ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
Ne Prishtine nga 3 deri me 6 shtator 2010
 

 

Projekti i ndërtimit të katedrales është realizuar nga z. Ibrahim Rugova, udhëheqësi karizmatik i qëndresës jo të dhunshme të viteve 1989-1998, që i ka lejuar Imzot Mark Sopit, ipeshkvit të asaj periudhe, të fitonte tokën për ndërtimin e katedrales, e cila u ngjan bazilikave mesjetare të shekujve XIII-XIV. Ajo i është kushtuar së Lumes Nënë Tereza, krenarisë së çdo shqiptari”

 

 

Më 3 shtator marrim autobusin herët në mëngjes për të mbërritur në Prishtinë, ku festohet njëqindvjetori i lindjes së Nënë Terezës, në katedralen e re në ndërtim e sipër, në qendër të qytetit. Odette do të na bashkohet të nesërmen.

Vetë udhëtimi është për ne një ngjarje e shënuar, pasi autobusi merr autostradën e re ende në ndërtim; segmentet e përdorshme hyjnë mes për mes maleve shkëmbore, të lidhura nga ura e viadukte, e të përshkuara nga një tunel i gjatë! Është vërtet një shfaqje e mahnitshme, një vepër madhështore ndërtimi, që shkurton së tepërmi 250 kilometrat që ndajnë Tiranën nga Prishtina!!!

 

Gjatë qëndrimit tonë aty janë të pranishme në mendjen tonë motra e vogël Josée Janine, e cila mungonte për një periudhë ripërtëritjeje dhe Maria Delfina, e cila kishte rigjetur këtu popullin e saj. Shumë miq na kanë pyetur edhe për Vesnën, Maria Grazian, Sonja Marian.

Në orën 11 gjendemi në katedrale për koncertin e përgatitur nga Orkestra Filarmonike e Kosovës (Requiem i Moxartit). Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, hap ceremoninë duke falënderuar para së gjithash Presidentin Sejdiu për praninë e tij. Shprehu edhe gëzimin që mirëpriste në katedrale Përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë, Imzot Zef Gashin, ipeshkëv i Malit të Zi, duke nënvizuar vëmendjen e Vatikanit, që ka zgjedhur një shqiptar. Së fundi, shpjegon arsyen e zgjedhjes së meshës “Requiem”, pasi ajo është një himn për JETËN!

Presidenti nga ana e tij shpreh gëzimin që merr pjesë në këtë ceremoni në përvjetorin e Nënë Terezës shqiptare, e cila ka fituar famë botërore dhe është motiv krenarie për të gjithë popullin shqiptar. Kujton më pas z. Ibrahim Rugova, të cilësuar si njeriu i parë i Kosovës, dhe njeriun e dytë të Kosovës, Imzot Mark Sopin, i cili ishte një njeri i besimit dhe i predikimit. Këta dy burra i dhanë kësaj katedraleje emrin e Nënë Terezës, simbol i bashkimit, i tolerancës dhe i dashamirësisë. Kujton edhe disa personalitete dhe institucione, që kanë ndihmuar popullin e Kosovës gjatë periudhës së vështirë. E tepërt të thuhet se duartrokitjet e shoqëruan të gjithë ceremoninë.

Të nesërmen, mesha solemne kremtohet në orën 11. Ne mbërrijmë në katedrale shumë shpejt (një prift na përshëndet, duke thënë “motrat e vogla kanë qenë këtu pioniere!”) dhe, për habinë tonë të madhe, kemi një vend të mirë anash, nga ku shohim mirë altarin dhe turmën e bashkëkremtuesve: ipeshkvinj, meshtarë, diakonë... (presidentin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kroacisë, të Konferencës Ipeshkvnore të Shën Cirilit dhe Metodit, e cila grupon ipeshkvinjtë e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës). Pak nga pak, katedralja, në të cilën vihen qindra karrige, mbushet me shumë katolikë të mbërritur nga të gjitha zonat e Kosovës dhe nga Shqipëria. Ka edhe një përfaqësi nga Arbëreshët e Italisë dhe jashtë ndodhet një turmë e madhe, e cila mund ta ndjekë të gjithë ceremoninë përmes një ekrani të madh. Fytyrat e të gjithëve shprehin dukshëm një gëzim të madh! Kjo katedrale tashmë mund t’i mbledhë të gjithë! Çdo vit ndodhin kalime të shumta në krishterim dhe kisha e vetme e Prishtinës është bërë vërtet shumë e vogël. Po ky nuk është i vetmi motiv: në të vërtetë, arqipeshkvi i shqiptarëve katolikë para pushtimit otoman ishte në Shkup, pastaj u zhvendos në Prizren dhe sot është normale që në shtetin e pavarur të Kosovës të jetë në Prishtinë, kryeqytet, jo larg nga qendra arkeologjike e qytezës së Ulpianës, “Justiniana Seconda”, vend i martirëve të parë dardano-shqiptarë, Flori dhe Lauri, nga fisi ilir i Dardanisë në fillim të shekullit IV. Me shtrirjen e krishterimit nëpërmjet predikimit të vetë apostujve në vendet e mesdheut dhe në territorin e Ilirisë, Lajmi i Mirë i Ungjillit ndihmoi në zhvillimin e qytetërimit të këtyre rajoneve, të cilat më vonë ranë nën sundimin turk.

Dëshmitarë të kësaj të kaluare janë vendet arkeologjike. Gërmimet e sotme sjellin në dritë praninë e bazilikave paleokristiane të dekoruara nga mozaikë, që tregojnë praninë e të krishterëve para sllavëve të jugut

Një kor i madh na ndihmon të lutemi. Leximet dhe lutjet e besimtarëve lexohen në gjuhë të ndryshme, meqë të ftuarit e shumtë përfaqësojnë vendet përreth; prania ndërkombëtare përfaqësohet nga Iv Kermabon, Shefi i Misionit EULEX, dhe nga shumë ushtarakë.

Në homelinë e tij, Imzot Gashi thekson praninë e përfaqësuesve të feve të ndryshme (Shkëlqesinë e Tij, Amfilohije, metropolit i kishës ortodokse serbe të Malit të Zi dhe aktualisht administrator i arqipeshkvisë së Rashës në Mal të Zi dhe të Prizrenit në Kosovë). Nënvizon se kjo dëshmon shpirtin e tolerancës, të mirëkuptimit njerëzor dhe vëllazëror, që banojnë gjithnjë në zemër të shqiptarëve. Ai shton:

 

“Personalisht unë do të dëshmoj pranë Selisë së Shenjtë se sot, në këtë kishë, ne kemi jetuar diçka shumë të rëndësishme, shumë më tepër se një buzëqeshje”

 

Patëm kohë edhe për një shëtitje në këmbë në qytet. Mirija, një mike e madhe e fillimeve, na çon me makinë në lagjen ku për 20 vjet ka qenë e pranishme Vëllazëria, shumë e dashur kjo nga motra e vogël Magdaleine, e cila çdo vit bënte këtu një ndalesë gjatë udhëtimeve të saj në lindje.

Zemra jonë është vërtet e mbushur me gëzim të thellë, ngaqë ka pasur mundësinë që ta jetojë këtë ngjarje me shpresën e palëkundur se, me ndihmën e Zotit, ecja drejt njohjes së pavarësisë së vendit të mund të vijojë me sukses!

 

 

Nga Tirana (Shqipëri),

motrat e vogla të Jezusit.

 

 

 

  

 

titujt kryesore

 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster