ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

  MEMORANDUM I IPESHKVIJVE TË KISHËS KATOLIKE NË SHQIPËRI

    ME RASTIN E ZGJEDHJEVE POLITIKE KOMBETARE 3 korrik 2005

 

    Afrimi i zgjedhjeve politike na shtyn të bëjmë publikisht një reflektim të shkurtër mbi nevojën e pjesëmarrjes nga ana e të gjithë qytetarëve në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, në të cilën e mira e përbashkët duhet të jetë me të vërtetë qëllimi i çdo përpjekjeje dhe veprimi.   

    Duke vlerësuar hapat pozitive në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendin tonë verejmë se duhet të angazhohemi edhe më tepër për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të denjë për qytetarët tanë.

Mirëpo, më shumë keqardhje, vemë re se:

    1.  Së tepërmi është rritur hendeku mes atyre që janë pasuruar shumë, shpeshherë padrejtësisht, dhe atyre që nuk arrijnë të sigurojnë as minimumin jetik.

    2.  Janë të shumtë ata, sidomos të rinjtë, që kanë humbur shpresat se mund të jetojnë denjësisht në vendin tonë. Shumë nuk besojnë se këtu do të gjejnë një realitet, ku mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të gjejnë kushtet e përshtatshme për një të ardhme më të sigurt, për këtë vazhdojnë të largohen në vende të tjera.

    3. Problemet sociale dhe mospërballimi i varfërisë vijnë duke u shtuar dita ditës: përhapja gjithnjë e më e madhe e drogës dhe e prostitucionit, ashtu si edhe shtimi i vetëvrasjeve në të gjitha grupmoshat, janë simptom i kësaj situate.

    Duam të përkujtojmë fjalët e ish-Arqipeshkvit të Londrës, Kardinalit Basil Hume: “Kur një shoqëri shikon veten në pasqyrë dhe nuk kënaqet me atë që sheh ose i ngre supet dhe ikë, ose ndalet e mendon”. Ky është apeli që duam t’i drejtojmë popullit tonë me rastin e këtyre zgjedhjeve: të reflektojmë mbi gjëndjen e tanishme të shoqërisë sonë dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë.

    Angazhimi për krijimin e një bashkëjetese më të mirë që na përfshin të gjithëve dhe asnjë nuk mund t’i shmanget përgjegjësive të veta. Njëra prej mënyrave të pjesëmarrjes në përmirësimin e shoqërisë është vota për zgjedhjen e përfaqësuesve në Parlament, votë që duhet të jetë e lirë dhe personale.

    Me rastin e këtyre zgjedhjeve duam t’i kujtojmë të gjithë kandidatët, se:

    1. kanë për detyrë të nxisin parësinë e dinjitetit të çdo personi dhe promovimin e të mirës së përbashkët. Pra, ata janë përgjegjës për krijimin e kushteve që mundësojnë një jetë më të mirë për të gjithë dhe që u kthen shpresën të rinjve tanë për t’iu mundësuar të ardhmen në vendlindje.

    2. Nuk duhet të mbrojnë vetëm interesat e grupimit politik, të klanit apo të krahinës së tyre, aq më pak nuk duhet ta përdorin pushtetin për fitime personale.

    3. Duhet të angazhohen seriozisht për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi drejtësi dhe respekt duke mbrojtur më të dobtit dhe duke ruajtur të drejtat e njeriut si vlerë të paçmuar.

    4. Duke kujtuar edhe fjalët e Jacques Delors-it: “Duhet t’i japim shpirt Europës”, lypset të përpiqen për të forcuar themelet etike të shoqërisë, në mënyrë që të respektohet më shumë dinjiteti i pazëvendësueshëm i personit njerëzor, në kundërshtim me kulturën e vetëvrasjes, e trafikut njerëzor, e abortit, etj.

    Jezu Krishti na ka mësuar se kush ka pushtet nuk duhet ta përdorë atë për të shtypur të tjerët, por për t’u shërbyer të tjerëve. Papa Benedikti XVI në homelinë e Meshës së fillimit të pontifikatit të Tij ka theksuar se “nuk është pushteti që shpërblen dhe shpëton, por dashuria”. Ashtu edhe Papa Gjon Pali II, në Letrën Apostolike me të cilën shpalli shën Tomas More Pajtor të Qeveritarëve dhe të Politikanëve, na kujtoi se politika nuk mund të jetë e ndarë nga morali.

    Përfundojmë duke nxitur të gjithë qytetarët të përdorin këtë të drejtë të marrin pjesë në votime, që është edhe një detyrë, duke patur parasysh jo interesin vetiak, por të mirën e përbashket e atdheut tonë.

 

Tiranë, më 10 maj 2005                                                                                 Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë

 

 

Memorandum tituj

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster