ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Murgeshat e varfra te Shenjtes Kjare

 

 

Ne motrat e varfra të Shenjtes Kjarë, jemi këtu për ta harxhuar kohën tonë vetëm

për Hyjin, pa zotëruar asgjë, pa dalë jashtë, në përvojën e një vëllazërie të pajtuar, në dëgjimin e atyre që janë në kërkim të paqes. Përgjigjja pozitive e pranisë sonë nuk ka vonuar të vijë: shumë vetë na kanë thënë se prania jonë është e domosdoshme, sepse Shqipëria ka nevojë për lutje.

Kisha që është në Shqipëri na pret amësisht në realitetin e saj të ri e të gjallë, edhe pse ka kaluar shumë vuajtje. Edhe njerëzit e thjeshtë e kapin thelbin e formës sonë të jetesës.

Në derën e manastirit tonë trokasin çdo ditë shumë persona dhe në marrëdhënie me ta jemi vënë në dëgjim të pritshmërive të tyre. Kemi kuptuar se këta njerëz kanë nevoja materiale, por kemi kuptuar edhe, dhe sidomos, nevojën e ngutshme për t’i mbështetur ato në një nivel më të thellë: çdo person e ndien nevojën për t’u pranuar dhe për t’u respektuar në dinjitetin e tij shumë të lartë.

Edhe pse shpirti i Shqipërisë paraqitet i lodhur nga dobësitë e shtypjeve të lashta, vihet re etja për të gjetur integritetin e saj.

Jemi këtu për të mbledhur aspiratat e thella të këtij populli dhe mbarë Kisha vazhdon të na drejtohet neve soditëseve, që nëpërmjet lutjes kërkojmë të vetmen gjë të nevojshme: Hyjin dhe Shpirtin e Tij. Ndiejmë, duke shikuar fytyrën e të varfërve, që vijnë të na takojnë, në tiparet e buzëqeshjes së tyre të pafuqishme, që çdo vepër rrezikohet dhe shpesh bëhet e kotë nga padrejtësia. Ndiejmë se prania jonë është e thirrur të jetë “tharm”, e aftë të lirojë dhe të bashkëndajë vlerat, që Nëna Shenjtja Kiarë mori nga Ungjilli, njësinë e shpirtit dhe varfërinë shumë të madhe, si fryt i një zemre të bashkuar me Jezu Krishtin e gjallë, për t’iu përgjigjur sidomos atyre të rinjve që kërkojnë të gjejnë kuptimin e jetës së tyre.

Vëllazëria jonë e vogël ndër-etnike (motra italiane dhe shqiptare bashkë) ngre shumë pikëpyetje, sepse paraqitet si mundësi e një njësie dhe e një pajtimi në gjirin e një toke me shprehje të shumëllojshme. Nuk jemi copa popujsh, që ndodhen rastërisht së bashku: jemi një familje që dëshiron të ribashkojë ndryshueshmëritë, duke vënë në zemër të jetës së vet Ungjillin.

Jemi një familje që dëshiron të bëhet vendi i përvojës me Hyjin, si rrjedhojë e një stili jete të varfër dhe vëllazërore në bashkësi.

Qysh ditët e para të hyrjes në manastirin e ri, kemi perceptuar “hirin e vendit”: jetojmë dhe ecim mbi një tokë të lagur nga gjaku i Martirëve. E kuptojmë se nëpërmjet udhëve të mistershme Provania hyjnore na ka sjellë këtu për të mbushur me domethënie të reja një shenjtërore të mirëfilltë të dhimbjes njerëzore dhe për të qenë rojtare lutëse të kujtesës, me qëllim që gjithçka të vihet “nën kryesinë e Krishtit”.

 

titujt Murgeshat Klarise

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster