SI, Wirtschaft und Gesellschaft, vëll.
1: Grundfragen, Herder, Freiburg 1956, fq. 183-184.
28 Krh.
e.g. Emmanuelis LARRAIN ERRAZURIS, Episcopi Talcensis in Chilia,
Praesidis Consilii compendiariis litteris Celam appellati,
Pastorales Litterae de civili progressu et de pace, Pax
Christi, Parisiis 1965.
29 Krh.
KONC. II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 26: AAS 58 (1966), fq. 1046; EV 1/1402.
30 GJONI
XXIII, Let. enc. Mater et Magistra: AAS 53 (1961),
fq. 414; EE 7/274.
31 Krh.
Diarium quod inscribitur L’Osservatore romano, die 11
mensis Septembris anno 1965, vel commentarium La
Documentation catholique, t. 62, Paris 1965, fq. 1674-1675.
32 KONC.
II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 52: AAS
58 (1966), fq. 1073; EV 1/1486.
33 Krh.
KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 50-51
cum adnotatione nr. 14: AAS 58 (1966), fq. 1070-1073;
EV 1/1478-1484. Krh. etiam nr. 87: fq. 1110; EV
1/1625-1627.
34 Krh.
KONC. II I VAT., Kusht. barit.
Gaudium
et spes,
nr. 15: AAS 58 (1966), fq. 1036; EV 1/1367.
35 Gaudium
et spes, nr. 57: AAS 57 (1966), fq. 1078; EV
1/1507.
36 Gaudium
et spes, nr. 19: AAS 58 (1966), fq. 1039; EV
1/1374.
37 Krh.
e.g. J. MARITAIN, L’humanisme intégral, Aubier, Paris
1936.
38 Krh.
H. DE LUBAC SI, Le drame de l’humanisme athée, III éd.,
Spes, Paris 1945, fq. 10.
39 Krh.
Pensées, éd. Brunschvicg, nr. 434; krh. Maurice Zundel,
L’homme passe l’homme. Éditions du lien, Le Caire 1944.
40 Krh.
Allocutio ad viros e variis religiosis Communitatibus
non-christianis, habita die 3 mensis Decembris anno 1964: AAS
57 (1965), fq. 132.
41 Krh.
GJONI XXIII, Let. enc. Mater et Magistra: AAS 53
(1961), fq. 440ss; EE 7/378ss.
42 Krh.
Nuntius radiophonicus, datus pridie Nativ. D.N.I.C. anno
1963: AAS 56 (1964), fq. 57-58.
43 Krh.
Encicliche e discorsi di Paolo VI,
vëll. IX, bot. Paoline, Roma 1966, fq. 132-136.
44 KONC.
II I VAT., Gaudium et spes, nr. 86: AAS 58 (1966),
fq. 1109; EV 1/1620.
45 Nuntius
ad homines universos datus astantibus diurnariis scriptoribus,
die 4 mensis Decembris 1964: AAS 57 (1965), fq. 135.
46 Krh.
AAS 56 (1964), fq. 639ss; EE 7/776ss.
47 Krh.
Acta Leonis XIII, XI (1892), fq. 131; EE 3.
48 Krh.
LEONI XIII, Let. enc.
Rerum
novarum: Acta Leonis XIII,
XI (1892), fq. 98; EE 3.
49 Krh.
KONC. II I VAT., Gaudium et spes, nr. 85: AAS 58
(1966), fq. 1108; EV 1/1616.
50 Krh.
Let. enc. Fidei donum: AAS 49 (1957), fq. 246;
EE 6/1337.
51 Krh.
GJONI XXIII, Allocutio habita die 10 mensis Maii anno
1963, cum praemio a Bazanio nuncupato donaretur: AAS 55
(1963), fq. 455.
52 AAS
57 (1965), fq. 896; EV 1/407*.
53 Krh.
GJONI XXIII, Let. enc. Pacem in terris: AAS 55
(1963), fq. 301; EE 7/702s.
54 AAS
57 (1965), fq. 880; EV 1/381*.
55 Krh.
KONC. II I VAT., Kusht. barit. Lumen gentium de Ecclesia,
nr. 13; AAS 57 (1965), fq. 17; EV 1/318-321.
56 Krh.
KONC. II I VAT., Dekr. Apostolicam actuositatem de
apostolatu laicorum, nr. 7, 13 dhe 24: AAS 58 (1966), fq.
843, 849 dhe 856; EV 1/941.962-964.1001-1007.
titujt kryesore
|