|
Motër Ana Fioreli Lapini
1809-1860
Themeluese
e Bijave të Varfra të Varrëve të Shën Françeskut
Ana
Fioreli lindi më 27 maj 1809, në Firence (Itali). Prindërit e saj,
Jozefi dhe Roza, ishin pa shtëpi dhe pasuri, por plot me drojën e
shenjtë të Hyjit. Ana u rrit në një familje të thjeshtë dhe besimtare, e
cila lutej së bashku, kujdesej për të varfrit dhe për të sëmurët.
Çfarë ëndërronte të bëhej
ajo kur të rritej? Ndihej e përshtatshme për jetën rregulltare tek
murgeshat kapuçine. Arsyeja e mospranimit në këtë kuvend apo në kuvende
të tjera qe brishtësia e saj fizike dhe paja e madhe që duhej të merrte
me vete, por meqë vinte nga një familje e varfër nuk do të kishte mundur
kurrë ta bënte. “Do të gjej një kuvend që kushton më pak!” – qe
përgjigjja e saj.
Familja
Lapini, që jetonte përballë Fiorelëve kërkoi dorën e Anës për të birin,
Gjonin, i cili bënte një jetë mjaft të shthurur. Ana u befasua nga kjo
kërkesë, megjithatë ajo e bisedoi me drejtuesin e vet shpirtëror, i cili
e këshilloi që t’i bindej dëshirës së prindërve, pasi edhe në jetën
bashkëshortore ajo mund ta jetonte shenjtërinë e pastërtinë, që aq shumë
i çmonte dhe i kërkonte. Kështu Ana dhe Gjoni u martuan më 18 shkurt
1833. Ana përpiqej të ishte një nuse e dashur, e kujdesshme dhe e bukur.
Një gjë e tillë nuk e pengoi të shkonte shpesh në kishën e kapuçinëve,
ku ndalej dhe lutej përpara një figureje që paraqiste Krishtin e vdekur.
Gjoni, pas njëfarë kohe, iu
kthye përsëri jetës së mëparshme. Ana, duke parë këtë sjellje të të
shoqit, u zotua ta shenjtëronte veten dhe ta kthente të shoqin nëpërmjet
pendesave dhe lutjeve të shumta, që shpesh i bënte përpara figurës së
shën Françeskut të Asizit, në momentin e marrjes së varrëve të shenjta.
Nën sugjerimin e atë Borgit
ofm, hyri në Urdhrin e Tretë Françeskan.
Ditët i kalonte në uratë dhe
duke ndihmuar të sëmurët. Në zemër ndiente një paqe të madhe dhe një
kthjelltësi të pamasë.
I shoqi, Gjoni, u sëmur
papritur nga një bronkit i rëndë dhe më pas u godit nga hidropizia. Ai,
duke parë dashurinë dhe kujdesin e pandërprerë të Anës edhe në këto
momente, i tha: “Ti je kaq e mirë dhe ke kaq merita përpara Hyjit, ti
duhet të më kthesh!”. Gjoni, pasi mori sakramentet e shenjta, rrëfimin,
kungimin dhe vajimin, vdiq më 24 mars 1842.
“Çdo të
bëjë Jezusi me mua?” - ishte pyetja që Ana vazhdimisht i bënte vetes dhe
Jezusit, pas vdekjes së të shoqit.
Mori një shtëpi me qera, ku
jetonte në lutje dhe pendesë të vazhdueshme. Me kalimin e kohës disa
fshatarë filluan t’ia besonin Anës bijat e tyre me qëllim që t’i
edukonte me parimet e krishtera, që të bëheshin zonja shtëpie,
bashkëshorte të mira dhe nëna të dashura. Menjëherë iu bashkëngjitën
edhe dy gra të tjera. Lindi kështu një “familje e vogël” rregulltare.
Gratë ngriheshin herët në mëngjes për të shkuar në Meshë dhe për të bërë
udhën e kryqit. Pasi ktheheshin në shtëpi merreshin me vajzat, numri i
të cilave rritej vazhdimisht. Një grup tjetër vajzash dëshironin t’i
bashkëngjiteshin Anës. Ato lutnin së bashku Oficen e Virgjërës Mari,
bënin gjysmë ore meditim dhe pasi thonin edhe disa lutje të tjera
merreshin me vajzat, ndihmonin të sëmurët dhe kërkonin lëmoshë për t’u
ardhur në ndihmë të të varfërve.
Në vitin 1845 familja e Anës
përbëhej nga gjashtë gra. Ditën e Rrëshajëve të po atij viti të gjitha u
veshën me rroba që kishin të njëjtën prerje, ngjyrë kafe me mëngë të
gjera dhe të palosura në skaje, me shami në qafë dhe me një beretë të
zezë në kokë. Ata vazhdimisht bënin këtë pyetje: “A është pikërisht ky
vullnesa e Hyjit? Mos vallë Hyji kërkon që t’i japim jetë një familjeje
të re rregulltare?”. Anës nuk i mungonte guximi, donte vetëm të ishte e
sigurt nëse ky ishte ishte apo jo vullnesa e Hyjit. Në gusht të vitit
1846 dy nga dy, për të mos rënë në sy, familja e re u zhvendos në
ndërtesën e re të Skolopëve, që quhej Fantina. Ana ishte bërë tjetër
njeri: ishte liruar prej ngushticave që e kishin sulmuar, tani ndihej e
gatshme për përgjegjësitë e reja që e prisnin, u jepte guxim shoqeve të
saja që t’i dhuroheshin Hyjit dhe njerëzve me bujari e pa frikë, ishte e
përvuajtë, e thjeshtë dhe e vendosur.
Ajo që e mbështeste dhe e
drejtonte gjithë këtë veprimtari ishte dashuria për Hyjin, soditja e
vazhdueshme e Krishtit të kryqëzuar dhe e varrëve të Tij. Ana, gjatë
kësaj periudhe kujdesej edhe për gratë e varfra, të braktisura, të
dëshpëruara, të keqtrajtuara, të sëmura… Banesa e tyre u bë strehë për
shumë njerëz. Populli i nderonte dhe i respektonte. Kishte prej atyre që
shkonin fshehurazi deri te shtëpia e tyre, linin ndonjë dhuratë dhe po
fshehurazi largoheshin.
Ana e shoqet e saja dilnin e
hypnin, dhe shumë shpesh një pjesë të mirë të lëmoshës ua dhuronin
menjëherë të varfërve të tjerë. Ajo që i mbështeste ishte siguria se po
bënin “vullnesën” e Hyjit.
Më shumë çiltërsi ajo i
thoshte Jezusit: “Unë doja diçka dhe Ti më bëre të bëj diçka tjetër”. “O
Zot, Ti e dije se unë doja të jetoja e tërhequr në vetmi, kurse Ti më
bën të valëvitem si flamur, por u bëftë vullnesa Jote!”.
Më 18 maj
1850, me miratimin e arqipeshkvit të Firences, gratë u veshën me një
rrobë, që e kishin bërë me këmishat e vjera të fretëve të Malit të
Kryqit dhe vendosën të quheshin: “Bijat e varfra të varrëve të Shën
Françeskut”, ose siç njihen në popull me emrin “Stigmatine”.
Qëllimet e themelimit të këtij Instituti qenë pranimi i
shumë vajzave të varfra, plot dëshirë për t’iu kushtuar Hyjit, të cilat
përjashtoheshin nga kuvende të tjera për shkak të pamjaftueshmërisë së
njohurive të tyre, rilindja e shpirtit të shën Françeskut me praktikimin
e varfërisë, të përvujtërisë; t’i ofronin botës një shembull pendese dhe
vetëmohimi, duke jetuar në gëzim dhe paqe, ripërtëritja tek besimtarët e
shpirtit të të krishterëve të parë; ofrimi i çdo mjeti për shenjtërimin
dhe arritjen e përsosmërisë ungjillore të saj dhe të shoqeve të saj.
Ana
kërkonte miratimin e Papës, me qëllim që t’i jepte qëndrueshmëri
Institutit të vet. Takimi i parë mes Anës dhe Papa Piut IX u bë në vitin
1854, pastaj u takuan edhe shumë herë të tjera. Më 23 korrik 1855 Papa i
shprehu Anës mirënjohjen e vet të parë zyrtare, me dekretin e lavdeve,
dhe përsëri më 20 maj 1856. Më 29 gusht 1864 Papa i dha një miratim të
përkohshëm kësaj familjeje, kurse më 19 shtator 1888 i dha miratimin e
tij përfundimtar.
Rrezja e
veprimit të këtij Instituti arriti deri në Lacio, Umbria, Abruco… Ana i
vizitonte vazhdimisht Institutet e reja, për t’i nxitur që ta ruanin të
pastër shpirtin që i nxiste në këtë kushtim të shenjtë…
Në fund të vitit 1859 Ana
parandiente se fundi i saj nuk ishte i largët: në fakt kanceri, prej të
cilit ajo vuante prej disa kohësh kishte përparuar shumë. Më 3 janar
1860 shkoi në Portiko ku jetoi në qetësi udhën e saj të kryqit, duke
kaluar dhimbje therëse dhe të tmerrshme. Ana u shua në paqe dhe në
heshtje, me forcën e sakramenteve të shenjta, mbrëmjen e të dielës së
Pashkëve, më 15 prill 1860.
Stigmatinet në botë:
Bolivi, Brazil,
Ekuador, Itali,
Shqipëri, Spanjë,
Zaire
Motrat Stigmatine në
Shqipëri dhe angazhimi i tyre në Kishën lokale
Motrat Stigmatine në
Shqipëri
-
Bashkësia e Shkodrës
(Dioqeza e Shkodrës): tel. e fax: 00355/2243.815
-
Bashkësia e Dajçit të
Bregut të Bunës (Dioqeza e Shkodrës): tel. 00355/26.720.069
-
Bashkësia e Shirokës
(Dioqeza e Shkodrës): cel. 00355/68.2709.759
-
Bashkësia e Pistullit
(Dioqeza e Sapës): cel. 00355/69.2442.001
-
Bashkësia e Hajmelit
(Dioqeza e Sapës): cel. 00355/69.2287.106
Angazhimi i tyre në kishën
lokale
A. Dioqeza e Shkodrës
-
Bashkësia e Shkodrës:
a. bashkësia e
kuvendit:
asistencë e motrave shqiptare të moshuara;
vë në dispocizion mjediset e saj për grupet e lutjes,
si: legjioni i Marisë, katekumenët, Shën Egjidi, etj.
gjallërim shpirtëror për grupin e vejushave (një herë në
muaj);
vizitë të sëmurëve të zonës dhe u çon kungimin atyre që
dëshirojnë ta marrin;
kujdeset për 15 adoptime në distancë (Itali-Shqipëri)
për 15 familje në nevojë;
një motër e re kujdeset për rihabilitim
një motër e re kujdeset për persona me aftësi të
kufizuar;
një motër e re kujdeset për katekizmin javor.
b. Selia e
Delegacionit
gjallërim dhe mbështetje për vëllazërinë
mikpritje e aspiranteve.
-
Bashkësia e Dajçit të
Bregut të Bunës:
punë baritore në katër fshatra: Dajç, Samrish 1 e 2 dhe
Zukaj;
katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;
gjallërimi i një grupi të rinjsh;
vizita në familje.
-
Bashkësia e Shirokës:
formim fillestar;
katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;
vizita në familje.
B. Dioqeza e Sapës
-
Bashkësia e Pistullit:
punë baritore në dy fshatra: Pistull e Paçram;
katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;
kurs edukimi shëndetësor dhe bujqësor.
-
Bashkësia e Hajmelit:
punë baritore në tre fshatra: Hajmel, Dheu i Lehtë dhe
Nënshat;
katekizëm dhe përgatitje e liturgjisë;
vizita në familje, vëmendje dhe përkujdes ndaj familjeve
në gjak;
edukim shëndetësor dhe nxitje të gruas;
mision në malësi.
titujt stigmatinët |