|
|
« Qëkur isha
pesëmbëdhjetë-gjashtëmbëdhjetë vjeç, leximet, që më pëlqenin
shumë, kishin arritur të zhduknin prej meje çdo fe; nuk pranoja
asnjë doktrinë filozofike, duke mos gjetur asnjë prej tyre të
themeluar mbi baza të qëndrueshme, qëndroja në dyshim të plotë,
sidomos larg fesë katolike, dogmat e së cilës, sipas meje,
vritnin thellë arsyen» .
(Letra Henri Duveyrier, 21.2.1892)
Ishte 22 vjeç, oficer, kur ai u dërgua në Algjeri.
Atje mahnitet duke
zbuluar horizonte të reja. Pas tri vitesh, largohet prej
ushtrisë dhe rrezikon duke ndërmarrë një ekspeditë në Marok.
Gjatë këtij udhëtimi ai mirëpritet dhe mbrohet disa herë nga
myslimanë shumë fetarë, të cilët bëhen miqtë e tij. Dëshmia e
besimit të tyre e bëjnë të mendohet aq, sa në vetvete i lind
pyetja: «
a ekziston
Perëndia? »
Kur
kthehet në Francë, familja e tij e krishterë e mirëpret me mall,
duke u treguar e matur me të, në veçanti kushërira e tij Mari dë
Bondi. Ai vihet në kërkim. Falë providencës ai takon një prift,
që do të jetë për të një atë dhe një mik : abati Hyvëlen. Në
tetor të vitit 1886, në moshën njëzet e tetë vjeç rikthehet në
fenë e tij.
Atëherë ai zbulon Zotin si një Atë shumë të afërt dhe plot
dhembshuri, që e ka pritur parreshtur fëmijën e vet. Ekzistenca
e tij shndërrohet tërësisht dhe, që sot e tutje, ai kërkon sesi
t’i përgjigjet me tërë jetën e tij kësaj dashurie të pafund të
Hyjit.
Një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë ia zbulon fytyrën e Jezusit
të Nazaretit, Biri i Zotit, ardhur në mishin tonë, që ka bërë
jetën e thjeshtë të një zejtari në fshat për tridhjetë vjet. Kjo
varfëri e kjo përvujtëri bëjnë jehonë thellë në qenien e tij si
një thirrje.
Ai
shkruan për këtë:
« Më
në fund, jam i etur të jetoj siç e kam parashikuar, parandier,
duke ecur nëpër rrugët e Nazaretit që shkelën këmbët e Zotit
tonë, zejtar i varfër, i humbur në poshtërim e në errësirë»
Përvijohet rruga, por
ajo do të jetë e gjatë dhe e stuhishme. Vëllai Sharl kalon së
pari shtatë vjet në manastirin “Notre-Dame des Neiges”,
pastaj qëndron katër vjet në Nazaret, ku jeton si eremit para
derës së një kuvenditë Klariseve.
Ai
kalon gjithashtu shumë kohë duke përsiatur Ungjillin…dhe shumë
shpejt kjo fjalë e Zotit do t’i drejtohet atij dhe ai do t’i
përgjigjet:
« Më duket se nuk ka
fjalë të Ungjillit që të më ketë tronditur aq thellë dhe të ketë
shndërruar aq shumë jetën time sa kjo:
“Gjithçka që ju e
bëni njërit prej atyre të vegjëlve, ma bëni mua”.
Nëse mendojmë se këto
fjalë janë ato të së Vërtetës së pakrijuar, ato të gojës që ka
thënë: “Ky
është trupi im...Ky është gjaku im...”me çfarë forcë jemi
shtyrë për të kërkuar e për të dashur Jezusin te këta të
vegjëlit »
(Letra Louis Massignon,
1 gusht 1916)
Këto fjalë e shtyjnë të braktisë vetminë e tij për të shkuar
drejt tokave më të lëna pas dore, ku Jezusi e pret te të gjithë
ata dhe ato, që jetojnë në vuajtje dhe varfëri. Ai dëshiron
gjithashtu t’u sjellë atyre që nuk e njohin, këtë dashuri të
Zotit, që digjet në të si zjarr.
Vëllai Sharl ka rizbuluar atë që thoshte tashmë Shën Joan
Gojarti/ Krizostomë në shekujt e parë të krishterizmit: duhej të
ishin po aq të kujdesshëm ndaj pranisë së Jezusit tek i varfri
sa edhe ndaj pranisë së tij në Eukaristi.
Ky
parapëlqim i Zotit për të varfrit, për mëkatarët, për të fundit,
e shkëput atë nga jeta e tij në eremitore, për t'ia dhuruar atë,
gjithnjë e më shumë me dashuri Zotit të tij, por duke treguar
përherë mikpritje, gatishmëri, bashkëndarje vëllazërore me më
nevojtarët.
Në
vitin 1900, ai largohet përfundimisht nga Nazareti, kalon disa
muaj në abacinë “Notre-Dame des neiges”, që të bëhet
prift. I shuguruar më 9 qershor 1901 nga ipeshkvi i Vivjesë,
niset disa muaj më vonë për Algjeri dhe vendoset në oazën e
Saharasë në Beni-Abbés, në kufi me Marokun.
Ai
nuk ndërton një eremitore, por një “Vëllazëri“,
d.m.th. një shtëpi, dera e së cilës është gjithmonë e hapur për
të gjithë ata që vijnë pa dallim nënshtetësie race ose
religjioni. Ai shkruan :
«Nga
ora 4.30 e mëngjesit deri në 8.30 të mbrëmjes njerëzit që vinin,
të varfër, skllevër dhe mysafirë nuk më lënë asnjë çast...Të
jesh bamirës, i butë, i përvuajtur, me të gjithë njerëzit:
Jezusi na ka mësuar të shkojmë ‘si
qingja ndër ujqërit’»
(Letra
M. de Bondi, 1902)
Në
kapelën e Beni-Abbès pikturon figurën e Takimit të
Virgjëreshës Mari me Elizabetën. Ai vendosi këtë festë
si“festë e pajtores”për vëllezërit dhe motrat e vogla që
duhen ta” sjellin Jezusin për të shenjtëruar popujt duke
sjellë në mes tyre JEZUSIN
në heshtje, sikurse Maria shenjtëroi shtëpinë e Gjonit duke çuar
atje JEZUSIN.
Beni-Abbès
Kanë kaluar tashmë tre vjet që kur Vëllai Sharl është vendosur
në Beni-Abbès.
Atje dëgjon të flitet për një popull të varfër, Tuaregët,
dhe se është shumë e vështirë për të shkuar deri atje. Në vitin
1904, miqtë e tij oficerë i japin mundësinë të udhëtojë dhe të
hyjë në kontakt me ta. Kështu, niset përsëri për udhë.
Për
më shumë tre muaj ai ecën nëpër shtigje të lodhshme të
shkretëtirës për të arritur në malet e ashpra të Hogarit, ku
jetojnë si nomadë grupe të vogla tuaregësh. Sapo arrin atje, ai
ndien brenda vetes një forcë që e shtyn për t’u vendosur në mes
tyre. Por këto fise kanë një mosbesim të madh ndaj pushtuesve
francezë dhe vetëm pas një viti Musa Ag Amastane, kreu i tyre, e
lejon Sharlin të vendoset në Tamanraset. I vetëm, pa mbrojtje,
mbështetet te mysafirët e tij dhe vendoset në një shtëpi prej
balte, të ndërtuar brenda disa ditësh.
«Jam këtu jo për t’i
konvertuar Tuaregët, por për të bërë përpjekje për t’i kuptuar…Unë
jam i sigurt se Zoti ynë do t’i mirëpresë në qiell ata që qenë
të mirë e të ndershëm…».
Që në takimet
e para me ta, ai fillon të studiojë me pasion gjuhën e tyre. Ai
kërkon ta njohë kulturën e tyre, duke qëmtuar me qindra vargje
poemash e poezish, të kënduara rreth e rrotull zjarrit në
mbrëmje, ku përcillet historia dhe shpirti i popullit tuareg..
Vëllai Sharl
ushqen në zemër një dëshirë shumë të madhe: t’u flasë atyre për
Jezusin dhe për Ungjillin, por e kupton shumë shpejt se kohët
nuk janë pjekur për një shpallje të tillë. Atëherë, vetëm falë
një pune me plot durim, miqësi e mirësi, ai mund t’u tregojë
atyre se kush është Hyji i tij. Në vitin 1909 ai shkruan :
«Apostolati im duhet të jetë apostolati i mirësisë ; kur të më
shohin mua, duhet t’i thonë njëri-tjetrit ‘Meqenese ky njeri
është aq i mirë besimi fetar duhet të jetë e mirë’. Në qoftë se
më pyesin përse unë jam i butë e i mirë, duhet të them: ‘Sepse
jam shërbëtori i një shumë më të miri se unë, sikur ta dinit
sesa i mirë është Mësuesi im Jezusi...»
(nga Ditari, 1900)
|
|
Shpërthen
lufta e parë botërore në vitin 1914. Dhuna arrin deri në vendet
e shkreta të Hogarit. Pothuaj kudo ngrihen fise kundër pushtimit
frëng dhe pasiguria rritet.
Vëllai Sharl
e di se gjendet në rrethina gjithnjë e më shumë të rrezikshme. I
propozojnë që të shkojë për t’u strehuar në një post ushtarak
frëng, por ai nuk pranon të braktisë ata që e kanë mirëpritur
para dhjetë vitesh e më shumë. Në këto vite janë thelluar
miqësia e besimi dhe ai ndihet i lidhur me popullin tuareg
nëpërmjet solidariteteve njerëzore shumë të forta.
«Zoti
im Jezu, që keni thënë: ‘Askush nuk ka një dashuri më të madhe
sesa ai që jep jetën për miqtë e ti’… dëshiroj me gjithë zemër
ta jap jetën time për ju, jua kërkoj këtë gjë menjëherë. Hyj im,
falini armiqtë e mi, jepuni atyre shpëtimin…»(Meditimi
1916)
“Të
jetosh të sotmen sikur të vdisja martir këtë mbrëmje”
Tërë jetën e
tij ai ka kërkuar të ndjekë dhe të imitojë këtë Jezus të
Nazaretit, që një ditë i rrëmbeu zemrën dhe tani dëshiron ta
ndjekë atë deri te Mundimi dhe vdekja e tij, për t’i dhënë
Jezusit provën e dashurisë më të madhe.
Ishte
mbrëmja e 1 dhjetorit 1916,
kur një grup rebelësh e morën peng. Duket se ata nuk kishin
ndërmend ta vrisnin, por në një çast paniku, ai që e ruante, e
qëlloi nga shumë afër dhe kështu vëllai Sharl ra viktimë e
dhunës si shumë të tjerë në ato vitet e luftës.
Nëse kokrra e grurit kur
bie në tokë nuk vdes,
ajo mbetet vetëm;
nëse vdes, ajo jep shumë fryt…
(Gjn
12,24 )».
Ai vdes i
vetëm si fara e grurit, por kjo është shenjë shprese, që
vëllazëria njerëzore është më e fortë se të gjitha urrejtjet që
sfilisin dhe përçajnë popujt. Pesëmbëdhjetë ditë më vonë kreu
tuareg Musa Ag Amastane, që ishte bërë miku i tij dhe që ishte
një mysliman i përshpirtshëm, i shkruan motrës së vëllait Sharl:
«Sharl, marabu (arabisht d.m.th.njeriu i Zotit), nuk ka
vdekur vetëm për ju, por edhe për ne të gjithë. Zoti i dhëntë
mëshirë dhe u takofshim me të në parajsë»!
titujt kryesore |