|
Konferencë shtypi
Për çështjen e kishës - xhami tek
Kalaja e Shkodrës, më 13 dhjetor 2005, ora 11.00
Të nderuar
gazetarë, para së gjithash ju falënderoj për pranimin tuaj të ftesës për të
marrë pjesë në këtë konferencë shtypi. Ka më shumë se një muaj që flitet
shumë –nëper gazeta, si edhe në biseda të përditshme të shumë njerëzve- për
një çështje që më duket se është fryer shumë, duke krijuar një gjendje të
padëshiruar dhe të panevojshme. I referohem çështjes së kishës-xhami (kështu
shprehen disa artikuj gazetash) te kalaja Rozafa në Shkodër.
Për këtë
arsye e ndjej veten të detyruar të flas, sepse është bërë e domosdoshme që
të saktësojmë disa gjëra në lidhje me këtë problem, meqë thashethemet kanë
qenë të shumta dhe kanë paraqitur mendime, koncepte dhe qëllime që shpesh
ishin të gabuara dhe jo të vërteta. Kështu erdhi koha për të shprehur
publikisht mendimet dhe qëndrimet e Arqipeshvisë së Shkodër-Pult mbi këtë
çështje.
Dëshiroj t’ju them edhe juve atë që ia thashë Myftisë së
Shkodrës, Z. H. B. Bajraktari, kur erdhi për të më takuar në Arqipeshvi, më
16 nëntor të këtij viti. Jam çuditur se si u ngrit ky problem dhe për të
gjitha jehonat që ka pasur edhe nëpërmjet mediave. Kjo është një çështje në
të cilën edhe ne si Kishë katolike jemi përfshirë, kundër vullnetit tonë,
por për të cilën nuk kemi ditur asgjë deri në momentin kur kemi lexuar
lajmet e para nëpër gazeta. Unë kam qenë në dijeni vetëm se Shteti ishte
duke u angazhuar për ta restauruar kalanë e Shkodrës, por nuk dija as se si,
as se kur as se kush.
Kisha
katolike nuk ka kërkuar asnjëherë që kisha e Shën Shtjefnit në kala t’i
riktheht asaj si një kishë, e cila kishte për të qenë aktive për shërbime
fetare të rregullta. Është e vërtetë se aty kremtohet Mesha çdo vit (kur nuk
bie shi), më 26 dhjetor, që është dita në të cilën Kisha katolike kujton dhe
feston shën Shtjefnin, i cili është për ne edhe pajtori i qytetit të
Shkodrës. Kjo bën pjesë në një traditë që i ka rrënjët në shumë vite më parë
dhe nuk fsheh asnjë qëllim tjetër. Përveç kësaj, askush nuk është ankuar
kurrë për kremtimin e Meshës në atë vend ditën e shën Shtjefnit.
E theksoj
edhe një herë për t’i shmangur thashethemet që janë dëgjuar në këto ditë:
kurrë nuk kemi kërkuar që të rindërtohet kisha në kala as nuk kemi dhënë
fonde për këtë qëllim, flas për kohën kur unë jam arqipeshëv i Shkodrës.
Gjithashtu më duket e rëndësishme që të kuptohet mirë dallimi midis
restaurimit dhe rindërtimit. Me rindërtim nënkuptohet që objekti i
rindërtuar të kthehet në funksionin e tij. Ndërsa restaurimi bëhet për ta
ruajtur sa më mirë një objekt në gjendjen e tanishme, në mënyrë që të mos
prishet përfundimisht dhe të ketë një vlerë historike.
Më vjen
shumë keq që për një çështje, e cila ka të bëjë me një monument kulture që
në shekujt e kaluar ka zhvilluar funksionin e kishës, që u shëndërrua në
xhami gjatë pushtimit otoman, dhe që mund të krijojë keqkuptime (ashtu siç
ka ndodhur) askush prej Shtetit, prej Ministrisë ose prej Drejtorisë së
monumenteve nuk na ka informuar paraprakisht dhe nuk na ka paraqitur asnjë
projekt. Kështu, disa tituj të gazetave si “luftë midis komuniteteve
fetare”, etj., janë krejtësisht të pavend. Si mund të ketë luftë midis dy
palëve kur njëra prej tyre nuk di asgjë?… Ne nuk jemi aspak në dijeni se
çfarë punësh restauruese mendohen të bëhen, sepse nuk jemi përzier fare në
këtë çështje. Askush deri më sot nuk ka ardhur për të biseduar me ne për
këtë çështje, as në fillim as pas lindjes së problemeve. Nëse Shteti vendos
për restaurim, unë mendoj se objekti duhet të mbetet si monument historik
kulture, duke ruajtur strukturën e tanishme, ku dallohen qartë qoftë
mbresat-gjurmët e kishës qoftë mbresat-gjurmët e xhamisë.
Në
përfundim, mendoj se objekti në fjalë në historinë e tij u ka shërbyer të dy
komuniteteve fetare. Sot të dy komunitetet duhet ta kemi për nder që të
kaluarën tonë t’ia besojmë plotësisht institucioneve të kulturës dhe të
bëhemi kështu pjesë konstruktive e të mirës si dhe e traditës së
bashkjetesës në këtë vend.
Objekti
është pronë e kulturës së popullit shqiptar. Kujdesi dhe mbrojtja e tij u
takon Institucioneve të Shtetit Shqiptar
Ashtu siç i
kam thënë Myftiut të Shkodrës, më duket se është bërë “buall një mizë”, pa
asnjë arsye. Kështu nuk ka pse të krijohen përçarje, që nuk dëshirojmë as
nuk pranojmë dhe të gjithë së bashku nuk duhet të lejojmë që të ndodhë një
gjë e tillë.
Kam folur
për hir të së vërtetës, duke qenë i bindur –siç thotë Jezusi në Ungjillin e
Gjonit- që ‘vetëm e vërteta na bën të lirë’ dhe jo kurrë thashethemet,
keqkuptimet ose, edhe më keq, instrumentalizimi i çështjeve.
+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
në krye
titujt kryesorë
|