|
|
Homelia për
mbylljen e Kohës Jubilare
25 prill 2008
Shkëlqesi shumë i nderuar Imzot Zef dhe Mons. Giovanni Gasparri, nga
Nunciatura,
Shumë
të dashur Meshtarë, Rregulltarë, Rregulltare dhe besimtarë të të gjithë
Dioqezës dhe ju që na ndiqni nëpërmjet Radio Marisë,
edhe
një herë jemi bashkuar këtu në këtë Katedrale për të lavdëruar Zotin dhe për
të kujtuar gjërat e mrekullueshme që ka bërë Ai. Së bashku me të gjithë
Kishën kremtojmë sot festën e Markut Ungjilltar, atij që nëpërmjet Ungjillit
të Tij na ndihmon ta njohim më mirë Jezu Krishtin, duke e paraqitur atë në
të vërtetën e tij më të thellë, si Bir i Hyjit. Por me këtë rast jemi këtu
edhe për disa ngjarje të veçanta, që karakterizojnë jetën e Dioqezës sonë
dhe të Kishës sonë. Në të vërtetë, sot përfundon Koha Jubilare për
përvjetorin e 150-të të vënies së gurit të parë të themelit të Katedrales,
që ka filluar më 19 tetor të vitit të shkuar, ditë e festës shtetërore për
lumturimin e të Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, motrës sonë në fe dhe bijës së
popullit tonë. Veç kësaj, të mallëngjyer kujtojmë se pikërisht 15 vjet më
parë, në këtë Katedrale, gjatë vizitës së tij të paharrueshme në tokën tonë,
Shërbëtori i Hyjit Papa Gjon Pali II ka shuguruar 4 Ipeshkvijtë e parë pas
rënies së komunizmit. Është i pranishëm sot në këtë kremtim Imzot Zef
Simoni, i dobësuar ndoshta në forcat e veta fizike për shkak të moshës e të
vuajtjeve të përjetuara, por ende shumë i fortë në angazhimin e tij për të
ndjekur Krishtin dhe për t’i shërbyer Kishës. Përshëndes Imzot Rrok
Mirditën, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës dhe President i Konferencës
Ipeshkvore Shqiptare, i cili qe shuguruar ipeshkëv në këtë ditë në këtë
Katedrale. Dhe jemi të sigurtë se edhe Imzot Frano Illija dhe Imzot Robert
Ashta marrin pjesë në këtë liturgji, në mënyrën përkatëse të atyre që tashmë
e kanë arritur takimin përfundimtar me Hyjin Atë. Veç kësaj, sot është edhe
10-vjetori i hyrjes sime në Shkodër si Arqipeshkëv i kësaj Dioqeze. Shpreh
falënderimin tim ndaj Zotit për gjithçka që kam jetuar në këta dhjetë vjet,
sepse kam bashkëndarë fenë së bashku me ju, sepse jemi rritur me të vërtetë
si bashkësi kishtare. Falënderoj përsëri Zotin – dhe të gjithë ju – për
gjithçka të bukur që kam marrë gjatë kësaj kohe prej shumë personave, shumë
prej të cilëve jeni këtu të pranishëm. Falënderoj edhe për të mirat që si
besimtarë të Krishtit në këtë pjesë të botës jemi munduar të realizojmë së
bashku.
Nuk
është e rastësishme që gjithë këto ngjarje që kujtova kanë pasur kishën
Katedrale si pikë qendrore në të cilën janë zhvilluar. Në të vërtetë,
Katedralja është qendra e jetës së Dioqezës, e jetës së Kishës, e jetës së
besimtarëve. Ajo dëshmon dhe realizon bashkimin që i lidh besimtarët mes
tyre, bashkimin që ekziston mes besimtarëve, meshtarëve dhe Bariut të tyre,
bashkimin që ekziston mes gjithë Kishës dhe kreut të Saj, që është Krishti.
Pikërisht sepse shpreh këtë bashkim, Katedralja është vendi në të cilin jo
vetëm kremtojmë Ritet e Shenjta, por në mënyrë të dukshme mund të shpallim
me forcë dhe publikisht fenë tonë. Shumë prej jush e kujtojnë me trishtim e
dhimbje kohën në të cilën, pasi ishte ndaluar çdo veprimtari fetare dhe ky
Tempull ishte shndërruar në Pallat Sporti, ky bashkim i dukshëm nuk mund të
jetohej dhe nuk mund të kumtohej me forcë se shëlbimi na është dhuruar prej
Hyjit Atë në Jezu Krishtin.
Ndërsa sot, faleminderit Hyjit, Katedralja e kryen plotësisht funksionin e
vet të duhur si Tempull i Zotit. Në këtë kohë jubilare, pikërisht më 12
janar, ajo është edhe rishuguruar, gjatë kremtimit të paharrueshëm të
kryesuar nga Kardinal Rodè, të cilin e falënderojmë me zemër dhe përsëri e
kujtojmë me gëzim për afërsinë dhe përzemërsinë e tij. Fjalët e Homelisë së
tij tingëllojnë ende edhe sot brenda nesh. Ai na ka kujtuar se kjo kishë
Katedrale, pas përndjekjes, është kthyer përsëri në vendin në të cilin
populli i shenjtë mund të eksperimentojë praninë e Hyjit mes njerëzve. Veç
kësaj na thoshte se “ky vend i shenjtë bëhet edhe vendi ku bashkohemi si
familje e si bashkësi, vendi në të cilin i komunikojmë njëri-tjetrit fenë që
kremtojmë. Në këtë tempull, ditë pas dite, do të jeni të ftuar të thërrisni
emrin e Zotit, të ushqeheni me fjalën hyjnore, të jetoni realitetin
sakramental: kjo është banesa e lutjes, e zbulimit eskatologjik, e takimit
mes Hyjit dhe të vetëve. Në të do të gjeni vendin e shpërblimit, të mëshirës,
të solidaritetit të plotë dhe të dashurisë, sepse ky tempull është hapësira
konkrete e kremtimit të Eukaristisë”. Dhe të mos harrojmë nxitjen e tij, kur
u shpreh kështu: “Fjala e dëgjuar, e lutur, e kumtuar, do t’ju lejojë të
rindërtoni, gjithnjë e më me qëndrueshmëri, shtëpitë tuaja, shoqërinë tuaj,
Kombin tuaj, sepse, siç thotë Psalmi 126, është Zoti ai që e ndërton
shtëpinë”.
Së
bashku me Kardinalin Rodè, nuk mund të mos falënderojmë Atin e Shenjtë
Benedikti XVI, që për këtë kohë jubilare u ka dhënë edhe ndjesën e plotë të
gjithë atyre që i kanë përmbushur kushtet e kërkuara. Marrja e ndjesës së
plotë ka bërë që të pasurohemi me faljen. Sigurisht që me faljen e marrë
prej Hyjit. Uroj që edhe me faljen që kemi arritur t’u japim të tjerëve.
Hiri i Jubileut që kemi kremtuar na nxit ta forcojmë botën tonë të brendshme
dhe të japim më shumë, qoftë si sasi (në veprimtaritë që kryejmë, duke
punuar në vreshtin e Zotit), qoftë si cilësi (duke u angazhuar vërtete për
të qenë çdo ditë e më të mirë, më të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, më
të aftë për falje e për pajtim). Po, nuk mund ta mbajmë vetëm për veten atë
që Zoti na ka dhuruar në këtë kohë. Duhet ta bashkëndajmë me të tjerët,
duhet t’ua dhurojmë të gjithëve hiret që kemi marrë. Zoti ka qenë bujar me
ne. Kjo na nxit të bëhemi edhe ne bujarë me të tjerët. Në këtë angazhim për
ta përmirësuar jetën tonë, dëshiroj t’u drejtohem veçanërisht familjeve.
Familja është vërtet bërthama themelore qoftë e jetës së çdo personi qoftë e
të gjithë shoqërisë.
Atëherë familjet tona le të jenë më të shenjta dhe plot me zell e me fe.
Nëse kjo do të ndodhë, me siguri do të kemi edhe një shoqëri më të mirë. Veç
kësaj, nga familjet e shenjta dhe nga bashkësitë famullitare që e jetojnë
fenë e vet në mënyrë të gjallë do të lindin patjetër edhe thirrjet për
meshtari dhe jetë rregulltare e misionare. Dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm
se sa të nevojshme janë këto thirrje për Dioqezën tonë dhe për botën në
përgjithësi.
Vëllezër e motra në Krishtin, t’i kërkojmë Zotit që të kemi një shpirt të
vërtetë misionar, që të mund t’ua kumtojmë Ungjillin të gjithë njerëzve, që
të mund të shpallim, me fjalë dhe me shembullin e jetës, se Hyji është i
mirë dhe se Ai e do çdo njeri. Se mund të bëhemi vërtet dëshmitarë të kësaj
mirësie e të kësaj dashurie në çdo mjedis në të cilin jetojmë, në familje
dhe me miqtë, në shkollë e në punë! Është vetë Jezusi ai që na e kërkon këtë.
E kemi dëgjuar këtë në leximin e Ungjillit të sotëm. Jezusi na fton të
shkojmë kudo për t’ia predikuar Ungjillin çdo personi dhe na garanton se Ai
do të na jetë afër e do të veprojë së bashku me ne, nëse do ta dëgjojmë
Fjalën e Tij dhe do ta vëmë atë në jetë. Edhe shën Pjetri, në leximin e parë
që dëgjuam, na nxit që ta forcojmë fenë tonë dhe t’u bëjmë ballë sulmeve të
djallit, i cili mundohet me të gjitha mënyrat që të na largojë prej të mirës
dhe prej të vërtetës, praktikisht, të na largojë prej Hyjit, duke na treguar
se mund ta arrijmë lumturinë me disa mjete që pastaj dalin se janë të rreme
e të gabuara. Por Zoti, na kujton përsëri Pjetri, do të na bëjë të fortë e
të qëndrueshëm nëse do t’i besohemi Atij. Dhe meqenëse hiri i Hyjit nuk
punon më kot, mund të themi vërtet se hiri i kësaj kohe jubilare na ka bërë
më të fortë e më të qëndrueshëm. Momentet e ndryshme që kemi përjetuar,
kremtimet, shtegtimet, takimet, nismat fetare e kulturore... gjithçka ka
ndihmuar në rritjen tonë njerëzore e shpirtërore. Le të ruajmë gjithmonë
gjithçka që Zoti ka mbjellur në zemrën tonë e në jetën tonë gjatë kësaj kohe!
T’ia kërkojmë këtë Hyjit të jetës me guxim por edhe me përvujtëri.
Në përfundim të kësaj
kohe jubilare më lejoni të falënderoj edhe ata që në mënyra të ndryshme janë
angazhuar me qëllim që e gjithë Dioqeza të mund t’i gëzonte hiret që Zoti na
ka dhuruar. Janë shumë persona dhe me siguri nuk mund t’i kujtoj të gjithë.
Sidoqoftë, dëshiroj të falënderoj në veçanti Don Gjovalin Sukën,
Administrator Famullitar i kësaj Katedraleje dhe Don Gjovalin Simonin,
Zëvendës Administrator Famullitar, për praninë e tyre të vazhdueshme e të
vëmendshme si dhe për punën e tyre të çmuar. Falënderoj Don Simon Jubanin,
për shërbimin e tij të palodhur në rrëfyestore, dhe të gjithë ata që kanë
realizuar shtegtimet. Falënderoj koret që kanë kënduar gjatë meshëve
Jubilare. Faleminderit të gjithë ju besimtarëve për mënyrën me të cilën e
keni ndier dhe përjetuar Jubileun e jashtëzakonshëm të Dioqezës sonë. Në
fund falënderoj Bandën Muzikore nga Aradeo (Lecce): Z. Vinçenc Aluisin,
Presidentin i Shoqatës me gjithë muzikantët dhe familjaret e tyre.
Zoti
ju bekoftë dhe e forcoftë gjithnjë e më shumë fenë tuaj dhe dashurinë tuaj
për Të e për të gjithë ata që kanë nevojë, me qëllim që, duke qenë të
mbështetur në Krishtin dhe me hirin e këtij Jubileu, të mund të jeni
dëshmitarë të paqes e të drejtësisë.
Zoja
e Këshillit të Mirë, dhe “Martirët Tanë”, Shërbëtorët e Hyjit Vinçenc
Prennushi dhe Shokët, na ndihmofshin në dëshminë tonë si Kishë edhe pas
kohës Jubilare.
† Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
titujt kryesorë
|
|