|
|
NEVOJA E NJË PROJEKTI:
UNGJILLËZIM, BASHKËSI E MISION
Relator: Imzot Angelo Massafra
E
enjte, më 6 mars 2008
Tema që më është propozuar nga organizatori i këtij cikli
konferencash (të cilin e falënderoj personalisht për punën e
kryer) për mua është sigurisht shumë nxitëse dhe më jep
mundësinë të paraqes atë që unë, si Arqipeshkëv i kësaj Dioqeze,
e kam përzemër rreth pjesëmarrjes së besimtarëve laikë në jetën
e Kishës lokale që është në Shkodër-Pult. Në të kaluarën kam
pasur disa herë rastin të theksoj se, në linjë me atë që është
vënë në dukje prej Koncilit II të Vatikanit, është qëllim dhe
angazhim i imi – ashtu siç ka qenë në të gjithë këta vite – të
favorizoj sa më shumë që është e mundur pjesëmarrjen aktive të
të gjithë përbërësve të Kishës sonë lokale, meshtarët dioqezanë,
rregulltarët e rregulltaret, laikët. Dhe për sa u përket laikëve,
duke u munduar të përfshijmë gjithë personat që ky term
përcakton: fëmijët, të rinjtë, çiftet, familjet, punëtorët dhe
profesionistët, të moshuarit, burrat e gratë: pra, të gjithë,
pikërisht të gjithë. Një Kishë që përjashton prej pjesëmarrjes
aktive ndonjërin prej përbërësve të saj tradhton të qenit e saj
Kishë e Krishtit, popull i Hyjit. Në mënyrë që kjo të realizohet,
më duhet e rëndësishme të kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve.
Nëse ka gjëra që është e nevojshme të përmirësohen në këtë
bashkëpunim, të angazhohemi të gjithë për t’i përmirësuar. Por
është absolutisht e domosdoshme që të gjithë të ndihen të
përfshirë në ndërtimin e Kishës së Dioqezës sonë dhe të gjithë –
secili sipas rolit të vet dhe gjendjes së vet specifike të jetës
– të ndihemi të përgjigjshëm në mënyrë që kjo Kishë të jetë
gjithnjë e më shumë shprehje e bashkësisë së atyre që kanë
zgjedhur të ndjekin Jezusin dhe të bëhet dëshmi e gjallë e
Krishtit të Ngjallur. Ata që kanë zgjedhur të ndjekin
Jezusin. Ky është hapi i parë që duhet bërë: të vendosin të
ndjekim Jezusin, të jetojmë si Ai në situatat e ndryshme të
jetës sonë: në punë, në familje, në marrëdhëniet me të tjerët,
kur na fyejnë apo kur na lavdërojnë. Gjithmonë. Kkjo do të thotë
të zgjedhim të rrimë nga ana e Jezusit, sepse kemi zbuluar se
vetëm në Të gjendet shëlbimi dhe se vetëm duke vështruar mënyrën
me të cilën Ai e ka realizuar jetën e Tij mund të gjejmë mënyrën
për ta realizuar vërtet jetën tonë.
Ashtu siç më
kërkon tema e relacionit që më është besuar, do të mundohem të
përvijoj një projekt në të cilin bashkësia e krishterë të jetë
qendra e jetës dhe e veprimit të të gjithë besimtarëve, në
mënyrë që ajo të kryejë misionin e vet, që ka për qëllim
ungjillëzimin (që do të thotë “t’ua çojmë Ungjillin, Lajmin e
Mirë, të gjithë njerëzve që takojmë”). Një bashkësi e krishterë
që nuk ndien nevojën të përçojë bukurinë që ka zbuluar në fenë e
vet apo është një bashkësi që nuk ka pasur kurrë fe apo është
një bashkësi në të cilën feja ka vdekur apo është duke vdekur.
Në këtë projekt: “një bashkësi për misionin e ungjillëzimit”
besimtarët laikë kanë një rëndësi e një rol të pazëvendësueshëm.
Atyre, që janë në kontakt më të drejtpërdrejtë me ‘realitetet e
botës’ – në punë, në shkollë, në vendet në të cilat bëhet
politika dhe merren vendimet për të mirën e përbashkët – u takon
të dëshmojnë atë që Kisha prej 2000 vjetësh kumton: Jezu Krishti
është Shëlbuesi i botës. Nuk do të na shpëtojë pushteti, nuk do
të na shpëtojnë paratë, nuk do të na shpëtojnë as droga as
kënaqësitë e momentit, por vetëm Jezu Krishti. Dhe për ta
kumtuar këtë, para së gjithash duhet ta kemi përjetuar. Në këtë
ndërhyrje timen do të jap disa udhëzime me qëllim që kjo të mund
të realizohet, duke rimarrë pjesërisht edhe disa linja të cilat
i kam sugjeruar në letrat e mia baritore.
“SHKONI E
PUNONI NË VRESHTIN TIM”
Hapi i parë për
ta kumtuar Ungjillin, pra, është të kemi bërë një përvojë
personale me Jezusin. Shikoni, ndodh shumë shpesh që ne të
rritemi, të marrim përsipër disa përgjegjësi shoqërore, të
ndërtojmë një familje, të bëhemi persona të rëndësishëm në punë,
por feja jonë të mbetet ende fëmijë, vazhdojmë të kemi një imazh
të Hyjit e të Jezusit krejtësisht fëmijëror dhe të
papërshtatshëm. Prandaj në letrën time baritore të vitit 2002
shkruaja: “është një detyrë që dita ditës më duket gjithnjë e më
e ngutshme: e gjithë bashkësia e krishterë duhet të ndihmohet
të pjekë një fe të rritur. Nxënësi është ai që “di” se kush
është Jezusi dhe e di në fenë e Kishës. Prandaj është në gjendje
të kuptojë dhe t’u përgjigjet, sipas së vërtetës, pyetjeve
themelore mbi Hyjin, mbi njeriun, mbi kuptimin e botës dhe të
jetës. Një fe e rritur ka forcën ta mendojë dhe ta lexojë
historinë, duke njësuar gjithçka në Krishtin” (11). Vetëm prej
kësaj feje të rritur mund të lindë një shpirt përnjëmend
misionar. Në të vërtetë, vazhdoja duke thënë: “Për këtë arsye,
të gjithë, duhet ta ndiejnë në vetën e parë përgjegjësinë për
t’u bërë ‘misionarë’. Në fakt, çdo nxënës i Krishtit, duke
mos përjashtuar askënd, është i thirrur të jetë shpallje e
gjallë e Ungjillit. Të mësojmë t’i gjallërojmë me fe të gjitha
mjediset dhe vendet ku jetojmë! Të provojmë t’i ushqejmë me fe
të gjitha marrëdhëniet që endim çdo ditë! Nuk bëhet fjalë të
nisemi për vende të largëta; secili të bëhet i afërmi i atij që
ka pranë: të fillojë ta përhapë fenë e Krishtit mes atyre me të
cilët ka lidhje profesionale apo pune, farefisnore apo miqësore.
Mes kolegësh, mes miqsh, mes familjarësh, mes farefisit,
gjithçka në ne duhet të shprehë një dëshmi të gjallë, të bërë me
vepra dhe me fjalë. Të mos harrojmë fjalët profetike të Koncilit
II të Vatikanit: në larminë e pafund të gjendjeve “shumë njerëz
as nuk mund ta dëgjojnë Ungjillin, as nuk mund ta njohin
Krishtin veçse nëpërmjet laikëve që janë afër tyre (AG 21)”.
Vërtet, të mos lodhemi kurrë së dhëni një dëshmi të mirë kujtdo
dhe në çdo mjedis të jetës, të studimit e të punës.
Dhe e përfundoja
këtë pjesë me një ftesë që e theksoj edhe një herë sot: “Për
këtë arsye ju bëj thirrje të gjithëve që të kultivoni një
“përshpirtëri misioni”, që ta bëjë më të fortë angazhimin dhe
nevojën për të futur, në shoqërinë tonë, një vizion të krishterë
të jetës. Bëhet fjalë për një “kthim kulturor” të vazhdueshëm,
ku mbarë dioqeza dhe çdo bashkësi, nga më të voglat tek më të
mëdhatë, të mendojë se si mund ta mishërojnë Ungjillin, të
frymëzuara nga Tradita autentike e Kishës dhe të hapura për të
mirëpritur gjithçka është me të vërtetë njerëzore”.
BASHKËSIA:
SHTËPI BASHKIMI – DËSHMI
Atëherë të
gjithë jemi të thirrur para së gjithash të kultivojmë fenë tonë
personale, me qëllim që të jetë një fe e pjekur, e aftë t’u japë
një përgjigje konkrete pyetjeve që kanë në zemër, ndoshta edhe
në mënyrë të pavetëdijshme, personat që takojmë çdo ditë dhe tu
tregojë se cila është rruga që çon në jetë, rruga e dashurisë së
përnjëmendtë.
Por, një fe e
rritur nuk mund të jetohet kurrë në mënyrë individuale. Jezusi i
ka thirrur nxënësit një nga një (ashtu siç bën edhe me secilin
prej nesh...), por i ka thirrur që të bashkëndanin me
njëri-tjetrin të njëjtën përvojë feje dhe të ndërtonin një
bashkësi. Kjo bashkësi është Kisha. Nuk mund ta jetojmë jetën
tonë të krishterë nëse nuk jemi thellësisht të përfshirë në
Kishë. E di edhe unë se shpesh Kisha nuk është ashtu siç do të
donim që të ishte... Shpesh jeta në bashkësitë tona të krishtera,
në famulli, në grupet e të rinjve dhe të të rriturve është një
jetë që mezi tërhiqet zvarrë; nganjëherë nuk ka një hov të
përnjëmendtë drejt së mirës dhe drejt ndërtimit të një shoqërie
më të mirë. Por nuk duhet ta humbim guximin. Vështirësitë dhe
problemet ekzistojnë. Por duhet t’i përballojmë. E duhet t’i
përballojmë së bashku, në mënyrë bashkësiore. E atëherë t’i vëmë
së bashku dëshirat tona e ëndrrat tona, që e ardhmja e Kishës
sonë të jetë e shënuar prej shpresës e prej dashurisë, dhe që të
mund të shkëlqejë në të fytyra e Krishtit. Së bashku me ju
dëshiroj të ëndërroj një bashkësi si vend konkret të
dhuratës së madhe të bashkimit, atij që bashkon Atin me Birin në
Shpirtin Shenjt, ai bashkim i kremtuar të dielën në Eukaristi
dhe që na bën ne një trup i vetëm. Vetëm duke u nisur prej këtij
misteri mund të shpresojmë të jemi familje e Hyjit anëtarët e së
cilës rriten në vlerësim e në miqësi të ndërsjellë, të hapur
ndaj mirëpritjes së të gjithëve.
Famullia është e
thirrur që të jetë shtëpi e bashkimit jo prej zotësisë
njerëzore, por prej veprës së Shpirtit që na bën një trup të
vetëm, megjithëse jemi të shumtë e të ndryshëm, të drejtë e
mëkatarë. Është vendi ku secili duhet të marrë frymë në një
klimë familjare, zemra rrahëse e të cilës është Krishti. Prej
Tij jemi të thirrur të mësojmë njerëzimin; prej zërit të tij
mësojmë ta njohim Hyjin si Atë dhe ta pranojmë njëri-tjetrin si
vëllezër. Sigurisht, ekzistojnë ndryshime të mëdha. Dioqeza jonë
është e përbërë prej situatash, vendesh e personash shumë të
ndryshëm mes tyre. Disa jetojnë në qytet apo në qendra mjaft të
mëdha; të tjerë jetojnë ende në zonat malore. Disa kanë ardhur
prej pak kohësh në qytet dhe bartin me vete ende zakonat e
traditat e veta, që nganjëherë mund të duken – ose janë realisht
– në kundërshtim me ato që kanë ata që kanë lindur e janë rritur
në qytet. Duhet të mësojmë të bashkëjetojmë e të rrimë së bashku.
Askush nuk mund të izolohet, duke zgjedhur të përjashtohet prej
bashkimit me të gjithë ose, edhe më keq, askush nuk ka të
drejtën të përjashtojë ndokënd prej jetës së Kishës. Të rri
jashtë jetës së kësaj familjeje, të familjes së Hyjit, vetëm
sepse disa anëtarë të saj nuk janë ashtu sikurse unë do t’i doja
apo sepse nuk janë të besueshëm, nuk është një arsye serioze.
Ndoshta është një justifikim pas të cilit nuk duam të pranojmë
diçka të dukshme: Jezusi e ka dashur dhe e ka zgjedhur Kishën e
vet, atë që gjendet në bashkësinë tonë, me ato fytyra burrash e
grash pak a shumë simpatike, me fytyrat tona, të gjitha të
shënuara prej të vetmes nevojë për ta jetuar më mirë këtë
ekzistencë tonën.
Duhet ta
vështrojmë njëri-tjetrin në mënyrë ungjillore, me zemër e sy
të rinj, duke e konsideruar të qenit tonë vëllezër në Krishtin
më të rëndësishëm se sa logjikat tona personale. Prandaj duhet
të lutemi për njëri-tjetrin.
Nëse dëshiron të
jesh i lirë dhe i përgjegjshëm, duaj. Nëse dëshiron të jesh i
tillë edhe më shumë, duaji më shumë të tjerët. Me habi do të
zbulojmë se është pikërisht dashuria falas ajo që na liron prej
lidhjeve dhe na lejon të ndihemi në sintoni me këdo, edhe me ata
që nuk na kuptojnë apo me ata të cilët ne nuk i kuptojmë dhe me
vështirësi i pranojmë.
Të gjitha muret
dhe barrierat që na pengojnë të takohemi shpirtërisht mund të
shemben duke na lejuar kështu t’i pranojmë të gjithë dhe t’i
përqafojmë të tjerët me ndjenjë vëllazërie.
NEVOJA E
FORMIMIT
Thashë se duhet
ta kultivojmë fenë tonë, që ajo të mund të jetë një fe e rritur
dhe e besueshme. Për këtë është e nevojshme që t’i jepet
rëndësia e duhur formimit. Për mua kjo është një pikë thelbësore.
Të gjithë kemi nevojë për formim. Askush të mos e gënjejë veten
se tashmë ka në vetvete plotësinë e fesë, se tashmë di se si të
jetë i krishterë dhe se nuk ka nevojë për lutje, për studim, për
reflektim, për këmbim idesh me të tjerët. Nga ana tjetër, edhe “Christifideles
laici” këmbëngul shumë në këtë pikë: “formimi i besimtarëve
laikë vihet mes përparësive të dioqezës dhe vendoset në
programet e veprimit baritor në mënyrë që të gjitha përpjekjet e
bashkësisë (meshtarë, laikë dhe rregulltarë) të shkojnë drejt
këtij qëllimi” (ChL, nr. 57). Po e përsëris edhe këtu atë që kam
thënë në letrën baritore të vitit 2002:
“Mbasi laikët kanë një mënyrë të vetën për të marrë pjesë
në misionin e Kishës është e nevojshme që të jenë tërësisht
të formuar nga pikëpamja njerëzore, shpirtërore dhe
doktrinore sipas ndryshueshmërisë së moshave, të kushteve dhe të
prirjeve, duke mësuar të gjykojnë dhe të veprojnë në dritën e
fesë (krh. AA. 29). Mësimi i Koncilit II të Vatikanit si
asnjëherë është mjaft aktual”. Dhe u drejtohesha pastaj në
mënyrë të veçantë të rinjve të dioqezës së Shkodër-Pultit,
duke u thënë atyre:
- Mos kini frikë të jetoni rrënjësinë e Ungjillit!
- Kujdesuni që të formoni një ndërgjegje të drejtë dhe një zemër
të pandarë!
- Rrituni në Krishtin si persona të fortë dhe të lirë, të aftë
për të mbartur peshën e përgjegjësive tuaja, të pasur me ndjenja
drejtësie dhe ndershmërie, të aftë për maturi në gjykime e në
sjellje.
- Së bashku me Papën nuk ngurroj t’ju kërkoj “një zgjedhje
rrënjësore feje dhe jete, t’ju tregoj një detyrë të
mrekullueshme: atë që të bëheni: ‘rojtarë të mëngjesit’ (krh.
Is 21, 11-12) në këtë agim të mijëvjeçarit të ri” (Novo
Millennio Ineunte, 9)”. Këto fjalë që ua drejtoja të rinjve
padyshim janë të vlefshme për të gjithë. Kur ecim vërtet pas
Krishtit, të gjithë bëhemi të rinj. Të gjithë kemi nevojë ta
jetojmë rrënjësinë e Ungjillit, të kemi një ndërgjegje të
ndershme, të aftë të zgjedhë të mirën e vërtetë në çdo rrethanë,
të jemi persona të drejtë e të çiltër, plot me dëshirën për t’u
angazhuar me çiltërsi për drejtësinë e paqen, pa përzier
interesat personale. Sa nevojë për drejtësi ka edhe në qytetin
tonë, në Dioqezën tonë! Sa nevojë ka për persona që nuk i
përshtaten korrupsionit! Sa nevojë ka për njerëz që nuk i
nënshtrohen mendësisë së atyre që thonë “nuk mund të bëhet asgjë”!
Sa nevojë ka për persona që nuk e pranojnë logjikën e
prepotencës e të shtypjes dhe janë të gatshëm t’i vënë
kompetencat e veta në shërbim të më të dobtëve e të më
nevojtarëve. Faleminderit Hyjit, persona të tillë ka... Ju
siguroj se ka. Vetëm se nuk shihen, veprojnë në heshtje.
Sigurisht që ka edhe mes nesh, këtu sonte. Këtyre personave u
them: “Mos u lodhni duke bërë mirë. Mësoni të bëheni bashkë për
të bërë të mirën. Mësoni t’i përfshini edhe të tjerët në këtë
angazhim tuajin në favor të Mbretërisë së Hyjit e të drejtësisë
së Tij”. Urojmë që një numër gjithnjë e më i madh personash të
bashkohet me ta dhe të ndihmojë për të bërë diçka të mirë e të
bukur për Hyjin e për vëllezërit!
“Christifideles laici”, në numrin 63, thekson se “Formimi nuk
është privilegj i disave, por një e drejtë dhe një detyrë për të
gjithë”. Prandaj duhet të gjejmë mjete e vende të
përshtatshme për formimin. Për sa u përket mjeteve, po i lejoj
vetes të sugjeroj veçanërisht tre:
a-
Lutja personale bijësore dhe e vazhdueshme;
b-
Të pasurit si referim një udhëheqje shpirtërore të urtë e
të dashur – siç sugjeron ChL nr. 58 – me të cilën të mund ta
shprehim lirisht atë që kemi në zemër e të kërkojmë së bashku
rrugën më të mirë për t’iu përgjigjur dashurisë së Hyjit;
c-
Dëgjimi i Fjalës së Hyjit. E di se në Dioqezë ka grupe të
ndryshme që lexojnë Biblën dhe unë personalisht gjithmonë i kam
nxitur nismat e tilla.
Për sa u përket
vendeve të formimit, po përmend para së gjithash famullinë. Ajo
është vendi në të cilin të gjithë besimtarët, pavarësisht prej
moshës së tyre dhe përgatitjes së tyre, mund të gjejnë atë që i
ndihmon në rritjen e tyre njerëzore e të krishterë. Nëse dikush
dëshiron ta thellojë ecjen e vet edhe nëpërmjet një studimi
serioz e të kualifikuar, mund t’i drejtohet Institutit
katekistik dioqezan apo Shkollës së Studimeve të Filozofisë e
Teologjisë pranë Seminarit e cila pranon edhe laikët. Së fundi,
edhe bashkësitë e Rregulltarëve e të Rregulltareve janë të
gatshme, nëpërmjet nismave të tyre, të japin ndihmesën e tyre në
këtë formim. Më pëlqen të kujtoj se është e drejtë-detyrë
e laikëve ta kërkojnë këtë formim prej meshtarëve dhe prej
rregulltarëve.
TË QENIT NË
MISION
Formimi nuk
është qëllim në vetvete. Formimi është në marrëdhënie me një
jetë të krishterë më të vetëdijshme e të hapur ndaj misionit.
Njëra prej misioneve të para është ajo që ndodh brenda familjes.
Veçanërisht, ju, prindër, jeni edukatorët e parë të fesë
dhe duhet t’ua përçoni këtë pasuri të çmueshme edhe bijve tuaj,
brez pas brezi. Feja në Krishtin le të jetë lidhja e thellë
shpirtërore me Mbretërinë e Hyjit dhe me paraardhësit tanë.
Atëherë familja – sikurse na mëson edhe Papa Gjon Pali II –
duhet të jetë kisha e parë, ku fëmijët tanë takojnë Zotin dhe
mësojnë t’i luten me gjithë forcën e shpirtit. Gjatë Vizitës
Baritore e kam admiruar kudo praninë e fëmijëve, që janë një
bekim i Zotit për popullin tonë. I njoh sakrificat dhe mundimin
e prindërve për t’i rritur me dinjitet bijtë, por me siguri çdo
fëmijë është një bekim i Zotit dhe pasuria e një kombi, prandaj,
hapja ndaj jetës nuk duhet të na frikësojë.
Veç kësaj,
prej Familjeve të mira do të kemi edhe thirrje të mira. Jeni
ju, të dashur prindër, ata që të parët i shoqëroni bijtë tuaj në
kishë dhe jeni ju ata që ditën e pagëzimit bëheni garantë para
Zotit që këta fëmijë të rriten në fenë e Krishtit. Prej jetës
suaj fetare bijtë tuaj do të mësojnë ta duan Hyjin. Ju prindër
ndihmojini bijtë tuaj për ta zgjedhur mirë thirrjen e tyre:
martesën apo meshtarinë apo jetën e kushtuar Zotit, pa i
detyruar apo pa i skurajuar, por duke i ndihmuar që të kërkojnë
atë që Zoti dëshiron prej tyre, sepse ajo që Zoti dëshiron prej
tyre do t’i çojë me siguri në lumturi. Dhe secili prind dëshiron
para së gjithash që biri i tij apo bija e tij të jetë e lumtur...
Roli i familjes është thelbësor: një familje e shëndoshë e
shpëton shoqërinë.
Por misioni nuk
përfundon në familje. Fushat e ungjillëzimit dhe të dëshmisë
janë të gjera dhe mbulojnë tërë ekzistencën tonë. Prandaj,
konkretisht, i ftoj të gjithë që të angazhohen më shumë,
sipas rolit dhe detyrave të secilit, për zhvillimin e fshatrave,
të qyteteve e të lagjeve, me një bashkëpunim më të mirë mes
familjeve dhe me persona të angazhuar në të mirën e përbashkët.
Dhe nuk duhet harruar as angazhimi i besimtarëve laikë në Kishë:
të gjithë të pagëzuarit kanë përgjegjësinë e Kishës-tempull dhe
të Kishës shpirtërore, sipas dhuratave dhe talenteve që kanë,
gjithmonë në koordinim me famullitarin.
Edhe
këtu fushat e bashkëpunimit janë shumë të gjera:
-
liturgjia,
-
katekizmi,
-
dashuria e krishterë ndaj më të varfërve, më të dobtëve,
të moshuarve, atyre që kalojnë momente të vështira,
-
formimi,
-
sporti,
-
angazhimi socio-politik.
Prandaj, secili mund të japë ndihmesën e vet
si Katekist apo si Edukator (për fëmijët apo për
të rinjtë). Do të kishte shumë rëndësi nëse në famullitë do të
ndërtoheshin Grupet e familjeve, me qëllimin e formimit e
të shërbimit. Kështu mund të bëjmë që të rriturit dhe
familjet e reja të jenë në shërbim të famullisë dhe të të
gjithë atyre që në famulli dëshirojnë të takojnë Zotin dhe që
prej famullisë kërkojnë ndihmë e mirëkuptim.
Dëshiroj të vë në dukje se ungjillëzimi
duhet të shprehet edhe në kuptimin kulturor. Duhet që ata të
cilët janë të angazhuar në fushën e kulturës (mes nesh sonte ka
shumë profesorë, për shembull) të angazhohen realisht në mënyrë
që kultura që ata përçojnë të jetë e depërtuar prej vlerave
përnjëmend të krishtera. Nuk është e nevojshme që të flitet për
Krishtin për të përçuar vlerat e krishtera (sidomos në një
mjedis si i yni i karakterizuar edhe prej pranisë së muslimanëve).
Por është e domosdoshme që të përçohen ato vlera sikurse, për
shembull, ‘dhurimi i vetvetes’, ‘respektimi i tjetrit’,
‘dashuria ndaj të gjithëve’, që janë themeli i jetës së Krishtit
dhe, si rrjedhojë, i jetës së çdo të krishteri. Ekziston një
“Caritas intelektual”, sipas asaj që thoshte i lumi Antonio
Rosmini, dhe ne jemi borxhlinj ndaj botës për përçimin e vlerave
në të cilat besojmë.
KOHA E THIRRJES për të punuar në vresht
Po përfundoj duke kujtuar se «gjallëria e
shermendeve është e lidhur me të qëndruarit e tyre të rrënjosur
në hardhinë e cila është Jezu Krishti: “Kush mbetet në mua e unë
në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë” (Gjn
15,5)» (ChL nr. 57). Dhe Shën Françesku i Salezit na thotë edhe
neve sot: “Kudo që të gjendemi mund dhe duhet të aspirojmë Jetën
e përsosur” (ChL nr. 56).
Thirrja dhe angazhimi për të krijuar bashkësi
për misionin e ungjillëzimit dhe për të punuar në vreshtin e
Zotit nuk ka një kohë të caktuar. Është “në të gjitha orët e
jetës” dhe prandaj nuk është kurrë tepër vonë. Diçka e re
mund të lindë këto ditë, ndoshta edhe pas këtij cikli
konferencash.
Andej këndej, në vende të ndryshme, kemi
laikë të angazhuar në fusha të ndryshme të kulturës, të jetës
shoqërore, të institucioneve. Duhet të vazhdojmë ecjen e filluar
për të realizuar një KISHË SHËRBESTARE të përnjëmendtë.
Një Kishë në të cilën jemi “të gjithë shërbëtorë”, pasi
jemi të gjithë “punëtorë të Ungjillit”. Të gjithë, duke filluar
nga Papa. Benedikti XVI, menjëherë pas zgjedhjes, e përkufizoi
vetveten “punëtor të përvuajtur të Ungjillit, të cilit i është
besuar detyra e Pjetrit”. Vetë të qenit Ipeshkëv është
një shërbim ndaj Kishës e ndaj botës, nuk është një situatë
pushteti për të sunduar mbi të tjerët. Edhe meshtari apo
rregulltari/rregulltarja janë në shërbim të bashkësisë
kishtare dhe të vëllezërve nevojtarë. Dhe besimtarët laikë,
sikurse të gjithë përbërësit e Kishës, e jetojnë jetën e tyre
për ndërtimin e Kishës e të shoqërisë. Zoti e shoqëroftë ecjen
tonë dhe i udhëheqtë hapat tanë!
|