ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

ZYRA E KREMTIMEVE LITURGJIKE  TË ATIT TË SHENJTË

 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

PARAQITJE

I. Domethënia e udhëtimit apostolik

Në hapat e paraardhësve të vet, Palit VI dhe Gjon Palit II, edhe Ati i Shenjtë Benedikti XVI, ka zgjedhur të nderojë me njërin prej udhëtimeve të tij të parë baritorë tokën e Turqisë, që përfshin një trevë të gjerë që, jo më kot, është quajtur si “toka e shenjtë e Kishës”. Në fakt, në të bashkësia e krishterë, sidomos në qendrat e mëdha të Antiokisë dhe të Efesit, është vetëdijësuar për identitetin e vet dhe është konsoliduar. Këtu Kisha i është hapur botës së lashtë në një proces inkulturimi dhe përshtatjeje, që e ka bërë me të vërtetë “katolike”, domethënë të hapur ndaj të gjitha shprehjeve kulturore. Gjithashtu nga kjo tokë ka nisur ungjillëzimi i parë si i Lindjes së Largët, ashtu edhe ai i popujve sllavë.

Nuk është rastësore që pjesa më e madhe e shkrimeve që përbëjnë Besëlidhjen e Re është shkruar në këtë tokë apo u është drejtuar bashkësive të krishtera të këtyre trevave. Dy autorë të këtyre shkrimeve, Pali i Tarsit dhe Luka i Antiokisë, janë mes dëshmitarëve të parë të një Kishe, që përgjatë shekujve ka parë një lulëzim të pasur personazhesh, të cilët kanë lënë gjurmë brenda krishterimit. Mendimi im shkon tek Etërit e Kapadokisë, atyre të Antiokisë dhe të Sirisë, por edhe tek ajo aradhë e panumërt martirësh dhe asketësh, që edhe sot liturgjia na i propozon si modele jete të krishterë.

Udhëtimi i Ipeshkvit të Romës në Turqi bëhet mes dy datave domethënëse, që kujtojnë dëshmitarë të shquar të fesë: 1.700-vjetorin e lindjes së Efrem Sirianit (306) dhe 1.600-vjetorin e vdekjes së Gjon Gojartit (407).

Të dy janë rreze të shkëlqyeshme të asaj “drite që vjen prej Lindjes” dhe që Ati i Shenjtë Gjon Pali II në Letrën Apostolike “Orientale lumen” (1995), ka dashur të kujtojë që Kisha e gjithmbarshme të mos humbasë prej syve pasuritë e dëshmisë, të mendimit dhe të përshpirtërisë së Lindjes së krishterë dhe të shikojë me mall mijëvjeçarin e parë të krishterë kur Kisha jetonte në njësi.

Në një epokë pluralizmi siç është kjo e sotmja, pikërisht pasuria shumëformëshe e traditave të ndryshme fetare, të lindura në tokën e Turqisë dhe ende të pranishme në të, vërteton si pluralitet në shprehjet liturgjike dhe shpirtërore dhe njësinë në fenë në Krishtin Zot përbëhen në mënyrë harmonike. Me të drejtë Ati i Shenjtë ka folur për dialogun si “për një polifoni kulturash”.

Ky parim vlen për konfesionet e ndryshme të krishtera, por vlen gjithashtu edhe për dialogun mes të krishterëve dhe besimtarëve të fesë islame. Ndonjë hije e të kaluarës nuk mund ta errësojë dritën që del nga “dialogu i jetës” së përditshme, nga “dialogu i dashurisë” dhe edhe nga “dialogu i përvojave fetare”, që këtu ka shënuar marrëdhëniet mes të krishterëve dhe myslimanëve.

Udhëtimi i Atit të Shenjtë Benedikti XVI në Turqi vendoset në këtë histori dhe interpretohet duke u nisur prej saj. Bëhet fjalë për një udhëtim baritor, për të udhëtim ekumenik dhe për një udhëtim në shenjën e dialogut me botën islamike.

 

1. Një udhëtim baritor

 

Kisha katolike e Turqisë, në shprehjet e saj të ndryshme rituale (latine, armeno-katolike, siro-katolike, kaldeje) përbën një pakicë të vogël brenda një bote myslimane kryesisht sunite. Në vazhdimësi me Pjetrin apostull, që prej Romës i drejtoi një letër (1 Pj) bashkësive të krishtera në diasporën e Turqisë së sotme, edhe pasardhësi i tij i drejtohet po këtyre bashkësive duke u bërë atyre një dhuratë, jo vetëm të fjalës së tij, por edhe të pranisë së tij. Pjetri i ftonte të krishterët e kësaj toke “për të qenë gjithmonë të gatshëm t’i japin përgjigje gjithsecilit që prej tyre kërkon arsyen e shpresës që është në ta” (krh. 1 Pj 3, 15). Në momentin e tanishëm historik, që ka parë lindjen dhe përhapjen e formave të mungesës së tolerancës fetare, Papa Benedikti XVI, nëpërmjet kumtimit të Fjalës dhe të kremtimit të Sakramenteve, përforcon bashkësinë katolike të Turqisë në besnikërinë ndaj Krishtit dhe në shpresën ndaj Tij.

Kremtimet e Eukaristisë me besimtarët katolikë në Turqi janë dy:

-               Kremtimi i parë zhvillohet pranë shenjtërores mariane kombëtare të Meryem Ana Evì (Shtëpia e Nënës Mari), në Efes, qyteti ku koncili i vitit 431 shpalli amësinë e saj hyjnore, por edhe ku – sipas një tradite të përshpirtshme – Maria ka jetuar për njëfarë kohe së bashku me Shën Gjonin. Shenjtërorja është pikë takimi dhe lutjeje për të krishterët dhe për myslimanët, që në Marinë njohin nënën gjithmonë virgjër të Jezusit të zgjedhur prej Hyjit për të mirën e njerëzimit;

-               Kremtimi i dytë zhvillohet më 1 dhjetor në Stamboll në Kishën Katedrale të Shpirtit Shenjt. Pjesëmarrja në Meshën e Shenjtë në ritin latin të një përfaqësie të bashkësive katolike të Turqisë, që i përkasin riteve të ndryshme lindore është vënë në pah nga prania e shprehjeve rituale përkatëse të secilit Rit.

 

2. Një udhëtim ekumenik

 

Qysh në momentet e para të fillimit të shërbesës së tij papnore, Benedikti XVI ka caktuar si përparësi të pontifikatit të vet angazhimin ekumenik. Siç deklaroi më 20 prill 2005, në homelinë e bërë në Kapelën Sikstine një ditë pas zgjedhjes së tij, “pasardhësi aktual i Pjetrit e lë veten të interpelohet në vetën e parë nga kjo pyetje dhe është i gatshëm të bëjë atë që është në dorë të tij për ta nxitur çështjen themelore të ekumenizmit. Në rrugën e Paraardhësve të vet, ai është plotësisht i vendosur për të kultivuar çdo nismë, që mund të duket e mundshme për të nxitur kontaktet dhe mirëkuptimin me përfaqësuesit e Kishave dhe të Bashkësive të ndryshme kishtare”.

Udhëtimi në Stamboll brendashkruhet në këtë perspektivë dhe gjen një moment të parë domethënës në takimin e lutjes dhe të dialogut të datës 29 nëntor mes Atit të Shenjtë dhe Shenjtërisë së Tij Bartolomeut I në Katedralen patriarkale. Në përfundim të lutjes së përbashkët zhvillohet nderimi i relikeve të Shën Gregor Teologut dhe të Shën Gjon Gojartit. Zemra e vizitës bërë Patriarkut Ekumenik do të zhvillohet më 30 nëntor, ditën e përkujtimit liturgjik të Andreut Apostull. Pjesëmarrja e Papës në Liturgjinë Hyjnore e ndjekur nga një lutje e shkurtër e përbashkët dhe nga zbulimi i një lapidari në përkujtim të tre papëve të fundit, që kanë vizituar patriarkun, përfundon me leximin dhe nënshkrimin e një deklarate të përbashkët mes Atit të Shenjtë dhe Patriarkut Bartolomeu I.

Karakteri ekumenik i udhëtimit të Ipeshkvit të Romës në Kishat motra të Turqisë vihet në dukje nga vizita që ai po atë ditë i bën Lumturisë së Tij Patriarkut Mesrobit II Mutafyan, në selinë e Patriarkatit Apostolik Armen.

Momenti i takimit personal dhe i lutjes së përbashkët dhe zbulimit të një lapidari në gjuhën armene dhe turke në kujtim të vizitës së Palit VI, të Gjon Palit II dhe, tani, të Benediktit XVI duan të tregojnë lidhjen që ekziston mes Kishës Apostolike Armene dhe Kishës Katolike.

Në po këtë shpirt bashkësie vëllazërore në Krishtin, Ati i Shenjtë pret pasdite vonë, në selinë e Përfaqësisë Papnore të Stambollit, Arqipeshkvin siro-ortodoks dhe disa krerë të bashkësive protestante.

 

3. Një udhëtim në shenjën e dialogut ndërfetar

 

Është domethënës që udhëtimi i parë i Atit të Shenjtë në një vend me shumicë myslimane të fillojë pikërisht në tokën prej së cilës Abrahami, patriark i përbashkët për hebraizmin, krishterimin dhe islamin ndërmori udhëtimin e tij me besim në Hyjin. Në fakt, prej Harranit, një fshat i Turqisë së sotme, ai u nis me njëshpirt varësie totale në Hyjin, duke iu besuar vetëm fjalës së zbuluar.

Përkujtimi i ripërtërirë i këtyre rrënjëve të përbashkëta, që lidhin tri fetë dhe që Ati i Shenjtë dëshiron të rikujtojë me udhëtimin e vet, është një shenjë që ai bën për tejkalimin e kundërshtive që përgjatë shekujve nganjëherë kanë kundërvënë mes tyre hebrenj, të krishterë dhe myslimanë.

Si të mos kujtohet, pastaj, që gjatë qëndrimit të tij nëntëvjeçar në tokën e Turqisë, Delegati Apostolik Angelo Roncalli, i cili u bë Papa Gjoni XXIII, ka perceptuar dhe pjekur ngutshmërinë e dialogut ndërfetar, të shprehur në deklaratën “Nostra Aetate” të Koncilit II të Vatikanit, të cilën e ka dëshiruar vetë Papa?

Kohët e fundit Papa Benedikti XVI e ka përkufizuar këtë deklaratë si Magna Charta të Kishës katolike në marrëdhëniet e saj me botën islamike (krh. Discorso ai Diplomatici [Fjalim me Diplomatët], 25 shtator 2006).

Udhëtimi në Turqi – në vazhdimësi me mendimin e Papa Gjon Palit II – duhet të kuptohet si një ripohim i vullnetit të Kishës katolike për një nevojshmëri shtytëse të dialogut ndërfetar. Turqia, vend që deklarohet zyrtarisht laik, dhe që shërben si urë mes Evropës dhe Azisë dhe mirëpret në vetvete tradita të ndryshme fetare, është si një ballkon mbi Lindjen e Mesme, prej ku duhet të përforcohen vlerat e dialogut ndërfetar, të tolerancës, të ndërsjellshmërisë dhe të laicitetit të Shtetit.

 

 

II. Libri liturgjik i udhëtimit

 

Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë, si e ka zakon të bëjë në rastet e udhëtimeve të papëve, ka përgatitur, edhe për udhëtimin apostolik të Papës në Turqi, një libër liturgjik.

Vëllimi, i adresuar në mënyrë të veçantë për Atin e Shenjtë dhe për kremtuesit, përmban tekstet dhe rubrikat e kremtimeve të programuara me këtë rast.

 

1. Kremtimet me bashkësinë katolike

 

Kremtimet e Eukaristisë të udhëhequra nga Ati i Shenjtë janë tre:

-         të mërkurën, më 29 nëntor, në Efes në Shenjtëroren Meryem Ana Evì;

-         të enjten, më 30 nëntor, në Stamboll në Kapelën e Përfaqësisë Papnore;

-         të premten, më 1 dhjetor, në Katedralen e Shpirtit Shenjt.

 

Kremtimi në Shenjtëroren Meryem Ana Evì

Kremtimi i Eukaristisë bëhet në hapësirën pranë Shenjtërores Meryem Ana Evì dhe ka një domethënie mariologjike dhe kishtare.

Formulari i Meshës së Shenjtë është ai i të Lumes Mari gjithmonë Virgjër. Tekstet eukologjike dhe leximet biblike në veçanti theksojnë misterin e amësisë së Marisë duke iu referuar pranisë së saj, së bashku me Gjonin Apostull, në këmbët e Kryqit të Zotit. Fjalët e Jezusit në Kryq: “Grua, qe, yt bir… Qe, nëna jote” (Gjn 19, 26-27) Kisha i ka pranuar si një testament të veçantë në të cilin Krishti Zot “ia beson Virgjërës Mari të gjithë nxënësit si bij” dhe nxënësve u dorëzon Nënën.

Në kremtim përdoren përveç gjuhës latine, edhe gjuha turke, italiane, franceze, angleze dhe gjermane.

 

Kremtimi në Kapelën e Përfaqësisë Papnore

Tekstet e kremtimit janë ato të festës së Andreut Apostull. Përdoret gjuha latine. Vetëm leximet bëhen në gjuhë të tjera.

Në kremtim merr pjesë personeli i shërbimit pranë Përfaqësisë Papnore.

 

Kremtimi në Katedralen e Shpirtit Shenjt

Kremtimi në Katedralen e Stambollit ka një përmasë pneumatologjike që shprehet në kremtimin e Meshës kushtimore të Shpirtit Shenjt. Kjo përmasë është e lidhur jo vetëm me titullin “Shpirti Shenjt” të Katedrales, por edhe nga përbërja e veçantë e asamblesë, të thirrur për këtë kremtim, që formohet nga grupe të ndryshme personash, të gjuhëve të ndryshme dhe të riteve të ndryshme, por të bashkuar nga e njëjta fe, nga e njëjta dashuri dhe nga i njëjti Shpirt.

Kremtimi, si në përdorimin e gjuhëve, ashtu edhe të disa sekuencave rituale, dëshiron të jetë një shprehje e përbërësve të ndryshëm të bashkësisë katolike.

Formulari i Meshës është ai i Shpirtit Shenjt. Përdoret gjuha latine, turke, franceze, gjermane, siriane, arabe dhe spanjolle.

Disa sekuenca rituale vënë në pah praninë e riteve të ndryshme lindore: armene, kaldeje, siriane. Armenëve u është rezervuar: kënga e hyrjes dhe Sanctus; kaldeasve: Psalmi përgjigjës dhe kënga e paraqitjes së dhuratave në gjuhën aramaike; sirianëve: shpallja e Ungjillit sipas modaliteteve të ritit të tyre.

 

2. Kremtimet ekumenike

 

Momentet e lutjes me karakter ekumenik janë tri:

-         të mërkurën, më 29 nëntor, lutja në kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar;

-         të enjten, më 30 nëntor, Liturgjia Hyjnore e Shën Gjon Gojartit në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar;

-         të premten, më 1 dhjetor, liturgjia e Fjalës në Katedralen armene të Shenjtes Mari.

 

 

Lutja në kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar

Momenti i lutjes së mbrëmjes përbëhet nga një akolouthia e shkurtër, e formuluar për këtë rast, me elemente të ndryshme marrë nga orë dhe festa të ndryshme të Oficit të Kishës Bizantine.

Ndërsa Papa dhe Patriarku janë duke hyrë në kishë, këndohen shtatë antifona, pesë prej të cilave janë marrë nga psaltieri dhe dy nga tekstet e oficit bizantin të natës duke gdhirë e diel. Në antifonën e parë: “Lum ai popull që di të brohoritë, që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot! Përherë do të gëzojë në Emër tënd, e do të mburret në drejtësinë tënde” (Ps 88, 16-17), gjejmë një referim mbi temën e dritës, që lidh oficin e orës së mbrëmjes kur ajo kremtohet. Antifonat e tjera marrë nga psaltieri ftojnë për lavdërimin e Hyjit të lavdishëm. Antifona e tretë dhe e gjashtë, marrë nga ofici i të dielës, i referohen në mënyrë të qartë Shpirtit Shenjt dhënë apostujve: Nga Shpirti Shenjt buron çdo dije, prej Tij apostujve u është dhënë hiri... Shpirti Shenjt është burimi i thesareve hyjnore, prej Tij vijnë dija, inteligjenca, droja...

 

Ofici hapet me bekimin e fillimit sipas të gjitha oficeve të traditës bizantine: Bekuar qoftë Hyji ynë, tani e përgjithmonë dhe në shekuj të shekujve.

Më pas këndohen gjashtë troparë të zgjedhur për këtë kremtim: i pari është ai i Rrëshajës, dita kur Zoti, duke dërguar Shpirtin Shenjt, disa peshkatarë i ka bërë njerëz të ditur për shpëtimin e botës. I dyti dhe i treti janë të festës së shenjtërve Pjetër dhe Pal, pajtorë të Kishës së Romës, dhe të Shën Andreut, pajtor i Kishës së Konstandinopojës. I katërti i referohet Shën Benediktit. I pesti është një tekst “i ri”, përdorur për të parën herë në vizitën e Shenjtërisë së Tij Pali VI në Stamboll në vitin 1967: i këndon gëzimit të qytetit të Konstandinopojës, që pret atë i cili udhëheq Kishën e Romës dhe që ulet në katedrën e Pjetrit. I fundit është kontakioni-i, që këndohet gjatë javëve para Krishtlindjes dhe që përshkruan gëzimin e botës duke parë Virgjërën, e cila shkon për të lindur Fjalën e amshuar të Hyjit.

Pjesa e tretë e oficit përmban gjashtë rreshta të Doksologjisë përmbyllëse nga Trisagioni. Pason një litani me shtatë ndërmjetësime dhe një lutje përmbyllëse, e lexuar nga Patriarku. Ka ndërmjetësime për Papën, për Patriarkun, për Kishat dhe për botën mbarë.

Në vazhdim shpallet një lexim biblik, marrë nga Zakaria profet (Zak 8, 7-17), zëri i profetit që thërret popullin nga Lindja dhe nga Perëndimi dhe i mbledh në Jerusalem.

Menjëherë pas leximit, nis recitimi i lutjes Ati ynë, i cili paraprihet nga formula e zakonshme e ftesës së liturgjisë së Shën Gjon Gojartit: Bëj, o Zot, që me besim dhe pa dënim të guxojmë të të thërrasim Atë Ty, Hyj të qiellit, dhe të themi... Kënga e lutjes Ati ynë mbyllet me rreshtin, që zakonisht mbyll shpalljen e Ungjillit: Lavdi Ty, o Zot, lavdi Ty.

Pastaj vijon nderimi i relikeve të Shën Gregor Teologut dhe të Shën Gjon Gojartit. Pjesë të relikeve të dy shenjtërve Etër të Kishës së Konstandinopojës, të ruajtura në bazilikën e Shën Pjetrit, iu dhuruan nga Papa Gjon Pali II, i nderuar qoftë kujtimi i tij, Patriarkut Ekumenik Bartolomeu I gjatë një kremtimi të përmallshëm të zhvilluar në Bazilikën e Vatikanit më 27 nëntor 2004. Gjatë nderimit të relikeve, kori këndon dy troparë, të Shën Gjon Gojartit dhe të Shën Gregor Teologut.

 

Liturgjia Hyjnore e Shën Gjon Gojartit në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar

Liturgjia bizantine është e përbashkët për të gjitha Kishat e traditës bizantine (ortodokse dhe katolike): të Greqisë, së Lindjes së Mesme, të Evropës Lindore dhe të Italisë Jugore. Kishat bizantine përdorin tri antifona, lutje eukaristike, të cilat i quajnë edhe thjesht “liturgji”: atë të Shën Gjon Gojartit, të cilën e përdorin pothuajse çdo ditë, atë të Shën Bazilit, të cilën e përdorin 10 herë në vit, dhe atë të Shën Jakut, të cilën e përdorin vetëm një herë në vit. Kremtimi i Liturgjisë Hyjnore bizantine, si ajo e të gjitha Kishave Lindore drejtohet kah Lindja. Meshtari ndërmjetëson pranë Zotit për popullin e vet; ai ecën përpara popullit drejt takimit me Zotin. Të ndryshme janë momentet kur meshtari i drejtohet popullit: për shpalljen e Ungjillit, për dialogun që i paraprin Anaforës, për Bashkësinë e Shenjtërve me Dhuratat e Shenjta dhe për të gjitha bekimet. Tregojnë momente ku Zoti i del përpara popullit të Vet.

 

Liturgjia Hyjnore bizantine përbëhet nga tri pjesë: Përgatitja e meshtarit dhe e dhuratave të bukës e të verës (Protesi); liturgjia e Katekumenëve (liturgjia e Fjalës); liturgjia e Besimtarëve.

 

A. Përgatitja e dhuratave është e ndarë në dy pjesë: përgatitja e meshtarit, që parashikon lutjet dhe veshjen e rrobave të shenjta; në këto lutje meshtari i kërkon Zotit, që në mëshirën e Vet, ta bëjë të denjë për paraqitjen e dhuratave, për ndërmjetësimin e popullit të vet, për thirrjen e Shpirtit Shenjt.

Vazhdon përgatitja e dhuratave të bukës dhe të verës. Edhe nëse riti i përgatitjes bëhet vetëm nga meshtari, në të është e pranishme simbolikisht krejt Kisha, ajo e qiellit dhe ajo e tokës.

 

B. Lilturgjia e Katekumenëve. Ajo thirret me këtë emër meqë parashikon pjesëmarrjen e katekumenëve, të cilët largohen pas shpalljes së Ungjillit.

Liturgjia Hyjnore fillon me një thirrje drejtuar Trinisë së Shenjtë: “Bekuar Mbretëria e Atit dhe e Birit dhe e Shpirtit Shenjt…”. Vazhdojnë tri litani, njëra më e gjatë dhe dy më të shkurtra, në të cilat lutet, duke thirrur mëshirën e Zotit mbi mbarë botën, mbi mbarë Kishën. Përmenden: Kisha, të gjithë ata që bëjnë pjesë në të dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Këto litani përfshijnë gjithmonë një lutje drejtuar Nënës së Hyjit, asaj që ndërmjetëson për të gjithë dhe për Kishën e Shenjtë. Pas litanisë së dytë këndohet himni kristologjik: “O i Parëlindur”, një himn shumë i lashtë liturgjik, që përmbledh shkurtimisht të gjitha dogmat kryesore të fesë së krishterë: Trininë, Mishërimin e Fjalës së Hyjit, amësinë hyjnore të Marisë, shpëtimin që na vjen nga mundimi, vdekja dhe ngjallja e Krishtit. Pason “hyrja e vogël”. Meshtari dhe diakoni, duke sjellë solemnisht në procesion Ungjillin, e marrin nga altari, ua tregojnë besimtarëve, dhe e rivendosin përsëri mbi altar, për të treguar fillimin e shpalljes së Fjalës së Hyjit (në lashtësi kjo gjë përbënte hyrjen për fillimin e Liturgjisë). Përpara leximeve kori nis këngën e Trisagionit: “Hyj i Shenjtë, Shenjt i Gjithëpushtetshëm, Shenjt i Pavdekshëm…”. Pra, shpallen kështu dy lexime të Besëlidhjes së Re. Pas Ungjillit zakonisht vijon homelia.

 

C. Liturgjia e besimtarëve. Pjesa e tretë e Liturgjisë Hyjnore përbëhet nga liturgjia e besimtarëve, ku marrin pjesë plotësisht ata që janë pagëzuar. Me “hyrjen e madhe” fillon procesioni me bukën dhe me verën drejt altarit. Kori këndon himnin “Ne që mistikisht përfaqësojmë kerubinët…”, një tjetër tekst i lashtë liturgjik ku Kisha e qiellit dhe e tokës bashkohen në lavdërimin dhe në falënderimit bërë Hyjit për dhuratat e Tij. Meshtari kemon altarin, kishën, dhuratat e përgatitura dhe besimtarët, që janë të gjithë ikona të Krishtit. Pastaj solemnisht merr patenën dhe kelkun, dhe ndërsa i kërkon Zotit që të kujtohet për të gjithë ata që janë përkujtuar dhe për mbarë Kishën, i vendos në altar dhe i mbulon me vel. Në këtë moment meshtari i bën të vetat dhe të mbarë Kishës fjalët e cubit të mirë në kryq: “të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde! (Lk 23, 42). Dhuratat, simbol i Krishtit, Qengjit të flijuar, vendosen në altar, domethënë në varrin prej ku, pas kushtimit apo shenjtërimit, Krishti i gjallë dhe gjallërues do t’u jepet besimtarëve. Pas hyrjes, këndohen disa litani, shkëmbehet shenja e paqes dhe recitohet simboli niceo-konstandinopojas. Pason anafora e Shën Gjon Gojartit, që ka një strukturë të ngjashme me atë të anaforave të tjera të liturgjisë lindore dhe perëndimore: dialogu trinitar fillestar, prefacioni, Shenjti, anamneza, tregimi i themelimit të Eukaristisë, epikleza, ndërmjetësimet dhe përfundimi i anaforës.

Pason lutja Ati ynë, thyerja e bukës dhe kungimi. Para kungimit meshtari hedh ujë të valuar (zéon) në kelk si simbol të pranisë dhe të ardhjes të Shpirtit Shenjt, si edhe për të treguar jetën që vjen nga kungimi me Trupin dhe me Gjakun e vetë Krishtit. Kungimi merret në të dy trajtat eukaristike. Liturgjia hyjnore mbyllet me bekimin përfundimtar.

 

Liturgjia e Fjalës në Katedralen Apostolike Armene të Shenjtes Mari

Lutjet dhe sekuenca e riteve, që përbëjnë momentin e lutjes janë marrë nga elemente të ndryshëm të Kremtimit Eukaristik të Liturgjisë Armene.

Përpara fillimit të procesionit të hyrjes në Katedrale, i paraqiten Atit të Shenjtë, sipas traditës kombëtare armene, buka, kripa dhe uji i trëndafilave si simbol mirëseardhjeje dhe urimi.

Gjatë hyrjes në Katedrale të Shenjtërisë së Tij dhe të Lumturisë së Tij, kori nis këngën (“Herasciapar Asdvadz”) “O Hyj i Mrekullueshëm”, që kujton historinë e kthimit të popullit armen në krishterim prej veprës së Shën Gregor Ndriçuesit.

Në këmbët e altarit thuhet një lutje. Pas saj, Ati i Shenjtë dhe Lumturia e Tij zënë vend përpara altarit të shenjtë, prej nga ku Ungjilli, i cili sillet në procesion nga hyrja e Katedrales, shpallet solemnisht.

Momenti i lutjes në Katedralen Apostolike Armene shpreh gëzimin e Kishës Apostolike Armene për vizitën e Shenjtërisë së Tij Benedikti XVI.

 

 

III. Përfundim

 

Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë u është përzemërisht  mirënjohëse atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për botimin e këtij vëllimi.

Falënderimi i drejtohet para së gjithash Ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvnore Turke: ata, të mbledhur në një Konferencë Ipeshkvnore në Stamboll më 18 shtator 2006, kanë dhënë disa udhëzime të përgjithshme lidhur me tekstet, gjuhët dhe shprehjet rituale që duhen përdorur.

Një falënderim i veçantë i drejtohet Patriarkut Ekumenik të Konstandinopojës për bashkëpunimin vëllazëror në redaktimin e teksteve në gjuhën angleze dhe greke të momentit të lutjes së datës 29 nëntor dhe të Liturgjisë Hyjnore të datës 30 nëntor.

Një falënderim edhe për përgjegjësit e Katedrales Apostolike Armene.

Një falënderim, në fund, përbërësve të Komisioneve liturgjike të ngritura me këtë rast nga ipeshkvijtë e Izmirit dhe të Stambollit.

Ky vëllim do të mbesë si dëshmi e dashurisë së Papës për popullin turk, për Kishën motër të Konstandinopojës dhe në veçanti për bashkësinë katolike në Turqi. Kremtimi i Eukaristisë dhe kumtimi i Fjalës së Ipeshkvit të Romës bërë bashkësisë së Efesit dhe të Stambollit janë një përforcim dhe një dhuratë që Pasardhësi i Pjetrit i bën Kishës që jeton në Turqi, me qëllim që ajo të mbetet e bashkuar në fe dhe në dashuri me Barinjtë e vet dhe me Kishën Romake dhe të vazhdojë të jetë e hapur ndaj dialogut ekumenik, ndaj dialogut ndërfetar dhe “të mbrojë dhe të nxisë për të gjithë njerëzit drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen dhe lirinë” (Nostra aetate, 3).

 

† Pietro Marini


 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

TAKIMI ME GAZETARËT PARA NISJES PËR TURQI

 

PËRSHËNDETJA E ATIT TË SHENJTË

 

Aeroporti i Romës-Fiumiçino

E martë, më 28 nëntor 2006

 

 

Të dashur miq, gazetarë, kameramanë, të gjithë, ju përshëndes përzemërsisht në këtë fluturim dhe do të doja të shprehja sinqerisht mirënjohjen time për punën që bëni. E di që kjo është një punë e vështirë, shpesh në kushte të vështira, brenda një kohe të shkurtër të informoni mbi gjëra të komplikuara dhe të vështira, të jepni një përmbledhje dhe ta bëni të kuptueshme thelbin e asaj që ka ndodhur dhe të asaj që është thënë. Të gjitha ngjarjet i shkojnë njerëzimit vetëm nëpërmjet ndërmjetësimit tuaj, dhe kështu bëni realisht një shërbim të një rëndësie të madhe, për të cilin ju jam përzemërisht mirënjohës. Ne e dimë se qëllimi i këtij udhëtimi është dialogu, vëllazëria: një angazhim për mirëkuptimin mes kulturave, për takimin e kulturave me fetë, për pajtim. Të gjithë ndiejmë të njëjtën përgjegjësi në këtë moment të vështirë të historisë dhe bashkëpunojmë, dhe puna juaj është e një rëndësie të madhe. Për këtë ju them sërish faleminderit.

 

Ky udhëtim që fillon sot, për tensionet që i janë shtuar herë pas here, bërthamës së saj ekumenike, paraqitet si njëri prej takimeve më delikate në historinë e udhëtimeve papnore moderne. Me çfarë shpirti po e përballoni atë?

 

E përballoj me besim dhe me shpresë të madhe. Unë e di se shumë persona na shoqërojnë me simpatinë e tyre, me lutjen e tyre. E di se edhe populli turk është një popull mikpritës, i hapur, që e dëshiron paqen. E di se Turqia gjithmonë ka qenë një urë mes kulturave dhe për këtë është edhe një vend takimi e dialogu. Do të doja të theksoja se ky nuk është një udhëtim politik, ai është një udhëtim baritor dhe pikërisht si udhëtim baritor ka si përcaktim të tij karakteristik dialogun dhe angazhimin e përbashkët për paqen. Dialogu në përmasa të ndryshme: mes kulturave, dialog mes krishterimit dhe islamit, dialog me vëllezërit tanë të krishterë, sidomos me Kishën ortodokse të Konstandinopojës, dhe përgjithësisht një dialog për një mirëkuptim mes të gjithëve ne. Natyrisht nuk duhet ta teprojmë, nuk mund të presësh gjëra të mëdha për tre ditë, vlera do të thoja është simbolike, fryti i takimeve të tjera të ngjashme, i takimeve në miqësi dhe në respekt, fakti se takohemi si shërbëtorë të paqes ka peshën e vet. Më duket se ky simbolizëm i angazhimit për paqen dhe për vëllazërinë do të duhej të ishte rezultati i këtij udhëtimi.

 

Shenjtëri, Ju shkoni në një vend me shumë tensione, por edhe me shumë shpresa, që dëshiron të bëhet një vend evropian. A mendoni se Evropa mund t’i japë një ndihmë Turqisë, që të mund të flitet në mënyrë më të vetëdijshme për integrim, respektim të identiteteve të ndryshme kulturore dhe fetare?

 

Ndoshta është me vend të kujtojmë se Babai i Turqisë moderne, Qemal Ataturku, kishte përpara vetes si model për rindërtimin e Turqisë kushtetutën franceze. Në djepin e Turqisë moderne qëndron dialogu me arsyen evropiane dhe me mendimin e saj, mënyrën e saj të të jetuarit, për t’u realizuar në mënyrë të re në një tjetër kontekst historik e fetar. Pra, dialogu  mes arsyes evropiane dhe traditës myslimane turke është shkruar pikërisht në ekzistencën e Turqisë moderne dhe në këtë kuptim kemi një përgjegjësi të ndërsjellë, për njëri-tjetrin. Në Evropë kemi çështjen mes laicitetit “të shëndetshëm” dhe laicizmit. Dhe më duket se pikërisht kjo është e rëndësishme për dialogun e vërtetë me Turqinë. Laicizmi, domethënë një ide që ndan totalisht jetën publike nga çdo vlerë e traditave, është një rrugë e verbër, pa dalje. Duhet ta ripërcaktojmë domethënien e një laiciteti, që thekson e ruan ndryshimin e vërtetë dhe autonominë mes sferave, por edhe bashkekzistencën e tyre, përgjegjësinë e përbashkët. Vetëm në një sfond vlerash, që kanë thellësisht një zanafillë të përbashkët, feja dhe laiciteti mund të jetojnë, në një begati të ndërsjellë. Ne evropianët duhet ta rimendojmë arsyen tonë laike, laiciste dhe Turqia duhet, duke u nisur nga historia e vet, nga zanafilla e vet, të mendojë së bashku me ne se si ta ndërtojë për të ardhmen këtë bashkëlidhje mes laicitetit dhe traditës, mes një arsyeje të hapur, tolerante, që ka si element themelor lirinë dhe vlerat që i japin përmbajtje lirisë.

 

Në këtë udhëtim një vend të rëndësishëm ka vizita dhe takimi me Patriarkun Bartolomeu I. Çfarë domethënie ka kjo gjë në programin e angazhimit për riafrimin me Kishat e krishtera, që Ju keni pohuar qysh në fillim të Pontifikatit Tuaj?

 

Nuk kanë rëndësi numrat, sasia:  është pesha simbolike, historike dhe shpirtërore ajo që ka rëndësi. Dhe e dimë se Konstandinopoja është si “Roma e dytë”. Gjithmonë ka qenë pika e referimit për Ortodoksinë, që ka dhënë kulturën e madhe bizantine ortodokse, dhe mbetet gjithmonë një pikë referimi për mbarë botën ortodokse e kështu edhe për krejt krishterimin. Edhe nëse Patriarku nuk ka një juridiksion si Papa, megjithatë është një pikë orientimi për botën ortodokse. Është një takim me Patriarkun, një takim me Kishën e Andreut apostull, vëllait të Pjetrit. Është një takim me cilësi të madhe mes dy Kishave motra të Romës dhe të Konstandinopojës dhe për këtë një moment shumë i rëndësishëm në kërkimin e njësisë së të krishterëve. Ndodhen edhe bashkësi të tjera të krishterësh; me të gjitha, edhe pse të vogla, por të pranishme, do të takohemi, natyrisht edhe me bashkësinë e vogël katolike. Le të themi se është një ngjarje bashkësie, përveçse një marrëdhënie mes sferave gjeografike dhe kulturore. Në këtë kuptim mendoj se simbolizmi nuk është vetëm diçka më vete, e zbrazët, por një gjë pot me realitet. Dhe ky simbolizëm i Konstandinopojës, ky funksion i vërtetë dhe real i Patriarkut për Ortodoksinë, i jep edhe një rëndësi të madhe për krejt ecjen ekumenike.

Dhe tani ju kërkoj të falur, sepse nuk mund të bëjmë një konferencë të mirëfilltë shtypi, koha nuk është e mjaftueshme, shpresoj të paktën që të kem thënë diçka të dobishme.

 


 

 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

TAKIM ME TRUPIN DIPLOMATIK PRANË REPUBLIKËS SË TURQISË

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

 

Nunciatura Apostolike e Ankarasë

E martë, më 28 nëntor 2006

 

 

Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj,

fjalimin tim e kam përgatitur në gjuhën frënge, meqë është gjuha e diplomacisë, dhe shpresoj që të mund të kuptohet. Ju përshëndes me gëzim të madh, ju që, si Ambasadorë, ushtroni detyrën e fisshme të përfaqësimit të Vendeve tuaja pranë Republikës së Turqisë dhe që me dëshirë keni dashur të takoni pasardhësin e Pjetrit në këtë Nunciaturë. Falënderoj Zëvendës-Dekanin tuaj, Zotin Ambasador të Libanit, për fjalët e përzemërta që sapo m’i drejtoi. Jam i gëzuar të përforcoj vlerësimin që Selia e Shenjtë panumërim ka shprehur për funksionet tuaja të larta, që sot marrin një përmasë gjithnjë e më globale. Efektivisht, nëse misioni juaj ju çon para së gjithash të mbroni dhe të nxisni interesat legjitime të Kombeve tuaja “ndërvarësia e pashmangshme që sot lidh gjithnjë e më shumë të gjithë popujt e botës i fton të gjithë diplomatët për të qenë, në një shpirt gjithnjë të ri dhe origjinal, autorët e mirëkuptimit mes popujve, të sigurisë ndërkombëtare dhe të paqes mes Kombeve” (Gjon Pali II, Discorso al Corpo Diplomatico [Fjalim drejtuar Trupit Diplomatik], Meksikë, 26 janar 1979).

Para së gjithash dëshiroj të thërras përpara jush kujtimin e vizitave të paharrueshme të dy paraardhësve të mi në Turqi, të Papa Palit VI, në vitin 1967, dhe të Gjon Palit II, në vitin 1979. Po ashtu, si të mos kujtoj Papa Benediktin XV, autorin e palodhshëm të paqes në rrjedhën e konfliktit të parë botëror, dhe të Lumin Papa Gjonin XXIII, “mikun e turqve”, i cili qe Delegat Apostolik në Turqi dhe Administrator Apostolik i Vikariatit latin të Stambollit, duke lënë tek të gjithë kujtimin e një bariu të kujdesshëm dhe plot dashuri, me dëshirën në mënyrë të veçantë për ta takuar dhe për ta njohur popullin turk, tek i cili ishte mik mirënjohës! Për këtë jam i gëzuar të jem sot mik i Turqisë, i ardhur këtu si mik dhe si apostull i dialogut dhe i paqes.

Dyzet vjet më parë, Koncili II i Vatikanit shkruante se “paqja nuk është thjesht mungesë e luftës, dhe as nuk mund të zvogëlohet vetëm në vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm mes forcave kundërshtare”, por “është fryt i rendit të ngulitur në shoqërinë njerëzore nga Themeluesi dhe që duhet të zbatohet nga njerëzit që aspirojnë me zjarr një drejtësi gjithnjë e më të përsosur” (Gaudium et spes, 78). Në realitet, kemi mësuar se paqja e vërtetë ka nevojë për drejtësinë, për të korrigjuar mosbarazitë ekonomike dhe turbullirat politike, që janë gjithmonë faktorë tensioni dhe kërcënimi për mbarë shoqërinë. Zhvillimi i kohëve të fundit të terrorizmit dhe evolucioni i disa konflikteve krahinore, nga ana tjetër, kanë vënë në dukje nevojshmërinë e respektimit të vendimeve të Institucioneve ndërkombëtare, si edhe për t’i mbështetur, duke i adoptuar në veçanti me mjete të efektshme për të parandaluar konflikte dhe për të mbajtur, falë forcave të ndërmjetësimit, zona neutraliteti mes palëve ndërluftuese. Kjo mbetet, megjithatë, e pamjaftueshme nëse nuk i shtohet dialogut të vërtetë, domethënë bashkërenditjes mes kërkesave të palëve të përfshira, me qëllim arritjen e zgjidhjeve politke të pranueshme dhe të qëndrueshme, që respektojnë personat dhe popujt. Mendoj, në mënyrë të veçantë, për konfliktin e Lindjes së Mesme, që vazhdon në mënyrë alarmuese duke peshuar mbi mbarë jetën ndërkombëtare me rrezikun e zgjerimit të konflikteve periferike dhe të përhapjes së veprimeve terroristike; përshëndes përpjekjet e shumë Vendeve, që janë angazhuar sot për rikthimin e paqes në Liban, dhe mes tyre edhe Turqia. Bëj apel edhe një herë, përpara jush, Zonja dhe Zotërinj Ambasadorë, vigjilencës së bashkësisë ndërkombëtare, që mos t’i ikë përgjegjësive të veta dhe t’i bëjë të njohura të gjitha përpjekjet e nevojshme për të nxitur, me të gjitha palët në çështje, dialogun, i cili, vetëm ai, mundëson sigurimin e respektimit të të tjerëve, duke mbrojtur interesat legjitime dhe duke mos pranuar përdorimin e dhunës. Ashtu siç kisha shkruar në Mesazhin e Ditës Botërore të Paqes, që është edhe mesazhi im i parë me këtë rast, “E vërteta e paqes i thërret të gjithë për të kultivuar marrëdhënie të begata dhe të sinqerta, nxit për të kërkuar dhe për të përshkuar rrugët e faljes dhe të pajtimit, për të qenë transparentë në negociata dhe besnikë në fjalën e dhënë” (1 janar 2006, 6).

Turqia, që gjithmonë është një urëlidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, mes Kontinentit aziatik dhe atij evropian, një kryqëzim kulturash dhe fesh, është pajisur shekullin e kaluar me mjete për t’u bërë një Vend i madh modern, në veçanti duke bërë zgjedhjen e një regjimi laiciteti, duke dalluar qartësisht shoqërinë civile dhe fetare, duke i mundësuar kështu secilës që të jetë autonome në rrethin e vet, gjithmonë duke respektuar sferën e tjetrës. Fakti se shumica e popullsisë së këtij Vendi është myslimane përbën një element domethënës në jetën e shoqërisë ku Shteti nuk mund të mos e ketë parasysh, por Kushtetura turke i njeh çdo qytetari të drejtën e lirisë së kultit dhe të lirisë së ndërgjegjes. Është detyrë e Autoriteteve civile në çdo Vend demokratik të garantojë lirinë efektive të të gjithë besimtarëve dhe t’u lejojë atyre ta organizojmë lirisht jetën e bashkësisë së tyre fetare. Natyrisht, uroj që besimtarët, të çdo bashkësie fetare që i përkasin, të vazhdojnë t’i gëzojnë këto të drejta, në sigurinë se liria fetare është një shprehje themelore e lirisë njerëzore dhe që prania aktive e feve në shoqëri është një faktor përparimi dhe pasurie për të gjithë. Kjo implikon, sigurisht, që fetë për sa u takon atyre të mos kërkojnë të ushtrojnë drejtpërsëdrejti një pushtet politik, meqë nuk janë të thirrur për një gjë të tillë dhe, në veçanti, që të heqin dorë absolutisht nga justifikimi i përdorimit të dhunës si shprehje e ligjshme e praktikës fetare. Përshëndes për këtë bashkësinë katolike në këtë Vend, e paktë në numër, por me shumë dëshirë për të marrë pjesë në mënyrën më të mirë në zhvillimin e Vendit, sidomos nëpërmjet edukimit të të rinjve dhe ndërtimit të paqes e të harmonisë mes të gjithë qytetarëve.

Siç kam kujtuar edhe kohët e fundit, “kemi absolutisht nevojë për një dialog autentik mes feve dhe mes kulturave, një dialog i aftë për të na ndihmuar që t’i kapërcejmë së bashku të gjitha tensionet në një shpirt të dobishëm mirëkuptimi” (Discorso all’incontro con gli Ambasciatori dei Paesi musulmani [Fjalim në takim me Ambasadorët e Vendeve myslimane], Kastel Gandolfo, 25 shtator 2006). Ky dialog duhet t’u mundësojë feve të ndryshme të njihen më mirë dhe të respektohen në mënyrë të ndërsjellë, me qëllim që të veprojnë gjithnjë e më shumë në shërbim të aspiratave më të fisshme të njeriut, që është në kërkim të Hyjit dhe të lumturisë. Dëshiroj, nga ana ime, që të mund të shpreh sërish gjatë këtij udhëtimi në Turqi krejt vlerësimin tim për myslimanët, duke i ftuar që të vazhdojmë të angazhohemi së bashku, falë respektimit të ndërsjellë, në të mirë të dinjitetit të çdo qenieje njerëzore dhe për rritjen e një shoqërie ku liria personale dhe vëmendja ndaj tjetrit t’i mundësojë secilit që të jetojë në paqe dhe në kthjelltësi. Kështu fetë mund të bëjnë pjesën e tyre në trajtimin dhe përballimin e sfidave të shumta me të cilat shoqëritë tona aktualisht përballen. Sigurisht, njohja e rolit pozitiv që kanë fetë në gjirin e trupit shoqëror mund dhe duhet t’i shtyjë shoqëritë tona të thellojnë gjithnjë e më shumë njohjen e tyre të njeriut dhe për të respektuar gjithnjë e më mirë dinjitetin e tij, duke e vënë në qendër të veprimit politik, ekonomik, kulturor dhe shoqëror. Bota jonë duhet të vetëdijësohet gijthnjë e më shumë për faktin se të gjithë njerëzit janë thellësisht solidarë dhe për t’i ftuar që të vënë në dukje ndryshimet e tyre historike dhe kulturore, jo për t’u përplasur, por për t’u respektuar në mënyrë të ndërsjellë.

Kisha, ashtu siç e dini mjaft mirë, ka marrë prej Themeluesit të vet një mision shpirtëror dhe ajo s’ka ndër mend pra, të ndërhyjë drejtpërsëdrejti në jetën politike apo ekonomike. Megjithatë, për shkak të misionit të vet dhe e fortë prej përvojës së saj të gjatë të historisë së shoqërive dhe të kulturave, Kisha uron ta bëjë të dëgjohet zëri i saj në bashkëpunimin mes kombeve, që gjithmonë të nderohet dinjiteti themelor i njeriut dhe sidomos i më të dobtëve. Përballë zhvillimit të kohëve të fundit të fenomenit të globalizimit të shkëmbimeve, Selia e Shenjtë pret prej bashkësisë ndërkombëtare, që ajo të organizohet më tej, për të caktuar rregulla që mundësojnë për të qeverisur më mirë evolucionet ekonomike, të rregullave të tregut, si p.sh. duke ngjallur mirëkuptime krahinore mes Vendeve. Nuk dyshoj aspak, Zonja dhe Zotërinj, që ju keni për zemër, në misionin tuaj si diplomatë, për të takuar interesat e posaçme të Vendit tuaj dhe nevojat për t’u mirëkuptuar me njëri-tjetrin, dhe kështu ju mund të kontribuoni shumë në shërbim të të gjithëve.

Zëri i Kishës në skenën diplomatike karakterizohet gjithmonë për vullnetin, i cili gjendet në Ungjill, për t’i shërbyer çështjes së njeriut, dhe unë s’do ta realizoja këtë detyrë themelore nëse nuk do të paraqisja përsëri përpara jush nevojshmërinë për ta vënë dinjitetin njerëzor gjithnjë e më në qendër të përkujdesjeve tona. Zhvillimi i jashtëzakonshëm i shkencave dhe i teknikave, që njeh bota e sotme, me rrjedhoja gati të drejtpërdrejta për mjekësinë, bujqësinë dhe prodhimin e burimeve ushqimore, por po ashtu edhe për komunikimin e diturisë, nuk duhet të ndiqet pa qëllimshmëri dhe pa pika referimi, meqë bëhet fjalë për lindjen e njeriut, të edukimit të tij, të mënyrës së tij për të jetuar dhe për të punuar, për pleqërinë e tij dhe për vdekjen e tij. Është më se e nevojshme rivendosja e përparimit të sotëm  në vazhdimësinë e historisë njerëzore dhe pra, mbarështimi i tij sipas projektit që banon tek të gjithë ne për ta rritur njerëzimin dhe që libri i Zanafillës shprehte qysh më parë sipas mënyrës së vet: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë” (Zan 1, 28). Më lejoni në fund, duke menduar për bashkësitë e para të krishtera të rritura në këtë tokë dhe në mënyrë të veçantë për Palin apostull, që personalisht ka themeluar disa prej tyre, që të citoj fjalët e tij drejtuar Galatasve: “Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si don trupi, por – me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit!” (Gal 5, 13). Liria është shërbim ndaj njëri-tjetrit. Uroj që mirëkuptimi mes kombeve, të cilëve ju u shërbeni, të kontribuojë gjithnjë e më shumë për të rritur njerëzinë e njeriut, të krijuar në përngjasim të Hyjit. Një objektiv kaq i fisshëm kërkon ndihmën e të gjithëve. Për këtë qëllim Kisha katolike dëshiron ta forcojë bashkëpunimin me Kishën ortodokse dhe uroj me gjithë zemër, që takimi im i ardhshëm me Patriarkun Bartolemeu I në Fanar të kontribuojë në mënyrë të efektshme. Ashtu siç thekson Koncili II Ekumenik i Vatikanit, Kisha kërkon njëlloj të bashkëpunojë me besimtarët dhe me përgjegjësit e të gjitha feve, dhe veçanërisht me Myslimanët, “për ta mbrojtur dhe për ta nxitur së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen dhe lirinë” (Nostra aetate, 3). Shpresoj që, në këtë perspektivë, udhëtimi im në Turqi të sjellë fryte të shumta.

Zonja dhe Zotërinj Ambasadorë, mbi personat tuaj, mbi familjet tuaja dhe mbi bashkëpunëtorët tuaj, thërras me gjithë zemër Bekimet e Tejet të Lartit.

 

 


 

 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

TAKIMI ME SHENJTËRINË E TIJ BARTOLEMEU I

PATRIARK EKUMENIK I KONSTANDINOPOJËS

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

 

Kisha Patriarkale e Shën Gjergjit në Fanar, Stamboll

E mërkurë, më 29 nëntor 2006

 

 

 

Oh, sa punë e mirë dhe gjë e bukur është kur vëllezërit jetojnë së bashku!” (Ps 133, 1).

 

Shenjtëri,

jam thellësisht mirënjohës për mirëpritjen vëllazërore që më keni bënë Ju personalisht, ashtu si edhe nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkatit Ekumenik dhe do ta ruaj përgjithmonë këtë kujtim në zemrën time me vlerësim. Falënderoj Zotin për dhuratën e këtij takimi, kaq të mbushur me vullnet të mirë të përnjëmendtë dhe me domethënie kishtare.

Provoj një gëzim të madh të jem mes jush, vëllezër në Krishtin, në këtë Kishë Katedrale, ndërsa i lutemi së bashku Zotit dhe kujtojmë ngjarjet e rëndësishme që kanë mbështetur angazhimin tonë për të punuar për bashkimin e plotë të të krishterëve dhe të ortodokësve. Dëshiroj, para së gjithash, të kujtoj vendimin e guximshëm për të hequr kujtimin e shkishërimeve të vitit 1054. Deklarata e përbashkët e Papa Palit VI dhe e Patriarkut Atenagora, e shkruar me shpirtin e një dashurie të rizbuluar, u lexua solemnisht në një ceremoni të zhvilluar njëkohësisht në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë dhe në këtë Katedrale Pariarkale. Tomos-i i Patriarkut bazohej në shpalljen e fesë së Gjonit: “Ho Theós agapé estín” (1 Gjn 4, 9), Hyji është dashuri! Me një sintoni të përsosur, Papa Pali VI zgjodhi ta fillonte Letrën e Vet me nxitjen pauline: “Ambulate in delectione” (Ef 5, 2), Jetoni në dashuri. Dhe mbi këtë themel dashurie të ndërsjellë janë zhvilluar marrëdhëniet e reja mes Kishës së Romës dhe asaj të Konstandinopojës.

Shenja të kësaj dashurie kanë qenë të dukshme në deklarata të shumta angazhimi të bashkëndarë dhe të shumë gjesteve plot me domethënie. Si Pali VI, ashtu edhe Gjon Pali II janë pritur me ngrohtësi si vizitues në këtë kishë të Shën Gjergjit dhe janë pajtuar përkatësisht me Patriarkët Atenagora I dhe Demetrio I për të përforcuar shtytjen drejt mirëkuptimit të ndërsjellë dhe kërkimit të njësisë së plotë. Qofshin të nderuar dhe të bekuar emrat e tyre!

Gëzohem, gjithashtu, që gjendem në këtë tokë kaq ngushtë të lidhur me fenë e krishterë, ku shumë Kisha lulëzuan në kohët e lashta. Mendoj për nxitjet që Shën Pjetri u ka bërë bashkësive të para të krishtera: “nëpër Pont, Galaci, Kapadoki, Azi dhe Bitini” (1 Pj 1, 1), dhe për aradhën e pasur të martirëve, të teologëve, të barinjve, të murgjërve, dhe të shenjtërve burra e gra, që këto Kisha kanë lindur gjatë shekujve.

Në të njëjtën mënyrë kujtoj shenjtërit dhe barinjtë e shquar, që janë përkujdesur për Selinë e Konstandinopojës, mes të cilëve Shën Gregorin e Naciancit dhe Shën Gjon Gojartit, që edhe Perëndimi i nderon si Doktorë të Kishës. Reliket e tyre pushojnë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, dhe pjesë të tyre iu dhuruan Shenjtërisë Suaj në shenjë bashkësie nga i ndjeri Papa Gjon Pali II, me qëllim që të nderoheshin në këtë Katedrale. Me të vërtetë, ata janë paraardhës të denjë për ne para Zotit.

Në këtë pjesë të botës lindore janë mbajtur shtatë Koncilet Ekumenike, që Ortodoksë dhe Katolikë i njohin si me autoritet për fenë dhe disiplinën e Kishës. Ata janë gurë të përhershëm miliarë dhe udhëheqës përgjatë ecjes drejt njësisë së plotë.

Përfundoj duke shprehur edhe një herë gëzimin tim që ndodhem mes jush. Ky takim e forcoftë afektin tonë të ndërsjellë dhe e ripërtëriftë angazhimin tonë të përbashkët për të ngulmuar në itinerarin, që na shpie në pajtimin dhe në paqen e Kishave.

Ju përshëndes në dashurinë e Krishtit. Zoti qoftë përherë me ju.

 


 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

MESHA E SHENJTË NË SHENJTËROREN E MERYEM ANA EVÌ

 

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË

 

Efes

E mërkure, më 29 nëntor 2006

 

 

Të dashur Vëllezër dhe Motra,

në këtë kremtim eukaristik duam ta falënderojmë Zotin për amësinë hyjnore të Marisë, mister që këtu në Efes, në Koncilin Ekumenik të vitit 431, u pranua dhe u shpall solemnisht. Në këtë vend, njëri prej vendeve më të dashura të Bashkësisë së krishterë, kanë ardhur në shtegtim paraardhësit e mi të nderuar Shërbëtori i Hyjit Pali VI dhe Gjon Pali II, i cili u ndal në këtë Shenjtërore më 30 nëntor 1979, pak më shumë se një vit nga fillimi i Pontifikatit të Tij. Por është një tjetër Paraardhës imi, që në këtë Vend nuk ka qenë si Papë, por si Përfaqësues papnor nga janari i vitit 1935 deri në dhjetor të vitit 1944, dhe kujtimi i të cilit ngjall përsëri shumë përshpirtëri dhe simpati: i Lumi Gjoni XXIII, Angelo Roncalli. Ai ushqente një vlerësim dhe një admirim të madh për popullin turk. Për këtë më pëlqen të kujtoj një shprehje që lexohet në Gazetën e tij të shpirtit: “Unë i dua turqit, i çmoj cilësitë natyrore të këtij populli, që e ka vendin të përgatitur në udhën e qytetërimit” (741). Ai, gjithashtu, i ka lënë si dhuratë Kishës dhe botës një qëndrim shpirtëror optimizimi të krishterë, të bazuar në një fe të thellë dhe një bashkim të vazhdueshëm me Hyjin. I gjallëruar nga një shpirt i tillë, i drejtohem këtij populli dhe, në mënyrë të veçantë, “grigjës së vogël” të Krishtit që jeton në mesin e tij, për ta inkurajuar dhe për t’i shfaqur afektin e mbarë Kishës. Me dashuri të madhe ju përshëndes të gjithë ju, këtu të pranishëm, besimtarë të Izmirit, Mersinit, Iskenderunit dhe të Antakës, dhe të tjerë të ardhur nga vende të ndryshme të botës; ashtu si edhe ata që nuk kanë mundur të marrin pjesë në këtë kremtim, por shpirtërisht janë të bashkuar me ne. Përshëndes, në veçanti, Imzot Ruggero Franceschini, Arqipeshkëv i Izmirit, Imzot Giuseppe Bernardini, Ipeshkëv emerit i Izmirit, Imzot Luigi Padovese, meshtarët dhe rregulltaret. Faleminderit për praninë tuaj, për dëshminë dhe për shërbimin që i bëni Kishës, në këtë tokë të bekuar ku, në fillim, bashkësia e krishterë ka njohur zhvillime të mëdha, siç vërtetojnë edhe shtegtarët e shumtë që vijnë në Turqi.

 

Nëna e Hyjit – Nëna e Kishës

 

Kemi dëgjuar pjesën e Ungjillit sipas Gjonit, që na fton ta sodisim momentin e Shpërblimit, kur Maria, e bashkuar me Birin në paraqitjen e Flisë, ia shtriu amësinë e vet të gjithë njerëzve dhe, në veçanti, nxënësve të Jezusit. Dëshmitar i privilegjuar i kësaj ngjarjeje është autori i Ungjillit të katërt, Gjoni, i vetmi apostull që qëndroi në Golgotë së bashku me Nënën e Jezusit dhe me gratë e tjera. Amësia e Marisë, e filluar me fiat-in e Nazaretit, u përmbush nën Kryq. Nëse është e vërtetë – siç vëren Shën Anselmi – që “nga momenti i fiat-it Maria filloi të na mbarte të gjithëve në kraharorin e vet”, thirrja dhe misioni amënor i Virgjërës në lidhje me besimtarët në Krishtin filloi në mënyrë efektive kur Jezusi i tha: “Grua, qe, yt bir!” (Gjn 19, 26). Duke parë nga kryqi Nënën dhe aty afër nxënësin e dashur, Krishti duke vdekur njohu frytet e para të Familjes së re, që kishte ardhur të formonte në botë, filizin e Kishës dhe të njerëzimit të ri. Për këtë i drejtohet Marisë duke e quajtur “grua” dhe jo “nënë”; term që përkundrazi përdori duke ia besuar apostullit: “Qe, nëna jote!” (Gjn 19, 27). Kështu Biri i Hyjit e përmbushi misionin e Vet: i lindur nga Virgjëra për të bashkëndarë në gjithçka, përveç mëkatit, gjendjen tonë njerëzore, në momentin e kthimit tek Ati i la botës sakramentin e njësisë të gjinisë njerëzore (krh. Lumen gentium, 1): Familja “e mbledhur nga njësia e Atit, e Birit dhe e Shpirtit Shenjt” (Shën Çipriani, De Orat. Dom. 23: PL 4, 536), bërthama parësore e të cilit është pikërisht kjo lidhje mes Nënës dhe nxënësit. Në këtë mënyrë mbesin të bashkëlidhura në mënyrë të pazgjidhshme amësia hyjnore dhe amësia kishtare.

 

Nëna e Hyjit – Nëna e njësisë

 

Leximi i parë na ka paraqitur atë që mund të përcaktohet si “ungjilli” i Apostullit të paganëve: të gjithë, edhe paganët, janë të thirrur në Krishtin për të marrë pjesë plotësisht në misterin e shpëtimit. Në veçanti, teksti përmban shprehjen që kam zgjedhur si moto të udhëtimit tim apostolik: “Ai, Krishti, është Paqja jonë” (Ef 2, 14). I frymëzuar nga Shpirti Shenjt, Pali pohon jo vetëm se Jezu Krishti na ka sjellë paqen, por Ai “është” paqja jonë. Dhe këtë pohim e justifikon duke iu referuar misterit të Kryqit: duke derdhur “gjakun e Vet” - thotë ai - duke ofruar si fli “trupin e Vet”, Jezusi ka asgjësuar “në vetvete” armiqësinë dhe ka krijuar “në vetvete, që prej dyve, të trajtonte një njeri të ri” (Ef 2, 14-16). Apostulli shpjegon se në çfarë kuptimi, me të vërtetë të paparashikueshëm, paqja mesianike është realizuar në vetë Personin e Krishtit dhe në misterin e Tij shpëtues. E shpjegon duke shkruar, ndërsa gjendet i burgosur, në bashkësinë e krishterë që banonte këtu, në Efes: “Shenjtërve që janë në Efes, besimtarëve në Jezu Krishtin” (Ef 1, 1), siç pohon në adresën e Letrës. Atyre Apostulli u uron “hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!” (Ef 1, 2). “Hiri” është forca që shndërron njeriun dhe botën; “paqja” është fryti i pjekur i këtij shndërrimi. Krishti është hiri; Krishti është paqja. Tani, Pali i dërguar për të kumtuar një “mister”, domethënë një plan hyjnor që vetëm në plotësinë e kohëve, në Krishtin, është realizuar dhe zbuluar: domethënë “se Paganët, në Jezu Krishtin, janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trup, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit” (Ef 3, 6). Ky “mister” realizohet, në planin historiko-shpëtues, në Kishë, që është ai Popull i ri në të cilin, pasi është hedhur poshtë muri i ndarjes, gjenden të njësuar judeas dhe paganë. Ashtu si Krishti, Kisha nuk është vetëm mjet i njësisë, por është edhe shenjë e efektshme e saj. Dhe Virgjëra Mari, Nëna e Krishtit dhe e Kishës, është Nëna e atij misteri njësie, që Krishti dhe Kisha në mënyrë të pandashme përfaqësojnë dhe përbëjnë në botë dhe përgjatë historisë.

 

Ta kërkojmë paqen për Jerusalemin dhe për botën mbarë

 

Apostulli i paganëve shkruan se Krishti “prej dy popujve bëri një” (Ef 2, 14): pohim ky, që i referohet në kuptimin e vet marrëdhënies mes Judenjve dhe Paganëve në rendin e misterit të shpëtimit të amshuar; por pohim ky, që mund edhe të shtrihet, në planin analogjik, në marrëdhëniet mes popujve dhe qytetërimeve të pranishme në botë. Krishti “erdhi t’ju kumtojë paqen” (Ef 2, 17) jo vetëm hebrenjve dhe jo hebrenjve, por të gjitha kombeve, sepse të gjitha vijnë nga vetë Hyji, Krijuesi dhe Zoti i vetëm i gjithësisë. Të ngushëlluar nga Fjala e Hyjit, prej këtu, prej Efesit, qytet i bekuar nga prania e Shenjtes Marisë - t’ia lartësojmë Zotit një lutje të veçantë për paqen mes popujve. Nga ky kënd i Gadishullit të Anadollit, urë natyrore mes kontinenteve, të kërkojmë paqen dhe pajtimin para së gjithash për ata që banojnë në Tokën, që e quajmë “të shenjtë”, dhe e tillë mbahet si nga të krishterët, ashtu edhe nga hebrenjtë dhe myslimanët: është toka e Abrahamit, e Izakut dhe e Jakobit, e adresuar për të mikpritur një popull që të bëhej bekim për të gjithë popujt (krh. Zan 12, 1-3). Paqe për mbarë njerëzimin! Shpejt u realizoftë profecia e Isaisë: “Shpatat do t’i kthejë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë” (Is 2, 4). Për këtë paqe të gjithmbarshme kemi nevojë të gjithë; për këtë paqe Kisha është thirrur të jetë jo vetëm kumtuese profetike, por, edhe më shumë, “shenjë dhe mjet”. Pikërisht në këtë perspektivë paqtimi të gjithmbarshëm, më e thellë dhe më e dendur  bëhet dëshira e zjarrtë drejt bashkësisë së plotë dhe mirëkuptimit mes të gjithë të krishterëve. Në kremtimin e sotëm janë të pranishëm besimtarë katolikë të Riteve të ndryshme, në fakt, janë shprehje e asaj shumëllojshmërie të mrekullueshme me të cilën është zbukuruar Nusja e Krishtit, me kusht që të dinë të përkojnë në njësinë dhe në dëshminë e përbashkët. Shembullore për këtë qëllim duhet të jetë njësia mes Ordinarëve në Konferencën Ipeshkvnore, në bashkësinë dhe në bashkëndarjen e përpjekjeve baritore.

 

Magnificat

 

Liturgjia e sotme na ka bërë të përsërisim, si refren të Psalmit përgjigjës, këngën e lavdit, që Virgjëra e Nazaretit shpalli në takimin me kushërirën e moshuar Elizabeta (krh. Lk 1, 39). Ngushëlluese kanë tingëlluar në veshët tanë edhe fjalët e psalmistit: “Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen” (Ps 84, 11). Të dashur vëllezër dhe motra, me këtë vizitë kam dashur të shpreh jo vetëm dashurinë dhe afërsinë time shpirtërore, por të Kishës së gjithmbarshme, ndaj bashkësisë së krishterë, që këtu, në Turqi, është me të vërtetë një pakicë e vogël dhe përballon çdo ditë jo pak sfida dhe vështirësi. Me besim të fortë të këndojmë, së bashku me Marinë, “magnificat”-in e lavdërimit dhe të falënderimit ndaj Hyjit, që shikon mbi shërbëtoren e vet të përvujtë (krh. Lk 1, 47-48). Ta këndojmë me gëzim edhe kur jemi të sprovuar nga vështirësitë dhe rreziqet, siç pohon dëshmia e bukur e meshtarit romak Dom Andrea Santoro, që më pëlqen ta kujtoj edhe në këtë kremtim. Maria na mëson se burimi i gëzimit tonë dhe mbështetja jonë e vetme e qëndrueshme është Krishti, dhe na përsërit fjalët e Tij: “Mos druani!” (Mk 6, 50), “Unë jam me ju” (Mt 28, 20). Dhe ti, o Nëna e Kishës, na shoqëro gjithmonë në ecjen tonë! Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne! “Aziz Meryem Mesih’in Annesi bizim için Dua et”. Amen.

 

 

 


 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

VIZITË LUTJEJE BËRË PATRIARKUT ARMEN APOSTOLIK

DHE TAKIM ME LUMTURINË E TIJ PATRIARKUN MESROB II

 

PËRSHËNDETJA E ATIT TË SHENJTË

 

Katedralja Armene Apostolike, Stamboll

E enjte, më 30 nëntor 2006

 

 

Shumë i dashur Vëlla në Krishtin,

jam i gëzuar që kam këtë mundësi të takoj Lumturinë Tuaj po në këtë vend ku Patriarku Shnork Kalustian ka takuar paraardhësit e mi Papa Pali VI dhe Papa Gjon Pali II. Me dashuri të madhe përshëndes krejt bashkësinë apostolike armene, të cilën Ju e drejtoni si bari dhe Atë shpirtëror. Përshëndetjen time vëllazërore ia bëj edhe Shenjtërisë së Tij Karekin II, Patriark Suprem dhe Catholicos i të gjithë Armenëve, dhe hierarkisë së Kishës Apostolike Armene. Falënderoj Hyjin për fenë dhe dëshminë e krishterë të popullit armen, të përçuara nga njëri brez në tjetrin, shpesh në rrethana me të vërtetë tragjike si ata të provuara  gjatë shekullit të kaluar.

Takimi ynë është shumë më tepër se një gjest i thjeshtë mirësjelljeje ekumenike dhe miqësore. Është shenjë e shpresës sonë të përbashkët në premtimet e Hyjit dhe të dëshirës sonë për të parë të përmbushur lutjen që Jezusi bëri për nxënësit e Vet në prag të mundimeve dhe të vdekjes së Vet: “Që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove” (Gjn 17, 21). Jezusi e dha jetën e Vet në kryq për të bashkuar në një gjë të vetme bijtë e shpërndarë të Hyjit, për të shembur muret e ndarjes. Nëpërmjet sakramentit të Pagëzimit, jemi bërë pjesë e Trupit të Krishtit, në Kishë. Ndarjet tragjike që, përgjatë shekujve, kanë lindur mes ndjekësve të Krishtit i kundërshtojnë haptazi vullnesës së Zotit, janë shkandull për botën dhe dëmtojnë çështjen shumë të shenjtë të predikimit të Ungjillit çdo krijese (krh. Unitatis redintegratio, 1). Pikërisht nëpërmjet dëshmisë së fesë dhe të dashurisë së tyre, të krishterët janë të thirrur që t’i japin një shenjë shkëlqyese shprese dhe ngushëllimi kësaj bote, të prekur nga konflikte dhe nga tensione kaq të mëdha. Për këtë duhet të vazhdojmë të bëjmë të mundurën për të mjekuar plagët e ndarjes dhe për të përshpejtuar veprën e rindërtimit të njësisë së të krishterëve. Uroj që të drejtohemi, në këtë detyrë të ngutshme, nga drita dhe nga forca e Shpirtit Shenjt.

Për këtë qëllim, vetëm mund t’i lartësoj një falënderim të ndier Zotit për marrëdhënien gjithnjë e më të thellë vëllazërore të zhvilluar mes Kishës Apostolike Armene dhe Kishës Katolike. Në shek. XIII Nersesi i Lambronit, njëri prej Doktorëve të mëdhenj të Kishës Armene, shkroi fjalët nxitëse në vijim: “Tani, meqë të gjithë kemi nevojë për paqen me Hyjin, të bëjmë të mundur që harmonia mes vëllezërve të jetë themeli i saj. I jemi lutur Hyjit për paqen dhe vazhdojmë ta bëjmë. Ja, Ai po na e jep ne si dhuratë: ta pranojmë atë! I kemi kërkuar Zotit që ta bëjë të qëndrueshme Kishën e Tij të Shenjtë, dhe Ai e ka dëgjuar me siguri lutjen tonë. Ta ngjisim, pra, malin e besimit të Ungjillit” (Fjalim Sinodal). Këto fjalë të Nersesit nuk e kanë humbur fuqinë e tyre. Le të vazhdojmë të lutemi së bashku për njësinë e të gjithë të krishterëve, kështu që, duke e marrë këtë dhuratë nga lart me zemra të gatshme, ne mund të jemi dëshmitarë gjithnjë e më bindës të së vërtetës së Ungjillit dhe shërbëtorë më të mirë të misionit të Kishës.

 


 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

LITURGJI HYJNORE E SHËN GJON GOJARTIT

NË FESTËN E SHËN ANDRESË APOSTULL

 

FJALIMI I PAPËS

 

Kisha Patriarkale e Shën Gjergjit në Fanar, Stamboll

E enjte, më 30 nëntor 2006

 

 

Kjo Liturgji Hyjnore e kremtuar në festën e Shën Andreut Apostull, Pajtori Shenjt i Kishës së Konstandinopojës, na çon prapa në Kishën e parë, në kohën e Apostujve. Ungjijtë e Markut dhe të Mateut referojnë se si Jezusi i thirri dy vëllezërit, Simonin, të cilit Jezusi ia ngjiti emrin Kefë apo Pjetër, dhe Andreut: “Ejani mbas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” (Mt 4, 19; Mk 1, 17). Ungjilli i katërt, gjithashtu, paraqet Andreun si të thirrurin e parë: “ho protoklitos”, ashtu siç njihet ai në traditën bizantine. Është Andrea ai që e çon tek Jezusi vëllanë e vet Simonin (krh. Gjn 1, 40 e në vijim).

Sot, në këtë Kishë Patriarkale të Shën Gjergjit, jemi në gjendje të provojmë edhe një herë bashkësinë dhe thirrjen e dy vëllezërve, Simon Pjetrit dhe Andreut, në takimin mes Pasardhësit të Pjetrit dhe Vëllait të vet në shërbesën episkopale, kreun e kësaj Kishe, themeluar  sipas traditës nga Andrea Apostull. Takimi ynë vëllazëror thekson marrëdhënien e veçantë që bashkon Kishat e Romës dhe të Konstandinopojës si Kisha Motra.

Me gëzim në zemër falënderojmë Hyjin, sepse i jep përsëri gjallëri marrëdhënies së zhvilluar qysh prej takimit të paharrueshëm në Jerusalem, në janarin e vitit 1964, mes paraardhësve tanë, Papa Palit VI dhe Patriarkut Atenagora. Shkëmbimi i tyre i letrave, të botuara në vëllimin me titull Tomos Agapis dëshmon thellësinë e lidhjeve të tyre, lidhje që pasqyrohen në marrëdhënien mes Kishave Motra të Romës dhe asaj të Konstandinopojës.

Më 7 dhjetor 1965, në pragun e seksionit të fundit të Koncilit II të Vatikanit, pararendësit tanë të nderuar ndërmorën një hap të ri, të vetëm dhe të paharrueshëm përkatësisht në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit dhe në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan: ata hoqën nga kujtesa e Kishës shkishërimet tragjike të vitit 1954. Në këtë mënyrë ata përforcuan një ndryshim vendimtar në marrëdhëniet tona. Qysh atëherë, shumë hapa të tjerë të rëndësishëm janë ndërmarrë përgjatë ecjes së afrimit të ndërsjellë. Kujtoj në veçanti vizitën e paraardhësit tim, Papa Gjon Pali II, në Konstandinopojë në vitin 1979 dhe vizitat në Romë të Patriarkut Ekumenik Bartolomeu I.

Me po këtë shpirt, prania ime sot këtu është e adresuar të ripërtërijë angazhimin e përbashkët për të ecur në rrugën drejt vendosjes – me hirin e Hyjit – të bashkësisë së plotë mes Kishës së Romës dhe Kishës së Konstandinopojës. Mund t’ju siguroj se Kisha Katolike është e gatshme të bëjë ç’është e mundur për të tejkaluar pengesat dhe për të kërkuar, së bashku me vëllezërit dhe me motrat ortodokse, mjete gjithmonë e më të efektshme bashkëpunimi baritor për këtë qëllim.

Dy vëllezërit, Simoni, i quajtur Pjetër, dhe Andrea, ishin dy peshkatarë që Jezusi i thirri për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Zoti i Ngjallur, para Ngjitjes së Vet në qiell, i dërgoi së bashku me Apostujt e tjerë me misionin për t’i bërë nxënëse të gjitha kombet, duke i pagëzuar dhe duke u shpallur mësimet e Tij (krh. Mt 28, 19 e vijim; Lk 24, 47; Vap 1, 8).

Kjo detyrë, të cilën na e kanë lënë vëllezërit e shenjtë Pjetri dhe Andrea, është shumë larg për t’u përmbushur. Përkundrazi, sot ajo është edhe më e ngutshme dhe e nevojshme. Në fakt, ajo ka të bëjë jo vetëm me kulturat e prekura përciptazi nga mesazhi i Ungjillit, por edhe me kulturat evropiane prej kohësh thellësisht të rrënjosura në traditën e krishterë. Procesi i shekullarizimit ka dobësuar mbajtjen e asaj tradite; ajo madje është vënë në pikëpyetje dhe madje edhe është hedhur poshtë. Përpara këtij realiteti, jemi të thirrur, së bashku me të gjitha bashkësitë e tjera të krishtera, për ta ripërtërirë vetëdijen e Evropës rreth rrënjëve, traditave dhe vlerave të saj të krishtera, duke u ridhënë atyre një gjallëri të re.

Përpjekjet tona për të krijuar lidhje më të ngushta mes Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse janë pjesë e kësaj detyre misionare. Ndarjet ekzistuese mes të krishterëve janë një shkandull për botën dhe një pengesë për shpalljen e Ungjillit. Në prag të mundimeve dhe të vdekjes së Vet, Zoti, i rrethuar nga nxënësit, u lut me afsh, që ata të ishin një, kështu që bota të mund të besojë (krh. Gjn 17, 21). Vetëm nëpërmjet bashkësisë vëllazërore mes të krishterëve dhe nëpërmjet dashurisë së ndërsjellë, mesazhi i dashurisë së Hyjit për çdo burrë dhe për çdo grua do të bëhet i besueshëm. Kushdo i hedh një shikim realistik botës së krishterë sot zbulon ngutshmërinë e një dëshmie të tillë.

Simon Pjetri dhe Andrea u thirrën së bashku për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Por i njëjti angazhim mori forma të ndryshme për secilin prej dy vëllezërve. Simoni, me gjithë brishtësinë e vet personale, u quajt “Pjetër”, “shkëmb” mbi të cilin do të ndërtohej Kisha; atij në mënyrë të posaçme iu besuan çelësat e Mbretërisë së Qiejve (krh. Mt 16, 18). Itinerari i tij do ta çonte nga Jerusalemi në Antioki, dhe nga Antiokia në Romë, kështu që në atë qytet ai të mund të ushtronte një përgjegjësi të gjithmbarshme. Tema e shërbimit të gjithmbarshëm e Pjetrit dhe e pasardhësve të tij për fat të keq i ka dhënë fillesë ndryshimeve tona në opinion, që shpresojmë t’i tejkalojmë, edhe falë dialogut teologjik, i cili është rimarrë kohët e fundit.

Paraardhësi im i nderuar, Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II, foli për mëshirën që karakterizon shërbimin e njësisë së Pjetrit, një mëshirë që vetë Pjetri provoi i pari (Ut unum sint, 91). Mbi këtë bazë Papa Gjon Pali II bëri ftesën për të hyrë në një dialog vëllazëror, me qëllim që të dallonte rrugët në të cilat shërbesa e Pjetrit të mund të ushtrohet sot, duke respektuar natyrën dhe thelbin e saj, kështu që të “realizohej një shërbim dashurie që të pranohej nga njëri dhe nga tjetri” (po aty, 95). Është dëshira ime sot të rimarr dhe ta ripërtërij këtë ftesë.

Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, mori një detyrë tjetër nga Zoti, një detyrë që vetë emri i vet i sugjeronte. Duke qenë në gjendje të fliste greqisht, u bë - së bashku me Filipin - Apostulli i takimit me Grekët e ardhur nga Jezusi (krh. Gjn 12, 20 e vijim). Tradita na tregon se qe misionar jo vetëm në Azinë e Vogël dhe në territoret në jug të Detit të Zi, domethënë në këtë krahinë, por edhe në Greqi, ku edhe u martirizua.

Prandaj, Andrea apostull përfaqëson takimin mes krishterimit të parë dhe kulturës greke. Ky takim, veçanërisht në Azinë e Vogël, u bë i mundur në mënyrë të veçantë falë Etërve të mëdhenj të Kapadokisë, të cilët pasuruan liturgjinë, teologjinë dhe përshpirtërinë si të Kishave Lindore, ashtu edhe të atyre Perëndimore. Mesazhi i krishterë, ashtu si kokrra e grurit (krh. Gjn 12, 24), ka rënë në këtë tokë dhe ka sjellë shumë fryt. Duhet të jemi thellësisht mirënjohës për trashëgiminë që ka rrjedhur nga takimi i frytshëm mes mesazhit të krishterë dhe kulturës helenike. Kjo ka pasur një ndikim të qëndrueshëm mbi Kishat e Lindjes dhe të Perëndimit. Etërit grekë na kanë lënë një thesar të çmueshëm, nga e cila Kisha vazhdon të nxjerrë pasuri të lashta dhe të reja (krh. Mt 13, 52).

Mësimi i kokrrës së grurit që vdes për të sjellë fryt ka gjithashtu një përputhje në jetën e Shën Andreut. Tradita na tregon se ai ndoqi fatin e Zotit dhe të Mësuesit të Vet, duke i kaluar ditët e tij të fundit në Patras të Greqisë. Ashtu si Pjetri, ai u martirizua në kryq, atë diagonale që nderojmë sot si kryqin e Shën Andreut. Nga shembulli i tij mësojmë se ecja e çdo të krishteri, ashtu si edhe ajo e mbarë Kishës, të çon në një jetë të re, në jetën e amshuar, nëpërmjet imitimit të Jezusit dhe përvojës së kryqit.

Përgjatë historisë, të dyja Kisha e Romës dhe ajo e Konstandinopojës shpesh kanë provuar mësimin e kokrrës së grurit. Së bashku ne nderojmë të njëjtët martirë, gjaku i të cilëve, sipas fjalëve të famshme të Tertulianit, është bërë farë për të krishterë të rinj (Apologeticum 50, 13). Me ta, bashkëndajmë të njëjtën shpresë, që e detyron Kishën për ta vazhduar “shtegtimin e saj mes përndjekjeve të botës dhe ngushëllimeve të Hyjit” (Lumen gentium, 8; krh. Shën Augustini, De Civitate Dei, XVIII, 51, 2). Falë tij, edhe shekulli që sapo u mbyll ka parë dëshmi të guximshme feje, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Edhe sot ka shumë prej këtyre dëshmitarëve në anë të ndryshme të botës. I kujtojmë në lutjen tonë dhe, në çdo mënyrë të mundur, u japim atyre mbështetjen tonë, ndërsa u kërkojmë me ngulmim të gjithë krerëve të botës që ta respektojnë lirinë fetare si një të drejtë themelore njerëzore.

Liturgjia Hyjnore në të cilën kemi marrë pjesë është kremtuar sipas ritit të Shën Gjon Gojartit. Kryqi dhe ngjallja e Jezu Krishtit janë bërë mistikisht të pranishme. Për ne të krishterët ky është burim dhe shenjë e një shprese vazhdimisht të ripërtërirë. Këtë shpresë e gjejmë për mrekulli të shprehur në tekstin e lashtë të njohur si Mundimet e Shën Andreut: “Të përshëndes, o Kryq, i shuguruar nga Trupi i Krishtit dhe i zbukuruar me gjymtyrët e Tij si me gurë të çmuar... Që besimtarët ta njohin gëzimin tënd, dhe dhuratat që në ty ruhen...”.

Kjo fe në vdekjen shëlbuese të Jezusit në kryq dhe kjo shpresë që Krishti i ngjallur i ofron krejt familjes njerëzore, bashkëndahej prej të gjithëve ne, Ortodoksë dhe Katolikë. Lutja dhe veprimtaria jonë e përditshme u frymëzofshin nga dëshira e zjarrtë jo vetëm për të qenë të pranishëm në Liturgjinë Hyjnore, por për të qenë në gjendje për ta kremtuar së bashku, për të marrë pjesë në Tryezën e vetme të Zotit, duke bashkëndarë të njëjtën bukë dhe të njëjtin kelk. Takimi ynë i sotëm shërbeftë si shtytje dhe hershim i gëzueshëm i dhuratës së bashkësisë së plotë. Dhe Shpirti i Hyjit na shoqëroftë në ecjen tonë!

 


 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENTJËRISË SË TIJ

BENEDIKTI XVI

NË TURQI

 

28 NËNTOR – 1 DHJETOR 2006

 

KREMTIM EUKARISTIK

 

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË

 

Katedralja e Shpirtit Shenjt, Stamboll

E premte, më 1 dhjetor 2006

 

 

Të dashur Vëllezër dhe Motra,

në përfundim të udhëtimit tim baritor në Turqi, jam i gëzuar që takoj bashkësinë katolike të Stambollit dhe që kremtoj bashkë me të Eukaristinë për ta falënderuar Zotin për të gjitha dhuratat e Tij.

Dëshiroj të përshëndes para së gjithash Patriarkun e Konstandinopojës, Shenjtërinë e Tij Bartolomeun I, ashtu si Patriarkun armen, Lumturinë e Tij Mesrobinin II, Vëllezër të nderuar, që kanë dashur të bashkohen me ne për këtë kremtim. U shpreh atyre mirënjohjen time më të thellë për këtë gjest vëllazëror, që nderon mbarë bashkësinë katolike.

Të dashur Vëllezër dhe Bij të Kishës katolike, Ipeshkvij, meshtarë dhe diakonë, rregulltarë, rregulltare dhe laikë, që i përkasin bashkësive të ndryshme të qytetit dhe të riteve të ndryshme të Kishës, ju përshëndes të gjithëve me gëzim, duke rithënë për ju fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Paçi hire e paqe prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Zotit Jezu Krisht” (Gal 1, 3). Dëshiroj të falënderoj Autoritetet civile këtu të pranishme për mirëpritjen e tyre të sjellshme, në veçanti të gjithë ata, që kanë mundësuar që ky udhëtim të mund të realizohej. Në fund përshëndes përfaqësuesit e bashkësive kishtare të feve të tjera, që kanë dashur të jenë të pranishëm mes nesh. Si të mos mendoj për ngjarjet e ndryshme që kanë formuar pikërisht këtu historinë tonë të përbashkët? Në të njëjtën kohë e ndiej për detyrë të kujtoj në mënyrë të veçantë dëshmitarët e shumtë të Ungjillit të Krishtit, që na nxisin për të punuar së bashku për njësinë e të gjithë nxënësve të Tij, në të vërtetë dhe në dashuri!

Në këtë katedrale të Shpirtit Shenjt, dëshiroj ta falënderoj Hyjin për gjithçka, që Ai ka bërë në historinë e njerëzve dhe të thërras dhuratat e Shpirtit të shenjtërisë. Ashtu siç na ka kujtuar tani edhe Shën Pali, Shpirti është burimi i përhershëm i fesë sonë dhe i njësisë sonë. Ai nxit në ne njohjen e vërtetë të Jezusit dhe vë në buzët tona fjalët e fesë, me qëllim që ne të mund ta njohim Zotin. Jezusi i kishte thënë qysh më parë Pjetrit pas Pohimit të fesë në Çezare: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell” (Mt 16, 17). Po, jemi të lum kur Shpirti Shenjt na hap ndaj gëzimit për të besuar dhe kur na bën të hyjmë në familjen e madhe të të krishterëve, në Kishën e Tij, kaq e shumëllojshme në larminë e dhuratave, të funksioneve dhe të veprimtarive dhe në të njëjtën kohë një, “pasi është gjithmonë po ai Hyj që vepron në të gjithë”. Shën Pali shton “Gjthkush e merr dhuratën për të shfaqur Shpirtin në të mirë të të gjithëve”. Të shfaqësh Shpirtin, të jetosh sipas Shpirtit, nuk do të thotë të jetosh vetëm për vete, por do të thotë të mësosh të bëhesh pareshtur si Jezu Krishti, duke u bërë gjatë ndjekjes së Tij shërbëtor i vëllezërve. Ja një mësim shumë konkret për secilin prej nesh, Ipeshkvij, të thirrur nga Zoti për ta drejtuar popullin e Tij duke u bërë shërbëtorë në gjurmët e Tij; kjo vlen edhe për të gjithë mbarështuesit e Zotit, ashtu si edhe për të gjithë besimtarët: duke marrë sakramentin e Pagëzimit, të gjithë jemi zhytur në vdekjen dhe në ngjalljen e Zotit, “na është shuar etja nga i njëjti Shpirt”, dhe jeta e Krishtit është bërë jeta jonë me qëllim që të jetojmë me Të, me qëllim që t’i duam vëllezërit tanë, ashtu si Ai na ka dashur neve (krh. Gjn 13, 34).

Njëzet e shtatë vjet më parë, po në këtë katedrale, paraardhësi im Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II uronte që agimi i mijëvjeçarit të ri të mund “të lindte në një Katedrale që e ka rigjetur njësinë e vet të plotë, për të dëshmuar më mirë, në mes të tensioneve të acaruara të botës, dashurinë transhendente të Hyjit, të shfaqur në Birin Jezu Krisht” (Omelia nella cattedrale di Istanbul [Homeli në katedralen e Stambollit], 5). Ky urim nuk është realizuar ende, por dëshira e Papës është po ajo dhe na shtyn, të gjithëve ne nxënës të Krishtit, që përparojmë me ngadalësitë tona dhe me varfëritë tona në ecjen që na çon drejt njësisë, për të vepruar pareshtur “për të mirën e të gjithëve”, duke vënë perspektivën ekumenike në vend të parë të përkujdesjeve tona kishtare. Atëherë do të jetojmë realisht sipas Shpirtit të Jezusit, në shërbim të të mirës së të gjithëve.

Të mbledhur këtë mëngjes në këtë shtëpi lutjeje kushtuar Zotit, si të mos kujtojmë imazhin tjetër të bukur, që përdor Shën Pali për të folur për Kishën, atë të ndërtesës, gurët e së cilës janë të gjithë të bashkuar, të shtrënguara fort me njëra-tjetrën për të formuar një ndërtesë të vetme, dhe guri i këndit të së cilës, mbi të cilin mbështetet gjithçka, është Krishti? Ai është burimi i jetës së re, që na është dhuruar nga Ati, në Shpirtin Shenjt. Ungjilli i Shën Gjonit sapo e ka shpallur: “Lumenj uji të gjallë do të burojnë nga kraharori i tij”. Ky ujë gufues, ky ujë i gjallë, që Jezusi i ka premtuar Samaritanes, Zakaria dhe Ezekieli profetë e shohin të burojë nga pjesa anësore e tempullit, për të ripërtërirë ujërat e Detit të Vdekur: shëmbëlltyrë e mrekullueshme e premtimit të jetës, që Hyji i ka bërë gjithmonë popullit të Vet dhe që Jezusi ka ardhur për të përmbushur. Në një botë ku njerëzit kanë shumë vështirësi për të ndarë mes tyre të mirat e tokës dhe ku fillon me të drejtë shqetësimi për mungesën e ujërave, kjo e mirë kaq e çmuar për jetën e trupit, Kisha zbulohet e pasur me një të mirë edhe më të madhe. Duke qenë Trupi i Krishtit ajo ka marrë detyrën për ta kumtuar Ungjillin e Tij deri në kufijtë e tokës (krh. Mt 28, 19), domethënë për t’u përçuar burrave dhe grave të kësaj kohe një lajm të mirë, që jo vetëm ndriçon, por ndryshon jetën e tyre, derisa të kalojë dhe të ngadhënjejë mbi vetë vdekjen. Ky Lajm i Mirë nuk është vetëm një Fjalë, por është një Person, vetë Krishti, i ngjallur, i gjallë! Me hirin e Sakramenteve, uji që ka dalë nga kraharori i Tij i shporuar në kryq është bërë një burim uji që gufon, “lumenj uji të gjallë”, një dhuratë që askush nuk mund ta ndalojë dhe që rijep jetë. Si munden vallë të krishterët ta mbajnë vetëm për vete këtë burim? Misioni i Kishës nuk ka të bëjë as me mbrojtjen e pushteteve, as me të grumbulluarit e pasurive; misioni i saj është të dhurojë Krishtin, të marrë pjesë në Jetën e Krishtit, e mira më e çmuar e njeriut, që vetë Hyji na jep në Birin e Vet.

Vëllezër dhe Motra, bashkësitë tuaja njohin ecjen e përvuajtë të shoqërimit të çdo dite me ata që nuk e bashkëndajnë fenë tonë, por që deklarojnë “se kanë fenë e Abrahamit dhe që adhurojnë me ne Hyjin e vetëm dhe të mëshirshëm” (Lumen gentium, 16). Dijeni mirë se Kisha nuk dëshiron t’i imponojë asgjë askujt, dhe që kërkon thjesht të mund të jetojë lirisht për të rizbuluar Atë që ajo nuk mund të fshehë, Jezu Krishtin, që na ka dashur deri në Kryq dhe që na ka dhënë Shpirtin e Tij, prani e gjallë e Hyjit në mesin tonë dhe në thellësinë më të madhe të vetes sonë. Jini gjithmonë të hapur ndaj Shpirtit të Krishtit dhe, për këtë, jini të vëmendshëm ndaj atyre që kanë uri për drejtësi, paqe, dinjitet, vlerësim për veten e tyre dhe për vëllezërit e tyre. Jetoni mes jush sipas fjalës së Zotit “Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13, 35). Vëllezër dhe Motra, t’ia besojmë në këtë moment dëshirën tonë për t’i shërbyer Zotit Virgjërës Mari, Nënës së Hyjit dhe Shërbëtores së Zotit. Ajo është lutur në çenakull së bashku me bashkësinë e parë, në pritje të Rrëshajës. Së bashku me të t’i lutemi tani Krishtit Zot: Dërgoje Shpirtin tënd Shenjt, o Zot, mbi mbarë Kishës; që Ai të banojë në secilën prej gjymtyrëve të Tij dhe që t’i bëjë lajmëtarë të Ungjillit të Tij! Amen.

 

në krye

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster