Motrat e vogla të Jezusit u vendosën në
Tiranë në vitin 1998.
Kur erdhëm në Shqipëri kërkuam me zemër të
hapur ta japim përgjigjen tonë ndaj thirrjeve urgjente dhe atyre
të jetës së përditshme. Menjëherë jemi përfshirë thellësisht në
lëvizjen e shumë shqiptarëve që pas vitit 1991 janë larguar në
drejtime të ndryshme jashtë vendit të tyre. Më vonë është
paraqitur emergjenca e refugjatëve shqiptarë të Kosovës, ku
bashkësia jonë qëndroi 20 vjet.
Kemi bashkëpunuar me shoqata të ndryshme për
të ndihmuar materialisht në Tiranë dhe në Kukës, por e
rëndësishme ka qenë mbështetja jonë morale.
Dhe pas kthimit të shumicës së refugjatëve,
shoqërimi i personave të ndryshëm në Kosovë, të cilët qëndruan
për një kohë të gjatë të shtruar në spitalin e Tiranës, sidomos
në repartin onkologjik, për sëmundje që vinin si rrjedhojë e
traumave të luftës.
Prania e Motrës së Vogël Josée Jeannine afër
grave të burgosura, për më shumë se 5 vjet tashmë, është sidomos
një prani dëgjimi e miqësie. Ajo viziton fëmijët e këtyre grave
që gjenden në Shtëpitë e Mikpritjes në Shkodër dhe në Tiranë,
dhe shoqëron gratë që dalin nga burgu. Për disa prej tyre,
Vëllazëria jonë bëhet një pikë referimi.
Besojmë se edhe puna e Motrës së Vogël Odette
Louise për përkthimet në gjuhën shqipe ka një ndikim të fortë
shoqëror si për tekstet fetare, ashtu edhe për kërkimet në
tekstet e kulturës shqiptare. Përmendim këtu Pjetër Bogdanin, i
cili vë në dukje identitetin e popullit shqiptar, si edhe
Fjalorin e Teologjisë Biblike në gjuhën shqipe, që ka dalë së
fundmi nga shtypi, i cili do të jetë një ndihmë shumë e madhe jo
vetëm për klerin e ri shqiptar, por edhe për të gjithë ata që
kërkojnë të thellohen më shumë në fe.
Falë këtyre përkthimeve, Motra e Vogël Maria
Lucia përgatit artikujt dhe prezantimet në Powerpoint për të
bërë të njohur Vëllain Sharl dhe karizmën e Vëllazërisë që sot
na duket shumë aktuale. Shqipëria gjithmonë e më shumë është një
vend i privilegjuar për të jetuar marrëdhëniet ekumenike dhe,
sidomos në këtë kohë në të cilën populli shqiptar është i
tunduar nga materializmi, përshpirtëria e Vëlla Sharlit mund të
ndezë një dritëz me mesazhin e vet të jetës soditëse, të
dhurimit falas dhe dashurisë universale.