ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

KATEDRALJA E SHËN SHTJEFNIT

 Shkodër – Albania

 

 

 

HISTORI E SHKURTËR

 

Kisha Katedrale e Shkodrës është e kushtuar Shën Shtjefnit, 1 pari Martir, i njëjti Pajtor i kishës ekzistuese në Kështjellën Rozafa, mbetjet e së cilës ekzistojnë ende. Një dëshmi të çmueshme e kemi në veprën e meshtarit dhe humanistit Dom Marin Barleci, i njohur në historinë dhe në kulturën shqiptare. Duke përshkruar rrethimin e Shkodrës nga ana e turqve në vitin 1478, ai kujton Pajtorin e Shkodrës.

Gjatë shekujve të parë të pushtimit turk, Ipeshkvijtë e Shkodrës ishin të detyruar të banonin jashtë qytetit, pa një seli brenda mureve të qytetit. I pari ipeshkëv që u vendos në Shkodër më 1742 qe Imzot Pal Pema Kamsi (1742-1771), që gëzonte mbështetjen e farefisit të tij të madh e të fuqishëm, i cili i përballonte trimërisht mujshitë e turqve.

Besimtarët shkodranë kërkuan që të ndërtohej një kishë Katedrale. Prandaj Sulltanit në Stamboll iu dërgua kërkesa për lejen, e cila u dha me një ferman  (dekret) të vitit 1851.

Punimet filluan pas shtatë vjetësh, më 7 prill 1858, në praninë e Guvernatorit të Shkodrës Ali Pasha. Kjo vonesë duket se erdhi prej faktit se kishte nevojë për para që të filloheshin punimet, sipas projektit të një arkitekti austriak, emri i të cilit nuk ka arritur deri në ditët tona.

Pas leximit të fermanit të Sulltanit nga ana e Guvernatorit, u vendosën piketat, u bekua guri i parë nga Imzot Ivan Topič dhe u hapën themelet. Në ceremoni ishin të pranishëm: famullitari Dom Engjëll Radoja me meshtarët bashkëpunëtorë, Trupi konsullor i akredituar, Ipeshkvijtë e dioqezave sufragane, kleri shekullar, rregulltarët, seminaristët dhe personalitetet e populli. Kisha Katedrale e Shkodrës u quajt Kisha e Madhe sepse, në kohën e ndërtimit, ishte njëra prej kishave më të mëdha të Ballkanit. Ndërtimi i saj kaloi nëpër disa etapa. Pullazi i ndërtuar në fillim me trarë druri u zëvendësua më pas nga traveta metalike. Tavani u ndërtua me katrorë në trajtë kutie, sipas projektimit të Kolë Idromenos. Inaugurimi i Katedrales u bë në 1865 kur Kryeipeshkëv ishte Imzot LuigjÇurçia.

 

 

Katedralja e bombarduar

 

Shkodra, e rrethuar prej ushtrisë malazeze (1912-1913) dhe e mbrojtur nga komandanti Hasan Riza Pasha, u bë objektiv i goditjeve të artiljerive malazeze, ashtu si edhe katedralja, megjithëse shihej qartë se ishte një ndërtesë kulti. Aty kishte gjetur strehim një numër i madh qytetarësh, ndër të cilët shumë gra e fëmijë, që, duke mos qenë të sigurtë në banesat e tyre, mbi të cilat binin vazhdimisht predha, kishin menduar se, meqenëse malazezët ishin të krishterë, do ta kursenin atë vend të shenjtë. Mjerisht predhat e goditën katedralen dhe dëmtuan veçanërisht krahun jug-lindor të kishës e shkaktuan djegien e kumbonares. Megjithatë, ky nuk qe sakrilegji i vetëm.

 

 

Gjatë diktaturës komuniste

 

Pas arrestimit të Dom Mikel Koliqit (më 3 shkurt 1945) detyra e famullitarit  i mbeti Dom Ernest Maria Çobës, të cilin e mbajti deri në shugurimin e tij ipeshkvnor më 20 prill 1952.

Me revolucionin famëkeq “kultural” të vitit 1967, u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri: disa u shkatërruan, të tjerat u shndërruan në salla shfaqjesh apo magazina, ndërsa Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti, ku, në vitin 1973, u zhvillua Kongresi i grave komuniste.

Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit sovjetik solli një frymë lirie edhe në Shqipëri  në 1990-1991 u kthye liria dhe besimi zuri përsëri vendin e vet.

 

 

Rihapja e Katedrales

 

Më 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli ofm. Mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës së Kalkutës dhe të mijëra besimtarëve. Në Katedralen ende Pallat i Sportit më 21 prill 1991 qe shuguruar meshtar Dom Gjergj Simoni prej Imzot Nikoll Troshanit. Selia e Shenjtë me Imzot Ivan Dias, Nuncin e parë Apostolik në Shqipëri, vendosi dhe financoi restaurimin dhe rindërtimin e saj.

Me rihapjen e Katedrales në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre qoftë shtatorja që paraqet Shën Mhillin i cili shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos, qoftë njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e Familjes Pema (vepra të konfiskuara prej komunistëve).

Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.

 

 

Fakte të tjera të rëndësishme

- Më 26 nëntor 1994: emërimi i Mons. Mikel Koliqit Kardinal; vdekja e tij (28 janar 1997) dhe varrimi në Katedrale.

- Më 22 tetor 1997: vdekja e Kryeipeshkvit Imzot Frano Illia.

- Më 28 nëntor 1997: Imzot A. Massafra, ofm, Ipeshkëv  i Rrëshenit dhe Administrator Apostolik i Lezhës, emërohet Administrator Apostolik i Shkodrës dhe i Sapës.

- Më 28 mars 1998, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, emëron Kryeipeshkëv Metropolit të Shkodrës Imzot Angelo Massafra-n, ofm. Më 25 prill 1998, në prani të Nuncit Apostolik, Imzot Giovanni Bulaitis, të Ipeshkvit Ndihmës, Imzot Zef Simoni, të famullitarit të Shkodrës, Imzot Lucjan Avgustini, Kryeipeshkvi Massafra bëri hyrjen e vet në Katedralen e Dioqezës së Shkodrës.

- Më pas përfundoi ndërtimi i Kumbonares së ndërtuar me ndihmesën e Z. Kolë Cacaj dhe qe  bekuar nga Imzot A. Massafra, më 16 nëntor 1999.

- Një tjetër ditë shumë domethënëse për Kishën në Shqipëri e që u kremtua në Katedralen e Shkodrës qe shugurimi i meshtarëve të parë dioqezanë e françeskanë pas përndjekjes komuniste, më 29 qershor 2000, pas kryerjes së studimeve filozofiko-teologjike në Seminarin Ndërdioqezan.

- Nuk mund të mos vihet re se në Kapelën e të Shenjtërueshmit gjendet një kopje e Sindonës, origjinale, dhuratë e Kryeipeshkvit të Torinos në vitin 2000; po ashtu është edhe Kapela e Vajrave të Shenjta dhe e “Martirëve” shqiptarë.

- Pas vitit 2005 bëhen shumë ndërhyrje të rëndësishme në Katedrale: ndërrimi i mbulojës dhe lyerja e jashtme; sistemimi i presbiterit, ndërtimi i korit të drunjtë të bërë në Shkodër, dhe mobilimi i Sakrestisë (2005); sistemimi i qendrës së zërit (2006); lyerja (2007).

 

 

Lista e Famullitarëve (nga 1930 deri më 2007)

1. Dom Gaspër Thaçi (1930 - 19.03.1936)

2. Dom Mikel Koliqi (18.11.1937 - 1991)

3. Dom Zef Simoni (1992 - 23.04.1993)

4. Mons. Loro Nodaj (1993 -1995)

5. Mons. Lucjan Avgustini (14.07.1995 - 26.12.2006)

6. Dom Gjovalin Suka (Administrator Famullitar - 22.01.2007).

 

 

Fotot: Angjelin Nënshati

Arti grafik: Luigj Mila

Shtypshkronja:

“Gjergj Fishta” Lezhë

 

Shkodër, Qershor 2007

 

 

titujt Katedralja e Shen Shtjefnit

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster