|
|
||
|
KISHA E SHËN
KOLLIT NË RUSIN KATOLIK |
||
|
|
Historik i shkurtër
Qe ndër të parat që në vitin 1967 u shkatërrua dhe u bë
kulm e themel nga terroristët e kuq. Një kishë shumë e fortë dhe e qëndrueshme
aq sa nuk mjaftuan kazmat dhe muskujt e punëtorëve, por u deshtën buldozerë e
tanke. Dhe sikur kjo të ishte e pamjaftueshme, të pafetë, mbasi e rrënuan, në
vendin e saj hapën një gropë të madhe gjysëm metri në dhe e, mbasi e mbushën me
mbeturina kaldaje, mbi të ndërtuan kampin sportiv të shkollës ngjitur: atë të
Pashko Vasës.
Me kapitullimin e komunizmit dhe pas
shpalljes së lirisë fetare, nga viti 1991 deri në vitin 1996, për disa herë
radhazi iu drejtova një përfaqësuesi të lartë fetar, të më jepte lejen ta
rindërtoja Kishën siç kishte qenë më përpara. Po ashtu edhe në vitin 1997 për
dy herë radhazi atij iu dërgua një përfaqësi e lagjes Rus Katolik për të
nxjerrë këtë leje, por ai gjithmonë refuzoi ta jepte, duke thënë se ai do ta
ndërtonte Kishën tek Sanatoriumi.
I lodhur nga ky qëndrim i
pakuptim dhe i pa arsyeshëm, në krye të një përfaqësie të lagjes, shkuam tek
shkolla Pashko Vasa dhe kërkuam takim me drejtorin e asaj shkolle. Pritja që ai
na bëri qe e menjëhershme dhe krejt miqësore aq sa nuk e prisnim. I paraqitëm
arsyen e shkuarjes sonë dhe ai vendosmërisht, por edhe me zemërgjerësi na u
përgjigj, se që në atë minut vendi i palestrës së shkollës kishte qenë i Kishës
dhe përsëri na e kthente neve. Ky ishte zotëri Nikolin Leka, të cilit i bëjmë
dhe urimet më të thellë dhe një bekim të gjithanshëm nga Zoti dhe Shën Kolli
për të dhe familjen e tij: populli katolik i lagjes do t’i jetë përherë
mirënjohës. Ai urdhëroi mësuesin e fiskulturës të na shoqëronte për të na
ndihmuar të nxirrnim të paprishura veglat e gjimnastikës të betonuara në fushë.
Të dielen e parë pasi u bëmë zot përsëri të
truallit të Kishës së Shën Kollit në shtator të vitit 1997, thashë meshën e
parë pas vitit 1967 në sheshin e Kishës mbi një tavolinë. Populli që asistoi në
këtë meshë të parë qe mjaft i shumtë. (foto
1;
2)
Përfaqësia e lagjes Rus Katolik përbëhej nga
këta zotërinjë: (nga e majta) Viktor Miri, Sander Zadrima, Ndrekë Dusha, Dom
Ndoc Nogaj, Paulin Temali, Kolec Pashuku dhe Zef Mirashi. (foto
3) Këta zotërinjtë do të jenë edhe
bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë për ndërtimin e Kishës së Shën Kollit, edhe
për një kohë të gjatë.
Ditën e hënë, pas meshës së parë, u gjetëm
përsëri së bashku tek trualli i Kishës: kishim me vete kazma, lopata dhe
filluam menjëherë të gërmojmë për të gjetur themelet e Kishës.
Kur populli pa se çfarë po bënim, menjëherë
na erdhi në ndihmë, dhe brenda dy orëve u zbuluan themelet e kishës ekzistuese.
Porosita për të nesërmen disa kamionë gurë, llaç e çemento dhe muret e themelit
i ngritëm deri në zokolaturë, gjysëm metri përmbi tokë dhe rreth e rrotull
ndërtuam një brez betonit. Mbasi mbushëm me dhe sipërfaqen e brendshme të
kishës dhe betonuam shtresat, fill të nesërmen filluam ndërtimin e kishës me
konstruksion druri dhe veshje me llamarinë, dhe brenda më pak se një javë
fillova të them meshën për popull që qe shumë i gëzuar. Filloi që atëherë të
frekuentonte kishën prej dërrase me plot devotshmëri jo vetëm për meshën dhe
fuguret e ndryshme që unë vendosa atje, por në veçanti ndaj trupores së Shën
Kollit, ndaj të cilit jo vetëm populli shkodran, por në veçanti si ai i
rrethinave dhe i malësisë është shumë i përkushtuar.
Mesha e dytë, ditën e dielë, pas meshës së
parë thënë përjashta, u tha brenda kësaj Kishe-barakë, ku pjesëmarrja e
popullit qe shumë e madhe, dhe gjatë viteve sa vjen e rritet sa të mbushë edhe
ambjentet jashtë dyerve të kishës. (foto
4)
Po ashtu për çdo vit filluam të bëjmë edhe
proçesionin me truporen e Shën Kollit si me 9 Maj edhe 6 Dhjetor. (foto
5)
Kisha që në ditët e para u pajis edhe me një
qendër zëri dhe altoparlantë po ashtu u formua edhe kori i vajzave që
shoqërojnë të gjitha ceremonitë fetare gjatë vitit, i shoqëruar me organo
(tastjerë).
Në Maj 2002 erdhi të na gëzojë e të na
nderojë me praninë e tij edhe arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Angjelo Massafra që
mori pjesë edhe në vitin 2003, përveç meshës së koncelebruar me mua, në
proçesionin me truporen e Shën Kollit. (foto
6)
Fill pas ndërtimit të kishës-barakë, si
përgjigje e thirrjeve të vazhdueshme që unë i bëja opinionit botëror për
ndërtimin e kishës, ftuar edhe nga zotërinjtë Angjelin Muzhani, Gjon Gjonmarkaj
dhe Lec Daragjatit shokët e mi të përzemërt, erdhi si i deleguar i konferencës
ipeshkvnore austriake një meshtar i cili u tregua i gatshëm të merrte përsipër
ndërtimin e Kishë se Shën Kollit, mjaft që të kishim autorizimin e arqipeshkvit
Metropolit. Për bujarinë dhe gatishmërinë për të na u gjetur në ndihmë e kemi
falenderuar dhe përsëri e falenderojmë me gjithë zemër Klerin Austriak i cili
gjithmonë është gjetur i gatshëm të ndihmojë popullin katolik shqiptar.
Ndërtimin e Kishës e mori përsipër vetë
Arqipeshkvi Metropolit Angelo Massafra të cilin e falenderojmë duke i uruar të
gjtha hiret e bekimit të Zotit dhe të Shenjtit Shën Koll.
24 Prill 2003.
Për
bekimin e gurit të parë erdhi tek kisha e Shën Kollit ish Nunci Apostolik në
Shqipëri dhe sot Kardinal i Bombayt, Imzot Ivan Dias i shoqëruar nga Nunci i
tashëm Apostolik Giovanni Bulaitis, Arqipeshkëvi Angelo Massafra, Monsinjor
Lucjan Avgustini, disa meshtarë të tjerë si dhe prefekti i Shkodrës dhe
kryetari i Bashkisë. Kardinali Ivan Dias u përshëndet si nga Dom Ndoc Nogaj
edhe nga mons. Avgustini. E kemi pasqyruar këtë ceremoni madhështore edhe në
revistën “Mbas Teje” Maj 2003, Nr. 103. (foto
7;
8;
9)
Punimet kanë një vit që kanë filluar dhe me
ndihmën e Shën Kollit vitin tjetër do të përfundojnë. Ndërtesa është e gjitha
në strukturat mbajtëse në beton arme, duke filluar nga themelet. I sigurtë se interpretoj edhe urimet e të gjithë popullit katolik jo vetëm shkodranë por të gjithë Shqipërisë, në emër të të gjithëve, falenderoj përzemërsisht imzot Angelo Massafrën për këtë vepër të pavdekshme kushtuar Shën Kollit për popullin e tij katolik shkodran.
9 Maj 2004.
Përsëri erdhi për të na gëzuar e për të na nderuar me praninë e tij imzot
Angelo Massafra i cili tha edhe meshën përkujtimore të festës në bashkëcelebrim
me Dom Ndoc Nogen i përcjellur nga kori i fëmijëve i kishës dhe i ndjekur me
devotshmërinë më të madhe nga populli katolik, jo vetëm i lagjes, por edhe i
Shkodrës. Është mendim i Udhëheqjes Fetare që Kisha do të përfundojë vitin e
ardhshëm. (foto
10;
11)
Adresa:
Bashkimi Katolik i Publicistëve Shqiptarë
Sheshi Gjon Pali II, pranë Katedrales Shkodër
Tel. +355(0)2243709
Cel. +355(0)682734962
e-mail:
mbasteje@yahoo.it
Dom Ndoc Nogaj
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder < | ||