|
|
Jezuitë
misionarë në Shqipëri
Fillimi i pranisë së
Jezuitëve në tokën shqiptare i përket vitit 1841 me disa Etër që vinin
nga Sicilia (Itali), kur Shqipëria ishte ende nën Perandorinë Turke dhe
nuk kishte kufijtë që ka sot. Ungjillëzimi nuk ishte aspak i lehtë,
sepse i duhej të përballej me kundërshtime të shumta dhe të forta.
Në vitin 1854 me vendim
të Zyrës Misionare të Vatikanit dhe të Ipeshkvijve shqiptarë, u hap në
Shkodër Seminari për krejt rajonin e Ballkanit Jugor dhe iu besua Etërve
Jezuitë italianë.
Në vitin 1877 u
themelua Kolegji Saverian, në fillim si shkollë tregtie dhe më pas si
Lice klasik, pas shpalljes së Shqipërisë, në vitin 1912, si shtet i
pavarur nga Perandoria Turke.
Krahas këtyre veprave u
zhvillua një punë e dendur misionare, kulturore, fetare dhe artistike,
me grupe muzikore dhe teatrale, me revista dhe me shtypshkronjën "Zoja e
Papërlyer". Veprat që ka lënë më shumë jehonë, sidomos në malësi, kanë
qenë "misionet shëtitëse" (Missione Volante), të cilët kishin një ritëm
pune pak paradoksal. Gjatë dimrit, kur njerëzit qëndronin më shumë në
shtëpi, misionarët shkonin nga njëra shtëpi në tjetrën për ungjillëzimin
dhe pajtimin e familjeve që ishin "në gjak". Gjatë verës ktheheshin në
bashkësi për të studiuar historinë dhe zakonet e shqiptarëve, të
riorganizonin të dhënat shkencore që kishin mbledhur, të shkruanin
relacione, të botonin libra dhe fjalorë. Edhe sot, pas 50 vjet komunizëm,
është ruajtur në kujtesën popullore bagazhi i këngëve të thjeshta me
tekste katekizmi të kompozuara nga etërit tanë. Por populli kujton
sidomos shembullin e jetës së tyre me të vërtetë heroik, duke pësuar të
ftohtin dhe duke fjetur shpesh edhe në tokë në familjet ku ishin të
ftuar.
Nga viti 1927 Jezuitët
e "misioneve shëtitëse" filluan të punonin edhe në Tiranë duke u
kujdesur për katolikët e paktë që ishin aty. Në shtëpinë me qera ju
banonin, u përpoqën të hapnin edhe një shkollë, por që nuk zgjati
shumë.
Në vitin 1933 filluan
ndërtimin e kishës së re të Zemrës së Krishtit. Gjë më tepër e vetme,
sesa e rrallë: brenda kishës, përkohësisht, por që vazhdoi për disa
vjet, ishte vendosur kapela e ritit lindor, që ndodhej në fund të
navatës së majtë: latinë dhe lindorë ndiheshin mirë në një strukturë të
vetme.
Në vitin 1944
komunistët erdhën në fuqi dhe konfiskuan pronat dhe veprat e Kishës me
qëllim që të eliminonin të gjitha institucionet fetare, që mbaheshin si
kundër kulturës ashtu edhe kundër përparimit të popullit shqiptar.
Filloi kështu një shtypje e egër për zhdukjen e klerit katolik, i cili
gjykohej si i rrezikshëm për ndikimin e tij të madh shpirtëror dhe
kulturor mes njerëzve dhe për marrëdhëniet e tij me Perëndimin.
Më 21 qershor 1945 Atë
Gardini dhe Maestri Gjergj Vata u futën në burg ku qëndruan për 10 vjet,
deri në vitin 1955.
Mbrëmjen e datës 31
dhjetor 1945, pas himnit Te Deum, edhe Atë Gjovani Fausti
(zëvendësprovincial) dhe Atë Daniel Dajani (Rektor i Kolegjit Saverian
dhe i Seminarit) u arrestuan. Pas një procesi të rremë u pushkatuan më 4
mars 1946. Disa muaj më vonë u burgos edhe Vëlla Gjon Pantalia,
përgjegjës i Shtypshkronjës "Zoja e Papërlyer"; i torturuar mizorisht
vdiq në shtator të vitit 1947.
Në listën e 40
dëshmitarëve të fesë, për të cilët ka filluar çështja e lumturimit,
ndodhen edhe këta tre jezuitë.
Kështu filloi "via
Crucis" për Jezuitët e Shkodrës dhe të Tiranës. Jezuitët italianë u
përzunë, kurse ata shqiptarë u dënuan me punë të detyruara apo me
burgim. Qysh atëherë deri në agimet e viteve '90 në sytë e perëndimorëve
Shqipëria u zhyt në një heshtje të thellë: një heshtje që klithte më
shumë se britma.
Në vitin 1990, sapo u
bë i mundur praktikimi fetar, me ndryshimin e politikës së regjimit,
Jezuitët u kthyen menjëherë në Shqipëri.
Në shkurt të vitit 1992
hapën në Arqipeshkvinë e Shkodrës një si "para-seminar", për një grup
djemsh katolikë, të cilët kishin shprehur dëshirën për t'u bërë
meshtarë.
Në vitin 1994 u
ristrukturua një pjesë e pronave të vjetra ku kishte qenë edhe Kolegji
Saverian, në vend të të cilin ishte ndërtuar një shkollë shtetërore.
Dorëzimi i kësaj ndërtese shprehte pritjen e Jezuitëve për fillimin e
misionit të tyre edukativ edhe në fushën shkollore. Kështu pak nga pak u
përvijuan dy realitete, ai i Seminarit dhe ai i Shkollës së Mesme,
njohur zyrtarisht nga Shteti. Seminari, me rindërtimin e disa prej
Dioqezave të vjetra, u bë Ndërdioqezan, domethënë për krejt Shqipërinë:
Nisi Shkollën e Filozofisë dhe të Teologjisë dhe inauguroi në vitin 1998
selinë e re të ndërtuar në vendin e ndërtesës së vjetër. Shpenzimet për
përshtatjen e ndërtesës së shkollës dhe të Seminarit u mbuluan nga
Organizma Kishtarë ndërkombëtarë (Renovabis), nga Provinca
Italiane e Shoqërisë së Jezusit dhe nga shumë bamirës, që edhe sot e
kësaj dite na mbështesin e na ndihmojnë.
Shkolla e Mesme "Pjetër
Meshkalla", që është emri i një jezuiti shkodran i cili, për shkak të
përballjes së tij të guximshme me regjimin, u bë simbol feje, kulture
dhe lirie, zuri vendin e Kolegjit të mëparshëm saverian. Dy Etërit që
morën drejtimin e saj, duke u frymëzuar nga tradita shekullore
pedagogjike jezuite, janë duke gjallëruar shkollën sipas një projekti
edukativ të hapur ndaj skenarit evropian, në kontekstin e një vendi që
po kalon shndërrime të thella dhe në të njëjtën kohë shumë i kushtëzuar,
shpesh i bllokuar nga interesa personale dhe strategji
ekonomiko-politike ndërkombëtare.
Shkolla "Pjetër
Meshkalla" që nga viti 1998 ka filluar të mbledhë një numër gjithnjë e
më të madh djemsh e vajzash, derisa ka arritur numrin 500 (60% vajza),
që është edhe numri maksimal aktualisht i mundshëm. Nxënësit janë të
ndarë në 18 klasa, të krishterë (75%), pjesa më e madhe e të cilëve janë
katolikë (ka pak ortodoksë) dhe myslimanë (25%). Meqë kërkesat janë të
shumta, nxënësit pranohen duke iu nënshtruar një konkursi. Nga pikëpamja
e nivelit social, rreth 25% e nxënësve vijnë nga fshati.
