ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

KISHA NGA EUKARISTIA

 

(ECCLESIA DE EUCHARISTIA)

 

Letra Enciklike

 

Drejtuar Ipeshkvinjve

Presbitërve  e Diakonëve

të kushtuarve Zotit

dhe të gjithë besimtarëve shekullarë

mbi Eukaristinë

në marrëdhënien e Saj me Kishën

 

GJON PALI II

 

Përktheu nga italishtja

ANGJELINA GJEKA

 

Redaktorë

DILA SHTJEFNI

DOM PREKË LAZRI

ATË LELLO LANZILLI SJ

 

Faqosja dhe grafiku

LUJGJ MILA

 

© Copyright 2005

 

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE    

SHKODËR

 

Stypur

SHTYPSHKRONJA “VOLAJ”

 

 

Paraqitje

 

Zoti të dhashtë paqe!

 

Kam gëzim të veçantë që të mund të të drejtohem Ty, i Nderuar lexues, duke të të paraqitur këtë Letër Enciklike të Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Palit të II më titull “Kisha nga Eukaristia”.

Dhe me anën e kësaj Letre Enciklike, të përkthyer në gjyhën shqipe, dua t’ju ftoj si bari që të kundrojmë mbi vitin kushtuar Eukaristisë së shenjtë të shpallur nga Ati i Shenjtë (tetor 2004 – tetor 2005).

Personalisht jam i bindur se bota po rrëmbehet gjithmonë e më shumë nga dëshirat urgjente dhe nga nevoja po aq urgjente e shuarjes së këtyre dëshirave duke absolutizuar nevojën e afirmimit individual që secili mbart në vetvete, dhe si rrjedhojë e mëkatit origjinal. Marrëdhënia me Zotin bëhet kështu asgjë më shumë se një “zot i personalizuar” ku, kur kam nevojë qoftë edhe psikologjike e thërras dhe ai duhet të më përgjigjet, sepse është i mirë, i dashur etj, duke shkatërruar qoftë të vërtetën mbi Zotin qoftë dhe bashkësinë ku besimtari të konfirmojë besimin e vërtetë.

Në të vërtetë jeta me Zotin kërkon kujdes të veçantë dhe të mbikqyrur nga etërit e shpirtit që nga përvoja mund të na ndihmojnë që të hedhim hapa të sigurtë drejt Atit, ashtu siç bëri Jezusi me nxënësit e tij. Kjo lidhje bijësore në Kishën e Krishtit është siguria se Zoti është i pranishëm ndër ne me Fjalën e Tij dhe Gjestet (sakramentet) që shprehin në mënyrë të vlefshme shëlbimin që Ai na solli.

Të qenurit me Jezusin. Kjo dëshirë e çdo njeriu besimtar që nën imazhin e thellë të Nxënësve të Emausit (Lk 24) shpërthen në lutjen kaq njerëzore “Qëndro me ne o Zot”. Kjo lutje është nxitje që Papa na bën në Letrën Apostolike mbi vitin e kushtuar Eukaristisë.

Qëndro me ne, sepse duam të të kundrojmë dhe të meditojmë çdo gjest që nga dashuria Ti arrin të bësh për ne. Qëndro me, ne sepse prania jote na shndrit dhe nga rrezet Tuaja ne mund të fitojmë mbi errësirat e fesë dhe të jetës. Qëndro me ne dhe na shndërro ashtu sikurse në Malin Tabor u shndërrua fytyra jote.

Përgjigjja e Zotit është Eukaristia. Gjithmonë i pranishëm dhe në çdo kënd të botës, madje deri edhe nën pullazin më të thjeshtë të një kapele diku të harruar, Ai në Eukaristi është qytetar i botës sonë, që si një njeri i moshuar përcjell çdo orvatje që brezat pasardhës bëjnë. Ai kundron nga çdo tabernakull ku pushon prania e Zotit që u dashurua pas botës.  Ai ishte dhe është me ne në çdo kremtim të meshës, edhe kur meshtarët tanë kremtonin meshën fshehtazi e nëpër burgje. Ai ishte në çdo qeli të botës ku konsumohej dhimbshëm flijimi për Mbretërinë e Zotit. Dhe kundrimi i tij bëhet jeta e bashkësive të krishtera që mblidhen dhe në Krishtin Eukaristi, jo vetëm që përtërihen për ta jetuar jetën e për ta pritur ardhjen e Zotërisë, por marrin forcë që ta shpallin Zotin dhe Mbretërinë e Tij. E “diela eukaristike” porosit Ati i Shenjtë duhet të jetë qendra e bashkësisë së krishterë dhe burimi i forcave dhe i çdo misioni të Kishës.

Le ta vlerësojmë praninë e Zotit. Pra, sikurse Zoti dhe Nëna Kishë na mësojnë se “pa marrë pjesë në meshën e së dielës nuk mund të jeni katolikë”, sepse besimi në Zotin nuk mund të jetë vetëm një fakt personal e i izoluar, le ta pranojmë Zotin dhe ta njohim Atë ndërsa ndan bukën, dhe nëpërmjet duarve të meshtarit bëhet Ai vetë ushqim për jetën e njerëzve.

Le ta falënderojmë, sepse vetë Zoti bëhet për ne Eukaristi dhe themel i Kishës. Atij i qoftë lavdi dhe adhurimi ynë në shekuj.

 

Në Krishtin

 

                          Angelo Massafra

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës

 

 

3

 

KISHA

NGA EUKARISTIA

 

(ECCLESIA DE EUCHARISTIA)

 

Letra Enciklike

 

Drejtuar Ipeshkvinjve

Presbitërve  e Diakonëve

të kushtuarve Zotit

dhe të gjithë besimtarëve shekullarë

mbi Eukaristinë

në marrëdhënien e Saj me Kishën

 

GJON PALI II

 

 

 HYRJE

 

1.   Kisha jeton prej Eukaristisë. Kjo e vërtetë nuk shpreh vetëm një përvojë të përditshme feje, por përmbledh bërthamën e misterit të Kishës. Me gëzim ajo eksperimenton në forma të shumta plotësimin e vazhdueshëm të premtimit: «Ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!» (Mt 28, 20); por në Eukaristinë e shenjtë, prej shndërrimit të bukës dhe të verës në trupin e në gjakun e Zotit, ajo gëzohet nga kjo prani me një gjallëri të pashoqe. Që kur, me Rrëshajët, Kisha, Populli i Besëlidhjes së Re, ka filluar ecjen e vet shtegtare drejt atdheut qiellor, Sakramenti Hyjnor u bë shenjë dalluese e ditëve të saj, duke i mbushur ato me një shpresë plot besim.

Me të drejtë Koncili II i Vatikanit ka shpallur se Flija eukaristike është «burimi dhe kulmi i gjithë jetës së krishterë»1. «Në të vërtetë, në Eukaristinë e shenjtë qëndron e gjithë pasuria shpirtërore e Kishës, domethënë vetë Krishti, Pashka jonë dhe buka e gjallë që, nëpërmjet mishit të vet të gjallëruar prej Shpirtit Shenjt dhe gjallërues, u jep jetë njerëzve»2. Prandaj vështrimi i Kishës është vazhdimisht i drejtuar nga Zoti i saj, i pranishëm në Sakramentin e Altarit, në të cilin ajo zbulon shfaqjen e plotë të dashurisë së tij të pafundme.

 2.   Gjatë Jubileut të Madh të Vitit 2000 pata rastin të kremtoj Eukaristinë në Çenakullin (Darkoren) e Jeruzalemit, aty ku, sipas traditës, ajo u realizua për herë të parë prej vetë Krishtit. Çenakulli është vendi i themelimit të këtij Sakramenti të shenjtërueshëm. Aty Krishti mori në duart e veta bukën, e theu dhe ua dha nxënësve duke thënë: «Merrni e hani të gjithë: ky është korpi im i flijuar për ju» (krh. Mt 26, 26; Lk 22, 19; 1 Kor 11, 24). Pastaj mori në duart e veta kelkun e verës dhe u tha atyre: «Merrni e pini të gjithë: ky është kelku i gjakut tim për besëlidhjen e re e të amshuar, i derdhur për ju e për të gjithë njerëzit në shpërblim të mëkateve» (krh. Mk 14, 24; Lk 22, 20; 1 Kor 11, 25). I jam mirënjohës Zotit Jezus që më ka lejuar t’i përsëris në të njëjtin vend, duke iu bindur urdhrit të tij: «Bëjeni këtë në përkujtimin tim» (Lk 22, 19), fjalët e thëna prej Tij dymijë vjet më parë.

Apostujt që morën pjesë në Darkën e Fundit, a e kuptuan domethënien e fjalëve të dala prej buzëve të Krishtit? Ndoshta jo. Ato fjalë do të qartësoheshin plotësisht vetëm në përfundim të Triduum sacrum, pra të periudhës që shkon prej mbrëmjes së të Enjtes deri në mëngjesin e të Dielës. Në ato ditë përfshihet mysterium paschale; në ato ditë përfshihet edhe mysterium eucharisticum.

 3.   Prej misterit pashkvor lind Kisha. Pikërisht për këtë arsye Eukaristia, që është sakramenti i veçantë i misterit pashkvor, vendoset në qendër të jetës kishtare. Kjo shihet që prej figurave të para të Kishës, që jepen prej Veprave të Apostujve: «Ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë» (2, 42). Në «ndarjen e bukës» përkujtohet Eukaristia. Pas dymijë vjetësh vazhdojmë ta realizojmë atë figurë të parë të Kishës. Dhe ndërsa e bëjmë këtë në Kremtimin eukaristik, sytë e shpirtit shkojnë përsëri te Treditëshi pashkvor: te ajo që u krye në mbrëmjen e të Enjtes së Madhe, gjatë Darkës së Fundit, dhe pas saj. Themelimi i Eukaristisë, në të vërtetë, u paraprinte sakramentalisht ngjarjeve që pas pak do të realizoheshin, duke filluar prej agonisë së Gjetsemanit. Rishohim Jezusin që del prej Çenakullit, zbret me nxënësit për të kapërcyer përroin Cedron dhe arrin në Kopshtin e Ullinjve. Në atë Kopsht ende edhe sot ka disa pemë ulliri shumë të lashta. Ndoshta qenë dëshmitare të asaj që ndodhi nën hijen e tyre atë mbrëmje, kur Krishti në lutje ndjeu ankthin vdekjeprurës «Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë» (Lk 22, 44). Gjaku, që pak më parë i kishte dorëzuar Kishës si pije shëlbimi në Sakramentin eukaristik, po fillonte të derdhej; derdhja e tij do të bëhej pastaj në Golgotë, duke u bërë mjeti i shpërblimit tonë: «Por erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë…, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shëlbimin përfundimtar» (Heb 9, 11-12).

 4.   Ora e shëlbimit tonë. Megjithëse duke vuajtur pafundësisht, Jezusi nuk ikën para «orës» së tij: «e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë!» (Gjn 12, 27). Ai dëshiron që nxënësit t’i bëjnë shoqëri, e në të vërtetë duhet të sprovojë vetminë dhe braktisjen: «Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim» (Mt 26, 40-41). Vetëm Gjoni do të rrijë nën Kryq, pranë Marisë dhe grave të përshpirtshme. Agonia në Gjetseman ka qenë fillimi i agonisë së Kryqit të së Premtes së Madhe. Ora e shenjtë, ora e shëlbimit të botës. Kur kremtohet Eukaristia pranë varrit të Jezusit, në Jeruzalem, kthehemi në mënyrë pothuajse të prekshme në “orën” e tij, ora e kryqit dhe e lavdërimit. Në atë vend dhe në atë orë shkon shpirtërisht çdo presbiter që kremton Meshën e Shenjtë, së bashku me bashkësinë e krishterë që merr pjesë në të.

«U kryqëzua, vdiq e u varros; zbriti në ferr, të tretën ditë u ngjall prej të vdekurve». Fjalëve të dëshmisë së fesë u bëjnë jehonë fjalët e soditjes dhe të shpalljes: «Ecce lignum crucis, in quo salus mundi pependit. Venite adoremus». Është ftesa që Kisha u drejton të gjithëve në orët e pasdites së të Premtes së Madhe. Ajo do ta rifillojë pastaj këngën e vet gjatë kohës së Pashkëve për të shpallur: «Surrexit Dominus de sepulcro qui pro nobis pependit in ligno. Alleluia».

 5.   «Mysterium fidei! – Misteri i fesë!». Kur meshtari i shqipton apo i këndon këto fjalë, të pranishmit thërrasin: «Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde në lumturi».

Në këto fjalë apo në fjalë të ngjashme, Kisha, ndërsa tregon Krishtin në misterin e Mundimeve të tij, zbulon edhe misterin e vet: Ecclesia de Eucharistia. Nëse me dhuratën e Shpirtit Shenjt për Rrëshajë, Kisha vjen në dritë dhe fillon ecjen në rrugët e botës, një moment vendimtar i formimit të saj është patjetër themelimi i Eukaristisë në Çenakull. Themeli i saj dhe burimi i saj është i tërë Triduum paschale, por ky është si i përmbledhur, i paraprirë, dhe «i përqendruar» përgjithmonë në dhuratën eukaristike. Në këtë dhuratë Jezu Krishti i dhuronte Kishës aktualizimin e përhershëm të misterit pashkvor. Me të themelonte një «njëkohshmëri» misterioze mes atij Treditëshi dhe rrjedhës së të gjithë shekujve.

Ky mendim na ngjall ndjenja mahnitjeje të madhe e mirënjohëse. Në ngjarjen e Pashkëve dhe në Eukaristinë që e aktualizon atë në shekuj, ka një «kapacitet» vërtet shumë të madh, në të cilin e tërë historia është e përfshirë, si marrëse e hireve të shëlbimit. Kjo mahnitje duhet ta pushtojë gjithmonë Kishën të mbledhur në Kremtimin Eukaristik. Por në mënyrë të veçantë duhet të shoqërojë mbarështuesin e Eukaristisë. Në të vërtetë, ai, falë aftësisë që i është dhënë në sakramentin e Urdhrit meshtarak, e kryen shugurimin. Ai thotë, me pushtetin që i vjen prej Krishtit të Çenakullit: «Ky është korpi im i flijuar për ju… Ky është kelku i gjakut tim… i derdhur për ju…». Meshtari i thotë këto fjalë, apo më mirë të themi, e vë gojën e vet dhe zërin e vet në dispozicion të Atij që i tha në Çenakull, dhe dëshiroi që të përsëriteshin nga breznia në brezni prej të gjithë atyre që në Kishë marrin pjesë në mënyrë shërbestare në priftërinë e tij.

 6.   Këtë «mahnitje» eukaristike dëshiroj ta rizgjoj me këtë Letër enciklike, në vazhdimësi me trashëgiminë jubilare, që kam dashur t’ia dorëzoj Kishës me Letrën apostolike Novo millennio ineunte dhe me kurorëzimin e saj marian Rosarium Virginis Mariae. Soditja e fytyrës së Krishtit, dhe soditja e saj me Marinë, është «programi» që i kam propozuar Kishës në agimin e mijëvjeçarit të ri, duke e ftuar atë që të dalë në detin e historisë me entuziazmin e ungjillëzimit të ri. Ta soditësh Krishtin do të thotë të dish ta njohësh kudo që Ai shfaqet, në pranitë e tij të shumta, por sidomos në Sakramentin e gjallë të trupit e të gjakut të tij. Kisha jeton prej Krishtit eukaristik, prej Tij ushqehet, prej Tij ndriçohet. Eukaristia është misteri i fesë, dhe njëkohësisht «mister drite»3. Sa herë që Kisha e kremton, besimtarët mund ta rijetojnë në ndonjë mënyrë përvojën e dy nxënësve të Emausit: «Atyre iu hapën sytë dhe e njohën» (Lk 24, 31).

 7.   Që kur e kam filluar shërbesën time si Pasardhës i Pjetrit, gjithmonë i kam rezervuar së Enjtes së Madhe, ditës së Eukaristisë e të Meshtarisë, një shenjë vëmendjeje të veçantë, duke u dërguar një letër të gjithë meshtarëve të botës. Këtë vit, i njëzetepesti i Pontifikatit tim, dëshiroj ta përfshij më plotësisht tërë Kishën në këtë reflektim eukaristik, edhe për të falënderuar Zotin për dhuratën e Eukaristisë dhe të Meshtarisë: «Dhuratë e mister»4. Nëse, duke shpallur Vitin e Rruzares, kam dashur ta vendos këtë njëzetepesëvjetorin tim në shenjën e soditjes së Krishtit në shkollën e Marisë, nuk mund ta lë të kalojë këtë të Enjte të Madhe 2003 pa u ndalur para «fytyrës eukaristike» të Krishtit, duke i treguar me një forcë të re Kishës se Eukaristia është qendra e jetës së saj. Kisha jeton prej saj. Me këtë «bukë të gjallë» ushqehet. Si të mos e ndiej nevojën për t’i nxitur të gjithë që të bëjnë gjithmonë përvojën e përtërirë të saj?

 8.   Kur mendoj për Eukaristinë, duke vështruar jetën time si meshtar, si Ipeshkëv, si Pasardhës i Pjetrit, vetvetiu më kujtohen momentet e shumta dhe vendet e shumta në të cilat më është lejuar ta kremtoj atë. Kujtoj kishën famullitare të Niegovicës, ku kreva detyrën time të parë baritore, kolegjatën e shën Florianit në Krakovi, katedralen e Vavelit, bazilikën e shën Pjetrit dhe bazilikat e kishat e shumta të Romës e të të gjithë botës. Kam mundur ta kremtoj Meshën e Shenjtë në kapela të ndërtuara në shtigje malesh, në brigjet e liqevene, në brigjet e deteve; e kam kremtuar në altarë të ndërtuar në stadiume, në sheshet e qyteteve… Ky skenar kaq i larmishëm i Kremtimeve eukaristike më bën ta ndiej së tepërmi karakterin e tyre të gjithmbarshëm dhe, mund të themi, kozmik. Po, kozmik! Sepse edhe kur kremtohet në altarin e vogël të një kishe fshati, Eukaristia gjithmonë kremtohet, në një farë kuptimi, në altarin e botës. Ajo bashkon qiellin e tokën. Përfshin e vërshon gjithë krijimin. Biri i Hyjit është bërë njeri, për t’ia kthyer gjithë krijimin, në një akt suprem lavdi, Atij që e ka bërë prej asgjësë. Dhe kështu Ai, Kryeprifti i amshuar, duke hyrë nëpërmjet gjakut të Kryqit të tij në shenjtëroren e amshuar, ia kthen Krijuesit e Atit gjithë krijimin e shpërblyer. E bën këtë nëpërmjet shërbesës meshtarake të Kishës, në lavd të së Shenjtërueshmes Trini. Vërtet ky është mysterium fidei që realizohet në Eukaristi: bota e dalë prej duarve të Hyjit krijues i kthehet Atij e shpërblyer prej Krishtit.

 9.   Eukaristia, prania shëlbuese e Jezusit në bashkësinë e besimtarëve dhe ushqimi i saj shpirtëror, është gjëja më e çmueshme që Kisha mund të ketë në ecjen e saj në histori. Kështu shpjegohet vëmendja e kujdesshme që ajo i ka ruajtur gjithmonë Misterit eukaristik, një vëmendje që shfaqet plot autoritet në veprën e Koncileve e të Papëve të Shenjtë. Si të mos i admirojmë paraqitjet doktrinare të Dekreteve mbi Eukaristinë e Shenjtë dhe mbi Flinë e Shenjtë të Meshës të shpallura prej Koncilit të Trentit? Ato faqe kanë udhëhequr në shekujt më pas qoftë teologjinë qoftë katekezën dhe, ende edhe sot, janë pikë referimi dogmatik për përtëritjen e vazhdueshme dhe për rritjen e Popullit të Hyjit në fe dhe në dashurinë ndaj Eukaristisë. Në kohët më të afërta për ne, tri Enciklika duhen përmendur: Enciklika Mirae Caritatis e Leonit XIII (28 maj 1902)5, Enciklika Mediator Dei e Piut XII (20 nëntor 1947)6 dhe Enciklika Mysterium Fidei e Palit VI (3 shtator 1965)7.

Koncili II i Vatikanit, megjithëse nuk ka botuar një dokument specifik mbi Misterin eukaristik, sidoqoftë, ilustron aspektet e tij të ndryshme gjatë tërë harkut të dokumenteve të tij, dhe veçanërisht në Kushtetutën dogmatike mbi Kishën Drita e Popujve - Lumen Gentium - dhe në Kushtetutën mbi Liturgjinë Koncili i Shenjtë  - Sacrosanctum Concilium - .

Unë vetë, në vitet e para të Shërbesës sime apostolike në Katedrën e Pjetrit, me Letrën apostolike Dominicae Cenae (24 shkurt 1980)8, pata mundësinë të trajtoj disa aspekte të Misterit eukaristik dhe të ndikimit të tij në jetën e atij që është mbarështues i tij. Sot po e rimarr fillin e atij argumenti me zemrën edhe më të mbushur me mallëngjim e mirënjohje, gati duke i bërë jehonë fjalës së Psalmistit: «Si do t’ia shpërblej Zotit për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë? Do të ngre gotën e shëlbimit e me nderim do të thërras Emrin e Zotit» (Ps 116 [115], 12-13).

 10. Këtij angazhimi të shpalljes nga ana e Magjisterit i është përgjigjur një rritje e brendshme e bashkësisë së krishterë. Nuk ka dyshim se reforma liturgjike e Koncilit ka sjellë dobi të mëdha për një pjesëmarrje më të vetëdijshme, aktive e të frytshme të besimtarëve në Flinë e shenjtë të altarit. Pastaj, në shumë vende adhurimi i të Shenjtërueshmit Sakrament gjen hapësirë të gjerë të përditshme dhe bëhet burim i pashtershëm shenjtërie. Pjesëmarrja e devotshme e besimtarëve në procesionin eukaristik të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit është një hir i Zotit që çdo vit i mbush me gëzim ata që marrin pjesë në të. Mund të përmenden edhe shenja të tjera pozitive feje e dashurie eukaristike.

Mjerisht, pranë këtyre dritave, nuk mungojnë edhe errësirat. Në të vërtetë, ka vende ku vërehet një braktisje pak a shumë e plotë e kultit të adhurimit eukaristik. Në një kontekst kishtar apo në një tjetër shtohen edhe abuzimet që ndihmojnë në errësimin e fesë së drejtë dhe të doktrinës katolike mbi këtë Sakrament të mrekullueshëm. Shfaqet nganjëherë një kuptim shumë i reduktuar i Misterit eukaristik. Nëse zhvishet prej vlerës së tij si fli, jetohet sikur të mos e tejkalonte kuptimin dhe vlerën e një takimi vëllazëror në tryezë. Veç kësaj, nevoja e meshtarisë mbarështimore, që mbështetet në trashëgiminë apostolike, nganjëherë mbetet e fshehur dhe sakramentaliteti i Eukaristisë kufizohet vetëm në frytshmërinë e shpalljes. Për këtë arsye, andej këndej, lindin nisma ekumenike që, megjithëse zemërgjera në qëllimet, lejojnë praktika eukaristike që janë në kundërshtim me disiplinën në të cilën Kisha shpreh fenë e vet. Si të mos shfaqim një dhimbje të thellë për gjithë këtë? Eukaristia është një dhuratë tepër e madhe për të duruar paqartësi e zvogëlime.

Shpresoj që kjo Letër enciklike e imja të mund të ndihmojë në mënyrë të frytshme që të shpërndahen hijet e doktrinave dhe praktikave të papranueshme, me qëllim që Eukaristia të vazhdojë të ndrisë me të gjithë shkëlqimin e misterit të vet.

  

kapitulli i parë

MISTERI I FESË

 

 11. «Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej» (1 Kor 11, 23), themeloi Flinë eukaristike të trupit e të gjakut të vet. Fjalët e Palit apostull na çojnë në rrethanën dramatike në të cilën lindi Eukaristia. Ajo përmban në vete në mënyrë të pashlyeshme ngjarjen e mundimeve dhe të vdekjes së Zotit. Nuk është vetëm përkujtimi i tyre, por edhe ri-paraqitja sakramentale e tyre. Është flija e Kryqit që përjetësohet në shekuj9. Këtë të vërtetë e shprehin mirë fjalët me të cilat populli, në ritin latin, i përgjigjet shpalljes së «misterit të fesë» të bërë prej meshtarit: «Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot!».

Kisha e ka marrë Eukaristinë prej Krishtit, Zotit të vet jo si një dhuratë, sado e çmuar mes shumë të tjerash, por si dhurata më e madhe, sepse është dhurim i vetvetes, i personit të tij në njerëzimin e tij të shenjtë, si edhe e veprës së tij të shëlbimit. Kjo nuk mbetet e kufizuar në të kaluarën, kështu që «gjithçka që Krishti është, gjithçka që ka bërë e vuajtur për të gjithë njerëzit, merr pjesë në amshimin hyjnor dhe prandaj i përqafon të gjitha kohët»10.

Kur Kisha kremton Eukaristinë, përkujtimin e vdekjes e të ngjalljes së Zotit të vet, kjo ngjarje qendrore e shëlbimit bëhet realisht e pranishme dhe «kryhet vepra e shpërblimit tonë»11. Kjo fli është aq vendimtare për shëlbimin e gjinisë njerëzore sa Jezu Krishti e ka kryer dhe është kthyer te Ati vetëm pasi na ka lënë mjetin për të marrë pjesë në të, sikur të kishim qenë të pranishëm. Kështu çdo besimtar mund të marrë pjesë në të dhe mund të marrë frytet e saj në mënyrë të pashtershme. Kjo është feja me të cilën brezat e krishterë kanë jetuar gjatë shekujve. Këtë fe Magjisteri i Kishës e ka theksuar vazhdimisht me mirënjohje të hareshme për dhuratën e paçmueshme12. Dëshiroj ta kujtoj edhe një herë këtë të vërtetë, duke u vënë së bashku me ju, shumë të dashur vëllezër e motra, në adhurim para këtij Misteri: Mister i madh, Mister mëshire. Çfarë mund të bënte Jezusi më shumë për ne? Vërtet, në Eukaristi na tregon një dashuri që shkon deri «në pikën e fundit» (krh. Gjn 13, 1), një dashuri që nuk njeh masë.

 12.    Ky aspekt i dashurisë së gjithmbarshme të Sakramentit eukaristik bazohet në vetë fjalët e Shëlbuesit. Duke e themeluar, ai nuk u kufizua duke thënë «Ky është korpi im», «ky është gjaku im», por shton edhe «i flijuar për ju… i derdhur për ju» (Lk 22, 19-20). Nuk pohoi vetëm se ajo që u jepte atyre për të ngrënë e për të pirë ishte korpi i tij e gjaku i tij, por shprehu edhe vlerën flijuese, duke e bërë të pranishme në mënyrë sakramentale flinë e vet, që do të kryhej në Kryq disa orë më vonë për shëlbimin e të gjithëve. «Mesha është njëkohësisht dhe në mënyrë të pandashme përkujtimi i flisë në të cilën përjetësohet flija e Kryqit dhe sofra e shenjtë e bashkimit me trupin e me gjakun e Zotit»13.

Kisha jeton vazhdimisht prej flisë shpërblyese, dhe asaj i afrohet jo vetëm nëpërmjet një kujtimi plot fe, por edhe në një kontakt aktual, pasi kjo fli rikthehet e pranishme, duke u përjetësuar sakramentalisht në çdo bashkësi që e ofron nëpërmjet duarve të mbarështuesit të shuguruar. Në këtë mënyrë Eukaristia u jep njerëzve të sotëm pajtimin e fituar një herë e përgjithmonë prej Krishtit për njerëzimin e çdo kohe. Në të vërtetë, «flija e Krishtit dhe flija e Eukaristisë janë një fli e vetme»14. Këtë e thoshte në mënyrë të kuptueshme edhe shën Gjon Gojarti: «Ne kushtojmë gjithmonë të njëjtin Qengj, dhe jo sot një e nesër një tjetër, por gjithmonë të njëjtin. Prandaj flija është gjithmonë një e vetme. […] Edhe tani ne kushtojmë atë fli, që atëherë qe flijuar dhe që kurrë nuk do të konsumohet»15.

Mesha e bën të pranishme flinë e Kryqit, nuk i shtohet asaj dhe nuk e shumon atë16. Ai që përsëritet është kremtimi përkujtimor, «paraqitja përkujtimore» (memorialis demonstratio)17 e saj, prandaj flija e vetme dhe përfundimtare e Krishtit bëhet gjithmonë aktuale në kohë. Prandaj, natyra flijuese e Misterit eukaristik, nuk mund të kuptohet si diçka në vetvete, e pavarur prej Kryqit apo me një referim vetëm të tërthortë në flinë e Kalvarit.

 13.             Me anë të marrëdhënies së saj të ngushtë me flinë e Golgotës, Eukaristia është fli në kuptimin përkatës, dhe jo vetëm në kuptimin e përgjithshëm, sikur të bëhej fjalë thjesht për dhurimin e Krishtit si fli shpirtërore për besimtarët. Në të vërtetë, dhurata e dashurisë së tij dhe e dëgjesës së tij deri në fund të jetës (krh. Gjn 10, 17-18) është në radhë të parë një dhuratë drejtuar Atit të vet. Sigurisht, është dhuratë në dobinë tonë, madje të të gjithë njerëzimit (krh. Mt 26, 28; Mk 14, 24; Lk 22, 20; Gjn 10, 15), por dhuratë para së gjithash drejtuar Atit: «fli të cilën Ati e pranoi, duke e shpërblyer këtë dhurim të plotë të Birit të vet, që u bë “i dëgjueshëm deri në vdekje” (Fil 2, 8), me dhurimin e vet atëror, domethënë me dhuratën e jetës së re të pavdekshme në ngjallje»18.

Duke i dhuruar Kishës flinë e vet, Krishti gjithashtu ka dashur ta bëjë të vetën flinë shpirtërore të Kishës, e thirrur për të ofruar, së bashku me flinë e Krishtit, edhe vetveten. Këtë na e mëson, për sa u përket të gjithë besimtarëve, Koncili i II-të i Vatikanit: «Duke marrë pjesë në Flinë eukaristike, burimin dhe kulmin e gjithë jetës së krishterë, i ofrojnë Hyjit Flinë hyjnore dhe vetveten bashkë me të»19.

 14. Pashkët e Krishtit përfshijnë, së bashku me mundimet e vdekjen, edhe ngjalljen e tij. Këtë e kujton thirrja e popullit pas shugurimit: «Shpallim ngjalljen tënde». Në të vërtetë, Flija eukaristike e bën të pranishëm jo vetëm misterin e mundimeve e të vdekjes së Shëlbuesit, por edhe misterin e ngjalljes, në të cilin flija gjen kurorëzimin e vet. Si i gjallë e i ngjallur Krishti mund të bëhet në Eukaristi «bukë e jetës» (Gjn 6, 35.48), «bukë e gjallë» (Gjn 6, 51). Shën Ambrozi ua kujtonte këtë fillestarëve në fe, si zbatim në jetën e tyre të ngjarjes së ngjalljes: «Nëse sot Krishti është i yti, ai ngjallet për ty çdo ditë»20. Shën Cirili i Aleksandrisë, nga ana e tij, theksonte se pjesëmarrja në Misteret e shenjta «është një dëshmim i vërtetë dhe përkujtimi se Zoti ka vdekur dhe është kthyer në jetë për ne dhe në dobinë tonë»21.

 15. Riparaqitja sakramentale në Meshën e Shenjtë e flisë së Krishtit të kryqëzuar prej ngjalljes së tij përfshin një prani shumë të veçantë që – për të përdorur fjalët e Palit VI - «quhet “reale” jo në mënyrë përjashtuese, a thua se të tjerat nuk janë “reale”, por për antonomazi sepse është substanciale, dhe me anë të saj Krishti, Njeriu-Hyj, i tëri bëhet i pranishëm»22. Kështu ripropozohet doktrina gjithmonë e vlefshme e Koncilit të Trentit: «Me shugurimin e bukës e të verës bëhet shndërrimi i të gjithë substancës së bukës në substancën e Korpit të Krishtit, Zotit tonë, dhe i të gjithë substancës së verës në substancën e Gjakut të tij. Ky shndërrim në mënyrë të përshtatshme quhet prej Kishës së shenjtë katolike transubstanciacion»23. Vërtet Eukaristia është mysterium fidei, mister që gjendet mbi mendimet tona, dhe mund të pranohet vetëm në fe, sikurse shpesh kujtojnë katekezat patristike mbi këtë Sakrament hyjnor. «Mos shiko – nxit shën Cirili i Jeruzalemit – në bukën dhe në verën, elemente të thjeshta e natyrore, sepse Zoti ka thënë shprehimisht se janë korpi i tij e gjaku i tij: feja ta siguron këtë, megjithëse shqisat të sugjerojnë diçka tjetër»24.

«Adoro te devote, latens Deitas», do të vazhdojmë të këndojmë me Doktorin Engjëllor. Para këtij misteri dashurie, arsyeja njerëzore provon gjithë kufizimin e vet. Kuptohet se si, gjatë shekujve, kjo e vërtetë e ka nxitur teologjinë në përpjekje të guximshme për kuptim.

Janë përpjekje të lavdërueshme, aq më të dobishme e depërtuese sa më të afta që ta bashkojnë ushtrimin kritik të mendimit me «jetën e fesë» së Kishës, të marrë veçanërisht në «karizmën e sigurt të së vërtetës» së Magjisterit dhe «në inteligjencën intime të gjërave shpirtërore»25 që arrijnë sidomos Shenjtërit. Mbetet kufiri i treguar prej Palit VI: «Çdo shpjegim teologjik, që përpiqet të depërtojë në ndonjë mënyrë në këtë mister, për të qenë në harmoni me fenë katolike duhet ta mbajë të patundur faktin se në realitetin objektiv, pavarësisht prej shpirtit tonë, buka e vera kanë reshtur së ekzistuari pas shugurimit, kështu, që prej atij momenti janë korpi e gjaku i adhurueshëm i Zotit Jezus ata që janë realisht para nesh nën dukjen sakramentale të bukës e të verës»26.

 16. Frytshmëria shëlbimprurëse e flisë realizohet në plotësi kur na komunikohet duke marrë korpin e gjakun e Zotit. Flija eukaristike është në vetvete e orientuar nga bashkimi i brendshëm i ne besimtarëve me Krishtin nëpërmjet kungimit: marrim vetë Atë që është flijuar për ne, korpin e tij që Ai e ka dorëzuar për ne në Kryq, gjakun e tij që e ka «derdhur për të gjithë në shpërblim të mëkateve» (Mt 26, 28). T’i kujtojmë fjalët e tij: «Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua» (Gjn 6, 57). Vetë Jezusi na siguron se një bashkim i tillë, i pohuar prej Tij në analogji me atë të jetës trinitare, realizohet vërtet. Eukaristia është sofra e vërtetë, në të cilën Krishti dhurohet si ushqim. Kur, për herë të parë, Jezusi e shpall këtë ushqim, dëgjuesit mbeten të habitur e të çorientuar, duke e detyruar Mësuesin të theksojë të vërtetën objektive të fjalëve të tij: «Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete» (Gjn 6, 53). Nuk bëhet fjalë për një ushqim metaforik: «Korpi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë» (Gjn 6, 55).

 17. Nëpërmjet kungimit me korpin e tij e me gjakun e tij, Krishti na komunikon edhe Shpirtin e tij. Shën Efremi shkruan: «E quajti bukën korpin e tij të gjallë, e mbushi me vetvete dhe me Shpirtin e vet. […] Merrni, hani të gjithë, dhe hani me të Shpirtin Shenjt. Në të vërtetë, është vërtet korpi im dhe ai që e ha do të jetojë në amshim»27. Kisha e kërkon këtë Dhuratë hyjnore, rrënjë të çdo dhurate tjetër, në epiklezën eukaristike. Për shembull, në Liturgjinë e Shenjtë të shën Gjon Gojartit lexohet: «Të thërrasim, të lutemi e të përgjërohemi: dërgoje Shpirtin Shenjt tëndin mbi ne të gjithë dhe mbi këto dhurata […] me qëllim që për ata që marrin pjesë në to të jenë pastrim i shpirtit, falje e mëkateve, komunikim i Shpirtit Shenjt»28. Dhe në Mesharin Romak kremtuesi lutet: «Bëj që ne, të cilët po ushqehemi me Korpin e me Gjakun e Birit tënd, të mbushur me Shpirtin Shenjt, të bëhemi në Krishtin një korp e një shpirt i vetëm»29. Kështu, me dhuratën e korpit të vet e të gjakut të vet, Krishti shton në ne dhuratën e Shpirtit të vet, të zbritur që në Pagëzim e të dhënë si “vulë” në sakramentin e Përforcimit. 

18. Thirrja që populli bën pas shugurimit me të drejtë përfundon duke shfaqur drejtimin eukaristik (krh. 1 Kor 11, 26): «presim ardhjen tënde». Eukaristia është prirje drejt qëllimit, parashijim i gëzimit të plotë të premtuar prej Krishtit (krh. Gjn 15, 11); në një farë kuptimi, ajo është paraprirje e Parajsës, «peng i lavdisë së ardhshme»30. Gjithçka në Eukaristi shpreh pritjen plot besim: «duke pritur shpresën e lume, ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit»31. Ai që ushqehet me Krishtin në Eukaristi nuk duhet të presë të përtejmen për të marrë jetën e amshuar: e ka atë që në tokë, si fryt i parë i plotësisë së ardhshme, që do t’i përkasë njeriut në tërësinë e tij. Në të vërtetë, në Eukarsti marrim edhe garancinë e ngjalljes së trupit në fund të botës: «Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit» (Gjn 6, 54). Kjo garanci e ngjalljes së ardhshme vjen prej faktit se trupi i Birit të njeriut, i dhënë si ushqim, është trupi i tij në gjendjen e lavdishme të të ngjallurit. Me Eukaristinë, mund të themi, përvetësohet “e fshehta” e ngjalljes. Prandaj me të drejtë shën Injaci i Antiokisë e përkufizonte bukën eukaristike si «ilaç pavdekësie, antihelm kundër vdekjes»32.

 19. Tendosja eskatologjike që ngjall Eukaristia shpreh dhe përforcon bashkimin me Kishën qiellore. Jo rastësisht në anaforat lindore dhe në lutjet eukaristike latine kujtohen me nderim Maria gjithmonë Virgjër, Nënë e Hyjit dhe e Zotit tonë Jezu Krishtit, engjëjt, apostujt e shenjtë, martirët e lavdishëm e të gjithë shenjtërit. Një aspekt i Eukaristisë që meriton të vihet në dukje është: ndërsa ne kremtojmë flinë e Qengjit, bashkohemi me liturgjinë qiellore, duke iu bashkangjitur asaj shumice të pafundme që thërret: «Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!» (Zb 7, 10). Eukaristia është vërtet e çara e qiellit që hapet mbi tokën. Ajo është një rreze lavdie e Jeruzalemit qiellor, që depërton në retë e historisë sonë dhe hedh dritë mbi ecjen tonë.

20. Pasojë domethënëse e tërheqjes eskatologjike të Eukaristisë është edhe fakti se ajo i jep shtytje ecjes sonë historike, duke vënë një farë shprese të gjallë në përkushtimin e përditshëm të secilit në detyrën e vet. Në të vërtetë, nëse vizioni i krishterë na bën të shohim «qiejt e ri» dhe «tokën e re» (krh. Zb 21, 1), kjo nuk e dobëson, por e nxit ndjenjën tonë të përgjegjësisë ndaj tokës së tashme33. Dëshiroj ta theksoj me forcë në fillim të mijëvjeçarit të ri, që të krishterët të ndihen më shumë se kurrë të angazhuar për të mos i lënë pas dore detyrat e qytetarisë së tyre tokësore. Është detyrë e tyre të ndihmojnë me dritën e Ungjillit në ndërtimin e një bote sipas masës së njeriut dhe që i përgjigjet plotësisht planit të Hyjit.

Të shumta janë problemet që e errësojnë horizontin e kohës sonë. Mjafton të mendojmë për ngutshmërinë për të punuar për paqen, për të vënë në marrëdhëniet mes popujve premisa të forta drejtësie e solidariteti, për të mbrojtur jetën njerëzore që prej ngjizjes deri në përfundimin e saj natyror. E çfarë të themi pastaj për njëmijë kundërshtitë e një bote «të globalizuar», ku më të dobëtit, më të vegjlit e më të varfërit duket se kanë pak për të shpresuar? Në këtë botë duhet të shkëlqejë shpresa e krishterë! Edhe për këtë arsye Zoti ka dashur të qëndrojë me ne në Eukaristi, duke vendosur në këtë prani të tij flijuese e bashkëngrënëse premtimin e një njerëzimi të përtërirë prej dashurisë së tij. Në mënyrë domethënëse, Ungjilli i Gjonit, aty ku Sinoptikët tregojnë themelimin e Eukaristisë, propozon, duke ilustruar kështu domethënien e tij të thellë, tregimin e «larjes së këmbëve», në të cilën Jezusi bëhet mësues bashkimi e shërbimi (krh. Gjn 13, 1-20). Nga ana e tij, Pali apostull e cilëson si «të padenjë» për një bashkësi të krishterë pjesëmarrjen në Darkën e Zotit, kur kjo ndodh në një kontekst ndarjeje e mospërfilljeje ndaj të varfërve (krh. 1 Kor 11, 17-22.27-34)34.

Shpallja e vdekjes së Zotit «deri që Ai të vijë» (1 Kor 11, 26), sjell me vete, për ata që marrin pjesë në Eukaristi, angazhimin për ta ndërruar jetën, që ajo, në një farë mënyre, të bëhet tërësisht «eukaristi». Pikërisht ky fryt shndërrimi të ekzistencës dhe angazhimi për ta ndërruar botën sipas Ungjillit, bëjnë që të shkëlqejë tendosja eskatologjike e Kremtimit eukaristik dhe e tërë jetës së krishterë: «Eja, o Zot, Jezus!» (Zb 22, 20).

 

 

kapitulli i dytë

EUKARISTIA NDËRTON KISHËN

 

21. Koncili i II-të i Vatikanit ka përkujtuar që Kremtimi eukaristik është në qendër të procesit të rritjes së Kishës. Në të vërtetë, pasi thotë se «Kisha, apo mbretëria e Krishtit tashmë e pranishme në mister, me fuqinë e Hyjit rritet dukshëm në botë»35, a thua se dëshiron t’i përgjigjet pyetjes: «Si rritet?», shton: «Sa herë që flija e Kryqit “me të cilën Krishti, qengji ynë i Pashkëve, është flijuar” (1 Kor 5, 7) kremtohet në altar, kryhet vepra e shpërblimit tonë. Dhe së bashku, me sakramentin e bukës eukaristike, paraqitet e prodhohet njësia e besimtarëve, që përbëjnë një trup të vetëm në Krishtin (krh. 1 Kor 10, 17)»36.

Ka një ndikim shkaktues të Eukaristisë, në vetë zanafillën e Kishës. Ungjilltarët saktësojnë se kanë qenë të Dymbëdhjetët, Apostujt, ata që janë bashkuar me Jezusin në Darkën e Fundit (krh. Mt 26, 20; Mk 14, 17; Lk 22, 14). Është një e veçantë me një rëndësi të madhe, sepse Apostujt «qenë njëkohësisht fara e Izraelit të ri dhe zanafilla e hierarkisë së shenjtë»37. Duke u dhënë atyre si ushqim trupin e vet dhe gjakun e vet, Krishti po i përfshinte në mënyrë misterioze në flinë që do të kryhej pak orë më pas në Kalvar. Në analogji me Besëlidhjen e Sinait, të vulosur prej flisë dhe prej stërpikjes me gjak38, gjestet dhe fjalët e Jezusit në Darkën e Fundit po hidhnin themelet e bashkësisë së re mesianike, Popullit të Besëlidhjes së re.

Apostujt, duke pranuar në Çenakull ftesën e Jezusit: «Merrni e hani… Pini të gjithë…» (Mt 26, 26-27), kanë hyrë, për herë të parë, në një bashkim sakramental me Të. Që prej atij momenti, deri në fund të shekujve, Kisha ndërtohet nëpërmjet bashkimit sakramental me Birin e Hyjit të flijuar për ne: «Bëjeni këtë në përkujtimin tim… Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!» (1 Kor 11, 24-25; krh. Lk 22, 19).

 22. Bashkimi me Krishtin, i realizuar nëpërmjet Pagëzimit, përtërihet e përforcohet vazhdimisht me pjesëmarrjen në Flinë eukaristike, sidomos me pjesëmarrjen e plotë në të që arrihet në kungimin sakramental. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh merr Krishtin, por se edhe Krishti merr secilin prej nesh. Ai e lidh miqësinë e vet me ne: «Ju jeni miqtë e mi» (Gjn 15, 14). Madje, ne jetojmë falë Tij: «ai që ha mua do të jetojë për mua» (Gjn 6, 57). Në kungimin eukaristik realizohet në mënyrë sublime «banimi» i njërit në tjetrin, i Krishtit dhe i nxënësit: «Banoni në mua sikurse edhe unë në ju» (Gjn 15, 4)

Duke u bashkuar me Krishtin, Populli i Besëlidhjes së re, pa u mbyllur në vetvete, bëhet “sakrament” për njerëzimin39, shenjë dhe mjet i shëlbimit të bërë prej Krishtit, dritë e botës e kripë e tokës (krh. Mt 5, 13-16) për shpërblimin e të gjithëve40. Misioni i Kishës është në vazhdimësi me atë të Krishtit: «Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju» (Gjn 20, 21). Prandaj prej përjetësimit në Eukaristi të flisë së Kryqit dhe prej kungimit me trupin e me gjakun e Krishtit, Kisha merr forcën e nevojshme shpirtërore për të kryer misionin e vet. Kështu Eukaristia vendoset si burim dhe njëkohësisht edhe si kulm i të gjithë ungjillëzimit, pasi qëllimi i saj është bashkimi i njerëzve me Krishtin dhe në Të me Atin e me Shpirtin Shenjt41.

 23. Me kungimin eukaristik Kisha është njëlloj e përforcuar në njësinë e vet si trup i Krishtit. Shën Pali i referohet kësaj frytshmërie njësuese të pjesëmarrjes në sofrën eukaristike kur u shkruan korintianëve: «Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke» (1 Kor 10, 16-17). I përpiktë dhe i thellë është komenti i shën Gjon Gojartit: «Çfarë është në të vërtetë buka? Është trupi i Krishtit. Çfarë bëhen ata që e marrin? Korp i Krishtit; por jo shumë trupa, por një trup i vetëm. Në të vërtetë, sikurse buka është krejt një, megjithëse është e përbërë prej shumë kokrrash gruri, edhe ata, megjithëse duke mos e parë veten, sidoqoftë gjenden në të, kështu që ndryshimi i tyre zhduket për arsye të bashkimit të tyre të ndërsjellë e të përsosur; në të njëjtën mënyrë edhe ne jemi të bashkuar në mënyrë të ndërsjellë mes nesh dhe të gjithë së bashku me Krishtin»42. Argumenti është bindës: bashkimi ynë me Krishtin, që është dhuratë e hir për secilin, bën që në Të të jemi të bashkuar edhe me njësinë e trupit të tij që është Kisha. Eukaristia përforcon bashkimin me Krishtin, të bërë në Pagëzim me anë të dhuratës së Shpirtit (krh. 1 Kor 12, 13.27).

Veprimi i përbashkët dhe i pandashëm i Birit dhe i Shpirtit Shenjt, që është në origjinë të Kishës, të ndërtimit të saj dhe të vazhdueshmërisë së saj, është aktiv në Eukaristi. Për këtë është shumë i vetëdijshëm Autori i Liturgjisë së shën Jakobit: në epiklezën e anaforës i bëhet lutje Hyjit Atë që të dërgojë Shpirtin Shenjt mbi besimtarët dhe mbi dhuratat, që trupi e gjaku i Krishtit «t’u shërbejnë të gjithë atyre që marrin pjesë në ta (…) për shenjtërimin e shpirtrave dhe të trupave»43. Kisha përforcohet prej Paraklitit hyjnor nëpërmjet shugurimit eukaristik të besimtarëve.

 24. Dhurata e Krishtit dhe e Shpirtit të tij, që marrim në kungimin eukaristik, plotëson me një plotësi të begatshme dëshirat për bashkim vëllazëror që gjenden në zemrën njerëzore, dhe njëkohësisht e lartëson përvojën e vëllazërisë të bërë në pjesëmarrjen e përbashkët në të njëjtën sofër eukaristike në nivele që vendosen mbi atë të përvojës së thjeshtë të bashkëngrënies njerëzore. Nëpërmjet kungimit me trupin e Krishtit Kisha arrin gjithnjë e më thellësisht të qenët e saj «në Krishtin si sakrament, domethënë shenjë e mjet i bashkimit të brendshëm me Hyjin dhe i njësisë së të gjithë gjinisë njerëzore»44.

Farërave të përçarjes mes njerëzve, që përvoja e përditshme tregon se janë shumë të rrënjosura në njerëzim për shkak të mëkatit, u kundërvihet forca lindëse e njësisë së trupit të Krishtit. Eukaristia, duke ndërtuar Kishën, pikërisht për këtë arsye krijon bashkësi mes njerëzve.

 25. Kulti ndaj Eukaristisë jashtë Meshës ka një vlerë të paçmuar në jetën e Kishës. Ky kult është i lidhur ngusht me kremtimin e Flisë eukaristike. Prania e Krishtit nën dukjet e shenjta që ruhen pas Meshës – prani që vazhdon deri sa ekzistojnë dukjet e bukës e të verës45 - rrjedh prej kremtimit të Flisë dhe zgjatet deri në kungimin sakramental e shpirtëror46. U përket Barinjve ta nxisin, edhe me dëshminë personale, kultin eukaristik, veçanërisht paraqitjet e Të Shenjtërueshmit Sakrament, si edhe ndaljen adhuruese para Krishtit të pranishëm nën dukjet eukaristike47.

Është bukur të ndalemi me Të dhe, të përkulur mbi kraharorin e tij sikurse nxënësi i dashur (krh. Gjn 13, 25), të prekemi prej dashurisë së pafundme të zemrës së tij. Nëse krishtërimi duhet të dallohet, në kohën tonë, sidomos prej «artit të lutjes»48, si të mos e ndiejmë një nevojë të përtërirë për të ndenjur gjatë, në bisedë shpirtërore, në adhurim të heshtur, në qëndrim dashurie, para Krishtit të pranishëm në Të Shenjtërueshmin Sakrament? Sa herë, vëllezërit e motrat e mia të dashura, e kam bërë këtë përvojë, kam marrë prej saj forcë, ngushëllim, mbështetje!

Për këtë praktikë vazhdimisht të lavdëruar dhe të porositur prej Magjisterit49, Shenjtër të shumtë na japin shembullin e tyre. Në mënyrë të veçantë, u dallua në këtë shën Alfons Maria de Liguori, që shkruante: «Adhurimi i të Shenjtërueshmit Sakrament është devocioni më i dashur Hyjit dhe më i dobishmi për ne pas shtatë Sakramenteve»50. Eukaristia është një thesar i paçmuar: jo vetëm kremtimi i saj, por edhe qëndrimi para saj jashtë Meshës lejon që të marrim prej vetë burimit të hirit. Një bashkësi e krishterë që dëshiron të jetë më e aftë për ta soditur fytyrën e Krishtit, në shpirtin që kam sugjeruar në Letrat apostolike Novo millennio ineunte dhe Rosarium Virginis Mariae, nuk mund të mos zhvillojë edhe këtë aspekt të kultit eukaristik, në të cilin zgjasin në kohë dhe shumohen frytet e kungimit me trupin e gjakun e Zotit.

  

kapitulli i tretë

APOSTOLICITETI I EUKARISTISË DHE I KISHËS

  

 26. Nëse, siç kam përkujtuar më lart, Eukaristia ndërton Kishën dhe Kisha bën Eukaristinë, prej kësaj rrjedh se lidhja mes njërës e tjetrës është shumë e ngushtë. Kjo është aq e vërtetë sa na lejon të përdorim për Misterin eukaristik atë që themi për Kishën kur, në Simbolin niceo-konstantinopolitan, e dëshmojmë si «një e vetme, e shenjtë, katolike dhe apostolike». Një e vetme dhe katolike është edhe Eukaristia. Ajo është edhe e shenjtë, madje është i Shenjtërueshmi Sakrament. Por tani duam t’ia drejtojmë vëmendjen tonë sidomos apostolicitetit të saj.

 27. Katekizmi i Kishës Katolike, duke shpjeguar se si Kisha është apostolike, apo e themeluar mbi Apostujt, tregon një kuptim të trefishtë të kësaj shprehjeje. Nga njëra anë, «ajo ka qenë dhe mbetet e ndërtuar mbi “themelin e Apostujve” (Ef 2, 20), dëshmitarët e zgjedhur e të dërguar në mision, prej vetë Krishtit»51. Edhe në themelin e Eukaristisë janë Apostujt, jo sepse Sakramenti nuk i përket vetë Krishtit, por sepse ai u është besuar Apostujve prej Jezusit dhe është përçuar prej tyre e prej pasardhësve të tyre deri te ne. Pikërisht në vazhdimësi me veprën e Apostujve, të dëgjueshëm ndaj urdhrit të Zotërisë, Kisha e kremton Eukaristinë gjatë shekujve.

Kuptimi i dytë, i treguar prej Katekizmit, i apostolicitetit të Kishës, është se ajo «ruan dhe përçon, me ndihmën e Shpirtit që banon në të, mësimin, visarin e fjalët e mira të dëgjuara prej Apostujve»52. Edhe në këtë kuptim të dytë Eukaristia është apostolike, sepse kremtohet në përputhje me fenë e Apostujve. Magjisteri kishtar në raste të ndryshme, në historinë dymijëvjeçare të Popullit të Besëlidhjes së re, ka saktësuar doktrinën eukaristike, edhe për sa i përket terminologjisë së saktë, pikërisht për të mbikëqyrur fenë apostolike në këtë Mister tejet të lartë. Kjo fe mbetet e pandryshuar dhe është thelbësore për Kishën që të mbetet e tillë.

 28. Së fundi, Kisha është apostolike në kuptimin se, «deri në rikthimin e Krishtit, vazhdon të mësohet, shenjtërohet e udhëhiqet prej Apostujve falë pasardhësve të tyre në misionin baritor: kolegji i Ipeshkvinjve, “i ndihmuar prej meshtarëve dhe në bashkim me pasardhësin e Pjetrit e bariun më të lartë të Kishës”»53. Pasardhësia e Apostujve në misionin baritor përfshin në vete patjetër sakramentin e Urdhrit, apo serinë e pandërprerë, që ka nisur që prej fillimeve, të Shugurimeve ipeshkvore të vlefshme»54. Kjo pasardhësi është thelbësore që Kisha të ekzistojë në kuptimin e vet të plotë.

Eukaristia shpreh edhe këtë kuptim të apostolicitetit. Në të vërtetë, siç mëson Koncili i II-të i Vatikanit, «besimtarët, me fuqinë e meshtarisë së tyre mbretërore, bashkohen në kushtimin e Eukaristisë»55, por është meshtari shërbestar ai që «kryen Flinë eukaristike në personin e Krishtit dhe ia dhuron Hyjit në emër të të gjithë popullit»56. Prandaj në Mesharin Romak është caktuar që vetëm meshtari duhet ta thotë lutjen eukaristike, ndërsa populli bashkohet me të me fe e në heshtje57.

 29. Shprehja e përdorur vazhdimisht prej Koncilit II të Vatikanit, sipas së cilës «meshtari mbarështues kryen Flinë eukaristike në personin e Krishtit»58, ishte e rrënjosur mirë në mësimin papnor59. Siç kam mundur të sqaroj edhe në një rast tjetër, in persona Christi «do të thotë më shumë se “në emër”, apo “në rolin” e Krishtit. In persona: domethënë në identifikimin specifik sakramental me Kryemeshtarin e amshuar, që është autori dhe subjekti kryesor i këtij flijimi të tij, në të cilin, në të vërtetë, nuk mund të zëvendësohet prej askujt»60. Shërbesa e meshtarëve që kanë marrë sakramentin e Urdhrit, në ekonominë e shëlbimit të zgjedhur prej Krishtit, tregon se Eukaristia, e kremtuar prej tyre, është një dhuratë që e kapërcen rrënjësisht pushtetin e asamblesë dhe është e pazëvendësueshme për ta lidhur në mënyrë të vlefshme shugurimin eukaristik me flinë e Kryqit dhe me Darkën e Fundit.

Asamblea që mblidhet për kremtimin e Eukaristisë ka absolutisht nevojë për një meshtar të shuguruar i cili e drejton që të mund të jetë vërtet asamble eukaristike. Nga ana tjetër, bashkësia nuk është në gjendje t’ia japë vetes mbarështuesin e shuguruar. Ky është një dhuratë që ajo e merr nëpërmjet pasardhësisë ipeshkvore që vjen prej Apostujve. Ipeshkvi është ai që, nëpërmjet sakramentit të Urdhrit, shuguron një presbiter të ri duke i dhënë pushtetin për të shuguruar Eukaristinë. Prandaj «Misteri eukaristik nuk mund të kremtohet në asnjë bashkësi përveçse nga një meshtar i shuguruar siç ka mësuar shprehimisht Koncili IV i Lateranit»61.

 30. Qoftë kjo doktrinë e Kishës katolike mbi shërbesën meshtarake në marrëdhënie me Eukaristinë, qoftë ajo mbi Flinë eukaristike, në dhjetëvjeçarët e fundit, kanë qenë objekt i dialogut të frytshëm në fushën e veprimit ekumenik. Duhet të falënderojmë Trininë Shenjte sepse në lidhje me këtë janë arritur përparime domethënëse e afrime që na bëjnë të shpresojmë në një të ardhme bashkëndarjeje të plotë të fesë. Mbetet ende plotësisht e përshtatshme vërejtja e bërë prej Koncilit rreth Bashkësive kishtare të lindura në Perëndim prej shekullit XVI e më pas dhe të ndara prej Kishës katolike: «Bashkësitë kishtare të ndara prej nesh, megjithëse mungon njësia e plotë e tyre me ne që rrjedh prej Pagëzimit dhe megjithëse besojmë se ato, veçanërisht për shkak të mungesës së sakramentit të Urdhrit, nuk e kanë ruajtur thelbin origjinal e të paprekur të Misterit eukaristik, sidoqoftë, ndërsa në Darkën e Shenjtë përkujtojnë vdekjen dhe ngjalljen e Zotit, dëshmojnë se në bashkim me Krishtin shprehet jeta dhe presin ardhjen e tij të lavdishme»62.

Prandaj, besimtarët katolikë, megjithëse duke respektuar bindjet fetare të këtyre vëllezërve tanë të ndarë, duhet të mos marrin pjesë në kungimin e ndarë në kremtimet e tyre, për të mos ngjallur një dyshim mbi natyrën e Eukaristisë dhe, si pasojë të mos i qëndrojnë detyrës së dëshmimit të së vërtetës me qartësi. Kjo do të bënte që të vonohej ecja drejt njësisë së plotë të dukshme. Po ashtu, nuk mund të mendohet që të zëvendësohet Mesha e Shenjtë e së dielës me kremtime ekumenike të Fjalës apo me takime lutjeje të përbashkëta me të krishterët që u përkasin Bashkësive të lartpërmendura kishtare apo me pjesëmarrjen në shërbimin e tyre liturgjik. Këto kremtime dhe takime, të lavdërueshme në vetvete, në rrethanat e përshtatshme përgatisin për bashkimin e plotë dhe të dëshiruar eukaristik, por nuk mund ta zëvendësojnë atë.

Pastaj, fakti se pushteti për të shuguruar Eukaristinë u është besuar vetëm Ipeshkvinjve dhe presbitërve nuk përbën asnjë kufizim për pjesën tjetër të Popullit të Zotit, meqenëse, në bashkim me të vetmin trup të Krishtit që është Kisha, kjo dhuratë është për dobinë e të gjithëve.

 31. Nëse Eukaristia është qendra dhe kulmi i jetës së Kishës, njëlloj është e tillë edhe për shërbesën meshtarake. Prandaj, me shpirt mirënjohës ndaj Jezu Krishtit Zotit tonë, përsëris se Eukaristia «është arsyeja kryesore dhe qendrore e të ekzistuarit të Sakramentit të meshtarisë, i lindur efektivisht në momentin e themelimit të Eukaristisë dhe së bashku me të»63.

Veprimtaritë baritore të presbiterit janë të shumëfishta. Pastaj, nëse mendojmë për kushtet shoqërore e kulturore të botës aktuale, është e lehtë të kuptojmë se sa rëndon mbi presbiterët rreziku i humbjes në një numër të madh detyrash të ndryshme. Koncili i II-të i Vatikanit ka treguar në dashurinë baritore lidhjen që i jep njësi jetës së tyre dhe veprimtarive të tyre. Ajo – shton Koncili - «buron sidomos prej Flisë eukaristike, e cila del se është pra qendra dhe rrënja e gjithë jetës së presbiterit»64. Kështu kuptohet se sa e rëndësishme është për jetën shpirtërore të meshtarit, përveçse edhe për të mirën e Kishës e të botës, që ai të zbatojë porosinë konciliare për ta kremtuar çdo ditë Eukaristinë, «e cila është gjithmonë një akt i Krishtit dhe i Kishës së tij, edhe kur nuk është e mundur që në të të marrin pjesë besimtarët»65. Në këtë mënyrë meshtari është në gjendje ta mposhtë çdo tërheqje humbëse në ditët e veta, duke gjetur në Flinë eukaristike, qendrën e vërtetë të jetës së tij dhe të shërbesës së tij, energjinë shpirtërore të nevojshme për të përballuar detyrat e ndryshme baritore. Kështu ditët e tij do të bëhen vërtet eukaristike.

Prej qendërsisë*) së Eukaristisë në jetën dhe në shërbesën e meshtarëve rrjedh edhe qendërsia e saj në baritore në dobi të thirrjeve meshtarake. Para së gjithash sepse lutja për thirrjet aty gjen vendin e bashkimit më të madh në lutjen e Krishtit Kryemeshtar i amshuar; por edhe sepse kujdesi aktiv i shërbesës eukaristike nga ana e meshtarëve, i bashkuar me nxitjen e pjesëmarrjes së vetëdijshme, aktive e të frytshme të besimtarëve në Eukaristi, përbën një shembull të mirë dhe një nxitje për përgjigjen

zemërgjerë të të rinjve ndaj thirrjes së Hyjit. Ai shpesh shërbehet me shembullin e dashurisë së zellshme baritore të një meshtari për të mbjellur e zhvilluar në zemrën e të riut farën e thirrjes në meshtari.

 32. Gjithë kjo tregon se sa e dhimbshme dhe jashtë normales është situata e një bashkësie të krishterë që, megjithëse duke u paraqitur për nga numri dhe larmia e besimtarëve si famulli, nuk ka një meshtar që ta udhëheqë. Në të vërtetë, famullia është një bashkësi të pagëzuarish që shprehin dhe pohojnë identitetin e tyre sidomos nëpërmjet kremtimit të Flisë eukaristike. Por kjo kërkon praninë e një presbiteri, i vetmi të cilit i përket ta ofrojë Eukaristinë in persona Christi. Kur bashkësia nuk ka meshtar, me të drejtë bëhen përpjekje për ta ndrequr këtë në një farë mënyre, me qëllim që të vazhdojnë kremtimet e të dielave, dhe rregulltarët e shekullarët që i udhëheqin vëllezërit e tyre e motrat e tyre, në lutje ushtrojnë në mënyrë të lavdërueshme meshtarinë e përbashkët të të gjithë besimtarëve, e bazuar në hirin e Pagëzimit. Por këto zgjidhje duhet të mbahen vetëm si të përkohshme, ndërsa bashkësia është në pritje të një meshtari.

Paplotësia sakramentale e këtyre kremtimeve duhet para së gjithash ta shtyjë gjithë bashkësinë që të lutet me zjarr më të madh, që Zoti të dërgojë punëtorë në të korrat e veta (krh. Mt 9, 38); dhe pastaj duhet ta nxisë të zbatojë të gjithë ata elementë të tjerë përbërës të një baritoreje të përshtatshme të thirrjeve, pa rënë në tundimin e kërkimit të zgjidhjeve nëpërmjet dobësimit të cilësive morale e formuese të kërkuara kandidatëve për meshtari.

 33. Kur, për mungesë të meshtarëve, besimtarëve jo të shuguruar u është besuar një pjesëmarrje në punën baritore të një famullie, ata duhet të kenë parasysh se, siç mëson Koncili i II-të i Vatikanit, «nuk është e mundur që të formohet një bashkësi e krishterë përveçse duke pasur si rrënjë e si bosht kremtimin e Eukaristisë së shenjtë»66. Prandaj do të jetë detyrë e tyre të mbajnë të gjallë në bashkësi një “uri” të vërtetë për Eukaristinë, që i bën besimtarët të mos humbin asnjë rast për të pasur kremtimin e Meshës, duke përfituar edhe prej pranisë së rastësishme të një meshtari jo të penguar prej së drejtës së Kishës për ta kremtuar atë.

 

kapitulli i katërt

 

EUKARISTIA DHE BASHKIMI KISHTAR 

34. Asamblea e jashtëzakonshme e Sinodit të Ipeshkvinjve, në 1985, identifikoi në «ekleziologjinë e kungimit» idenë qendrore e themelore të dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit67. Kisha, ndërsa është shtegtare këtu në tokë, është e thirrur ta mbajë dhe ta nxisë qoftë bashkimin me Hyjin Trini qoftë bashkimin mes besimtarëve. Për këtë qëllim ajo ka Fjalën dhe Sakramentet, sidomos Eukaristinë, prej së cilës ajo «vazhdimisht jeton e rritet»68 dhe në të cilën njëkohësisht shpreh vetveten. Jo rastësisht fjala kungim - (communio*)  është bërë njëri prej emrave specifikë të këtij Sakramenti.

Pra, Eukaristia shfaqet si kulmi i të gjitha Sakramenteve duke çuar në përsosmëri bashkimin me Hyjin Atë nëpërmjet identifikimit me Birin e Njëlindur nëpërmjet Shpirtit Shenjt. Me mendjemprehtësi feje e shprehte këtë të vërtetë një shkrimtar i njohur i traditës bizantine: në Eukaristi, «më mirë se në asnjë sakrament tjetër, misteri [i kungimit] është kaq i përsosur sa të çon në kulmin e të gjitha të mirave: këtu është kufiri i fundit i çdo dëshire njerëzore, sepse këtu arrijmë Hyjin dhe Hyji bashkohet me ne me bashkimin më të përsosur»69. Pikërisht për këtë është mirë të kultivohet në shpirt dëshira e qëndrueshme për Sakramentin eukaristik. Prej këtu ka rrjedhur praktika e «kungimit shpirtëror», i përdorur prej shekujsh në Kishë dhe i porositur prej Mësuesve të shenjtë të jetës shpirtërore. Shenjtja Tereza e Jezusit shkruante: «Kur nuk kungoheni e nuk merrni pjesë në meshë, mund të kungoheni shpirtërisht, gjë e cila është shumë e dobishme… Kështu në ju ngulitet shumë prej dashurisë së Zotit tonë»70.

 35. Por kremtimi i Eukaristisë nuk mund të jetë pikënisja e bashkimit, që duhet të kuptohet si ekzistues, për ta përforcuar e për ta përsosur. Sakramenti e shpreh këtë lidhje bashkimi qoftë në përmasën e padukshme që, në Krishtin, nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt, na lidh me Atin dhe mes nesh, qoftë në përmasën e dukshme që përfshin bashkimin në doktrinën e Apostujve, në Sakramente dhe në rendin hierarkik. Marrëdhënia e brendshme që ekziston mes elementeve të padukshme dhe elementeve të dukshme të kungimit kishtar e bën Kishën sakrament shëlbimi71. Vetëm në këtë kontekst bëhet kremtimi i ligjshëm i Eukaristisë dhe pjesëmarrja e vërtetë në të. Prandaj del se është një nevojë karakteristike e Eukaristisë që ajo të kremtohet në bashkim, dhe konkretisht në integritetin e lidhjeve të veta.

 36. Bashkimi i dukshëm, megjithëse për nga natyra e vet është gjithmonë në rritje, supozon jetën e hirin, nëpërmjet të cilit besimtarët bëhen «pjesëtarë të natyrës hyjnore» (2 Pjt 1, 4), dhe praktikimin e virtyteve të fesë, të shpresës dhe të dashurisë. Në të vërtetë, vetëm kështu arrihet bashkimi i vërtetë me Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt. Nuk mjafton feja, por duhet që njeriu të qëndrojë në hirin shenjtërues e në dashuri, duke mbetur në gjirin e Kishës me «trup» e me «zemër»72; pra, duke folur me fjalët e shën Palit, duhet «feja që vepron me dashuri» (Gal 5, 6).

Tërësia e lidhjeve të padukshme është një detyrë e saktë morale e të krishterit që dëshiron të marrë pjesë plotësisht në Eukaristi duke u kunguar me trupin e gjakun e Krishtit. Në këtë detyrë e thërret vetë Apostulli me vërejtjen: «secili më së pari ta shqyrtojë mirë veten e veç atëherë të hajë prej kësaj Buke e të pijë prej këtij Kelku» (1 Kor 11, 28). Shën Gjon Gojarti, me forcën e gojëtarisë së tij, i nxiste besimtarët: «Edhe unë ngre zërin, përgjërohem e lutem që të mos i afrohemi kësaj Tryeze të shenjtë me një ndërgjegje të njollosur e të prishur. Një afrim i tillë, në të vërtetë, nuk do të mund të quhet kurrë kungim, edhe nëse e prekim njëmijë herë trupin e Zotit, por dënim, mundim dhe shtim i ndëshkimeve»73.

Në këtë linjë, me të drejtë Katekizmi i Kishës Katolike cakton: «Ai që është i vetëdijshëm se ka bërë një mëkat të rëndë, duhet të marrë sakramentin e Pajtimit para se t’i afrohet kungimit»74. Prandaj dëshiroj të theksoj se është në fuqi e do të jetë gjithmonë në fuqi në Kishë norma me të cilën Koncili i Trentit e ka konkretizuar qortimin e ashpër të Palit apostull duke pohuar se, me qëllimin e një marrjeje të denjë të Eukaristisë, «duhet të paraprijë rrëfimi i mëkateve, kur dikush është i vetëdijshëm për mëkat të rëndë»75.

 37. Eukaristia dhe Pendesa janë dy sakramente të lidhura ngusht. Nëse Eukaristia e bën të pranishme Flinë shpërblyese të Kryqit duke e përjetësuar atë sakramentalisht, kjo do të thotë se prej saj rrjedh një nevojë e vazhdueshme kthimi, përgjigjeje personale ndaj nxitjes që shën Pali u drejtonte të krishterëve të Korintit: «Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin!» (2 Kor 5, 20). Pastaj, nëse i krishteri ka mbi ndërgjegje peshën e një mëkati të rëndë, atëherë itinerari i pendesës nëpërmjet sakramentit të Pajtimit bëhet rruga e detyrueshme për të marrë pjesë plotësisht në Flinë eukaristike.

Gjykimi mbi gjendjen e hirit, natyrisht, i përket vetëm të interesuarit, meqë bëhet fjalë për një vlerësim ndërgjegjeje. Por, në rastet e një sjelljeje të jashtme që është në kundërshtim të rëndë, të shfaqur dhe të qëndrueshëm, me normën morale, Kisha, në kujdesin e vet baritor ndaj rendit të mirë në bashkësi dhe për respekt ndaj Sakramentit, nuk mund të mos e ndiejë veten të thirrur në çështje. Kësaj situate të mosgatishmërisë së shfaqur morale i referohet norma e Kodit të së Drejtës Kanonike mbi mospranimin në kungimin eukaristik të atyre që «me këmbëngulje qëndrojnë në mëkat të rëndë publik»76.

38. Kungimi kishtar, siç kam thënë më parë, është edhe i dukshëm, dhe shprehet në detyrimet e radhitura prej vetë Koncilit kur mëson: «Janë plotësisht të përfshirë në shoqërinë e Kishës ata që, duke pasur Shpirtin e Krishtit, duke e pranuar të plotë strukturën e saj dhe të gjitha mjetet e shëlbimit të vendosura në të, dhe në organizmin e saj të dukshëm janë të bashkuar me Krishtin – që e drejton atë nëpërmjet Papës së Shenjtë dhe Ipeshkvinjve – prej detyrimeve të dëshmimit të fesë, të Sakramenteve, të drejtimit kishtar dhe të bashkimit»77.

Eukaristia, duke qenë shfaqja më e lartë sakramentale e bashkimit në Kishë, kërkon të kremtohet në një kontekst tërësie të lidhjeve edhe të jashtme të bashkimit. Në mënyrë të veçantë, meqenëse ajo është «si pikarritja e jetës shpirtërore dhe qëllimi i të gjithë Sakramenteve»78, kërkon që të jenë reale lidhjet e bashkimit në Sakramentet, veçanërisht në Pagëzim dhe në Urdhrin e Shenjtë. Nuk është e mundur t’i jepet kungimi personit që nuk është i pagëzuar apo që nuk e pranon të vërtetën e plotë të fesë mbi Misterin Eukaristik. Krishti është e vërteta dhe i bën dëshmi së vërtetës (krh. Gjn 14, 6; 18, 37); Sakramenti i trupit dhe i gjakut të tij nuk lejon dyfytyrësi.

 39. Veç kësaj, për vetë karakterin e kungimit kishtar dhe të marrëdhënies që ka me të sakramenti i Eukaristisë, duhet kujtuar se «Flija eukaristike, megjithëse kremtohet gjithmonë në një bashkësi të veçantë, nuk është kurrë kremtim vetëm i asaj bashkësie: në të vërtetë, ajo, duke marrë praninë eukaristike të Zotit, merr tërë dhuratën e shëlbimit dhe kështu shfaqet, megjithëse në veçantinë e vet të dukshme e të vazhdueshme, si shëmbëlltyrë dhe prani e vërtetë e Kishës që është një e vetme, e shenjtë, katolike dhe apostolike»79. Prej kësaj rrjedh se një bashkësi vërtet eukaristike nuk mund të mbyllet në vetvete, sikur të ishte e vetëmjaftueshme, por duhet të qëndrojë në sintoni me çdo bashkësi tjetër katolike.

Bashkimi kishtar i asamblesë eukaristike është bashkim me Ipeshkvin e vet dhe me Papën e Romës. Në të vërtetë, Ipeshkvi është fillimi i dukshëm dhe themeli i njësisë në Kishën e vet të veçantë80. Prandaj do të ishte një mospërputhje e madhe nëse Sakramenti i veçantë i njësisë së Kishës do të kremtohej pa një bashkim të vërtetë me Ipeshkvin. Shën Injaci i Antiokisë shkruante: «Të mbahet si e sigurt ajo Eukaristi që realizohet nën Ipeshkvin ose atë të cilit ai ia ka dhënë detyrën»81. Po ashtu, meqenëse «Papa i Romës, si pasardhës i Pjetrit, është fillimi dhe themeli i përhershëm e i dukshëm i njësisë qoftë të Ipeshkvinjve qoftë të tërësisë së besimtarëve»82, bashkimi me të është një kërkesë thelbësore e kremtimit të Flisë eukaristike. Prej këtu rrjedh e vërteta e madhe e shprehur në mënyra të ndryshme prej Liturgjisë: «Çdo kremtim i Eukaristisë bëhet në bashkim jo vetëm me Ipeshkvin e vendit por edhe me Papën, me Urdhrin ipeshkvor, me gjithë klerin dhe me tërë popullin. Çdo kremtim i vlefshëm i Eukaristisë shpreh këtë bashkim të gjithmbarshëm me Pjetrin dhe me tërë Kishën, ose objektivisht e kujton atë, sikurse në rastin e Kishave të krishtera të ndara prej Romës»83.

 40. Eukaristia krijon bashkim dhe edukon për bashkim. Shën Pali u shkruante besimtarëve të Korintit duke u treguar se sa shumë ishin në kundërshtim ndarjet e tyre, që shfaqeshin në asambletë eukaristike, me atë që kremtonin, Darkën e Zotit. Si pasojë Apostulli i ftonte të reflektonin mbi realitetin e vërtetë të Eukaristisë, për t’i bërë që të ktheheshin përsëri në shpirtin e bashkimit vëllazëror (krh. 1 Kor 11, 17-34). Me frytshmëri e përdorte këtë kërkesë Shën Agustini i cili, duke kujtuar fjalën e Apostullit: «ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrët e tij» (1 Kor 12, 27), vëren: «Nëse ju jeni trupi i tij dhe gjymtyrët e tij, në tryezën e Zotit është vënë ajo që është misteri juaj; po, ju merrni atë që është misteri juaj»84. Dhe prej këtij konstatimi nxirrte përfundimin: «Krishti Zot (…) shuguroi në tryezën e vet misterin e paqes dhe njësisë sonë. Ai që merr misterin e njësisë, por nuk e ruan detyrimin e paqes, merr jo një mister në dobinë e vet, por një provë kundër vetvetes»85.

 41. Kjo frytshmëri e veçantë në promovimin e bashkimit, që është karakteristike e Eukaristisë, është njëra prej arsyeve të rëndësisë së Meshës së të dielës. Mbi të dhe mbi arsye të tjera që e bëjnë themelore për jetën e Kishës dhe të secilit besimtar jam ndalur në Letrën apostolike rreth shenjtërimit të së dielës Dies Domini86, duke kujtuar, ndër të tjera, se për besimtarët pjesëmarrja në Meshë është detyrim, përveçse kur kanë një pengesë të madhe, kështu që Barinjtë e kanë për detyrë t’u japin të gjithëve mundësinë efektive për ta plotësuar këtë detyrim87. Më vonë, në Letrën apostolike Novo millennio ineunte, duke përvijuar ecjen baritore të Kishës në fillim të mijëvjeçarit të tretë, kam dashur t’i jap një rëndësi të veçantë Eukaristisë së të dielës, duke theksuar frytshmërinë e saj krijuese të bashkimit: «Ajo – shkrova – është vendi i privilegjuar ku bashkimi shpallet e kultivohet vazhdimisht. Pikërisht nëpërmjet pjesëmarrjes eukaristike, dita e Zotit bëhet edhe dita e Kishës, që mund ta kryejë kështu në mënyrë të frytshme rolin e vet si sakrament njësie»88.

 42. Ruajtja dhe nxitja e bashkimit kishtar është një detyrë e çdo besimtari, që gjen në Eukaristinë, si sakrament të njësisë së Kishës, një fushë të zellit të veçantë. Më konkretisht, kjo detyrë bie me një përgjegjësi të veçantë mbi Barinjtë e Kishës, secili në shkallën e vet dhe sipas detyrës së vet kishtare. Prandaj Kisha ka dhënë disa norma që synojnë njëkohësisht të ndihmojnë afrimin e shpeshtë e të frytshëm të besimtarëve në Tryezën eukaristike dhe të përcaktojnë kushtet objektive në të cilat ata nuk duhet ta mbarështojnë kungimin. Kujdesi për të favorizuar zbatimin besnik bëhet shprehje efektive e dashurisë ndaj Eukaristisë dhe ndaj Kishës.

 43. Kur e konsiderojmë Eukaristinë si sakrament të bashkimit kishtar ka një argument që nuk duhet ta lëmë pas dore për shkak të rëndësisë së tij: i referohem marrëdhënies së saj me angazhimin ekumenik. Ne të gjithë duhet të falënderojmë Trininë Shenjte sepse, në këta dhjetëvjeçarët e fundit, shumë besimtarë në çdo anë të botës, janë prekur prej dëshirës së zjarrtë për njësi mes të gjithë të krishterëve. Koncili i II-të i Vatikanit, në fillim të Dekretit mbi ekumenizmin, njeh në këtë, një dhuratë të veçantë të Hyjit89. Ka qenë një hir i frytshëm që na ka vënë në rrugën ekumenike qoftë ne, bijtë e Kishës katolike, qoftë vëllezërit tanë të Kishave e të Bashkësive të tjera kishtare.

Aspirata ndaj qëllimit të njësisë na bën ta sjellim vështrimin drejt Eukaristisë, e cila është Sakramenti më i lartë i njësisë së Popullit të Hyjit, meqenëse është shprehja e përshtatshme dhe burimi i pashtershëm i tij90. Në kremtimin e Flisë Eukaristike Kisha e lartëson lutjen e vet drejtuar Hyjit Atë të mëshirshëm, që t’u dhurojë bijve të vet plotësinë e Shpirtit Shenjt kështu që të bëhen në Krishtin një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm91. Duke ia paraqitur këtë lutje Atit të dritës, prej të cilit vjen «çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur» (Jak 1, 17), Kisha beson në frytshmërinë e saj, pasi lutet në bashkim me Krishtin krye e dhëndër, i cili e bën të vetën lutjen e nuses duke e bashkuar me atë të flisë së tij shpërblyese.

 44. Pikërisht sepse njësia e Kishës, që Eukaristia e realizon nëpërmjet flisë dhe kungimit me trupin e me gjakun e Zotit, ka kërkesën e detyrueshme të bashkimit të plotë në detyrimet e dëshmimit të fesë, të Sakramenteve dhe të drejtimit kishtar, nuk është e mundur të bashkëkremtohet e njëjta liturgji eukaristike deri sa të rivendoset integriteti i këtyre detyrimeve. Ky bashkëkremtim nuk do të ishte një mjet i vlefshëm, madje do të mund të tregohej si një pengesë ndaj arritjes së bashkimit të plotë, duke e zbutur kuptimin e largësisë prej qëllimit dhe duke futur apo ngjallur dyshime mbi njërën apo mbi tjetrën të vërtetë të fesë. Ecja drejt njësisë së plotë nuk mund të bëhet përveçse në të vërtetën. Në këtë temë ndalimi i ligjit të Kishës nuk lë hapësirë për paqartësi92, në nderim ndaj normës morale të shpallur prej Koncilit të II-të të Vatikanit93.

Sidoqoftë, do të doja të përsërisja atë që në Letrën enciklike Që të jenë një -Ut unum sint- shtova, pasi kisha konsideruar pamundësinë e bashkëndarjes eukaristike: «E megjithatë ne kemi dëshirën e zjarrtë ta kremtojmë së bashku të vetmen Eukaristi të Zotit, dhe kjo dëshirë bëhet tashmë një lavd i përbashkët, një lutje e përbashkët. Së bashku i drejtohemi Atit dhe e bëjmë gjithnjë e më shumë “me një zemër të vetme”»94.

 45. Nëse në asnjë rast nuk është i ligjshëm bashkëkremtimi në mungesë të bashkimit të plotë, kjo nuk ndodh në lidhje me mbarështimin e Eukaristisë, në rrethana të veçanta, personave të veçantë, që u përkasin Kishave apo Bashkësive kishtare jo në bashkim të plotë me Kishën katolike. Në të vërtetë, në këtë rast, objektivi është të merren masa për një nevojë të madhe shpirtërore për shëlbimin e amshuar të secilit besimtar, jo për të realizuar një ndërbashkim, i pamundur deri kur të mos jenë plotësisht të rivëna lidhjet e dukshme të bashkimit kishtar.

Në këtë drejtim ka vepruar Koncili i II-të i Vatikanit, duke caktuar sjelljen që duhet mbajtur me Lindorët që, duke u gjendur pa faj të tyre të ndarë prej Kishës katolike, kërkojnë lirisht të marrin Eukaristinë prej mbarështuesit katolikë dhe kanë qëllim të mirë95. Kjo mënyrë e të vepruarit është përforcuar pastaj prej të dy Kodeve, në të cilët,  me përshtatjet e duhura, është konsideruar edhe rasti i të krishterëve të tjerë jo lindorë që nuk janë në bashkim të plotë me Kishën katolike96.

46. Në Enciklikën Ut unum sint unë vetë kam shfaqur vlerësim për këtë normativë, që lejon të merren masa për shëlbimin e shpirtrave me një shoshitje të përshtatshme: «Është arsye gëzimi të kujtojmë se mbarështuesit katolikë munden, në raste të veçanta e të caktuara, t’ua mbarështojnë sakramentet e Eukaristisë, të Pendesës, të Vajimit të të sëmurëve të krishterëve të tjerë që nuk janë në bashkim të plotë me Kishën katolike, por që dëshirojnë me zjarr t’i marrin, i kërkojnë lirisht, dhe shfaqin fenë që Kisha dëshmon në këta Sakramente. Në mënyrë të ndërsjellë, në raste të caktuara dhe për rrethana të veçanta, edhe katolikët mund t’u drejtohen për të njëjtat Sakramente mbarështuesve të atyre Kishave në të cilat ata janë të vlefshme.

Duhet t’i kemi mirë parasysh këto kushte, që janë të detyrueshme, megjithëse bëhet fjalë për raste të caktuara, pasi mospranimi i njërës apo i disa të vërtetave të fesë mbi këto Sakramente dhe, mes tyre, i asaj që i përket nevojës së Meshtarisë mbarështimore që të jenë të vlefshëm, e bën kërkuesin e tyre jo të gatshëm për një mbarështim të tyre të ligjshëm. Si dhe anasjelltas, një besimtar katolik nuk do të mund ta marrë kurrë kungimin pranë një bashkësie së cilës i mungon sakramenti i vlefshëm i Urdhrit97.

Zbatimi besnik i tërësisë së normave të caktuara në këtë lëndë98 është shfaqje dhe, njëkohësisht, garanci dashurie qoftë ndaj Jezu Krishtit në të shenjtërueshmin Sakrament, qoftë ndaj vëllezërve të besimit tjetër të krishterë, të cilët kanë të drejtë për dëshminë e së vërtetës, si edhe ndaj vetë çështjes së promovimit të njësisë.

 

kapitulli i pestë

 

DEKORI I KREMTIMIT EUKARISTIK 

47. Atij që lexon në Ungjijtë sinoptikë tregimin e themelimit të Eukaristisë, i bën përshtypje thjeshtësia dhe njëkohësisht «rëndësia», me të cilën Jezusi, në mbrëmjen e Darkës së Fundit, themelon Sakramentin e madh. Ka një episod që, në një farë kuptimi, bën rolin e hyrjes: është lyerja që ndodhi në Betani. Një grua, e identifikuar prej Gjonit si Maria, motra e Lazrit, hedh në kokën e Jezusit një enë të vogël me parfum të çmuar, duke provokuar në nxënësit – veçanërisht në Judën (krh. Mt 26, 8; Mk 14, 4; Gjn 12, 4) – një reagim proteste, a thua se ky gjest, duke pasur parasysh nevojat e popullit, të përbënte një «harxhim» të patolerueshëm. Por vlerësimi i Jezusit është shumë i ndryshëm. Pa i hequr asgjë detyrës së dashurisë ndaj të varfërve, të cilëve nxënësit duhet t’u kushtohen gjithmonë - «Skamnorët i keni gjithmonë me vete» (Mt 26, 11; Mk 14, 7; krh. Gjn 12, 8) – Ai vështron ngjarjen e afërt të vdekjes së tij dhe të varrimit të tij, dhe e vlerëson lyerjen që i është bërë si paraprirje e atij nderi për të cilin trupi i tij do të vazhdojë të jetë i denjë edhe pas vdekjes, i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme siç është me misterin e personit të tij.

Tregimi vazhdon, në Ungjijtë sinoptikë, me detyrën e dhënë prej Jezusit nxënësve për përgatitjen e kujdesshme të «sallonit të madh» të nevojshëm për të ngrënë aty darkën e Pashkëve (krh. Mk 14, 15; Lk 22, 12), dhe me tregimin e themelimit të Eukaristisë. Duke lënë të paktën pjesërisht të dallohet kuadri i riteve hebraike të darkës së Pashkëve deri në këndimin e Hallel (krh. Mt 26, 30; Mk 14, 26), tregimi jep në mënyrë të përmbledhur ashtu si edhe solemne, megjithëse në variantet e traditave të ndryshme, fjalët e thëna prej Krishtit mbi bukën e mbi verën, të përdorura prej Tij si shprehje konkrete të trupit të tij të flijuar e të gjakut të tij të derdhur. Të gjitha këto të veçanta kujtohen prej Ungjilltarëve në dritën e një praktike të «thyerjes së bukës» tashmë të përforcuar prej Kishës së parë. Por sigurisht, që prej historisë së jetuar të Jezusit, ngjarja e së Enjtes së Madhe mban dukshëm karakteristikat e një «ndjeshmërie» liturgjike, të moduluar sipas traditës së Besëlidhjes së Vjetër dhe të gatshme të rimodulohet në kremtimin e krishterë në sintoni me përmbajtjen e re të Pashkëve.

 48. Sikurse gruaja e cila e lyen Krishtin në Betani, Kisha nuk është druajtur «të shpenzojë», duke investuar pjesën më të mirë të burimeve të veta për të shprehur mahnitjen e saj adhuruese përballë dhuratës tejet të madhe të Eukaristisë. Jo më pak se nxënësit e parë të ngarkuar për të përgatitur «sallonin e madh», ajo është ndier e shtytur gjatë shekujve dhe në ndërrimin e kulturave, ta kremtojë Eukaristinë në një kontekst të denjë për këtë Mister kaq të madh. Në valën e fjalëve e të gjesteve të Jezusit, duke zhvilluar trashëgiminë rituale të judaizmit, ka lindur liturgjia e krishterë. Dhe në të vërtetë, çfarë do të mund të mjaftonte, për të shprehur në mënyrë të përshtatshme pranimin e dhuratës që Dhëndri hyjnor vazhdimisht i bën me vetveten Kishës-Nuse, duke vënë para secilit brez besimtarësh Flinë e ofruar një herë e përgjithmonë në Kryq, dhe duke u bërë ushqim për të gjithë besimtarët? Nëse logjika e «bashkëngrënies» frymëzon familjaritet, Kisha nuk i ka lëshuar kurrë pe tundimit të banalizimit të këtij «familjariteti» me Dhëndrin e vet duke harruar se Ai është edhe Zoti i vet dhe se «bashkëngrënia» mbetet gjithmonë një bashkëngrënie flijuese, e shënuar prej gjakut të derdhur në Golgotë. Bashkëngrënia eukaristike është vërtet bashkëngrënie «e shenjtë», në të cilën thjeshtësia e shenjave fsheh madhësinë e shenjtërisë së Hyjit: «O Sacrum convivium, in quo Christus sumitur!». Buka që është thyer në altarët tanë, e dhuruar gjendjes sonë prej shtegtarësh në ecje rrugëve të botës, është «panis angelorum», buka e engjëjve, së cilës njeriu nuk mund t’i afrohet përveçse me përvujtërinë e centurionit të Ungjillit: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim» (Mt 8, 8; Lk 7, 6).

 49. Në valën e kësaj ndjenje të lartë të misterit, kuptohet se si feja e Kishës në Misterin eukaristik është shprehur në histori jo vetëm nëpërmjet instancës së një qëndrimi të brendshëm devotshmërie, por edhe nëpërmjet një serie shprehjesh të jashtme, që synojnë të kujtojnë e të theksojnë madhështinë e ngjarjes së kremtuar. Prej kësaj lind rruga që, progresivisht, ka çuar në përvijimin e një statuti të veçantë rregulloreje të liturgjisë eukaristike, në respekt ndaj traditave të ndryshme kishtare të themeluara në mënyrë të ligjshme. Mbi këtë bazë është zhvilluar edhe një pasuri e madhe arti. Arkitektura, skulptura, piktura, muzika, duke e lënë veten të orientohen prej misterit të krishterë, kanë gjetur në Eukaristinë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një motiv frymëzimi të madh.

Kështu ka ndodhur, për shembull, me arkitekturën, që ka parë kalimin, sapo konteksti historik e ka lejuar, qysh prej selive fillestare eukaristike të vendosura në «domus»-et e familjeve të krishtera, në bazilikat solemne të shekujve të parë, në katedralet madhështore të Mesjetës, deri në kishat e mëdha apo të vogla, që pak nga pak i kanë mbushur tokat e arritura prej krishterimit. Format e altarëve apo të tabernakujve janë zhvilluar brenda hapësirave të sallave liturgjike duke ndjekur herë pas here jo vetëm motivet e frymëzimit, por edhe parimet e një kuptimi të saktë të Misterit. E njëjta gjë mund të thuhet për muzikën e shenjtë, nëse mendojmë edhe vetëm për meloditë e frymëzuara gregoriane, për autorët e shumtë e shpesh të mëdhenj që janë vënë në provë me tekstet liturgjike të Meshës së Shenjtë. Dhe a nuk zbulohet një sasi e pafundme prodhimesh artistike, prej realizimeve të një artizanati të mirë deri në veprat e vërteta të artit, në drejtim të objekteve e të pajisjeve të përdorura për Kremtimin eukaristik?

Kështu mund të thuhet se Eukaristia, ndërsa e ka plazmuar Kishën dhe përshpirtërinë, ka ndikuar shumë edhe në «kulturën», veçanërisht në aspektin estetik.

 50. Në këtë përpjekje adhurimi të Misterit të marrë në perspektivën rituale dhe estetike, në një farë kuptimi, kanë «bërë garë» të krishterët e Perëndimit dhe ata të Lindjes. Si të mos e falënderojmë Zotin, në veçanti, për ndihmesën e dhënë artit të krishterë prej veprave të mëdha arkitektonike e piktoreske të traditës greko-bizantine dhe të të gjithë zonës gjeografike e kulturore sllave? Në Lindje arti i shenjtë ka ruajtur një ndjenjë veçanërisht të fortë të misterit, duke i shtyrë artistët ta konceptojnë angazhimin e tyre në prodhimin e së bukurës jo vetëm si shprehje e gjenisë së tyre, por edhe si shërbim i përnjëmendtë ndaj fesë. Ata, duke shkuar përtej aftësisë teknike të thjeshtë, kanë ditur t’i hapen me butësi frymës së Shpirtit të Hyjit.

Shkëlqimet e arkitekturave e të mozaikëve në Lindjen e në Perëndimin e krishterë janë një pasuri universale e besimtarëve, dhe mbajnë në vete një shpresë, dhe do të thoja një peng, të plotësisë së dëshiruar për bashkimin në fe dhe në kremtim. Kjo supozon dhe kërkon, sikurse në pikturën e njohur të Trinisë së Rublëvit, një Kishë thellësisht «eukaristike», në të cilën bashkëndarja e misterit të Krishtit në bukën e thyer është si e zhytur në njësinë e pashprehshme të tri Vetave hyjnore, duke e bërë vetë Kishën një «ikonë» të Trinisë.

Në këtë perspektivë të një arti të prirur për të shprehur, në të gjitha elementet e veta, kuptimin e Eukaristisë sipas mësimit të Kishës, duhet t’u kushtojmë çdo vëmendje normave që rregullojnë ndërtimin dhe pajisjen e ndërtesave të shenjta. E gjerë është hapësira krijuese që Kisha u ka lënë gjithmonë artistëve, siç tregon historia dhe sikurse unë vetë kam theksuar në Letrën drejtuar artistëve99. Por arti i shenjtë duhet të dallohet për aftësinë e vet për ta shprehur në mënyrë të përshtatshme Misterin e kapur në plotësinë e fesë së Kishës dhe sipas udhëzimeve baritore të dhëna siç duhet prej Autoritetit kompetent. Kjo vlen si për artet figurative ashtu edhe për muzikën e shenjtë.

51. Ajo që ka ndodhur në tokat e krishterizimit të lashtë në temën e artit të shenjtë dhe të disiplinës liturgjike, është duke u zhvilluar edhe në kontinentet në të cilët krishterimi është më i ri. Ky është orientimi i bërë pikërisht prej Koncilit të II-të të Vatikanit në lidhje me nevojën e një «inkulturimi» të shëndoshë ashtu si edhe të drejtë. Në udhëtimet e mia të shumta baritore kam pasur rast të vërej, në të gjitha anët e botës, se për sa shumë gjallëri është i aftë Kremtimi eukaristik në kontakt me format, stilet dhe ndjeshmëritë e kulturave të ndryshme. Duke iu përshtatur kushteve të ndryshueshme të kohës e të hapësirës, Eukaristia u jep ushqim jo vetëm individëve, por edhe vetë popujve, dhe ndihmon të formohen kulturat e frymëzuara në mënyrë të krishterë.

Megjithatë, është e nevojshme që kjo punë e rëndësishme e përshtatjes të bëhet me vetëdijen e vazhdueshme për Misterin e pashprehshëm me të cilin çdo brez është i thirrur të matet. «Thesari» është tepër i madh dhe i çmuar për të rrezikuar ta varfërojmë apo ta dëmtojmë nëpërmjet eksperimentimeve apo praktikave të përfshira pa një verifikim të vëmendshëm nga ana e Autoriteteve kompetente kishtare. Qendërsia e Misterit eukaristik, ndër të tjera, është e tillë sa të kërkojë që verifikimi të ndodhë në një marrëdhënie të ngushtë me Selinë e Shenjtë. Siç shkruaja në Nxitjen apostolike pas-sinodale Ecclesia in Asia, «një bashkëpunim i tillë është thelbësor sepse Liturgjia e Shenjtë shpreh dhe kremton të vetmen fe të dëshmuar prej të gjithëve dhe duke qenë trashëgimi e të gjithë Kishës nuk mund të përcaktohet prej Kishave lokale, të izoluara prej Kishës së gjithmbarshme»100.

 52. Nga sa u tha, kuptohet përgjegjësia e madhe që kanë, në Kremtimin eukaristik, sidomos meshtarët, të cilëve u takon ta drejtojnë in persona Christi, duke i siguruar një dëshmi dhe një shërbim bashkimi jo vetëm bashkësisë që merr pjesë drejtpërdrejt në kremtim, por edhe Kishës së gjithmbarshme, që është gjithmonë e thirrur në çështje prej Eukaristisë. Mjerisht, duhet të përmendim se, sidomos duke filluar prej viteve të reformës liturgjike pas-konciliare, prej një ndjenje të keqkuptuar krijimtarie dhe përshtatjeje, nuk kanë munguar abuzimet, që kanë qenë arsye vuajtjeje për shumë njerëz. Një farë reagimi ndaj «formalizmit» i ka bërë disa njerëz, sidomos në disa krahina, t’i mendojnë si jo detyruese «format» e zgjedhura prej traditës së madhe liturgjike të Kishës dhe prej Magjisterit të saj dhe të përfshijnë ndryshime jo të autorizuara dhe shpesh krejtësisht të papërshtatshme.

