ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
Institutet Rregulltare

 

 

 

Relacion aktiviteti për projektin minor shkurt - prill 2005

 

Në projektin minor për muajt shkurt - prill 2005, në qendrën Hot kanë qënë përfshirë 100 fëmijë të moshave 7 deri në 12 vjeç dhe 13 animatorë.

Gjatë këtyre tre muajve kemi përqëndruar krejt punën dhe vëmendjen tonë mbi një temë aq domethënëse dhe aktuale të zonës sonë të quajtur:  “Falja”.

Temë kjo e lidhur ngusht me temën e paqes. Gjithashtu kemi parë të arsyeshme trajtimin e kësaj teme për shkak të gjakmarrjeve të shumta të pranishme në zonë tonë.

Gjatë punës së bërë në lidhje me këtë temë kemi kuptuar se edhe pse shumica e fëmijëve tanë rriten në familje ku gjakmarrja, ngatërresat e ndryshme apo dëshira për t’u hakmarrur janë të pranishme, prapë se prapë në fëmijët ekziston dëshira për të jetuar në paqe.

Kemi nisur të punojmë në lidhje me këtë temë duke filluar nga pajtimi i tyre me shokët me të cilët për motive krejt të vogla por që për ta janë të rëndësishme nuk flasin me njëri – tjetrin. Përveç diskutimeve të ndryshme në lidhje me këtë temë kemi bërë momente lutjeje sëbashku me ta, momente këto mjaft të frytshme. Jemi munduar të sensibilizojmë fëmijët të luten jo vetëm për paqen në botë, por edhe për familjet apo për personat që ne kemi afër e që jetojnë në frikë ditët e tyre.

Gjithashtu kemi organizuar disa vizita me fëmijët duke i ndarë në grupe nëpër familjet e ngujuara. Aty ata kanë shkuar të takojnë edhe disa bashkëmoshatarë të tyre. Secili nga këta fëmijë ka bërë ndonjë sakrificë të vogël dhe shumën e lekëve të mbledhur nga këto sakrifica ua kemi dërguar familjeve të ngujuara.

Me këtë gjest simbolik kemi pasur si qëllim edukimin e fëmijëve në solidaritet. Gjithashtu edhe në animacion jemi munduar të përdorim lojëra që mundësojnë afrimitetin dhe bashkëjetesën e çiltër mes fëmijëve.

Sipas kërkesës së tyre në fund të projektit kemi kaluar një ditë të gjithë sëbashku në shenjtëroren e Laçit si dhe kemi shfaqur dramën - e realizuar gjatë këtyre tre muajve - me temë: “Në emër të Krishtit, unë fal. Po unë të fal!”

 

 

tituj Franceskanet

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster