ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Bijtë e dom Oriones në Shqipëri

 

1.       Prej shkrimeve të dom Oriones

24.07.1920 – Dom Sterpit: “Kardinal Marini, Prefekt i Kongregatës për Lindorët, propozon një Mision në Shqipëri” (14, 54).

11.05. 1935 – Dom Sterpit: “Për Shqipërinë do të thoja të pranonim. As në Uruguaj dhe as në Brazil nuk ka Mision të vërtetë. Këtu janë më të qytetëruar dhe më të zhvilluar se atje: të qytetëruar sipas qytetërimit modern” (18,95 2 27, 223).

15.05. 1935 – Dom Sterpit: “Për sa i përket Shqipërisë them të pranojmë. Bëhet fjalë, tani për tani, për tre meshtarë dhe ndonjë vëlla laik. Do t’i shkruaj quam citius Kongregatës Propaganda Fide. Por tani për tani, nuk është rasti të flasim për shtypin” (18, 98).

10.06. 1935: – “Mendoni pak se kë mund të dërgojmë në Shqipëri. Duhet të jenë të shëndetshëm, pasi mendoj se në ato vende ka sëmundje, duhet të jenë meshtarë të sigurt për nga morali, devotshmëria dhe doktrina, që mund të mësojnë, të jenë veprues, të zellshëm dhe që të mos mbyten në një pikë ujë” (19,99).

14.06. 1935 – Dom Sterpit: “Për Shqipërinë do t’i shkruaj Propagandës, së shpejti. Nevojiten tre meshtarë dhe do të duhej të dërgonim dikë që të mund të bëhej edhe Ipeshkëv. Do të doja të vija një kusht: domethënë të na siguronin një Vikariat Apostolik dhe unë, do të siguroja dërgimin e një personeli të zgjedhur” (18, 112).

19.06. 1935: – Dom Xhemelit: “Ka të ngjarë se do ta pranojmë Misionin në Shqipëri. A e ndien të vihesh në krye të tij?” (23, 94).

20.07. 1935: – “E pranoj Misionin që na propozohet në Shqipëri. Tre meshtarët që na janë kërkuar do të hapin shkollën fillore për fëmijët italianë” (48, 122).

05.08. 1935: – Dom Sterpit: “Propaganda duhet, sidomos, të na sigurojë se Misioni në Shqipëri, do të ngrihet në rang Prefekture, Vikariati Apostolik apo Dioqeze, besuar një pjesëtari të kongregatës sonë, për të mos u gjendur atje, të hedhur pak këtu e pak atje, në mëshirë të nuk e di se kujt, dhe si priftërinj të shpërbërë dhe shekullarë. Një gjë e tillë ka rëndësi madhore” (18, 126).

04.09. 1935: – Dom Sterpit: “Meqë Eprori që duhet të shkojë në Shqipëri, një të nesërme i duhet të jetë të paktën Vikar apo Prefekt Apostolik - nëse jo më shumë - dom Xhemeli më duket më i përshtatshmi dhe më i sigurti; dhe pastaj është mjaft i kujdesshëm dhe i rrahur me jetën” (18, 140).

16.09. 1935: – Dom Sterpit: “Jam shumë i gëzuar që, për sa i përket Shqipërisë, po dërgoni më parë dom Xhemelin, i cili do të njihet mirë me gjendjen. Por unë nuk jam më aq i gatshëm. Nëse territori, që do të na besojnë, është afër Durrësit, ku është Ipeshkvi, si mund të jetë një Vikariat Apostolik? Nuk do të jetë kurrë i tillë”. (18, 149).

02.10. 1935: “Në Shqipëri nuk do të shkojmë, nëse gjërat nuk janë të qarta dhe nëse pozicioni ynë nuk është jo vetëm i sigurt, por të ketë edhe atë zgjidhje që duam në një të ardhme jo të largët” (18, 156).

14.10. 1935: “Përgatituni në Hyjin për të vënë këmbën në Shqipëri” (18, 175).

21.12. 1935: – Dom Sterpit: “Kam lexuar Relacionet e dom Xhemelit dhe shoh se nuk do të shkohet në vendin që duhej të na ishte besuar neve. Duhet të synojmë aty ku mund të kemi një Mision tonin, nëse jo, do të mbesim në mëshirë të famullitarëve shqiptarë, s’do të arrijmë asgjë dhe do të na duhet, herët a vonë, të largohemi prej aty të dështuar. Kongregata jonë duhet të ketë një të ardhme në Shqipëri, nëse jo, atëherë duhet të gjejmë një mënyrë dhe të mos shkojmë” (18, 209).

28.10. 1936: – Dom Sterpit: “Do të doja të dija nëse dom Xhemeli është nisur apo jo për Shqipëri; nëse shkon dhe me kë shkon” (19, 134).

01.05. 1937: – Dom Sterpit: “Për sa i përket Shqipërisë tani për tani nuk kemi si të pranojmë. Lexojeni mirë letrën e Vizituesit apostolik, përveçse nëse ai thotë se duhet të pranojmë” (19, 232).

20.09. 1937: – Karontit abat: “Në Shqipëri, nëse nuk kemi një shpresë të bazuar mirë se mund të kemi, brenda një periudhe jo shumë të gjatë, një strehim misionar, ku mund të bëjmë një jetë bashkësie dhe një ripërtëritje në shpirt, do të thoja se është më mirë të tërhiqeshim” (50, 36).

21.10. 1938: – Një aspiranti për meshtar: “Nuk e di nëse e dini se tashmë në Shqipëri kemi nisur një Mision, të dërguar nga Propaganda Fide (47, 247).

24.09. 1939: – Dom Sterpit: “Nesër, nëse vjen Vizituesi apostolik, do të flas edhe për Shqipërinë” (19, 329).

11.10. 1939: – Dom Xhemelit: “Vizituesi apostolik nuk është i mendimit që ne të pranojmë Famulli; mendon se është më mirë të marrim një Jetimore” (23, 97).

11.10. 1939: – Imzot Nigrisit: “Vizituesi apostolik mendon se nuk është e rastit të pranojmë një famulli. Shkëlqesia e Tij Parini, që e njoh prej vitesh, mendon se është më mirë një Jetimore; nëse një gjë e tillë do të mund të realizohej, do të isha shumë i kënaqur (23, 97d).

18.10. 1939: – “Dom Bidone po përgatitet për Shqipëri” (84, 70).

20.09. 1937: – Karontit abat: “Për famullinë që na kanë ofruar, kam menduar për jo. Do t’ju lutesha të më thoni nëse mund të filloj bisedimet për Jetimoren” (50, 50).

 

2. Propaganda Fide

Dokumenti i parë që Arkivi na paraqet është ai i Kongregatës Propaganda Fide, me firmën e Kard. Fumazoni Biondit dhe të Sekretarit Karl Salotit. Dokumenti mban datën 27 prill 1935 dhe fton dom Orionen për t’u përkujdesur nga ana fetare për grupet e italianëve që ndodheshin në Shqipëri, duke hapur shkolla fillore dhe duke bërë veprimtari misionare.[1]

 

Ja teksti i Sacra Congregatio de Propaganda Fide:

“Shumë i nderuar dom Luigji Orione, Epror i Përgjithshëm i Bijve të Provanisë Hyjnore.

Shumë i nderuar Zotëri, i janë të njohura kësaj Kongregate të Shenjtë meritat e Institutit të ri rregulltar BIJTË E VEPRËS SË VOGËL TË PROVANISË HYJNORE, të cilin ju denjësisht drejtoni, ashtu siç njeh mjaft mirë miratimin me të cilin janë mirëpritur nismat për të bërë të mirën, ndërmarrë prej këtyre rregulltarëve, këtu në Romë dhe në pjesë të tjera të Italisë.

Ata, deri tani, nuk patën rast të ndërmerrnin Vepra Misionare në territoret që varen prej këtij Dikasteri të Shenjtë. Ndoshta tani ka ardhur koha e volitshme për t’ju ftuar që të merrni përsipër një punë, që, edhe pse e pakët në fillim, mund të ketë në vazhdim një zhvillim shumë më të gjerë.

Bëhet fjalë për përkujdesjen fetare që duhet t’u bëhet disa qendrave në Shqipërinë e Jugut, ku banojnë shumë punëtorë italianë. Hollësitë e këtij propozimi janë shprehur në promemorien bashkëngjitur këtij dokumenti.

Dua ta quaj të pjekur këtë gjë, dhe, nëse është e mundur, t’i jap këtij Dikasteri të Shenjtë përgjigje pohuese, ashtu si me gjithë shpirt dëshirohet.

Në pritje, përshëndes me gëzim Zotërinë tuaj shumë të nderuar dhe shumë të devotshëm në Zotin.

 

Kardinal Pietro Fumazoni Biondi Prefekt

Karl Saloti Arqipeshkëv Titullar i Sekretariatit

(bashkëngjitur)

S. CONGREGATIO DE PROPAGANDA FIDE

 

Përkujtesë

Arqipeshkvia e Durrësit përfshin një territor më të madh se gjysma e krejt territorit shqiptar, në të cilën ndodhen pesë dioqeza latine.

Pjesa jugore është gati krejt e braktisur, për mungesë klerikësh dhe mjetesh.

Është menduar që kjo pjesë të shkëputet për të bërë një mision, apo një dioqezë, të pavarur dhe pritet mendimi i Delegatit Apostolik.

Ndërkohë dëshirojmë me gjithë shpirt, dhe me ngut, t’u vijmë në ndihmë nga ana shpirtërore italianëve të shumtë që gjendet në Korçë, Bevoll dhe Shijak[2].

Tashmë janë premtuar edhe ndihmat, si më poshtë vijon:

a.    për Korçën, Legata mbretërore italiane do të jepte, mesatarisht, 165 lireta në muaj;

b.    për Devollin, Ndërmarrja Italiane Petroli Albania (NIPA) do të strehonte meshtarin dhe një ndihmë mujore në para;

c.    për Shijakun, enti Industrial Bujqësor Shqiptar (EIBSh) do të duhej edhe të fillonte mësimin fillestar fëmijëve italianë.

Do të ishte e dëshirueshme që tre Meshtarët t’i përkisnin të njëjtit Institut, me qëllim që të mund t’u besohet, në vazhdim, Misioni i projektuar në pjesën jugore të Arqipeshkvisë së lartpërmendur të Durrësit.

Por le të kthehemi pak prapa. Në vitin 1934 Delegati Apostolik i Shqipërisë, imzot G.B. Della Pietra, jezuit, iu drejtua Selisë së Shenjtë, duke bërë të ditur numrin krejt të pakët të meshtarëve dhe mungesën absolute të klerit italian, të nevojshëm për grupet italiane në Shqipëri. Imzot Saloti, sekretar i atëhershëm i Kongregatës Propaganda Fide e mori për zemër çështjen e përkujdesjes fetare të këtyre grupeve dhe iu lut dom Oriones që ta pranonte misionin në Shqipëri.

Por dom Orione ishte në Amerikë; kjo shpjegon edhe pse praktikat u zgjatën pak si shumë.

Shtytjet më të mëdha i ishin bërë dom Oriones prej imzot Leone G.B. Nigrisit, Nunc Apostolik i Shqipërisë në atë kohë. Dom Orione i kishte siguruar se vepra do të kishte filluar, dhe se ai vetë, sapo të kishte mundësi, do të kishte shkuar në Shqipëri për t’i dhënë fillim kësaj vepre. Ndërkaq dom Orione u sëmur, dhe kur duhej të nisej për Shqipëri, sëmundja e tij u rëndua shumë dhe mjekët i ndaluar çdo lëvizje (shkurt 1940). Një muaj më vonë Themeluesi shkoi te Zoti (12 mars 1940).[3]

 

3. Dalja për zbulim

Në vitin 1935 u bë një udhëtim i parë nga dom Xhemeli në Shqipëri për të shqyrtuar de visu situatën e për të vendosur lidhjet e para.[4] Durrësi, Shkodra, Tirana dhe Vlora qenë etapat kryesore. Ai vizitoi edhe Shijakun: “Doja ta mbyllja eksplorimin tim të parë duke vizituar atë që me shumë siguri do të kishte qenë vepra e parë orionine në Shqipëri […]. Fola edhe me Gustavo Paletin, drejtorin e Ndërmarrjes, i cili më tregoi territorin e gjerë ku do të vepronim, që banohej nga bashkëkombasit tanë: fusha e bonifikuar ishte tejet e gjerë, por ende mbretëronte malaria, shpesh shumë e rrezikshme: e quanin ZONA E VDEKJES […]. Pas 14 ditësh u ktheva në Itali.

Dom Xhemeli ia bëri të ditura të gjitha këto dom Sterpit dhe bëri një relacion për Propaganda Fide-n; u takua edhe me Kard. Fumazoni Biondin. Me gojë shtoi edhe disa përshtypje të tjera, që i quajti me vend të mos i paraqiste me shkrim. Kardinali “Më rrahi shpatullat - vazhdon dom Xhemeli - dhe shtoi: “E dimë, e dimë, i dashur Atë. Por Shqipëria ka një mëkat të madh për të larë: mohimin e fesë!”. Më bënë shumë përshtypje ato fjalë, dhe më janë kthyer shpesh në kujtesë kur më vonë unë vetë qenë i pranishëm në shumë skena të forta… ku kam vuajtur shumë”.

 

4. Fillimet

 “Në tetorin e vitit 1936 – shkruan dom Xhemeli – morëm veprën e Shijakut: mision katolik me të drejta famullitare, përkujdesje shpirtërore të Italianëve të EIAA-së, shkolla fillore të EIAA-së (të përziera), orator (të përzier), përkujdesje për ruajtjen e fesë mes katolikëve, dhe përhapjen e fesë mes ortodoksëve dhe myslimanëve. Në fillim qeshë unë, pastaj dom Spada.[5]

Në vitin 1939 pranuam jetimoren e Zemrës së Shenjtë në Shkodër, ku në fillim qe dom Laxarini e pastaj unë.

Në vitin 1940 morëm ndërmarrjen bujqësore të Bushatit, ku ndodhej edhe një kishë. Aty shkoi dom Farinaso, të cilin e donin të gjithë, sidomos sepse e thoshte “shumë mirë Meshën”.

Po në vitin 1940, morëm në Shkodër, edhe shtëpinë për të moshuarit, në të cilën ishte edhe Shtëpia jonë e formimit, probandati dhe seminari i klerikëve, e cila quhej SHTËPIA CEKA, prej familjes së fisshme së cilës i përkiste. Aty u vendos dom Aliçe.

Në famullinë e Kallmetit qe dom Luigji Laxarini për rreth 6 muaj në vitin 1945.

Po në vitin 1940 dom Bidone u kujdesua për të hapur një shkollë profesionale në Durrës”.

 

Në vitet 1941-1942, këto ishin bashkësitë fetare:

 

Misioni katolik në Shijak

Dom Sante Xhemeli

Dom Paolo Bidone

Jetimorja “Zemra e Shenjtë” në Skkodër

Dom Luigji Laxarini

Dom Adriano Aliçe

Kleriku Mario Bixheli

Kleriku Françesko Karozio

 

Kampi bujqësor në Bushat

Dom Gjovani Farinaso

Koadiutori Enea Nikelini

Koadiutori Karlo Serra

Koadiutori Livio Pangraci

Koadiutori Antonio Tozi

 

Në vitet 1943-1944

 

Misioni katolik në Shijak

Dom Xhulio Spada

 

Jetimorja “Zemra e Shenjtë” në Shkodër

Dom Luigji Laxarini

Kleriku Agostino Ançilari

 

Kampi bujqësor në Bushat

Dom Gjovani Farinaso

 

Shtëpia Ceka në Shkodër

Dom Sante Xhemeli

Kleriku Luigji Betioli

Kleriku Arçeste Mioni

Kleriku Mario Penca

 

Kisha e Shën Palit në Durrës

Dom Paolo Bidone

 

5. Vizita e dom Sterpit në Shqipëri

Pasi vdiq dom Orione, imzot Nigrisi nguli këmbë për realizimin e veprave që ishin projektuar më parë.

Njëri prej mendimeve të para të dom Sterpit qe vizita në Shqipëri, sapo u zgjodh Drejtor i përgjithshëm i Kongregatës prej Kapitullit të parë të përgjithshëm (Montebelo të Bataljes, 3-9 gusht 1940).

Më 1 tetor 1940 dom Sterpi ndodhet në Bari me dom Piçininin; hipin në vapor, por bllokohen me urdhër të autoriteteve ushtarake. Më në fund, më 3 tetor në darkë (nuk ishin larguar aspak prej vaporit) nisen drejt Shqipërisë. Udhëtimi ishte i rrezikshëm për shkak të ndonjë silurimi apo sulmi ajror të mundshëm. Më 4 tetor, në orën 10.00 mbërrijnë në Durrës, ku mikpriten prej Arqipeshkvit imzot Prendushit, përfaqësuesit të Qeverisë, Prefektit, Kryetarit të Bashkisë, Miqve e Bamirësve të shumtë. Janë gjithashtu të pranishëm edhe dom Xhemeli, dom Bidone, dom Laxarini, dom Farinaso, dom Spada e Vëlla Karl Serra[6]. Po këtë ditë shkojnë në Shijak. Më 5 tetor shkojnë në Tiranë, më 6 tetor në Shkodër, më 7 tetor në Elbasan e Korçë. Më 8 tetor, pasi u hodh poshtë mundësia e rrezikshme për t’u kthyer me vapor, dom Sterpi dhe dom Piçinini nisen për Romë-Çiampino me aeroplan. Gjatë udhëtimin pikasen prej një aeroplani anglez, por arrijnë t’i ikin. Pasi shkon në Onjisanti, në darkën e po asaj dite dom Sterpi niset për Venecie.

 

6. Dëbimi[7]

Me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës (20 tetor 1944) u shfaqën simptomat e para shqetësuese, si ndalimi i shtypit katolik dhe kërcënimi i shkrirjes së shoqërive katolike. “Megjithëse jepnin sigurimeve të vazhdueshme se institucionet katolike nuk do të prekeshin”. Por faktet për fat të keq nuk iu përgjigjën fjalëve të bukura.

Filluan t’u binin në qafë shoqërive katolike në veri dhe misioneve në jug. Të shumta qenë bastisjet dhe kontrollimet e instituteve.

Pas dëbimit të Delegatit Apostolik, në korrikun e vitit 1945, u mbyllën kopshtet, jetimoret dhe shkollat që drejtoheshin prej motrave dhe rregulltarëve, u dëbuan rregulltarët dhe motrat italiane.

Me gjithë shfaqjet e përsëritura të afektit dhe të simpatisë për veprën që kishim bërë në jetimore, kampe bujqësore, shkolla, etj. dhe sigurimet e vazhdueshme se nuk do të na kishin shqetësuar, madje do të na kishin mbështetur, më 19 janar 1946, në orën 11.00, u lajmëruam të linim Shkodrën dhe shtëpitë e tjera për t’u kthyer të nesërmen për Itali. Pesë orë më vonë, dy roje, dërguar prej komandës së Mbrojtjes së Popullit, ruanin jetimoren tonë të djemve, me qëllim që asgjë të mos merrej me vete dhe që të vëzhgoheshin të gjitha lëvizjet e personelit drejtues. Mundëm t’ua dorëzonim familjarëve jetimët katolikë, por shteti i mori prej aty dhe i solli sërish në jetimore për të formuar një jetimore të përzier, duke e kthyer kishën në sallë vallëzimi. Na u lejua që të merrnim vetëm gjërat më të nevojshme personale.

Mbrëmjen e datën 20 janar ishim në Durrës: bashkë me 9 prej nesh (11 të tjerë i kishin kthyer ne Atdhe më parë) ishin edhe 96 rregulltarë italianë. Qëndruam 48 ditë në pritje të vaporit, të mbikqyrur në një hotel, duke ngrënë sa për të mbajtur frymën gjallë e duke fjetur ku të ishte e mundur.[8] Më në fund pas shumë telashesh arritëm të ktheheshim në Itali”.

 

7. Kthimi në vendin e shqiponjave

Para vizitës në Shqipëri (25 prill 1993), Gjon Pali II kishte bërë thirrje që të ndihmohej Kisha martire në Shqipëri duke filluar veprën e ungjillëzimit. Vepra e dom Oriones, edhe për arsye afektive, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Atit të Shenjtë.

Prej procesverbalit të Këshillit provincial të datës 17 korrik 1991, mbajtur në Romë, lexojmë: “U lexua relacioni që Provinciali [dom Gjon De Meo] me datë 15 korrik 1991 i dorëzoi Gjeneralit mbi udhëtimin e bërë në Shqipëri, së bashku me dom Romolo Marianin, më 6-13 korrik. Ka perspektiva jo të pakta për të ngulur një ‘çadër’ në Durrës”.

Prej relacionit të shkurtër dërguar Drejtorit të përgjithshëm, dom Gjyzepe Mazieros, arrijmë të kuptojmë qëllimin e udhëtimit: njohja me vendet ku kishin punuar bashkëvëllezërit tanë dhe njohja e situatës së re; shkuarja në familjet shqiptare që ishin mikpritur në Shenjtëroren e Zojës së Kurorëzuar të Foxhës.

Vendet e vizituara janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Bushati, Shkodra.

Dy takime tepër mallëngjyese me Nënë Terezën e Kalkutës, e cila kishte hapur nëntë bashkësi në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër! Me këtë rast Nënë Tereza na ftoi që ta hapnim misionin tonë edhe në tokën shqiptare. “Nëse do Zoti”, iu përgjigj provinciali. “Sigurisht - përsëriti Nënë Tereza - nëse do Zoti!”.

Më 23 qershor 1992, Provinciali [don Antonino Vilari] referoi në Këshill mbi udhëtimin e bërë në Shqipëri, së bashku me dom Munjain dhe dom Marianin, si dhe mbi mundësinë konkrete për të filluar një vepër apostullimi në Elbasan. “U hap një diskutim i gjatë mbi mundësinë apo jo dhe mbi mënyrat e një angazhimi të Provincës në Shqipëri. Në fund u votua propozimi që Provinca të ngulë një “çadër” në Shqipëri: me një rezultat 5/5. Mbi mënyrat dhe kohët do të duhej të merreshim vesh me Këshillin e përgjithshëm dhe me Nuncin apostolik”.

Në Këshillin provincial të datës 28 korrik 1992 Eprorët miratuan hapjen e misionit nën udhëzimet e Nunzit Apostolik Ivan Dias[9] në Elbasan.

 

8. Data të rëndësishme

12-19 gusht 1992: dom Vilari dhe dom Munjaj shkojnë në Elbasan. Këtu bashkësia jonë rregulltare do të merret me përkujdesjen baritore të zonës dhe të bashkësive të Motrave.

18 tetor 1992: hapja zyrtare e misionit në Elbasan me detyrën e përkujdesjes baritore të kësaj zone, ungjillëzim dhe themelim të Kishës.

4 tetor 1993: Nunci Apostolik, Ivan Dias, falënderon dom Vilarin për emërimin e dom Salvator Kajones si “famullitar të Elbasanit”.

25 mars 1994: Nunci emëron dom Xhyzepe De Guljelmon “Coordinatorem operum pastoralium in Administratione Apostolica Albaniae Meridionalis – Bashkërenditës i veprave baritore në Administrimin Apostolik të Shqipërisë së Jugut”.

4 maj 1995: Letra e Nuncit dërguar dom Vilarit në lidhje me ndërtimin e kishës famullitare “Shën Piu X”. “Ajo është kisha kryesore e krejt rrethit të Elbasanin, që në të kaluarën njihej si kështjella e Islamit. Kurse tani, falë Provanisë Hyjnore, brenda në qytet gjenden gjashtë bashkësi rregulltare dhe tri në rrethina, gjithsej 4 meshtarë dhe 31 rregulltare”.

2-9 shkurt 1996: vizita kanonike provinciale në bashkësinë e Elbasanit.

12 mars 196: nënshkrimi i marrëveshjes – në Tiranë – “për ngarkimin e një Famullie kushtuar Shën Piut X në qytetin e Elbasanit dhe përkujdesjen baritore të Stacioneve misionare të po këtij qyteti” (Arqipeshkvi Ivan Dias, Administrator Apostolik dhe Dom Antonino Vilari, Drejtor Provincial).

2 shkurt 1997: shugurimi i kishës së re, që merr emrin “Famullia Shën Piu X”. Bashkësia tani përbëhet nga dom Xhyzepe De Guljelmo, dom Franko Galicia, dom Mario Baljo dhe kleriku Gjovani Paqe.

14 shkurt 1998: Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Anxhelo Masafra, i shkruan Imzot Domeniko Peçiles, ipeshkëv, dhe për dijeni Provincialit të ri, dom Luigji Fiordalizos: “Unë kam folur qysh më përpara me Provincialin e Etërve Orioninë, i cili është shprehur i gatshëm për të hapur Shtëpinë e dytë në Shqipëri, pikërisht në Shirokë, sigurisht sipas një marrëveshjeje”.

22 shkurt 1998: Drejtori i përgjithshëm, dom Roberto Simionato, miraton hapjen e bashkësisë së dytë rregulltare në Shirokë: shtëpi formimi dhe angazhim baritor në disa fshatra sipas udhëzimeve të ipeshkvit.

6 prill 1998: Provinciali, në Këshill, njofton se “ka vendosur t’i lërë dom De Guljelmon, dom Galician dhe dom Korradon në Elbasan, ndërsa dom Rolando Reda dhe dom Mario Baljo do të shkojnë për të formuar bashkësinë e re në Shirokë”. Atyre do t’u bashkëngjitet kleriku i parë shqiptar, Dorian Mjeshtri.

21 qershor 1998: hyrja zyrtare e bashkësisë në Shirokë.

 

[1] Bëhet fjalë për materialin e ruajtur në Arkivin e Selisë Gjenerale të Veprës së Vogël të Provanisë Hyjnore (Via Etruria 6, Romë). Redaktimi i tekstit të mëposhtëm është kufizuar vetëm në përmirësime të vogla me natyrë gramatikore.

[2] Shijak është një tkurrje e emrit “Shën Jak”, një prishje e emrit SANTIAGO, emër që i është dhënë kësaj zone prej disa spanjollëve, që dikur jetonin këtu.

[3] Por diçka vendimtare lidhur me Shqipërinë, dom Orione e kishte bërë. Më 1 janar 1940 kishte dërguar në këtë tokë dom Xhemelin, i cili ishte ngulur në Shijak, në ndërmarrjet bujqësore të Veprës Kombëtare të Luftëtarëve. Kjo Vepër, duke marrë përsipër ta rimëkëmbte bujqësinë shqiptare, kishte sjellë disa qindra italianë bashkë me familjet e tyre, nevojtarë për përkujdesje fetare dhe shkolla italiane për fëmijët e tyre.

[4] Dom Xhemeli pohon se në vitin 1935 (19 qershor: shih më lart) dom Orione i kishte shkruar në Rodi kështu: “Kam pranuar tri pika misionare, që më janë paraqitur nga Propaganda Fide, në Shqipëri, dhe për Epror të Misionit kam propozuar ty. Po afrohen pushimet, pra edhe koha e Ushtrimeve Shpirtërore; bëji në Itali, dhe dom Sterpi do të të lidhë me Propaganda Fide-n…”. “Ishte viti 1935, dhe tani është dom Xhemeli që shkruan: - Në gusht bëra Ushtrimet Shpirtërore në Itali, pastaj shkova te dom Sterpi. “A të ka shkruar Drejtori? Çfarë thua për punën e Shqipërisë? A ke ndonjë vështirësi? Çfarë të bëjmë?”. E pyeta nëse e dinte se ku do të shkonim, sa njerëz duheshin, si ishin gjërat: se çfarë duhej bërë, cilat ishin pengesat apo vështirësitë. “Jo – m’u përgjigj – nuk di asnjë”. Atëherë si mund të dërgoni atje menjëherë një grup meshtarësh? Do t’i futnim në gojë të ujkut… “Ke të drejtë – tha dom Strepi – Nesër do të nisem për Romë dhe do të dëgjoj se çfarë më thonë ata të Propaganda Fide-s”. Shkoi, foli: Saloti ishte emëruar Kardinal, nuk ishte më; megjithatë vërejtja ime, bërë dom Sterpit, u miratua prej asaj Kongregate të Shenjtë; dhe u mor vendimi se ishte me vend të dërgohej një meshtar, në zbulim, për të parë se për çfarë bëhej fjalë, dhe sikur, nëse ishte rasti, për të filluar veprimtarinë, duke përgatitur terrenin dhe kushtet e jetesës për bashkëvëllezërit e tjerë. Dom Sterpi, kur u kthye, më bëri të ditur se si kishin shkuar punët, dhe më ftoi të shkoja atje: ‘Pasaportën e ke gati, gjithashtu ti je caktuar pikërisht për këtë mision: kush është më i përshtatshëm se ti për një gjë të tillë? Pra shko’. Në Romë Italica Gens nuk më mori para për udhëtimin, si dhe më ndihmoi për vizën; mora edhe disa letra për Delegatin Apostolik të Shkodrës (që kryente edhe funksionin e arqipeshkvit të atij qytetit, pasi vendi ishte ende i lirë) dhe për Arqipeshkvin e Durrësit. Magjistër Pjetër Jura, shqiptar […]. Nga Bari u nisa drejt Durrësit, dhe shkova drejt e në Shkodër, te Delegati Apostolik, i cili me gjithë zemër më uroi mirë se ardhjen: nuk priste që Selia e Shenjtë të dërgonte meshtarë dhe rregulltarë italinë, në Shqipëri […]. Delegati Apostolik i Shkodrës më njohu me situatën e përgjithshme të Shqipërisë, më dha edhe disa këshilla të vlefshme”. Dom Xhemeli, duke vazhduar tregimin, bën të ditur për takimin me Magjistër Jurën, të cilit i paraqiti letrat kredenciale; te ai dom Xhemeli qëndroi një ditë të plotë gjatë së cilës folën për misionet e Propaganda Fide-s. Mbetej të merreshin masa për misionin e Shijakut, dhe me shumë dëshirë do ta kishin mikpritur një meshtar italian të Kongregatës së dom Oriones.

[5] Në kapitullin e parë të përgjithshëm, dom Xhemelit iu desh t’ia shpjegonte gjendjen e oratorit të përzier Karontit Abat, i cili publikisht kishte kërkuar nëse në Shqipëri kishte një orator. “Ishte më mirë që t’i kisha ndër sy, për të shmangur më të keqen në ato toka të humbura… Dom Piçinini pohoi fjalët e mia, duke thënë edhe se famullitarët anglezë, kishin një sallon për mbledhjet e të rinjve të të dy gjinive, edhe për vallëzime, me qëllim ruajtjen e fesë në familje nëpërmjet martesës mes katolikëve. Karonti, me shumë keqardhje të dom Oriones, kishte mendim të kundërt për Shqipërinë. “Çfarë bëni atje – thoshte – është një vend i ri, subjekt shpërthimesh të papërmbajtura dhe kataklizmash. Punoni, punoni, por pastaj do të mbeteni me gisht në gojë…”. Por kur vendosi ta shprehte më lart dëshirën e tij për të na larguar nga Shqipëria, ndeshi Kard. Salotin: “Ah, ke ardhur për të na shqetësuar. Mos u përziej për Shqipërinë… Lëri gjërat kështu siç janë!”. Ishin miq… Atëherë Karonti i la gjërat ashtu siç ishin dhe nuk iu kundërvua më veprave tona në tokën shqiptare.

[6] Vdiq më 3 gusht 1943 gjatë udhëtimit për në Itali, në moshën 25-vjeçare.

[7] Për kronikën e vizitës së dom Sterpit në Shqipëri, shih artikullin e botuar në La Piccola Opera della Divina Provvidenza, nëntor 1940, fq. 7.

[8] Këtu dom Xhemeli tregohet mjaft i butë në përshkrim. Në vende të tjera shkruan: “40 ditë kamp përqendrimi për të gjithë. 19 ditë burg për dom Xhemelin dhe 87.000 lireta për të paguar. Ruajtje të jetimores dhe 16 bastisje komuniste në shtëpinë e Shkodrës. Kërcënim me vdekje për dom Farinason dhe klerikun Betiol, të cilëve iu desh të largoheshin natën prej Bushatit. Vjedhje me armë në dorë në Durrës, Bushat, etj. Përfundimi? Ajo që doli në mënyrë krejt të vetvetishme prej gojës së një plaku mysliman shqiptar: “O atë, është hapur ferri dhe kanë dalë djajtë jashtë”. Palermo, 28 dhjetor 1963. Sante Xhemeli Meshtar bph”.

[9] Imzot Ivan Dias – aktualisht arqipeshkëv i Bombeit është emëruar kardinal në kuvendin e fundit – na udhëzoi ta zgjidhnin Elbasanin duke u nisur prej faktit se në Veri të vendit tashmë kishte shumë familje rregulltare.

 

titujt orionitët

 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster