|
Po
zgjedh Tamanrasetin, fshat me 20 familje në mes të maleve, në
zemër të Hogarit e të Dag Ralit, fisi i tij kryesor, larg të
gjitha qendrave të rëndësishme. Duket se aty nuk do të ketë
kurrë as ushtri, as telegraf, as evropian dhe për shumë kohë nuk
do të ketë as ndonjë mision. E zgjedh këtë vend të braktisur dhe
këtu po vendosem, duke iu lutur Jezusit ta bekojë këtë themelim
në të cilin dua, për jetën time, të marr si shembullin e vetëm
jetën e tij në Nazaret».
Një lidhje e mistershme me shkretëtirën përcakton të gjitha
fazat e kërkimit të paqetë të Sharl dë Fukosë: jetën ushtarake,
jetën e eksploruesit, jetën e kërkimit fetar, jetën e shërbesës
të Hyjit të fshehur në kontekstin shtëpiak të njerëzve që
janë larg qytetërimit, sipas formës së Nazaretit. Shkretëtira
është zhveshje, që të shpie në zbulimin e thelbësores.
Dhe për Sharl dë Fukonë thelbësor është një zell për çdo person:
oficeri, i gjykuar inteligjent dhe i plogësht nga eprorët, në
shkretëtirë zbulohet udhëheqës i besueshëm dhe i sigurt për
ushtarët e vet. Thelbësorja është vëmendje mallëngjyese për
dinjitetin e kulturave dhe jetën e popullatave larg qytetërimit,
që eksploruesi dë Fuko përjeton gjatë udhëtimit të tij të gjatë
të zbulimit. Shkretëtira në fund merr vlerën e një simboli të
mirëfilltë të asaj që duhet të vishet si një lëkurë e re, të
përvetësohet si një natyrë e dytë, për shkak të Ungjillit.
Shkretëtira është largësi, por nuk është boshllëk, vetmi e
paqëllimtë, nuk është as braktisje e njerëzores për një kërkim
më të mirë të vetvetes.
Thirrja për gjendjen murgjërore, përkujdesja për varfërinë
rrënjësore, shqetësimi që të shtyn në kërkimin e vendit të
fundit e çoinë marrin vëllain Sharl drejt një jete asketike. Por
janë larg nga ideali abstrakt i një përsosjeje që arrihet përmes
privimeve. Për dë Fukonë nuk ka asnjë vetmi, asnjë varfëri,
asnjë boshatisje të njeriut, që nuk është provuar më përpara dhe
gjithmonë nga njerëz. Elementi katalizues i këtij shndërrimi
është shpirti ungjillor i njëjtësimit me popullin e
shkretëtirës, që me qartësi bën që dë Fuko të perceptojë nevojën
e një ungjillëzimi të ri, që të ketë parasysh probleme të
inkulturimit të fesë.
«Koha ime është e ndarë mes lutjes, marrëdhënies me vendasit dhe
punëve me gjuhën tuarege; i kushtoj shumë kohë këtyre të fundit,
kryesisht për t’i përfunduar sa më shpejt me qëllim që të jem
krejt i gatshëm për gjërat e tjera, por edhe pse janë të
nevojshme.
Nuk mund t’u bëj mirë Tuaregëve përveçse duke folur me ta dhe
duke njohur gjuhën e tyre».
Duke nisur nga viti 1907 vëlla Sharli pjek një kthese të fundit
të madhe të mistikës së vet, që bën të duken shumë qartë
potencialitetet teologjike dhe shpirtërore të profecisë, që ai
mishëron për Kishën e kohës sonë. Imazhi i përdorur nga Vëlla
Sharli, që e imagjinonte veten si meshtar për të thyer bukën dhe
për të ftuar në tryezë mysafyrë të papritur, sot është
veçanërisht përmallues. Prej disa kohësh jemi mësuar kaq shumë
me idenë e meshtarit drejtues dhe gjallërues të një
Kishe-bashkësi tashmë të formuar, me të gjitha shërbesat e tjera
të tij: laikët e angazhuar, nismat e tij bamirëse dhe kulturore,
sa gati kemi rrezikuar të harrojmë se ku një i krishterë jeton
ndjekjen dhe imitimin e Zotit, Kisha tashmë është aty. Një
meshtar, një rregulltar, një i krishterë, nuk janë kurrë pa një
Kishë. Përkundrazi, vendet e njerëzve që mbesin pa Kishë janë
gjithmonë shumë. Nuk mjafton që Kisha ta jetojë jetën e vet, në
vendet ku jeton njeriu. As nuk mjafton që ajo ta jetojë jetën e
atyre që banojnë tashmë në të.
Është e nevojshme që Kisha të tregojë se di ta jetojë jetën e
atyre që banojnë larg jetës së saj: madje, është e nevojshme
që ajo të jetojë pikërisht jetën e atyre që nuk banojnë aspak në
të.
Kur proporcioni hyjnor i mishërimit dhe i misionit
- sipas qëllimit të qartë të Hyjit, të paraqitur nga Jezusi -
nuk mbahet në ekuilibër, cilësia e secilit prej tyre ulet:
cilësia e ndjekjes dhe e mikpritjes, cilësia e kumtimit dhe e
dëshmisë, cilësia e shërbesës meshtarake dhe e identitetit
rregulltar.
Sharl dë Fukoja arrin, në fakt, në pjekurinë e tij të padëgjuar
të kristologjisë së Nazaretit, një rrënjëzim të efektshëm të
këtyre dy momenteve: të momentit të mishërimit dhe të momentit
të misionit.
Pierangelo Sequeri
Pierangelo
Sequeri është një meshtar dioqezan, i cili ka lindur në vitin
1944 në Milano. Është docent i teologjisë themelore në
fakultetin teologjik të Italisë Veriore dhe doktor muzikolog në
Bibliotekën Ambroziane të Milanos, ku i është kushtuar kërkimit,
sidomos gërshetimit të fesë teologale me filozofinë, estetikën
dhe muzikën.
Charles
de Foucauld
Ungjilli
vjen nga Nazareti
Çmimi 10 Є
online
Pierangelo
Sequeri e shkroi këtë libër i shtyrë nga një afeksion i
kahershëm dhe i thellë ndaj Vëlla Sharl dë Fukosë, jeta e të
cilit për Sequeri-n është si një farë, që do të kishte dhënë
fryt shumë vite më vonë (në fakt, Kisha e ka bërë të Lumë). Ai
thotë: “Dë Fukoja më ngjan me profetët e mërgimit, aspak të
zhurmshëm dhe shumë domethënës, që Hyji i ka dërguar në Kishën
tonë bashkëkohore”.
Jeta e Vëlla Sharlit ka pasqyruar
në mënyrë të qartë shkëlqimin e misterit të Nazaretit. Jeta e
Jezusit në këtë fshat të vogël është ungjill, lajm i mirë, sepse
Hyji ka jetuar gjendjen njerëzore në të përditshmen e tij, duke
qenë se kjo jetë përfshin kryqin me lavdinë e tij. Ky është
stili me të cilin përpiqej ta jetonte jetën Vëlla Sharli mes
endacakëve algjerianë. Ky është stili i Kishës në shkretëtirën e
kohës sonë. E ruajtur nga prania e gjallë e Zotit në Fjalë dhe
në Eukaristi, ajo është e thirrur të rrezatojë shkëlqimin e
Ungjillit në thjeshtësi, në fshehtësi dhe në varfëri, duke u
bërë e afërmja e njerëzve të kësaj kohe sipas stilit të Sharl Dë
Fukosë.
titujt kryesore |