Kjo shkollë është një
sfidë me rëndësi parësore për të ardhmen e Shqipërisë.
Në vitin 2000 u bë një
ndarje reale e Shkollës së Mesme me Seminarin, sidomos pas ardhjes së
etërve të tjerë në Rolin e Rektorit të Seminarit, Drejtorit të Studimeve
të Filozofisë dhe të Teologjisë, si dhe të Drejtorit të Shkollës së
Mesme.
Seminari është i ndarë
në tri njësi: Seminari i Ulët me rreth 30 djem; Periudha Propedeutike,
që është koha e verifikimit të thirrjes dhe e plotësimit të studimeve,
me numër të ndryshëm subjektesh; dhe Seminari i Lartë me rreth 10
seminaristë. Kurset e Pesëvjeçarit Filozofiko-Teologjik ndiqen edhe nga
klerikë të Instituteve të tjera rregulltare dhe nga disa motra, gjithsej
40 studentë.
Data 29 qershor 2000
është një datë e rëndësishme, pasi u shuguruan meshtarët e parë
shqiptarë pas periudhën komuniste, të cilët përfunduan formimin e tyre
në Seminarin e ri: 11 dioqezanë dhe një dyzinë meshtarësh rregulltarë.
Shkolla e Studimeve të
Larta të Filozofisë dhe të Teologjisë, e bashkëngjitur me Seminarin,
është e thirrur të ketë një rol të një rëndësie parësore: përpjekja e
saj është inkulturimi në realitetin e një vendi në të cilin për fat të
keq janë shumë të rënda dhe të dukshme shenjat e një izolimi shekullor
gati total (më parë për shkak të pushtimit turk, më pas për shkak të
diktaturës komuniste), që e ka penguar Shqipërinë të hyjë në proceset e
zhvillimit historik, kulturor dhe fetar të vendeve të tjera evropiane.
Në veçanti sot, në këtë rajon jugor të Ballkanit, ende të ngarkuar me
konflikte me natyra të ndryshme, Shkolla e Studimeve të Larta të
Filozofisë dhe të Teologjisë duhet të jetë një pikë njësimi dhe qendër
studimi, që kryen edhe funksionin nxitës të gjuhës shqipe, e cila ka
nevojë për terma të rinj që të shprehë përmbajtjet në fusha të ndryshme
të dijes. Përveç kësaj është e thirrur edhe për një angazhim specifik në
një dialog ekumenik me Kishën Ortodokse dhe në një dialog fetar me
Islamin, që përbëjnë edhe kontekstin fetar mbizotërues.
Qysh nga maji i vitit
1991 Jezuitët janë kthyer edhe në Tiranë. Kisha e Zemrës së Krishtit, që
nën regjim ishte bërë sallë koncertesh dhe teatër ("Kinema - Teatri i
Rinisë"), u rishugurua, duke ia rikthyer shkëlqimin e mëparshëm dhe duke
e ngritur në famulli. Deri në janar të vitit 2002 ajo ka funksionuar
edhe si Katedrale.
Tirana sot nuk është
siç ka qenë 60 vjet më parë. Migrimi i stërmadh i brendshëm ka bërë që
aty të shkojnë mijëra familje, pjesa më e madhe e të cilave janë nga
Veriu. Tirana sot ka një milion banorë, me një rrethinë shumë të varfër.
Prania e Jezuitëve në Tiranë qendërzohet në shërbimin famullitar, ku
fuqia edukative përbëhet nga një Grup Scout dhe nga shërbimi liturgjik i
një grupi Ministrantësh. Por, përveç kësaj, duke u nisur nga qendra e
qytetit, ku gjendet kisha, deri në rrethinat më të largëta të anës
perëndimore, ata çojnë përpara një veprim të dendur social, duke u
kujdesur për format e ndryshme të varfërisë dhe të lënies pas dore, duke
bashkëpunuar me Bashkësinë Emmanuel për rifitimin e personave që janë të
varur nga droga, dhe duke i dhënë jetë dy qendrave të riedukimit social,
një në lagjen e Kombinatit dhe një tjetër në fshatin e Vaqarrit. Në
gjithë këtë vepër ata ndihmohen nga Motrat e Nënë Terezës. Bashkësia e
Jezuitëve të Tiranës është vënë në lëvizje në mënyrë që të mund t'i
përgjigjet më me lehtësi emergjencave. Kështu gjatë luftës në Kosovë
(1997-1999) janë angazhuar përmes Jesuit Refugee Service (JRS),
për të lehtësuar vuajtjet e refugjatëve, të cilët u detyruan të lënë
shtëpitë dhe tokën e tyre për t'u shpëtuar masakrave. Kanë ruajtur kohë
dhe energji për t'i bërë ballë situatave të rënda të varfërisë, për t'i
kundërshtuar me forcë trafikut të prostitucionit, ende shumë të përhapur,
dhe ikjes në masë të të rinjve në Perëndim.
Sidomos në fillim të
viteve '90, Jezuitët, në Shqipërinë që po thithte ajrin e parë të lirisë,
kanë punuar edhe për ndërtimin dhe rindërtuar e kishave në disa fshatra,
p.sh. në Bilaj, Bizë, Arameras (Tiranë), Gur i Zi, Rragam (Shkodër),
Pistull e Paçram (Sapë), ku bënin edhe punën e famullitarit.
Por nuk janë interesuar vetëm për vendet e kultit, por
edhe për situatën sociale të njerëzve. Në Bizë, afër Kepit të Rodonit,
një seri fshatrat me traditë të lashtë të krishterë nuk kishin asnjë
lidhje me qendrat e mëdha. Vepra e parë e vullnetarëve tanë ka qenë
sheshimi i më shumë se 20 km rrugë.
Nuk ka reshtur veprimi ynë
në botën universitare, për të rritur dialogun mes fesë dhe kulturës, mes
Ungjillit dhe kërkimit shkencor, edhe me qëllim që të vihen bazat e një
Universiteti të ardhshëm Katolik. Jemi duke kërkuar të fillojmë një
shërbim Baritor Universitar dhe të organizojmë takime shkëmbimi dhe
thellimi mes docentëve universitarë e përfaqësuesve të drejtësisë me
ndonjë Docent të Universiteteve italiane.
Pas 14 vjetësh Jezuitët e
ndiejnë se duhet të bëjmë një kërcim cilësie drejt Diakonisë së
shpalljes së parë ungjillore, në mënyrë më organike dhe më të vendosur,
duke e liruar në mënyrë më të qartë imazhin e Kishës dhe veprën e saj
prej angazhimit edhe pse të dobishëm të asistencës bamirëse.
Për këtë është e nevojshme
një njësi më e madhe kishtare mes përbërësve të Kishës lokale për
realizimin e një strategjie të përbashkët, që të ketë si qëllim formimin
e ndërgjegjeve dhe të personave. Pas gurëve materialë të përdorur për
ndërtim, nevojiten gurët e gjallë për bashkësinë.
Në vazhdën e traditës së
lashtë, Jezuitët e pranishëm sot në Shqipëri vazhdojnë veprën e tyre
misionare, së bashku me shumë të tjerë, si brenda Kishës, me meshtarë,
rregulltarë, rregulltare e laikë, ashtu edhe me të krishterët ortodoksë
dhe me besimtarët e fesë islame, për rritjen njerëzore, kulturore dhe
fetare të popullit shqiptar, që të gjithë përbërësit socialë dhe fetarë
të dialogojnë mes tyre dhe, me ndryshimet e tyre, të ndihmojnë në
riformimin e identitetit dhe të pasurisë së Shqipërisë.
Armando Ceccarelli,
s.j.
titujt
jezuitët
|
|