|
Leter Baritore programore 2005
Shumë të dashur Meshtarë, Diakona
Shumë të dashur Rregulltarë e Rregulltare
Shumë të dashur besimtarë laikë,
Në këtë vit hiri 2005 kemi kremtuar e përfunduar Vitin
Eukaristik të shpallur nga Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II dhe të përfunduar
nga Papa Benedikti XVI më 23 tetor të këtij viti në Meshën përmbyllëse të
Asamblesë XI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvinjve.
Prej disa vjetësh, në Arkidioqezën tonë, kemi kremtuar në
shtator Asamblenë Dioqezane. Këtë vit, për të mos marrë shumë nisma, e kemi
zëvendësuar Asamblenë me Kongresin Eukaristik dioqezan, të cilin e kremtuam
në ditët 15-17 shtator, pas ditëve eukaristike të jetuar në famulli dhe në
zonat baritore, si dhe pas ditës së bukur eukaristike kombëtare të kremtuar
në Rrëshen më 10 shtator, ku kemi qenë të pranishëm prej të gjitha famullive
tona.
Kjo letër dëshiron të jetë një letër baritore programatike
për vitin 2006, duke nisur nga e diela e parë e Ardhjes, më 27 nëntor.
Veç kësaj, kjo letër është një rast i volitshëm për t’ju
ftuar të njihni, lexoni, studioni dhe thelloni dokumentet e ndryshme të
Koncilit II të Vatikanit, 40 vjetori i mbylljes së të cilit do të kremtohet
më 8 dhjetor.
Në këtë vit të ri baritor, me siguri na ndihmon Mesazhi i
Etërve Sinodalë të 21 tetorit 2005: “Eukaristia: Buka e gjallë për paqen e
botës”, që me pikat e tij të ndryshme na fton, siç ka bërë edhe Papa
Benedikti XVI në homelinë e Meshës së Shenjtë përmbyllëse të Vitit
Eukaristik, ta japim tani fryte të shumta të vitit të dendur eukaristik që
kemi jetuar. Ja disa pika të Mesazhit në të cilat Etërit sinodalë na ftojnë
ta shpallim e ta dëshmojmë atë që sodisim e adhurojmë: Jezu Krishtin
Shëlbues.
“Dyzet vjet larg Koncilit II të Vatikanit jemi të nxitur të
bëjmë një shqyrtim ndërgjegjeje baritore, për të verifikuar se në çfarë mase
feja shprehet dhe kremtohet me koherencë në Asambletë tona liturgjike.
Sinodi ripohon se Koncili II i Vatikanit ka hedhur themelet e nevojshme për
një përtëritje liturgjike autentike. Pra, është e nevojshme të kultivojmë
frytet pozitive dhe të ndreqim abuzimet që kanë depërtuar në praktikë. Jemi
të bindur se respektimi i karakterit të shenjtë të liturgjisë kalon nëpër
një besnikëri të përnjëmendtë ndaj normave liturgjike të autoritetit të
ligjshëm. Askush të mos e konsiderojë veten si pronar të liturgjisë së
Kishës. Edhe, Etërit sinodalë urojnë që viti eukaristik të jetë fillimi dhe
një pikë referimi për ungjillëzimin e ri të njerëzimit, në rrugë
globalizimi, duke filluar prej Eukaristisë” .
“Të dashur meshtarë, në këto
ditë kemi menduar shumë për ju, e njohim zemërgjerësinë e përkushtimin tuaj.
Në bashkim me ne mbani peshën e shërbimit baritor të përditshëm pranë
popullit të Hyjit. E shpallni me forcë Fjalën e Zotit, duke u munduar t’i
përfshini siç duhet besimtarët në misterin eukaristik. Çfarë hiri është
shërbesa juaj! Lutemi me ju dhe për ju që së bashku të mund t’i mbetemi
besnikë dashurisë së Krishtit. Ju kërkojmë të jeni, së bashku me ne dhe
sipas shembullit të Atit të Shenjtë Benedikti XVI, «punëtorët e përvuajtur
në vreshtën e Zotit», me një jetë meshtarake koherente. Paqja e Krishtit, që
ua dhuroni mëkatarëve të penduar dhe asambleve eukaristike, shkëlqeftë mbi
ju dhe mbi bashkësitë që jetojnë me dëshminë tuaj”.
“Shumë të dashur vëllezër e motra,
cilado qoftë gjendja e jetës në të cilën jemi të thirrur ta jetojmë thirrjen
tonë pagëzimore, të vishemi me ndjenjat e Krishtit Jezus (krh. Fil 2, 2) dhe
sipas shembullit të tij të bëjmë garë me njëri-tjetrin në përvujtëri”.
“Përshëndesim e falënderojmë të gjithë personat e
kushtuar Zotit, këtë pjesë të zgjedhur të vreshtës së Zotit, që në një
dhurim plotësisht falas dëshmon lajmin e mirë të Dhëndrit që vjen (krh. Zb
22, 17-20). Dëshmia jonë eukaristike në ndjekje të Krishtit është një
dhuratë dashurie në natën e botës, një jehonë e Stabat Mater dhe e
Magnificat. Gruaja eukaristike në mënyrë të veçantë, e kurorëzuar me yje dhe
pafundësisht e frytshme, Virgjëra e Ngjitur në Qiell dhe e Papërlyer, ju
ruajtë në paqen dhe në gëzimin e Pashkëve për shpresën e botës, në shërbimin
që i bëni Hyjit dhe të varfërve”.
“Të dashur të rinj, Ati i
Shenjtë Benedikti XVI ju ka thënë e përsëritur se duke iu dhuruar Krishtit
nuk humbni asgjë. Po i marrim edhe ne fjalët e tij të forta por të
kthjellëta, të thëna për Meshën e shenjtë të fillimit të shërbesës së Tij,
që ju orientojnë drejt lumturisë së vërtetë, në respektin më të madh të
lirisë suaj: «Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk heq asgjë dhe dhuron
gjithçka. Ai që i dhurohet atij merr njëqindfishin. Po, hapjani anë e përtej
dyert Krishtit dhe do të gjeni jetën e vërtetë». U besohemi aftësive tuaja
dhe dëshirës suaj për të zhvilluar vlerat pozitive të botës e për ta
ndryshuar atë që është e padrejtë dhe e dhunshme në të. Të jeni të sigurtë
për mbështetjen tonë dhe për lutjen tonë që të pranojmë së bashku sfidën e
ndërtimit të së ardhmes me Krishtin. Ju jeni «rojtarët e mëngjesit» dhe
«eksploruesit e së ardhmes». Ju nuk do të lini pa marrë nga burimi i
energjisë hyjnore të Eukaristisë së shenjtë që të kryeni shndërrimet e
nevojshme”.
“Seminaristëve të rinj që janë
duke u përgatitur për shërbesën meshtarake dhe me bashkëmoshatarët e tyre
bashkëndajnë shpresat për të ardhmen, dëshirojmë t’ju dërgojmë një mendim të
veçantë që jeta juaj e formimit të jetë e mbushur nga një përshpirtëri e
thjeshtë eukaristike”.
“Të dashur bashkëshortë të krishterë me familjet
tuaja, thirrjen tuaj për shenjtëri, si kishë shtëpiake, ushqehet në Tryezën
e shenjtë të Eukaristike. Feja juaj në sakramentin e martesës e shndërron
bashkimin bashkëshortor në një tempull të Shpirtit Shenjt, në një burim të
frytshëm jete të re në lindjen e bijve që janë fryt i dashurisë suaj. Kemi
folur shpesh për ju në Sinod, sepse jemi të ndërgjegjshëm për brishtësitë
dhe pasiguritë e botës së tashme. Kini guxim në përpjekjen tuaj për të
edukuar bijtë në fe. Të jeni sythi i thirrjeve në meshtari dhe në jetën e
kushtuar Zotit; mos harroni se Krishti është i pranishëm në bashkimin tuaj
dhe e bekon atë me çdo hir për të cilin keni nevojë që ta jetoni
shenjtërisht thirrjen tuaj. Ju nxisim ta ruani zakonin e pjesëmarrjes me
gjithë familjen në Eukaristinë e së dielës”.
SUGJERIME KONKRETE:
Jezu Krishti e mban vërtet premtimin e vet solemn: “Dhe, ja,
unë jam me ju gjithmonë - deri në të sosur të botës”. Krishti është mes
nesh! Kjo siguri duhet të na japë gëzim, guxim, besim të patundshëm përtej
të gjitha vështirësive e dobësive njerëzore, të gjitha dështimeve në dukje.
Juve Meshtarë, Rregulltarë, Rregulltare e reminarista
dëshiroj menjëherë t’ju shpreh falënderimin tim dhe kënaqësinë time për atë
që jeni e për atë që bëni. Në zemrën e çdo presbiteri nuk do të ketë paqe
“deri sa në ju të mos jetë formuar Krishti”, sikurse na kujton apostulli në
letrën e tij drejtuar Galatasve.
Për të shmangur që shërbesa jonë të bjerë rolin e
“funksionarit të së shenjtes” “Pastores dabo vobis” na kujton se “meshtari
është i thirrur, nëpërmjet formimit të vazhdueshëm, që ta ruajë e ta
zhvillojë në fe vetëdijen e së vërtetës së plotë dhe befasuese të qenies së
tij: ai është mbarështuesi i Krishtit dhe administruesi i mistereve të
Hyjit” (PdV 73). Prandaj Meshtari dhe Rregulltari/Rregulltarja, me formimin
e vazhdueshëm, duhet të jenë të aftë t’u përgjigjen në mënyrë gjithnjë e më
të qartë instancave të misterit, duke vënë në llogari një farë asketike të
takimeve, duke favorizuar miqësinë mes meshtarëve, lutjen e përbashkët,
mirëpritjen, durimin e ndërsjellë të peshave të shërbesës dhe të rizbulojnë
thelbësoren mes gjërave të shumta që duhet të bëjnë.
U kërkoj të gjithëve të vazhdojnë me angazhim përvojën e
zonave baritore, në mënyrë që të mund të jetohet një jetë vërtet
vëllazërore, në bashkëndarjen e gëzimeve dhe të mundimeve të shërbimit ndaj
bashkësisë së fesë.
T’i jepet rëndësia e duhur adhurimit eukaristik mujor,
veçanërisht për thirrjet meshtarake e kushtimit të veçantë;
; dhe një gatishëmeri më të madhe për rrëfimet: të caktohen
në famulli ditët të veçantë për rrefimet.
Katekizmi i Kishës katolike të
jetë objekt reflektimi e thellimi, në mënyrë që të përçohet e fortë dhe e
bazuar e vërteta e fesë sonë.
Për këtë arsye
kërkoj nga të gjithë ata që janë të impenjuar në shërbesën e katekizimit që
të mundohen maksimalisht që të katekizuarit t’ia arrijnë së paku njohjes
bazë të katekizmit të Kishës katolike. Metodat e vjetra “pyetje e përgjigje”
si dhe përsëritja e të Vërtetave të fesë para meshës së të dielës mund të
jenë një ndihmë në këtë aspekt.
Në liturgji gjithashtu nuk
mund të humbasim pasuritë e këngëve të vjetra fetare të cilat duhet t’i
rimarrim nëpër kremtimet tona liturgjike. Shumë nga ato këngë kanë tekste të
frymëzuara e të kapshme në logjikën e domethënjien e tyre.
Në angazhimin baritor duhet t’u kushtohet një kujdes i
veçantë e i vëmendshëm sidomos të rinjve. Atyre u jemi borxhlinj të
Ungjillit.
EUKARISTIA TË JETË NË QENDËR TË JETËS SONË PERSONALE
DHE TË JETËS SONË APOSTOLIKE
Të kujtojmë dhe të vëmë në jetë frazën që ka bërë rolin e
fillit drejtues në Kongresin tonë Eukaristik: “pa Meshën e së dielës nuk
mund të jetojmë” dhe që u ka kushtuar jetën 49 martirëve të Abitenës në
vitin 304.
Shoqëria e përfitimit dhe e konsumit, e punës dhe e
zbavitjes është duke e humbur kuptimin e së dielës si festë bashkësie.
Prandaj në lidhje me këtë vjen paralajmërimi i Shërbëtorit të Hyjit Gjon
Pali II: “Nuk është e mundur që të formohet një bashkësi e krishterë pa
pasur si rrënjë dhe si bosht kremtimin e Eukaristisë së shenjtë”.
Eukaristia është zemra pulsuese e gjithë jetës së krishterë,
siç thotë enciklika Ecclesia de Eucaristia: “Kisha jeton prej Eukaristisë”.
Ja disa kushte për të marrë pjesë në mënyrë të frytshme në
Meshën e së dielës:
1-
Marrja pjesë besnikërisht:
çdo të diel e
solemnitet
2-
Marrja pjesë të përgatitur mirë:
të jemi
në hirin e Hyjit / apo të rrëfehemi
3-
Marrja pjesë në mënyrë aktive e të vetëdijshme:
askush nuk duhet të asistojë si spektator
4-
Marrja pjesë me zemrën që dridhet nga dashuria, gëzimi, mirënjohja
dhe ndërmjetësimi për nevojat e njerëzimit.
5-
Kremtimi të bëhet sipas së vërtetës dhe bukurisë.
E DIELA ËSHTË EDHE DITA E NJERIUT
E diela na liron nga zbrazëtira dhe nga absurdi, nga vetmia
dhe nga varfëria e marrëdhënieve, nga furia e papërbajtur e prodhimit dhe e
konsumit. Jep mundësinë të jetohen më dendësisht vlerat e familjes, të
miqësisë, të bashkëndarjes, të soditjes, të kontaktit me natyrën, të të
gëzuarit artistik. Duhet ta rizgjojmë në personat shijen e të ndenjurit së
bashku.
Bashkimi me Zotin e kryqëzuar e të ngjallur dhe bashkimi me
vëllezërit janë të pandashëm mes tyre (krh. 1 Kor 11, 17-22.33-34; siç ka
kujtuar Papa Benedikti XVI në homelinë e tij të 29 majit 2005: “nuk mund të
komunikojmë me Zotin nëse nuk komunikojmë mes nesh”.
Dhe në Këln Papa Benedikti XVI gjatë Ditës Boterore të
Rinisë theksoi qoftë pasojat shpirtërore qoftë ato njerëzorë të pjesëmarrjes
në Eukaristi, dhe u dha këto 4 porosi të rinjvë:
1-
që të njohim Krishtin nëpërmjet Ungjillit
2-
që të mësojmë Katekizmin e Kishës katolike
3-
që të marrim pjesë në Meshë çdo të dielë
4-
që të angazhohemi për bashkimin dhe shërbimin: Eukaristia kërkon që
të jemi një: “Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup
i vetëm”, thotë shën Pali (1 Kor 10, 17).
“Kjo duhet të shfaqet në jetë, tha Papa Benedikti XVI. Duhet
të shfaqet në aftësinë e faljes. Duhet të shfaqet në ndjeshmërinë për
nevojat e tjetrit. Duhet të shfaqet në gatishmërinë për të bashkëndarë atë
që kemi dhe atë që jemi. Duhet të shfaqet në angazhimin për të afërmin, si
për atë të cilin e kemi afër, ashtu edhe për atë që është larg.
Nuk duhet t’i braktisim të moshuarit në vetminë
e tyre, nuk duhet të kalojmë pa u ndalur para atyre që vuajnë, duke shikuar
se ku dhe se si mund të jemi të nevojshëm.
Duke jetuar e duke vepruar kështu do të vëmë re shumë shpejt
se është shumë e bukur të jemi të dobishëm e t’u rrimë gati të tjerëve”.
Së fundi, për të ndërtuar Kishën si bashkësi-shenjë nuk
duhet në rend të parë të shumojmë veprimtaritë, por të kujdesemi për
përshpirtërinë, mendësinë, qëndrimet, marrëdhëniet vëllazërore. “T’i
bëjmë mirë gjërat e zakonshme” është rruga për shenjtërimin, duke u
munduar të edukojmë një ndërgjegje kishtare. Kjo ndodh duke ndërtuar momente
takimi dhe dëgjimi të ndërsjellë, dialogu dhe bashkëpunimi.
Kungimi i përditshëm dhe ai i së dielës me Zotin,
nëse është i sinqertë dhe intensiv, ushqen kultin
shpirtëror të vazhdueshëm dhe bëhet forcë për dëshminë (krh. Rom 12, 1-2),
duke dhënë ngritje cilësie në jetën tonë të
përditshme.
Zoti e forcoftë të qenit tonë të rrënjosur në Të dhe na
dhuroftë gëzimin e një jete të bazuar në Eukaristinë e të përforcuar prej
Dashurisë.
Ju bekoj vëllazërisht.
Shkodër, 20 nëntor 2005
në të Kremten e Krishtit Mbret
+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pulti
VINI RE:
T’U PARAQITET
KJO LETËR BARITORE BESIMTARËVE TË DIELËN E I DHE
TË II TË KOHËS SË ARDHJES
titujt kryesorë
|