Kisha Katolike në Shqipëri

Arqipeshkvia Shkodër-Pult

Mire se erdhet

 

FYTYRA E MËSHIRËS

FYTYRA
E MËSHIRËS

(Misericordiæ Vultus)


Bulla E Shpalljes
Së Vitit Të Jashtëzakonshëm
Të Mëshirës


Përkthyesit
Kolë Dedaj
Driton Simoni

Redaktore
Loreta Tomaj


Faqosja dhe Grafikat
Luigj Mila



© Copyright: www.vatican.va

© Copyright në shqip
ARQIPESHKVIA METROPOLITANE
SHKODËR - PULT



Shtypur
SHTYPSHKRONJA “VOLAJ”

 

Qershor 2015


Françesku
ipeshkëv i Romës
shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit
atyre që do ta lexojnë këtë letër
hir, mëshirë e paqe

 

1. Jezu Krishti është fytyra e mëshirës së Atit. Misteri i fesë së krishterë duket se gjen në këtë fjalë sintezën e saj. Ajo u bë e gjallë, e dukshme dhe ka arritur kulmin e saj në Jezusin e Nazaretit. Ati, «i pasur me mëshirë» (Ef 2,4), pasi ia zbuloi emrin e vet Moisiut si «Hyji i mëshirshëm e i butë, i ngadalshëm në zemërim e plot dashuri e besnikëri» (Dal 34,6), nuk reshti duke bërë të njohur, në mënyra të ndryshme e në shumë momente të historisë, natyrën e vet hyjnore. Në «plotësinë e kohës» (Gal 4,4), kur gjithçka ishte sipas planit të tij të shpëtimit, Ai dërgoi Birin e vet të lindur nga Virgjëra Mari për të na zbuluar përfundimisht dashurinë e vet. Ai që sheh Atë sheh Atin (krh Gjn 14,9). Jezusi i Nazaretit me fjalën, veprimet dhe personin e vet zbulon mëshirën e Hyjit.

2. Gjithmonë kemi nevojë ta sodisim misterin e mëshirës. Është burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Mëshirë: është fjala që zbulon misterin e Trinisë së Shenjtë. Mëshirë: është veprimi i fundit dhe më i madhi me të cilin Hyji na del përpara. Mëshirë: është ligji themelor që banon në zemrën e çdo personi kur shikon me sy të sinqertë vëllain që e takon gjatë jetës. Mëshirë: është rruga që bashkon Hyjin dhe njeriun, sepse ia hap zemrën shpresës se jemi të dashur gjithmonë pa marrë parasysh kufizimin e mëkatit tonë.
3. Ka momente kur në mënyrë edhe më të fortë jemi të thirrur ta ngulim fort shikimin tonë tek mëshira për t’u bërë ne vetë shenjë efikase e veprimit të Atit. Për këtë arsye shpalla një Jubile të Jashtëzakonshëm të Mëshirës si kohë të volitshme për Kishën, që ta bëjë më të fortë dhe më efikase dëshminë e besimtarëve.
Viti i Shenjtë do të hapet më 8 dhjetor 2015, të kremten e të zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar. Kjo festë liturgjike tregon mënyrën e veprimit të Hyjit qysh prej fillimit të historisë sonë. Pas mëkatit të Adamit dhe të Evës, Hyji nuk ka dashur ta lërë njerëzimin në duart e të keqes. Për këtë arsye ka menduar dhe ka e dashur Marinë të Shenjtë dhe të papërlyer në dashuri (krh Ef 1,4), që të bëhej Nëna e Shëlbuesit të njeriut. Para peshës së mëkatit, Hyji përgjigjet me plotësinë e faljes. Mëshira do të jetë gjithmonë më e madhe, sesa çdo mëkat dhe askush nuk mund t’i vërë një kufi dashurisë së Hyjit që fal. Në festën e Zojës së Papërlyer do të kem gëzimin të hap Derën e Shenjtë. Në këtë rast do të jetë një Derë e Mëshirës, ku kushdo që do të hyjë do të provojë dashurinë e Hyjit që ngushëllon, që fal dhe që dhuron shpresë.
Një të diel më pas, të tretën e Kohës së Ardhjes, do të hapet Dera e Shenjtë në Katedralen e Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Pastaj, do të hapet Dera e Shenjtë në Bazilikat e tjera Papnore. Po atë të dielë caktoj që në çdo kishë të veçantë, në Katedrale që është kisha nënë për të gjithë besimtarët, apo edhe në Konkatedrale apo në një kishë me një domethënie të veçantë, të hapet gjatë gjithë Vitit të Shenjtë një Derë e tillë e Mëshirës. Sipas zgjedhjes së Ipeshkvit, ajo mund të hapet edhe në Shenjtërore, vende ku shkojnë shumë shtegtarë, që në këto vende të shenjta shpesh preken në zemër nga hiri dhe gjejnë rrugën e kthimit. Pra, çdo kishë e veçantë do të jetë e përfshirë drejtpërsëdrejti për ta jetuar këtë Vit të shenjtë si një moment të veçantë hiri e ripërtëritjeje shpirtërore. Prandaj Jubileu do të kremtohet në Romë dhe në kishat e veçanta, si shenjë e dukshme e bashkimit të mbarë Kishës.

4. Kam zgjedhur datën 8 dhjetor, sepse është plot me domethënie për historinë e fundit të Kishës. Faktikisht do ta hap Derën e shenjtë në pesëdhjetëvjetorin e mbylljes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Kisha e ndien nevojën që ta mbajë të gjallë atë ngjarje. Për të fillonte një rrugëtim i ri i historisë së saj. Etërit e mbledhur në Koncil e kishin perceptuar fort, si një frymëzim të vërtetëtë Shpirtit, nevojën për t’u folur njerëzve të kohës së tyre për Hyjin në një mënyrë më të kuptueshme. Pasi rrëzuan muret që për njëkohë të gjatë e kishin mbyllur Kishën në një kështjellë të privilegjuar, kishte ardhur koha për ta shpallur Ungjillin në një mënyrë tjetër. Një etapë e re e ungjillëzimit të gjithmonshëm. Një angazhim i ri për të gjithë të krishterët për ta dëshmuar më me entuziazëm dhe bindje fenë e tyre. Kisha e ndiente përgjegjësinë e të qenit në botë shenja e gjallë e dashurisë së Atit.
Na vijnë në mendje fjalët kuptimplote që Shën Gjoni XIII shqiptoi në hapjen e Koncilit për të treguar shtegun që duhet ndjekur: «Tani Nuses së Krishtit i pëlqen të përdorë ilaçin e mëshirës, më shumë se të ngjeshë armët e arsyes ... Kisha katolike, ndërsa me këtë Koncil Ekumenik lartëson pishtarin e të vërtetës katolike, dëshiron të tregohet nënë tejet e dashur për të gjithë, dashamirëse, e durueshme, e shtyrë nga mëshira e mirësia kundrejt fëmijëve të ndarë prej saj». Në po këtë horizont gjendej edhe i lumi Pali VI, që kështu shprehej  në mbyllje të  Koncilit: «Më shumë duam të vëmë re se si feja e Koncilit tonë të ketë qenë kryesisht dashuria... Historia e vjetër e Samaritanit ka qenë paradigma e përshpirtërisë së Koncilit ... Një rrymë afekti dhe admirimi u ruajt nga Koncili për botën njerëzore moderne. I ripamë gabimet, po; sepse këtë kërkon dashuria, asgjë më pak se të vërtetën; por për personat veç përsëris, vetëm respekt dhe dashuri. Në vend të diagnozave dëshpëruese, ilaçe inkurajuese; në vend të parandjenjave të errëta,  Koncili i dha botës bashkëkohore mesazhe besimi: vlerat e tij jo vetëm që u respektuan, por u nderuan, përpjekjet i tij u mbështetën, aspiratat e tij u pastruan e u bekuan ...Edhe një gjë tjetër duhet të vëmë në dukje: e gjithë kjo pasuri doktrinore shkon në një drejtim të vetëm: t’i shërbejë njeriut. Njeriut, le të themi, në çdo gjendje të tij, në çdo sëmundje, në çdo nevojë të tijën».
Me këto ndjenja mirënjohjeje për atë që Kisha ka marrë dhe përgjegjësitë për detyrën që na pret, do ta kalojmë Derën e shenjtë me besimin e plotë se jemi të shoqëruar nga forca e Zotit të Ngjallur, që vazhdon ta mbështesë shtegtimin tonë. Shpirti Shenjt, që udhëheq hapat e besimtarëve për të bashkëvepruar në veprën e shpëtimit të realizuar prej Krishtit, qoftë udhëheqësi dhe mbështetja e Popullit të Hyjit për ta ndihmuar që ta sodisë fytyrën e mëshirës.

5. Viti jubilar do të përmbyllet të kremten liturgjike të Jezu Krishtit Zot të Gjithësisë, më 20 nëntor 2016. Atë ditë, duke mbyllur Derën e shenjtë, para së gjithash do të kemi ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj të Shenjtërueshmes Trini, që na mundësoi këtë kohë të jashtëzakonshme hiri. Do t’ia besojmë jetën e Kishës, krejt njerëzimin dhe kozmosin e stërmadh zotërimit të Krishtit, që ta shtrijë mëshirën e vet sikur vesën e mëngjesit për një histori të frytshme, e cila ndërtohet me angazhimin e të gjithëve në të ardhmen e afërt. Sa dëshiroj që vitet e ardhshme të jenë plot me mëshirë me qëllim që kur t’i takojmë njerëzit t’u japim atyre mirësinë dhe butësinë e Hyjit! Tek të gjithë, besimtarë dhe atyre që janë larg, arriftë vaji erëmirë i mëshirës si shenjë e Mbretërisë së Hyjit, tashmë të pranishme në mesin tonë.
6. «Është tipike e Hyjit të përdorë mëshirë dhe në mënyrë të veçantë në këtë shfaqet gjithëpushtetësia e tij». Fjalët e Shën Tomës së Akuinit dëshmojnë se si mëshira hyjnore nuk është aspak një shenjë dobësie, për cilësia e gjithëpushtetshmërisë së Hyjit. Për këtë arsye liturgjia, në njërën prej kolektave më të lashta, na bën të lutemi kështu: «O Hyj, që e zbulon gjithëpushtetësinë tënde sidomos me mëshirën e faljen». Hyji do të jetë përgjithmonë në historinë e njerëzimit si Ai që është i pranishëm, afër, provanor, i shenjtë dhe i mëshirshëm.
“I durueshëm dhe i mëshirshëm” është binomi që shfaqet shpesh në Besëlidhjen e Vjetër për të përshkruar natyrën e Hyjit. Fakti që është i mëshirshëm, konkretizohet në shumë veprime të historisë së shpëtimit ku mirësia e tij mbizotëron mbi ndëshkimin e shkatërrimin. Psalmet, në mënyrë të veçantë, bëjnë të dalë në pah madhështia e të vepruarit hyjnor: «Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua; Ai ta shpëton jetën prej varrit, Ai të kurorëzon me mirësi e mëshirë»(Ps 103,3-4). Në mënyrë akoma më të dukshme, një Psalm tjetër dëshmon shenjat konkrete të mëshirës: «Zoti i çliron robërit, Zoti u jep dritën e syve të verbërve, Zoti i ndreq të kërrusurit, Zoti i do të drejtët, Zoti i mbron ardhacakët, u ndihmon bonjakëve e të vejave, ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët» (Ps 146,7-9). Dhe në fund, ja disa shprehje të tjera të psalmistit: «[Zoti] i shëron zemrat e copëtuara, i lidh plagët e tyre. ... Zoti i lartëson të përvujtët, kurse përdhe i shtron bakëqijtë» (Ps 147,3.6). Pra, mëshira e Hyjit nuk është një ide abstrakte, por një realitet konkret me të cilën Ai zbulon dashurinë e vet si ajo e një babai dhe e një nëne që preken thellësisht për fëmijët e tyre. Është më të vërtetë rasti të themi se është një dashuri e thellë. Vjen nga brendësia si një ndjenjë e thellë, natyrore, që përbëhet prej butësisë dhe dhembshurisë, ndjesës dhe faljes.

7. “E amshueshme është mëshira e tij”: është refreni që shoqëron Psalmin 136, ndërsa tregohet historia e zbulimit të Hyjit. Falë mëshirës, të gjitha ngjarjet e Besëlidhjes së Vjetër janë plot me një vlerë të thellë shpëtimtare. Mëshira e bën historinë e Hyjit me Izraelin një histori shpëtimi. Të përsëritësh vazhdimisht: “E amshueshme është mëshira e tij”, siç bën Psalmi, duket sikur dëshiron të prishë rrethin e e hapësirës e të kohës për të futur gjithçka në misterin e amshuar të dashurisë. Është sikur të thoshte se jo veç në histori, por për amshim njeriu do të jetë gjithmonë nën shikimin e mëshirshëm të Atit. Jo rastësisht, populli i Izraelit e vuri këtë Psalm, “hallel-ine madh” siç quhet, në festat më të rëndësishme liturgjike.
Para Mundimeve Jezusi u lut me këtë Psalm të mëshirës. E pohon Mateu ungjilltar kur thotë «pasi kënduan himnin» (Mt 26,30), Jezusi së bashku me nxënësit shkuan drejt Malit të Ullinjve. Ndërsa Ai po themelonte Eukaristinë, si përkujtim i përmotshëm i Tij dhe i Pashkës së tij, e vinte simbolikisht këtë akt suprem të Zbulimit në dritën e mëshirës. Në këtë horizont të mëshirës, Jezusi i jetonte mundimet dhe vdekjen, i vetëdijshëm për misterin e madh të dashurisë që do të përmbushej në kryq. Duke e ditur se vetë Jezusi është lutur me këtë Psalm, e bën për ne të krishterët akoma më të rëndësishëm dhe na angazhon ta bëjmë tonin këtë refren në lutjet tona të përditshme të lavdeve: “E amshuar është mëshira e tij”.

8. Me shikimin e ngulur te Jezusi dhe te fytyra e tij e mëshirshme mund të kuptojmë dashurinë e Trinisë së Shenjtë. Misioni që Jezusi ka marrë nga Ati ka qenë ai i zbulimit të misterit të dashurisë hyjnore në plotësitë e tij. «Hyji është dashuri» (1 Gjn 4,8.16), pohon për të parën dhe të vetmen herë në Shkrimin e shenjtë Gjoni ungjilltar. Kjo dashuri tashmë është bërë e dukshme dhe e prekshme në krejt jetën e Jezusit. Personi i tij nuk është tjetër veçse dashuri, një dashuri që dhurohet falas. Marrëdhëniet e tij me personat qëi qëndrojnë afër shfaqin diçka të vetme dhe të papërsëritshme. Shenjat që bën, sidomos ndaj mëkatarëve, të personave të varfër, të përjashtuar, të sëmurë e të vuajtur, bëhen nën emrin e mëshirës. Te Ai gjithçka flet për mëshirën. Te Ai asgjë nuk bëhet pa dhembshuri.
Jezusi, para turmës së personave që e ndiqnin, duke parë së ishin të lodhur e të mbaruar, të humbur e pa udhëheqje, ndjeu nga thellësia e zemrës një dhembshuri të madhe për ta (krh. Mt 9,36). Falë kësaj dashurie të dhembshur shëroi të sëmurët që ia vinin përpara (krh. Mt 14,14), dhe me pak bukë e ca peshq ushqeu turma të mëdha (krh. Mt 15,37). Ajo që e nxiste Jezusin në të gjitha rrethanat nuk ishte tjetër veçse mëshira, me të cilën lexonte në zemrat e bashkëbiseduesve të vet dhe u përgjigjej nevojës së tyre më të vërtetë. Kur takoi vejushën e Nainit që e çonte djalin e saj të dëshirit tek varri, ndjeu një dhembshuri për atë dhimbje tejet të madhe të nënës që po vajtonte, e ia ridha djalin duke ia ngjallur nga vdekja (krh. Lk 7,15). Pasi e liroi të djallosurin e Gerazës, ia beson këtë mision: «tregoju ç’nder të bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty» (Mk 5,19). Edhe thirrja e Mateut është vendosur në horizontin e mëshirës. Duke kaluar pranë vendit të pagimit të taksave, Jezusi ia nguli sytë Mateut. Ishte një shikim përplot me mëshirë, që falte mëkatet e atij njeriu e, duke fituar mbi kundërshtimet e nxënësve të tjerë, zgjodhi atë, tagrambledhësin e mëkatarin, për ta bërë njërin prej të Dymbëdhjetëve. I Përnderuari Shën Beda, duke komentuar këtë pjesë të Ungjillit, ka shkruar se Jezusi e shikoi Mateun me dashuri të mëshirshme dhe e zgjodhi: miserando atque eligendo. Gjithmonë më ka bërë përshtypje kjo shprehje, aq sa e bëra moton time.

9. Në shëmbëlltyrat kushtuar mëshirës, Jezusi zbulon natyrën e Hyjit si atë të një Ati që nuk dorëzohet kurrë derisa nuk e ka zgjidhur mëkatin e nuk ka fituar mbi refuzimin, me dhembshuri dhe mëshirë. I njohim këto shëmbëlltyra, tri në veçanti: atë të deles së humbur dhe të drahmës së humbur, atë të djalit të humbur e të gjetur (krh. Lk 15,1-32). Në këto shëmbëlltyra, Hyji gjithmonë na paraqitet plot me gëzim, mbi të gjitha kur fal. Në to gjejmë thelbin e Ungjillit e të fesë sonë, sepse mëshira paraqitet si forca që fiton mbi gjithçka, që e mbush zemrën me dashuri e që ngushëllon me faljen.
Nga një shëmbëlltyrë tjetër, veç të tjerash, nxjerrim një mësim për stilin tonë të jetës së krishterë. I provokuar nga pyetja e Pjetrit se sa herë është e nevojshme të falim, Jezusi përgjigjet: «Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë» (Mt 18,22), dhe tregon shëmbëlltyrën e “shërbëtorit të pamëshirë”. Ky, i thirrur nga zotëria që t’ia rikthejë një shumë të madhe, i lutet në gjunjë atij dhe ky ia fali detyrimin që i kishte. Menjëherë më pas ai takoi një shërbëtor tjetër si ai, që i kishte borxh pak para, ky iu lut në gjunjë që të kishte mëshirë, por ai nuk pranon dhe e fut në burg. Atëherë zotëria, kur merr vesh për atë që ndodhi, zemërohet shumë dhe e thërret sërish shërbëtorin e i thotë: «A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?» (Mt 18,33). E Jezusi përfundon: «Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj» (Mt 18,35).
Shëmbëlltyra përmban një mësim të thellë për secilin prej nesh. Jezusi pohon se mëshira nuk ka lidhje vetëm me atë që bën Ati, por bëhet kriteri për të kuptuar se kush janë bijtë e tij të vërtetë. Pra, jemi të thirrur të jetojmë me mëshirë, sepse mëshira u tregua së pari ndaj nesh. Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër, të cilin nuk mund ta anashkalojmë. Shpesh herë na duket e vështirë të falim! E megjithatë, falja është mjeti që kemi në duart tona të brishta për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur. Pra, le ta pranojmë nxitjen e apostullit: «Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj» (Ef 4,26). E mbi të gjitha le të dëgjojmë fjalën e Jezusit që e vendosi mëshirën si një ideal jete dhe si kriter besueshmërie për fenë tonë: «Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë» (Mt 5,7) është lumnia ku mund të frymëzohemi me një angazhim të veçantë në këtë Vit të Shenjtë.
Siç vërehet, mëshira në Shkrimin e shenjtë është fjala kyç për të treguar të vepruarit e Hyjit ndaj nesh. Ai nuk kufizohet të pohojë dashurinë e tij, por e bën të dukshme dhe të prekshme. Dashuria, nga ana tjetër, nuk mund të jetë kurrë një fjalë abstrakte. Për vetë natyrën e saj është jetë konkrete: qëllime, qëndrime, sjellje që shfaqen në të vepruarit e përditshëm. Mëshira e Hyjit është përgjegjësia e tij për ne. Ai ndihet përgjegjës, domethënë dëshiron të mirën tonë e dëshiron të na shohë të lumtur, përplot me gëzim e të qetë. Në të njëjtën mënyrë duhet të jetë edhe dashuria e mëshirshme e të krishterëve. Si do Ati, ashtu duan edhe bijtë. Si është i mëshirshëm Ai, ashtu jemi të thirrur të jemi edhe ne të mëshirshëm, njëri ndaj tjetrit.

10. Arkitrau që mban jetën e Kishës është mëshira. Krejt veprimi i saj baritor duhet të mbështillet nga butësia me të cilën u drejtohet besimtarëve; asgjë nga kumtimi i saj dhe dëshmia e saj ndaj botës nuk duhet të bëhet pa mëshirë. Besueshmëria e Kishës kalon përmes rrugës së dashurisë së mëshirshme dhe të dhimbshme. Kisha «jeton një dëshirë të pashtershme për të dhuruar mëshirë». Ndoshta për shumë kohë kemi harruar ta tregojmë e ta jetojmë rrugën e mëshirës. Tundimi, nga njëra anë, për të pretenduar gjithmonë e vetëm drejtësinë ka bërë që të harrohet që ky është hapi i parë, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, por Kisha ka nevojë të shkojë përtej për të arritur një cak më të lartë e më domethënës. Nga ana tjetër, është e trishtueshme kur shohim se si përvoja e faljes në kulturën tonë bëhet gjithnjë e më e rrallë. Madje në disa raste edhe vetë fjala duket se po zhduket. Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Për Kishën ka ardhur përsëri koha që të marrë përsipër kumtimin e gëzueshëm të faljes. Është koha e kthimit tek thelbësorja për të marrë përsipër dobësitë dhe vështirësitë e vëllezërve tanë. Falja është një forcë që të ngjall në jetën e re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë.

11. Nuk mund ta harrojmë mësimin e madh që Shën Gjon Pali II na dha me Enciklikën e dytë të tij Dives in misericordia, që në atë kohë erdhi papritur dhe zuri në befasi shumë vetë për temën që trajtonte. Dua të kujtoj dy shprehje në veçanti. Para së gjithash, Ati i shenjtë vuri në dukje harrimin e temës së mëshirës në kulturën e kohës sonë: «Mendësia bashkëkohore, ndoshta më shumë se ajo e njeriut të kohës së kaluar, duket se i kundërvihet Hyjit të mëshirës dhe gjithashtu priret të largojë nga jeta e të shkulë nga zemra njerëzore vetë idenë e mëshirës. Fjala dhe koncepti i mëshirës duken se e shqetësojnë njeriun, i cili, falë zhvillimit tejet të madh të shkencës e të teknikës, kurrë të njohur më përpara në histori, është bërë pronar dhe ka nënshtruar dhe sunduar tokën (krh. Zan 1,28). Një sundim i tillë i tokës, nganjëherë i kuptuar në mënyrë të njëanshme e sipërfaqësore, duket se nuk i lë vend mëshirës ... Dhe për këtë arsye, në situatën e sotme të Kishës dhe të botës, shumë njerëz e shumë mjedise të drejtuara nga një sens i vërtetë feje u drejtohen, do të thoja, gati spontanisht mëshirës së Hyjit».
Gjithashtu, Shën Gjon Pali II kështu e motivonte urgjencën për të kumtuar dhe për të dëshmuar mëshirën në botën bashkëkohore: «Ajo diktohet prej dashurisë për njeriun, kundrejt gjithçkaje që është njerëzore e që, sipas intuitës së një shumice të bashkëkohësve, kërcënohet prej një rreziku tejet të madh. Misteri i Krishtit ... më detyron të shpall mëshirën si dashuri e mëshirshme e Hyjit, zbuluar në vetë misterin e Krishtit. Kjo më detyron që t’i drejtohem kësaj mëshire e ta lus në këtë fazë të vështirë dhe kritike të historisë së Kishës dhe të botës». Një mësim i tillë është më se aktual dhe meriton që të rimerret në këtë Vit të shenjtë. Le t’i pranojmë sërish fjalët e tij: «Kisha jeton një jetë autentike kur dëshmon dhe shpall mëshirën – cilësinë më të mrekullueshme të Krijuesit dhe të Shëlbuesit – dhe kur i afron njerëzit te burimet e mëshirës së Shpëtimtarit, që ajo ruan dhe shpërndan».
12. Kisha ka misionin që ta kumtojë mëshirën e Hyjit, zemra e gjallë e Ungjillit, që përmes saj duhet të arrijë zemrën dhe mendjen e çdo personi. Nusja e Krishtit e bën të vetën sjelljen e Birit të Hyjit që u del të gjithëve përpara pa përjashtuar askënd. Në kohën tonë, kur Kisha është e angazhuar në ungjillëzimin e ri, tema e mëshirës ka nevojë të ripropozohet me entuziazëm të ri dhe me një veprim të ripërtërirë baritor. Është përcaktuese për Kishën dhe besueshmërinë e kumtimit të saj që ajo ta jetojë dhe ta dëshmojë mëshirën në vetën e parë. Gjestet dhe të folurit e saj duhet të përçojnë mëshirë për të hyrë në zemrën e personave dhe t’i nxisë ata të rigjejnë rrugën për t’u rikthyer te Ati.
E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Për këtë dashuri, që arrin deri në faljen dhe dhurimin e vetes, Kisha bëhet shërbëtore dhe ndërmjetësuese pranë njerëzve. Prandaj, aty ku Kisha është e pranishme, aty duhet të jetë e dukshme mëshira e Atit. Në famullitë tona, në bashkësitë, në shoqatat dhe lëvizjet, me një fjalë, kudo që ka të krishterë, çdokush duhet të gjejë një oaz mëshire.

13. Duam ta jetojmë këtë Vit Jubilar në dritën e fjalës së Zotit: Të Mëshirshëm si Ati. Ungjilltari paraqet mësimin e Jezusit që thotë: «Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36). Është një program jete sa angazhuese aq edhe i pasur me gëzim dhe paqe. Urdhri i Jezusit u drejtohet të gjithë atyre që e dëgjojnë zërin e tij (krh. Lk 6,27). Pra, për të qenë të aftë për mëshirë në rend të parë duhet të vihemi në dëgjim të Fjalës së Hyjit. Kjo do të thotë të rikuperohet vlera e heshtjes për të medituar Fjalën që na drejtohet. Në këtë mënyrë është e mundur të soditet mëshira e Hyjit dhe të merret si stil jete.

14. Shtegtimi është një shenjë e veçantë në Vitin e shenjtë, sepse është ikonë e ecjes që çdo person bën në jetën e vet. Jeta është një shtegtim dhe qenia njerëzore është një viator, një shtegtar që përshkon një rrugë deri te qëllimi i dëshiruar. Edhe për të arritur te Dera e Shenjtë në Romë dhe në çdo vend tjetër, çdonjëri duhet të bëjë, sipas forcave të veta, një shtegtim. Ai do të jetë një shenjë e faktit se edhe mëshira është një qëllim për t’u arritur dhe që kërkon angazhim e sakrificë. Pra, shtegtimi qoftë nxitje për kthim: duke kaluar Derën e Shenjtë do ta lëmë veten të përqafohemi nga mëshira e Hyjit dhe do të angazhohemi për të qenë të mëshirshëm me të tjerët, sikurse Ati është më ne.
Zoti Jezus tregon etapat e shtegtimit përmes të cilit është e mundur të arrihet ky qëllim: «Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetull tuaj: sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim» (Lk 6,37-38). Mbi të gjitha thotë të mos gjykoni dhe të mos dënoni. Nëse nuk duam të gjykohemi prej Hyjit, atëherë askush nuk duhet të bëhet gjykatës i vëllait të vet. Në fakt, njerëzit me gjykimin e tyre ndalen në sipërfaqe, kurse Ati shikon në brendësi. Sa keq bëjnë fjalët kur thuhen nga ndjenjat e xhelozisë dhe të smirës! Të flasësh keq për vëllain në mungesë të tij do të thotë të paraqesësh në dritë të keqe, ta përlyesh emrin e tij dhe ta lësh në dorën e thashethemeve. Të mos gjykosh dhe të mos dënosh domethënë, në mënyrë pozitive, të dish të dallosht ë mirën që është te çdo person dhe të mos lejosh që të vuajë prej gjykimit tonë të pjesshëm dhe mendjemadhësisë sonë se dimë gjithçka. Por kjo ende nuk është e mjaftueshëm për të shprehur mëshirën. Jezusi kërkon të falësh edhe të dhurosh. Të jemi mjete të faljes, sepse ne të parët e kemi marrë atë prej Hyjit. Të jemi bujarë me të gjithë, duke e ditur se Hyji e shtrin mirësinë e tij mbi ne me zemërgjerësi të madhe.
Pra, të mëshirshëm si Ati është “moto”-ja e Vitit të shenjtë. Te mëshira kemi provën se si Hyji do. Ai jep krejt veten e vet, përgjithmonë, falas dhe pa kërkuar asgjë në shkëmbim. Na vjen në ndihmë kur e thërrasim. Është bukur që lutja e përditshme e Kishës fillon me këto fjalë: «O Hyj, deh, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh!» (Ps 70,2). Ndihma që kërkojmë është tashmë hapi i parë i mëshirës së Hyjit ndaj nesh. Ai vjen të na shpëtojë nga gjendja e dobësisë në të cilën jetojmë. Dhe ndihma e tij qëndron te fakti që na bën të dallojmë praninë dhe afërsinë e tij. Ditë për ditë, të prekur prej dhembshurisë së tij, edhe ne mund të bëhemi të dhembshur ndaj të gjithëve.

15. Në këtë Vit të shenjtë, mund të bëjmë përvojën për t’ia hapur zemrën të gjithë atyre që jetojnë në periferitë më të largëta ekzistenciale, që shpesh bota moderne krijon në mënyrë dramatike. Sa situata pasigurie dhe vuajtjeje janë të pranishme në botën e sotme! Sa plagë janë lënë në mishin e shumë personave që nuk kanë më zë, sepse klithja e tyre është dobësuar dhe shuar për shkak të indiferencës së popujve të pasur. Në këtë Jubile, edhe më shumë Kisha do të jetë e thirrur të kujdeset për këto plagë, të lehtësojë me vajin e ngushëllimit, të fashojë me mëshirë dhe të shërojë me solidaritetin dhe vëmendjen e nevojshme. Të mos biem në indiferencën që na poshtëron, në zakonshmërinë që na paralizon shpirtin dhe që na pengon të zbulojmë risinë, në cinizmin që shkatërron. I hapfshim sytë tanë për të parë mjerimet e botës, plagët e shumë vëllezërve dhe motrave të cilëve u mohohet dinjiteti, dhe të ndihemi të nxitur për të dëgjuar klithmën e tyre për ndihmë. Duart tona i shtrëngofshin duart e tyre dhe i tërheqshim kah vetja që ta ndiejnë ngrohtësinë e pranisë, miqësisë dhe vëllazërisë sonë. Klithja e tyre u bëftë e jona dhe së bashku mund ta thyejmë pengesën e indiferencës, që shpesh mbretëron për të fshehur hipokrizinë dhe egoizmin.
Me gjithë shpirt dëshiroj që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut mbi veprat e mëshirës trupore dhe shpirtërore. Do të jetë një mënyrë për të rizgjuar ndërgjegjen tonë shpesh të përgjumur përpara dramës së varfërisë dhe për të hyrë gjithmonë e më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfrit janë të privilegjuar nga mëshira hyjnore. Predikimi i Jezusit na i paraqet këto vepra mëshire, që të kuptojmë nëse jetojmë ose jo si nxënësit e tij. I rizbulofshim veprat e mëshirës trupore: t’u japim për të ngrënë të uriturve, t’u japim ujë të eturve, të veshim të zhveshurit, të strehojmëtë pastrehët, të vizitojmë të sëmurët, të vizitojmë të burgosurit, të varrosim të vdekurit. E mos i harrofshim veprat e mëshirës shpirtërore: të këshillojmë ata që dyshojnë, të mësojmë të paditurit, të qortojmë mëkatarët, të ngushëllojmë të pikëlluarit, të falim fyerjet, të durojmë personat e mërzitshëm, t’i lutemi Hyjin për të gjallët e të vdekurit.
Nuk mund t’u shmangemi fjalëve të Zotit dhe në bazë të tyre do të gjykohemi: nëse do t’i kemi dhënë për të ngrënë atij që ka uri dhe për të pirë atij që ka etje; nëse do të kemi strehuar të pastrehët dhe veshur të zhveshurin; nëse kemi pasur kohë për të qëndruar me atë që është i sëmurë dhe i burgosur (krh. Mt 25,31-45). Po ashtu do të na kërkohet nëse kemi ndihmuar për të dalë nga dyshimi që të bën të biesh në frikë dhe që shpesh është burimi i vetmisë; nëse kemi qenë të aftë për të fituar mbi padijen në të cilën jetojnë miliona persona, sidomos fëmijët të cilët nuk e kanë ndihmën e nevojshme për t’u liruar nga varfëria; nëse kemi qenë afër atij që është vetëm dhe i pikëlluar; nëse kemi falur atë që na ka fyer dhe kemi larguar çdo formë mllefi e urrejtjeje që shpie te dhuna; nëse kemi pasur durim sipas shembullit të Hyjit që është shumë i durueshëm me ne; nëse, në fund, ia kemi besuar Zotit në lutje vëllezërit dhe motrat tona. Në çdonjërin prej këtyre “më të vegjëlve” është i pranishëm vetë Krishti. Mishi i tij bëhet rishtazi i dukshëm si trupi torturuar, i plagosur, i fshikulluar, i paushqyer, në arratisje… për t’u njohur, prekur dhe ndihmuar me kujdes nga ne. Le të mos i harrojmë fjalët e Shën Gjonit të Kryqit: «Në fund të jetës, do të gjykohemi mbi dashurinë».

16. Në Ungjillin e Lukës gjejmë një tjetër aspekt të rëndësishëm për ta jetuar me fe Jubileun. Ungjilltari na tregon se Jezusi, një të shtunë, u kthye në Nazaret dhe, siç e kishte zakon të bënte, hyri në Sinagogë. E thirrën të lexojë dhe të komentojë Shkrimin e shenjtë. Pjesa ishte ajo e Isaisë profet ku shkruan: «Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; ta shpall vitin e hirit të Zotit» (Is61,1-2). “Vit hiri”: është kjo që kumtohet prej Zotit dhe që ne dëshirojmë ta jetojmë. Ky Vit i shenjtë sjell me vete pasurinë e misionit të Jezusit që rikumbon në fjalët e Profetit: t’u sjellë një fjalë dhe një gjest ngushëllimi të varfërve, t’u kumtojë lirinë të burgosurve të skllavërive të rejat ë shoqërisë moderne, t’ia rikthejë shikimin atij që nuk sheh, sepse është i mbyllur në vetvete, dhe dinjitetin të gjithë atyre që ua kanë hequr. Predikimi i Jezusit bëhet përsëri i dukshëm në përgjigjet e fesë që dëshmia e të krishterëve është e thirrur të bëjë. Na shoqërofshin fjalët e Apostullit: «kush bën vepra mëshire, le t’i bëjë me gëzim!» (Rom 12,8).

17. Kreshma e këtij Viti Jubilar u jetoftë më  intensivisht si moment i fortë për të kremtuar dhe për të provuar mëshirën e Hyjit. Sa faqe të Shkrimit të shenjtë mund të meditohen në javët e Kreshmës për të rizbuluar fytyrën e mëshirshme të Atit! Me fjalët e Mikesë profete dhe ne mund të përsërisim: Ti, o Zot, je një Hyj që shlyen fajin dhe fal mëkatin, që nuk mban përgjithmonë hidhërimin, por kënaqesh duke përdorur mëshirën. Ti, Zot, do të kthehesh te ne dhe do të kesh mëshirë për popullin tënd. Do ti shkelësh fajet tona dhe t’i flakësh në fund të detit të gjitha mëkatet tona (krh. Mik 7,18-19).
Faqet e Isaisë profet mund të meditohen më konkretisht në këtë kohë lutjeje, agjërimi dhe dashurie: «Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha: t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë? A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin, t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”. Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t’i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s’i mungojnë ujërat» (Is 58,6-11).
Nisma “24 orë për Zotin”, për t’u kremtuar të premten dhe të shtunën që i paraprijnë të Dielës IV të Kreshmës, duhet t’u zhvillohet nëpër Dioqeza. Shumë persona janë duke iu riafruar sakramentit të Pajtimit dhe mes tyre shumë të rinj, që në këtë përvojë shpesh rigjejnë rrugën për t’u rikthyer kah Zoti, për të jetuar një moment lutjeje intensive dhe për të rizbuluar domethënien e jetës. Le të vendosim sërish në qendër me bindje sakramentin e Pajtimit, sepse mundëson të prekim me dorë madhështinë e mëshirës. Për çdo të penduar do të jetë burim i vërtetë paqeje të brendshme.
Nuk do të lodhem kurrë duke ngulur këmbë që rrëfyesit të jenë një shenjë e vërtetë e mëshirës së Atit. Rrëfyestar nuk mund të bëhemi aty për aty. Para së gjithash bëhemi të tillë kur ne të parët pendohemi dhe kërkojmë falje. Të mos harrojmë kurrë se të jemi rrëfyestar do të thotë të marrim pjesë në misionin e Jezusit dhe të jemi shenjë konkrete e vazhdimësisë së një dashurie hyjnore që fal dhe shpëton. Çdonjëri prej nesh ka marrë dhuratën e Shpirtit Shenjt për faljen e mëkateve, për këtë jemi përgjegjës. Askush prej nesh nuk është pronar i Sakramentit, por një shërbëtor besnik i faljes së Hyjit. Çdo rrëfyestar duhet t’i mirëpresë besimtarët si ati në shëmbëlltyrën e birit të humbur dhe të gjetur: një atë që vrapon drejt të birit pa marrë parasysh se ka shkapërderdhur të mirat e tij. Rrëfyestarët janë të thirrur ta shtrëngojnë atë bir të penduar, që rikthehet në shtëpi dhe të shprehin gëzimin e tyre që e kanë rigjetur atë. Nuk do të lodhen duke shkuar edhe drejt birit tjetër, që ka mbetur jashtë dhe është i paaftë për t’u gëzuar, për t’i shpjeguar se gjykimi i tij i ashpër është i padrejtë dhe nuk ka kuptim përpara mëshirës së Atit që nuk ka kufi. Nuk do të bëjnë pyetje të pavendta, por si ati i shëmbëlltyrës do ta lënë në gjysmëfjalimin e përgatitur për djalin e humbur dhe të gjetur, sepse do të dinë të dallojnë në zemrën e çdo të penduari thirrjen për ndihmë dhe kërkesën për falje. Për më tepër, rrëfyestarët janë të thirrur që të jenë gjithmonë, kudo, në çdo situatë dhe pavarësisht të gjithave, shenja e parësisë së mëshirës.

18. Në Kreshmën e këtij Viti të shenjtë kam ndërmend të dërgoj Misionarët e Mëshirës. Do të jenë një shenjë e gatishmërisë amnore të Kishës për Popullin e Hyjit, që të hyjë thellë në pasurinë e këtij misteri kaq themelor për fenë. Do të jenë priftërinj, të cilëve do t’u jap autoritetin që të falin edhe mëkatet që u rezervohen vetëm Selisë Apostolike, me qëllim që të jetë e dukshme gjerësia e mandatit të tyre. Do të jenë, mbi të gjitha, shenjë e gjallë se si Ati i pranon  të gjithë ata që janë në kërkim të faljes së tij. Do të jenë misionarë të mëshirës, sepse do të jenë tek të gjithë ndërtues të një takimi plot njerëzi, burim lirimi, të pasur me përgjegjësi për të tejkaluar pengesat dhe për të rifilluar jetën e re të Pagëzimit. Në misionin e tyre do ta lënë veten të drejtohen nga fjalët e Apostullit: «Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, për të qenë mëshirë për të gjithë» (Rom 11,32). Në fakt, të gjithë, pa përjashtuar askënd, janë të thirrur ta pranojnë ftesën për mëshirë. Misionarët e jetofshin këtë thirrje duke ditur se mund të ngulin shikimin e tyre në Jezusin, «Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik» (Heb 2,17).
U kërkoj vëllezërve Ipeshkvij që t’i ftojnë dhe t’i pranojnë këta Misionarë, me qëllim që të jenë para së gjithash predikues bindës të mëshirës. Të organizohen nëpër Dioqeza “misione për popullin”, në mënyrë që këta Misionarë të jenë kumtues të gëzimit të faljes. T’u kërkohet atyre që ta kremtojnë sakramentin e Pajtimit për popullin, me qëllim që koha e hirit dhuruar në Vitin Jubilar t’u mundësojë shumë bijve që janë larg të rigjejnë rrugën drejt shtëpisë atërore. Barinjtë, veçanërisht gjatë kohës së fortë të Kreshmës, të jenë të zellshëm për të rithirrur besimtarët t’i afrohen «fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir» (Heb 4,16).