Prandaj ndiej për detyrë të bëj një thirrje të ngrohtë që, në Kremtimin eukaristik, normat liturgjike të zbatohen me besnikëri të madhe. Ato janë një shprehje konkrete e eklezialitetit së Eukaristisë; ky është kuptimi i tyre më i thellë. Liturgjia nuk ka qenë kurrë pronë private e dikujt, as e kremtuesit as e bashkësisë në të cilën kremtohen Misteret. Palit apostull iu desh t’i drejtonte fjalë përvëluese bashkësisë së Korintit për mangësitë e rënda në Kremtimin e tyre eukaristik, që kishin çuar në përçarje (skismata) dhe në formimin e ndarjeve (‘airéseis) (krh. 1 Kor 11, 17-34). Edhe në kohët tona, dëgjesa ndaj normave liturgjike duhet të rizbulohet e të vlerësohet si pasqyrim dhe dëshmi e Kishës një e vetme dhe e gjithmbarshme, e bërë e pranishme në çdo kremtim të Eukaristisë. Meshtari që kremton besnikërisht Meshën sipas normave liturgjike dhe bashkësia që u përshtatet atyre tregojnë, në një mënyrë të heshtur por shprehëse, dashurinë e tyre për Kishën. Pikërisht për ta përforcuar këtë ndjenjë të thellë të normave liturgjike, u kam kërkuar Dikastereve kompetente të Kuries Romake të përgatisin një dokument më specifik, me vërejtje edhe të karakterit juridik, mbi këtë temë me një rëndësi kaq të madhe. Askujt nuk i lejohet ta nënvleftësojë Misterin e besuar në duart tona: ai është tepër i madh që ndokush t’ia lejojë vetes për ta trajtuar me veprim arbitrar personal, i cili nuk do ta respektonte karakterin e tij të shenjtë dhe dimensionin e tij të gjithmbarshëm.

  

kapitulli i gjashtë

 

NË SHKOLLËN E MARISË, GRUAS «EUKARISTIKE» 

53. Nëse duam ta rizbulojmë në të gjithë pasurinë e vet marrëdhënien e brendshme që i lidh Kishën dhe Eukaristinë, nuk mund të harrojmë Marinë, Nënën dhe modelin e Kishës. Në Letrën apostolike Rosarium Virginis Mariae, duke e treguar Virgjrën e Shenjtë si Mësuese në soditjen e fytyrës së Krishtit, kam përfshirë ndër misteret e dritës edhe themelimin e Eukaristisë101. Në të vërtetë, Maria mund të na udhëheqë drejt të Shenjtërueshmit Sakrament, sepse ka me të marrëdhënie të thellë.

Në shikim të parë, Ungjilli hesht mbi këtë temë. Në tregimin e themelimit, darkën e të Enjtes së Madhe, nuk flitet për Marinë. Ndërsa dihet se Ajo ishte e pranishme mes Apostujve, «së bashku në uratë» (Vap 1, 14), në bashkësinë e parë të mbledhur pas Ngjitjes në Qiell në pritje të Rrëshajëve. Kjo prani e saj me siguri nuk mundi të mungonte në Kremtimet eukaristike mes besimtarëve të brezit të parë të krishterë, të zellshëm «në ndarjen e bukës» (Vap 2, 42).

Por përtej pjesëmarrjes së saj në Tryezën eukaristike, marrëdhënia e Marisë me Eukaristinë tërthorazi mund të përvijohet duke nisur prej qëndrimit të saj të brendshëm. Maria është grua «eukaristike» me tërë jetën e saj. Kisha, duke e vështruar Marinë si modelin e saj, është e thirrur ta imitojë edhe në marrëdhënien e saj me këtë Mister tejet të shenjtë.

 54. Mysterium fidei! Nëse Eukaristia është mister feje, që e tejkalon aq shumë intelektin tonë sa të na detyrojë t’i braktisemi tërësisht fjalës së Hyjit, askush sikurse Maria nuk mund të na mbështesë e të na udhëheqë në një qëndrim të tillë. Përsëritja jonë e gjestit të Krishtit në Darkën e Fundit në plotësim të mandatit të tij: «Bëjeni këtë në përkujtimin tim!» bëhet në të njëjtën kohë pranim i ftesës së Marisë për t’iu bindur pa ngurrim: «Bëni gjithçka t’ju thotë» (Gjn 2, 5). Me kujdesin amnor të dëshmuar në dasmën e Kanës, Maria duket sikur na thotë: «Mos kini lëkundje, besojini fjalës së Birit tim. Ai, që qe i aftë ta shndërronte ujin në verë, është njësoj i aftë ta bëjë bukën e verën trup e gjak të tij, duke u dorëzuar besimtarëve në këtë mister përkujtimin e gjallë të Pashkëve të tij, që të bëhet në këtë mënyrë “bukë e jetës”».

 55. Në një farë kuptimi, Maria e ka ushtruar fenë e vet eukaristike para se Eukaristia të themelohej, për vetë faktin se e ka ofruar kraharorin e vet virgjëror për mishërimin e Fjalës së Hyjit. Eukaristia, ndërsa na ridërgon në mundimet e në ngjalljen, njëkohësisht vendoset në vazhdimësi me Mishërimin. Maria në momentin e Lajmërimit ngjizi Birin Hyjnor në të vërtetën edhe fizike të trupit e të gjakut, duke i paraprirë në vete asaj që në një farë mase realizohet sakramentalisht në çdo besimtar që merr, nën shenjën e bukës e të verës, trupin e gjakun e Zotit.

Prandaj ka një analogji të thellë mes fiat-it të thënë prej Marisë pas fjalëve të Engjëllit, dhe amen-it që çdo besimtar thotë kur merr trupin e Zotit. Marisë i qe kërkuar të besonte se ai që Ajo po ngjizte «për virtyt të Shpirtit Shenjt» ishte «Biri i Hyjit» (krh. Lk 1, 30-35). Në vazhdimësi me fenë e Virgjrës, në Misterin eukaristik na kërkohet të besojmë se po i njëjti Jezus, Biri i Hyjit dhe Biri i Marisë, bëhet i pranishëm me tërë qenien e vet njerëzore-hyjnore në shenjat e bukës e të verës.

«E lumja ti që besove» (Lk 1, 45): Maria, në misterin e Mishërimit, i ka paraprirë edhe fesë eukaristike të Kishës. Kur, gjatë Vizitës, mban në kraharor Fjalën e bërë njeri, ajo, në një farë mënyre, bëhet «tabernakull» - «tabernakulli» i parë i historisë – ku Biri i Hyjit, ende i padukshëm para syve të njerëzve, i lihet adhurimit të Elizabetës, gati «duke e rrezuatuar» dritën e tij nëpërmjet syve dhe zërit të Marisë. Dhe vështrimi i Marisë në soditjen e fytyrës së Krishtit të sapolindur dhe në shtrëngimin mes krahëve të vet, a nuk është model i paarritshëm i dashurisë prej së cilës duhet të frymëzohet çdo kungim i yni eukaristik?

 56. Maria, me gjithë jetën e vet pranë Krishtit, dhe jo vetëm në Kalvar, e bëri të vetin dimensionin flijues të Eukaristisë. Kur e çoi fëmijën në tempullin e Jeruzalemit «për t’ia kushtuar Zotit» (Lk 2, 22), dëgjoi të shpallej prej plakut Simeon se ai Fëmijë do të ishte «shenjë së cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë» dhe se një «shpatë» do ta shponte edhe shpirtin e saj (krh. Lk 2, 34-35). Kështu ishte paralajmëruar drama e Birit të kryqëzuar dhe në një farë mënyre ishte simbolizuar «stabat Mater» e Virgjrës në këmbët e Kryqit. Duke u përgatitur ditë pas dite për Kalvarin, Maria jeton një farë «Eukaristie të paraprirë», mund të themi një «kungim shpirtëror» dëshire e oferte, që do ta ketë plotësimin e vet në bashkimin me Birin në mundime, dhe do të shprehet pastaj, në periudhën pas Pashkëve, në pjesëmarrjen e saj në Kremtimin eukaristik, të udhëhequr prej Apostujve, si «përkujtim» i mundimeve.

Si t’i përfytyrojmë ndjenjat e Marisë, duke dëgjuar prej gojës së Pjetrit, Gjonit, Jakobit dhe Apostujve të tjerë fjalët e Darkës së Fundit: «Ky është korpi im që flijohet për ju» (Lk 22, 19)? Ai trup i flijuar dhe i riparaqitur në shenjat sakramentale ishte i njëjti trup i ngjizur në barkun e saj! Marrja e Eukaristisë duhej të thoshte për Marinë gati një ripranim në bark, i asaj zemre që kishte rrahur në harmoni me të sajën dhe një marrje e asaj që kishte eksperimentuar personalisht nën Kryq.

 57. «Bëjeni këtë në përkujtimin tim» (Lk 22, 19). Në «përkujtimin» e Kalvarit është i pranishëm gjithçka që Krishti ka kryer në mundimet e veta dhe në vdekjen e vet. Prandaj nuk mungon ajo që Krishti ka kryer edhe ndaj Nënës në dobinë tonë. Në të vërtetë, asaj ia dorëzon nxënësin e dashur dhe, në të, dorëzon secilin prej nesh: «Qe, yt bir!». Po ashtu i thotë edhe secilit prej nesh: «Qe, nëna jote!» (krh. Gjn 19, 26-27).

Të jetojmë në Eukaristi përkujtimin e vdekjes së Krishtit do të thotë edhe ta marrim vazhdimisht këtë dhuratë. Do të thotë ta marrim me vete – sipas shembullit të Gjonit – atë që çdo herë na dhurohet si Nënë. Do të thotë të marrim përsipër njëkohësisht angazhimin për t’i përngjarë Krishtit, duke u vënë në shkollën e Nënës dhe duke e lënë veten të shoqërohemi prej saj. Maria është e pranishme, me Kishën dhe si Nënë e Kishës, në secilin prej Kremtimeve tona eukaristike. Nëse Kisha dhe Eukaristia janë një binom i pazgjidhshëm, po ashtu duhet të themi edhe për binomin Mari dhe Eukaristi. Edhe për këtë kujtimi i Marisë në Kremtimin eukaristik është i njëzëshëm, që prej lashtësisë, në Kishat e Lindjes e të Perëndimit.

 58. Në Eukaristi Kisha bashkohet plotësisht me Krishtin dhe me flinë e tij, duke e bërë të vetin shpirtin e Marisë. Është një e vërtetë që mund të thellohet duke e rilexuar Magnificat-in në perspektivën eukaristike. Në të vërtetë, Eukaristia, sikurse kënga e Marisë, është para së gjithash lavd dhe falënderim. Kur Maria thërret «Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohoret Hyjit, Shëlbuesit tim», ajo mban në kraharor Jezusin. Lavdëron Atin «për» Jezusin, por e lavdëron edhe «në» Jezusin dhe «me» Jezusin. Pikërisht ky është «qëndrimi eukaristik» i vërtetë.

Në të njëjtën kohë, Maria kujton punët e mëdha të bëra prej Hyjit në historinë e shëlbimit, sipas premtimit të bërë etërve (krh. Lk 1, 55), duke shpallur mrekullinë që i tejkalon të gjitha, Mishërimin shpërblyes. Në Magnificat, së fundi, është e pranishme tërheqja eskatologjike e Eukaristisë. Sa herë që Biri i Hyjit na riparaqitet ne në «varfërinë» e shenjave sakramentale, bukës e verës, në botë vendoset fara e asaj historie të re në të cilën të pushtetshmit «rrëzohen prej froneve», dhe «lartësohen të përvuajturit» (krh. Lk 1, 52). Maria këndon ata «qiej të rinj» e atë «tokë të re» që në Eukaristi gjejnë paraprirjen e tyre dhe në një farë kuptimi «planin» programatik të tyre. Nëse Magnificat shpreh përshpirtërinë e Marisë, asgjë më shumë se sa kjo përshpirtëri nuk na ndihmon për ta jetuar Misterin eukaristik. Eukaristia na është dhënë që jeta jonë, sikurse ajo e Marisë, të jetë e tëra një magnificat!

 

PËRFUNDIM

 59. «Ave, verum corpus natum de Maria Virgine! - Të falem, Trupi i vërtetë i lindur nga Maria-». Para pak vjetësh kam kremtuar përvjetorin e pesëdhjetë të meshtarisë sime. Po provoj sot hirin për t’i dhuruar Kishës këtë Enciklikë mbi Eukaristinë, në të Enjten e Madhe që bie në vitin tim të njëzetepestë të shërbesës së Pjetrit. E bëj këtë me zemrën plot mirënjohje. Prej një gjysëm shekulli, çdo ditë, që prej atij 2 nëntori 1946, në të cilin pata kremtuar Meshën time të parë në kriptën e Shën Leonardit në katedralen e Vavelit në Krakovi, sytë e mi janë përqendruar në osten dhe në kelkun në të cilin koha dhe hapësira, në një farë mënyre, janë «përmbledhur» dhe drama e Golgotës është riparaqitur realisht, duke zbuluar «bashkëkohësinë» e vet. Çdo ditë feja ime ka mundur të njohë në bukën e në verën e shuguruar Shtegtarin hyjnor që një ditë u vu përkrah dy nxënësve të Emausit për t’ia hapur sytë e tyre dritës dhe zemrën e tyre shpresës (krh. Lk 24, 13-35).

Më lini, shumë të dashur vëllezër e motra, që unë, me entuziazëm të brendshëm, në shoqërim dhe në mbështetje të fesë suaj, të jap dëshminë time të fesë në Eukaristinë e Shenjtë. «Ave, verum corpus natum de Maria Virgine, / vere passum, immolatum, in cruce pro homine!». Këtu gjendet thesari i Kishës, zemra e botës, pengu i pikarritjes të cilën secili njeri, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, e dëshiron. Mister i madh, që na tejklon, sigurisht, dhe e vë në provë të vështirë aftësinë e mendjes sonë për të shkuar përtej dukjeve. Këtu shqisat tona dështojnë - «visus, tactus, gustus in te fallitur», thuhet në himnin Adoro te devote -, por vetëm feja, e rrënjosur në fjalën e Krishtit që ne na e kanë dorëzuar Apostujt, na mjafton. Më lejoni që, sikurse Pjetri në fund të fjalimit eukaristik në Ungjillin e Gjonit, unë t’i përsëris Krishtit, në emër të të gjithë Kishës, në emër të secilit prej jush: «Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur!» (Gjn 6, 68).

 60. Në agimin e këtij mijëvjeçari të tretë, ne të gjithë bijtë e Kishës, jemi të nxitur të ecim me një hov të përtërirë në jetën e krishterë. Siç kam shkruar në Letrën apostolike Novo millennio ineunte, «nuk bëhet fjalë për të sajuar një “program të ri”. Programi ekziston: është ai i gjithmonshmi, i marrë prej Ungjillit dhe prej Traditës së gjallë. Ai përqendrohet, përfundimisht, në vetë Krishtin, që duhet njohur, dashur, imituar, për të jetuar në Të jetën trinitare, dhe për ta shndërruar me Të historinë deri në plotësimin e saj në Jeruzalemin qiellor»102. Zbatimi i këtij programi të një hovi të përtërirë në jetën e krishterë kalon nëpërmjet Eukaristisë.

Çdo angazhim shenjtërie, çdo veprim i prirur për të realizuar misionin e Kishës, çdo zbatim i planeve baritore duhet ta marrë forcën e nevojshme prej Misterit Eukaristik dhe atij duhet t’i referohet si kulmit të vet. Në Eukaristi kemi Jezusin, kemi flinë e tij shpërblyese, kemi ngjalljen e tij, kemi dhuratën e Shpirtit Shenjt, kemi adhurimin, dëgjesën dhe dashurinë ndaj Atit. Po ta linim pas dore Eukaristinë, si do të mund ta ndreqnim varfërinë tonë?

 61. Misteri eukaristik – fli, prani, tryezë – nuk lejon zvogëlime e as instrumentalizime; duhet jetuar në tërësinë e tij, qoftë në ngjarjen kremtuese, qoftë në bashkëbisedimin intim me Jezusin e sapomarrë në kungim, qoftë në momentin e lutjes së adhurimit eukaristik jashtë Meshës. Kështu Kisha ndërtohet qëndrueshëm dhe shprehet çka ajo është me të vërtetë: një e vetme, e shenjtë, katolike dhe apostolike; popull, tempull e familje e Hyjit; trup dhe nuse e Krishtit, e frymëzuar prej Shpirtit Shenjt; sakrament universal i shëlbimit dhe bashkim hierarkik i strukturuar.

Rruga që Kisha përshkon në këto vitet e para të mijëvjeçarit të tretë është edhe rruga e angazhimit të përtërirë ekumenik. Dhjetëvjeçarët e fundit të mijëvjeçarit të dytë, të kulminuar në Jubileun e Madh, na kanë shtyrë në këtë drejtim, duke i nxitur të gjithë të pagëzuarit t’i përgjigjen lutjes së Jezusit «ut unum sint» (Gjn 17, 11). Është një rrugë e gjatë, plot me pengesa që e tejkalojnë aftësinë njerëzore; por kemi Eukaristinë dhe para saj mund të dëgjojmë në thellësinë e zemrës, si të drejtuara neve, vetë fjalët që dëgjoi Elia profet: «Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë» (1 Mbr 19, 7). Thesari eukaristik, që Zoti e ka vënë në dispozicionin tonë, na nxit drejt pikarritjes së bashkëndarjes së tij të plotë me të gjithë vëllezërit, me të cilët na bashkon Pagëzimi i përbashkët. Për të mos e humbur këtë thesar, duhet të respektojmë kërkesat që rrjedhin prej të qenët të tij Sakrament i bashkimit në fe dhe në pasardhësinë apostolike.

Duke i dhënë Eukaristisë gjithë vëmendjen që ajo meriton, dhe duke u kujdesur me çdo mënyrë për të mos ia zbehur asaj asnjë përmasë apo kërkesë, tregohemi vërtet të vetëdijshëm për madhërinë e kësaj dhurate. Për këtë na fton një traditë e pandërprerë, e cila që prej shekujve të parë e ka parë bashkësinë e krishterë syçelët në ruajtjen e këtij «thesari». E nxitur prej dashurisë, Kisha shqetësohet për t’u përçuar breznive të ardhshme të krishtera, pa humbur asnjë pjesë, fenë dhe doktrinën në Misterin eukaristik. Nuk ka rrezik të teprohet në kujdesin për këtë Mister, sepse «në këtë Sakrament përmblidhet i gjithë misteri i shëlbimit tonë»103.

 62. Të hyjmë, shumë të dashur vëllezër e motra, në shkollën e Shenjtërve, interpretues të vërtetë të përshpirtërisë eukaristike. Në ta teologjia e Eukaristisë merr gjithë shkëlqimin e jetës, na «komunikon përvojën e tyre» dhe, të themi, na «ngroh». Të vihemi sidomos në dëgjim të Shenjtes Mari, në të cilën Misteri eukaristik, më shumë se në çdo tjetër, shfaqet si mister drite. Duke vështruar atë njohim forcën shndërruese që Eukaristia ka. Në të shohim botën e përtërirë në dashuri. Duke e soditur atë të ngjitur në Qiell me shpirt e me trup, shohim një pamje të pjesshme të «qiejve të rinj» dhe të «tokës së re» që do të hapen para syve tanë me ardhjen e dytë të Krishtit. Eukaristia, këtu në tokë përbën pengun e tyre dhe, në një farë mënyre, edhe paraprirjen e tyre: «Veni, Domine Iesu!» (Zb 22, 20).

Në shenjën e përvuajtur të bukës e të verës, të shndërruar në trupin e gjakun e tij, Krishti ecën me ne, si forca jonë e ngushëllimi ynë, dhe na bën për të gjithë dëshmitarë shprese. Nëse përballë këtij Misteri arsyeja provon kufizimet e saj, zemra e ndriçuar prej hirit të Shpirtit Shenjt percepton mirë se çfarë qëndrimi duhet të mbajë, duke u zhytur në adhurim dhe në një dashuri pa kufi.

T’i bëjmë tonat ndjenjat e shën Tomës së Akuinit, teolog i madh dhe njëkohësisht këngëtar i apasionuar i Krishtit eukaristik, dhe të lejojmë që edhe shpirti ynë të hapet në shpresë ndaj soditjes së qëllimit, të cilin zemra e dëshiron, e etur siç është për gëzim e paqe:

 

«Bone pastor, panis vere,

Iesu, nostri miserere…».

“Bari i mirë, bukë e vërtetë,

o Jezus, ki mëshirë për ne:

na ushqe e na mbro,

na ço te të mirat e amshuara

në tokën e të gjallëve.

Ti që gjithçka di dhe mundesh,

që na ushqen në tokë,

çoji vëllezërit e tu

në sofrën e qiellit

në gëzimin e shenjtërve të tu”.

 Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 17 prill, e Enjtja e Madhe, e vitit 2003, i njëzetepesti i Pontifikatit tim, Viti i Rruzares.

  

Gjon Pali II

 

 

 

 

  Bibliografia

 

1  Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 11.

2  Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi shërbesën dhe jetën e presbiterëve Presbyterorum Ordinis, 5.

3  Krh. Gjon Pali II, Let. ap. Rosarium Virginis Mariae (16 tetor 2002), 21: AAS 95 (2003), 19.

4  Ky është titulli që kam dashur t’i jap një dëshmie autobiografike me rastin e pesëdhjetëvjetorit të meshtarisë sime.

5  Leonis XIII Acta XXII (1903), 115-136.

6  AAS 39 (1947), 521-595.

7  AAS 57 (1965), 753-774.

8  AAS 72 (1980), 113-148.

9  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. mbi Liturgjinë e Shenjtë Sacrosanctum Concilium, 47: «Salvator noster (…) Sacrificium Eucharisticum Corporis et Sanguinis sui instituit, quo Sacrificium Crucis in saecula, donec veniret, perpetuaret».

10  Katekizmi i Kishës Katolike, 1085.

11  Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 3.

12  Krh. Pali VI, Dëshmi solemne e fesë, 30 qershor 1968, 24: AAS 60 (1968), 442; Gjon Pali II, Let. ap. Dominicae Cenae (24 shkurt 1980), 12: AAS 72 (1980), 142.

13  Katekizmi i Kishës Katolike, 1382.

14  Ibid., 1367.

15  Omelie sulla Lettera agli Ebrei, 17, 3: PG 63, 131.

16  Krh. Konc. Ekum. Tridentin, Seksioni XXII, Doctrina de ss. Missae sacrificio, kap. 2: DS 1743: «Në të vërtetë bëhet fjalë për një fli të vetme e identike dhe vetë Jezusi e kushton atë tani nëpër shërbesën e meshtarëve, ai që një ditë flijoi vetveten në kryq: e ndryshme është vetëm mënyra e flijimit».

17  Piu XII, Let. enc. Mediator Dei (20 nëntor 1947): AAS 39 (1947), 548.

18  Gjon Pali II, Let. enc. Redemptor Hominis (15 mars 1979), 20: AAS 71 (1979), 310.

19  Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 11.

20  De sacramentis, V, 4, 26: CSEL 73, 70.

21  Sul Vangelo di Giovanni, XII, 20: PG 74, 726.

22  Let. enc. Mysterium Fidei (3 shtator 1965): AAS 57 (1965), 764.

23  Seksioni XIII, Decr. de ss. Eucharistia, kap. 4: DS 1642.

24  Catechesi mistagogiche, IV, 6: SCh 126, 138.

25  Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Zbulimin hyjnor Dei Verbum, 8.

26  Dëshmi solemne e fesë, 30 qershor 1968, 25: AAS 60 (1968), 442-443.

27  Omelia IV per la Settimana Santa: CSCO 413/ Syr. 182, 55.

28  Anafora.

29  Lutja Eukaristike III.

30  Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit, antifona e Magnificat e Mbrëmësores II.

31  Meshari Romak, Embolizmi pas lutjes Ati Ynë.

32  Lettera agli Efesini, 20: PG 5, 661.

33  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. bar. mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et Spes, 39.

34  «A dëshiron ta nderosh trupin e Krishtit? Mos e lër pas dore kur është i zhveshur. Mos e ndero këtu në tempull me coha mëndafshi, për ta lënë pastaj pas dore jashtë, ku vuan prej të ftohtit e lakuriqësisë. Ai që ka thënë: “Ky është korpi im”, është po ai që ka thënë: “Më patë të uritur e nuk më dhatë të ha”, dhe “Çkado keni bërë për më të voglin ndër vëllezërit e mi ma keni bërë mua” (…). Çfarë duhet nëse tryeza eukaristike është plot me kupa të arta, kur ai vdes urie? Fillo ta ngish atë që është i uritur, pastaj, me atë që do të teprojë mund të zbukurosh edhe altarin»: Sh. Gjon Gojarti, Omelie sul Vangelo di Matteo 50, 3-4: PG 58, 508-509; krh. Gjon Pali II, Let. enc. Sollicitudo rei socialis (30 dhjetor 1987), 31: AAS 80 (1988), 553-556.

35  Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 3.

36  Ibid.

37  Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi veprimtarinë misionare të Kishës Ad Gentes, 5.

38  «Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve!”» (Dal 24, 8).

39  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 1.

40  Krh. ibid., 9.

41  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi shërbesën dhe jetën e presbiterëve Presbyterorum Ordinis, 5. I njëjti Dekret, në nr. 6, thotë: «Nuk është e mundur që të ndërtohet një bashkësi e krishterë përveçse duke pasur si rrënjë e si bosht kremtimin e të shenjtërueshmes Eukaristi».

42  Omelie sulla I Lettera ai Corinzi, 24, 2: PG 61, 200. Krh. Didachè, IX, 4: F. X. Funk, I, 22; Sh. Cipriani, Ep. LXIII, 13: PL 4, 384.

43  PO 26, 206.

44  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 1.

45  Krh. Konc. Ekum. Tridentin, Seksioni XIII, Decretum de ss. Eucharistia, kan. 4: DS 1654.

46  Krh. Rituale Romanum: De sacra communione et de cultu mysterii eucharistici extra Missam, 36 (nr. 80).

47  Krh. ibid., 38-39 (nr. 86-90).

48  Gjon Pali II, Let. ap. Novo Millennio Ineunte (6 janar 2001), 32: AAS 93 (2001), 288.

49  «Gjatë ditës besimtarët të mos e lënë pa i bërë vizitë Të Shenjtërueshmit Sakrament, që duhet të ruhet në një vend shumë të dalluar, me nderimin më të madh në kishat, sipas ligjeve liturgjike, sepse vizita është provë mirënjohjeje, shenjë dashurie dhe borxh falënderimi Krishtit Zot aty i pranishëm»: Pali VI, Let. enc. Mysterium Fidei (3 shtator 1965): AAS 57 (1965), 771.

50  Visite al SS. Sacramento ed a Maria Santissima, Hyrje: Opere ascetiche, Avellino 2000, fq. 295.

51  Nr. 857.

52  Ibid.

53  Ibid.

54  Krh. Kongregata për Doktrinën e Fesë, Let. Sacerdotium Ministeriale (6 gusht 1983), III.2: AAS 75 (1983), 1005.

55  Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 10.

56  Ibid.

57  Krh. Institutio Generalis: Editio typica tertia, nr. 147.

58  Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 10 e 28; Dekr. mbi shërbesën dhe jetën e presbiterëve Presbyterorum Ordinis, 2.

59  «Mbarështuesi i altarit vepron në prsonin e Krishtit si krye, që ofron në emër të të gjitha gjymtyrëve»: Piu XII, Let. enc. Mediator Dei (20 nëntor 1947): AAS 39 (1947), 556; krh. Piu X, Nxit. ap. Haerent Animo (4 gusht 1908): Pii X Acta, IV, 16; Piu XI, Let. enc. Ad catholici sacerdotii (20 dhjetor 1935): AAS 28 (1936), 20.

60  Let. ap. Dominicae Cenae (24 shkurt 1980), 8: AAS 72 (1980), 128-129.

61 Kongregata për Doktrinën e Fesë, Let. Sacerdotium ministeriale (6 gusht 1983), III.4: AAS 75 (1983), 1006; krh. Konc. IV Ekum. i Lateranit, kap. 1, Kusht. mbi fenë katolike Firmiter credimus: DS 802.

62  Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi ekumenizmin Unitatis Redintegratio, 22.

63  Let. ap. Dominicae Cenae (24 shkurt 1980), 2: AAS 72 (1980), 115.

64  Dekr. mbi shërbesën dhe jetën e presbiterëve Presbyterorum Ordinis, 14.

65  Ibid., 13; krh. Kodi i së Drejtës Kanonike, kan. 904; Kodi i Kanonëve të Kishave Lindore, kan. 378.

66  Dekr. mbi shërbesën dhe jetën e presbiterëve Presbyterorum Ordinis, 6.

67  Krh. Relacioni përfundimtar, II.C.1: L’Osservatore Romano, 10 dhjetor 1985, fq. 7.

68  Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 26.

69  Nicola Cabasilas, La vita in Cristo, IV, 10: SCh 355, 270.

70  Cammino di perfezione, k. 35.

71  Krh. Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra drejtuar Ipeshkvinjve të Kishës katolike mbi disa aspekte të Kishës si bashkim Communionis notio (28 maj 1992), 4: AAS 85 (1993), 839-840.

72  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 14.

73  Omelie su Isaia 6, 3: PG 56, 139.

74  Nr. 1385; krh. Kodi i së Drejtës Kanonike, kan. 916; Kodi i Kanoneve të Kishave Lindore, kan. 711.

75  Fjalimi anëtarëve të Penitencierisë së Shenjtë Apostolike dhe Penitencierëve të Bazilikave Patriarkale të Romës (30 janar 1981): AAS 73 (1981), 203. Krh. Konc. Ekum. Tridentin, Seksioni XIII, Decretum de ss. Eucharistia, kap. 7 dhe kan. 11: DS 1647, 1881.

  Kan. 915; krh. Kodi i Kanoneve të Kishave Lindore, kan. 712.

77  Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 14.

78  Shën Toma i Akuinit, Summa theologiae, III, q. 73, a. 3c.

79  Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra drejtuar Ipeshkvinjve të Kishës katolike mbi disa aspekte të Kishës si bashkim Communionis notio (28 maj 1992), 11: AAS 85 (1993), 844.

80  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 23.

81  Lettera agli Smirnesi, 8: PG 5, 713.

82  Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 23.

83  Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra drejtuar Ipeshkvinjve të Kishës katolike mbi disa aspekte të Kishës si bashkim Communionis notio (28 maj 1992), 14: AAS 85 (1993), 847.

84  Sermo 272: PL 38, 1247.

85  Ibid., 1248.

86  Krh. nr. 31-51: AAS 90 (1998), 731-746.

87  Krh. ibid., nr. 48-49; AAS 90 (1998), 744.

88  Nr. 36: AAS 93 (2001), 291-292.

89  Krh. Dekr. mbi ekumenizmin Unitatis Redintegratio, 1.

90  Krh. Kusht. dogm. mbi Kishën Lumen Gentium, 11.

91  «Bëj që ne, që marrim pjesë në të vetmen bukë dhe në të vetmin kelk, të jemi të bashkuar me njëri-tjetrin në bashkimin e të vetmit Shpirt Shenjt»: Anafora e Liturgjisë së Sh. Bazilit.

92  Krh. Kodi i së Drejtës Kanonike, kan. 908; Kodi i Kanoneve të Kishave Lindore, kan. 702; Këshilli Papnor për Promovimin e Njësisë së të Krishterëve, Direktoriumi për ekumenizmin (25 mars 1993), 122-125, 129-131: AAS 85 (1993), 1086-1089; Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra Ad exsequendam (18 maj 2001): AAS 93 (2001), 786.

93  «Komunikimi në gjërat e shenjta që e fyen njësinë e Kishës apo përfshin aderimin formal në gabimin apo rrezikun e gabimit në fe, të skandalit dhe të indiferentizmit, është i ndaluar prej ligjit hyjnor»: Dekr. mbi Kishat lindore katolike Orientalium Ecclesiarum, 26.

94 Nr. 45: AAS 87 (1995), 948.

95  Dekr. mbi Kishat lindore katolike Orientalium                                 Ecclesiarum, 27.

96  Krh. Kodi i së Drejtës Kanonike, kan. 844 §§ 3-4; Kodi i Kanoneve të Kishave Lindore, kan. 671 §§ 3-4.

97  Nr. 46: AAS 87 (1995), 948.

98  Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Dekr. mbi ekumenizmin Unitatis Redintegratio, 22.

99  Krh. AAS 91 (1999), 1155-1172.

100  Nr. 22: AAS 92 (2000), 485.

101  Krh. nr. 21: AAS 95 (2003), 20.

102  Nr. 29: AAS 93 (2001), 285.

103  Shën Toma i Akuinit, Summa theologiae, III, q. 83, a. 4 c.

 

 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster