|
|
||
| Institutet Rregulltare | ||
|
|
Historia e pranisë së Motrave Oblate të Zemrës së Papërlyer të Marisë në Shqipëri
Instituti ynë ka zënë fill në vitin 1965. Themeluesja e këtij instituti është ende gjallë dhe quhet Motër Lodovika Peligrini Luçe. Karizma jonë është “Lutje dhe Pendesë”, sipas ftesës së Zojës së Fatimës me qëllim që ata që janë larg Hyjit të kthehen – për kthimin e mëkatarëve të shkretë. Më së shumti jemi soditëse. Kemi pesë orë lutje në ditë, të ndara në katër kohë. Adhurim të Eukaristisë çdo ditë nga një orë e gjysmë. Kemi ardhur në Shqipëri më 8 nëntor 1992, me qëllim që të viheshim në shërbim të Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar (Shkodër). Asistencë logjistike për Etërit dhe seminaristët. Të shtunave dhe të dielave shkonim në fshatra për Katekezë. Me kalimin e kohës kemi ndier nevojën për të qenë të pranishme në ndonjë fshat, ku mund të zhvillonim më me frytshmëri apostullimin tonë; domethënë të ishim më në kontakt me fëmijët dhe familjet e tyre, të kujdeseshim më shumë për Liturgjinë dhe katekezën. Në vitin 1995 Zoti ka dërgoi në fshatin Barbullush, rreth 20 km nga Shkodra. Aty ishte një Kishë e vjetër: gjatë komunizmit e kishin kthyer në garazh dhe në ofiçinë. Në vitin 1991 Vëllezërit e Nënë Terezës së Kalkutës kishin rifilluar të kremtonin Meshën e Shenjtë. Me ardhjen tonë në vitin 1995 filluam këto veprimtari: kisha ishte e hapur për të gjitha shërbimet baritore, kremtime liturgjike, takime lutjeje, katekizëm, takime me të rinjtë, ambulancë për nevojtarët. Në vitin 1996 duke qenë të vetëdijshme për problemet lokale dhe duke na munguar shumë gjëra të nevojshme, u ndërtua kisha kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, një ndërtesë për veprimtari të ndryshme dhe shkollë, si dhe kuvendi ynë. Hapëm një kopsht në përgatitje për shkollën fillore. Nxitje njerëzore për të rejat me kurset e Rrobaqepsisë dhe të gjuhëve të huaja: anglisht dhe italisht. Vazhduam të bëjmë oste për të gjitha famullitë e qytetit dhe të fshatrave përreth.
Programi i veprimtarive tona Katekizmi: Nëpërmjet Katekizmit, mund t’u jepnim një edukim moral dhe fetar të rinjve dhe fëmijëve të grup-moshave 4-10 vjeç. Ishin rreth 500 fëmijë dhe të rinj që ndiqnin çdo javë, por tani numri është ulur. Janë të ndarë sipas grup-moshave dhe klasave. Me fëmijët bëhen lojra, recitime, vallëzime, këngë, poezi dhe humor. Bëjmë edhe përgatitjen e të fejuarve për Sakramentin e Martesës.
Kopshti me drekë: Pranojmë fëmijë të moshës 3-6 vjeç. Mësimi fillon në orën 08.00 dhe përfundon në orën 12.00. Bëjnë lexim, shkrim, piktura, tregojnë histori, bëjnë fiskulturë, marrin këshilla mbi higjienën, njohin natyrën, ndërtimin e objekteve të ndryshëm, këndojnë dhe recitojnë.
Nxitja njerëzore:
Në vitin 2001 kemi hapur një Shtëpi-Konvikt për vajzat në Shkodër. Këto vajza, që vijnë nga malësia dhe fshatrat e Shqipërisë Veriore, si dhe nga Kosova e Mali i Zi, janë të moshës 14-22 vjeçe dhe ndjekin shkollën e mesme apo universitetin. Objektivi ynë është që t’u ofrojmë një mjedis të përshtatshëm, të pastër, të qetë dhe të favorshëm për të studiuar. Me kalimin e kohës, kërkesat për konvikt shtohen. Tani kemi ndër mend ta zgjerojmë ndërtesën për 70 vende. Shpresojmë që Zoti të na ndihmojë në realizimin e këtij projekti.
Suore Oblate del Cuore Immacolato e-mal: suoreoblatecim@tiscali.it
Casa di Formazione, Via Boccea 1180, 00166 Roma, Italia
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder 2008 < | ||