19. Fjala e faljes arriftë te të gjithë dhe thirrja për të provuar mëshirën mos e lëntë askënd indiferent. Ftesa ime për kthim ju drejtohet edhe me më shumë këmbëngulje atyre personave që janë larg hirit të Hyjit për shkak të mënyrës së tyre të jetesës. Mendoj në mënyrë të veçantë për burrat dhe gratë që janë pjesë e ndonjë grupi kriminal, cilido qoftë ai. Për të mirën tuaj, ju kërkoj të ndryshoni jetë. Po jua kërkoj në emër të Birit të Hyjit që, edhe duke luftuar mëkatin, nuk ka refuzuar kurrë asnjë mëkatar. Mos bini në kurthin e tmerrshëm sa të arrini të mendoni se jeta varet prej parasë dhe që përpara saj gjithçka tjetër s’ka vlerë dhe dinjitet. Është vetëm një iluzion. Pasurinë nuk do ta marrim me vete në jetën e përtejme. Paraja nuk na e jep lumturinë e vërtetë. Dhuna e ushtruar për të grumbulluar para që pikojnë gjak, nuk na bën të fuqishëm dhe as të pavdekshëm. Për të gjithë, herët a vonë, vjen gjykimi i Hyjit, të cilit askush nuk mund t’i ikë.
E njëjta ftesë arriftë edhe personat që përkrahin ose bashkëpunojnë në korrupsion. Kjo plagë e kalbëzuar e shoqërisë është një mëkat i rëndë që gjëmon drejt qiellit, sepse minon që nga themeli jetën personale dhe shoqërore. Korrupsioni na pengon ta shikojmë të ardhmen me shpresë, sepse me mujshinë dhe lakminë e vet i shkatërron projektet e të dobtëve dhe i shtyp më të varfrit. Është një e keqe që zë vend në gjestet e përditshme për t’u shtrirë pastaj në skandalet publike. Korrupsioni është një ngulmim në mëkat, që synon të zëvendësojë Hyjin me iluzionin e parasë si formë pushteti. Është një vepër e errësirës, e mbështetur prej dyshimit dhe intrigës. Corruptio optimi pessima, thoshte me arsye Shën Gregori i Madh, për të treguar që askush nuk mund të ndihet i përjashtuar prej këtij tundimi. Për ta çrrënjosur prej jetës personale dhe shoqërore janë të nevojshme maturia, vigjilenca, ndershmëria, transparenca, të bashkuara me guximin për të paditur. Nëse nuk luftohet haptazi, herët a vonë ai do të na bëjë bashkëpunëtorë dhe do të na shkatërrojë jetën.
Ky është momenti i përshtatshëm për të ndryshuar jetën! Kjo është koha për t’u prekur në zemër. Para të keqes së bërë, edhe para krimeve të rënda, është momenti për të dëgjuar të qarat e personave të pafajshëm të plaçkitur nga të mirat, dinjiteti, afektet dhe nga vetë jeta. Të qëndrosh në rrugën e të keqes është vetëm burim iluzioni dhe trishtimi. Jeta e vërtetë është krejt tjetër gjë. Hyji nuk lodhet duke na shtrirë dorën. Është gjithmonë i gatshëm për të na dëgjuar, e edhe unë jam, ashtu si vëllezërit e mi ipeshkvij dhe meshtarë. Mjafton vetëm të pranojmë ftesën për kthim dhe t’i nënshtrohemi drejtësisë, ndërsa Kisha dhuron mëshirën.

20. Nuk do të jetë e pavend në këtë kontekst të kujtojmë marrëdhënien mes drejtësisë dhe mëshirës. Nuk janë dy aspekte në kundërshtim mes tyre, por dy përmasa të një realiteti të vetëm që zhvillohet në mënyrë progresive derisa arrin kulmin e vet në plotësinë e dashurisë. Drejtësia është një koncept themelor për shoqërinë civile kur, normalisht, i referohet një rendi juridik nëpërmjet të cilit zbatohet ligji. Me drejtësi kuptohet edhe se gjithkujt duhet t’i jepet ajo që duhet. Në Bibël, shumë herë i bëhet referim drejtësisë hyjnore dhe Hyjit si gjykatës. Aty nënkuptohet zakonisht si zbatim integral i Ligjit dhe sjellja e çdo izraeliti të mirë në përkim me urdhërimet e dhëna prej Hyjit. Ky vizion, prapëseprapë, ka çuar jo rrallëherë në rënien në legalizëm, duke mistifikuar kuptimin fillestar dhe duke errësuar vlerën e thellë që ka drejtësia. Për të tejkaluar perspektivën legaliste, do të duhej të kujtonim se në Shkrimin e shenjtë drejtësia është kuptuar thelbësisht si një lëshim plot besim në vullnesën e Hyjit.
Nga ana e tij, Jezusi shumë herë flet për rëndësinë e fesë, më shumë se sa për zbatimin e ligjit. Në këtë kuptim duhet t’i kuptojmë fjalët e tij kur, duke qenë në tryezë me Mateun dhe tregtarët e mëkatarët e tjerë, u thotë farisenjve që e sprovonin: «Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët”». (Mt 9,13). Para vizionit të një drejtësie si thjeshtë zbatim i ligjit, që gjykon duke i ndarë personat në të drejtë dhe në mëkatarë, Jezusi synon të tregojë dhuratën e madhe të mëshirës, që i kërkon mëkatarët për t’u dhuruar atyre faljen dhe shpëtimin. Kuptohet se përse, për shkak të këtij vizioni të tij kaq lirues dhe burim ripërtëritjeje, Jezusi nuk është pranuar prej farisenjve dhe doktorëve të ligjit. Këta për të qenë besnikë ndaj ligjit vendosnin vetëm pesha mbi shpatullat e personave, por duke e bërë të kotë mëshirën e Atit. Thirrja për ta zbatuar ligjin nuk mund ta pengojë vëmendjen për nevojat që prekin dinjitetin e personit.
Pjesa e Ozesë profet që Jezusi citon - «dua dashurinë e jo flinë» (Oz 6,6) – është shumë domethënëse në lidhje me këtë. Jezusi pohon se tani e në vazhdim rregulla e jetës së nxënësve të vet duhet të jetë ajo që parasheh parësinë e mëshirës, siç e dëshmon edhe Ai vetë, duke ngrënë me mëkatarë. Mëshira, edhe njëherë, na zbulohet si përmasa themelore e misionit të Jezusit. Ajo është një sfidë e vërtetë përballë bashkëbiseduesve të vet, që ndaleshin në respektimin formal të ligjit. Jezusi, përkundrazi, shkon përtej ligjit; bashkëndarja e tij me ata që ligji i mbante si mëkatarë tregon se deri ku arrin mëshira e tij.
Edhe Pali apostull e ka bërë një rrugëtim të tillë. Para se ta takonte Jezusin rrugës për në Damask, ai ishte i përkushtuar për të ndjekur në mënyrë të padiskutueshme drejtësinë e ligjit (krh Fil 3,6). Kthimi kah Krishti bëri që ta përmbyste vizionin e vet, deri në atë pikë sa në Letrën drejtuar Galatasve pohon: «Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit» (Gal 2,16). Kuptimi i tij i drejtësisë ndryshon thelbësisht. Tani Pali vë në vend të parë fenë e jo më ligjin. Nuk është zbatimi i ligjit që shpëton, por feja në Jezu Krishtin, që me vdekjen e ngjalljen e tij sjell shpëtimin me mëshirën që shfajëson. Drejtësia e Hyjit bëhet tani lirimi për ata që janë të shtypur prej skllavërisë së mëkatit dhe prej të gjitha rrjedhojave të tij. Drejtësia e Hyjit është falja e tij (krh Ps 51,11-16).

21. Mëshira nuk është kundër drejtësisë, por shpreh sjelljen e Hyjit ndaj mëkatarit, duke i ofruar një mundësi tjetër për të shikuar veten, për t’u kthyer dhe për të besuar. Përvoja e Ozesë profet na ndihmon për të na treguar tejkalimin e drejtësisë me mëshirë. Epoka e këtij profeti është një ndër më dramatiket e historisë së popullit hebraik. Mbretëria është afër shkatërrimit; populli nuk i qëndroi besnik besëlidhjes, u largua prej Hyjit dhe humbi fenë e Etërve. Sipas një logjike njerëzore, është e drejtë që Hyji të mendojë të refuzojë popullin jobesnik: nuk e mbajti paktin e bërë dhe për këtë arsye meriton dënimin e duhur, domethënë mërgimin. Fjalët e profetit e vërtetojnë: «Të kthehet në dheun e Egjiptit, le t’i jetë Asuri mbret, sepse s’deshën kah unë të kthehen!» (Oz 11,5). E megjithatë, pas këtij reagimi që i referohet drejtësisë, profeti e ndryshon rrënjësisht gjuhën e vet dhe zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit: «Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimbja. S’do ta shfryej zemërimin tim, s’do të kthehem ta shpërndaj Efraimin, sepse Hyj jam unë e jo njeri, Shenjti në mesin tënd, s’do të vij me tmerr» (Oz 11,8-9). Shën Agustini, gati si për të komentuar fjalët e profetit thotë: «Është më e lehtë që Hyji ta mbajë zemërimin e vet, sesa mëshirën». Është vërtet kështu. Zemërimi i Hyjit zgjat një çast, ndërsa mëshira e tij zgjat për amshim.
Nëse Hyji do të ndalej vetëm te drejtësia nuk do të ishte më Hyj, do të ishte si të gjithë njerëzit që kërkojnë respektimin e ligjit. Vetëm drejtësia nuk mjafton dhe përvoja na mëson se nëse i drejtohemi vetëm asaj rrezikojmë ta shkatërrojmë atë. Për këtë arsye Hyji shkon përtej drejtësisë me mëshirë dhe falje. Kjo nuk do të thotë ta zhvlerësojmë drejtësinë apo ta bëjmë si të panevojshme, përkundrazi. Kush gabon duhet të paguajë dënimin. Vetëm se ky nuk është qëllimi, por fillimi i kthimit, që të provohet butësia e faljes. Hyji nuk e refuzon drejtësinë. Ai e përfshin dhe e tejkalon në një ngjarje më të madhe ku provohet dashuria që është në themel të një drejtësie të vërtetë. Duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje fjalëve të Palit, me qëllim që të mos biem në po atë gabim që Apostulli i qortonte bashkëkohësit Judenj: «duke mos e pranuar drejtësinë që vjen prej Hyjit e duke kërkuar të vendosin të vetën, nuk iu bindën drejtësisë së Hyjit. Sepse, ai që i dha fund Ligjit të Moisiut është Krishti  për shenjtërimin e secilit që beson» (Rom 10,3-4). Kjo drejtësi e Hyjit është mëshira që u jepet të gjithëve si hir në fuqi të vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit. Pra, kryqi i Krishtit është gjykimi i Hyjit mbi të gjithë ne dhe mbi botën, sepse na jep sigurinë e dashurisë dhe të jetës së re.
22. Jubileu sjell me vete edhe referimin ndaj ndjesës. Në Vitin e shenjtë të Mëshirës ajo merr një rëndësi të veçantë. Falja e Hyjit për mëkatet tona nuk njeh kufi. Në vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit, Hyji e bën të dukshme këtë dashuri të tijën sa arrin të shkatërrojë mëkatin e njerëzve. Është e mundur të pajtohemi me Hyjin nëpërmjet misterit pashkor dhe ndërmjetësimit të Kishës. Pra, Hyji është gjithmonë i gatshëm për falje e nuk lodhet kurrë duke na e dhënë atë në mënyrë gjithmonë të re dhe të papritur. Megjithatë, ne të gjithë, bëjmë përvojën e mëkatit. E dimë se jemi të ftuar për të qenë të përkryer (krh. Mt 5,48), por e ndiejmë shumë peshën e mëkatit. Ndërsa e perceptojmë fuqinë e hirit që na shndërron, e provojmë edhe forcën e mëkatit që na kushtëzon. Pavarësisht faljes, në jetën tonë mbartim kontradiktat që janë pasojë e mëkateve tona. Në sakramentin e Pajtimit Hyji i fal mëkatet, që me të vërtetë janë shlyer; e megjithatë, gjurma negative që mëkatet tona kanë lënë në sjelljet tona dhe në mendimet tona mbetet. Por mëshira e Hyjit është më e fortë edhe se kjo. Ajo bëhet ndjesë e Atit, që nëpërmjet Nuses së Krishtit e arrin mëkatarin e falur dhe e liron prej çdo mbetjeje të pasojës së mëkatit, duke e aftësuar të veprojë me dashuri, që të rritet në dashuri më tepër sesa të bjerë sërish në mëkat.
Kisha e jeton bashkësinë e Shenjtërve. Në Eukaristi ky bashkim, që është dhuratë e Hyjit, jetohet si bashkim shpirtëror që na lidh ne besimtarët me Shenjtërit dhe të Lumët, numri i të cilëve është i pafund (krh. Zb 7,4). Shenjtëria e tyre i vjen në ndihmë brishtësisë sonë, e kështu Kisha Nënë është e aftë me lutjen dhe jetën e vet t’i vijë në ndihmë dobësisë së disave me shenjtërinë e të tjerëve. Pra, të jetosh ndjesën në Vitin e shenjtë do të thotë t’i afrohesh mëshirës së Atit me sigurinë se falja e tij i shtrihet krejt jetës së besimtarit. Ndjesë do të thotë të provosh shenjtërinë e Kishës që merr pjesë në të gjitha përfitimet e shëlbimit të Krishtit, me qëllim që falja të shtrihet deri në pasojat më ekstreme ku arrin dashuria e Hyjit. E jetofshim intensivisht Jubileun duke i kërkuar Atit faljen e mëkateve dhe shtrirjen e ndjesës së tij të mëshirshme.

23. Mëshira ka një vlerë që shkon përtej kufijve të Kishës. Ajo na bashkon me Hebraizmin dhe me Islamin, që e mbajnë si një ndër atributet më cilësore të Hyjit. Izraeli i pari e pranoi këtë zbulim, që mbetet në histori si fillimi i një pasurie të pakrahasueshme për t’ia dhuruar mbarë njerëzimit. Siç kemi parë, faqet e Besëlidhjes së Vjetër janë plot me mëshirë, sepse tregojnë veprat që Zoti ka bërë për të mirën e popullit të vet në momentet më të vështira të historisë së tij. Islami, nga ana tjetër, ndër emrat që i atribuon Krijuesit vë ato si Mëshirues e Mëshirëbërës. Kjo lutje shpesh është në buzët e besimtarëve myslimanë, që ndihen të shoqëruar dhe të mbështetur prej mëshirës në dobësinë e tyre të përditshme. Edhe ata besojnë se askush nuk mund ta kufizojë mëshirën hyjnore, sepse dyert e tij janë gjithmonë të hapura.
Ky Vit Jubilar i jetuar në mëshirë favorizoftë takimin me këto religjione e me traditat e tjera fisnike religjioze; na bëftë më të hapur ndaj dialogut për të njohur dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin; eliminoftë çdo lloj mbylljeje e përçmimi dhe përjashtoftë çdo lloj dhune e diskriminimi.

24. Tani mendimi shkon te Nëna e Mëshirës. Ëmbëlsia e shikimit të saj na shoqëroftë këtë Vit të shenjtë, me qëllim që të gjithë të rizbulojmë gëzimin e butësisë së Hyjit. Askush si Maria nuk e ka njohur thellësinë e misterit të Hyjit bërë njeri. Gjithçka në jetën e saj është ngjizur prej pranisësë mëshirës bërë mish. Nëna e të Kryqëzuarit të Ngjallur ka hyrë në shenjtëroren e mëshirës hyjnore, sepse ka marrë pjesë ngushtësisht në misterin e dashurisë së tij.
E zgjedhur për të qenë Nëna e Birit të Hyjit, Maria prej amshimit është përgatitur prej dashurisë së Atit për të qenë Arkë e Besëlidhjes mes Hyjit dhe njerëzve. Ka ruajtur në zemrën e vet mëshirën hyjnore në harmoni të plotë me Birin e saj Jezus. Kënga e saj e lavdit, në pragun e shtëpisë së Elizabetës, i qe kushtuar mëshirës që shtrihet «brezni më brezni» (Lk 1,50). Edhe ne ishim të pranishëm në ato fjalë profetike të Virgjërës Mari. Kjo do të jetë ngushëllim dhe mbështetje, ndërsa do të kalojmë Derën e shenjtë për të provuar frytet e mëshirës hyjnore.
Pranë kryqit, Maria së bashku me Gjonin, nxënësin e dashurisë, është dëshmitare e fjalëve të faljes që dalin prej gojës së Jezusit. Falja më e madhe dhënë atyre që e kanë kryqëzuar na tregon se deri ku mund të arrijë mëshira e Hyjit. Maria vërteton që mëshira e Birit të Hyjit nuk njeh kufij dhe i mbërrin të gjithë pa përjashtuar askënd. Le t’ia drejtojmë asaj lutjen e vjetër dhe gjithmonë të reTë Falemi Mbretëresha, me qëllim që të mos lodhet kurrë të sjellë drejt nesh sytë e saj të mëshirshëm dhe të na bëjë të denjë të sodisim fytyrën e mëshirës, Birin e saj Jezusin.
Lutja jonë iu shtriftë edhe Shenjtërve dhe të Lumëve të shumtë, që e kanë bërë mëshirën misionin e tyre të jetës. Në veçanti, mendimi i drejtohet apostulles së madhe të mëshirës, Shenjtes Faustina Kowalska. Ajo, që qe thirrur për të hyrë në thellësitë e mëshirës hyjnore, ndërmjetësoftë për ne dhe na bëftë të jetojmë dhe të ecim gjithmonë në faljen e Hyjit dhe besimin e patundur në dashurinë e tij.

25. Pra, një Vit i jashtëzakonshëm i shenjtë për të jetuar në jetën e çdo dite mëshirën që prej amshimit Ati tregon ndaj nesh. Në këtë Jubile le ta lëmë veten të befasohemi prej Hyjit. Ai kurrë nuk lodhet duke na hapur derën e zemrës së tij për të përsëritur që na do dhe dëshiron ta bashkëndajë me ne jetën e vet. Kisha e ndien shumë fort urgjencën për të kumtuar mëshirën e Hyjit. Jeta e saj është autentike dhe e besueshme kur e bën mëshirën kumtimin e saj të bindur. Ajo e di se detyra e saj e parë, sidomos në një moment si ky i yni plot me shpresa të mëdha dhe kundërshtime të forta, është ai qët’i fusë të gjithë në misterin e madh të mëshirës së Hyjit, duke soditur fytyrën e Krishtit. Kisha është thirrur që të jetë dëshmitarja e parë e vërtetë e mëshirës duke e shpallur dhe duke e jetuar si qendër të Zbulimit të Jezu Krishtit. Prej zemrës së Trinisë, prej thellësisë më të thellë të misterit të Hyjit, gufoftë dhe rrjedhtë pa pushim lumi i madh i mëshirës. Ky burim kurrë nuk mund të soset, për të gjithë ata që i afrohen. Çdo herë që çdokush do të ketë nevojë, mund ta ketë atë, sepse mëshira e Hyjit është e pakufi. Sa më e papërshkueshme është thellësia e misterit që përmban, aq më e pashtershme është pasuria që vjen prej saj.
Në këtë Vit Jubilar Kisha u bëftë jehonë e Fjalës së Hyjit, që ushton fuqishëm dhe bindshëm si një fjalë dhe një gjest i faljes, i mbështetjes, i ndihmës, i dashurisë. Mos u lodhtë kurrë së dhuruari mëshirë dhe qoftë gjithmonë e durueshme në ngushëllim dhe falje. Kisha u bëftë zëri i çdo burri dhe gruaje dhe përsërittë me besim dhe pa pushim: «Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot, dhe dashuria jote që është e amshueshme» (Ps 25,6).

Dhënë në Romë, në Shën Pjetër, më 11 prill, me rastin e Vigjiljes së të Dielës II të Pashkës ose të Mëshirës Hyjnore, në Vitin e Zotit 2015, i treti i pontifikatit.


Franciscus

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË PËR DITËN BOTËRORE TË PAQES 2016

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË
PËR DITËN BOTËRORE TË PAQES 2016


FITO MBI INDIFERENCËN DHE ARRIJE PAQEN



1. Hyji nuk është indiferent! Njerëzimi është i rëndësishëm për Hyjin, Hyji nuk e braktis atë! Në fillim të Vitit të Ri, do të doja t’i shoqëroja me këtë bindjen time të thellë urimet për bekime dhe paqe të bollshme, në shenjën e shpresës, për të ardhmen e çdo burri dhe të çdo gruaje, të çdo familjeje, populli dhe kombi në botë, si edhe të Krerëve të Shteteve e të Qeverive dhe të Përgjegjësve të besimeve fetare. Në fakt, nuk e humbim shpresën që viti 2016 të na shohë të gjithëve me ngulm dhe besim të angazhuar në nivele të ndryshme për të zbatuar drejtësinë dhe për të punuar për paqen. Po, kjo e fundit është dhuratë e Hyjit dhe vepër e njerëzve. Paqja është dhuratë e Hyjit, por u është besuar të gjithë burrave dhe grave, që janë thirrur ta realizojnë atë.

Të ruash arsyet e shpresës
2. Luftrat dhe veprimet terroriste, me pasojat e tyre tragjike, sekuestrimi i personave, përndjekjet për motive etnike apo fetare, shpërdorimi i detyrës, kanë shënuar qysh prej fillimit deri në fund vitin e kaluar duke u shumëzuar dhimbshëm në shumë vende të botës, aq sa kanë marrë tiparet e asaj që mund të quhet “lufta e tretë botërore vende-vende”. Por disa ngjarje të viteve të kaluara dhe të vitit që sapo kaluam më ftojnë, në perspektivën e vitit të ri, të ripërtërij nxitjen që të mos e humb shpresën në aftësinë e njeriut, me hirin e Hyjit, që ta tejkalojë të keqen dhe që të mos bjerë në nënshtrim e në indiferencë. Ngjarjeve të cilave u referohem paraqesin aftësinë e njerëzimit për të punuar në solidaritet, përtej interesave individualistike, apatisë dhe indiferencës ndaj situatave kritike.
Mes këtyre do të doja të kujtoja përpjekjen e bërë për të favorizuar takimin e lidërve botërorë, në rrethin e COP-it 21, me qëllim që të kërkonin rrugë të reja për të trajtuar ndryshimet klimaterike dhe për të ruajtur Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët. Dhe për këtë po kujtoj dy ngjarje të mëparshme në nivel global: Samiti i Adis Abebës për të mbledhur fonde për zhvillimin që ia vlen të mbrohet të botës; dhe zgjedhja, nga ana e Kombeve të Bashkuara, e kalendarit 2030 për Zhvillimin që ia vlen të mbrohet, me qëllim sigurimin e një ekzistence më të denjë për të gjithë, sidomos të popullatave të varfra të planetit, brenda këtij viti.
Viti 2015 ka qenë një vit i veçantë për Kishën, edhe sepse ka shënuar 50-vjetorin e botimit të dy dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit, që shprehin në mënyrë shumë të qartë ndjenjën e solidaritetit të Kishës me botën. Papa Gjoni XXIII, në fillim të Koncilit, deshi t’i hapte krejt dritaret e Kishës me qëllim që mes saj dhe botës të kishte një komunikim më të hapur. Dy dokumentet, Nostra ætate e Gaudium et spes, janë shprehje emblematike të marrëdhënies së re të dialogut, të solidaritetit dhe të shoqërimit që Kisha donte të fuste brenda njerëzimit. Në Deklaratën Nostra ætate Kisha është thirrur t’i hapet dialogut me besimet fetare jo të krishtera. Me Kushtetutën baritore Gaudium et spes, prej momentit që «gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e njerëzve të sotëm, sidomos të të varfërve dhe të të gjithë atyre që vuajnë, janë edhe gëzimet dhe shpresat, trishtimet dhe ankthet e nxënësve të Krishtit», Kisha dëshironte vendosjen e një dialogu me familjen njerëzore rreth problemeve të botës, si shenjë solidariteti dhe afekti të respektshëm.
Po në këtë perspektivë, me Jubileun e Mëshirës dua ta ftoj Kishën që të lutet dhe të punojë, me qëllim që çdo i krishterë të ketë një zemër të butë dhe të përvuajtë, të aftë të kumtojë dhe të dëshmojë mëshirën, «të falë dhe të dhurojë», t’u hapet «të gjithë atyre që jetojnë në periferitë më të largëta ekzistenciale, që shpesh bota moderne krijon në mënyrë dramatike», pa rënë «në indiferencën që na poshtëron, në zakonshmërinë që na paralizon shpirtin dhe që na pengon të zbulojmë risinë, në cinizmin që shkatërron»..

Ka shumë arsye për të besuar në aftësinë e njerëzimit për të vepruar së bashku në solidaritet, në njohjen e ndërlidhjes dhe të ndërvarësisë së tyre, duke pasur për zemër pjesëtarët më të brishtë dhe ruajtjen e të mirës së përbashkët. Ky qëndrim bashkëpërgjegjësie solidare është në rrënjë të thirrjes themelore për vëllazëri dhe jetë të përbashkët. Dinjiteti dhe marrëdhëniet ndërpersonale na bëjnë qenie njerëzore, të dashur prej Hyjit në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të tij. Si krijesa të pajisura me dinjitet të patjetërsueshëm ne ekzistojmë në marrëdhënie me vëllezërit dhe motrat tona, ndaj të cilëve kemi një përgjegjësi dhe me të cilët veprojmë në solidaritet. Jashtë kësaj marrëdhënieje, do të ishim më pak njerëzorë. Është pikërisht për këtë që indiferenca përbën një kërcënim për familjen njerëzore. Ndërsa vihemi në ecje drejt një viti të ri, do të doja t’i ftoja të gjithë që ta njohin këtë fakt, për të fituar mbi indiferencën dhe për të arritur paqen.

Disa forma indiference
3. E sigurt është që qëndrimi i indiferentit, i atij që mbyll zemrën për të mos marrë parasysh të tjerët, i atij që mbyll sytë për të mos parë atë që e rrethon apo që largohet për të mos e lënë veten të preket prej problemeve të të tjerëve, karakterizon një tipologji njerëzore mjaft të përhapur dhe të pranishme në çdo epokë të historisë. Megjithatë, në ditët tona ajo e ka tejkaluar shumë cakun individual për të marrë një përmasë globale dhe për të krijuar fenomenin e “globalizimit të indiferencës”.
Forma e parë e indiferencës në shoqërinë njerëzore është ajo ndaj Hyjit, prej të cilës buron edhe indiferenca ndaj të afërmit dhe ndaj krijimit. Kjo është njëra prej efekteve të rënda të një humanizmi të rremë dhe të materializmit praktik, të gërshetuar me një mendim relativistik dhe nikilistik. Njeriu mendon se është autori i vetes së vet, i jetës së vet dhe i shoqërisë; ai ndihet i vetëmjaftueshëm dhe synon jo vetëm ta zëvendësojë Hyjin, por edhe të bëjë krejt pa të; si rrjedhojë, mendon se nuk i detyrohet për asgjë askujt, me përjashtim të vetes së vet, dhe pretendon të ketë vetëm të drejta. Kundër këtij vetëkuptimi të gabuar të personit, Benedikti XVI kujton se as njeriu dhe as zhvillimi i tij nuk janë të aftë t’i japin vetes domethënien e tyre të fundit; dhe përpara tij Pali VI kishte pohuar se «nuk ka një humanizëm të vërtetë nëse nuk është i hapur ndaj Absolutit, në pranimin e një thirrjeje, që jep idenë e vërtetë të jetës njerëzore». Indiferenca ndaj të afërmit merr fytyra të ndryshme. Ka prej atyre që janë të mirëinformuar, dëgjojnë radion, lexojnë gazetat apo marrin pjesë në programe televizive, por e bëjnë në mënyrë të vakët, gati si një zakon: këta persona i njohin krejt pak dramat që brengosin njerëzimin, por nuk ndihen të përfshirë, nuk ndiejnë dhembshuri. Ky është qëndrimi i atij që di, por e mban shikimin, mendimin dhe veprimin të drejtuar kah vetja e vet. Për fat të keq duhet të konstatojmë se shtimi i informacionit, tipik i kohës sonë, nuk do të thotë në vetvete shtim i vëmendjes ndaj problemeve, nëse nuk shoqërohet prej një hapjeje të ndërgjegjes në kuptimin solidar. Madje, ai mund të sjellë njëfarë ngopjeje që anestetizon dhe, në njëfarë mase, relativizon rëndesën e problemeve. «Disa thjeshtë mjaftohen duke fajësuar të varfrit dhe vendet e varfra për të këqijat e tyre, me përgjithësime të padrejta, dhe duke pretenduar që ta gjejnë zgjidhjen në një “edukim” që t’i qetësojë dhe t’i shndërrojë ata në qenie të zbutura dhe të padëmshme. Kjo bëhet edhe më acaruese nëse të përjashtuarit shohin se ky kancer shoqëror po rritet, që është korrupsioni i rrënjosur thellë në shumë Vende – në qeveri, në sipërmarrje dhe në institucione – cilado qoftë ideologjia politike e qeveritarëve». Në raste të tjera, indiferenca shfaqet si mungesë vëmendjeje ndaj realitetit rrethues, sidomos atij që është më larg. Disa persona parapëlqejnë të mos kërkojnë, të mos informohen dhe e jetojnë mirëqenien e rehatinë e tyre të shurdhët ndaj britmës së dhimbjes që lëshon njerëzimi që vuan. Gati pa e kuptuar, jemi bërë të paaftë të provojmë dhembshuri për të tjerët, për dramat e tyre, nuk na intereson të kujdesemi për ta sikur ajo që u ndodh atyre është një përgjegjësi që nuk na përket neve. «Kur ne jemi mirë dhe ndihemi rehat, me siguri i harrojmë të tjerët (gjë që Hyji Atë nuk e bën), nuk interesohemi për problemet e tyre, për vuajtjet e tyre dhe për padrejtësitë që pësojnë... Atëherë zemra jonë bie në indiferencë: ndërsa unë jam relativisht mirë dhe rehat, i harroj ata që nuk janë mirë».
Duke jetuar në një shtëpi të përbashkët, nuk mund të mos e pyesim veten për shëndetin e saj, siç jam përpjekur të bëj në Letrën enciklike “Laudato sì”. Ndotja e ujërave dhe e ajrit, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, shkatërrimi i mjedisit, shpesh janë fryt i indiferencës së njeriut ndaj të tjerëve, sepse gjithçka është e lidhur. Ashtu si edhe sjellja e njeriut me kafshët ndikon në marrëdhëniet e tij me të tjerët, për të mos folur për atë që ia lejon vetes të bëjë tjetërkund atë që nuk guxon të bëjë në shtëpitë e vet.
Në këto dhe në raste të tjera, indiferenca shkakton sidomos mbyllje e mosangazhim, dhe kështu ndihmon që të mos ketë paqe me Hyjin, me të afërmin dhe me krijimin.

Paqja e kërcënuar prej indiferencës së globalizuar
4. Indiferenca ndaj Hyjit tejkalon sferën intime dhe shpirtërore të çdo personi dhe vesh sferën publike e sociale. Siç pohonte Benedikti XVI, «ekziston një ndërlidhje intime mes lavdërimit të Hyjit dhe paqes së njerëzve në tokë». Në fakt, «pa një hapje transhendente, njeriu bie lehtësisht në relativizëm dhe pastaj e ka të vështirë të veprojë sipas drejtësisë dhe të angazhohet për paqen». Harrimi dhe mohimi i Hyjit, që e çojnë njeriun të mos njohë asnjë normë përtej vetes së vet dhe të marrë si normë vetëm veten e vet, kanë krijuar mizori dhe dhunë të pamasë.
Në nivel individual dhe bashkësior indiferenca ndaj të afërmit, bijë e asaj ndaj Hyjit, merr aspektin e inercisë dhe të çangazhimit, që ushqejnë vazhdimin e situatave të padrejtësisë dhe të një çekuilibri të rëndë shoqëror, të cilat, nga ana e tyre, mund të çojnë në konflikte apo, në çdo rast, mund të krijojnë një klimë pakënaqësie që rrezikon të degjenerojë, herët apo vonë, në dhunë dhe pasiguri.
Në këtë kuptim indiferenca, dhe çangazhimi që pason, përbëjnë një mungesë të rëndë ndaj detyrës që çdo person ka për të kontribuar, në masën e aftësive të veta dhe të rolit që ka në shoqëri, për të mirën e përbashkët, në veçanti për paqen, që është njëra prej të mirave më të çmuara të njerëzimit.
Kur pastaj vesh nivelin institucional, indiferenca ndaj tjetrit, ndaj dinjitetit të tij, ndaj të drejtave themelore dhe lirisë së tij, e bashkuar me një kulturë që është e shënuar prej përfitimit dhe hedonizmit, favorizon dhe ndonjëherë justifikon veprime dhe politika që janë kërcënim për paqen. Ky qëndrim indiference mund të arrijë edhe të justifikojë disa politika ekonomike të dënueshme, foriere me padrejtësi, ndarje dhe dhunë, në parapamje të arritjes së mirëqenies së vet apo atë të vendit të vet. Jo rrallëherë, në fakt, projektet ekonomike dhe politike të njerëzve kanë si qëllim arritjen apo mbajtjen e pushtetit dhe të pasurive, edhe nëse kjo kërkon shkeljen e të drejtave dhe të nevojave themelore të të tjerëve. Kur popullatat shohin se po ua mohojnë të drejtat themelore, si ushqimin, ujin, ndihmën mjekësore apo punën, ata janë të tunduara që t’i marrin me forcë.
Po ashtu, indiferenca ndaj mjedisit natyror, duke favorizuar shpyllëzimin, ndotjen dhe katastrofat natyrore që çrrënjosin bashkësi të tëra prej mjedisit të tyre jetësor, duke i detyruar të jetojnë në kushte të paqëndrueshme dhe të pasigurta, krijon varfëri të reja, situata të reja padrejtësie prej rrjedhojave shpesh nefate në terma sigurie dhe paqeje shoqërore. Sa luftra janë bërë dhe sa do të bëhen për shkak të mungesës së burimeve apo për t’iu përgjigjur kërkesës së pangopur për burime natyrore?

Prej indiferencës te mëshira: kthimi i zemrës
5. Kur, një vit më parë, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes: “Jo më skllevër, por vëllezër”, rikujtoja ikonën e parë biblike të vëllazërisë njerëzore, atë të Kainit dhe të Abelit (krh. Zan 4,1-16), ishte për të tërhequr vëmendjen se si është tradhtuar kjo vëllazëri e parë. Kaini dhe Abeli janë vëllezër. Vijnë të dy prej të njëjtit kraharor, janë të njëjtë në dinjitet dhe të krijuar në shëmbëlltyrë dhe përngjasim të Hyjit; por vëllazëria e tyre si krijesa prishet. «Kaini jo vetëm nuk e duron vëllanë e vet Abelin, por e vret prej zilisë».Vëllavrasja atëherë bëhet forma e tradhtisë dhe mospranimi nga ana e Kainit e vëllazërisë me Abelin është prishja e parë në marrëdhëniet familjare të vëllazërisë, të solidaritetit dhe të respektimit të ndërsjellë.
Atëherë, Hyji ndërhyn për ta thirrur njeriun në përgjegjësi ndaj të afërmit të vet, pikërisht siç bëri kur Adami dhe Eva, prindërit e parë, prishën bashkësinë me Krijuesin.
«Atëherë Zoti e pyeti Kainin: “Ku është vëllai yt, Abeli?”. Ky i përgjigji: “Nuk di. Pse a mos jam unë rojtari i tim vëllai?”. Zoti i tha: “Po çka bëre!? Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut!”» (Zan 4,9-10).
Kaini thotë se nuk e di se çfarë i ndodhi të vëllait, thotë se nuk është rojtari i tij. Nuk ndihet përgjegjës për jetën e tij, për fatin e tij. Nuk ndihet i përfshirë. Është indiferent ndaj vëllait të vet, megjithëse ata janë të lidhur prej zanafillës së përbashkët. Çfarë trishtimi! Çfarë drame vëllazërore, familjare, njerëzore! Kjo është shfaqja e parë e indiferencës mes vëllezërve. Kurse Hyji nuk është indiferent: gjaku i Abelit ka vlerë të madhe në sytë e tij dhe i kërkon Kainit të japë llogari. Pra, Hyji zbulohet, qysh prej fillimit të njerëzimit, si Ai që interesohet për fatin e njeriut. Kur më vonë bijtë e Izraelit gjenden në skllavëri në Egjipt, Hyji ndërhyn sërish. I thotë Moisiut: «E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë» (Dal 3,7-8). Është e rëndësishme të vihen re foljet që përshkruajnë ndërhyrjen e Hyjit: Ai sheh, dëgjon, njeh, zbret, liron. Hyji nuk është indiferent. Është i vëmendshëm dhe vepron.
Në të njëjtën mënyrë, në Birin e tij Jezus, Hyji ka zbritur mes njerëzve, është mishëruar dhe është treguar solidar me njerëzimin, në çdo gjë, me përjashtim të mëkatit. Jezusi identifikohej me njerëzimin: «vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve» (Rom 8,29). Ai nuk mjaftohej vetëm duke mësuar turmat, por shqetësohej për ta, sidomos kur i shihte të uritura (krh. Mk 6,34-44) apo të papuna (krh. Mt 20,3). Shikimi i tij nuk u drejtohej vetëm njerëzve, por edhe peshqve të detit, zogjve të qiellit, bimëve dhe pemëve, të vegjëlve dhe të mëdhenjve; përqafonte gjithë krijimin. Ai sheh, sigurisht, por nuk kufizohet me kaq, sepse prek personat, flet me ta, vepron në dobi të tyre dhe i bën mirë atij që ka nevojë. Jo vetëm, por e lë veten të mallëngjehet dhe të qajë (krh. Gjn 11,33-44). Dhe vepron për t’i dhënë fund vuajtjes, trishtimit, mjerimit dhe vdekjes.
Jezusi na mëson të jemi të mëshirshëm si Ati (krh. Lk 6,36). Në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë (krh. Lk 10,29-37) denoncon mosdhënien e ndihmës përpara nevojës urgjente të të ngjashmëve të vet: «E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën» (krh. Lk 10,31.32). Në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij shembulli, Ai i fton dëgjuesit e vet, dhe në veçanti nxënësit e vet, të mësojnë të ndalen përpara vuajtjes së kësaj bote për ta lehtësuar atë, përpara plagëve të të tjerëve për t’i mjekuar ato, me mjetet që kanë, duke u nisur nga koha e tyre, me gjithë punët e shumta të mund të kenë. Në fakt, indiferenca, shpesh kërkon pretekste: në zbatimin e normave rituale, në numrin e gjërave që duhen bërë, në antagonizmat që na mbajnë larg njëri-tjetrit, në paragjykimet e çdo lloji që na pengojnë të bëhemi të afërm.
Mëshira është zemra e Hyjit. Për këtë arsye duhet të jetë edhe zemra e të gjithë atyre që e njohin veten si pjesëtarë të një familjeje të madhe të vetme të bijve të tij; një zemër që rreh fort kudo ku dinjiteti njerëzor – pasqyrë e fytyrës së Hyjit në krijesat e veta – është në lojë. Jezusi na paralajmëron: dashuria për të tjerët – të huaj, të sëmurë, të burgosur, të pastrehë, madje edhe armiq – është e vetmja masë e Hyjit për të gjykuar veprimet tona. Prej kësaj varet fati ynë i amshuar. Nuk kemi pse të habitemi që Pali apostull i fton të krishterët e Romës të gëzohen me ata që gëzohen dhe të qajnë me ata që qajnë (krh. Rom 12,15), apo që i porosit ata të Korintit të mbledhin ndihma në shenjë solidariteti me ata pjesëtarë të Kishës që vuajnë (krh. 1Kor 16,2-3). Dhe Shën Gjon shkruan: «Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllanë e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të?» (1Gjn 3,17; krh. Jak 2,15-16).
Ja pse «është përcaktuese për Kishën dhe besueshmërinë e kumtimit të saj që ajo ta jetojë dhe ta dëshmojë mëshirën në vetën e parë. Gjestet dhe të folurit e saj duhet të përçojnë mëshirë për të hyrë në zemrën e personave dhe t’i nxisë ata të rigjejnë rrugën për t’u rikthyer te Ati. E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Për këtë dashuri, që arrin deri në faljen dhe dhurimin e vetes, Kisha bëhet shërbëtore dhe ndërmjetësuese pranë njerëzve. Prandaj, aty ku Kisha është e pranishme, aty duhet të jetë e dukshme mëshira e Atit. Në famullitë tona, në bashkësitë, në shoqatat dhe lëvizjet, me një fjalë, kudo që ka të krishterë, çdokush duhet të gjejë një oaz mëshire».
Kështu, edhe ne jemi të thirrur ta bëjmë dashurinë, dhembshurinë, mëshirën dhe solidaritetin një program të vërtetë jete, një stil sjelljeje në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Kjo kërkon kthimin e zemrës: domethënë që hiri i Hyjit ta shndërrojë zemrën tonë prej guri në një zemër prej mishi (krh. Ez 36,26), të aftë për t’iu hapur të tjerëve me solidaritet autentik. Kjo, në fakt, është më shumë se një «ndjenjë e vakët dhembshurie apo mallëngjimi sipërfaqësor për të këqijat e shumë personave, afër apo larg». Solidariteti «është vendosmëria e qëndrueshme dhe ngulmuese për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët: apo për të mirën e të gjithëve dhe të secilit, sepse të gjithë jemi me të vërtetë përgjegjës për të gjithë», sepse dhembshuria buron prej vëllazërisë.
E kuptuar në këtë mënyrë, solidariteti përbën qëndrimin moral dhe shoqëror që më mirë i përgjigjet vetëdijësimit për plagët e kohës sonë dhe të ndër-varësisë së pamohueshme që gjithnjë e më shumë ekziston, sidomos në një botë të globalizuar, mes jetës së individit dhe bashkësisë së tij në një vend të caktuar dhe asaj të burrave e grave në vende të tjera të botës.

Të nxitësh një kulturë solidariteti dhe mëshire për të fituar mbi indiferencën
6. Solidariteti si virtyt moral dhe qëndrim social, fryt i kthimit personal, kërkon një angazhim prej anës së shumë subjekteve, që kanë përgjegjësi të karakterit edukativ dhe formativ.
Mendimi im i parë shkon te familjet, të thirrura për një mision parësor edukativ dhe prej të cilit nuk mund të heqin dorë. Ato përbëjnë vendin e parë ku jetohen dhe përçohen vlerat e dashurisë dhe të vëllazërisë, të bashkëjetesës dhe të bashkëndarjes, të vëmendjes dhe të përkujdesjes ndaj tjetrit. Ato janë edhe vende të privilegjuara për përçimin e fesë, duke filluar prej atyre gjesteve të para të thjeshta të devocionit që nënat u mësojnë fëmijëve të tyre.
Për sa u përket edukatorëve dhe formatorëve që, në shkollë apo në qendra të ndryshme ku mblidhen fëmijët dhe të rinjtë, kanë detyrën angazhuese për të edukuar fëmijët dhe të rinjtë, janë të thirrur që të jenë të vetëdijshëm që përgjegjësia e tyre ka të bëjë me përmasat morale, shpirtërore dhe shoqërore të personit. Vlerat e lirisë, të respektit të ndërsjellë dhe të solidaritetit mund të përçohen qysh në moshë të njomë. Duke iu drejtuar përgjegjësve të institucioneve që kanë detyra edukative, Benedikti XVI pohonte: «çdo mjedis edukativ të jetë një vend i hapur ndaj transhendentes dhe të tjerëve; vend dialogu, kohezioni dhe dëgjimi, në të cilin i riu duhet të ndihet i vlerësuar në potencialitetet e veta dhe në pasuritë e brendshme, si dhe duhet të mësojë t’i vlerësojë vëllezërit. Duhet të mësojë ta shijojë gëzimin që buron prej të jetuarit ditë pas dite dashurinë dhe dhembshurinë ndaj të afërmit dhe prej marrjes pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore dhe më vëllazërore».
Edhe operatorët kulturorë dhe të mjeteve të komunikimit shoqëror kanë përgjegjësi në fushën e edukimit dhe të formimit, sidomos në shoqëritë bashkëkohore, ku mundësia për të përdorur mjetet e informimit dhe të komunikimit është gjithnjë e më e përhapur. Është detyrë e tyre para së gjithash të vihen në shërbim të së vërtetës dhe jo të interesave individuale. Mjetet e komunikimit, në fakt, «jo vetëm informojnë, por edhe formojnë shpirtin e spektatorëve dhe për këtë arsye mund të japin një ndihmë me vlerë në edukimin e të rinjve. Është e rëndësishme të kihet parasysh që lidhja mes edukimit dhe komunikimit është shumë e ngushtë: edukimi ndodh në fakt përmes komunikimit, që ndikon, pozitivisht apo negativisht, në formimin e personit». Operatorët kulturorë dhe të medias do të duhej edhe të vigjëlonin me qëllim që mënyra me të cilën merren dhe përhapen informacionet të jetë juridikisht dhe moralisht e ligjshme.

Paqja: fryt i një kulture solidariteti, mëshire dhe dhembshurie
7. Të vetëdijshëm për kërcënimin e një globalizimi të indiferencës, nuk mund të mos njohim që, në skenarin e sipërparaqitur, përfshihen edhe shumë nisma dhe veprime pozitive që dëshmojnë dhembshurinë, mëshirën dhe solidaritetin që njeriu është i aftë të tregojë. Do të doja të kujtoja disa shembuj të lavdërueshëm angazhimi, që tregojnë se si secili mund të fitojë mbi indiferencën kur zgjedh të mos e heqë shikimin prej të afërmit të vet dhe që janë praktika të mira në ecjen drejt një shoqërie më njerëzore.
Ka shumë organizata jo qeveritare dhe grupe bamirëse, brenda Kishës dhe jashtë saj, ku pjesëtarët e saj, në raste epidemish, tërmetesh apo konfliktesh të armatosura, u bëjnë ballë vështirësive dhe rreziqeve për të mjekuar të plagosurit e të sëmurët dhe për të varrosur të vdekurit. Përveç tyre, do të doja të përmendja personat dhe shoqatat që ndihmojnë emigrantët, që përshkojnë shkretëtira dhe kapërcejnë dete për të kërkuar kushte më të mira pune. Këto veprime janë vepra mëshire trupore dhe shpirtërore, mbi të cilat do të gjykohemi në fund të jetës sonë.
Mendimi im shkon edhe te gazetarët dhe fotografët që informojnë opinionin publik mbi situatat e vështira që pyesin ndërgjegjet tona, si edhe te ata që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, në veçanti ato të pakicave etnike dhe fetare, të popujve vendas, të grave dhe të fëmijëve, si edhe të të gjithë atyre që jetojnë në kushte cënueshmërie më të madhe. Mes tyre ka edhe shumë meshtarë dhe misionarë që, si barinj të mirë, qëndrojnë pranë besimtarëve të tyre dhe i mbështesin me gjithë rreziqet dhe vështirësitë, në veçanti gjatë konflikteve të armatosura.
Sa familje, pastaj, mes shumë vështirësive të punës dhe atyre sociale, angazhohen konkretisht për t’i edukuar fëmijët e tyre “kundër-rrjedhës”, duke bërë shumë sakrifica, me vlerat e solidaritetit, të dhembshurisë dhe të vëllazërisë! Sa familje ua hapin zemrat dhe shtëpitë e tyre atyre që kanë nevojë, si refugjatëve dhe emigrantëve! Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë personat, familjet, famullitë, bashkësitë rregulltare, manastiret dhe shenjtëroret, që i janë përgjigjur menjëherë apelit tim për të mikpritur një familje refugjatësh.
Në fund, do të doja të përmendja të rinjtë që bashkohen për të realizuar projekte solidariteti dhe të gjithë ata që i hapin duart e tyre për të ndihmuar të afërmin në nevojë në qytetin e tyre, në Vendin e tyre dhe në vende të tjera të botës. Dua të falënderoj dhe të nxis të gjithë ata që angazhohen në veprime të tilla, edhe pse nuk u bëhet reklamë: uria dhe etja e tyre për drejtësi do të plotësohet, mëshira e tyre do të bëjë që ata të gjejnë mëshirë dhe, si punëtorë të paqes, do të quhen bij të Hyjit (krh. Mt 5,6-9).


Paqja në shenjën e Jubileut të Mëshirës
8. Në shpirtin e Jubileut të Mëshirës, secili është i thirrur të njohë se si indiferenca shfaqet në jetën e tij dhe të marrë një angazhim konkret për të ndihmuar në përmirësimin e realitetit ku jeton, duke u nisur prej familjes së vet, prej komshive apo prej mjedisit të punës.
Edhe Shtetet janë të thirrur për të bërë gjeste konkrete, për akte të guximshme ndaj personave më të dobët të shoqërisë së tyre, si të burgosur, emigrantë, të papunë dhe të sëmurë.
Për sa u përket të burgosurve, në shumë raste është urgjente të merren masa konkrete për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës në burgje, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë atyre që janë në pritje të dënimit, duke pasur në mendje qëllimin riedukativ të dënimit penal dhe duke vlerësuar mundësinë për të futur në legjislacionet kombëtare dënime alternative në vend të dënimeve me burg. Në këtë kontekst, dëshiroj të përtërij apelin bërë autoriteteve shtetërore për shfuqizimin e dënimit me vdekje, aty ku është ende në fuqi, dhe për të parë mundësinë e një amnistie.
Për sa u përket emigrantëve, do të doja të bëja ftesën për rimendimin e legjislacioneve mbi emigrimin, me qëllim që të gjallërohen prej vullnetit të mikpritjes, në respektimin e detyrave dhe të përgjegjësive të ndërsjella, dhe të lehtësojnë integrimin e emigrantëve. Në këtë perspektivë, një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet kushteve të jetesës së emigrantëve, duke kujtuar që klandestiniteti rrezikon t’i çojë ata në kriminalitet.
Po ashtu, dëshiroj, në këtë Vit Jubilar, t’u bëj një apel të ngutshëm përgjegjësve të Shteteve që të bëjnë gjeste konkrete në dobi të vëllezërve dhe të motrave tona që vuajnë për mungesën e punës, të tokës dhe të banesës. Mendoj për krijimin e vendeve të dinjitetshme të punës për t’iu kundërvënë plagës sociale të papunësisë, që ka prekur një numër të madh të familjeve dhe të të rinjve dhe ka pasoja shumë të rënda në mbajtjen e krejt shoqërisë. Mungesa e punës prek shumë rëndë ndjenjën e dinjitetit dhe të shpresës, dhe mund të kompensohet pjesërisht prej ndihmave, të nevojshme, për të papunët dhe familjet e tyre. Një vëmendje e veçantë do të duhej t’u kushtohej grave – për fat të keq ende të diskriminuara në fushën e punës – dhe kategorive të tjera të punëtorëve, kushtet e të cilëve janë të paqëndrueshme apo të rrezikshme dhe pagesat e të cilëve nuk janë të përshtatshme për rëndësinë e misionit të tyre shoqëror.
Në fund, do të doja të ftoja për të bërë veprime të efektshme për përmirësimin e kushteve të jetesës të të sëmurëve, duke u garantuar të gjithëve mundësinë për mjekime dhe për ilaçe të domosdoshme për jetën, përfshirë mundësinë për mjekim në shtëpi.
Duke hedhur shikimin përtej kufijve të tyre, përgjegjësit e Shteteve janë të thirrur edhe për të ripërtërirë marrëdhëniet e tyre me popujt e tjerë, duke u mundësuar të gjithëve një pjesëmarrje efektive dhe përfshirëse në jetën e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të realizohet vëllazëria edhe brenda familjes së kombeve.
Në këtë perspektivë, dëshiroj të drejtoj një apel të trefishtë për të mos i tërhequr popujt e tjerë në konflikte apo luftra që shkatërrojnë jo vetëm pasuritë materiale, kulturore dhe sociale, por edhe – dhe për një kohë të gjatë – integritetin moral dhe shpirtëror të tyre; për fshirjen apo mbarështimin e borxhit ndërkombëtar të Shteteve më të varfra; për zbatimin e politikave të bashkëpunimit që, në vend që t’i nënshtrohen diktaturës së disa ideologjive, të respektojnë vlerat e popullatave vendore dhe që, në çdo rast, të mos dëmtojnë të drejtën themelore dhe të patjetërsueshme të fetusit për të ardhur në jetë.
Ia besoj këto reflektime, së bashku me urimet më të mira për vitin e ri, ndërmjetësimit të Marisë shumë të Shenjtë, Nënës që kujdeset për nevojat e njerëzimit, me qëllim që të marrë prej Birit të saj, Princit të Paqes, plotësimin e lutjeve tona dhe bekimin e angazhimit tonë të përditshëm për një botë vëllazërore dhe solidare.

Prej Vatikanit, më 8 dhjetor 2015 Festa e Zojës së Papërlyer
Hapja e Vitit të Jashtëzakonshëm të Mëshirës

Mesazhi i urimeve për Krishtlindjen 2015

Mesazhi i urimeve për Krishtlindjen 2015
Mons. Angelo Massafra OFM



Për Krishtlindje, çdo vit, ne të krishterët e kemi zakon të shkëmbejmë urimet sepse ngjarja të cilën e kremtojmë ka për ne një rëndësi shumë të madhe: Biri i Hyjit dëftohet në formë njerëzore (krh. Fil 2,7), merr natyrën tonë të mbrujtur me mëkat për ta hyjnizuar dhe për të na dhënë pushtetin të bëhemi edhe ne bij të Hyjit (krh. Gjn 1,12).
Dhe ndërsa jemi të ftuar të shikojmë përvujtërinë e Mesisë, nuk mund të mos marrim parasysh se, falë tij, njerëzimi ynë, qenia jonë burra e gra, merr një dinjitet të mrekullueshëm.
Mëkati ynë, papërsosuritë që na përkasin pikërisht sepse jemi qenie njerëzore dhe prandaj të papërsosur, në vend që të na largojnë prej Hyjit, e afrojnë atë më shumë me ne: Hyji zgjedh të bëhet njëri prej nesh. Sot do ta përdorim fjalën “integrim” për të përshkruar ngjarjen e Mishërimit të Birit të Hyjit.
Shtegtar dhe i huaj (krh. Heb 11,13) –“mbretëria ime nuk është e kësaj bote”, do të thotë para Pilatit (Gjn 18,36) – ka kaluar mes nesh duke shëruar e duke u bërë mirë të gjithëve (krh. Vap 10, 38); në mënyrë koherente me zgjedhjen kaq të përvuajtur për t’u zhveshur nga hyjnia e vet (krh. Fil 2,7), i nënshtrohet të njëjtit fat vdekatar të njerëzve për ta mposhtur vdekjen dhe për t’u lejuar të gjithëve të hyjnë në jetën hyjnore. Kështu, dinjiteti i krijesave të bëra në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit, i përçudnuar prej mëkatit të rrjedhshëm, na kthehet në mënyrë të begatshme: “kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri” (Rom 5,20), sepse në Jezusin “u duk hiri i Hyjit” (Tit 2,11).
Nëse kjo është festa e Krishtlindjes, atëherë duhet të lirohemi prej konsumizmit që e kthen atë vetëm në tregti, por edhe prej të gjitha atyre formave që e përçudnojnë dhe e bëjnë ta humbë shijen e vet origjinale, sidomos lëshimet që gjatë kësaj periudhe mund të bëhen. Në të vërtetë, kjo është koha që duhet t’i kushtohet sa më shumë fesë së jetuar: ta shikojmë Hyjin për të mësuar, prej veprimit të tij ndaj njerëzve, si të veprojmë ne vetë.
Pastaj është koha e volitshme për t’i kushtuar më shumë vëmendje dinjitetit njerëzor: sepse nëse Hyji na ka kthyer dinjitetin tonë, edhe ne duhet ta vlerësojmë dinjitetin e të afërmit tonë. Kjo do të thotë: të punojmë për të zhdukur padrejtësitë e çfarëdo lloji; të bëjmë çdo përpjekje për ta pakësuar varfërinë, sidomos atë kulturore; të dimë të kërkojmë falje dhe të falim fyerjet e pësuara. Vetëm kështu do ta vlerësojmë dinjitetin tonë dhe atë të të tjerëve.
Së fundi, Krishtlindja e këtij viti gjendet brenda festimeve për 25-vjetorin e fesë së rilindur në Vendin tonë: le të bëjmë që të mos ndodhë ta humbasim përsëri atë për fajin apo dembelinë tonë. Por Krishtlindja bie edhe në Vitin e Shenjtë të Mëshirës, të dëshiruar shumë prej Papa Françeskut, të cilit i jemi mirënjohës sepse, nëpërmjet këtij Jubileu, jo vetëm na lejon të përdorim në mënyrë të begatshme hirin e faljes së Hyjit, por edhe na lejon të mësojmë që të jemi “të mëshirshëm sikurse Ati”.
Kështu, urimi që ju drejtoj të gjithëve është që ta jetojmë këtë festë të Lindjes së Zotit Jezus si rast të volitshëm për të rizbuluar dinjitetin tonë si krijesa të dashura prej Krijuesit dhe për t’i kthyer të njëjtin dinjitet të afërmit tonë në çfarëdo niveli: personal, familjar, shoqëror, formues, punëtor e institucional.
Po përfundoj me fjalët e Sh. Leonit të Madh, që do t’i dëgjojmë në Vigjiljen e Natës së Shenjtë: “Njihe dinjitetin tënd!”.
Urime të gjithëve ju, jo vetëm besimtarëve në Krishtin, (katolikë-ortodoksë e krishterë) por, siç thanë engjëjt që u dëftuan në Betlehem natën e Krishtlindjes, edhe të gjithë “njerëzve që Hyji i ka për zemër” (Lk 2,14), qofshin besimtarë të çdo feje qofshin jo besimtarë, sepse Krishtlindja është festa e Hyjit, por është edhe festa e dinjitetit të rigjetur të njeriut. Urime!


Për shumë vjet!                Arqipeshkvi Juaj

NDERI I QARKUT SHKODER

 

Shumë të nderuar:
-    Imzot Ramiro Moliner Inglés, Nunci Apostolik
-    Zonja Kumbaro, Ministria e Kultures
-    Zonja Greta Bardeli, Kryetare e Keshillit te Qarkut
-    Z. Paulin Radovani, Prefekt
-    Dom Artur Jaku, famullitar
-    Atë A. Petani, i Kishës Ortodokse
-    Autoritete Civile Shtetërore dhe Lokale,
-    Te gjithe ju te pranishem, në veçanti familjarët të “Martirëve”

Koinçidenca e bukur e tri ngjarjeve të rëndësishme në këtë ditë është për mua rasti që të shpreh ndjenjën më të vërtetë të falënderimit që lind prej zemrës.
Vendosja zyrtare e veprës së Zotnisë Agim Radës,  që kujton martirizimin e Atdheut tonë në vitet e veta më të errëta, dhe që e kishim përuruar kohë më parë, është – siç pata thënë në atë rast – një paralajmërim për brezat e rinj dhe për të gjithë ne, për një Shqipëri më të mirë, për të bërë që të dëgjohet zëri ynë: “Kurrë më!”. Faleminderit, zotëri Agim Rada, për këtë dhuratë që nuk është vetëm për Kishën Katolike, por për gjithë Kombin.
Vepra juaj, që lartësohet prej tokës dhe na bën të shikojmë drejt Qiellit, nuk ka vetëm cilësinë që të na përgatisë për një të ardhme më të mirë duke treguar historinë tonë, por përreth saj, si lule të çmueshme, shfaqen edhe emrat e disa protagonistëve të kësaj historie: “Martirët” tanë Imzot Vinçenc Prennushi e 37 Shokët, që po përgatitemi t’i shohim së shpejti të lartësuar në nderet e altarëve. Edhe atyre u drejtohet falënderimi ynë, sepse falë sakrificës së tyre dhe asaj të mijëra burrave e grave të përndjekur e të vrarë, sot mund të gëzojmë atë liri që ata vetëm në mënyrë profetike e kanë parandier prej larg, në errësirën e vuajtjes së tyre.
Falënderoj Kryetarin i mëparshëm Zotin Maxhid Cungu dhe Kryetaren e Qarkut Zonjen Greta Bardeli me Këshillin e vet, që kanë dëshiruar të më japin këtë TITULL “NDERI I QARKUT SHKODER”. Një ipeshkëv përfaqëson gjithë Kishën bari i së cilës është. Meritat që më njihen sot nëpërmjet këtij titulli nderi, në të vërtetë, janë meritat e vetë Kishës që unë përfaqësoj. Është kjo Kishë që është aktivizuar me guxim dhe bujari në shumë rrethana në të cilat është krijuar një nevojë dhe ka ndier detyrimin moral që të ndërhyjë për të lehtësuar vuajtjet që buronin prej tyre.
Është kjo Kishë dioqezane që ka marrë përsipër të varfërit dhe nevojtarët, që ka marrë mbi shpatullat e veta, sikurse samaritani i mirë, ata persona që askush nuk ishte në gjendje t’i bartte sepse ishin të goditur nga handikape fizike apo mendore; është kjo Kishë që vazhdon të veprojë, shpesh pa u dukur dhe pa tërhequr vëmendjen e Mediave, për pajtimin e familjeve në gjak, për mbështetjen ekonomike të familjeve më të varfëra, për përparimin e të drejtave të personave të fundit të shoqërisë pranë institucioneve.
Prandaj, e pranoj me gëzim këtë mirënjohje, por më lejoni t’ua kushtoj atë të gjithë vepruesve dhe bashkëpunëtorëve, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e laikë, që me bujari, altruizëm dhe sidomos me shpirt ungjillor vazhdojnë ta kushtojnë kohën e tyre për të dëshmuar ungjillin e dashurisë.
Shfrytëzoj rastin edhe për t’u përsëritur të gjithëve ftesën që të jenë më të pranishëm në jetën e shoqërisë shqiptare, ashtu siç thotë Jezusi, pra, për t’u bërë “tharm dhe kripë”: le të japim ndihmesën tonë me entuziazëm dhe pa u dukur tepër, për të qenë tharm për kohën tonë dhe për t’i dhënë shije kësaj bote që ka kaq shumë nevojë për burra e gra të angazhuar në shndërrimin e shoqërisë, duke e bërë çdo ditë më të mirë.
Duke bërë këtë, kemi para vetes një dëshmitare të madhe të dashurisë së cilës mund t’i referohemi, së Lumes Nënë Tereza që, brenda këtij viti Jubilar të Mëshirës, do të shpallet Shenjte prej Papa Françeskut. Motoja e saj, ajo që shpreh se ka për zemër më të varfërit ndër të varfër, le të bëhet edhe motoja jonë dhe ta nxisë gjithnjë e më shumë në veprim.
Jam i sigurt se, me ndihmën e Hyjit dhe me bashkëpunimin tonë me hirin që Hyji na e dhuron pa ndërprerje, do të dimë të jemi një prani ungjillore domethënëse dhe që do të ndihmojë konkretisht në rilindjen e popullit tonë. Të mos kufizohemi duke ndërtuar vetëm përkujtimore, as duke bërë përkujtime, megjithëse ato janë të rëndësishme, por secili prej nesh, në pjesën që i takon dhe sipas dhuratave që ka marrë prej Hyjit, të jetë inteligjencë e aftë për ta lexuar historinë e tashme dhe për ta interpretuar atë, zemër që rreh përballë qenies njerëzore, sidomos asaj të plagosur dhe që e ka të vështirë të ringrihet, dorë e hapur dhe e shtrirë drejt nevojtarit, këmbë gjithmonë e zellshme për “t’u nisur” që t’u dalë përpara nevojave të të afërmit.
Përsëri faleminderit të gjithëve dhe një të diel të mbarë.

Nuk do të doja ta përfundonim këtë takim tonin para se të jap një lajmërim të rëndësishëm. Në fjalimin tim hershova që po afrohet koha e lumturimit të Martirëve tanë.
Si Arkidioqezë, që kemi çuar përpara proçesin kanonik për kanonizimin të “Martirëve”, e ndiejmë detyrën që të përgatitemi mirë për këtë ngjarje të madhe. Në bashkëpunim me Komisionin Drejtësi dhe Paqe si dhe me disa artistë, kemi menduar të shpallim dy konkurse: një konkurs pikturash dhe një tjetër poetiko-muzikor.
Prandaj, po ftoj zotëri Luigj Milën që të paraqesë dy konkurset që, nga ky moment bëhen zyrtare. Faleminderit.

Shkodër, 30/01/2016

 


                            + Angelo Massafra OFM
Arcipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
President i konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

 

 

 

Historiku i fshatit te paqes

 

PLANI I PËRGJITHSHËM I FSHATIT TË PAQES
Promovuar nga Caritas Shkodër me rastin e Jubileut të Madh të vitit dymijë
 


image002 8 


Fshati i Paqes është një realitet që lindi nga dëshira për t’i ofruar shoqërisë shqiptare dëshminë e bashkimit, të vëllazërimit universal, të shërbimit ndaj të varfërve e shtresave më të harruara, me qëllim integrimin e tyre me pjesën tjetër të shoqërisë.
Fshati i Paqes (i cili lindi gjatë emergjencës së refugjatëve të vitit 1999), merr pamjen e një qendre polivalente me qëllime social-kulturore. Sot, struktura  ndodhet në brinjë të malit Tarabosh dhe pranë grykëderdhjes së liqenit të Shkodrës, falë kontributit të çmueshëm të Caritas Brescia-s dhe Caritas Darfo si dhe fondeve të Misionit Arcobaleno. Peisazhin e hijeshon  kështjella dhe lumi Buna, i cili bashkohet me lumin Drin në një kornizë fushash dhe malesh, që në sfond formojnë një realitet të ri, gjë që dëshirojmë të jetë stimul i paqes dhe i vëllazërimit universal.


 image004 8


 
 
Për Kishën e Shkodrës, eksperienca e emergjencës së refugjatëve, ka qenë jo vetëm një periudhë shërbimi me bujari të madhe, por edhe një reflektim i thellë mbi problemet sociale në të cilat jeton. Një reflektim i tillë na ka bërë të mendojmë për një strukturë, që të vendoset në shërbim të popullsisë vendase dhe të jetë dëshmi e bashkimit dhe e dashurisë.
 
Emblematike është vetë struktura, e cila ka rreth 150 vjet që funksionon si kazermë ushtarake, por që tashmë po transformohet në një qendër për të promovuar paqen dhe vëllazërimin universal.
Është njëlloj si të fillonte të realizohej fjala e Isaisë : «Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë». (Kr. Is. 2,4-5).
 
 
Përshkrimi i përgjithshëm i  veprimtarive

 
Shtëpitë e fshatit janë si  këto: shtëpi të vogla por që kanë një domethënie të madhe sepse brenda tyre lindë paqja dhe harmonia mes të rinjve të etnive e besimeve fetare të ndryshme.
 
 
 
Mes veprave të individualizuara, shquhen ato që i drejtohen Romëve, të cilët banojnë në rrëzë të kësaj strukture. Shumë kohë më përpara, Etërit Kapuçinë, janë angazhuar për edukimin e Romëve me një shkollë të vogël ripërvetësimi dhe mësim lexim-shkrimi, dhe projekti është zgjeruar në një program social-kulturor, që vazhdon të zhvillohet në fshatin e paqes. Për këtë projekt janë vënë në dispozicion katër struktura parafabrikat, të cilat janë dhuruar nga Caritas Darfo-Brescia përmes fondeve të misionit Arcobaleno, ku  zhvillohen mësime për ripërvetësimin shkollor, është mensa dhe vendi i pushimit, ambulanca dhe konsultori social-shëndetësor drejtuar nga Malteser. Gjithçka  realizohet  nën koordinimin e fretërve kapuçinë të Shkodrës.
 
Vepra e dytë, është një strukturë e pritjes së parë, drejtuar vajzave, minorenëve në vështirësi dhe personave handikap. Për këto dy realitete janë aktivizuar  «shtëpi-familje» dhe laboratore pune. Në këtë sektor, Caritas Dioqezan Shkodër-Pult bashkëpun me komunitetin Papa Giovanni XXIII, drejtuar nga Don Oreste Benzi i cili që nga fillimet e funksionimit të Fshatit të Paqes vuri në dispozion vullnetarë të cilët vazhdojnë të jenë të pranishëm dhe të japin kontributin e tyre të çmuar në zbutjen e problemeve të ndryshme sociale.
 
Shtëpia e paqes për fëmijët. Caritas-i Shkodrës ka vënë në dispozicion një shtëpi pranë Fshatit të Paqes, për të asistuar minorët me probleme të ndryshme sociale.  Në këtë projekt bashkëpunojnë vullnetarë shqiptarë dhe te huaj.
 
 
Projekti Shtëpia e Paqes. Duke u nisur nga fakti se shoqëria jonë po jeton dramatikisht në një situatë konflikti e dhune, dhe duke pasur parasysh skenat e luftërave etnike në Ballkan gjate viteve janë realizuar, shumë veprimtari lokale, kombëtare e ndërkombëtare,  me qëllim edukimin e paqes dhe  tolerancës, për zgjidhjen paqësore të konflikteve të brendshme pa përdorur  dhunën, por nëpërmjet dialogut dhe ballafaqimit paqësor mes palëve të ndryshme.
 
 
 
 
 
Disa nga shtëpitë parafabrikat janë në dispozicion për pritjen e grupeve që dëshirojnë të zhvillojnë momente formimi dhe ushtrime shpirtërore, si dhe për vullnetarë të ardhur nga jashtë që dëshirojnë të kenë eksperienca si në shtëpinë e paqes, ashtu edhe në veprimtaritë e solidaritetit të lartpërmendura.
 
 
Terreni mbi të cilin është ndërtuar qendra, blerë me fondet e Caritas-it Dioqezan të Brescia-s, është transformuar në një kopësht botanik, ku  mbahen nën kujdes llojet e florës vendase. Për këtë,  kemi ndihmën dhe këshillat e një ndër agronomëve më të mirë në Shqipëri, Prof. Ahmet Osja, i cili kohët e fundit është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në këtë kopësht, do të punojnë edhe të ftuarit e fshatit si: (të rinjtë me probleme sociale që asistohen nga shoqatat e sipërpërmendura),  si dhe vetë të ftuarit e Shtëpisë së Paqes.

Konferenca e dytë 21 – 25 shtator 2003 - (programi)

 

Programi  Konferenca Ndërkombëtare e Dytë e Paqes

PROGRAM MOD

PROGRAM MOD2

Konferenca e dytë 21 – 25 shtator 2003 in komunikate

 

Shtëpia e Paqes në Shkodër në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Qendren Drejtësi dhe Paqe si dhe Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë organizon “Konferencën e dytë Ndërkombëtare për paqen” nga data 21 deri më 25 shtator 2003, me pjesmarrjen e grupeve të ndryshme rinore nga Europa Juglindore.
 
Tema e kësaj konference do të jetë: “Si Nënë Tereza me e për më të varfërit, në mes të varfërve”
 
Kemi zgjedhur këtë temë të shtyrë nga momenti i shënjtërimit të Nënë Terezës që do të bëhet me 19 tetor 2003 e cila ia dedikoi jetën e saj të varfërve.
 
Një kujdes të veçantë do të ketë shembulli i jetës së Nënë Terezës, ku në këtë kontekst do të trajtohen dinamikat e paqes dhe të zhvillimit si: njohja reciproke, dialogu, nxitja dhe bashkëpunimi për objektiva konkrete dhe të përbashkët në favor të më të varfërve.
 
Të ftuar në këtë Konferencë janë të rinj nga: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, , Bosnje – Hercegovina, Serbia, Bullgaria, Turqia, Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Franca.
 
 
Takimet do të zhvillohen në ambjentet e Fshatit të Paqes në Shkodër.
 
Bashkangjitur kësaj komunikate ju dërgojmë dhe programin e Konferencës
 
 
 
Stafi Organizues i Konferencës së Paqes

Konferenca e dytë 21 – 25 shtator 2003 komunikate-konf. II paqes

 

Mbi zhvillimin e Konferencës së Dyte Ndërkombëtare për Paqen
 
Është zhvilluar në ambjentet e Fshatit të Paqes në Shkodër nga datat 21 – 25 shtator 2003 Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Paqen me temë “Si Nënë Tereza, me dhe për më të varfërit në mes të varfërve”. Kjo iniciativë  është organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, Shtëpia e Paqes, Qendra Drejtësi dhe Paqe si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Të pranishëm gjatë pesë ditëve të Konferencës ishin rreth 120 të rinjë përfaqësues të besimit katolik, atij mysliman si dhe atij ortodoks nga zona të ndryshme të Shqipërisë si dhe të rinj nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Italia dhe Franca.
 
Tema e ditës së parë të Konferencës ishte; Nënë Tereza mësuesja e jetës. Pas përshëndetjeve të Arqipeshkvit Metropolit të Shkodrës Mons. Angelo Massafra  ndoqën përshëndetjet e Myftisë së Shkodrës, të Popit Ortodoks të Shkodrës si dhe të Prefektit të Shkodrës dhe të Konsullit Italian në Shkodër. Në vazhdim kanë folur disa motra të Nënë Terezës duke treguar momente nga jeta e saj përkushtuar Zotit. Gjatë pasditës janë zhvilluar workshopet ku të rinjtë të ndarë në grupe të ndryshme kanë trajtuar temën “Jeta është jetë, mbroje atë”. Në darkë të rinjtë kanë organizuar momente argëtimi.
 
Në ditën e dytë të Konferencës tema ishte “Nënë Tereza Ambasadore e Paqes (çmimi Nobel për Paqen)”. Relatorë të kësaj dite ishin vëlla Richard, vëlla Kurtis dhe vëlla Subash të cilët përmendën rëndësinë që Nënë Tereza i kushtonte jetës, dedikimin ndaj Zotit dhe krijesave të tij. Me fjalët e Nënë Terezës “Jeta është e çmuar, kujdesu për të” ata treguan mbi vendosmërinë qe kishte për të ndihmuar të gjithë pa kursyer asgjë nga vetja e saj. Ka vazhduar gjatë pasdites puna e të rinjve në grupe me temat: “Paqja është jetë”, “A e sjellë lufta paqen” si dhe “Veprat e dashurisë janë vepra paqe”. Pasdite është zhvilluar edhe një koncert i përgatitur me fëmijët nga Zadrima “Ambasadorë të Paqes”.
 
I ftuar për të referuar në ditën e tretë të Konferencës ishte Don Pren Kola, i cili ka shkruar dhe një libër mbi Nënë Terezën. Tema e ditës ishte “Nënë Tereza dhe Jezu Krishti”, kjo ishte  dhe tema që udhëhoqi workshopet gjatë pasdites.
 
Në ditën e katërt, tema kryesore ishte: “Nënë Tereza dhe marrëdhëniet ndërfetare”. Të pranishëm në këtë ditë si relatorë ishin përfaqësuesit e tre besimeve kryesore në Shkodër si Arqipeshkvi Mons. Angelo Massafra, Popi Ortodoks Atë Aleksandër Petani si dhe Myftiu i Shkodrës Z. Haxhi Bashkim Bajraktari. Përfaqësuesit e besimeve fetare duke iu referuar dhe shembullit të jetës së Nënë Terezës dhe fjalëve të saja kur thotë “Jam e kënaqur nëse një budist është një budist i mirë, një i krishterë është një i krishterë i mirë, një mysliman është një mysliman i mirë”. E veçanta e kësaj dite dhe ndoshta e të gjithë Konferencës ishte prania në sallë e Kardinalit Maria Martini i cili përshëndeti punimet e Konferencës. Gjatë pasdites të rinjtë e mbledhur në grupe vazhduan diskutimet me të njejtën temë mbi rolin e Nënë Terezës dhe marrëdhëniet ndërfetare. Në mbrëmje është organizuar Festa e Popujve, në të cilën përfaqësues të grupeve të ndryshme kanë prezantuar disa momente artistike dhe zbavitëse të vendit që përfaqësonin.
 
Konferenca ka përfunduar ditën e pestë të saj me zhvillimin e Asamblesë Përfundimtare dhe me disa vizita tek fëmijët jetime, tek azili si dhe tek disa shtëpi - familje duke kujtuar edhe një herë fjalët e Nënë Terezës kur thotë “Jam lapsi i Zotit që të mbjellim paqen dhe lumturinë!”. Të rinjtë pjesëmarrës në këtë Konferencë Ndërkombëtare të Paqes duke ndarë me njëri tjetrin këtë shembull të shkëlqyer jete të Nënë Terezës japim mesazhin tonë për Paqen dhe bashkimin e njerëzve.  Duke pranuar  ndryshimet tona ne bashkohemi në ftesën e Nënës, për një botë me dashuri, për një botë me shpresë, për një botë të aftë të mbajë të gjithë njerëzit ashtu si një nënë mban fëmijën e vet në krahë, ashtu si Nënë Tereza mbante nevojtarët.

Konferenca e pare 21 – 25 shtator 2001

 

Konferenca Ndërkombëtare e Paqes

 

image002

 

RAPORT
 
Mbi zhvillimet e Konferencës Ndërkombëtare të Paqes
 
Shkodër 21 - 25 shtator 2001
 
"Te rinjtë protagonistë të Paqes". Ishte kjo tema e Konferences Ndërkombëtare të Paqes të zhvilluar në Shkodër (Tarabosh) nga data 21-25 shtator 2001. Organizuar nga Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër dhe Caritasi Dioqesan Shkodër, kjo Konference mblodhi në ambjentet e Fshatit te Paqes delegacione të rinjsh nga Mali i Zi, Serbia, Kosova, Bosnia, Kroacia, Italia, Gjermania, Austria dhe Zvicrra. Programi i ditëve të Konferencës ishte menduar i ndarë në dy momente.
Roli i besimeve fetare, politikës, kulturës dhe ekonomisë në lidhje me Paqen ishte tema e ligjëratave të të ftuarve vëndas dhe të huaj dhe që përbënte pjesën e parë të ditës ndërsa pasdite të rinjtë punonin në Workshopet e përgatitura.
Grupe artistike nga vëndi dhe të huaja kanë animuar mbrëmjet e Konferencës me shfaqje të ndryshme.
 
·                     DITA E PARË
 
"Roli  i besimeve fetare në lidhje me Paqen". Kjo teme e ditës së parë të Konfrencës Nderkombëtare të Paqes bashkoi në një tryezë të rrumbullakët përfaqesuesit e katër besimeve fetare të nivelit lokal atij kombëtar dhe ndërkombëtar.

image004       image006

 

 

Mons. Angelo Massafra Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës, Mons. Mato Zovkic vikar i përgjithshëm i Sarajevës si dhe Mons. Zef Gashi Arqipeshkëv i Tivarit ishin përfaqësues të besimit katolik. Atë Aleksander Petani Popi i Kishës Orthodhokse në Shkodër si dhe Atë Joan Pelushi Metropolit i Korcës ishin përfaqësues të besimit orthodhoks ne këtë Konferencë. Myftia i Shkodres Z. Haxhi Faik Hoxha përfaqësonte besimin mysliman  ndërsa Komuniteti i Bektashinjve në Shkodër përfaqësohej me Z. Fadil Kraja.
Të pranishëm në këtë ditë të parë të Konferences ishin edhe përfaqësuesit e pushtetit qëndror dhe atij  lokal. Deputetë të Parlamentit Shqiptar si dhe Kryebashkiaku i Shkodrës Z.Ormir Rusi dhe Prefekti i Shkodrës, Pukes dhe Malesise se Madhe Z.Gjergj Leqejza. I pranishëm dhe Konsulli Italian në Shkodër Zoti Stefano De Leo.

 

image008

 

 

Fjalës së hapjes se punimeve të Konferencës të bërë nga Atë Mario Baglio drejtor i Caritas-it Dioqesan Shkodër i  parapriu një minut heshtje në kujtim të viktimave të 11 Shtatorit në Amerikë. Në fjalën e tij Atë Mario Baglio falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, donatorët e ndryshëm si dhe Bashkinë Shkodër për kontributin e dhënë në ndërtimin e kësaj strukture. Ligjëratat e ditës së parë i hapi Mons.Angelo Massafra duke thëne se paqja lind nga fjalët nga falja dhe nga fakti që të tjerët i pranojmë si vëllezër dhe jo si kundërshtare. Vlera këto të pranishme tek besimet e ndryshme. Pas përshëndetjes që i bënë punimeve të Konferencës përfaqësuesit e pushtetit lokal, fjaleë e morën përfaqësues të besimeve të tjera. Kalimi nga toleranca tek bashkëpunimi, ishte mesazhi qëndror i At Joan Pelushit. Në fjalën e tij Zoti Haxhi Faik Hoxha foli mbi rëndësin e ekzistencës të një bashkëjetese mes besimeve të ndryshme.
Pasi solli përshëndetjet e Kishës së Bosnjes Mons. Mato Zovkic foli mbi eksperiencën në Sarajeve ku problemi fetar ka zënë një vend jo te vogël. Mbi rolin e besimeve fetare dhe të bashkëjetesës në Ballkan foli Mons. Zef Gashi. Më pas u lexua letra e Kardinalit Angelo Sodano, Sekretar i Shtetit te Vatikanit, drejtuar Mons. Angelo Massafra në të cilën përcilleshin bekimet e vetë Atit te Shenjtë për këtë iniciativë si dhe theksohej roli i rëndësishëm që mund të luaj "Shtëpia e Paqes" për bashkëjetesen e popujve në Ballkan.
Të rinjtë u takuan përsëri pasdreke për të marrë pjesë në Workshopet e organizuara të cilët trajtonin të njëjtën teme,  rolin e besimeve tek Paqja. Një mesazh i përbashkët i grupeve që punuan në Workshope ishte që Paqja është pjesë e një morali të përbashkët. "Paqja e Zotit është me ju" për katolikët dhe  "El - selamu alejkum" për myslimanët kanë të njëjtin kuptim.
 
·                     DITA E DYTË
 
Inaugurimi i  "Fshati i Paqes"  ishte dhe evenimenti kryesor i ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes. Ishin të pranishëm në këtë inaugurim personalitete të larta të komuniteteve fetare e ndër ta  Nunci Apostolik në Shqipëri Mons. Ambrosio Matha si dhe përfaqësues të pushtetit qëndror, deputete dhe vetë Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Pandeli Majko. Për të pranishmit, femijet e komunitetit Rom që mësojnë në shkollën e ngritur nga Fretërit Kapucinë afër Fshatit te Paqes dhanë një koncert të shkurtër. Para se të hynin për të vizituar ambjentet e Shtëpise se Paqes, Mons. Massafra dhe Don Danilo Vezzoli drejtor i Caritas Breshia bënë bekimin e ambjenteve të saj.

 

 image010 image012

Më pas punimet vazhduan me përshendetjet e pjesëmarresve. Mons. Massafra  në përshendetjen e tij e konsideroi dialogun ndërkulturor si një nevoje urgjente per popujt. Pas përshëndetjes së Nuncit Apostolik vijoi ajo e Ministrit Shqiptar të Mbrojtjes Z. Pandeli Majko i cili përshëndeti Konferencën në emër të politikaneve shqiptare. Përshëndetën gjithashtu Konsulli Italian në Shkodër - Z. Stefano De Leo, Prof. Marko Vitale ish - Komisar i Qeverise Italiane, Dr.Giovanna Bussolati - tutore e "Villaggio Brescia", Don Danilo Vezzoli - drejtor i Caritas Brescia si dhe Presidenti i Malteser në Shqipëri Dr. Michael Faber.
Në fjalën e tij At Mario Baglio prezantoi stafin i cili kishte punuar për ndërtimin e Fshatit te Paqes. Me pas u bë dhe prezantimi i stafit të Komisionit Drejtësi dhe Paqe në Shqipëri. Qëllimi kryesor i të cilit do të jetë aplikimi i projekteve të ndryshëm në fushën sociale dhe perhapja e doktrinës katolike në Shqipëri. Donatorët e ketij komisioni CRS/Albania i dhuruan me këtë rast Presidentit të këtij komisioni Mons. Massafras një shumë prej 50.000$ si fond vjetor për Komisionin.
"Koncert për Paqen" titullohej koncerti i organizuar nga grupi i baletit nga Velipoja, grupi i qendres kulturore "Kardinal Mikel Koliqi" si dhe fëmijet e shkollës bamirese "Beato Seferini", të cilët animuan pasditen e ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes.
 
·                     DITA E TRETË
 
Problemet e ndryshme që lindin në marrëdhëniet mes poupjve sot në bote ishin tema e ligjëratës së mbajtur nga Don Tonio dell'Olio e cila hapi dhe punimet e ditës së tretë të Konferencës. Më pas Claudia Gaërich e Carits-it Gjerman theksoi rëndësine e bashkëpunimit  të Caritaseve si dhe solli eksperiencën në punën e bërë me Shqipërine në fushën e perkrahjes dhe bashkëpunimit. Të ftuarit nga Mali i Zi dhe Serbia, Anica Boljevic dhe Sinisa Milatovic përkatësisht të CRS/Montenegro dhe CRS/Yougoslavia  shpjeguan punën e bërë në hapjen e disa shkollave të veçanta në territorin e tyre. Mbi rolin e OJQ-ve në vëndet në zhvillim e sipër foli Prof. Heinz Theisen nga Universiteti i Kelnit Gjermani.
Më vonë të gjithë të pranishmit morën pjese ne Meshën e Shenjtë në Kishën e Fretërve Kapuçinë  të celebruar nga Atë Mariano Rubik ofm.
Pasditja e ditës së tretë e Konferencës do të vazhdonte me të rinjtë dhe punën e tyre në Workshope. “Karta e të drejtave të njeriut”, trajtuar nga Cristina Faber dhe  “Komunikimi Ndërkulturor”, trajtuar nga Josef  Fraise profesor ne Universitetin e Kelnit, ishin dy temat e Workshopeve. Njëri prej grupeve i përbëre nga të rinj të besimeve të ndryshme dhe të kombësive të ndryshme doli në rrugët e Shkodrës duke kërkuar lemoshe. Kjo për të kuptuar dinamikat e dinjitetit njerëzor.

 

image014  image016

 

Në pasditen e ditës së tretë protagonistë u benë "Ambasadorët e Paqes", fëmijët nga Zadrima të cilët dhuruan një koncert me këngë e valle për të gjithë të pranishmit. Në fund të koncertit fëmijët lexuan një mesazh paqeje drejtuar Presidentit te Amerikes George Bush dhe gjithë popullit amerikan.
 
·                     DITA E KATËRT
 
Ishte zv.Ambasadori Gjeman Z. Martin Frich i cili hapi punimet e ditës së katert të Konferencës Ndërkombëtare te Paqes. Tema e kësaj dite ishte roli i kulturës për Paqen. Në ligjeraten e tij: "A mund te jenë Kultura dhe Arti promotor të Paqes" ai theksoi se çelësi për të pasur paqë qendron tek komuikimi, pra duhet të kuptojmë njeri tjetrin dhe arti mund të jetë promotor i paqes për ata që e kuptojnë. Pastaj ai duke iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve ai shpjegoi rrugën që mund të ndiqet nga kultura për të arritur tek paqja.
Ndërsa duke folur mbi eksperiencen e tij 11 vjeçare në vënde si Afrika, Nikaragua dhe Irlanda duke punuar për paqen, Prof. Josef Fraise i Universitetit te Kelnit Gjermani vuri theksin mbi rëndësinë e luftës ndaj etnoçentrizmit. Ai bëri dallimin mes edukumit të përgjithshëm dhe fondamentalizmit. Përfaqësuesja e Komunitetit Papa Giovani XXIII, Kristina, solli eksperiencën me fëmijët e braktisur që tani jetojnë në Komunitetin e tyre.

 

 

image018  image020

 

Një kopësht Botanik i krijuar brënda Fshatit te Paqes. Mbi këtë foli Prof. Ahmet Osja duke thënë se janë rreth 470 lloje bimësh si pasuri e këtij Kopshti Botanik.
Intinerar Kulturor quhej vizita turistike e bërë nga të pranishmit në zhvillimin e Konferencës ne pika të ndryshme turistike të qytetit te Shkodres. Vizita që filluan me shtëpinë e Oso Kukës dhe mbaruan në Kalane Rozafat.
Workshopet në këtë ditë vazhduan me murales dhe nje grup i trajnuar nga Prof. Josef Fraise trajtoi temen "Koncepti i Komunikimit Ndërkulturor".
Me shfaqjen e një teatri kukullash u mbyllen dhe punimet e ditës së katërt të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes.
 
·                     DITA E PESTË
 
Zef Preçi, Drejtor i Institutit te Studimeve Ekonomike ne Shqiperi hapi punimet e ditës së fundit duke trajtuar në ligjeratën e tij temën "Roli i ekonomise tek Paqja". Ai solli eksperiencën e tij si ish-Minister i Ekonomise, foli mbi situatën ekonomike në Shqipëri këto 10 vitet e fundit. Mbi rëndësinë e Fshatit te Paqes foli Mons. Giampaolo Crepaldi Sekretar i Pontificio Consiglio Giustizia  e Pace. Ai iu drejtua të rinjve duke i thënë se ka disa rrugë nëpër të cilat duhet të kalojë krijimi i një klime paqeje.
Duke shprehur kënaqësinë e të qënit në mes të rinjve nga vende të ndryshme të Ballkanit e që po jetonin së bashku, Presidenti i Assisi Pax Internaional, At Gianmaria Polidoro u ndal tek strategjitë e këtij projekti.
Mbasdite të rinjtë nga vënde të ndryshme si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë Konferencë u mblodhën në qëndër të qytetit të Shkodrës ku filluan marshimin drejt Fshatit të Paqes. Marshimit drejt Fshatit te Paqes rruges iu bashkangjitën dhe shumë qytetarë shkodranë duke dhënë mendime apo meditime mbi Konferencën e Paqes. Nje lutje ndërfetare e thënë nga të rinjte e besimeve te ndryshme mbylli dhe Marshimin e Paqes.

 

 image022  image024

Në Asamblenë përfundimtare në darkë të rinjtë dhane idetë dhe mendimet e tyre mbi Konferencën e mbi te ardhmen si dhe mundesitë e bashkëpunimit që mund të krijohen.
Aktivitetet nuk mbarojnë këtu tha At Mario Baglio i cili duke përshendetur pjesëmarrësit dhe duke i falenderuar ata shtoi se ne do te takohemi përsëri pasi kemi mjaft për të bërë sëbashku.

 

image026

 

Konferenca e pare 21 – 25 shtator 2001 - (programi)

 

Programi Konferenca Nderkombetare e Paqës

 

pieghevole shqipe

pieghevole shqipe2

 

Tingujt e paqes

Tingujt e Paqes
 
 
 tek:
Fshati i Paqes
  16 mars,  2002

image002 7image004 7

image006 7image008 5

 

Banda e Brigada Sassari duke interpretuar muzikë live në Fshatin e Paqes


image010 4image012 4 


   
Valle e grupit folklorik të Velipojës në koncertin “Tinguj Paqeje”                       

image014 3image016 2
   
 
Fëmijët e korit “I lumi Seferin” frekuentues të Kursit të Rekuperimit shkollor që zhvillohet në Fshatin i Paqes dhe kori i fëmijëve të Shirokës transmetojnë tinguj paqeje, tolerance dhe mirënjohjeje ndaj atyre që dhurojnë paqe dhe dashuri. 

 

Katedralja e Shen Shtjefnit

 

HISTORI E SHKURTËR
 
katedralja montazh nga angjelin nenshatiKisha Katedrale e Shkodrës është e kushtuar Shën Shtjefnit, 1 pari Martir, i njëjti Pajtor i kishës ekzistuese në Kështjellën Rozafa, mbetjet e së cilës ekzistojnë ende. Një dëshmi të çmueshme e kemi në veprën e meshtarit dhe humanistit Dom Marin Barleci, i njohur në historinë dhe në kulturën shqiptare. Duke përshkruar rrethimin e Shkodrës nga ana e turqve në vitin 1478, ai kujton Pajtorin e Shkodrës.
Gjatë shekujve të parë të pushtimit turk, Ipeshkvijtë e Shkodrës ishin të detyruar të banonin jashtë qytetit, pa një seli brenda mureve të qytetit. I pari ipeshkëv që u vendos në Shkodër më 1742 qe Imzot Pal Pema Kamsi (1742-1771), që gëzonte mbështetjen e farefisit të tij të madh e të fuqishëm, i cili i përballonte trimërisht mujshitë e turqve.
Besimtarët shkodranë kërkuan që të ndërtohej një kishë Katedrale. Prandaj Sulltanit në Stamboll iu dërgua kërkesa për lejen, e cila u dha me një ferman  (dekret) të vitit 1851.
Punimet filluan pas shtatë vjetësh, më 7 prill 1858, në praninë e Guvernatorit të Shkodrës Ali Pasha. Kjo vonesë duket se erdhi prej faktit se kishte nevojë për para që të filloheshin punimet, sipas projektit të një arkitekti austriak, emri i të cilit nuk ka arritur deri në ditët tona.
Pas leximit të fermanit të Sulltanit nga ana e Guvernatorit, u vendosën piketat, u bekua guri i parë nga Imzot Ivan Topič dhe u hapën themelet. Në ceremoni ishin të pranishëm: famullitari Dom Engjëll Radoja me meshtarët bashkëpunëtorë, Trupi konsullor i akredituar, Ipeshkvijtë e dioqezave sufragane, kleri shekullar, rregulltarët, seminaristët dhe personalitetet e populli. Kisha Katedrale e Shkodrës u quajt Kisha e Madhe sepse, në kohën e ndërtimit, ishte njëra prej kishave më të mëdha të Ballkanit. Ndërtimi i saj kaloi nëpër disa etapa. Pullazi i ndërtuar në fillim me trarë druri u zëvendësua më pas nga traveta metalike. Tavani u ndërtua me katrorë në trajtë kutie, sipas projektimit të Kolë Idromenos. Inaugurimi i Katedrales u bë në 1865 kur Kryeipeshkëv ishte Imzot LuigjÇurçia.
 
 
Katedralja e bombarduar
 
Shkodra, e rrethuar prej ushtrisë malazeze (1912-1913) dhe e mbrojtur nga komandanti Hasan Riza Pasha, u bë objektiv i goditjeve të artiljerive malazeze, ashtu si edhe katedralja, megjithëse shihej qartë se ishte një ndërtesë kulti. Aty kishte gjetur strehim një numër i madh qytetarësh, ndër të cilët shumë gra e fëmijë, që, duke mos qenë të sigurtë në banesat e tyre, mbi të cilat binin vazhdimisht predha, kishin menduar se, meqenëse malazezët ishin të krishterë, do ta kursenin atë vend të shenjtë. Mjerisht predhat e goditën katedralen dhe dëmtuan veçanërisht krahun jug-lindor të kishës e shkaktuan djegien e kumbonares. Megjithatë, ky nuk qe sakrilegji i vetëm.
 
 
Gjatë diktaturës komuniste
 
Pas arrestimit të Dom Mikel Koliqit (më 3 shkurt 1945) detyra e famullitarit  i mbeti Dom Ernest Maria Çobës, të cilin e mbajti deri në shugurimin e tij ipeshkvnor më 20 prill 1952.
Me revolucionin famëkeq “kultural” të vitit 1967, u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri: disa u shkatërruan, të tjerat u shndërruan në salla shfaqjesh apo magazina, ndërsa Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti, ku, në vitin 1973, u zhvillua Kongresi i grave komuniste.
Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit sovjetik solli një frymë lirie edhe në Shqipëri  në 1990-1991 u kthye liria dhe besimi zuri përsëri vendin e vet.
 
 
Rihapja e Katedrales
 
Më 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli ofm. Mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës së Kalkutës dhe të mijëra besimtarëve. Në Katedralen ende Pallat i Sportit më 21 prill 1991 qe shuguruar meshtar Dom Gjergj Simoni prej Imzot Nikoll Troshanit. Selia e Shenjtë me Imzot Ivan Dias, Nuncin e parë Apostolik në Shqipëri, vendosi dhe financoi restaurimin dhe rindërtimin e saj.
Me rihapjen e Katedrales në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre qoftë shtatorja që paraqet Shën Mhillin i cili shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos, qoftë njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e Familjes Pema (vepra të konfiskuara prej komunistëve).
Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.
 
 
Fakte të tjera të rëndësishme
- Më 26 nëntor 1994: emërimi i Mons. Mikel Koliqit Kardinal; vdekja e tij (28 janar 1997) dhe varrimi në Katedrale.
- Më 22 tetor 1997: vdekja e Kryeipeshkvit Imzot Frano Illia.
- Më 28 nëntor 1997: Imzot A. Massafra, ofm, Ipeshkëv  i Rrëshenit dhe Administrator Apostolik i Lezhës, emërohet Administrator Apostolik i Shkodrës dhe i Sapës.
- Më 28 mars 1998, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, emëron Kryeipeshkëv Metropolit të Shkodrës Imzot Angelo Massafra-n, ofm. Më 25 prill 1998, në prani të Nuncit Apostolik, Imzot Giovanni Bulaitis, të Ipeshkvit Ndihmës, Imzot Zef Simoni, të famullitarit të Shkodrës, Imzot Lucjan Avgustini, Kryeipeshkvi Massafra bëri hyrjen e vet në Katedralen e Dioqezës së Shkodrës.
- Më pas përfundoi ndërtimi i Kumbonares së ndërtuar me ndihmesën e Z. Kolë Cacaj dhe qe  bekuar nga Imzot A. Massafra, më 16 nëntor 1999.
- Një tjetër ditë shumë domethënëse për Kishën në Shqipëri e që u kremtua në Katedralen e Shkodrës qe shugurimi i meshtarëve të parë dioqezanë e françeskanë pas përndjekjes komuniste, më 29 qershor 2000, pas kryerjes së studimeve filozofiko-teologjike në Seminarin Ndërdioqezan.
- Nuk mund të mos vihet re se në Kapelën e të Shenjtërueshmit gjendet një kopje e Sindonës, origjinale, dhuratë e Kryeipeshkvit të Torinos në vitin 2000; po ashtu është edhe Kapela e Vajrave të Shenjta dhe e “Martirëve” shqiptarë.
- Pas vitit 2005 bëhen shumë ndërhyrje të rëndësishme në Katedrale: ndërrimi i mbulojës dhe lyerja e jashtme; sistemimi i presbiterit, ndërtimi i korit të drunjtë të bërë në Shkodër, dhe mobilimi i Sakrestisë (2005); sistemimi i qendrës së zërit (2006); lyerja (2007).
 
 
Lista e Famullitarëve (nga 1930 deri më 2007)
1. Dom Gaspër Thaçi (1930 - 19.03.1936)
2. Dom Mikel Koliqi (18.11.1937 - 1991)
3. Dom Zef Simoni (1992 - 23.04.1993)
4. Mons. Loro Nodaj (1993 -1995)
5. Mons. Lucjan Avgustini (14.07.1995 - 26.12.2006)
6. Dom Gjovalin Suka (Administrator Famullitar - 22.01.2007).
 
 
Fotot: Angjelin Nënshati
Arti grafik: Luigj Mila
Shtypshkronja:
“Gjergj Fishta” Lezhë
 
Shkodër, Qershor 2007

Kisha e Shen Kollit

 

Historik i shkurtër
Qe ndër të parat që në vitin 1967 u shkatërrua dhe u bë kulm e themel nga terroristët e kuq. Një kishë shumë e fortë dhe e qëndrueshme aq sa nuk mjaftuan kazmat dhe muskujt e punëtorëve, por u deshtën buldozerë e tanke. Dhe sikur kjo të ishte e pamjaftueshme, të pafetë, mbasi e rrënuan, në vendin e saj hapën një gropë të madhe gjysëm metri në dhe e, mbasi e mbushën me mbeturina kaldaje, mbi të ndërtuan kampin sportiv të shkollës ngjitur: atë të Pashko Vasës.
Me kapitullimin e komunizmit dhe pas shpalljes së lirisë fetare, nga viti 1991 deri në vitin 1996, për disa herë radhazi iu drejtova një përfaqësuesi të lartë fetar, të më jepte lejen ta rindërtoja Kishën siç kishte qenë më përpara. Po ashtu edhe në vitin 1997 për dy herë radhazi atij iu dërgua një përfaqësi e lagjes Rus Katolik për të nxjerrë këtë leje, por ai gjithmonë refuzoi ta jepte, duke thënë se ai do ta ndërtonte Kishën tek Sanatoriumi.
I lodhur nga ky qëndrim i pakuptim dhe i pa arsyeshëm, në krye të një përfaqësie të lagjes, shkuam tek shkolla Pashko Vasa dhe kërkuam takim me drejtorin e asaj shkolle. Pritja që ai na bëri qe e menjëhershme dhe krejt miqësore aq sa nuk e prisnim. I paraqitëm arsyen e shkuarjes sonë dhe ai vendosmërisht, por edhe me zemërgjerësi na u përgjigj, se që në atë minut vendi i palestrës së shkollës kishte qenë i Kishës dhe përsëri na e kthente neve. Ky ishte zotëri Nikolin Leka, të cilit i bëjmë dhe urimet më të thellë dhe një bekim të gjithanshëm nga Zoti dhe Shën Kolli për të dhe familjen e tij: populli katolik i lagjes do t’i jetë përherë mirënjohës. Ai urdhëroi mësuesin e fiskulturës të na shoqëronte për të na ndihmuar të nxirrnim të paprishura veglat e gjimnastikës të betonuara në fushë.
Të dielen e parë pasi u bëmë zot përsëri të truallit të Kishës së Shën Kollit në shtator të vitit 1997, thashë meshën e parë pas vitit 1967 në sheshin e Kishës mbi një tavolinë. Populli që asistoi në këtë meshë të parë qe mjaft i shumtë. (foto 1; 2)
Përfaqësia e lagjes Rus Katolik përbëhej nga këta zotërinjë: (nga e majta) Viktor Miri, Sander Zadrima, Ndrekë Dusha, Dom Ndoc Nogaj, Paulin Temali, Kolec Pashuku dhe Zef Mirashi. (foto 3)    Këta zotërinjtë do të jenë edhe bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë për ndërtimin e Kishës së Shën Kollit, edhe për një kohë të gjatë.
Ditën e hënë, pas meshës së parë, u gjetëm përsëri së bashku tek trualli i Kishës: kishim me vete kazma, lopata dhe filluam menjëherë të gërmojmë për të gjetur themelet e Kishës.
Kur populli pa se çfarë po bënim, menjëherë na erdhi në ndihmë, dhe brenda dy orëve u zbuluan themelet e kishës ekzistuese. Porosita për të nesërmen disa kamionë gurë, llaç e çemento dhe muret e themelit i ngritëm deri në zokolaturë, gjysëm metri përmbi tokë dhe rreth e rrotull ndërtuam një brez betonit. Mbasi mbushëm me dhe sipërfaqen e brendshme të kishës dhe betonuam shtresat, fill të nesërmen filluam ndërtimin e kishës me konstruksion druri dhe veshje me llamarinë, dhe brenda më pak se një javë fillova të them meshën për popull që qe shumë i gëzuar. Filloi që atëherë të frekuentonte kishën prej dërrase me plot devotshmëri jo vetëm për meshën dhe fuguret e ndryshme që unë vendosa atje, por në veçanti ndaj trupores së Shën Kollit, ndaj të cilit jo vetëm populli shkodran, por në veçanti si ai i rrethinave dhe i malësisë është shumë i përkushtuar.
 
Mesha e dytë, ditën e dielë, pas meshës së parë thënë përjashta, u tha brenda kësaj Kishe-barakë, ku pjesëmarrja e popullit qe shumë e madhe, dhe gjatë viteve sa vjen e rritet sa të mbushë edhe ambjentet jashtë dyerve të kishës. (foto 4)
Po ashtu për çdo vit filluam të bëjmë edhe proçesionin me truporen e Shën Kollit si me 9 Maj edhe 6 Dhjetor. (foto 5)
Kisha që në ditët e para u pajis edhe me një qendër zëri dhe altoparlantë po ashtu u formua edhe kori i vajzave që shoqërojnë të gjitha ceremonitë fetare gjatë vitit, i shoqëruar me organo (tastjerë).
Në Maj 2002 erdhi të na gëzojë e të na nderojë me praninë e tij edhe arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Angjelo Massafra që mori pjesë edhe në vitin 2003, përveç meshës së koncelebruar me mua, në proçesionin me truporen e Shën Kollit. (foto 6)
Fill pas ndërtimit të kishës-barakë, si përgjigje e thirrjeve të vazhdueshme që unë i bëja opinionit botëror për ndërtimin e kishës, ftuar edhe nga zotërinjtë Angjelin Muzhani, Gjon Gjonmarkaj dhe Lec Daragjatit shokët e mi të përzemërt, erdhi si i deleguar i konferencës ipeshkvnore austriake një meshtar i cili u tregua i gatshëm të merrte përsipër ndërtimin e Kishë se Shën Kollit, mjaft që të kishim autorizimin e arqipeshkvit Metropolit. Për bujarinë dhe gatishmërinë për të na u gjetur në ndihmë e kemi falenderuar dhe përsëri e falenderojmë me gjithë zemër Klerin Austriak i cili gjithmonë është gjetur i gatshëm të ndihmojë popullin katolik shqiptar.
Ndërtimin e Kishës e mori përsipër vetë Arqipeshkvi Metropolit Angelo Massafra të cilin e falenderojmë duke i uruar të gjtha hiret e bekimit të Zotit dhe të Shenjtit Shën Koll.
24 Prill 2003. Për bekimin e gurit të parë erdhi tek kisha e Shën Kollit ish Nunci Apostolik në Shqipëri dhe sot Kardinal i Bombayt, Imzot Ivan Dias i shoqëruar nga Nunci i tashëm Apostolik Giovanni Bulaitis, Arqipeshkëvi Angelo Massafra, Monsinjor Lucjan Avgustini, disa meshtarë të tjerë si dhe prefekti i Shkodrës dhe kryetari i Bashkisë. Kardinali Ivan Dias u përshëndet si nga Dom Ndoc Nogaj edhe nga mons. Avgustini. E kemi pasqyruar këtë ceremoni madhështore edhe në revistën “Mbas Teje” Maj 2003, Nr. 103. (foto 7; 8; 9)
Punimet kanë një vit që kanë filluar dhe me ndihmën e Shën Kollit vitin tjetër do të përfundojnë. Ndërtesa është e gjitha në strukturat mbajtëse në beton arme, duke filluar nga themelet.
I sigurtë se interpretoj edhe urimet e të gjithë popullit katolik jo vetëm shkodranë por të gjithë Shqipërisë, në emër të të gjithëve, falenderoj përzemërsisht imzot Angelo Massafrën për këtë vepër të pavdekshme kushtuar Shën Kollit për popullin e tij katolik shkodran.
9 Maj 2004. Përsëri erdhi për të na gëzuar e për të na nderuar me praninë e tij imzot Angelo Massafra i cili tha edhe meshën përkujtimore të festës në bashkëcelebrim me Dom Ndoc Nogen i përcjellur nga kori i fëmijëve i kishës dhe i ndjekur me devotshmërinë më të madhe nga populli katolik, jo vetëm i lagjes, por edhe i Shkodrës.
Është mendim i Udhëheqjes Fetare që Kisha do të përfundojë vitin e ardhshëm. (foto 10; 11)
 
Adresa:
Bashkimi Katolik i Publicistëve Shqiptarë
Sheshi Gjon Pali II, pranë Katedrales Shkodër
Tel. +355(0)2243709
Cel. +355(0)682734962
e-mail: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.
 
Dom Ndoc Nogaj

Manastiri i Shen Gjonit

 

RRËNOJAT E MANASTIRIT TË SHËN GJONIT NË RRASH KULLAJ,
BORIÇ – MALËSI E MADHE (Shqipëri)

 

«Gërmadhat e këtij kuvendi, me kullën e tyre të prishur, ku tashmë kanë bërë folenë e tyre hutat e sorrat, gërmadha që me gjithë pamjen e ndershueshëm për lashtësinë e tyre, janë pak të ruajtura dhe të respektuara, ndodhen në fund të fushës së Shtojit, rrëzë Maranajit, në rrugën që, përgjatë përroi Banush, të çonte në Balesium. Në atë kohë duhej të ishin shumë të banuara ato vende, të paktën duke gjykuar nga tradita, sipas të cilës për të përdorur fjalën e popullit “macja shkonte deri në Drivast, pullaz m’pullaz”, domethënë pas pasur nevojë të zbriste nga pullazet e shtëpiave».
 Kështu lexojmë në Revistën CIVILTÀ CATTOLICA (përkthimi ynë në gjuhën shqipe) të datës 27.06.1929, kur flet për abacinë e lashtë benediktine të Shën Gjinit në Rrash Kullaj, Vrakë, në zonën e Malësisë së Madhe, në fillim të një artikulli interesant mbi “Manastiret e Lashtë Benediktinë në Shqipëri”. Në këtë artikull në vend të parë është Manastiri i Shën Serxhit dhe i Shën Bakut (Shgjirgj), në bregun e majtë të Bunës, në lartësinë e fshatit Dajç Bregu i Bunës.
Në vend të dytë gjejmë Manastirin e Shën Gjonit “de Strilalio”, historinë e të cilit e sjellin të plotë nga artikulli i Revistës së cituar: «Një cekje e parë e kësaj abacie gjendet në dokumentin e cituar të datës 19 qershor 1166 ku thuhej që (në Kotorr), “Maio episcopus (Catharensis) cum episcopis Lazaro Albanensi et cum Martino Drivastensi et cum Johanne episcopo Dulcinensi”, “adiunctis: Michaele abbate (archimandrita) sancti Johannis et cum Petro abbate... sanctorum Sergii et Bacchi, etc., ecclesiam sancti Tripnonis consecrat...”[1]. Ka mundësi që ai abat i Shën Gjonit nuk ishte tjetër veçse abati i kuvendit të Rashit.
Më 26 tetor 1356, papa Inoçenci VI, “Andree episcopo Balazensi” “monasterium S. Johannis ordinis S. Benedicti Drivastensis diocesis in regno Rassie consistens et ab ipsius regni schismaticis quasi totaliter dissipatum, per obitum quondam Andree ultimi abbatis dicti monasterii, qui catholicus exstitit et extra Romanam curiam diem clausit postremum, vacans, quod ab ecclesia Balazensi per quinque dumtaxat milliaria parva distat – dat in commendam, ne mendicare cogatur, ecclesia Balazensi in prefato regno consistente ab eisdem schismaticis destructa”[2].
Ky dokument i rëndësishëm është një pohim i asaj që kemi treguar rreth përhapjes dhe fanatizmit skizmatik të Veriut të Shqipërisë. Kuvendi, megjithatë u ringrit shumë shpejt, pasi 20 vjet më vonë gjejmë se Papa Gregori XI urdhëron Pjetrin, arqipeshkëv i Raguzës, që të zgjedhë ndonjë murg benediktin të atyre vendeve dhe që ta caktojë si abat “monasterio S. Johannis Baptiste dicti ordinis Drivastensis diocesis, per obitum Michaelis abbatis vacanti...”[3].
Edhe pse manastiri më vonë iu dha, në vitin 1356, në komendë Kishës së Balesium-it, (Balleza) nuk duhet të besohet se i përkiste asaj dioqeze; banorët e Drivastit e konsideruan gjithmonë si të tyren, duke qenë, në fuqi të një vendimi të shpallur në shek. XV, që askush nuk mund të ishte abat i atij përveçse një drivastas[4].
Në vitin 1403, mes përgjigjeve të tjera dhënë nga Senati i Venedikut meshtarit Andre, ambasador i bashkësisë së Drivastit, ka një që ka të bëjë me kuvendin e Rashit: “Petitioni, ne possessiones abbatie s. Johannis de Strilalio de districtu Drivasti deciman solvant, non complacetur, cum dicte possessiones rusticis affictentur”[5].
Megjithatë abatët, në luftën e Venedikut kundër Balshës III, mbajtën gjithmonë anën e republikës, dhe nuk vuajtën shumë. Venedikasit, nga ana e tyre, nuk munguan së bëri dhurata të çmueshme abacisë; mes të tjerave, në vitin 1445, i bënë një fshat të tërë (vila Veronika). Kur në vitin 1437 arqipeshkvi i Korfuzit mori në komendë këtë manastir, papa ia porosit këtë komendatar despotit të Serbisë. Me sa duket, sipas uljeve dhe ngritjeve të politikës, Serbia skismatike, dinte të ishte e sjellshme me katolikët, dhe kështu pati kohë paqeje me shpresën e rreme të bashkimit me Romën. Kështu edhe abacia jonë, njëlloj si ajo e Shën Serxhos dhe e Rotezës, mundi të provonte bujarinë e disa mbretërve serbë. S’ka dyshim, siç shihet në Acta, që këto mbretër treguan gjithmonë njëfarë devocioni dhe bujarie ndaj kishave dhe manastireve, katolikë apo skizmatikë, sipas rrethanave.
Është e sigurt se kjo abaci gëzonte gjithnjë një nderim të madh edhe pranë popullatës ortodokse të rrethinave; dhe sot e kësaj dite ortodoksë dhe katolikë, pretendojnë të drejtat e tyre të zotërimit (Vrakë-Gruemirë, Rrjoll), dhe shekullin e kaluar (1855-1869) grindja që mund të degjeneronte në një konflikt, u çua përpara valisë së Shkodrës, u mbyll me ndalimin e të drejtës për të dyja palët për ta ushtruar aty kultin, duke i deklaruar gërmadhat pronësi myslimane. Dhe e drejta e pronës u jetua kaq mirë, sa qysh tani, siç shënon Degrandi prej të cilit i marrim këto të dhëna, myslimanët përreth ndihmuan veprën shkatërruese të kohës duke marrë gurët e saj sipas dëshirës: dhe tre vite më parë, e zhveshën kullën, për një lartësi prej 3-5 metrash, nga gurët e saj të bukur katrorë».
 Në librat e historisë nuk mungon ndonjë kapitull që flet për këtë gjë, edhe pse në mënyrë shumë të përmbledhur, por të dokumentuar. Duam të sjellim këtu dy faqe që i kushton diplomati austriak Theodor Ippen (1861-1935), në librin e tij “Historia e Shqipërisë së Lashtë” (Shtëpia botuese KeB, Tiranë, 2002), me titull “Rrënojat e kishës së Shën Gjonit në Rrash”: «Në fushën e Shtojt, në veri të Shkodrës, në rrëzë të malit të Maranajt shtrihet fshati Rrash, i përbërë nga pak shtëpi. Ai dallohet që nga larg prej një kulle të lartë drejtkëndëshe të shkatërruar. Kjo kullë shënon rrënojat e një manastiri të vjetër, Shën Johannit (Gjonit). Ato që kanë mbetur prej tij janë aq të dëmtuara e të mbuluara nga dheu dhe bimësia, sa që nuk mund të dallosh më pothuajse asgjë. Kulla është ndërtuar me gurë të gdhendur mirë. Ajo duket se qëndronte pranë kishës në anë të saj dhe jo mbi fasadën kryesore, siç ndodh në shumë raste me rrënojat e këtij vendi. Nga kisha nuk ka mbetur shumë për të parë. Fragmentet e mureve, që qëndrojnë akoma në këmbë duhet t’i përkasin njërës prej faqeve anësore. Përveç tyre dallohen edhe themelet e murit fundor me apsidën. Sipas këtyre kontureve kisha nuk ka qenë e madhe dhe dimensionet e saj nuk u përgjigjen atyre të kullës.
Disa hapa më tej ndeshen mbeturina të tjera muresh të cilat ndoshta tregojnë ekzistencën e një ndërtese të dikurshme manastiri. Nga populli këto rrënoja sot quhen “kisha e Shën Gjonit e Rrashit”.
Për këtë kishë, një njeri imi i besuar, ati jezuit që e citova, ka gjetur përmendjet e mëposhtme: Arkivi i Vatikanit Reg. An. IV, Tom. XII, Fol 71, viti 1356: ipeshkvi i Balesiumit merr si dhuratë manastirin benediktin Shën Johann de Setoja në Rashia, Dioqeza e Drivastit (5 milje larg nga kisha e Balesiumit), pasi pas vdekjes së abatit të fundit Andreas ai ka mbetur vakant.
Një dokumnet i Senatit venedikas me datë 7 maj 1403, liron nga e dhjeta tokat e abacisë së Shën Johannit të Strivaliosit në distrinktin e Drivastos.
Një dokument tjetër i 16 shtatorit 1445 përmban të dhëna mbi juridiksionin e abacisë së Shën Johannit të Stoyas në distriktin e Drivastos.
Në një letër të papës Piu II të vitit 1459, drejtuar ipeshkvit Manuel të Shkodrës, përmendet abati Peter Czavon i manastirit benediktin S. Joannes de Scivalio në dioqezën Drivasto.
Nga këto citime unë do të doja të theksoja emrin e manastirit të Shën Johannes de Stoja, i cili ruhet edhe sot në emrin e fushës së Shtoit; por vetë kuptimi i fjalë Shtoi është i panjohur».
 Artikulli më i plotë dhe i dokumentuar, “KISHA E SHNJINIT (SHËN GJONIT) NË SHTOJ”, që përdor dokumente të lashta të Kongregatës de Propaganda Fide të Romës, të Arkivave të Republikës së Venecies dhe dokumente të larmishme nga biblioteka të ndryshme, të shek. XIX, është ai i Prof. Fran Lulit, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Originali është në gjuhën shqipe dhe ja ku po jua paraqesim: «Kur kalova vijën e Vrakës, në një rrafshinë të Rrashit në Shtoj, shtrihej dikur kisha e mirënjohun nëpër dokumentet e mesjetës, me emrin Kisha e Shnjonit, në popull njihet ma shumë si Kisha e Shnjinit, tue dijtë që emnat Gjon e Gjin janë nji e të pandame, pamvarësisht se në kohë e vende të ndryshme ata ndërrohen me njeri-tjetrin.
Sot, kësaj godine madhore, nuk i ka mbetë asgja mbi siperfaqe, por vetëm ndonji gjurmë rrënoje varresh, ndonëse në kohë të kalueme ajo ishte nji monument madhështor, që zbardhonte e shndritte këto anë, me bukurinë dhe madhësinë e vet. Kumbonat e saj ndiheshin deri në Shkodër.
Ajo ishte një kryekishë e vërtetë, një abaci, që ka nji vend nderi në historinë e tonë kishtare, edhe pse, në ndonjë periudhe kaloi ditë të vështira, siç do të shihet. Por prapë jetoi e mbijetoi gjatë e gjatë, deri që kohënat me shtrëngatat dhe shkaterrimet e tyne, e bane të veten, siç e banë edhe për qytetet e kështjella shumëshekullare. Kolë Kamsi shkruante: “Kjo kishë e moçme, se cilës sod i kanë mbetë në kambë vetëm muret e kumbonares, vendi i absides e pak rrënoje, permendet se parit në një dokument të vjetit 11661. Ky manastir benediktin hynte ne dioçezin e Drishtit të dikurshëm, mjaft i shtrime per kohën e vet, prej vetë rëndësisë së madhe të këtij qyteti të vjetër, ku sot i shehn vetëm rrënojat e kalasë së tij.
Abacia e Shnjinit paraqet interesa të shumta në mjaft drejtime, si për moshën, ashtu dhe për jetën e saj te gjallë kishtare.
Ne vitin 1166, ku dëshmohet për herë të parë, në trajtën Sanctis Johannis asht nënvizue dy here me nji dorë fjala “abbas”, e abatit Michaele dhe mbi të asht vu fjala “archimandrita”, për te shprehë kështu shkallën e naltë të këtij titulli, mbasi termi fetar archimandrita donte me thanë “kryeprift”, “kryebari”, në origjinë “kryetar i disa kuvendeve greke”. Kjo gja kuptohet mirë prej kësaj se kjo abaci kishte në mvartësi disa kisha që veproshin në këto rrethina, si: S. Andrea me 1422, 1425, 1443, 1445, 1628 në Vorfe, S. Maria me 1473 (andej), S. Mattio nel 1547 (Rrash-Vorfe), S. Stafani 1416-’17 a Gruemire, S. Biasio 1416-’17 (rreth Vrakës), SS. Vraci, S. Auracio 1348, 1416-’17, S. Uraza 1434, S. Ivrash 1485, 1582 (rreth Gruemires e Grizhës) tue lane dhe ndonji tjetër, sidomos në Rrjoll, ku ishte kisha e njohun e Ballexes, si qytet-kështjellë.
Tue vazhdue ma andej në kohë, vërejmë se ky manastir, pothuajse per dy shekuj, nuk shihet nëpër burime. Kjo dukuri kishte shkaqet dhe arsyet e veta objektive. Në historine fetare te vendit tone njihet ajo rryma e fuqishme, me emrin “skizmë” qe ndau Kishën në dy pjesë për shkak të mosmarrëveshjeve rreth riteve fetare dhe të arsyeve te tjera politike. Ne Shqipni kjo ndamje kishash u ba midis dy riteve kryesore: ortodoks e latin, gja e cila çoi në përçamje të ashpra dhe ne shkatërrime te mëdha. Lëvizja skizmatike mori përmasa te gjana dhe çdo ditë e ma tepër u ba ma e egër kundër kishës katolike, e cila kaloi kohë mjaft te veshtira. Këtë e shohim sidomos te dy kishat tona te njohuna, te ajo e Shnjinit dhe e Ballexës.
Keshtu, për manastirin e Shnjonit, dekreti i Papës i vjetit 1356 thote se “prej skizmatikëve ishte gati krejt e plaçkitun” (ab ipsius regni scismaticis quasi totaliter dissipatum). Gjithashtu, edhe peshkopi i kishës së afërme të Ballexës “ishte i detyruem te lypte” mbasi edhe kisha e tij ishte e zhveshun, e rrënueme prej skizmatikëve”, (ecclesia Balazensi in prefato regno consistente ab eisdem scismaticis destructa), gjithashtu simbas te njëjtit dekret e vjet. Këto fakte te randesishme historike, i kane persëritë e shkoqitë disa herë edhe studjues te ndryshëm me za, si historiani i zoti i Ballkanit, miku i Shqipnisë, dr. Milan Shufflaj, historian tjetër i njohun çek, Kostandin Jirečeku dhe arkivisti e gjurmuesi i zellshëm Agustin Tainer, në veprat e tyne te shumta.
Aq e fortë u ba skizma ne mesjetë, saqë car Stefan Dushani, me ane te ligjit e ndaloi Kishën dhe shërbimin kishtar ne rritin latin gja qe shkaktoi nji levizje shqiptare antiskizmatike. Keto gjurme dhe pasoja te skizmës, veçanarisht në Shnjin të Rrashit, i shohim deri vonë, kur M. Shufflaj shkruan: “Në shek. e kaluem (1855-1869) rrahën katolikët dhe ortodokësit nji çështje të madhe nën kajmekanin turk për pasunitë e rrënimeve të mungadës së Shën Gjonit në Shtoj. Kjo mbaroi tue vendosë që përreth rrënimeve te vehej nji gardh, dhe tue ndalue te dy besimet qe të banin sherbime fetare afer atyne rrenimeve”2, fakt që e ka vu ne dukje edhe Jirečeku në studimin “Shkodra dhe rrethina e saj ne mesjetë”3.
Me gjithë këto trazime të randa, Shnjini, edhe mbas vjetve te vështira të skizmatikëve, e vazhdoi jetën dhe veprimtarine e tij kishtare, madje politike dhe ekonomike, sidomos gjatë shek. XV, XVI, XVII, si: me 1403, 1404, 1421, 1423 ne trajtat S. Johannis, S. Johanni; më 1426 S. Zuan, S. Giovanni, 1441-1445 S. Johannis, 1449, 1459 S. Johanni, më 1485 me emën te dyfishtë Shëngjin ose Rasha, po kështu në vjetin 1582, me 1628 S. Giovanni dhe me 1688 po në këtë trajtë.
Ndër disa burime mësojme edhe ndonji abat te kësaj abacie, e ndonji te dhanë tjetër. Keshtu, me datën 29.11.1376 marrim vesh vdekjen e abatit Michele, me 05.08.1421 mësojmë emnin e abatit Andrea Sporo me 1421, 14234, dhe duket se ashtu nji mbiemër shqiptar, i mbetun edhe sot në toponimi, Quku i Shporeve (pikërisht në Vorfe). Në nji dokument që mban datën 18.09.1445, shkruhet se Venediku i dhuron abatit te Shen Gjonit Katundin Veronica që ma parë ishte i rebelit Bitrassin ILLICH5, kurse në vjetin 1459 shohim se Papa Piu II urdhënon t’i kthehet Pietro Czaronis abacia e S. Giovannit të Shtojit, e zanun prej priftit Paolo Angelo6, ku duket se kemi të bajme me zavendësim priftnish.
Duhet theksuar se në raportin kishë e katund, Shnjini përmban nji prej rasteve tipike te nomenklaturës sonë topogjeografike, ku kisha ka perfaqësue gjate gjithë kohënave katundin, pra Rrashi asht njoftë gjithnjë si Shnjin, ku dhe me 1485 e 1582, në plan te parë vinte Shnjini, mandej Rrashi. Kurdoherë, pra përparësia dhe perfaqësia i takonte emnit të shenjtit.
Tue kalue te jeta ekonomike demografike dhe të aspekte te tjera, shohim se Shnjini ka disa veçori specifike. Nji ndër kërkesat e bashkisë së Drishtit, që i kishte paraqitë Senatit të Venedikut, me 7 maj 1403, ishte edhe kjo qe pronat e Shnjinit mos me pague të dhetën, por në pergjigjen e arsyeshme lexohet: “Për kapitullin e njëmbëdhjetë në të cilin kërkojnë që pronat tokësore të abacisë së shen Gjonit të Strilalit (Shtojit – F.L.), në rrethin e Drishtit të mos detyrohen të paguajnë të dhjetën, etj. etj. të jepet përgjigja që, pasi pronat tokesore të asaj abacie u jepen me qira fshatarëve që i punojnë, dhe ata i japin qira abatit dhe rektoreve tanë të dhjetat për punimet e veta, ashtu siç bëjnë shtetësit e tjerë tanë, nuk na duket e drejte as e arsyeshme t’i shkarkojmë ata nga e dhjeta në fjalë sepse, po t’i shkarkonim ata, edhe shtetasit e tjerë tanë do të kërkonin një ndër të tillë të cilin ndershmerisht nuk do të mundim t’ua mohonim”7.
Të dhana me vlere nxjerrim prej Defterit të regjistrimit të Shkodrës që i takon vjetit 1485, ku Shnjini kishte 33 shtëpi dhe me mjaft të ardhuna, si: grunë, elb, bathë, musht e li, bashkë me disa taksa, si taksa e govadës (e bylmetit), e bletëve, e perimeve, e druve, e barit si dhe bidatin e derrave, tue u regjistrue edhe tri veneshta në këtë vend.
Pothuajse nji shekull ma vonë, në vjetin 1582, në Shnjin ka nji rritje të dukshme në drejtim të numrit të shtëpive, bile ato ndahen edhe sipas feve.
Kështu, gjatë këtij vjeti, regjistroheshin 20 shtëpi çift myslimane dhe 36 shtëpi e bashtina të krishtena, 14 gjithsej, pra 56 shtëpi. Prej këtyne dëshmive kuptohet se feja katolike, në këtë kohë, ishte në dobësim, patjetër si rezultat i perhapjes se islamizmit, por edhe skizma duhet të ketë ndiku aty. Shekujt kishin ba të tynen edhe në jetën kishtare, si në atë ekonomike e shoqënore. Ketu nuk asht pa vend dëshmia e Don Vincentit e vjetit 1628, gati nji gjysë shekulli ma vone kur për Shnjinin thotë se “të gjithë ishin të pafe përveç disa grave8” natyrisht që “të pafe”, ai merrte ata qe e kishin lanë fenë e krishtenë dhe kishin kalue në fenë islame.
Tue e shikue e studiue me vëmëndje rregjistrimin e vjetit 1485, gjejmë disa emna e mbiemna njerëzish qe kanë nji interes të posaçëm per terminologjinë tonë kishtare. Në Shnjin dalin te dokumentuem dy persona me emrat Prenti, i biri i Kershendelles (kershendella). Gjergji, i biri i Kershendelles, bile ky i fundit kishte edhe tre vllazen me emnat Gjergj (dy) e Moneta,9 për të cilat përsëri duhet pranue mbiemri i të parit Gjergj, Kërshëndella.
Siç shihet mirë prej vetë grafisë historike të këtij mbiemri kaq kuptimplotë, aty kemi të bajmë me emrin e Kershendellave, ma e vjetër Kershendel i cili, në nji mënyrë të mahnitshme, la gjurmët e veta në sistemin e pasun të antroponomisë sonë të vjetër.
Ne nji trajte te afërm, disi te evoluar, këtë mbiemër e gjejme me 1485 edhe në Rrashin tjetër te ketyne anëve, me grafinë Kershendela, Kushendela, që kurrsesi nuk largohet prej Kershendella, Kshendella. Gjithsesi, nomenklatura kishtare ka jetën, historine dhe vlerën e saj te madhe e te pazevendësueshme ne sistemin e onomastikës ne pergjithësi.
Emri i personit Moneta asht nji ndër gjurmët e familjes se njohun mesjetare Moneta në Drisht, e cila mbas pushtimit të këtij qyteti, me 1478, prej turqve, emigroi në Itali (Friuli)».
 
 
Shënime (numërimi pasqyron origjinalin në shqip)
1 Drishti në “Revistë shkencore” e Shkodrës, 1964, fq. 164.
2 Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis Illustrantia, II, 1918, dok. 93: shih M. Bufflay, Serbët dhe Shiptarët, 1926, fq. 153.
3 Ne Illyrisch-Albanische, 1, fq. 114.
4 Saggio, 163, 540; Acta Albaniae, X, 2497, 2500; XI, 2508, 2890.
5 Saggio, 715; Acta Albaniae, XIX, 5164.
6 Saggio, 908.
7 Dokumente të shek. XV, I, 333.
8 Relacione, I, 384.
9 Defteri, fq. 397, 398.
 
[1] AAlb., 93, fq. 31.
[2] AAlb., II, 119, fq. 32.
[3] L. c. 329, fq. 77.
[4] SUFFLAY, 1, c., fq. 270.
[5] AAlb., II, 728, fq. 221.

Shenjtorja e Zojes se Shkodres

 

SHENJTËRORJA E ZOJËS SË SHKODRËS
 
Historiku


 
Viti 1467 është viti, kur, si rrjedhojë e një sulmi turk, qyteti u braktis dhe qytetarët u bartën mbi kodër, brenda kështjellës, ku jetuan, deri  në vitin 1479. Është viti kur në traditën e Shkodrës kujtohet shpërngulja e Figurës së Shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë. Është viti kur u shfaq në Gjenacan, e shoqëruar prej dy shkodranëve, Gjergji e De Sklavis.
Pas traktatit të paqes të 25 janarit 1479, nuk qe më e mundur të kishte lajme që të provonin shpërnguljen e Figurës së Shenjtë dhe traditën e lidhur me të në Shkodër.
Prandaj për një kohë të gjatë nuk qe e mundur të kishte as lajme të sakta rreth traditës vendore shqiptare, në lidhje me shpërnguljen. Ishte e pamundur, sepse të gjithë të huajt shiheshin me dyshim. Rreth gjysmës së shekullit XVIII diçka lëvizi dhe pati disa hapa nga ana e njerëzve që mund të jepnin njoftime më të hollësishme.
Pas dy vjetësh, në 1747, gjendej në Romë, në kishën e Aracoelit, në të cilën po kremtohej Nëntëshja për kanonizimin e Shën Pjetër Ragalatit, Kola i Ndoc Kamsit, “fisnik i Qytetit të Shkodrës, e Bamirës i nëntë Kishave, që gjenden në afërsi të Qytetit të lartpërmendur”…..
Më vonë kemi edhe dëshmi të tjera, ndër të cilat ajo e Atë Giampiero da Bergamo O.F.M. Prefekt Papnor i Misioneve të Kastratit dhe i Parë i Kuvendit të Françeskanëve të këtij qyteti, dëshmi e 16 korrikut 1878, që jep një përshkrim interesant dhe të hollësishëm të rrënojave të kishës. Një hollësi për t’u vënë në dukje është zgavra që nga përmasat u përgjigjej atyre të pikturës së nderuar dhe që gjendet në Gjenacan.
Më 17 dhjetor 1878, Imzot Engjëll Radoja, Vikar i Përgjithshëm i Shkodrës, do të lëshonte një tjetër dëshmi me rëndësi në lidhje me vendosjen e kishës, e quajtur kishëz, në të cilën gjendej “Figura e Zojës së Shkodrës”.
Kuvendi i III i Arbrit (1895) propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor njëzëri dhe iu parashtrua Atit të Shenjtë, Papës Leoni XXIII, prej të cilit u mor pëlqimi dhe 26 prilli u shpall si ditë kremte për dioqezat e Shqipërisë.
Vetëm pas shpalljes së pavarësisë prej zgjedhës turke (28 nëntor 1912) mundi të niste rindërtimi i Shenjtërores së kushtuar së nderuarës Zojë së Shkodrës. Punimet nisën pikërisht në vitin 1917, në kulmin e Luftës I Botërore.
Më 23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodrës i Figurës së Shenjtë.
Toka mbi të cilën gjendeshin gërmadhat e shenjtërores së lashtë, i dhurohej prej Komandës së Lartë të Korparmatës XIX austriake, Arqipeshkvisë së Shkodrës. Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një dokument pronësie që, më 7 korrik 1917 iu dorëzua arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Pastaj më 31 korrik u bekua guri i parë.
Me vitin 1944 erdhën kohë të zymta për Kishën dhe Kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist e prandaj ateist, u sul me furi kundër gjithçkaje që përfaqësonte katolicizmin në Shqipëri. Të njëjtin fat pati edhe Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, që do të pësonte barbarizmin “kultural”. Përveçse u shkatërrua ndërtesa, u nxorën dhe u hodhën në lumin aty pranë mbetjet e Arqipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqi, që kishte qenë i varrosur brenda kishës.
Me kthimin e ligjshmërisë në Shqipëri, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë aq të pritur, filloi një punë e vazhdueshme dhe e dendur për të rindërtuar gjithçka që mund të shpëtohej. Do të rilindte kështu edhe Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës. Me projekt e përmasa të njëjta, siç kishte qenë para shembjes. Ky vend i shenjtë kulti pati mecenatin e vet te një shqiptar, Imz. Simeone Duca, i Kolonisë Arbëreshe (Borgo Erizzo), pranë Zare, koloni shqiptarësh që në shekullin XVIII.
 
 (nga broshura “Shenjtnorja e Zojës së Shkodrës Willy Kamsi)
 
Më 25 prill 1993 u bekua gurthemeli nga Papa Gjon Pali II, i cili na dhuroi edhe Kopjen autentike të Figurës së Zojës, që nderohet në Shenjtërore.
Me nxitjen e Arqipeshkvit Imzot Frano Illia, filluan punimet e rindërtimit. Nga emërimit si Administrator Apostolik të Imzot Angelo Massafra, të ndihmuar nga Mons. Lucjan Avgustini, Famullitari i Katedrales, punimet u përshpejtuan deri në kushtimin e Shenjtërores, që u bë më 24 maj 1998 nga Kardinali Jozef Tomko, Prefekti i kongregatës “Propaganda Fide”.
 
 
 
 
URATA E PAPËS GJON PALI II ZOJES SË SHKODRËS
 
Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Shqipërisë, ti Nëna jonë e Ëmbël! Ty që në zemër të rrjedh gjaku i popullit tënd: ktheji sytë e tu mbi këtë komb i cili ka pasur fatin të marrë mësimin e parë të Ungjillit nga goja e Apostujve e që Ty të ka nderuar përherë me dashuri të pastër bijësore.
Edhe sot në errësirën e provës ky komb të drejtohet Ty plot shpresë e pret ndihmën tënde amnore.
Ti i prin Kishës në shtegtimin e fesë: hidhi sytë e tu mbi bijtë e bijat shqiptare të cilët janë duke udhëtuar të ngarkuar me prova e mundime.
Forco të ligështit, ngushëllo të mjeruarit, mbaje të gjallë fenë në zemrën e të gjithëve!
Nënë e Shëlbuesit,
bekoji familjet e krishtera të cilat përbëjnë thelbin e Kishës së Birit tënd hyjnor.
Nënë e shpresës, shpejtoje ditën në të cilën ky popull fisnik do të shikojë të realizuara edhe një herë të gjitha dëshirat e thella të shpirtit të tij, atëherë kur të gjithë, bij e bija, do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar të ardhmen në drejtësi e në paqe! Amen.

 

Bijte e don Oriones ne shqiperi

 

 

1.       Prej shkrimeve të dom Oriones

24.07.1920 – Dom Sterpit: “Kardinal Marini, Prefekt i Kongregatës për Lindorët, propozon një Mision në Shqipëri” (14, 54).

11.05. 1935 – Dom Sterpit: “Për Shqipërinë do të thoja të pranonim. As në Uruguaj dhe as në Brazil nuk ka Mision të vërtetë. Këtu janë më të qytetëruar dhe më të zhvilluar se atje: të qytetëruar sipas qytetërimit modern” (18,95 2 27, 223).

15.05. 1935 – Dom Sterpit: “Për sa i përket Shqipërisë them të pranojmë. Bëhet fjalë, tani për tani, për tre meshtarë dhe ndonjë vëlla laik. Do t’i shkruaj quam citius Kongregatës Propaganda Fide. Por tani për tani, nuk është rasti të flasim për shtypin” (18, 98).

10.06. 1935: – “Mendoni pak se kë mund të dërgojmë në Shqipëri. Duhet të jenë të shëndetshëm, pasi mendoj se në ato vende ka sëmundje, duhet të jenë meshtarë të sigurt për nga morali, devotshmëria dhe doktrina, që mund të mësojnë, të jenë veprues, të zellshëm dhe që të mos mbyten në një pikë ujë” (19,99).

14.06. 1935 – Dom Sterpit: “Për Shqipërinë do t’i shkruaj Propagandës, së shpejti. Nevojiten tre meshtarë dhe do të duhej të dërgonim dikë që të mund të bëhej edhe Ipeshkëv. Do të doja të vija një kusht: domethënë të na siguronin një Vikariat Apostolik dhe unë, do të siguroja dërgimin e një personeli të zgjedhur” (18, 112).

19.06. 1935: – Dom Xhemelit: “Ka të ngjarë se do ta pranojmë Misionin në Shqipëri. A e ndien të vihesh në krye të tij?” (23, 94).

20.07. 1935: – “E pranoj Misionin që na propozohet në Shqipëri. Tre meshtarët që na janë kërkuar do të hapin shkollën fillore për fëmijët italianë” (48, 122).

05.08. 1935: – Dom Sterpit: “Propaganda duhet, sidomos, të na sigurojë se Misioni në Shqipëri, do të ngrihet në rang Prefekture, Vikariati Apostolik apo Dioqeze, besuar një pjesëtari të kongregatës sonë, për të mos u gjendur atje, të hedhur pak këtu e pak atje, në mëshirë të nuk e di se kujt, dhe si priftërinj të shpërbërë dhe shekullarë. Një gjë e tillë ka rëndësi madhore” (18, 126).

04.09. 1935: – Dom Sterpit: “Meqë Eprori që duhet të shkojë në Shqipëri, një të nesërme i duhet të jetë të paktën Vikar apo Prefekt Apostolik - nëse jo më shumë - dom Xhemeli më duket më i përshtatshmi dhe më i sigurti; dhe pastaj është mjaft i kujdesshëm dhe i rrahur me jetën” (18, 140).

16.09. 1935: – Dom Sterpit: “Jam shumë i gëzuar që, për sa i përket Shqipërisë, po dërgoni më parë dom Xhemelin, i cili do të njihet mirë me gjendjen. Por unë nuk jam më aq i gatshëm. Nëse territori, që do të na besojnë, është afër Durrësit, ku është Ipeshkvi, si mund të jetë një Vikariat Apostolik? Nuk do të jetë kurrë i tillë”. (18, 149).

02.10. 1935: “Në Shqipëri nuk do të shkojmë, nëse gjërat nuk janë të qarta dhe nëse pozicioni ynë nuk është jo vetëm i sigurt, por të ketë edhe atë zgjidhje që duam në një të ardhme jo të largët” (18, 156).

14.10. 1935: “Përgatituni në Hyjin për të vënë këmbën në Shqipëri” (18, 175).

21.12. 1935: – Dom Sterpit: “Kam lexuar Relacionet e dom Xhemelit dhe shoh se nuk do të shkohet në vendin që duhej të na ishte besuar neve. Duhet të synojmë aty ku mund të kemi një Mision tonin, nëse jo, do të mbesim në mëshirë të famullitarëve shqiptarë, s’do të arrijmë asgjë dhe do të na duhet, herët a vonë, të largohemi prej aty të dështuar. Kongregata jonë duhet të ketë një të ardhme në Shqipëri, nëse jo, atëherë duhet të gjejmë një mënyrë dhe të mos shkojmë” (18, 209).

28.10. 1936: – Dom Sterpit: “Do të doja të dija nëse dom Xhemeli është nisur apo jo për Shqipëri; nëse shkon dhe me kë shkon” (19, 134).

01.05. 1937: – Dom Sterpit: “Për sa i përket Shqipërisë tani për tani nuk kemi si të pranojmë. Lexojeni mirë letrën e Vizituesit apostolik, përveçse nëse ai thotë se duhet të pranojmë” (19, 232).

20.09. 1937: – Karontit abat: “Në Shqipëri, nëse nuk kemi një shpresë të bazuar mirë se mund të kemi, brenda një periudhe jo shumë të gjatë, një strehim misionar, ku mund të bëjmë një jetë bashkësie dhe një ripërtëritje në shpirt, do të thoja se është më mirë të tërhiqeshim” (50, 36).

21.10. 1938: – Një aspiranti për meshtar: “Nuk e di nëse e dini se tashmë në Shqipëri kemi nisur një Mision, të dërguar nga Propaganda Fide (47, 247).

24.09. 1939: – Dom Sterpit: “Nesër, nëse vjen Vizituesi apostolik, do të flas edhe për Shqipërinë” (19, 329).

11.10. 1939: – Dom Xhemelit: “Vizituesi apostolik nuk është i mendimit që ne të pranojmë Famulli; mendon se është më mirë të marrim një Jetimore” (23, 97).

11.10. 1939: – Imzot Nigrisit: “Vizituesi apostolik mendon se nuk është e rastit të pranojmë një famulli. Shkëlqesia e Tij Parini, që e njoh prej vitesh, mendon se është më mirë një Jetimore; nëse një gjë e tillë do të mund të realizohej, do të isha shumë i kënaqur (23, 97d).

18.10. 1939: – “Dom Bidone po përgatitet për Shqipëri” (84, 70).

20.09. 1937: – Karontit abat: “Për famullinë që na kanë ofruar, kam menduar për jo. Do t’ju lutesha të më thoni nëse mund të filloj bisedimet për Jetimoren” (50, 50).

 

2. Propaganda Fide

Dokumenti i parë që Arkivi na paraqet është ai i Kongregatës Propaganda Fide, me firmën e Kard. Fumazoni Biondit dhe të Sekretarit Karl Salotit. Dokumenti mban datën 27 prill 1935 dhe fton dom Orionen për t’u përkujdesur nga ana fetare për grupet e italianëve që ndodheshin në Shqipëri, duke hapur shkolla fillore dhe duke bërë veprimtari misionare.[1]

 

Ja teksti i Sacra Congregatio de Propaganda Fide:

“Shumë i nderuar dom Luigji Orione, Epror i Përgjithshëm i Bijve të Provanisë Hyjnore.

Shumë i nderuar Zotëri, i janë të njohura kësaj Kongregate të Shenjtë meritat e Institutit të ri rregulltar BIJTË E VEPRËS SË VOGËL TË PROVANISË HYJNORE, të cilin ju denjësisht drejtoni, ashtu siç njeh mjaft mirë miratimin me të cilin janë mirëpritur nismat për të bërë të mirën, ndërmarrë prej këtyre rregulltarëve, këtu në Romë dhe në pjesë të tjera të Italisë.

Ata, deri tani, nuk patën rast të ndërmerrnin Vepra Misionare në territoret që varen prej këtij Dikasteri të Shenjtë. Ndoshta tani ka ardhur koha e volitshme për t’ju ftuar që të merrni përsipër një punë, që, edhe pse e pakët në fillim, mund të ketë në vazhdim një zhvillim shumë më të gjerë.

Bëhet fjalë për përkujdesjen fetare që duhet t’u bëhet disa qendrave në Shqipërinë e Jugut, ku banojnë shumë punëtorë italianë. Hollësitë e këtij propozimi janë shprehur në promemorien bashkëngjitur këtij dokumenti.

Dua ta quaj të pjekur këtë gjë, dhe, nëse është e mundur, t’i jap këtij Dikasteri të Shenjtë përgjigje pohuese, ashtu si me gjithë shpirt dëshirohet.

Në pritje, përshëndes me gëzim Zotërinë tuaj shumë të nderuar dhe shumë të devotshëm në Zotin.

 

Kardinal Pietro Fumazoni Biondi Prefekt

Karl Saloti Arqipeshkëv Titullar i Sekretariatit

(bashkëngjitur)

S. CONGREGATIO DE PROPAGANDA FIDE

 

Përkujtesë

Arqipeshkvia e Durrësit përfshin një territor më të madh se gjysma e krejt territorit shqiptar, në të cilën ndodhen pesë dioqeza latine.

Pjesa jugore është gati krejt e braktisur, për mungesë klerikësh dhe mjetesh.

Është menduar që kjo pjesë të shkëputet për të bërë një mision, apo një dioqezë, të pavarur dhe pritet mendimi i Delegatit Apostolik.

Ndërkohë dëshirojmë me gjithë shpirt, dhe me ngut, t’u vijmë në ndihmë nga ana shpirtërore italianëve të shumtë që gjendet në Korçë, Bevoll dhe Shijak[2].

Tashmë janë premtuar edhe ndihmat, si më poshtë vijon:

a.    për Korçën, Legata mbretërore italiane do të jepte, mesatarisht, 165 lireta në muaj;

b.    për Devollin, Ndërmarrja Italiane Petroli Albania (NIPA) do të strehonte meshtarin dhe një ndihmë mujore në para;

c.    për Shijakun, enti Industrial Bujqësor Shqiptar (EIBSh) do të duhej edhe të fillonte mësimin fillestar fëmijëve italianë.

Do të ishte e dëshirueshme që tre Meshtarët t’i përkisnin të njëjtit Institut, me qëllim që të mund t’u besohet, në vazhdim, Misioni i projektuar në pjesën jugore të Arqipeshkvisë së lartpërmendur të Durrësit.

Por le të kthehemi pak prapa. Në vitin 1934 Delegati Apostolik i Shqipërisë, imzot G.B. Della Pietra, jezuit, iu drejtua Selisë së Shenjtë, duke bërë të ditur numrin krejt të pakët të meshtarëve dhe mungesën absolute të klerit italian, të nevojshëm për grupet italiane në Shqipëri. Imzot Saloti, sekretar i atëhershëm i Kongregatës Propaganda Fide e mori për zemër çështjen e përkujdesjes fetare të këtyre grupeve dhe iu lut dom Oriones që ta pranonte misionin në Shqipëri.

Por dom Orione ishte në Amerikë; kjo shpjegon edhe pse praktikat u zgjatën pak si shumë.

Shtytjet më të mëdha i ishin bërë dom Oriones prej imzot Leone G.B. Nigrisit, Nunc Apostolik i Shqipërisë në atë kohë. Dom Orione i kishte siguruar se vepra do të kishte filluar, dhe se ai vetë, sapo të kishte mundësi, do të kishte shkuar në Shqipëri për t’i dhënë fillim kësaj vepre. Ndërkaq dom Orione u sëmur, dhe kur duhej të nisej për Shqipëri, sëmundja e tij u rëndua shumë dhe mjekët i ndaluar çdo lëvizje (shkurt 1940). Një muaj më vonë Themeluesi shkoi te Zoti (12 mars 1940).[3]

 

3. Dalja për zbulim

Në vitin 1935 u bë një udhëtim i parë nga dom Xhemeli në Shqipëri për të shqyrtuar de visu situatën e për të vendosur lidhjet e para.[4] Durrësi, Shkodra, Tirana dhe Vlora qenë etapat kryesore. Ai vizitoi edhe Shijakun: “Doja ta mbyllja eksplorimin tim të parë duke vizituar atë që me shumë siguri do të kishte qenë vepra e parë orionine në Shqipëri […]. Fola edhe me Gustavo Paletin, drejtorin e Ndërmarrjes, i cili më tregoi territorin e gjerë ku do të vepronim, që banohej nga bashkëkombasit tanë: fusha e bonifikuar ishte tejet e gjerë, por ende mbretëronte malaria, shpesh shumë e rrezikshme: e quanin ZONA E VDEKJES […]. Pas 14 ditësh u ktheva në Itali.

Dom Xhemeli ia bëri të ditura të gjitha këto dom Sterpit dhe bëri një relacion për Propaganda Fide-n; u takua edhe me Kard. Fumazoni Biondin. Me gojë shtoi edhe disa përshtypje të tjera, që i quajti me vend të mos i paraqiste me shkrim. Kardinali “Më rrahi shpatullat - vazhdon dom Xhemeli - dhe shtoi: “E dimë, e dimë, i dashur Atë. Por Shqipëria ka një mëkat të madh për të larë: mohimin e fesë!”. Më bënë shumë përshtypje ato fjalë, dhe më janë kthyer shpesh në kujtesë kur më vonë unë vetë qenë i pranishëm në shumë skena të forta… ku kam vuajtur shumë”.

 

4. Fillimet

 “Në tetorin e vitit 1936 – shkruan dom Xhemeli – morëm veprën e Shijakut: mision katolik me të drejta famullitare, përkujdesje shpirtërore të Italianëve të EIAA-së, shkolla fillore të EIAA-së (të përziera), orator (të përzier), përkujdesje për ruajtjen e fesë mes katolikëve, dhe përhapjen e fesë mes ortodoksëve dhe myslimanëve. Në fillim qeshë unë, pastaj dom Spada.[5]

Në vitin 1939 pranuam jetimoren e Zemrës së Shenjtë në Shkodër, ku në fillim qe dom Laxarini e pastaj unë.

Në vitin 1940 morëm ndërmarrjen bujqësore të Bushatit, ku ndodhej edhe një kishë. Aty shkoi dom Farinaso, të cilin e donin të gjithë, sidomos sepse e thoshte “shumë mirë Meshën”.

Po në vitin 1940, morëm në Shkodër, edhe shtëpinë për të moshuarit, në të cilën ishte edhe Shtëpia jonë e formimit, probandati dhe seminari i klerikëve, e cila quhej SHTËPIA CEKA, prej familjes së fisshme së cilës i përkiste. Aty u vendos dom Aliçe.

Në famullinë e Kallmetit qe dom Luigji Laxarini për rreth 6 muaj në vitin 1945.

Po në vitin 1940 dom Bidone u kujdesua për të hapur një shkollë profesionale në Durrës”.

 

Në vitet 1941-1942, këto ishin bashkësitë fetare:

 

Misioni katolik në Shijak

Dom Sante Xhemeli

Dom Paolo Bidone

Jetimorja “Zemra e Shenjtë” në Skkodër

Dom Luigji Laxarini

Dom Adriano Aliçe

Kleriku Mario Bixheli

Kleriku Françesko Karozio

 

Kampi bujqësor në Bushat

Dom Gjovani Farinaso

Koadiutori Enea Nikelini

Koadiutori Karlo Serra

Koadiutori Livio Pangraci

Koadiutori Antonio Tozi

 

Në vitet 1943-1944

 

Misioni katolik në Shijak

Dom Xhulio Spada

 

Jetimorja “Zemra e Shenjtë” në Shkodër

Dom Luigji Laxarini

Kleriku Agostino Ançilari

 

Kampi bujqësor në Bushat

Dom Gjovani Farinaso

 

Shtëpia Ceka në Shkodër

Dom Sante Xhemeli

Kleriku Luigji Betioli

Kleriku Arçeste Mioni

Kleriku Mario Penca

 

Kisha e Shën Palit në Durrës

Dom Paolo Bidone

 

5. Vizita e dom Sterpit në Shqipëri

Pasi vdiq dom Orione, imzot Nigrisi nguli këmbë për realizimin e veprave që ishin projektuar më parë.

Njëri prej mendimeve të para të dom Sterpit qe vizita në Shqipëri, sapo u zgjodh Drejtor i përgjithshëm i Kongregatës prej Kapitullit të parë të përgjithshëm (Montebelo të Bataljes, 3-9 gusht 1940).

Më 1 tetor 1940 dom Sterpi ndodhet në Bari me dom Piçininin; hipin në vapor, por bllokohen me urdhër të autoriteteve ushtarake. Më në fund, më 3 tetor në darkë (nuk ishin larguar aspak prej vaporit) nisen drejt Shqipërisë. Udhëtimi ishte i rrezikshëm për shkak të ndonjë silurimi apo sulmi ajror të mundshëm. Më 4 tetor, në orën 10.00 mbërrijnë në Durrës, ku mikpriten prej Arqipeshkvit imzot Prendushit, përfaqësuesit të Qeverisë, Prefektit, Kryetarit të Bashkisë, Miqve e Bamirësve të shumtë. Janë gjithashtu të pranishëm edhe dom Xhemeli, dom Bidone, dom Laxarini, dom Farinaso, dom Spada e Vëlla Karl Serra[6]. Po këtë ditë shkojnë në Shijak. Më 5 tetor shkojnë në Tiranë, më 6 tetor në Shkodër, më 7 tetor në Elbasan e Korçë. Më 8 tetor, pasi u hodh poshtë mundësia e rrezikshme për t’u kthyer me vapor, dom Sterpi dhe dom Piçinini nisen për Romë-Çiampino me aeroplan. Gjatë udhëtimin pikasen prej një aeroplani anglez, por arrijnë t’i ikin. Pasi shkon në Onjisanti, në darkën e po asaj dite dom Sterpi niset për Venecie.

 

6. Dëbimi[7]

Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës (20 tetor 1944) u shfaqën simptomat e para shqetësuese, si ndalimi i shtypit katolik dhe kërcënimi i shkrirjes së shoqërive katolike. “Megjithëse jepnin sigurimeve të vazhdueshme se institucionet katolike nuk do të prekeshin”. Por faktet për fat të keq nuk iu përgjigjën fjalëve të bukura.

Filluan t’u binin në qafë shoqërive katolike në veri dhe misioneve në jug. Të shumta qenë bastisjet dhe kontrollimet e instituteve.

Pas dëbimit të Delegatit Apostolik, në korrikun e vitit 1945, u mbyllën kopshtet, jetimoret dhe shkollat që drejtoheshin prej motrave dhe rregulltarëve, u dëbuan rregulltarët dhe motrat italiane.

Me gjithë shfaqjet e përsëritura të afektit dhe të simpatisë për veprën që kishim bërë në jetimore, kampe bujqësore, shkolla, etj. dhe sigurimet e vazhdueshme se nuk do të na kishin shqetësuar, madje do të na kishin mbështetur, më 19 janar 1946, në orën 11.00, u lajmëruam të linim Shkodrën dhe shtëpitë e tjera për t’u kthyer të nesërmen për Itali. Pesë orë më vonë, dy roje, dërguar prej komandës së Mbrojtjes së Popullit, ruanin jetimoren tonë të djemve, me qëllim që asgjë të mos merrej me vete dhe që të vëzhgoheshin të gjitha lëvizjet e personelit drejtues. Mundëm t’ua dorëzonim familjarëve jetimët katolikë, por shteti i mori prej aty dhe i solli sërish në jetimore për të formuar një jetimore të përzier, duke e kthyer kishën në sallë vallëzimi. Na u lejua që të merrnim vetëm gjërat më të nevojshme personale.

Mbrëmjen e datën 20 janar ishim në Durrës: bashkë me 9 prej nesh (11 të tjerë i kishin kthyer ne Atdhe më parë) ishin edhe 96 rregulltarë italianë. Qëndruam 48 ditë në pritje të vaporit, të mbikqyrur në një hotel, duke ngrënë sa për të mbajtur frymën gjallë e duke fjetur ku të ishte e mundur.[8] Më në fund pas shumë telashesh arritëm të ktheheshim në Itali”.

 

7. Kthimi në vendin e shqiponjave

Para vizitës në Shqipëri (25 prill 1993), Gjon Pali II kishte bërë thirrje që të ndihmohej Kisha martire në Shqipëri duke filluar veprën e ungjillëzimit. Vepra e dom Oriones, edhe për arsye afektive, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Atit të Shenjtë.

Prej procesverbalit të Këshillit provincial të datës 17 korrik 1991, mbajtur në Romë, lexojmë: “U lexua relacioni që Provinciali [dom Gjon De Meo] me datë 15 korrik 1991 i dorëzoi Gjeneralit mbi udhëtimin e bërë në Shqipëri, së bashku me dom Romolo Marianin, më 6-13 korrik. Ka perspektiva jo të pakta për të ngulur një ‘çadër’ në Durrës”.

Prej relacionit të shkurtër dërguar Drejtorit të përgjithshëm, dom Gjyzepe Mazieros, arrijmë të kuptojmë qëllimin e udhëtimit: njohja me vendet ku kishin punuar bashkëvëllezërit tanë dhe njohja e situatës së re; shkuarja në familjet shqiptare që ishin mikpritur në Shenjtëroren e Zojës së Kurorëzuar të Foxhës.

Vendet e vizituara janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Bushati, Shkodra.

Dy takime tepër mallëngjyese me Nënë Terezën e Kalkutës, e cila kishte hapur nëntë bashkësi në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër! Me këtë rast Nënë Tereza na ftoi që ta hapnim misionin tonë edhe në tokën shqiptare. “Nëse do Zoti”, iu përgjigj provinciali. “Sigurisht - përsëriti Nënë Tereza - nëse do Zoti!”.

Më 23 qershor 1992, Provinciali [don Antonino Vilari] referoi në Këshill mbi udhëtimin e bërë në Shqipëri, së bashku me dom Munjain dhe dom Marianin, si dhe mbi mundësinë konkrete për të filluar një vepër apostullimi në Elbasan. “U hap një diskutim i gjatë mbi mundësinë apo jo dhe mbi mënyrat e një angazhimi të Provincës në Shqipëri. Në fund u votua propozimi që Provinca të ngulë një “çadër” në Shqipëri: me një rezultat 5/5. Mbi mënyrat dhe kohët do të duhej të merreshim vesh me Këshillin e përgjithshëm dhe me Nuncin apostolik”.

Në Këshillin provincial të datës 28 korrik 1992 Eprorët miratuan hapjen e misionit nën udhëzimet e Nunzit Apostolik Ivan Dias[9] në Elbasan.

 

8. Data të rëndësishme

12-19 gusht 1992: dom Vilari dhe dom Munjaj shkojnë në Elbasan. Këtu bashkësia jonë rregulltare do të merret me përkujdesjen baritore të zonës dhe të bashkësive të Motrave.

18 tetor 1992: hapja zyrtare e misionit në Elbasan me detyrën e përkujdesjes baritore të kësaj zone, ungjillëzim dhe themelim të Kishës.

4 tetor 1993: Nunci Apostolik, Ivan Dias, falënderon dom Vilarin për emërimin e dom Salvator Kajones si “famullitar të Elbasanit”.

25 mars 1994: Nunci emëron dom Xhyzepe De Guljelmon “Coordinatorem operum pastoralium in Administratione Apostolica Albaniae Meridionalis – Bashkërenditës i veprave baritore në Administrimin Apostolik të Shqipërisë së Jugut”.

4 maj 1995: Letra e Nuncit dërguar dom Vilarit në lidhje me ndërtimin e kishës famullitare “Shën Piu X”. “Ajo është kisha kryesore e krejt rrethit të Elbasanin, që në të kaluarën njihej si kështjella e Islamit. Kurse tani, falë Provanisë Hyjnore, brenda në qytet gjenden gjashtë bashkësi rregulltare dhe tri në rrethina, gjithsej 4 meshtarë dhe 31 rregulltare”.

2-9 shkurt 1996: vizita kanonike provinciale në bashkësinë e Elbasanit.

12 mars 196: nënshkrimi i marrëveshjes – në Tiranë – “për ngarkimin e një Famullie kushtuar Shën Piut X në qytetin e Elbasanit dhe përkujdesjen baritore të Stacioneve misionare të po këtij qyteti” (Arqipeshkvi Ivan Dias, Administrator Apostolik dhe Dom Antonino Vilari, Drejtor Provincial).

2 shkurt 1997: shugurimi i kishës së re, që merr emrin “Famullia Shën Piu X”. Bashkësia tani përbëhet nga dom Xhyzepe De Guljelmo, dom Franko Galicia, dom Mario Baljo dhe kleriku Gjovani Paqe.

14 shkurt 1998: Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Anxhelo Masafra, i shkruan Imzot Domeniko Peçiles, ipeshkëv, dhe për dijeni Provincialit të ri, dom Luigji Fiordalizos: “Unë kam folur qysh më përpara me Provincialin e Etërve Orioninë, i cili është shprehur i gatshëm për të hapur Shtëpinë e dytë në Shqipëri, pikërisht në Shirokë, sigurisht sipas një marrëveshjeje”.

22 shkurt 1998: Drejtori i përgjithshëm, dom Roberto Simionato, miraton hapjen e bashkësisë së dytë rregulltare në Shirokë: shtëpi formimi dhe angazhim baritor në disa fshatra sipas udhëzimeve të ipeshkvit.

6 prill 1998: Provinciali, në Këshill, njofton se “ka vendosur t’i lërë dom De Guljelmon, dom Galician dhe dom Korradon në Elbasan, ndërsa dom Rolando Reda dhe dom Mario Baljo do të shkojnë për të formuar bashkësinë e re në Shirokë”. Atyre do t’u bashkëngjitet kleriku i parë shqiptar, Dorian Mjeshtri.

21 qershor 1998: hyrja zyrtare e bashkësisë në Shirokë.

 

[1] Bëhet fjalë për materialin e ruajtur në Arkivin e Selisë Gjenerale të Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore (Via Etruria 6, Romë). Redaktimi i tekstit të mëposhtëm është kufizuar vetëm në përmirësime të vogla me natyrë gramatikore.

[2] Shijak është një tkurrje e emrit “Shën Jak”, një prishje e emrit SANTIAGO, emër që i është dhënë kësaj zone prej disa spanjollëve, që dikur jetonin këtu.

[3] Por diçka vendimtare lidhur me Shqipërinë, dom Orione e kishte bërë. Më 1 janar 1940 kishte dërguar në këtë tokë dom Xhemelin, i cili ishte ngulur në Shijak, në ndërmarrjet bujqësore të Veprës Kombëtare të Luftëtarëve. Kjo Vepër, duke marrë përsipër ta rimëkëmbte bujqësinë shqiptare, kishte sjellë disa qindra italianë bashkë me familjet e tyre, nevojtarë për përkujdesje fetare dhe shkolla italiane për fëmijët e tyre.

[4] Dom Xhemeli pohon se në vitin 1935 (19 qershor: shih më lart) dom Orione i kishte shkruar në Rodi kështu: “Kam pranuar tri pika misionare, që më janë paraqitur nga Propaganda Fide, në Shqipëri, dhe për Epror të Misionit kam propozuar ty. Po afrohen pushimet, pra edhe koha e Ushtrimeve Shpirtërore; bëji në Itali, dhe dom Sterpi do të të lidhë me Propaganda Fide-n…”. “Ishte viti 1935, dhe tani është dom Xhemeli që shkruan: - Në gusht bëra Ushtrimet Shpirtërore në Itali, pastaj shkova te dom Sterpi. “A të ka shkruar Drejtori? Çfarë thua për punën e Shqipërisë? A ke ndonjë vështirësi? Çfarë të bëjmë?”. E pyeta nëse e dinte se ku do të shkonim, sa njerëz duheshin, si ishin gjërat: se çfarë duhej bërë, cilat ishin pengesat apo vështirësitë. “Jo – m’u përgjigj – nuk di asnjë”. Atëherë si mund të dërgoni atje menjëherë një grup meshtarësh? Do t’i futnim në gojë të ujkut… “Ke të drejtë – tha dom Strepi – Nesër do të nisem për Romë dhe do të dëgjoj se çfarë më thonë ata të Propaganda Fide-s”. Shkoi, foli: Saloti ishte emëruar Kardinal, nuk ishte më; megjithatë vërejtja ime, bërë dom Sterpit, u miratua prej asaj Kongregate të Shenjtë; dhe u mor vendimi se ishte me vend të dërgohej një meshtar, në zbulim, për të parë se për çfarë bëhej fjalë, dhe sikur, nëse ishte rasti, për të filluar veprimtarinë, duke përgatitur terrenin dhe kushtet e jetesës për bashkëvëllezërit e tjerë. Dom Sterpi, kur u kthye, më bëri të ditur se si kishin shkuar punët, dhe më ftoi të shkoja atje: ‘Pasaportën e ke gati, gjithashtu ti je caktuar pikërisht për këtë mision: kush është më i përshtatshëm se ti për një gjë të tillë? Pra shko’. Në Romë Italica Gens nuk më mori para për udhëtimin, si dhe më ndihmoi për vizën; mora edhe disa letra për Delegatin Apostolik të Shkodrës (që kryente edhe funksionin e arqipeshkvit të atij qytetit, pasi vendi ishte ende i lirë) dhe për Arqipeshkvin e Durrësit. Magjistër Pjetër Jura, shqiptar […]. Nga Bari u nisa drejt Durrësit, dhe shkova drejt e në Shkodër, te Delegati Apostolik, i cili me gjithë zemër më uroi mirë se ardhjen: nuk priste që Selia e Shenjtë të dërgonte meshtarë dhe rregulltarë italinë, në Shqipëri […]. Delegati Apostolik i Shkodrës më njohu me situatën e përgjithshme të Shqipërisë, më dha edhe disa këshilla të vlefshme”. Dom Xhemeli, duke vazhduar tregimin, bën të ditur për takimin me Magjistër Jurën, të cilit i paraqiti letrat kredenciale; te ai dom Xhemeli qëndroi një ditë të plotë gjatë së cilës folën për misionet e Propaganda Fide-s. Mbetej të merreshin masa për misionin e Shijakut, dhe me shumë dëshirë do ta kishin mikpritur një meshtar italian të Kongregatës së dom Oriones.

[5] Në kapitullin e parë të përgjithshëm, dom Xhemelit iu desh t’ia shpjegonte gjendjen e oratorit të përzier Karontit Abat, i cili publikisht kishte kërkuar nëse në Shqipëri kishte një orator. “Ishte më mirë që t’i kisha ndër sy, për të shmangur më të keqen në ato toka të humbura… Dom Piçinini pohoi fjalët e mia, duke thënë edhe se famullitarët anglezë, kishin një sallon për mbledhjet e të rinjve të të dy gjinive, edhe për vallëzime, me qëllim ruajtjen e fesë në familje nëpërmjet martesës mes katolikëve. Karonti, me shumë keqardhje të dom Oriones, kishte mendim të kundërt për Shqipërinë. “Çfarë bëni atje – thoshte – është një vend i ri, subjekt shpërthimesh të papërmbajtura dhe kataklizmash. Punoni, punoni, por pastaj do të mbeteni me gisht në gojë…”. Por kur vendosi ta shprehte më lart dëshirën e tij për të na larguar nga Shqipëria, ndeshi Kard. Salotin: “Ah, ke ardhur për të na shqetësuar. Mos u përziej për Shqipërinë… Lëri gjërat kështu siç janë!”. Ishin miq… Atëherë Karonti i la gjërat ashtu siç ishin dhe nuk iu kundërvua më veprave tona në tokën shqiptare.

[6] Vdiq më 3 gusht 1943 gjatë udhëtimit për në Itali, në moshën 25-vjeçare.

[7] Për kronikën e vizitës së dom Sterpit në Shqipëri, shih artikullin e botuar në La Piccola Opera della Divina Provvidenza, nëntor 1940, fq. 7.

[8] Këtu dom Xhemeli tregohet mjaft i butë në përshkrim. Në vende të tjera shkruan: “40 ditë kamp përqendrimi për të gjithë. 19 ditë burg për dom Xhemelin dhe 87.000 lireta për të paguar. Ruajtje të jetimores dhe 16 bastisje komuniste në shtëpinë e Shkodrës. Kërcënim me vdekje për dom Farinason dhe klerikun Betiol, të cilëve iu desh të largoheshin natën prej Bushatit. Vjedhje me armë në dorë në Durrës, Bushat, etj. Përfundimi? Ajo që doli në mënyrë krejt të vetvetishme prej gojës së një plaku mysliman shqiptar: “O atë, është hapur ferri dhe kanë dalë djajtë jashtë”. Palermo, 28 dhjetor 1963. Sante Xhemeli Meshtar bph”.

[9] Imzot Ivan Dias – aktualisht arqipeshkëv i Bombeit është emëruar kardinal në kuvendin e fundit – na udhëzoi ta zgjidhnin Elbasanin duke u nisur prej faktit se në Veri të vendit tashmë kishte shumë familje rregulltare.

 


Historia e pranise se Motrave Oblate te Zemres se Paperlyer te Marise ne Shqiperi

Instituti ynë ka zënë fill në vitin 1965. Themeluesja e këtij instituti është ende gjallë dhe quhet Motër Lodovika Peligrini Luçe. Karizma jonë është “Lutje dhe Pendesë”, sipas ftesës së Zojës së Fatimës me qëllim që ata që janë larg Hyjit të kthehen – për kthimin e mëkatarëve të shkretë. Më së shumti jemi soditëse. Kemi pesë orë lutje në ditë, të ndara në katër kohë. Adhurim të Eukaristisë çdo ditë nga një orë e gjysmë.

    Kemi ardhur në Shqipëri më 8 nëntor 1992, me qëllim që të viheshim në shërbim të Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar (Shkodër). Asistencë logjistike për Etërit dhe seminaristët. Të shtunave dhe të dielave shkonim në fshatra për Katekezë.

Me kalimin e kohës kemi ndier nevojën për të qenë të pranishme në ndonjë fshat, ku mund të zhvillonim më me frytshmëri apostullimin tonë; domethënë të ishim më në kontakt me fëmijët dhe familjet e tyre, të kujdeseshim më shumë për Liturgjinë dhe katekezën.

Në vitin 1995 Zoti ka dërgoi në fshatin Barbullush, rreth 20 km nga Shkodra. Aty ishte një Kishë e vjetër: gjatë komunizmit e kishin kthyer në garazh dhe në ofiçinë. Në vitin 1991 Vëllezërit e Nënë Terezës së Kalkutës kishin rifilluar të kremtonin Meshën e Shenjtë. Me ardhjen tonë në vitin 1995 filluam këto veprimtari: kisha ishte e hapur për të gjitha shërbimet baritore, kremtime liturgjike, takime lutjeje, katekizëm, takime me të rinjtë, ambulancë për nevojtarët.

    Në vitin 1996 duke qenë të vetëdijshme për problemet lokale dhe duke na munguar shumë gjëra të nevojshme, u ndërtua kisha kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, një ndërtesë për veprimtari të ndryshme dhe shkollë, si dhe kuvendi ynë.

Hapëm një kopsht në përgatitje për shkollën fillore.

    Nxitje njerëzore për të rejat me kurset e Rrobaqepsisë dhe të gjuhëve të huaja: anglisht dhe italisht.

    Vazhduam të bëjmë oste për të gjitha famullitë e qytetit dhe të fshatrave përreth.

 

    Programi i veprimtarive tona

    Katekizmi: Nëpërmjet Katekizmit, mund t’u jepnim një edukim moral dhe fetar të rinjve dhe fëmijëve të grup-moshave 4-10 vjeç. Ishin rreth 500 fëmijë dhe të rinj që ndiqnin çdo javë, por tani numri është ulur. Janë të ndarë sipas grup-moshave dhe klasave. Me fëmijët bëhen lojra, recitime, vallëzime, këngë, poezi dhe humor. Bëjmë edhe përgatitjen e të fejuarve për Sakramentin e Martesës.

 

    Kopshti me drekë: Pranojmë fëmijë të moshës 3-6 vjeç. Mësimi fillon në orën 08.00 dhe përfundon në orën 12.00. Bëjnë lexim, shkrim, piktura, tregojnë histori, bëjnë fiskulturë, marrin këshilla mbi higjienën, njohin natyrën, ndërtimin e objekteve të ndryshëm, këndojnë dhe recitojnë.

 

    Nxitja njerëzore:

  1. Rrobaqepsi: të rinjtë dhe të rejat shfaqin inteligjencën dhe aftësinë e tyre në modelet e ndryshme: teori e praktikë.

  2. Gjuhë të huaj: shfaqin vullnet të mirë në mësim, duke shkruar, lexuar dhe folur.

 

Në vitin 2001 kemi hapur një Shtëpi-Konvikt për vajzat në Shkodër. Këto vajza, që vijnë nga malësia dhe fshatrat e Shqipërisë Veriore, si dhe nga Kosova e Mali i Zi, janë të moshës 14-22 vjeçe dhe ndjekin shkollën e mesme apo universitetin. Objektivi ynë është që t’u ofrojmë një mjedis të përshtatshëm, të pastër, të qetë dhe të favorshëm për të studiuar.

Me kalimin e kohës, kërkesat për konvikt shtohen. Tani kemi ndër mend ta zgjerojmë ndërtesën për 70 vende. Shpresojmë që Zoti të na ndihmojë në realizimin e këtij projekti.

 

Suore Oblate del Cuore Immacolato

e-mal: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo."> Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

 

Casa di Formazione, Via Boccea 1180, 00166 Roma, Italia


Itinerar shpirtëror i vëllait Sharl të Jezusit

Më 13 nëntor 2005

Kisha shpalli të “lumtur”

Vëlla Sharlin (Charles de Foucauld)

 

 

Sot të shumtë janë ata që gjejnë

te vëllai Sharl një model të sigurt

për jetuar dashurinë

për Hyjin dhe për njerëzit.

 

 

 Sharl dë Fuko lindi në Strasburg në vitin 1858. Ai mbeti shumë herët një fëmijë jetim dhe i vrarë shpirtërisht. Ishte ende gjashtë vjeç, kur nëna i vdes në mars të vitit 1864 dhe i ati disa muaj më pas. Në kujtimet

e tij të fëmijërisë, ai do të përjetojë përherë me mall dhëmbshurinë me të cilën e rrethonte nëna e tij.

 

Përjeton një mituri të vështirë dhe humb fenë; zhytet në një jetë kënaqësish dhe parregullsish, për të mposhtur ndoshta trishtimin që e mbyste.

 

« Beja keq, por këtë as e aprovoja dhe as e doja. Ti më bëjë të ndjeja një boshllek të dhimbshem, një trishtim që nuk e kisha provuar kurrë deri atëherë, që me vinte çdo mbremjë kur gjendesha i vetmuar në apartamentin tim »  

 

Mirëpo në thellësinë e zemrës së tij mbetet një trishtim, një zbrazëti që asgjë nuk mund të mbushë. Më vonë nën dritën e fesë së rigjetur, ai do të kuptojë se kjo zbrazëti, ky trishtim ishin shenja të pritjes së pafund dhe të heshtur të Perëndisë, që nuk ia kishte kthyer shpinën.

 

 

 

« Qëkur isha pesëmbëdhjetë-gjashtëmbëdhjetë vjeç, leximet, që më pëlqenin shumë, kishin arritur të zhduknin prej meje çdo fe; nuk pranoja asnjë doktrinë filozofike, duke mos gjetur asnjë prej tyre të themeluar mbi baza të qëndrueshme, qëndroja në dyshim të plotë, sidomos larg fesë katolike, dogmat e së cilës, sipas meje, vritnin thellë arsyen» . (Letra Henri Duveyrier, 21.2.1892)

 

Ishte 22 vjeç, oficer, kur ai u dërgua në Algjeri. Atje mahnitet duke zbuluar horizonte të reja. Pas tri vitesh, largohet prej ushtrisë dhe rrezikon duke ndërmarrë një ekspeditë në Marok. Gjatë këtij udhëtimi ai mirëpritet dhe mbrohet disa herë nga myslimanë shumë fetarë, të cilët bëhen miqtë e tij. Dëshmia e besimit të tyre e bëjnë të mendohet aq, sa në vetvete i lind pyetja: «  a ekziston Perëndia? »

 

Kur kthehet në Francë, familja e tij e krishterë e mirëpret me mall, duke u treguar e matur me të, në veçanti kushërira e tij Mari dë Bondi. Ai vihet në kërkim. Falë providencës ai takon një prift, që do të jetë për të një atë dhe një mik : abati Hyvëlen. Në tetor të vitit 1886, në moshën njëzet e tetë vjeç rikthehet në fenë e tij.

 

Atëherë ai zbulon Zotin si një Atë shumë të afërt dhe plot dhembshuri, që e ka pritur parreshtur fëmijën e vet. Ekzistenca e tij shndërrohet tërësisht dhe, që sot e tutje, ai kërkon sesi t’i përgjigjet me tërë jetën e tij kësaj dashurie të pafund të Hyjit.

 

Një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë ia zbulon fytyrën e Jezusit të Nazaretit, Biri i Zotit, ardhur në mishin tonë, që ka bërë jetën e thjeshtë të një zejtari në fshat për tridhjetë vjet. Kjo varfëri e kjo përvujtëri bëjnë jehonë thellë në qenien e tij si një thirrje.  

 

Ai shkruan për këtë: « Më në fund, jam i etur të jetoj siç e kam parashikuar, parandier, duke ecur nëpër rrugët e Nazaretit që shkelën këmbët e Zotit tonë, zejtar i varfër, i humbur në poshtërim e në errësirë»

      
Përvijohet rruga, por ajo do të jetë e gjatë dhe e stuhishme. Vëllai Sharl kalon së pari shtatë vjet në manastirin “Notre-Dame des Neiges”, pastaj qëndron katër vjet në Nazaret, ku jeton si eremit para derës së një kuvenditë Klariseve.

        

Ai kalon gjithashtu shumë kohë duke përsiatur Ungjillin…dhe shumë shpejt kjo fjalë e Zotit do t’i drejtohet atij dhe ai do t’i përgjigjet:

           

« Më duket se nuk ka fjalë të Ungjillit që të më ketë tronditur aq thellë dhe të ketë shndërruar aq shumë jetën time sa kjo: “Gjithçka që ju e bëni njërit prej atyre të vegjëlve, ma bëni mua”.

Nëse mendojmë se këto fjalë janë ato të së Vërtetës së pakrijuar, ato të gojës që ka thënë: “Ky është trupi im...Ky është gjaku im...”me çfarë forcë jemi shtyrë për të kërkuar e për të dashur Jezusin te këta të vegjëlit » (Letra Louis Massignon, 1 gusht 1916)

  

Këto fjalë e shtyjnë të braktisë vetminë e tij për të shkuar drejt tokave më të lëna pas dore, ku Jezusi e pret te të gjithë ata dhe ato, që jetojnë në vuajtje dhe varfëri. Ai dëshiron gjithashtu t’u sjellë atyre që nuk e njohin, këtë dashuri të Zotit, që digjet në të si zjarr.

  

Vëllai Sharl ka rizbuluar atë që thoshte tashmë Shën Joan Gojarti/ Krizostomë në shekujt e parë të krishterizmit: duhej të ishin po aq të kujdesshëm ndaj pranisë së Jezusit tek i varfri sa edhe ndaj pranisë së tij në Eukaristi.

  

Ky parapëlqim i Zotit për të varfrit, për mëkatarët, për të fundit, e shkëput atë nga jeta e tij në eremitore, për t'ia dhuruar atë, gjithnjë e më shumë me dashuri Zotit të tij, por duke treguar përherë mikpritje, gatishmëri, bashkëndarje vëllazërore me më nevojtarët.

 

 Në vitin 1900, ai largohet përfundimisht nga Nazareti, kalon disa muaj në abacinë “Notre-Dame des neiges”, që të bëhet prift. I shuguruar më 9 qershor 1901 nga ipeshkvi i Vivjesë, niset disa muaj më vonë për Algjeri dhe vendoset në oazën e Saharasë në Beni-Abbés, në kufi me Marokun.

 

 Ai nuk ndërton një eremitore, por një Vëllazëri“, d.m.th. një shtëpi, dera e së cilës është gjithmonë e hapur për të gjithë ata që vijnë pa dallim nënshtetësie race ose religjioni. Ai shkruan :

 

«Nga ora 4.30 e mëngjesit deri në 8.30 të mbrëmjes njerëzit që vinin, të varfër, skllevër dhe mysafirë nuk më lënë asnjë çast...Të jesh bamirës, i butë, i përvuajtur, me të gjithë njerëzit: Jezusi na ka mësuar të shkojmë ‘si qingja ndër ujqërit’» (Letra M. de Bondi, 1902)

Në kapelën e Beni-Abbès pikturon figurën e Takimit të Virgjëreshës Mari me Elizabetën. Ai vendosi këtë festë si“festë e pajtores”për vëllezërit dhe motrat e vogla që duhen ta” sjellin Jezusin për të shenjtëruar popujt duke sjellë në mes tyre JEZUSIN në heshtje, sikurse Maria shenjtëroi shtëpinë e Gjonit duke çuar atje JEZUSIN.

Beni-Abbès

 

Kanë kaluar tashmë tre vjet që kur Vëllai Sharl është vendosur në Beni-Abbès.

 

Atje dëgjon të flitet për një popull të varfër, Tuaregët, dhe se është shumë e vështirë për të shkuar deri atje. Në vitin 1904, miqtë e tij oficerë i japin mundësinë të udhëtojë dhe të hyjë në kontakt me ta. Kështu, niset përsëri për udhë.

 

Për më shumë tre muaj ai ecën nëpër shtigje të lodhshme të shkretëtirës për të arritur në malet e ashpra të Hogarit, ku jetojnë si nomadë grupe të vogla tuaregësh. Sapo arrin atje, ai ndien brenda vetes një forcë që e shtyn për t’u vendosur në mes tyre. Por këto fise kanë një mosbesim të madh ndaj pushtuesve francezë dhe vetëm pas një viti Musa Ag Amastane, kreu i tyre, e lejon Sharlin të vendoset në Tamanraset. I vetëm, pa mbrojtje, mbështetet te mysafirët e tij dhe vendoset në një shtëpi prej balte, të ndërtuar brenda disa ditësh.

 

«Jam këtu jo për t’i konvertuar Tuaregët, por për të bërë përpjekje për t’i kuptuar…Unë jam i sigurt se Zoti ynë do t’i mirëpresë në qiell ata që qenë të mirë e të ndershëm…».

Që në takimet e para me ta, ai fillon të studiojë me pasion gjuhën e tyre. Ai kërkon ta njohë kulturën e tyre, duke qëmtuar me qindra vargje poemash e poezish, të kënduara rreth e rrotull zjarrit në mbrëmje, ku përcillet historia dhe shpirti i popullit tuareg..

Vëllai Sharl ushqen në zemër një dëshirë shumë të madhe: t’u flasë atyre për Jezusin dhe për Ungjillin, por e kupton shumë shpejt se kohët nuk janë pjekur për një shpallje të tillë. Atëherë, vetëm falë një pune me plot durim, miqësi e mirësi, ai mund t’u tregojë atyre se kush është Hyji i tij. Në vitin 1909 ai shkruan :

 

«Apostolati im duhet të jetë apostolati i mirësisë ; kur të më shohin mua, duhet t’i thonë njëri-tjetrit ‘Meqenese ky njeri është aq i mirë besimi fetar duhet të jetë e mirë’. Në qoftë se më pyesin përse unë jam i butë e i mirë, duhet të them: ‘Sepse jam shërbëtori i një shumë më të miri se unë, sikur ta dinit sesa i mirë është  Mësuesi im Jezusi...» (nga Ditari, 1900)  

 

 

  Shpërthen lufta e parë botërore në vitin 1914. Dhuna arrin deri në vendet e shkreta të Hogarit. Pothuaj kudo ngrihen fise kundër pushtimit frëng dhe pasiguria rritet.

 

Vëllai Sharl e di se gjendet në rrethina gjithnjë e më shumë të rrezikshme. I propozojnë që të shkojë për t’u strehuar në një post ushtarak frëng, por ai nuk pranon të braktisë ata që e kanë mirëpritur para dhjetë vitesh e më shumë. Në këto vite janë thelluar miqësia e besimi dhe ai ndihet i lidhur me popullin tuareg nëpërmjet solidariteteve njerëzore shumë të forta.

 

«Zoti im Jezu, që keni thënë: ‘Askush nuk ka një dashuri më të madhe sesa ai që jep jetën për miqtë e ti’… dëshiroj me gjithë zemër ta jap jetën time për ju, jua kërkoj këtë gjë menjëherë. Hyj im, falini armiqtë e mi, jepuni atyre shpëtimin»(Meditimi 1916)

 

 “Të jetosh të sotmen sikur të vdisja martir këtë mbrëmje”

 

Tërë jetën e tij ai ka kërkuar të ndjekë dhe të imitojë këtë Jezus të Nazaretit, që një ditë i rrëmbeu zemrën dhe tani dëshiron ta ndjekë atë deri te Mundimi dhe vdekja e tij, për t’i dhënë Jezusit provën e dashurisë më të madhe.

 

 Ishte mbrëmja e 1 dhjetorit 1916, kur një grup rebelësh e morën peng. Duket se ata nuk kishin ndërmend ta vrisnin, por në një çast paniku, ai që e ruante, e qëlloi nga shumë afër dhe kështu vëllai Sharl ra viktimë e dhunës si shumë të tjerë në ato vitet e luftës.

  

Nëse kokrra e grurit kur bie në tokë nuk vdes,

ajo mbetet vetëm;

nëse vdes, ajo jep shumë fryt (Gjn 12,24 )».

 

Ai vdes i vetëm si fara e grurit, por kjo është shenjë shprese, që vëllazëria njerëzore është më e fortë se të gjitha urrejtjet që sfilisin dhe përçajnë popujt. Pesëmbëdhjetë ditë më vonë kreu tuareg Musa Ag Amastane, që ishte bërë miku i tij dhe që ishte një mysliman i përshpirtshëm, i shkruan motrës së vëllait Sharl:

 

«Sharl, marabu (arabisht  d.m.th.njeriu i Zotit), nuk ka vdekur vetëm për ju, por edhe për ne të gjithë. Zoti i dhëntë mëshirë dhe u takofshim me të në parajsë»!

 

 

Jezuitët misionarë në Shqipëri

Fillimi i pranisë së Jezuitëve në tokën shqiptare i përket vitit 1841 me disa Etër që vinin nga Sicilia (Itali), kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Turke dhe nuk kishte kufijtë që ka sot. Ungjillëzimi nuk ishte aspak i lehtë, sepse i duhej të përballej me kundërshtime të shumta dhe të forta.

Në vitin 1854 me vendim të Zyrës Misionare të Vatikanit dhe të Ipeshkvijve shqiptarë, u hap në Shkodër Seminari për krejt rajonin e Ballkanit Jugor dhe iu besua Etërve Jezuitë italianë.

Në vitin 1877 u themelua Kolegji Saverian, në fillim si shkollë tregtie dhe më pas si Lice klasik, pas shpalljes së Shqipërisë, në vitin 1912, si shtet i pavarur nga Perandoria Turke.

Krahas këtyre veprave u zhvillua një punë e dendur misionare, kulturore, fetare dhe artistike, me grupe muzikore dhe teatrale, me revista dhe me shtypshkronjën "Zoja e Papërlyer". Veprat që ka lënë më shumë jehonë, sidomos në malësi, kanë qenë "misionet shëtitëse" (Missione Volante), të cilët kishin një ritëm pune pak paradoksal. Gjatë dimrit, kur njerëzit qëndronin më shumë në shtëpi, misionarët shkonin nga njëra shtëpi në tjetrën për ungjillëzimin dhe pajtimin e familjeve që ishin "në gjak". Gjatë verës ktheheshin në bashkësi për të studiuar historinë dhe zakonet e shqiptarëve, të riorganizonin të dhënat shkencore që kishin mbledhur, të shkruanin relacione, të botonin libra dhe fjalorë. Edhe sot, pas 50 vjet komunizëm, është ruajtur në kujtesën popullore bagazhi i këngëve të thjeshta me tekste katekizmi të kompozuara nga etërit tanë. Por populli kujton sidomos shembullin e jetës së tyre me të vërtetë heroik, duke pësuar të ftohtin dhe duke fjetur shpesh edhe në tokë në familjet ku ishin të ftuar.

Nga viti 1927 Jezuitët e "misioneve shëtitëse" filluan të punonin edhe në Tiranë duke u kujdesur për katolikët e paktë që ishin aty. Në shtëpinë me qera ju banonin, u përpoqën të hapnin  edhe një shkollë, por që nuk zgjati shumë.

Në vitin 1933 filluan ndërtimin e kishës së re të Zemrës së Krishtit. Gjë më tepër e vetme, sesa e rrallë: brenda kishës, përkohësisht, por që vazhdoi për disa vjet, ishte vendosur kapela e ritit lindor, që ndodhej në fund të navatës së majtë: latinë dhe lindorë ndiheshin mirë në një strukturë të vetme.

Në vitin 1944 komunistët erdhën në fuqi dhe konfiskuan pronat dhe veprat e Kishës me qëllim që të eliminonin të gjitha institucionet fetare, që mbaheshin si kundër kulturës ashtu edhe kundër përparimit të popullit shqiptar. Filloi kështu një shtypje e egër për zhdukjen e klerit katolik, i cili gjykohej si i rrezikshëm për ndikimin e tij të madh shpirtëror dhe kulturor mes njerëzve dhe për marrëdhëniet e tij me Perëndimin.

Më 21 qershor 1945 Atë Gardini dhe Maestri Gjergj Vata u futën në burg ku qëndruan për 10 vjet, deri në vitin 1955.

Mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1945, pas himnit Te Deum, edhe Atë Gjovani Fausti (zëvendësprovincial) dhe Atë Daniel Dajani (Rektor i Kolegjit Saverian dhe i Seminarit) u arrestuan. Pas një procesi të rremë u pushkatuan më 4 mars 1946. Disa muaj më vonë u burgos edhe Vëlla Gjon Pantalia, përgjegjës i Shtypshkronjës "Zoja e Papërlyer"; i torturuar mizorisht vdiq në shtator të vitit 1947.

Në listën e 40 dëshmitarëve të fesë, për të cilët ka filluar çështja e lumturimit, ndodhen edhe këta tre jezuitë.

Kështu filloi "via Crucis" për Jezuitët e Shkodrës dhe të Tiranës. Jezuitët italianë u përzunë, kurse ata shqiptarë u dënuan me punë të detyruara apo me burgim. Qysh atëherë deri në agimet e viteve '90 në sytë e perëndimorëve Shqipëria u zhyt në një heshtje të thellë: një heshtje që klithte më shumë se britma.

 

Në vitin 1990, sapo u bë i mundur praktikimi fetar, me ndryshimin e politikës së regjimit, Jezuitët u kthyen menjëherë në Shqipëri.

Në shkurt të vitit 1992 hapën në Arqipeshkvinë e Shkodrës një si "para-seminar", për një grup djemsh katolikë, të cilët kishin shprehur dëshirën për t'u bërë meshtarë.

Në vitin 1994 u ristrukturua një pjesë e pronave të vjetra ku kishte qenë edhe Kolegji Saverian, në vend të të cilin ishte ndërtuar një shkollë shtetërore. Dorëzimi i kësaj ndërtese shprehte pritjen e Jezuitëve për fillimin e misionit të tyre edukativ edhe në fushën shkollore. Kështu pak nga pak u përvijuan dy realitete, ai i Seminarit dhe ai i Shkollës së Mesme, njohur zyrtarisht nga Shteti. Seminari, me rindërtimin e disa prej Dioqezave të vjetra, u bë Ndërdioqezan, domethënë për krejt Shqipërinë: Nisi Shkollën e Filozofisë dhe të Teologjisë dhe inauguroi në vitin 1998 selinë e re të ndërtuar në vendin e ndërtesës së vjetër. Shpenzimet për përshtatjen e ndërtesës së shkollës dhe të Seminarit u mbuluan nga Organizma Kishtarë ndërkombëtarë (Renovabis), nga Provinca Italiane e Shoqërisë së Jezusit dhe nga shumë bamirës, që edhe sot e kësaj dite na mbështesin e na ndihmojnë.

Shkolla e Mesme "Pjetër Meshkalla", që është emri i një jezuiti shkodran i cili, për shkak të përballjes së tij të guximshme me regjimin, u bë simbol feje, kulture dhe lirie, zuri vendin e Kolegjit të mëparshëm saverian. Dy Etërit që morën drejtimin e saj, duke u frymëzuar nga tradita shekullore pedagogjike jezuite, janë duke gjallëruar shkollën sipas një projekti edukativ të hapur ndaj skenarit evropian, në kontekstin e një vendi që po kalon shndërrime të thella dhe në të njëjtën kohë shumë i kushtëzuar, shpesh i bllokuar nga interesa personale dhe strategji ekonomiko-politike ndërkombëtare.

Shkolla "Pjetër Meshkalla" që nga viti 1998 ka filluar të mbledhë një numër gjithnjë e më të madh djemsh e vajzash, derisa ka arritur numrin 500 (60% vajza), që është edhe numri maksimal aktualisht i mundshëm. Nxënësit janë të ndarë në 18 klasa, të krishterë (75%), pjesa më e madhe e të cilëve janë katolikë (ka pak ortodoksë) dhe myslimanë (25%). Meqë kërkesat janë të shumta, nxënësit pranohen duke iu nënshtruar një konkursi. Nga pikëpamja e nivelit social, rreth 25% e nxënësve vijnë nga fshati.

Kjo shkollë është një sfidë me rëndësi parësore për të ardhmen e Shqipërisë.

 

Në vitin 2000 u bë një ndarje reale e Shkollës së Mesme me Seminarin, sidomos pas ardhjes së etërve të tjerë në Rolin e Rektorit të Seminarit, Drejtorit të Studimeve të Filozofisë dhe të Teologjisë, si dhe të Drejtorit të Shkollës së Mesme.

Seminari është i ndarë në tri njësi: Seminari i Ulët me rreth 30 djem; Periudha Propedeutike, që është koha e verifikimit të thirrjes dhe e plotësimit të studimeve, me numër të ndryshëm subjektesh; dhe Seminari i Lartë me rreth 10 seminaristë. Kurset e Pesëvjeçarit Filozofiko-Teologjik ndiqen edhe nga klerikë të Instituteve të tjera rregulltare dhe nga disa motra, gjithsej 40 studentë.

Data 29 qershor 2000 është një datë e rëndësishme, pasi u shuguruan meshtarët e parë shqiptarë pas periudhën komuniste, të cilët përfunduan formimin e tyre në Seminarin e ri: 11 dioqezanë dhe një dyzinë meshtarësh rregulltarë.

Shkolla e Studimeve të Larta të Filozofisë dhe të Teologjisë, e bashkëngjitur me Seminarin, është e thirrur të ketë një rol të një rëndësie parësore: përpjekja e saj është inkulturimi në realitetin e një vendi në të cilin për fat të keq janë shumë të rënda dhe të dukshme shenjat e një izolimi shekullor gati total (më parë për shkak të pushtimit turk, më pas për shkak të diktaturës komuniste), që e ka penguar Shqipërinë të hyjë në proceset e zhvillimit historik, kulturor dhe fetar të vendeve të tjera evropiane. Në veçanti sot, në këtë rajon jugor të Ballkanit, ende të ngarkuar me konflikte me natyra të ndryshme, Shkolla e Studimeve të Larta të Filozofisë dhe të Teologjisë duhet të jetë një pikë njësimi dhe qendër studimi, që kryen edhe funksionin nxitës të gjuhës shqipe, e cila ka nevojë për terma të rinj që të shprehë përmbajtjet në fusha të ndryshme të dijes. Përveç kësaj është e thirrur edhe për një angazhim specifik në një dialog ekumenik me Kishën Ortodokse dhe në një dialog fetar me Islamin, që përbëjnë edhe kontekstin fetar mbizotërues.

 

Qysh nga maji i vitit 1991 Jezuitët janë kthyer edhe në Tiranë. Kisha e Zemrës së Krishtit, që nën regjim ishte bërë sallë koncertesh dhe teatër ("Kinema - Teatri i Rinisë"), u rishugurua, duke ia rikthyer shkëlqimin e mëparshëm dhe duke e ngritur në famulli. Deri në janar të vitit 2002 ajo ka funksionuar edhe si Katedrale.

Tirana sot nuk është siç ka qenë 60 vjet më parë. Migrimi i stërmadh i brendshëm ka bërë që aty të shkojnë mijëra familje, pjesa më e madhe e të cilave janë nga Veriu. Tirana sot ka një milion banorë, me një rrethinë shumë të varfër. Prania e Jezuitëve në Tiranë qendërzohet në shërbimin famullitar, ku fuqia edukative përbëhet nga një Grup Scout dhe nga shërbimi liturgjik i një grupi Ministrantësh. Por, përveç kësaj, duke u nisur nga qendra e qytetit, ku gjendet kisha, deri në rrethinat më të largëta të anës perëndimore, ata çojnë përpara një veprim të dendur social, duke u kujdesur për format e ndryshme të varfërisë dhe të lënies pas dore, duke bashkëpunuar me Bashkësinë Emmanuel për rifitimin e personave që janë të varur nga droga, dhe duke i dhënë jetë dy qendrave të riedukimit social, një në lagjen e Kombinatit dhe një tjetër në fshatin e Vaqarrit. Në gjithë këtë vepër ata ndihmohen nga Motrat e Nënë Terezës. Bashkësia e Jezuitëve të Tiranës është vënë në lëvizje në mënyrë që të mund t'i përgjigjet më me lehtësi emergjencave. Kështu gjatë luftës në Kosovë (1997-1999) janë angazhuar përmes Jesuit Refugee Service (JRS), për të lehtësuar vuajtjet e refugjatëve, të cilët u detyruan të lënë shtëpitë dhe tokën e tyre për t'u shpëtuar masakrave. Kanë ruajtur kohë dhe energji për t'i bërë ballë situatave të rënda të varfërisë, për t'i kundërshtuar me forcë trafikut të prostitucionit, ende shumë të përhapur, dhe ikjes në masë të të rinjve në Perëndim.

Sidomos në fillim të viteve '90, Jezuitët, në Shqipërinë që po thithte ajrin e parë të lirisë, kanë punuar edhe për ndërtimin dhe rindërtuar e kishave në disa fshatra, p.sh. në Bilaj, Bizë, Arameras (Tiranë), Gur i Zi, Rragam (Shkodër), Pistull e Paçram (Sapë), ku bënin edhe punën e famullitarit. Por nuk janë interesuar vetëm për vendet e kultit, por edhe për situatën sociale të njerëzve. Në Bizë, afër Kepit të Rodonit, një seri fshatrat me traditë të lashtë të krishterë nuk kishin asnjë lidhje me qendrat e mëdha. Vepra e parë e vullnetarëve tanë ka qenë sheshimi i më shumë se 20 km rrugë.

Nuk ka reshtur veprimi ynë në botën universitare, për të rritur dialogun mes fesë dhe kulturës, mes Ungjillit dhe kërkimit shkencor, edhe me qëllim që të vihen bazat e një Universiteti të ardhshëm Katolik. Jemi duke kërkuar të fillojmë një shërbim Baritor Universitar dhe të organizojmë takime shkëmbimi dhe thellimi mes docentëve universitarë e përfaqësuesve të drejtësisë me ndonjë Docent të Universiteteve italiane.

Pas 14 vjetësh Jezuitët e ndiejnë se duhet të bëjmë një kërcim cilësie drejt Diakonisë së shpalljes së parë ungjillore, në mënyrë më organike dhe më të vendosur, duke e liruar në mënyrë më të qartë imazhin e Kishës dhe veprën e saj prej angazhimit edhe pse të dobishëm të asistencës bamirëse.

Për këtë është e nevojshme një njësi më e madhe kishtare mes përbërësve të Kishës lokale për realizimin e një strategjie të përbashkët, që të ketë si qëllim formimin e ndërgjegjeve dhe të personave. Pas gurëve materialë të përdorur për ndërtim, nevojiten gurët e gjallë për bashkësinë.

Në vazhdën e traditës së lashtë, Jezuitët e pranishëm sot në Shqipëri vazhdojnë veprën e tyre misionare, së bashku me shumë të tjerë, si brenda Kishës, me meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë, ashtu edhe me të krishterët ortodoksë dhe me besimtarët e fesë islame, për rritjen njerëzore, kulturore dhe fetare të popullit shqiptar, që të gjithë përbërësit socialë dhe fetarë të dialogojnë mes tyre dhe, me ndryshimet e tyre, të ndihmojnë në riformimin e identitetit dhe të pasurisë së Shqipërisë.

Armando Ceccarelli, s.j.

 

 

Moter Ana Fioreli Lapini

  Motër Ana Fioreli Lapini

    1809-1860

 

    Themeluese e Bijave të Varfra të Varrëve të Shën Françeskut

 

    Ana Fioreli lindi më 27 maj 1809, në Firence (Itali). Prindërit e saj, Jozefi dhe Roza, ishin pa shtëpi dhe pasuri, por plot me drojën e shenjtë të Hyjit. Ana u rrit në një familje të thjeshtë dhe besimtare, e cila lutej së bashku, kujdesej për të varfrit dhe për të sëmurët.

Çfarë ëndërronte të bëhej ajo kur të rritej? Ndihej e përshtatshme për jetën rregulltare tek murgeshat kapuçine. Arsyeja e mospranimit në këtë kuvend apo në kuvende të tjera qe brishtësia e saj fizike dhe paja e madhe që duhej të merrte me vete, por meqë vinte nga një familje e varfër nuk do të kishte mundur kurrë ta bënte. “Do të gjej një kuvend që kushton më pak!” – qe përgjigjja e saj.

    Familja Lapini, që jetonte përballë Fiorelëve kërkoi dorën e Anës për të birin, Gjonin, i cili bënte një jetë mjaft të shthurur. Ana u befasua nga kjo kërkesë, megjithatë ajo e bisedoi me drejtuesin e vet shpirtëror, i cili e këshilloi që t’i bindej dëshirës së prindërve, pasi edhe në jetën bashkëshortore ajo mund ta jetonte shenjtërinë e pastërtinë, që aq shumë i çmonte dhe i kërkonte. Kështu Ana dhe Gjoni u martuan më 18 shkurt 1833. Ana përpiqej të ishte një nuse e dashur, e kujdesshme dhe e bukur. Një gjë e tillë nuk e pengoi të shkonte shpesh në kishën e kapuçinëve, ku ndalej dhe lutej përpara një figureje që paraqiste Krishtin e vdekur.

Gjoni, pas njëfarë kohe, iu kthye përsëri jetës së mëparshme. Ana, duke parë këtë sjellje të të shoqit, u zotua ta shenjtëronte veten dhe ta kthente të shoqin nëpërmjet pendesave dhe lutjeve të shumta, që shpesh i bënte përpara figurës së shën Françeskut të Asizit, në momentin e marrjes së varrëve të shenjta.

Nën sugjerimin e atë Borgit ofm, hyri në Urdhrin e Tretë Françeskan.

Ditët i kalonte në uratë dhe duke ndihmuar të sëmurët. Në zemër ndiente një paqe të madhe dhe një kthjelltësi të pamasë.

I shoqi, Gjoni, u sëmur papritur nga një bronkit i rëndë dhe më pas u godit nga hidropizia. Ai, duke parë dashurinë dhe kujdesin e pandërprerë të Anës edhe në këto momente, i tha: “Ti je kaq e mirë dhe ke kaq merita përpara Hyjit, ti duhet të më kthesh!”. Gjoni, pasi mori sakramentet e shenjta, rrëfimin, kungimin dhe vajimin, vdiq më 24 mars 1842.

    “Çdo të bëjë Jezusi me mua?” - ishte pyetja që Ana vazhdimisht i bënte vetes dhe Jezusit, pas vdekjes së të shoqit.

Mori një shtëpi me qera, ku jetonte në lutje dhe pendesë të vazhdueshme. Me kalimin e kohës disa fshatarë filluan t’ia besonin Anës bijat e tyre me qëllim që t’i edukonte me parimet e krishtera, që të bëheshin zonja shtëpie, bashkëshorte të mira dhe nëna të dashura. Menjëherë iu bashkëngjitën edhe dy gra të tjera. Lindi kështu një “familje e vogël” rregulltare. Gratë ngriheshin herët në mëngjes për të shkuar në Meshë dhe për të bërë udhën e kryqit. Pasi ktheheshin në shtëpi merreshin me vajzat, numri i të cilave rritej vazhdimisht. Një grup tjetër vajzash dëshironin t’i bashkëngjiteshin Anës. Ato lutnin së bashku Oficen e Virgjërës Mari, bënin gjysmë ore meditim dhe pasi thonin edhe disa lutje të tjera merreshin me vajzat, ndihmonin të sëmurët dhe kërkonin lëmoshë për t’u ardhur në ndihmë të të varfërve.

Në vitin 1845 familja e Anës përbëhej nga gjashtë gra. Ditën e Rrëshajëve të po atij viti të gjitha u veshën me rroba që kishin të njëjtën prerje, ngjyrë kafe me mëngë të gjera dhe të palosura në skaje, me shami në qafë dhe me një beretë të zezë në kokë. Ata vazhdimisht bënin këtë pyetje: “A është pikërisht ky vullnesa e Hyjit? Mos vallë Hyji kërkon që t’i japim jetë një familjeje të re rregulltare?”. Anës nuk i mungonte guximi, donte vetëm të ishte e sigurt nëse ky ishte ishte apo jo vullnesa e Hyjit. Në gusht të vitit 1846 dy nga dy, për të mos rënë në sy, familja e re u zhvendos në ndërtesën e re të Skolopëve, që quhej Fantina. Ana ishte bërë tjetër njeri: ishte liruar prej ngushticave që e kishin sulmuar, tani ndihej e gatshme për përgjegjësitë e reja që e prisnin, u jepte guxim shoqeve të saja që t’i dhuroheshin Hyjit dhe njerëzve me bujari e pa frikë, ishte e përvuajtë, e thjeshtë dhe e vendosur.

Ajo që e mbështeste dhe e drejtonte gjithë këtë veprimtari ishte dashuria për Hyjin, soditja e vazhdueshme e Krishtit të kryqëzuar dhe e varrëve të Tij. Ana, gjatë kësaj periudhe kujdesej edhe për gratë e varfra, të braktisura, të dëshpëruara, të keqtrajtuara, të sëmura… Banesa e tyre u bë strehë për shumë njerëz. Populli i nderonte dhe i respektonte. Kishte prej atyre që shkonin fshehurazi deri te shtëpia e tyre, linin ndonjë dhuratë dhe po fshehurazi largoheshin.

Ana e shoqet e saja dilnin e hypnin, dhe shumë shpesh një pjesë të mirë të lëmoshës ua dhuronin menjëherë të varfërve të tjerë. Ajo që i mbështeste ishte siguria se po bënin “vullnesën” e Hyjit.

Më shumë çiltërsi ajo i thoshte Jezusit: “Unë doja diçka dhe Ti më bëre të bëj diçka tjetër”. “O Zot, Ti e dije se unë doja të jetoja e tërhequr në vetmi, kurse Ti më bën të valëvitem si flamur, por u bëftë vullnesa Jote!”.

    Më 18 maj 1850, me miratimin e arqipeshkvit të Firences, gratë u veshën me një rrobë, që e kishin bërë me këmishat e vjera të fretëve të Malit të Kryqit dhe vendosën të quheshin: “Bijat e varfra të varrëve të Shën Françeskut”, ose siç njihen në popull me emrin “Stigmatine”. Qëllimet e themelimit të këtij Instituti qenë pranimi i shumë vajzave të varfra, plot dëshirë për t’iu kushtuar Hyjit, të cilat përjashtoheshin nga kuvende të tjera për shkak të pamjaftueshmërisë së njohurive të tyre, rilindja e shpirtit të shën Françeskut me praktikimin e varfërisë, të përvujtërisë; t’i ofronin botës një shembull pendese dhe vetëmohimi, duke jetuar në gëzim dhe paqe, ripërtëritja tek besimtarët e shpirtit të të krishterëve të parë; ofrimi i çdo mjeti për shenjtërimin dhe arritjen e përsosmërisë ungjillore të saj dhe të shoqeve të saj.

    Ana kërkonte miratimin e Papës, me qëllim që t’i jepte qëndrueshmëri Institutit të vet. Takimi i parë mes Anës dhe Papa Piut IX u bë në vitin 1854, pastaj u takuan edhe shumë herë të tjera. Më 23 korrik 1855 Papa i shprehu Anës mirënjohjen e vet të parë zyrtare, me dekretin e lavdeve, dhe përsëri më 20 maj 1856. Më 29 gusht 1864 Papa i dha një miratim të përkohshëm kësaj familjeje, kurse më 19 shtator 1888 i dha miratimin e tij përfundimtar.

    Rrezja e veprimit të këtij Instituti arriti deri në Lacio, Umbria, Abruco… Ana i vizitonte vazhdimisht Institutet e reja, për t’i nxitur që ta ruanin të pastër shpirtin që i nxiste në këtë kushtim të shenjtë…

Në fund të vitit 1859 Ana parandiente se fundi i saj nuk ishte i largët: në fakt kanceri, prej të cilit ajo vuante prej disa kohësh kishte përparuar shumë. Më 3 janar 1860 shkoi në Portiko ku jetoi në qetësi udhën e saj të kryqit, duke kaluar dhimbje therëse dhe të tmerrshme. Ana u shua në paqe dhe në heshtje, me forcën e sakramenteve të shenjta, mbrëmjen e të dielës së Pashkëve, më 15 prill 1860.

 

Stigmatinet në botë: Bolivi, Brazil, Ekuador, Itali, Shqipëri, Spanjë, Zaire 

 

Motrat Stigmatine në Shqipëri dhe angazhimi i tyre në Kishën lokale

 

Motrat Stigmatine në Shqipëri

 

  1. Bashkësia e Shkodrës (Dioqeza e Shkodrës): tel. e fax: 00355/2243.815

  2. Bashkësia e Dajçit të Bregut të Bunës (Dioqeza e Shkodrës): tel. 00355/26.720.069

  3. Bashkësia e Shirokës (Dioqeza e Shkodrës): cel. 00355/68.2709.759

  4. Bashkësia e Pistullit (Dioqeza e Sapës): cel. 00355/69.2442.001

  5. Bashkësia e Hajmelit (Dioqeza e Sapës): cel. 00355/69.2287.106

 

Angazhimi i tyre në kishën lokale

 

A. Dioqeza e Shkodrës

 

  1. Bashkësia e Shkodrës:

      a. bashkësia e kuvendit:

      asistencë e motrave shqiptare të moshuara;

      vë në dispocizion mjediset e saj për grupet e lutjes, si: legjioni i Marisë, katekumenët, Shën Egjidi, etj.

      gjallërim shpirtëror për grupin e vejushave (një herë në muaj);

      vizitë të sëmurëve të zonës dhe u çon kungimin atyre që dëshirojnë ta marrin;

      kujdeset për 15 adoptime në distancë (Itali-Shqipëri) për 15 familje në nevojë;

      një motër e re kujdeset për rihabilitim

      një motër e re kujdeset për persona me aftësi të kufizuar;

      një motër e re kujdeset për katekizmin javor.

                 

      b. Selia e Delegacionit

      gjallërim dhe mbështetje për vëllazërinë

      mikpritje e aspiranteve.

 

  1. Bashkësia e Dajçit të Bregut të Bunës:

      punë baritore në katër fshatra: Dajç, Samrish 1 e 2 dhe Zukaj;

      katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;

      gjallërimi i një grupi të rinjsh;

      vizita në familje.

 

  1. Bashkësia e Shirokës:

      formim fillestar;

      katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;

      vizita në familje.

 

B. Dioqeza e Sapës

 

  1. Bashkësia e Pistullit:

      punë baritore në dy fshatra: Pistull e Paçram;

      katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;

      kurs edukimi shëndetësor dhe bujqësor.

 

  1. Bashkësia e Hajmelit:

      punë baritore në tre fshatra: Hajmel, Dheu i Lehtë dhe Nënshat;

      katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;

      vizita në familje, vëmendje dhe përkujdes ndaj familjeve në gjak;

      edukim shëndetësor dhe nxitje të gruas;

      mision në malësi.


Motrat e Vogla të Jezusit në mesin e popullit shqiptar

Vëllazëria e Motrave të Vogla të Jezusit ka qenë e pranishme për gati 20 vjet në mesin e arbëreshëve të Italisë ...

 

 

 

 

Motrat e vogla të Jezusit u vendosën në Tiranë në vitin 1998.

Kur erdhëm në Shqipëri kërkuam me zemër të hapur ta japim përgjigjen tonë ndaj thirrjeve urgjente dhe atyre të jetës së përditshme. Menjëherë jemi përfshirë thellësisht në lëvizjen e shumë shqiptarëve që pas vitit 1991 janë larguar në drejtime të ndryshme jashtë vendit të tyre. Më vonë është paraqitur emergjenca e refugjatëve shqiptarë të Kosovës, ku bashkësia jonë qëndroi 20 vjet.

Kemi bashkëpunuar me shoqata të ndryshme për të ndihmuar materialisht në Tiranë dhe në Kukës, por e rëndësishme ka qenë mbështetja jonë morale.

Dhe pas kthimit të shumicës së refugjatëve, shoqërimi i personave të ndryshëm në Kosovë, të cilët qëndruan për një kohë të gjatë të shtruar në spitalin e Tiranës, sidomos në repartin onkologjik, për sëmundje që vinin si rrjedhojë e traumave të luftës.

Prania e Motrës së Vogël Josée Jeannine afër grave të burgosura, për më shumë se 5 vjet tashmë, është sidomos një prani dëgjimi e miqësie. Ajo viziton fëmijët e këtyre grave që gjenden në Shtëpitë e Mikpritjes në Shkodër dhe në Tiranë, dhe shoqëron gratë që dalin nga burgu. Për disa prej tyre, Vëllazëria jonë bëhet një pikë referimi.

Besojmë se edhe puna e Motrës së Vogël Odette Louise për përkthimet në gjuhën shqipe ka një ndikim të fortë shoqëror si për tekstet fetare, ashtu edhe për kërkimet në tekstet e kulturës shqiptare. Përmendim këtu Pjetër Bogdanin, i cili vë në dukje identitetin e popullit shqiptar, si edhe Fjalorin e Teologjisë Biblike në gjuhën shqipe, që ka dalë së fundmi nga shtypi, i cili do të jetë një ndihmë shumë e madhe jo vetëm për klerin e ri shqiptar, por edhe për të gjithë ata që kërkojnë të thellohen më shumë në fe.

Falë këtyre përkthimeve, Motra e Vogël Maria Lucia përgatit artikujt dhe prezantimet në Powerpoint për të bërë të njohur Vëllain Sharl dhe karizmën e Vëllazërisë që sot na duket shumë aktuale. Shqipëria gjithmonë e më shumë është një vend i privilegjuar për të jetuar marrëdhëniet ekumenike dhe, sidomos në këtë kohë në të cilën populli shqiptar është i tunduar nga materializmi, përshpirtëria e Vëlla Sharlit mund të ndezë një dritëz me mesazhin e vet të jetës soditëse, të dhurimit falas dhe dashurisë universale.

 

   

 

Emergjenca e fëmijëve të braktisur na ka dhënë mundësinë për të bashkëpunuar me Shoqatën "Fëmijët e botës, të drejtat e njeriut", që ka vepruar me pakicat etnike të romëve. Në fillim, Motra e Vogël Héléne Jeanne ka punuar në gardërobë. Tani që nuk ka më punë, vazhdon kontaktin me familjet në një lagje shumë të varfër. Shoqata, që tani quhet "Fëmijët e botës dhe të Shqipërisë", vazhdon të bëjë vepra nxitjeje dhe përfshirjeje, me qëllim që romët të njihen më mirë dhe të respektohen duke filluar nga shkolla.

Në takimet e përditshme, gjithashtu, kemi raste nga më të ndryshmet:

  1. ndihma që u japim njerëzve për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe gëzimi për suksesin që vjen pas një ngulmimi të mundimshëm është një dhuratë e çmueshme e ndërsjellë;

  2. ndihma për të qenë krijues në gjetjen e zgjidhjeve të reja për probleme të punës, mjekimit, për ndjekjen e studimeve, dhe shpesh hapen rrugë të reja hap pas hapi;

  3. vënia në kontakt mes atyre që ndodhen në vështirësi me shoqata apo njerëz që mund t’i ndihmojnë: për shembull një profesionist që ofron kohën e tij të lirë javore me një djalë/vajzë që ka vështirësi të studiojë.

  4. pastaj me fqinjët ka mijëra raste për të qenë të vëmendshëm për ndonjë shërbim të vogël, kryesisht ndaj njerëzve të moshuar: shoqërimi te mjeku, marrja e pensionit apo vizita në varreza tek të dashurit e tyre në një qytet tjetër.

 

Përpiqemi që në gjithçka të kemi një kujdes të madh bashkësior, me qëllim që secili të mund të nxjerrë nga vetja më të mirën e mundshme, duke shmangur çdo paternalizëm, duke u përpjekur sidomos që të vazhdojmë të dëshmojmë të qenit falas.

Ashtu si Jezusi gjatë jetës së tij njerëzore, edhe ne dëshirojmë që të bëhemi plotësisht të të gjithëve duke mësuar gjuhën, traditat dhe zakonet, deri edhe mendësinë e tyre, dhe me dëshirë të zjarrtë u tregojmë dashurinë që Zoti e ka për ta, më shumë me qëndrimin tonë, si tharmi në brumë.

Jeta jonë kontemplative në mes të njerëzve bën që të kemi kontakte me njerëz të kulturave, besimeve fetare dhe shtresave shoqërore të ndryshme.

 

Eukaristia, Adhurimi dhe meditimi i Ungjillit janë në qendrën e jetës sonë dhe mbajmë në zemër dëshirën e flaktë që të dëshmojmë dashurinë e Zotit për të gjithë njerëzit.

Edhe këtu në Shqipëri, BASHKIMI është fjala që shpreh misionin tonë.

 

Jam e sigurt që mund të ekzistojë një miqësi e vërtetë,

një dashuri e thellë mes njerëzve që nuk kanë të njëjtën fe,

të njëjtën racë dhe që nuk janë të të njëjtit vend.

 

Motra e Vogël Madëlenë e Jezusit


Shoqata e sherbimit vullnetar Albamiriam

Shoqata e shërbimit vullnetar “Albamyriam” me selia në “Via Sardegna 20, 81022 Casagiove, CE-Italia”, krijuar në përputhje me nenet e kodit civil dhe ligjërisht e njohur si ent moral nga shteti shqiptar qysh prej vitit 1999, ka lindur nga përvoja misionare e bërë në Shqipëri prej një grupi personash dhe nga nevoja për të nxitur bukurinë e jetës në situatat e shtypjes ekonomike, shoqërore dhe morale.

Shoqata, brenda mundësive dhe burimeve të saja, do të angazhohet për të realizuar projekte që i përgjigjen pikësynimit dhe qëllimeve të saj, të cilët janë si më poshtë vijojnë:

- mbrojtje, nxitje dhe shërbim i çdo personi qysh prej ngjizjes deri në dobësimin e aftësive njerëzore, profesionale dhe materiale të anëtarëve të vet duke e bërë me një shpirt bashkëndarjeje dhe vëllazërie, pa qëllime fitimi dhe protagonizmi personal;

- sensibilizim dhe formim të fëmijëve, të të rinjve dhe të të rriturve për të bërë shërbim vullnetar falas dhe për ta jetuar jetën në mënyrë thelbësore.

 

Për këtë qëllim, në marrëveshje të ndërsjellë me drejtorët e shkollave përkatëse, shoqata angazhohet t’ua bëjë të njohur nxënësve projektet e ndryshme humanitare nëpërmjet dokumentarëve dhe kërkimeve shoqëroro-ekonomiko-kulturore të vendeve ku vepron apo ka ndërmend të veprojë ajo.

Projekti i parë ka filluar në vitin 1997, në Shqipëri, me hapjen e një Laboratori Liturgjik ku përgatiten veshje të shenjta të çdo lloji nga Motër Raimondina Buscema, që i përket Kongregatës “Bijat e Shën Jozefit”, themeluar prej të Lumit Klement Markizio, famullitar i Rivalbës (Torino-Itali) në vitin 1875. Motra mbështetet prej kësaj shoqate dhe ndihmohet prej anëtarit të po kësaj shoqate, zotit Rodolf Ulbanit, i cili kujdeset për marrëdhëniet publike mes shtetit shqiptar dhe shoqatës.

Përveç kësaj, në vitin 2002 është hapur shtëpia e mikpritjes për fëmijët, që vijnë nga familje të varfra.

Kjo shtëpi ka si qëllim edukimin e fëmijëve para-shkollorë në fushën shoqërore, morale e të krishterë, duke kërkuar që të japë ndihmesën e vet në formimin e brezave të rinj.

Përgjegjësja e edukimit të fëmijëve është motër Raimondina, mësuese e drejtoreshë, e cila ndihmohet prej disa mësueseve shqiptare, të diplomuara dhe të përgatitura për një gjë të gjë.

Marrja e tyre në punë është bërë në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar në fuqi.

Veprimtaria zhvillohet gjatë krejt vitit shkollor dhe një vëmendje e veçantë i kushtohet prindërve të fëmijëve me takimet e formimit dhe të informimit rreth drejtimit shkollor dhe vazhdimësisë edukative në familje.

Në Itali, shoqata mbledh ndihma për birësimin në largësi të këtyre fëmijëve, në mënyrë që të mund t’u japim një vakt në ditë dhe materialin didaktik të nevojshëm për formim.

Një projekt tjetër i shoqatës është mikpritja e fëmijëve të braktisur apo të lënë prej familjeve për mungesë mjetesh ekonomike apo për çfarëdo arsyeje tjetër…

Që ky projekt të realizohet nevojiten fonde për zgjerimin e strukturës së sotme.

Pra, i bëjmë thirrje ndjeshmërisë së njerëzve vullnetmirë, me qëllim që me ndihmat e tyre sado të vogla të na ndihmojnë për realizimin e kësaj dëshire dhe për shpëtimin e shumë fëmijëve që “humbin”, kush e di se në çfarë rrugësh!”.

 

Përgjegjësja

Motër Raimondina Buscema

 

Shoqata e shërbimit vullnetar “Albamyriam”

L. Tom Kola, Rr. Gjon Buzuku, Nr. 15, Shkodër – Albania, Tel. 0035522/44-453

 


Sot cili është mesazhi i vëllai Sharl

Ai dëshmon me jetën e tij që Dashuria për Zotin

shkon bashkë me dashurinë për të gjithë njerëzit,

dhe që Dashuria e përgjithshme fillon nga dashuria e atyre që janë afër neve

dhe do të jetë Falas, pa interes .

 

Sharl de Fuko na ka lënë një vepër të pambaruar.

Sfida të mëdha ungjillizimi mbeten të hapura përpara nesh:

 *  sfida e butësisë dhe e jo-dhunës ungjillore

 *  sfida e dashurisë vëllazërore për të jetuar në gjirin e bashkësisë

 * sfida e një vëllazërie të vërtetë në shkallë planetare, përtej çdo shfaqjeje të urrejtjes etnike dhe hakmarrëse, përtej çdo ndjenjeje të superioritetit kombëtar apo kulturor

 *  Papa Pali VI në enciklikën e tij Populorum progressio, flet për veprën e inkulturimit të kryer nga vëllai Sharl:

   «Në shumë vende misionarët kanë qenë pionierët e përparimit material si edhe të zhvillimit kulturor. Mjaft të kujtojmë shembullin e Vëllait Sharl de Fukosë, i cili në saje të dashurisë së tij për vëllezërit, u gjykua i denjë të quhej “vëlla universal”, dhe atij i detyrohemi për hartimin e një fjalori të çmuar në gjuhën e tuaregëve»

 

              

 

  Dy faqe të Fjalorit në gjuhën e tuaregëve

 

Te dhena per famullite e Barbullushit

  Famullia e Barbullushit, si shumë famulli të dioqezës së Shkodrës, është e lashtë. Duke shfletuar librin “Letra dhe dokumente të Pjetër Bogdanit”, në letrën 100, faqe 187, gjejmë në mes të tjerave një korrespondencë të Bogdanit, shkruar në Barbullush, i cili aso kohe po përjetonte shumë të zeza. Letra mban datën 19.10.1666. Por rezulton se në këtë famulli shënimet në regjistra të ndryshëm për lëvizjen demografike kanë filluar të mbahen që në vitin 1881, d.m.th. 120 vjet më parë. Këto janë mbajtur kryesisht për pagëzimet (lindjet); martesat dhe vdekjet.

    Së pari ka filluar t’i mbajë Dom Gaspër Bufli, i cili i ka plotësuar regjistrat në gjuhën latine. Megjithatë, po të vërehen me vëmendje mund të kuptohet gjendja e jeta e kësaj famullie.

    Sëmundjet e ndryshme infektive dhe shfarosëse të shfaqura në Evropë, nuk munguan ta përshkojnë edhe Barbullushin. Ndër më të përhapurat qenë: tuberkulozi, malarja, lija, kolera, murtaja, spanjola, shumica vdekjeprurëse dhe me pasoja të rënda. Kjo vërtetohet më së miri në shënimet që gjenden në regjistrat e kësaj famullie, ku ka pasur edhe 2 vdekje në ditë, në të njëjtën familje. Burimi i përhapjes së këtyre sëmundjeve duhet kërkuar tek vështirësitë ekonomike të asaj kohe: mungesë ushqimi, kushte jo të favorshme për jetesë e banim, si dhe në mungesën e kulturës mjekësore.

    Për ilustrim: Lush Kolë Gjushi vdes në vitin 1919; po atë vit i vdes edhe nëna e gruaja, pra shuhet një familje. Kol Ndrecës i vdesin në të njëjtën ditë 2 vajza: njëra 13 vjeçe e tjetra 15 vjeçe.

 

PASQYRË DEMOGRAFIKE E NJË PJESE TË BARBULLUSHIT

 

VITET                       LINDJET       MARTESAT        VDEKJET               JETA MESATAR

 

1883-1889                   096                  65                    169                              32.68

1890-1899                   265                  94                    164                              39.03

1900-1909                   264                  91                    139                              38.61

1910-1919                   233                  59                    123                              35.42

1920-1929                   236                  54                    163                              28.04

1930-1939                   271                  -                       -                                  -

1940-1949                   377                  -                       -                                   -

1950-1959                   333                  -                       -                                   -

1960-                           263                  -                       -                                   -                     

Totali    2.328

Jeta mesatare deri në vitin 1929 është 34.83.

Shënim: Nga marsi i vitit 1912 deri në vitin 1914, për arsye të luftrave të ndryshme nuk janë bërë regjistrime; po kështu mungojnë edhe ato të vitit 1915. Rifillojnë në prill deri në tetor të vitit 1952.

-       Nga vitet 1940 –1949 ka një rritje pagëzimesh, pasi mungonin meshtarë në shumë fshatra të tjerë.

-       Regjistrat e martesave dhe të vdekjeve që nga viti 1930 kanë humbur.

 

 Pasqyra e sipërme na jep deri në njëfarë mase gjendjen e lëvizjes demografike të famullisë së Barbullushit për periudhat që u përmenden më sipër; por nuk duhet të merret e plotë, pasi, siç theksuam në shenimet përkatëse, sidomos për lindje, ne mungesë të meshtarëve, ka raste që të jenë pagëzuar në këtë famulli fëmijë të lindur në fshatra të tjera dhe që nuk i përkasin famullisë së Barbullushit.

Dihet se Barbullushi ka afërsi territoriale me një tjetër famulli të vjetër, siç është ajo e Kuklit, në të cilën për një kohë mjaft të gjatë ka punuar dhe shërbyer si famullitar meshtari, gjuhëtari dhe patrioti i shquar DOM NDRE MJEDA. Me punën dhe kontributin që ka dhënë ky meshtar në këtë famulli, ka bërë që të shtohen ndjenjat e atdhedashurisë, të cilat, në forma të ndryshme, janë shfaq në popull dhe në individë të veçantë, veçanarisht në vitet e para të shek. XX. E në këtë aspekt mund të paraqesim individë apo grupe njerëzish:

 

1.    JACI I NDUE GEGËS (emri i vertët është Gjon). Qëndronte i armatosur dhe nuk donte në asnjë mënyrë t’i nënshtrohej qeveritarëve turq. Prandaj shumë shpejt u bë objekt ndjekjesh nga ana e këtyre të fundit. Në një përpjekje, rrethohet në afërsi të malit, në Jushë, ku fillon pushkën, duke u plagosur nga ekspedita me e madhe në numër që kishte përgatitur qeveria turke. Largohet fshehtas nga ai vend, ashtu i plagosur dhe zë vend në një gropë të një furre gëlqereje. Turqit shkojnë pas gjurmëve, dhe pas një qëndrese heroike i rrethuar, vritet, pasi kishte vrarë një oficer dhe plagosë një tjetër. Të dy të vdekurit i mbulojnë me gur dhe i lënë aty.

2.    Një kangë që këndohet vazhdimisht në dasma e festa nga FILIP GACI. Më vonë, së bashku me LAZËR GJONIN, bën fjale për një oficer turk, me kombësi shqiptare, i cili futet në lagjen “Dedaj” për të liruar një shtëpi për llogari të një tjetri. Me këtë rast kërset pushka dhe vritet NDREKA, vëllai i PJETËR SIMONIT, në moshë shumë të re. E në këtë rast Pjetri e ndjek oficerin, e gjen dhe e vret. Arrestohet, internohet ne Stamboll, por pas disa kohe kthethet në shtëpi, martohet, duke lene edhe trashëgimtarë. Ja një pjesë e kësaj ngjarjerje, e përjetësuar në këngë nga rapsodi popullor:

 

Hajt, o hajt, Pjetër Simoni,

se ne Stambolle, po të çon vapori.

 

Qëndro, Pjeter, more vëlla,

se ty Ndrekën ta kanë vra…

 

3.    Një grup atdhtarësh presin postën e Turkut në “Shkallën e Kuklit”, vrasin shoqëruesit e saj dhe i grabisin. Kundër tyre niset një ekspeditë turke dhe arreston ne Kukël Kol Gjonin dhe në Barbullush vllezerit Ndrekë dhe Cub Jakun dhe sa kalojnë përtej kodrave, në Xaj, i pushkatojnë.

 

4.    Ngjarje me rëndësi në jetën e Barbullushit është përpjekja për të organizuar një kryengritje të madhe kundër turqve, nga fundi i vitit 1911 dhe fillimi i vitit 1912. Besimtarët katolikë braktisën shtëpitë e tyre, duke u vendosur në Sukubinë (Mal i Zi), duke i kërkuar Krajl Nikollës arme. Por këtu punët ndryshuan: Mali i Zi vuri kushte, duke kërkuar që ata të viheshin në shërbim të këtij të fundit. Këta e refezuan dhe një shembull të mirë në këtë drejtim dha Lush Kolë Gjushi, që i pari hodhi poshtë këtë ofertë.

 

5.     Mjaft i njohur në Barbullush është edhe bashkëfshatari NDOC DEDA, i pagëzuar me emrin NDOC ZEF NDOJA. Siç dëshmon shënimi që ka lënë në regjistrin e pagëzimit famullitari i asaj kohe, Dom Palë Shantoja, i lartëpërmenduri lindi në Barbullush më 23 dhjetor 1890 dhe është pagëzuar më 27 po të këtij muaji. Disa të dhena të shkurtra biografike për të dëshmojnë, se ai mbeti jetim që i vogël. Pas vdekjes së babës, nëna doli në Shkodër, së bashku me Ndocin, për të cilin u kujdes që ta rriste, natyrisht me shumë mundime. Vendosja për banim ne Shkodër në afërsi të shtëpisë së patriotit Luigj Gurakuqi, ndikoi shumë në jeten e tij. Në Shkodër kreu arsimin fillor, thuhet se kreu edhe shkollën e mesme (pa u përcaktuar vendi dhe profili, ndoshta teknike), por zotërimi i dy gjuhëve të huaja: italisht dhe frëngjisht, të bën të mendosh se shkollën e mesme mund ta ketë bëtë jashtë shteti. Vitet kalojnë dhe Ndoci rritet, bëhet i aftë për të kryer shërbimin ushtarak. Megjithatë i ka përherë parasysh porositë e Luigj Gurakuqit, i cili me anë të një letre dërguar Dedë Gjo Lulit arrin ta bashkojë me këtë të fundit, i cili inkuadrohet në çetat e patriotit në fjalë duke marrë pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe që përfundon me ngritjen e flamurit kombëtar në Bratilje të Deçiçit, më 06.04.1911, nga patrioti Dedë Gjo Luli, plot 90 vjet më parë. Pasi perfundon kjo kryengritje, gjen rastin të kthehet në Barbullush e të strehohet tek Rrok Gjon Kaça, daja i vet. Është sërish ky luftëtar që shfaqe gatishmërinë për të marrë pjesë në kryengritjen kundër Esat Pashës, por nuk ia arrin qëllimit që ta thyej kete feudal. Në këto kushte detyrohet të shkojë në Kallmet të Lezhës, ku bashkohet sërish me Dedë Gjo Lulin. Duke ndjekur ngjarjet e mëpastajme, flasin për qëndrimet e Dedës për të hyrë në bisedime me ushtritë serbe dhe largimin e Ndrekës në Breg të Matit, kapjen, çarmatosjen, dërgimin në Gëziq dhe dorëzimin tek ushtarët e Esat Pashës, dërgimin në Durrës, më pas në Itali, rikthimin në Shqipëri, etj.

6.    Kështu u ndërthuren ngjarjet e këtij patrioti, derisa ky i qëndroi afër Kolës (djalit të Dedës), pasi ishte i sëmurë, edhe sepse kështu i kishte premtuar Dedës. Pas vdekjes së Kolës, kaloi në çetën e Osman Haxhisë, e cila luftonte për lirimin e Vlorës, që u arrit në fund të gushtit, por që përfundoi me festimet e mëdha të datës 3 shtator 1920. Emri i Ndoc Dedës rezulton edhe tek pjesëmarrësit e luftës së Koplikut kundër Serbëve, po në vitin 1920. Jetoi duke punuar si konduktor në rrugën Shkodër-Pukë, duke marrë pjesë në ndërtimin e urave, derisa doli në pension. Vdiq dhe u varros në Shkodër më 02.05.1667.

 

Të dhëna për kishën

1.        Emri i pajtorit “ZOJA E NGJITUR NË QIEL” Barbullush.

2.        Kisha është ndërtuar në vitin 1963 nga Dom Ndre Plau.

3.        Është ristrukturuar dhe pajisë me banka nga Dom Luigj Lajsi në vitin 1942.

4.        Është prishur dhe përshtatur për oficinë bujqësore.

5.        Është pastruar dhe ka shërbyer si kishë qysh në vitin 1991 nga Vëllezërit e Nënë Terezës.

6.        Është ndërtuar nga Motrat e “Zemrës së Papërlyer të Zojës" dhe është shuguruar nga Imzot Angelo Massafra më 11.10.1998.

7.        Territori është rrethuar dhe mbajtur nga Motrat. Shërbesat fetare kryhen nga Dom Ernest Troshani.

8.        Murgeshat kujdesen për mirëmbajtjen e saj dhe është shumë e bukur.

 

 

MESHTARËT QË KANË SHERBYER NË FAMULLINË E BARBULLUSHIT QYSH SE KANË MBAJTUR REGJISTRIMET JANE:

 

1. Dom Gaspër Bufli, 1881 - 1882, Italisht, Latinisht

2. Dom Pjetro Ivanaj, 1883 - 1887, Italisht

3. Dom Pal Shantoja, 1888 - 1892, talisht

4. Dom Mark Klari, 1892 – 1905, Italisht

5. Dom Pjetro Tusha, 1905 – 1906, Italisht

6. Atë Agostino Glasnoviç, 1906, Italisht

7. Dom Giuseppe Puka, 1906, Italisht

8. Dom Nikoll Radovano, 1906 – 1911, Italisht

9. Dom Pjetër Sukreli, 1912, Italisht

    Pa prift, 1914 – 1914               

10. Dom Zef Skllaku, 1915 – 1918, Shqip  

11. Dom Zef Sukreli, 1918 – 1929, Shqip  

12. Dom Ndre Plani, 1930 – 1936, Shqip

13. Dom Kolec Prenumshi, 1937 – 1941, Shqip

14. Dom Luigj Zojsi, 1942 – 1949, Shqip  

15. Dom Zef Gilaj, 1949 – 1950, Shqip  

      Pa prift, 1950 – 1951

16. Dom Pjetër Gruda, Prill-Korrik 1952, Shqip

17. Dom Nikoll Dragusha, 1952 – 1955, Shqip

18 Dom Trijac Gjoka, 1955 – 1956, Shqip

19. Dom Zef Gilaj, Qershor-Tetor 1956, Shqip

20. Dom Laser Dedi, 1956 – 1957, Shqip

21. Dom Ernesht Troshani, 1958 – 1965, Shqip

22. Dom Mikel gjergji, 1965, Shqip


 

  

Martiret e Komunizmit

Don PJETËR ÇUNI

Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914.

Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë).

U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel).

U arrestua pa motive në Rrjol më 27 korrik 1948.

Egërsisht i torturuar, qe futur për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948.

Qe një meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës.

Është një martir i vërtetë, bashkë me Dom Aleksandër Sirdanin.




Dom Serafin Koda

Lindi në Janjevë (Kosovë), më 25 prill 1893.

Meshën e Parë e kremtoi më 30 korrik 1925.

Qe famullitar në Lezhë, kur u arrestua dhe u torturua.

U arrestua pas një takimi, që bënë françeskanët në Lezhë për arsye ekonomike, të cilit organi i sigurimit donte t’i jepte kuptim politik, sikurse e kishin zakon ata. Kërkonin dëshmi nga Atë Serafini, por ai nuk pranonte t’i akuzonte vëllezërit e vet.

Vdiq, në Lezhë, ndër tortura, më 11.05.1947, pasi ia kishin futur thonjtë në fyt, duke i bërë që t’i dilnin venat nga fyti.

Ka qenë misionar i zellshëm.

Infermierja Marie Ndoja, që e mjekonte në momentet e agonisë, e varrosi fshehtazi nën një ulli të oborrit të kuvendit, e pas dëshmisë së saj, janë gjetur eshtrat e tij më 16 shtator 1994. Eshtrat e tij pushojnë në muret e kishës françeskane të Zojës Nunciatë në Lezhë.




Dom Marin Shkurti

Lindi në Samrish, më 1 tetor 1933.

Shkollën fillore e kreu në Dajç të Bregut të Bunës, kurse studimet e tjera tek famullitari Pjetër Gruda.

U shugurua meshtar në katedralen e Shkodrës, nga Imzot Çoba, më 8 dhjetor 1961.

Pas mbylljes së kishave ka zhvilluar fshehtazi shërbesën e tij në fshatra e qytete.

Kërkoi strehim në Jugosllavi, por u tradhtua dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, të cilët e pushkatuan në vitin 1969.



Dom Dede Maçaj

Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 shkurt 1920.

Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë.

U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës.

U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947.

Pas torturave të papërshkrueshme u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet (Shqipëri e Jugut), përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve, derisa dha shpirt nën këmbët e tyre të përgjakura.

Qe një meshtar i përkryer, i zellshëm dhe i përvuajtur, i dashur, i gatshëm.

Gjatë shërbimit ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike qe gjithmonë i përçmuar dhe i keqtrajtuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij.

Me një paraqitje engjëllore.

Është një martir.

Dëshmitari okularë, bashkëushtari i tij Nikollë Koleci nga Delbnishti (Kurbin), i dëshmon gjërat e mësipërme.



Dom Dede Malaj

Lindi në Mali Kolaj (Velipojë), më 16 nëntor 1917.

Pas shkollës fillore dhe të mesme që kreu në Seminarin Papnor Shqiptar vazhdoi studimet në Itali.

U shugurua meshtar në Castel Gandolfo (Romë), më 20 dhjetor 1942.

U kthye në Shqipëri në Ipeshkvninë e Shkodrës për të shërbyer në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës.

Pasi dërgoi jashtë shteti listën e meshtarëve të pushkatuar, u arrestua dhe u dënua me vdekje. In odium fidei - Vox Populi. [Prej urrejtjes ndaj fesë – është zëri i popullit].

Përballë gjyqit rinovoi me guxim shpalljen e tij të fesë katolike dhe paditi padrejtësitë e regjimit komunist.

U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42 vjeçare. U arrestuar kryesisht për arsye politike, vdiq duke kundërshtuar komunizmin me kurajo.



ATË GASPËR SUMA O.F.M.

Lindi në Shkodër, më 23 mars 1897.

Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).

U shugurua meshtar më 31 korrik 1921 dhe shërbyu gjithmonë në zonat më të vështira malore: Theth, Brigje të Hotit dhe Gomsiqe.

Pati një shpirt të madh sakrifice.

U arrestua dhe vdiq në burgun e Shkodrës më 14 prill 1950.

Eshtrat e tij pushojnë në Kishës Françeskane të Shkodrës.

“In odium fidei”.



Dom Giovanni Fausti

Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 tetor 1899.

Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor.

U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922.

Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri.

Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendës-provincialit.

Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”.

U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.

Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti mbret, i fali persekutuesit!”.

Martir i vërtetë i fesë.



Dom Lazer Shantoja

Lindi në Shkodër, më 2 shtator 1892.

Studioi nga fillorja deri në lice në Seminarin Papnor Shqiptar dhe vazhdoi studimet e teologjisë në Insbruk (Austri).

U shugurua meshtar më 29 maj 1915.

Qe sekretar i Arqipeshkvit Imzot Lazer Mjeda.

Qe orator i aftë, shumë i përgatitur në shkencat njerëzore e hyjnore.

U arrestua në vitin 1945 në Sheldi.

Tmerrësisht dhe barbarisht i torturuar, u pushkatua në Tiranë më 2 shkurt 1946.



Maria Tuci

Lindi në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 mars 1928.

Shkollën e mesme e kreu tek Motrat Stigmatine në Shkodër.

U arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949.

Ishte shumë e bukur, e urtë dhe me fe të madhe. Kriminelet, hetuesit komuniste per te kenaqur instinktet e veta, u munduan ne te gjitha menyrat, por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e dhunuan ne menyre barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saj të burgosura me të.

“Të gjitha torturat e mundura i ushtruan mbi trupin tim”, sipas një letre që nuk arritën ta nxirrnin jashtë nga burgu; ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace!

Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950.



Dom Ciprian Nikaj

Të gjithë ata që e kanë njohur dëshmojnë se ishte një shenjt i vërtetë. Feja e tij e thellë, kultura dhe dashuria e tij për atdheun ngjallën urrejtjen e kundërshtarëve.

Lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900.

Mbeti jetim kur ishte pesë vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri.

U shugurua meshtar në Romë më 25.07.1924. Qe provincial i françeskanëve në periudhën 1938-1941, u bë guardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1944 deri në vdekje.

U arrestua me akuzën se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në altarin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin.

Fjalët e tij të fundit të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë: “Rrotë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë! Shqipëria nuk vdes me ne!”.

U pushkatua më 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave. I fortë, i devotshëm dhe i zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut.



Dom Ndoc Suma

Lindi në Nënshat, më 31 korrik 1887.

Studimet filozofike dhe teologjike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në Insbruck (Austri) bëri edhe dy vite të tjera studim.

U shugurua meshtar më 21 shtator 1911 në Kapelën e Kolegjit Saverian. Meshën e Parë e kremtoi në Nënshat, më 24 shtator 1911.

Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. Më 8 dhjetor 1946 u arrestua, ndërsa kremtonte Meshën e shenjtë.

U akuzua rrejshëm, e pastaj u dënua me 30 vjet burg.

Pas një paralize në vitin 1953 dhe pasi bëri tetë vite burg, u lirua më 27 nëntor 1954.

U kthye në Pistull dhe banoi në një kantinë të qelës.

Kremtonte Meshën fshehtazi, si në një katakombe.

Populli e donte në mënyrë të veçantë, sepse punonte me shumë përkushtim, edhe pse nuk kishte shëndet shumë të mirë.

Njihej si një etnograf i madh. Kishte mbledhur shumë tregime mitologjike e tradita të vjetra shqiptare.

Vdiq më 22 prill 1958.



Dom Alfons Tracki


Lindi më 2 dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischwitz/ Bliszezyce (Wroclaw) me prejardhje polake.

Pasi mbaroi studimet teologjike në Bosnje në vitin 1920, u transferua në Shkodër (Shqipëri) si misionar.

Ishte shumë i zellshëm në ushtrimin e veprimtarisë së tij meshtarake dhe shumë i ndjeshëm kundrejt problemeve shoqërore, gjithmonë me një shpirt të krishterë.

Organizoi grupin “Viribus Unitis”, duke mbledhur kështu shumë të rinj. Hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç.

Luftoi me ngulm traditat e këqija siç është prirja për t’u hakmarrë dhe marrja e gjakut. Gjithmonë ofronte një zgjidhje të krishterë për këto probleme.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste.

Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës dhe të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend.

Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistat, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë.

Gjatë gjyqit, sipas Atë Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”.

U pushkatua më 18 korrik 1946.





Dom Dede Plani

Lindi në Shkodër, më 21 janar 1891.

Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).

U shugurua meshtar në Primiz (Austri) më 3 gusht 1919.

Pas shugurimit të tij meshtarak u rikthye në atdhe.

Ishte i mirë dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1947 në Rrenc (Shkodër).

Vdiq ndër tortura para se të gjykohej, më 30 prill 1948.

“In odium fidei”.



Seminarian Mark çuni

Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919.

Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër.

Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit.

Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit.

Jemi të sigurt se eprorët nuk e kanë ditur as dëshminë e seminaristit Çuni.

Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet.

U pushkatua më 4 mars 1946 dhe vdiq duke shqiptuar fjalët: “Rroftë Krishti mbret dhe i fali armiqtë”.

Njeri i zellshëm dhe guximtar.



Dom Jack Bushati

Lindi në Shkodër, më 7 gusht 1890.

Studimet i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, sikurse edhe filozofinë dhe teologjinë.

U shugurua meshtar më 29 maj 1915.

Shërbeu në zonën e Mirditës për 26 vjet. Qe i respektuar nga të gjithë. Ishte i devotshëm dhe i zellshëm. U arrestua në vitin 1949.

Pas shumë torturash vdiq në burg më 12 shtator 1949, para se të gjykohej.

Është një martir i vërtetë me një jetë të shenjtë.



Udha e Kryqit ne gjurmet e martireve te komunizmit (1946-1990)

NË ISH-BURGUN E SIGURIMIT TË SHTETIT SHKODËR


 

 

 

Nën kujdesin e Murgeshave Klarise

Manastiri “Sh. Kjara”

 Shkodër -  2009

 

  

 

 

 Ndalesa e parë

Nga një letër e Dom Shtjefën Kurtit, e datës 16.10.1946, drejtuar Atit të Shenjtë Papa Piut XII (Famullitar i Tiranës. U arrestua dy herë. Herën e parë në Tiranë më 28.10.1946 dhe u dënua me 20 vjet burg, prej të cilëve bëri 17, i mbyllur në burgun e Burrelit. Herën e dytë u arrestua në Gurëz në vitin 1970, u burgos dhe një vit më vonë u pushkatua).

 

“Atë shumë i Shenjtë,

[…] Radhët e martirëve shtohet çdo ditë; në burgje praktikohen tortura të tmerrshme ndaj të gjithëve pa dallim; mijëra burra, gra, pleq e fëmijë të zhveshur lakuriq dhe të uritur, internohen në kampe përqendrimi, në vendet më të izoluara dhe më të rrezikshme, në shtëpi pa dyer dhe pa dritare, të shtrënguar që të bëjnë punë të rënda, gjithë ditën, vetëm për një copë bukë. Më qëllim që të burgosurit të dobësohen fizikisht dhe të lëngojnë për shkak të shterimit të fuqive dhe të tuberkulozit, me një vendim të kohëve të fundit u është ndaluar familjeve t’u sjellin atyre ushqime.

Shenjtëri, do të kisha për të të thënë edhe shumë gjëra të tjera, por duhet të kufizohem duke hedhur shpesh e shpejt këto rreshta prej frikës se mos më kapin duke i shkruar.

Duke u përulur në këmbët e Shenjtërisë Suaj, me përvujtëri kërkoj bekimin Tuaj atëror dhe apostolik për mua, për krejt klerin, për mbarë popullin, me qëllim që të luftojmë, pa e lëshuar veten, për fenë tonë”.

 

 

 

Ndalesa e dytë

Nga dëshmia e Atë Anton Lulit (Jezuit; bashkëkohës i Gjon Palit II, i mbijetoi komunizmit dhe bëri një dëshmi në Shën Pjetër me rastin e 50 vjetorit të meshtarisë që festonte me Papën. Vdiq në vitin 1998).

 

“Në dhomat e Sigurimit torturat morale dhe fizike ishin të tmerrshme dhe të padurueshme.

Në burgun ku isha unë ndodheshin, me mua, edhe dy meshtarë të tjerë, të cilët i njihja mjaft mirë.

Ata u rezistuan vetëm pak ditë torturave. I dëgjoja tek kërkonin ndihmë, kërkonin ujë për të pirë, por askush nuk u jepte. I pari, Dom Aleksandër Sirdani, rezistoi tri ditë.

Të dytin, Dom Pjetër Çunin, i ri në moshë, e torturuan me rrymë elektrike.

Unë isha i lodhur prej jetës dhe dëshiroja të vdisja. Kur policët më shoqëronin u thoja atyre se do t’u isha mirënjohës nëse do të më goditnin me një plumb mu në lule të ballit për t’i dhënë kështu fund vuajtjeve të mia të tmerrshme”.

 

 

 

Ndalesa e tretë

Nga dëshmia e Imzot Frano Illisë (U mbijetoi përndjekjeve, sepse dënimi i tij me vdekje, së bashku me Atë Giovanni Faustin s.j. dhe Atë Daniel Dajanin s.j., iu kthye në burg të përjetshëm dhe punë të detyruar. U emërua Ipeshkëv i Shkodrës dhe u shugurua nga Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së Tij në Shqipëri më 25 prill 1993. Vdiq në vitin 1998).

 

“Ishim kaq të lodhur, kaq të dobësuar dhe kishim kaq shumë vuajtje materiale e shpirtërore, sa tashmë, gjatë marrjes në pyetje, nuk dinim më ç’të thonim.

Ishim të detyruar të përgjigjeshim: - Po, po, mirë! -

Pranonim me sy mbyllur atë që ata thonin. Gjykatësi, emri i të cilit nuk më kujtohet, ishte një njeri shumë arrogant dhe i ashpër. Na fuste frikën dhe bërtiste me të madhe: - Ju jeni armiq të popullit! -.

Thonin se ishim spiunë të Vatikanit. Me këto akuza më dënuan me vdekje”.

 

 

 

Ndalesa e katërt

Nga një dëshmi e Dom Josef Marxen (Meshtar me kombësi gjermane, lindi në vitin 1906 në Provincën e Këlnit, misionar në Shqipëri. U arrestua dhe u vra në moshën 40 vjeçare).

 

Arrestuar në vitin 1946 nga regjimi, sepse ishte prift dhe, për më shumë, i huaj, Dom Josef Marxen u mbyll në burgun e Tiranës. Iu nënshtrua torturave çnjerëzore, u pushkatua me akuzën se ishte një agjent i Gestapos. Një shok i tij i burgut, i cili u mbijetoi përndjekjeve, tregon: “Të gjithëve ne që e kemi njohur na vjen shumë keq për atë njeri. Jo vetëm sepse ishte i ri në moshë, por sepse ishte shumë serioz dhe i mëshirshëm. Nuk hezitonte të ndihmonte çdo të sëmurë dhe racionin e vet të ushqimit e ndante me të burgosurit, që kishin më shumë nevojë. Ky njeri gëzonte respektin e të gjithëve. Nëna e tij në Gjermaninë e largët priste për vite të tëra djalin e vet meshtar, por nuk i shkonte ndër mend se ia kishin pushkatuar, edhe pse nuk i kishte bërë keq askujt. Kishte ardhur të shërbente në Shqipëri dhe e vranë pa gjyq.

Ditët e fundit të jetës i thoshte një shokut të vet të qelisë: - Jam i gëzuar që po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si meshtar të fesë së Krishtit! -”.

 

 

 

Ndalesa e pestë

Nga një dëshmi mbi Dom Ndre Zadejës (Lindi në Shkodër në vitin 1891, studioi në Itali dhe Austri. U shugurua meshtar në vitin 1916, më pas u emërua famullitar në Sheldi. Njihet si orator i madh, Dom Zadeja qe edhe shkrimtar, poet dhe dramaturg. Akuzohet se në homelitë e veta ka folur kundër ardhjes së komunizmit, u arrestua dhe më pas u pushkatua më 25 mars 1945, të Dielën e Larit).

 

Më 25 mars 1945 Dom Ndre Zadeja, së bashku me 13 shokë të tjerë, u nxorrën nga burgu për t’u çuar drejt vendit të ekzekutimit. Të gjithë të burgosurit ishin të frikësuar. Shokët e tij meshtarë, para se të dilte, i dhanë bekimin nëpërmjet derës së vogël të burgut. Dom Zadeja u gjunjëzua së bashku me të gjithë të tjerët. Në vendin e ekzekutimit, pas varrezave katolike të Shkodrës, iu afrua Dom Tom Lacaj për t’i dhënë zgjidhjen e fundit të mëkateve. Dom Zadeja e falënderoi atë me këto fjalë: “Të falënderoj që ke ardhur këtu për të m’i lehtësuar vuajtjet”. Pas pak çastesh, qyteti i Shkodrës dëgjoi krismat e mitralozit që shtrinë përtokë 14 vetë.

 

 

 

Ndalesa e gjashtë

Nga dëshmia e Atë Zef Pllumit, o.f.m. (Lindi në Lezhë në vitin 1924 dhe vdiq në vitin 2007. Njeri me kulturë të gjerë, u mbijetoi përndjekjeve pasi bëri 25 vjet burg dhe punë të detyruar).

 

“Me rastin e Pashkëve të vitit 1949 në qelinë time nr. 7 ndodhi një ngjarje tejet e gëzueshme.

Krishti erdhi për të na forcuar në fe! Ja çfarë ndodhi.

Atë Leon Kabashi, frat minor, i kërkoi një palë papuçe të motrës, Rozës, e cila kishte ardhur për ta takuar. Mundi t’i thoshte: “Përpiqu që në papuçe të na futësh dhuratën e Pashkëve!”.

Policët dhe spiunët që i dëgjuan këto fjalë nuk e kuptuar se ai po i kërkonte të motrës oste të shuguruara, për kungim. Për Pashkë Atë Leoni arriti ta takonte Rozën, e cila i solli papuçet.

I hapëm fshehtas: brenda tyre ndodhej një korporal me 50 oste! Rashë në gjunjë.

M’u kujtua Shën Tarcizi, martir i kungimit në kohën e katakombeve…

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne!

Po përsëriteshin në shek. XX po ato skena që kishin ndodhur në katakombet romake”.

 

 

 

Ndalesa e shtatë

Nga një dëshmi mbi Dom Pjetër Çunin (Lindi në Shkodër në vitin 1914, studioi në Romë dhe u shugurua meshtar, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në vitin 1940. Pasi u kthye në Shqipëri, u emërua famullitar në Shkrel e Rrjoll, ku u dallua për përkujdesje dhe përkushtim në shërbimin e tij baritor dhe për marrëdhëniet dashamirëse me të gjithë. Dha një kontribut të çmuar për revistën dioqezane “Kumbona e së Djeles” dhe bëri përkthime të ndryshme, falë njohjes së tij shumë të mirë të gjuhës italiane. Ende famullitar i ri, në korrik të vitit 1948, u arrestua pa akuzë dhe pa gjyq dhe pesë muaj më vonë u pushkatua).

 

Një kushëri i tij tregon: “Dom Pjetri kishte kohë që po përgatitej për ta pranuar Kalvarin e vet. Flisnim për vendime, dënime e pushkatime, që shtoheshin dita-ditës.

Më tha: - Më duket se Krishti ka vendosur që unë të jem ndër të fundit! -.

Jo shumë kohë pas këtij takimi në shtëpinë time, Krishti vendosi ta thërriste për t’i bërë dëshmi: ishte korriku i vitit 1948. Në fakt, një mëngjes, një i Sigurimit e ndali në rrugë duke e pyetur se kush ishte, edhe pse e dinte shumë mirë se kush ishte. Ai e kuptoi se kishte ardhur koha. Atë ditë u nis me biçikletë për në Koplik, kryeqendra e zonës së famullisë së tij. E ndaluan dhe e arrestuan pa asnjë shkak e motiv. E lidhën dhe e çuan në Koplik. Këtu, së bashku me Dom Aleksandër Sirdanin, i lidhën dhe i hipën mbi dy gomerë. I shëtitën kështu nëpër të gjithë qytetin, ndërsa i fyenin dhe i akuzonin pareshtur.

 

 

 

Ndalesa e tetë

Nga një dëshmi mbi Marie Tucin (Lindi në vitin 1928. Studioi në Shkodër pranë Institutit të Motrave Stigmatine, tek të cilat hyri si aspirante. Guximtare dhe e fortë në bindjet e veta fetare, me ardhjen e komunizmit mori pjesë në grupin klandestin të rezistencës, së bashku me shumë të rinj të shkollave katolike, si edhe me disa seminaristë. Shumë e bukur për nga pamja, i bëri ballë dhunës që donin të ushtronin kundër saj në burg. Për këtë arsye e torturuan tmerrësisht, sa u detyruan ta shtronin në spital, ku vdiq më 24 tetor 1950).

 

Më 10 gusht 1949 Marie Tuci u arrestua së bashku me familjarë të tjerë dhe u burgos për një vit në Shkodër.

Në burg i nënshtrohej shpesh marrjeve në pyetje dhe rrahjeve mizore. Burgu i saj ishte një vrimë pa dritë dhe pa ajër. Një herë në muaj, me anë të një miku të vet, mund të merrte vetëm një komplet ndërresash, që ia çonte e ëma, të cilat i ndante me shoqen e vet të qelisë.

Një dëshmitare tregon se ditëve shumë të ftohta të dimrit rrinin të përqafuara për t’u ngrohur sado pak. Ndërsa kur binte shi, uji arrinte deri tek dysheku, i cili rrinte i lagur për ditë të tëra.

Kur e çuan në spital në gjendje shumë të rëndë, përpara se të vdiste i tha Davidës, shoqes së vet, e cila kishte shkuar për ta parë: - Dolën fjalët e Hilmi Seitit (përndjekësi i saj): Do të të bëj në atë mënyrë sa as familjarët e tu mos të të njohin!... Falënderoj Hyjin që po vdes e lirë! -.

 

 

 

Ndalesa e nëntë

Nga një dëshmi mbi Atë Giovanni Faustin (Jezuit, lindi në Brescia (IT) në vitin 1899. U diplomua në teologji dhe filozofi. Në vitin 1929 u dërguar në Shkodër si profesor në Seminar. U detyrua të kthehej në atdhe në vitin 1932 për arsye shëndetësore; dhjetë vjet më vonë u rikthye në Shqipëri si rektor i Seminarit Papnor të Shkodrës. U arrestua më 31 dhjetor 1945 së bashku me Atë Daniel Dajanin s.j.. Të dy u akuzuan se kishin ndihmuar për formimin e një grupi rezistence kundër komunizmit, brenda në Seminar. U dënuan me vdekje dhe u pushkatuan më 4 mars 1946).

 

Një hollësi mjaft mallëngjyese na sjell në kujtesë diçka prej Mundimeve të Krishtit.

Duke kaluar nga burgu për në gjykatë, Atë Faustin e shanin, e poshtëronin dhe e pështynin. Një gjë e tillë u përsërit për shumë ditë radhazi, aq ditë sa zgjati edhe procesi. Një ditë ndërsa po bënin këtë rrugë, një grua u shkëput nga turma: sytë i kishte të skuqur nga gjaku dhe flokët e pakrehura. Papritmas ajo u doli përpara atyre dhe me një zë të çjerrur prej zemërimit klithi: - Plumb ballit! -. Dhe me gojën e saj të pistë pështyu mbi fytyrën e Atë Faustit. Por Atë Fausti ishte shpirtmadh. Iu përgjigj duke e përshëndetur me kokë dhe, duke ndjekur shembullin e mësuesit hyjnor, tha: - “Fale, o Atë, se nuk e di se çfarë po bën”.

 

 

 

Ndalesa e dhjetë

Nga një dëshmi mbi Dom Dedë Maçajn (Lindi në vitin 1920. Meshtar i ri dioqezan, i plotësoi studimet e teologjisë në Romë. U kthye në Shkodër, shërbeu si famullitar në Rragam e Sheldi, ku pak më parë kishte qenë Dom Ndre Zadeja. U arrestua në vitin 1947. Me një gjyq-farsë, u dënua dhe u pushkatua, duke pësuar të njëjtin fat si shokët e vet meshtarë).

 

“E larguan nga salla e gjyqit. Gjykata mori një vendim pa apelim. Dënim me vdekje dhe ekzekutim të menjëhershëm, po në atë vend. I kërkuan të shprehte dëshirën e fundit. Tha: - S’kam asgjë për të thënë përveç asaj që e dini edhe ju, që jeni duke më dënuar pa faj -.

E çuan jashtë zonës ushtarake në një lëndinë pranë Vjosës. I hoqën petkat, siç bënë me Jezusin në Golgotë, dhe një skuadër qitësish qëlloi mbi të. Por ai nuk ra përtokë.

Qëlluan përsëri mbi të dhe përsëri Dom Deda qëndroi në këmbë. Xhelati, i tërbuar nga inati, prej faktit se nuk kishte mundur ta shtrinte për tokë me një të goditur të vetme atë vigan, dha urdhër që të qëllonin për të tretën herë. Por këtë herë ai nuk arriti të qëndronte! U rrëzua dhe përshëndeti tokën nënë, e cila u skuq me gjakun e tij”.

 

 

 

Ndalesa e njëmbëdhjetë

Nga një dëshmi mbi Dom Anton Muzajn (Lindi në vitin 1919, studioi pranë Seminarit Papnor të Shkodrës. I përfundoi studimet e teologjisë në Romë. Në vitin 1946 u kthye në Shkodër, në kohën kur përndjekja komuniste kishte filluar. U arrestua në vitin 1947, me akuzën se kishte qenë spiun i Vatikanit. Vdiq në moshën 29 vjeçare).

 

Ishte tetori i vitit 1947 kur Dom Anton Muzaj dhe Atë Frano Kiri u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave më të tmerrshme. I detyronin të qëndronin në këmbë, me majën e hundës të mbështetur tek muri, të lidhur duar e këmbë, për ditë e netë të tëra, ndërsa etja ua shtonte edhe më shumë vuajtjet. Çdo ditë, dy të burgosur, me radhë, lanin dyshemenë e korridorit të burgut, shpesh të lagur me gjak. Dom Antoni u kërkoi atyre që të mos e thanin krejt ujin, që të mund të pinte pak prej tij. Menjëherë i hodhën përtokë për të lëpirë si qentë ndonjë pikë ujë që mund të kishte mbetur në atë dysheme të lagur.

Kishte shkuar deri në atë pikë sa nuk mund të qëndronte më në këmbë dhe për këtë arsye rrahej edhe më shumë. Shpesh i hidhnin përsipër kova uji të ngrirë dhe e vendosnin mes dyerve dhe dritareve, në rrymat e akullta të muajve dimërorë. U sëmur rëndë nga tuberkulozi. Pas procesit, gjyqtarët duke parë gjendjen e tij shëndetësore e kuptuan se nuk kishte veçse pak muaj jetë. Për këtë arsye nuk e dënuan me vdekje. Shokëve të tij të burgut u tha: - Nëse një ditë do t’i shihni familjarët e mi, thoni atyre që jam krejt i pafajshëm dhe se po vdes për fenë time në Krishtin -.

 

 

 

Ndalesa e dymbëdhjetë

Nga një dëshmi mbi Dom Mikel Beltojën (I ndihmuar nga Imzot Ernest Çoba, studioi filozofi e teologji. U shugurua meshtar në Shkodër në vitin 1961, ndërsa regjimi po shkatërronte plotësisht Kishën katolike dhe strukturat e saj.

Më 19 prill 1973 u arrestua dhe u torturua për katër muaj rresht. Gjatë procesit, ku do të dënohet me vdekje, Dom Mikeli nuk pati frikë të fliste deri në fund kundër komunizmit, armik i betuar i fesë dhe i kombit. Do ta paguajë, në fakt, me jetën e vet faktin se kishte folur me pasion dhe vendosmëri duke mbrojtur klerin dhe të gjithë intelektualët, që regjimi i kishte zhdukur tashmë me egërsinë e vet).

 

Disa dëshmitarë okularë tregojnë se Dom Mikeli ishte një “ushtar” i vërtetë i Krishtit: i guximshëm dhe i zellshëm për çështjen e Hyjit, i vendosur dhe i patëmetë, i gatshëm për gjithçka veç për t’i shërbyer Krishtit dhe vëllezërve.

Për këtë arsye komunistët e përgjonin dhe e ruanin vazhdimisht atë.

Një ditë agjentët e Sigurimit hynë në shtëpinë e tij dhe bënë një kontroll të hollësishëm. Morën gjithçka gjetën: petkat e Meshës, librat liturgjikë, foguret dhe objektet e tjera të shenjta. Pastaj i dolën përpara dhe e arrestuan përpara kishës së Beltojës, që në atë kohë e kishin kthyer në një qendër kulture.

E futën me dhunë në makinë! Ai me qetësi përshëndeti ata që ishin aty të pranishëm..., por të gjithë patën frikë t’i përgjigjeshin dhe e shoqëruan vetëm me sy. Shtëpia e tij u ruajt me roje të armatosura, të cilët, pasi morën gjithçka, mblodhën popullin duke e detyruar atë që ta akuzonte Dom Mikelin si armik të popullit dhe si reaksionar.

 

 

 

Ndalesa e trembëdhjetë

Nga një dëshmi mbi Atë Serafin Kodën, o.f.m. (Lindi në vitin 1893. Hyri në Urdhrin e Fretërve Minorë në vitin 1909. Pasi u shugurua meshtar, në vitin 1915 u bë definitor provincial dhe famullitar i fshatrave të ndryshëm. Ishte famullitar në Lezhë kur u arrestua dhe u torturua në mënyrë çnjerëzore për një akuzë të rreme komploti, pasi kishte marrë pjesë në një mbledhje të Provincës Françeskane. Vdiq më 11 maj 1947 në moshën 54 vjeçare).

 

Atë Serafini, njeri shumë i mirë dhe i kujdesshëm, prej të gjithëve vlerësohej për urtinë dhe guximin e tij, ishte i palodhur në misionin e vet si meshtar e famullitar. I kryente shërbesat fetare pa pasur frikë prej asgjëje dhe prej askujt. U arrestua ne kuvendin françeskan të Lezhës nga forcat e Sigurimit: ishte dita e emrit të tij, 12 tetor 1946. U mbajt i burgosur në stallën e kuvendit, marrë nga regjimi dhe kthyer në spital.

E torturuan duke e futur në një fuçi me ujë deri në fyt. Ia ngulën aq shumë thonjtë në fyt sa ia shqyen gurmazin. Ai që u gjend afër tij, tregon se ndërsa po e çonin nga burgu për në infermieri – gjithmonë brenda kuvendit – Atë Serafini iu drejtua Zojës me këtë lutje: - O Zojë, bëje shpejt punën tënde! -.

 

 

 

Ndalesa e katërmbëdhjetë

Nga një dëshmi mbi Dom Aleksandër Sirdanin (Lindi në Shkodër në vitin 1892, shumë shpejt mbeti jetim nga nëna. Studioi në Shkodër pranë Kolegjit Saverian të Jezuitëve dhe i vazhdoi studimet e teologjisë në Austri. U shugurua meshtar në vitin 1916, shërbeu si famullitar në fshatra të ndryshëm të dioqezës së Shkodrës. Njeri lutjeje dhe punëtor paqeje, ndërhynte në situata mosmarrëveshjeje dhe hakmarrjeje mes familjeve. U dallua për urtinë dhe fisnikërinë e tij të shpirtit.

Në vitin 1948 u arrestua dhe u çua në Koplik. Iu nënshtrua torturave çnjerëzore për pesë muaj, u vra së bashku me Dom Pjetër Çunin).

 

Njeri i gojës, Dom Aleksandri ishte shumë i qartë në predikimet e veta. Me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme prej të gjithëve, përçonte mësimet e urtisë së krishterë, dhe, pa iu trembur asgjëje dhe askujt, hidhte poshtë teoritë materialiste dhe ia nxirrte bojën, përpara të gjithëve, ideve antikristiane të komunizmit ateist. Përsëriste me zë të lartë dhe të vendosur se vetëm aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria!

Disa dëshmitarë tregojnë se një ditë, pas predikimit të tij, persona në shërbim të regjimit e nxorrën jashtë, afër një kryqi dhe me zemërim të madh e kritikuan me fjalë të ulëta dhe e kërcënuan përpara popullit.

Dom Aleksandri, me qetësinë e vet të zakonshme, tha: - Më godisni. Ja ku jam. Unë e jap jetën për Krishtin! -.

Atëherë dikush iu lut: - Jo, Dom Aleksandër, sepse kështu po na shkatërron ne dhe veten tënde! -.

Dhe ai iu përgjigj: - Është nder për mua dhe për ju ta dëshmojmë Krishtin. Unë kam predikuar dhe do të predikoj vetëm fenë e Krishtit! -.

 

 

 

Nën kujdesin e Manastirit “Shenjtja Kjarë” – Klarise – Shkodër


Gjelosh Lulashi

Lindi në Shosh (Dukagjin), më 2 shtator 1925.

Qe besimtar i thjeshtë, laik.

Qe oficer ushtarak në spitalin e Shkodrës.

Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar”.

U arrestua dhe pushkatua më 4 mars 1946, së bashku me Atë Gjon Shllaku O.F.M., Atë Giovanni Fausti S.I., Atë Daniel Dajanin S.I..

I tërhequr dhe i forcuar prej shokëve të tij heroikë, me te cilët vuajti dhe vdiq, tha këto falë të fundit: “Thuani babait tim: ... ”

Edhe ai është martir i fesë.



Dom Josif Papamihali

Lindi në Elbasan, më 23 shtator 1912.

Studimet i kreu në seminarin “Benedikti XI”, në Grotaferrata (Itali).

Dha një shembull shumë të mirë. Studimet e filozofisë dhe të teologjisë i kreu në seminarin e shën Atanazit (Romë).

U shugurua në Romë, më 1 dhjetor 1935.

Në Shqipëri erdhi në vitin 1936 dhe u caktua famullitar i kishës së shën Pjetrit në Elbasan.

U arrestua në vitin 1945, sepse ishte prift katolik dhe u dërgua me punë të detyruar në Korcë. I rraskapitur nga lodhja, meqë nuk mund të punonte më, e varrosën të gjallë në kënetën e Maliqit, më 26 tetor 1948.

Qe meshtar shumë i mirë, i butë dhe i zellshëm, me një ëmbëlsi dhe afërsi të jashtëzakonshme. Një martir i vërtetë i fesë.



Dom Ejell Deda

Lindi në Shkodër, më 22 shkurt 1917.

Studimet e para i kreu tek françeskanët, pastaj kaloi në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku studioi edhe teologjinë.

U shugurua meshtar më 24 shkurt 1943 në kishën e jezuitëve (Shkodër), ku kremtoi edhe Meshën e Parë të nesërmen, më 25 shkurt.

Qe famullitar i Bushatit (Shkodër). U arrestua më 12 nëntor 1947 dhe u dënua me dhjetë vjet burg.

Vdiq në burg, më 12 maj 1948.

“In odium fidei”.

Ishte i përshpirtshëm dhe i zellshëm, një meshtar shembullor. Shumë i çmuar dhe i dashur nga populli, si dhe shumë i përzemërt.



Dom Berernadin Palaj

Lindi në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 tetor 1894. 

Teologjinë e kreu në Insbruk (Austri). 

Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë; qe profesor dhe shkrimtar. 

Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar. 

Në 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër. E lidhën me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi. 

Ka vdekur “in odium fidei”.

 

 

Dom Daniel Dajani

Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 dhjetor 1906.

Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë.

U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938.

U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar.

Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë.

U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946.

U torturua në mënyrë çnjerëzore.

Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret, i fali armiqtë e mi!”.

 



Dom Josef Marxen

Lindi në Worringen (Gjermani), më 2 gusht 1906.

Erdhi në Shqipëri si misionar dhe punoi në zonën e vështirë të Kthellës (Mirditë).

Dha një kontribut të madh për rritjen e fesë së atij populli, por edhe në fushën e të mësuarit dhe të kulturës.

Në periudhën 1938-1943 u angazhua në famullinë e Perlatit (Mirditë). Gëzonte një dashuri të madhe nga ana e popullit. Tregojnë se ishte shumë i lidhur me kishën dhe me popullin.

Studioi dhe praktikoi gjuhën shqipe tek meshtari i mirë Dom Mati Fishta, famullitar i Malajt. Në vitin 1943 u transferua në Jubë të Durrësit.

Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, sepse ishte prift dhe sepse ishte gjerman. U mbyll në burgun e Tiranës dhe nga aty u zhduk.

Të dënuarit e tjerë tregojnë se një natë e nxorrën nga burgu dhe pastaj nuk e morën vesh kurrë se ku e kishin dërguar.

Thuhet se kanë pushkatuar në një pyll më 17 nëntor 1946, në moshën 40 vjeçare.

Para se ta merrnin, Dom Josef i kishte thënë një shokut të burgut këto fjalë: ”Jam i kënaqur që po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si prift i fesë së Krishtit!”.

Ka vdekur in odium fidei catholichae et Germaniae



Dom Luigj Prendushi

Lindi në Shkodër, më 24 janar 1896.

Prej shkollës fillore deri në meshtari studioi në seminare të ndryshme të Piemontes, në kolegjet Skarnafacio dhe Sarvano.

U shugurua meshtar më 12 mars 1921.

U kthye në Shqipëri dhe filloi të shërbejë në Ipeshkvninë e Sapës.

U akuzua se ishte spiun i Vatikanit, u arrestua në Naraç më 8 dhjetor 1946 dhe, për të terrorizuar popullin, u pushkatua në Shelqet në praninë e fshatarëve, më 24 janar 1947.

“In odium fidei”.



Qerim Sadiku

Lindi në Vuthaj (Shkodër), më 12 shkurt 1919.

Qe anëtar i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” dhe ishte ndërlidhës mes malit e qytetit.

U arrestua më 3 dhjetor 1945 dhe i duroi torturat me një guxim të madh.

U dënua me vdekje dhe u pushkatua, në grup, bashkë me Atë Gjon Skllaku, Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani, më 4 mars 1946.

Fjalët e tij të fundit qenë: “I fali ata që kanë mundur të më bëjnë keq. I fali ata që më kanë dënuar me vdekje, e ata që do të më pushkatojnë”.

Fjalët e tij të fundit provojnë martirizimin e tij.




Fran Mirakaj

Lindi në Iballë (Pukë), më 13 gusht 1916.

Qe blegtor dhe shitës. Kishte të afërm e kushërinj jashtë shteti, për këtë arsye u fut në lojën e Sigurimit.

Gjykata e Tiranës, e kryesuar nga gjykatësi Frederik Nosi me Prokurator Nezat Haznedarin, aprovoi dënimin e shpallur në Shkodër më 22 shkurt 1946.

U pushkatua në moshën 29 vjeçare, në shtator të vitit 1946.



Dom Shtjefen Kurti

Lindi në Ferizaj (Kosovë), më 25 dhjetor 1898.

U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921.

Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun.

U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet vjet burg.

Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot). U arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje “in odium fidei”.

U pushkatua më 20 tetor 1971.




Dom Luigj Paliq

Lindi në Janjevë (Kosovë), në Arqipeshkvninë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879.

Pas shkollë fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë).

Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901.

U shugurua meshtar më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shën Antonit në Gjakovë. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës.

Pas shugurimit u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studimi pas-universitare.

Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvninë e Shkodrës.

Gjatë viteve 1907-1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë).

U martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913.



Mons. Frano M. Gjini

Lindi në Shkodër, më 20 shkurt 1886.

Studimet filozofike i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse studimet teologjike në Kongregatën Propaganda Fide (Romë).

U shugurua meshtar në Durrës më 28 qershor 1908, ku zhvilloi edhe shërbimin e tij meshtarak.

Në vitin 1930 u shugurua Ipeshkëv i Durrësit, seli që e ndryshoi, sepse u emërua titullar i Abacisë Nullius të Oroshit. Në vitin 1945 qe Zëvendës-delegat Apostolik i Shqipërisë. U arrestua më 15 nëntor 1946 me akuzat “spiun i Vatikanit” dhe “bashkëpunëtor i anglezëve e organizator i kryengritjes së Postribës”.

Qe i paluhatshëm dhe në asnjë mënyrë nuk pranoi, edhe ndër tortura, që të formonte një kishë katolike kombëtare, të ndarë nga Selia e Shenjtë. Kjo qe arsyeja e vërtetë e pushkatimit.

Pësoi keqtrajtime dhe tortura të ndryshme. Pas shumë vuajtjesh u dënua me pushkatim. Fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret! Shqipëria do të jetojë edhe nëse ne vdesim!”.

U pushkatua më 11 mars 1948.



Dom Gjon Gazulli

Lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893.

Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës.

Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti.

U shugurua meshtar më 4 gusht 1919.

Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike.

Insistimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var.

Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rroftë Kisha Katolike, Nëna jonë! Rroftë Papa, Ati ynë! Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë!”.

Kjo ndodhi më 5 mars 1927. Kjo dëshmi u tregua nga një oficer i pranishëm në momentin e vdekjes së tij.



Fr. Anton Muzaj

Lindi në Vrnavokolo (Kosovë), më 19 mars 1921.

Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër.

Në vitin 1938 shkoi në Romë në Kongregatën Propaganda Fide dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian.

U shugurua meshtar më 19 mars 1944.

Në vitin 1946 u kthye në atdhe.

Në vitin 1948 u arrestua dhe pas shumë torturave u lirua.

Vdiq në arqipeshknvinë e Shkodrës, për shkak të pasojave të torturave, në pranverë të vitit 1948. Pra: vdiq “in odium fidei”.

Ishte i devotshëm dhe i zellshëm; si karakter gjithmonë i gatshëm dhe shumë i përvuajtur.





Dom Anton Zogaj

Lindi në Kthellë (Mirditë), më 26 korrik 1908.

Në vitin 1920 filloi shkollën në Seminarin Papnor Shqiptar dhe studimet filozofike e teologjike e kreu në Austri; u diplomua në Trening në vitin 1931.

U shugurua meshtar më 26 prill 1932.

Qe sekretar i Arqipeshkvit të Durrësit.

Ishte besnik dhe i zellshëm.

Qe famullitar i Durrësit.

U arrestua në Durrës më 18 maj 1947 dhe u pushkatua më 9 mars 1948 në Portin Romak të Durrësit.




Dom Mikel Beltoja

Lindi në Beltojë, më 9 maj 1935.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij dhe disa klasë të shkollës së mesme. U përgatit nga ana filozofike e teologjike privatisht nga Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba. U shugurua meshtar më 8 dhjetor 1961.

Qe shumë i zellshëm në shërbimin e tij meshtarak. Pas mbylljes së kishave në mars 1967, pa marrë parasysh ndalesat e regjimit, shkonte nga njëri fshat në tjetrin dhe në mënyrë të veçantë në male, duke ofruar me guxim shërbimin e tij fetar.

U arrestua në Beltojë, më 19 prill 1973.

Qe torturuar në mënyrë shtazarake, por rezistoi me vendosmëri dhe heroizëm.

Fillimisht u dënua shtatë vjet, por përpara gjyqit foli kundër regjimit dhe kundër diktatorit Enver Hoxha, duke u dënuar menjëherë me pushkatim.

Për ta bërë të heshtte në sallën e gjyqit, pasi që e kishin zhveshur, e therën disa herë me zumça.

Jeta e tij qe një dëshmi heroike, dhe për këtë nderohet nga ata që e kanë njohur.

U pushkatua më 10 shkurt 1974.



Dom Mark Gjani

Lindi në Shën Gjergj (Pulaj), më 10 korrik 1909.

Shkollën e mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Bobio (Itali), ku edhe u shugurua meshtar më 21 mars 1942.

Ishte i butë dhe i zellshëm.

U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerëzore, në vitin 1947.

Kur e torturonin, kërkonin prej tij të mallkonte Jezu Krishtin dhe ai përgjigjej duke bërtitur: “Rroftë Jezu Krishti!”, e kjo për disa ditë rresht, derisa vdiq ndër këto tortura shtazarake.

Këto fjalë të Dom Mark Xhanit janë treguar me lot në sy, nga një person që quhej Nikollë Perndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte qenë në të njëjtën qeli me të, të ndarë dysh me hekura. Nëpërmes të çarave shihej e dëgjohej gjithçka.

Pastaj trupi i tij u hodh në një kanal dhe u shqye nga qentë.

Është martir i vërtetë i fesë katolike.



Dom Karl Sereqi

Lindi në Shkodër, më 2 shkurt 1911.

Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët, kurse teologjinë në Bresha (Itali).

U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. Qe famullitar në zonat më të vështira të maleve (Nikaj-Mertur).

U arrestua më 9 tetor 1946, sepse organet e sigurimit donin të dinin se çfarë i kishte thënë në rrëfim një person politik.

Ai, besnik ndaj fshehtësisë së rrëfimit, nuk tha asgjë gjatë torturave.

U dënua me vdekje më 18 janar 1947, por pas pak ditësh dënimi iu ndërrua në burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954.

Është martir i fshehtësisë së rrëfimit.



Dom Mati Prendushi

Lindi në Shkodër, më 2 tetor 1881.

Shkollën fillore, të mesme dhe liceun i kreu në shkollën françeskane (Shqipëri). Studimet e filozofisë i kreu në Grac (Austri).

U shugurua meshtar më 25.03.1904. Mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar.

Qe provincial i Françeskanëve në Shqipëri nga viti 1943 deri në vdekje. E dha jetën dhe lirinë e vet në flijim për të mirën e Shqipërisë. Qe dënuar me vdekje nga serbët, por pas një ndërhyrjeje të mbretit Nikolla të Malit të Zi, qe falur. Në 15.11.1946 qe arrestuar me akuzën e rreme se kishte fshehur armë nën altarin e Shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës, dhe për këtë arsye qe pushkatuar nga komunistët.

Fjalët e tij të fundit janë dëshmi feje: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës, të pafajshëm! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë). U pushkatua më 11 mars 1948, tek varrezat e Rrmajit.

Martir i vërtetë.



Dom Ndre Zadeja

Lindi në Shkodër, më 3 nëntor 1892.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).

U shugurua meshtar në Shkodër më 24 prill 1916. Një ndër Meshët e para të tij e kremtoi në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë (rrëzë kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama.

Qe sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar në famulli të ndryshme të Dioqezës.

Qe i pari meshtar që u pushkatua në Shkodër nga komunistët, të cilët sapo kishin ardhur në pushtet, më 25 mars 1945. Akuza ishte se kishte ndihmuar në mënyrë të fshehtë meshtarin Dom Lazër Shantoja.

Qe shkrimtar i mirë, meshtar i ndershëm dhe i zellshëm – sidomos në mësimin e katekizmit, bari i butë e i devotshëm i famullive që i qenë besuar.



Dom Jul Bonati

Lindi në Shkodër, më 24 maj 1874.

Studioi në Firence. Njihte disa gjuhë të huaja.

U shugurua meshtar në Goricia (Itali), më 8 prill 1906.

Ka përkthyer në gjuhën italiane librin e famshëm të Atë Gjergj Fishtës: “Lahuta e Malcisë”.

I ka dhënë një ndihmë të madhe Kishës sonë në Shqipëri: në Durrës dhe në Vlorë.

Ishte një meshtar i përvuajtur dhe i mençur, plot me zell e devocion.

U arrestua në Durrës më 25 mars 1946 dhe u torturua çnjerëzish.

Për ta torturuar edhe më shumë, e futën në çmendinën e Durrësit ku vdiq më 5 nëntor 1951.

Pësoi një martirizim të ngadalshëm.



Dom Lek (Alexander Sirdani)

Lindi në Gurës (Milot), më 1 mars 1891.

Studimet e para i kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Insbruk (Austri).

U shugurua meshtar më 24 prill 1916.

Shërbeu në famullitë e maleve të Arqipeshkvnisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm dhe i devotshëm.

Qe torturuar në mënyrë barbare e të pashpirtshme, krejt çnjerëzore. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin.

Martirizimi i tij është i dukshëm. I torturuar dhe i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.



Imzot Vincent Prennushi

Arqipeshkëv i Durrësit.

Lindi në Shkodër, më 4 shtator 1885.

Shkollën fillore dhe liceun e kreu në kolegjin e françeskanëve në Troshan, kurse teologjinë në Tirol (Austri).

Meshën e Parë e kremtoi më 19 mars 1908.

Qe drejtor i shtypshkronjës françeskane, i kolegjit françeskan, Guardian i Kuvendit të Shkodrës. Dy herë qe provincial.

Më 19 mars 1936 u shugurua Ipeshkëv i Sapës e pastaj u emërua Arqipeshkëv i Durrësit. Njeri i përvujtë, i zellshëm, i butë, organizues i Ipeshkvnisë, njeri shumë i mençur dhe shkrimtar i mirë.

U arrestua më 19 maj 1947 dhe u dënua me 20 vjet burg.

Vdiq në burgun e Durrësit, më 19 mars 1949.

Martir i fesë.




Dom Gjon Pantalia

Lindi në Prizren (Kosovë), i afërm me Nënë Terezën, më 2 qershor 1887.

Erdhi në Shqipëri në vitin 1906 në shkollën e jezuitëve, si vëlla në shoqërinë e Jezusit. Ka studiuar edhe në Soresina (Itali).

Të gjithë ata që e kanë njohur flasin me respekt të madh për të.

Ai ka pasur një rol të madh në jetën e kolegjit.

Ishte një njeri i mençur dhe i zellshëm.

Pas arrestimit të Etërve Fausti dhe Dajani, qe udhëheqësi shpirtëror i Kongregatës. U arrestua në vitin 1946 në Kuvendin e Fretërve (Gjuhadol) dhe pësoi tortura të tmerrshme.

Vdiq ndër tortura, më 31 tetor 1947.

Nga ata që e njohën ndër tortura, mbahet si martir i vërtetë.



Dom Gjon Shllaku

Lindi në Shkodër, më 27 korrik 1907.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër).

Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931.

Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër).

U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars 1946 së bashku me Atë Faustin, Atë Dajanin, me seminaristin Mark Çuni, dhe me laikë të tjerë.

Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shenjt, si në të gjitha kohët heroike.

Martir i vërtetë.



Media

Facebook

Frati Minori

antonian 1

Google

google 1

YouTube

LEXIMET E DITËS